Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

‘Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra, t’i përqafoja flokët e dendura’

By: Kult Plus
9 July 2025 at 11:15

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske. / KultPlus.com

‘Monologu i të vetmuarit’

By: Kult Plus
5 July 2025 at 23:50

Poezi nga Ismail Kadare

Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim.
Këtu ku kam arritur më ftohtë është, me vetmi.
E dija këtë, por padurimi i vdekur
Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.

Krahë grashë të thyera mbi supe si të prera nga një morg
Më japin një gëzim po aq të vdekur.
Më duket ende dimër ndonëse është prill.
Kam ftohtë.
Kam ftohtë./KultPlus.com

100 portrete të Ismail Kadaresë, COD sjell biografinë e shkrimtarit përmes artit pamor

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) promovoi albumin “100 Portrete”, një biografi e Ismail Kadaresë përmes artit pamor.

Albumi pasqyron një rrugëtim prej 62 vitesh (1962-2024) duke e përkthyer në 100 portrete të shkrimtarit, siç nuk e kemi parë ndonjëherë: përmes pikturës, skicës, grafikës e fotografisë.

Albumi “100 portrete, Kadare në artet figurative”, pati si kurator prof. asoc. dr. Abaz Hadon.

Promovimi në kryeministri ishte një homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta së shkrimtarit. Ky botim i rrallë përmbledh veprat e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj, që e kanë portretizuar Kadarenë ndër vite, me dashuri, respekt dhe frymëzim.

Nga pozimet e para për Kilicën e Dilon, tek portretet e fundit për Arif Lushin e Hameraldi Agollin, një jetë e reflektuar në ngjyra, dritë-hije, forma dhe simbolikë.

Kuratori Abaz Hado u shpreh se, asnjë personazh tjetër botëror nuk ka një katalog me 100 vepra arti të dedikuara. “Kadareja vjen i dyti pas Skënderbeut në artin pamor”, u shpreh Hado. Ndërsa studiuesi Ermir Nika e cilësoi këtë botim jo thjesht një koleksion arti, por biografi të Kadaresë përmes imazhit.

Projekti i realizuar nga Instituti Liberal Pashko, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit “Credins”, është vetëm fillimi, pasi dy albume të tjera janë në proces.

The post 100 portrete të Ismail Kadaresë, COD sjell biografinë e shkrimtarit përmes artit pamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadare: Dëgjo… është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve

By: Kult Plus
1 July 2025 at 21:15

Dhjetë thënie të Ismail Kadaresë 

Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë.

Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

Njeriu në jetë ka nevojë për 1 filxhan shkencë, 1 shishe kujdes, dhe 1 oqean durim.

Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave./KultPlus.com 

‘Pa ty’

By: Kult Plus
1 July 2025 at 19:15

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ike udhes së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i henës.
Lejleket iken.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullare të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem permbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohti medalioni i hënës./KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

Akademia e Shkencave, veprimtari përkujtimore në nderim të Ismail Kadaresë

By: Kult Plus
1 July 2025 at 16:59

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një veprimtari përkujtimore në nder të shkrimtarit dhe akademikut të shquar Ismail Kadare. Të pranishëm ishin familjarë të Kadaresë, akademikë, miq e njerëz të letrave.

Në fjalën e tij, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, e cilësoi gjeniun e letrave Kadare, si një kryeakademik për nga vlera dhe jehona e veprës së tij, e mirënjohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht.

“Humbja fizike e Kadaresë është padyshim humbja më e madhe letërsisë sonë. Ishte gjithashtu një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë evropiane dhe botërore, e akademizmit shqiptar dhe atij evropian”, u shpreh akad. Gjinushi në këtë veprimtari. Sipas tij, Kadareja do të lexohet e do të vlerësohet në vazhdimësi pasi mesazhet e veprës së tij, stili dhe forca e fjalës, e bëjnë veprën e tij aktuale, tërheqëse dhe emancipuese për të gjitha kohërat.

Akad. Gjinushi përmendi dhe vlerat e Kadaresë në lëmin e gjuhësisë duke thënë se, kontributi i tij si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejt. “Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin ta kishte anëtar të sajin për 35 vjet”, u shpreh Gjinushi.

Edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kishte dërguar një mesazh të veçantë i cili u përcoll nga akademik Vaso Tole.

Të tjerë personalitete të cilët ngritën lart në fjalën e tyre, figurën e Kadaresë, ishin: botuesi i tij, Bujar Hudhri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, akad. Shaban Sinani, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali etj.

Në përfundim të aktivitetit, e mori fjalën edhe bashkëshortja e Ismailit, shkrimtarja Helena Kadare.

“Natyrisht kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimit që i bëjnë atij dhe veprës së tij letrare. Ismail Kadare është një shkrimtar shqiptar që e ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që do të thotë se ai përshkroi në veprën e tij fatin e shqiptarit dhe Shqipërisë në tërë rrjedhën e historisë së saj”, tha Helena Kadare./atsh/KultPlus.com

Ismail Kadare për Ibrahim Rugovën: Në urtësinë e tij kishte çelik

By: KultPlus
1 July 2025 at 16:30

Ismail Kadare dhe Ibrahim Rugova janë dy njerëz të mëdhenj për shqiptarët. Të dytë edhe kanë shkruar dhe i janë future me zell e me xhelozi studimit dhe letërsisë. Rugova më shumë si studiues ndërsa Kadare më shumë si shkrimtar, ata i bashkon, nëse jo asgjë, Franca, si një shtet ku të dytë kanë pëlqyer të jetojnë e punojnë për një kohë, shkruan KultPlus.

Ndonëse shpesh kishin mospajtime, ata sërish ishin miq.

Po ju sjellim sot fjalët e Kadaresë mbi këtë figurë të njohur për shqiptarët:

“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu.

E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit… Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare.
Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet”, ka thënë mes tjerash Kadare.

“Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik”, ka thënë Kadare për Presidentin Historik të Kosovës – Ibrahim Rugovën.

Ndërsa në një pritje në Köln në vitin 2013, Ismail Kadare ndër të tjera theksoi: “Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq.”

Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006. Ka udhëhequr Kosovën dhe LDK’në prej viteve të 90’ta. / KultPlus.com

Një vit pa Ismail Kadarenë, akademikë dhe personalitete nderojnë gjeniun e letrave

By: fra nc
1 July 2025 at 16:15

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta, akademikë, shkrimtarë, poetë dhe politikanë nderuan kolosin e letërsisë, Ismail Kadare. Personalitetet kujtuan trashëgiminë që ka lënë Kadareja për letërsinë shqipe, ndërsa vlerësuan figurën dhe kontributin e tij.

Një vit më parë, në moshën 88-vjeçare, u nda nga jeta gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.

Zyrtarë dhe personalitete vlerësuan figurën dhe kontributin e shkrimtarit të madh në një aktivitet përkujtimor të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e përshkroi Kadarenë si një ikonë të përjetshme të mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Elisa Spiropali:
“Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendit nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.”

Skënder Gjinushi:
“Kadareja është mbrojtësi dhe hulumtuesi më i zjarrtë i gjuhës shqipe, i origjinës dhe lashtësisë së saj. Kadareja është një figurë identitare e popullit shqiptar, krahas figurave të tjera si Ismail Qemali, Skënderbeu e Nënë Tereza, dhe si i tillë do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar. Akademia ka pasur nderin ta kishte anëtar të saj për 36 vite me radhë.”

Akademikët kujtuan trashëgiminë e një shkrimtari që i dha gjuhës sonë përmasat e botës, ndërsa e cilësuan Kadarenë si shtyllë të identitetit tonë kombëtar.

Pirro Misha:
“Shqetësimi i vazhdueshëm i tij ishte që shqiptarët të përcaktonin njëherë e përgjithmonë vendin e tyre në histori si pjesë e qytetërimit evropian. Ai kujdesej për të paralajmëruar rrezikun që ekzistonte gjithmonë. Shqiptarët mund ta quajnë veten me fat që patën një figurë si Kadare.”

Shaban Sinani:
“Shkrimtari është përgjegjës për çdo gjë që ndodh në shoqëri gjatë jetës së tij. Kësaj përgjegjësie Kadare i doli përballë duke sfiduar historinë dhe të sotmen. Rekordi i tij është sfidues aq sa mund të kthehet në një problem qenësor për zhvillimin e letërsisë shqipe. Ismail Kadare, me veprën, vdekjen mundi.”

Bujar Hudhri:
“Që nga ajo ditë e një korriku të kaluar më ka mbetur e pashlyer në kujtesë pamja në sallonin e apartamentit, gati për udhëtimin e radhës. Kështu do ta përfytyroj përherë, drejt një fluturimi drejt një planeti të ri për letërsinë, por tashmë pa kthim. Dhimbja për ikjen e tij do të kalojë, por thesari që ka lënë për ne dhe veprat e tij do të mbesin përjetësisht.”

E pranishme në aktivitet ishte edhe Elena Kadare, bashkëshortja e kolosit të letrave shqipe, e cila u shpreh se jeta e shkrimtarit të madh shqiptar ishte në një linjë me atë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Elena Kadare:
“Ishte një shkrimtar shqiptar që ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që përshkroi me veprën e tij fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërë rrjedhën e saj. Ashtu si mbijetuan shqiptarët, mbijetoi edhe vetë Ismaili, jeta e të cilit ishte në thelb jeta e shqiptarëve që kërkuan liri, barazi dhe progres.”

Ismail Kadare, i lindur më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda dhe jashtë kufijve të vendit, i cili ngriti lart prestigjin e letrave shqipe anembanë globit. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës dhe është vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Euronews Albania (@euronews_albania)

The post Një vit pa Ismail Kadarenë, akademikë dhe personalitete nderojnë gjeniun e letrave appeared first on Euronews Albania.

Ismaili ende në Tufinë/ Premtimi i Ramës për një varr të denjë për shkrimtarin

By: user 4
1 July 2025 at 16:58

Ekzaktësisht një vit më parë, në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në një skenë ku përkulej me rruazore në duar Nënë Tereza, u përcoll me homazhe shtetërore shkrimtari Ismail Kadare. Muzika funebre dhe nderimet pranë arkëmortit u ndërprenë veçse për pak minuta gjatë ceremonisë, kur mbajti një fjalim Edi Rama, i vetmi njeri të cilit familja Kadare i besoi këtë moment nderi.

Për çudi në qendër të fjalimit nuk ishte aq i ndjeri apo kontributi i tij për kombin, por andrallat që kishte hequr Edi Rama për organizimin e ceremonisë në Teatrin e Operas dhe Baletit, shoqëruar nga dilemat për të gjetur një vend të denjë në Tiranë, ku të prehej trupi i shkrimtarit.

DW: Ismail Kadare, letërsi e pavdekshme dhe kameleon politik?

Pasi sqaroi imazhin e Nënë Terezës mbi skenë, ndërsa përshkruante “ankthin e çuditshëm” të atyre që i propozonin nga një vend për varrin e Kadaresë, Rama listoi me ton ironik disa sugjerime: “tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë”. Të gjitha, të refuzuara me lehtësinë e pushtetarit që nuk sheh rreth vetes veçse tutkunë dhe që e ka humbur aftësinë për t’i besuar njerëzve që ka pranë.

Sërish me ironi, Rama përmendi edhe një mauzeloum apo një panteon të munguar për “kokat e kombit”, ku me siguri do të kishte një vend për trupin e shkrimtarit. “Kështu është kur nuk e kemi si tërë bota një panteon për kokat e vdekura të kombit”, thanë disa. Ndonjë tjetër bëri thirrje për “mauzoleum”, u shpreh ai.

Më pas, sfidoi solemnitetin e ceremonisë së vdekjes me një satirë të pazakontë duke thënë: “Po të bënim një kullë mbrapa Skënderbeut, me shumë apartamente për të tërë të vdekurit me emër… do ta mbyllnim mbase përgjithnjë problemin historik të gjetjes së vendvarrimit”.

Prapaskena/ 5 përplasjet e mëdha të Kadaresë dhe ndjesa për Rugovën

Dhe kështu, u ndal “i tmerruar” nga përfytyrimi i radhës së të gjallëve që kërkojnë apartamente për varre dhe vendosi të mos zgjedhë asgjë. Asgjë fare.

Një vit më pas, s’ka zgjedhur asgjë duke lënë një boshllëk të pahijshëm: Ismail Kadare prehet edhe këtë fillmkorriku në varrezat e Tufinës, atje ku zgjodhi ta lëshojë hë për hë Edi Rama.

Përkundër lëvdatave dhe elozheve për Ismail Kadarenë që “e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur”, kryeministri Rama nuk ka ditur apo nuk ka dashur t’i dhurojë varrin e premtuar autorit të vargjeve: “Në s’të pranoftë asnjë varr/ Asnjë mermer a morg-kristal/ Mos duhet vall’ prap’ të të mbart/ Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Albania 2.1 e Winy Maas/ Kullë te shtëpia e Kadaresë dhe hotel mbi Gjipe

Gjithsesi nuk jemi më në fushën e letrave, por në realitetin banal. Aty ku vendi i shkrimtarit të vdekur varet nga kapriçot e pushtetarit që ka premtuar se: “Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tij”.

Por ende një vit më pas, mbetet pyetja: Çfarë e pengoi Ramën ta mbante premtimin? Mos ndoshta është më e lehtë të luash me fjalët e Kadarese sesa të jesh në lartësinë e një shtetari serioz? A gaboi familja Kadare që i besoi fjalëve të kryeministrit?

Cilado të jetë e vërteta, Ismail Kadare mbetet i pakonkurueshëm në letërsinë shqipe dhe sa ishte gjallë Ismaili ia doli ta ruajë marrëdhënien e privilegjuar me pushtetin, ndërsa tani që ka një vit i vdekur, askush nuk po kujtohet për gjeniun Kadare, që ka mbetur në Tufinë si premtim i pambajtur i atyre që mbajnë çelësat e pallateve shtetërore./Lapsi.al

The post Ismaili ende në Tufinë/ Premtimi i Ramës për një varr të denjë për shkrimtarin appeared first on Lapsi.al.

Poezia e Ismail Kadare për Kosovën

By: KultPlus
1 July 2025 at 15:30

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,

Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Një vit pa Kadarenë/ Miq dhe shkrimtarë kujtojnë gjeniun e letrave shqipe

By: xhir jeta
1 July 2025 at 15:24

Me mall dhe vargjet e recituara prej tij në sfond kujtohet gjeniu i letrave shqipe Ismail  Kadare, një vit pas largimit nga jeta tokësore. Frymë kombëtare e ëndërr europina, është letërsia e tij për bashkëshorten Helena Kadare.

Bashkësundues të epokës, e cilëson studiuesi Shaban Sinani, referuar veprës së tij të fundit.

Pa pengje letrare dhe me korpus të dëshiruar për brezat, iku nga kjo tokë Kolosi i letrave shqipe, thekson botuesi.

Ismail Kadare është shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës.

Ndërsa botës i prezantoi Shqipërinë, me traditat dhe kulturë europiane me perkthimin ne mbi 45 gjuhe.  Kadare shenon 68 vite krijmtare duke prekur çdo gjini letrare, por mbetet prijesi i romanit, që  i dhuroi çmimet më të rëndësishme letrare, përveç Nobelit.

Kadare-një vit pas

By: KultPlus
1 July 2025 at 13:08

Mehmet Kraja 

Para një viti, lajmi për ikjen në amshim të Ismajl Kadaresë na tronditi, na bëri të ndiheshim disi të braktisur, të përfshirë në një ndjenjë humbjeje dhe zbrazësie që nuk do ta plotësonim aq lehtë. Kjo ndodhte ngase për të gjithë ne Kadare kishte marrë atributet jo të një miti, siç mund të thonë disa, por të një argumenti që na i bën të ditura, na i kujton dhe na i rikujton të vërtetat e amshueshme për qenësi të mëdha identitare dhe tej identitare. Kadare ishte personifikim, ishte simbol, i tillë do të mbetet deri skajet më të ladrgëta të memories sonë kolektive. Është e pamundur të ndryshohet ky imazh, sado kohë që të kalojë: Kadare është ai guri i qemerit që mban traun e shtëpisë së përbashkët.

Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë kishte një kuptim më specifik, sepse ai ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë për Kosovës në më shumë se 50 vitet e shkuara. 

Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. 

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. 

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotsueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë pasur jehonë të madhe në opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore. 

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor./ KultPlus.com 

Spiropali për Kadarenë: Hyji fluturoi lart, por na lidhi pashmangshmërisht më rrënjët tona europiane

By: KultPlus
1 July 2025 at 12:30

Fjala e plotë e Kryetares Spiropali në  aktivitein e zhvilluar për Ismail Kadarenë, nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave

E dashur Helena,

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Gjinushi,

Të nderuar akademikë, shkrimtarë, poetë, deputetë e të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi – dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.

Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë – njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës.

Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi:
“Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.”
Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia.

Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime , ishte perbuztar ndaj tyre!
I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë. Në meritë e tij Homerike ai mbetej dashesi më i madh i kesaj toke!

Në veprën e tij, vdekja dhe përsosmëria nuk janë të ndara. Ja ç’shkruan për të dyja:

“E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. … Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.”

Vëzhgues i përbindshëm i jetës, i ndjesive më të vogla e më njerëzore: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet. Në këto gjëra të përditshme, ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesrmja, shqiptari dhe Bota, Shqiperia dhe Europa!

Sepse ai besonte – me të drejtë – se bota që ndërtonte me fjalë ishte ndoshta më e drejtë, më e besueshme, më e vërtetë, se ajo ku jetonim.

Kadareja ndërtoi dy të tilla: njërën personalen , ku sundonte si një zot shpesh i mëshirshëm, herë hakmarrës, por gjithmonë njerëzor; dhe tjetrën, që ia dhuroi njerëzimit – një botë me përmasa mitike, por me themele reale, ku Shqipëria dhe shqiptaria gjenin formën më të lartë të vetvetes.

Në këtë univers letrar, ai udhëtoi si një Dante modern, duke pasur pranë jo vetëm Beatriçen e tij – Helenën – por edhe kujtesën, mitin, identitetin, tragjedinë dhe ëndrrën

Edhe pse Kadare, i është rikthyer tokës si rrënja më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore universale.

I ndarë nga bota jonë, duke vendosur të Ikë për të pushuar vetëm një çast, Kadare shënjoi dhe një nga paradokset e shumta të jetës së tij, duke i dhënë jetë dhe një paradoksi të ri, duke i dhënë paqe edhe armiqve të tij. Atyre që nën uniformën gri e monotone të mediokritetit shfaqeshin si një turmë plot me zulmë e zhurmë kritikësh dhe turmë ziliqarësh e lakmitarësh.

Vetë Kadare ishte ai që me parimin e tij për moshpjegim, i bënte të shfaqeshin edhe më të vegjël, edhe më të parëndësishëm, edhe më të papërfillur.

Fitimtar, kur mund të kthente përgjigje, tani në heshtje u dha paqe, duke lënë pas indiferencën dhe moskuptimin të gjithë atyre që iu gërmushëm, gafurrën dhe e gërvishën me gërvima groteske nën gërmërin qesharak të marshit funebër të mediokërve.

Herët a vonë, ndodh revanshi i shkrimtarit, sidomos atëherë kur ai nuk ka trup për të mbajtur mbi emër, por është vetëm një emërmbiemër mbi letërsinë e tij të shkruar.

Vetëm atëherë kur ai është jashtë hijes dhe peshës së kohës, ai dëshmon më qartë peshën e pushtetit të së përjetshmes mbi të përkohshmen.

Ky Prijës perëndimor që Shqipëria e marrë peng prej Lindjes pati fatin t’i dhurojë Perëndimit, si ata fare pak shkrimtarë të kalibrit të tij, pati një jetë jo paralele me asnjë regjim; foshnjë dhe fëmijë nën mbretërinë komike të viteve 30-të dhe më pas të viteve të pushtimit; adoleshent dhe i ri i moçëm nën regjimin komunist dhe një i pamoshë në fëmijërinë e trazuar të demokracisë shqiptare.

Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.

Kadare ishte një udhëtar i madh që u nda nga Gjirokastra për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë; iu kthye antikitetit të Ilirisë dhe Greqisë së lashtë dhe mbërriti nga stepat sovjetike në brigjet e detit të Kinës në Lindje.

Ai hulumtoi universin njerëzor në qelizën e tij, që nga ADN-ja e banditit të rëndomtë tek pafajësia e dashurisë, nga shiu i dëshpëruar tek daullet e dasmave, nga krenia e individit si kështjellë tek kalatë e mendimit, nga të rrëzuarit në fatkeqësi, tek sjellësit e mynxyrave, nga skllavi tek padroni, nga i vdekuri i gjallë tek të gjallët që patën lindur të vdekur.

Një alkimist modern që në kohën e shpresës së vdekur, parashihte se shpresa lind edhe nga eshtrat e letërsisë së madhe.

Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtit e kësaj bote.

Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëvë. Atyre që bashkësive, komuniteteve, popujve, kombeve, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t’ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar. Kadare ishte nga të parët që i dha zë Kosovës në Shqipëri dhe i tregoi Shqipërisë Kosovën si dy gjysma të trupit të një kombi të aksidentuar nga historia. Ishte vështrimi që tregonte adresën që duhej të merrnim edhe në orë fatale dhe ishte mendja që dëshmonte se çfarë duhej bërë që e ardhmja të fliste shqip e europianisht në këtë skaj të Ballkanit për dy republikat euroshqiptare.

Kadare ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë.

Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.

Mjerë kritizerët trukokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyut veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës.

Ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për atë që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë.

Poet, prozator, polemist, sagist, eseist, epik, lirik, dramatik, tragjik, kushtuar talentin dhe jetën sa individit dhe njerëzimit, vepër me shtrirje kohore deri në antikitet dhe shtrirje gjeografike planetare, përkthyer në dhjetra gjuhë, pëlqyer nga miliona lexues, mposhtës i sfidave nga më të vështirat, përballues i rrethanave nga më dramatiket, volum pune kolosale, perfeksionist i pashërueshëm i formës dhe përmbajtjes, gdhendur jo çdo paragraf e çdo fjali, por deri çdo gërmë e çdo tingull, ekzaltues i vlerave njerëzore, kombëtare, intelektuale, europiane në periudhën nga më tragjiket e historisë sonë, në terrin e diktaturës, i binduri i patundur që e provoi dhe provon me punë titanike dhe talent gjenial se rruga për te Liria, e vetmja rrugë për progres dhe prosperitet, kalon nga arsyeja, bukuria, pasioni, ishte dhe mbetet Ai.

Hyji fluturoi lart, por na lidhi pashmangshmërisht më rrënjët tona europiane.

Sot e mot e përgjithmonë, i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i ndrituri ynë. Fjalët më zor i gjejmë. Na duhesh, ngrehu dhe kthehu prej andej ku je, ku përkohësisht ke shku./ KultPlus.com 

Një vit pa kolosin e letrave shqipe, Elena Kadare: Jeta e Ismailit, pasqyrë e dhimbjes dhe shpresës shqiptare

By: gaze tare
1 July 2025 at 12:14

Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, organizoi sot një aktivitet përkujtimor për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë një vit më parë. Në fjalën e saj, Elena Kadare, bashkëshortja e kolosit të letrave shqipe, ka vlerësuar fjalët e folësve, duke shtuar se jeta e shkrimtari të madh shqiptar, ishte në një linjë me atë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

“Kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folëse dhe vlerësimit për veprën e tij. Ishte një shkrimtar shqiptar që ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që përshkroi me veprën e tij fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërë rrjedhën e saj. Ashtu si mbijetuan shqiptarët, mbijetoi edhe vetë Ismaili, jeta e të cilit ishte në thelb jeta e shqiptarëve që kërkuan liri barazi dhe progres”, u shpreh ajo.

The post Një vit pa kolosin e letrave shqipe, Elena Kadare: Jeta e Ismailit, pasqyrë e dhimbjes dhe shpresës shqiptare appeared first on iconstyle.al.

1 vit pa Kadarenë, Spiropali: Ikonë që do të mbetet dëshmi e mendjes dhe e shpirtit shqiptar

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare. Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, organizoi sot aktivitet përkujtimor për shkrimtarin Ismail Kadare.

Në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vlerësoi figurën dhe kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare për letërsinë shqipe.

“Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar  që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone  që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar. Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi – dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.

“Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë – njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës. Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi: “Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.” Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia”, tha Spriopali.

Kryeparlamentarja tha se Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë.

“Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime , ishte përbuztar ndaj tyre! I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë. Në meritë e tij Homerike ai mbetej dashësi më i madh i kësaj toke!

“Në veprën e tij, vdekja dhe përsosmëria nuk janë të ndara. Ja ç’shkruan për të dyja: “E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. … Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.”

“Vëzhgues i përbindshëm i jetës, i ndjesive më të vogla e më njerëzore: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet. Në këto gjëra të përditshme, ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesërmja, shqiptari dhe Bota, Shqipëria dhe Europa!”, tha Spiropali.

Sipas Spiropalit, Kadare “besonte – me të drejtë – se bota që ndërtonte me fjalë ishte ndoshta më e drejtë, më e besueshme, më e vërtetë, se ajo ku jetonim”.

“Kadareja ndërtoi dy të tilla: njërën personalen ku sundonte si një zot shpesh i mëshirshëm, herë hakmarrës, por gjithmonë njerëzor; dhe tjetrën, që ia dhuroi njerëzimit – një botë me përmasa mitike, por me themele reale, ku Shqipëria dhe shqiptaria gjenin formën më të lartë të vetvetes. Në këtë univers letrar, ai udhëtoi si një Dante modern, duke pasur pranë jo vetëm Beatriçen e tij – Helenën – por edhe kujtesën, mitin, identitetin, tragjedinë dhe ëndrrën”, u shpreh Spiropali.

Më tej në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit tha se edhe pse Kadare, i është rikthyer tokës si rrënja më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore universale.

“I ndarë nga bota jonë, duke vendosur të Ikë për të pushuar vetëm një çast, Kadare shënjoi dhe një nga paradokset e shumta të jetës së tij, duke i dhënë jetë dhe një paradoksi të ri, duke i dhënë paqe edhe armiqve të tij. Atyre që nën uniformën gri e monotone të mediokritetit shfaqeshin si një turmë plot me zulmë e zhurmë kritikësh dhe turmë ziliqarësh e lakmitarësh.

“Vetë Kadare ishte ai që me parimin e tij për moshpjegim, i bënte të shfaqeshin edhe më të vegjël, edhe më të parëndësishëm, edhe më të papërfillur. Fitimtar, kur mund të kthente përgjigje, tani në heshtje u dha paqe, duke lënë pas indiferencën dhe moskuptimin të gjithë atyre që iu gërmushëm, gafurrën dhe e gërvishën me gërvima groteske nën gërmërin qesharak të marshit funebër të mediokërve.

“Herët a vonë, ndodh revanshi i shkrimtarit, sidomos atëherë kur ai nuk ka trup për të mbajtur mbi emër, por është vetëm një emër mbiemër mbi letërsinë e tij të shkruar. Vetëm atëherë kur ai është jashtë hijes dhe peshës së kohës, ai dëshmon më qartë peshën e pushtetit të së përjetshmes mbi të përkohshmen”, tha kryetarja e Kuvendit.

Sipas Spiropalit, Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit.

“Ky prijës perëndimor që Shqipëria e marrë peng prej Lindjes pati fatin t’i dhurojë Perëndimit, si ata fare pak shkrimtarë të kalibrit të tij, pati një jetë jo paralele me asnjë regjim; foshnjë dhe fëmijë nën mbretërinë komike të viteve 30-të dhe më pas të viteve të pushtimit; adoleshent dhe i ri i moçëm nën regjimin komunist dhe një i pamoshë në fëmijërinë e trazuar të demokracisë shqiptare. Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.

Kadare ishte një udhëtar i madh që u nda nga Gjirokastra për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë; iu kthye antikitetit të Ilirisë dhe Greqisë së lashtë dhe mbërriti nga stepat sovjetike në brigjet e detit të Kinës në Lindje”, u shpreh Spiropali.

Spiropali tha më tej se “ai hulumtoi universin njerëzor në qelizën e tij, që nga ADN-ja e banditit të rëndomtë tek pafajësia e dashurisë, nga shiu i dëshpëruar tek daullet e dasmave, nga krenia e individit si kështjellë tek kalatë e mendimit, nga të rrëzuarit në fatkeqësi, tek sjellësit e mynxyrave, nga skllavi tek padroni, nga i vdekuri i gjallë tek të gjallët që patën lindur të vdekur. Një alkimist modern që në kohën e shpresës së vdekur, parashihte se shpresa lind edhe nga eshtrat e letërsisë së madhe”.

“Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtit e kësaj bote. Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëve. Atyre që bashkësive, komuniteteve, popujve, kombeve, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t’ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar. Kadare ishte nga të parët që i dha zë Kosovës në Shqipëri dhe i tregoi Shqipërisë Kosovën si dy gjysma të trupit të një kombi të aksidentuar nga historia. Ishte vështrimi që tregonte adresën që duhej të merrnim edhe në orë fatale dhe ishte mendja që dëshmonte se çfarë duhej bërë që e ardhmja të fliste shqip e europianisht në këtë skaj të Ballkanit për dy republikat euroshqiptare”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Kadare sipas Spiropalit “ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë”.

“Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë. Mjerë kritizerët trukokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyut veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës”, tha Spiropali.

Spiropali theksoi se duhet “ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për atë që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë”.

“Poet, prozator, polemist, sagist, eseist, epik, lirik, dramatik, tragjik, kushtuar talentin dhe jetën sa individit dhe njerëzimit, vepër me shtrirje kohore deri në antikitet dhe shtrirje gjeografike planetare, përkthyer në dhjetra gjuhë, pëlqyer nga miliona lexues, mposhtës i sfidave nga më të vështirat, përballues i rrethanave nga më dramatiket, volum pune kolosale, perfeksionist i pashërueshëm i formës dhe përmbajtjes, gdhendur jo çdo paragraf e çdo fjali, por deri çdo gërmë e çdo tingull, ekzaltues i vlerave njerëzore, kombëtare, intelektuale, europiane në periudhën nga më tragjiket e historisë sonë, në terrin e diktaturës, i binduri i patundur që e provoi dhe provon me punë titanike dhe talent gjenial se rruga për te Liria, e vetmja rrugë për progres dhe prosperitet, kalon nga arsyeja, bukuria, pasioni, ishte dhe mbetet Ai. Hyji fluturoi lart, por na lidhi pashmangshmërisht më rrënjët tona europiane”, tha Spiropali.

Spiropali e përmbylli fjalimin me fjalët “sot e mot e përgjithmonë, i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i ndrituri ynë. Fjalët më zor i gjejmë. Na duhesh, ngrehu dhe kthehu prej andej ku je, ku përkohësisht ke shku”.

/m.q/j.p/

The post 1 vit pa Kadarenë, Spiropali: Ikonë që do të mbetet dëshmi e mendjes dhe e shpirtit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadare: Dëgjo… është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve

By: KultPlus
1 July 2025 at 10:00

Dëgjo… është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve- dhjetë thënie të Ismail Kadaresë 

Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë.

Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!

Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë.

Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre.

Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.

Të falësh nuk do të thotë të harrosh.

Ne mund të jemi gjithçka, veç një gjë nuk jemi: ajo që kujtoni ju.

Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve.

Njeriu në jetë ka nevojë për 1 filxhan shkencë, 1 shishe kujdes, dhe 1 oqean durim.

Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave./KultPlus.com 

Përvjetori i parë pa praninë fizike të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare 

By: KultPlus
1 July 2025 at 09:07

Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, ka vdekur në moshën 88-vjeçare një vit më parë. 

I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Kadare do të kalonte  kufijtë e Shqipërisë së izoluar. Këtë do ta bënte në vitet ’70, kur veprat e tij të përkthyera nga Jusuf Vrioni do të bëheshin pjesë e letërsisë elitare në Francë e në botë. 

Falë prozës së Kadaresë të përkthyera në më shumë se 40 gjuhë të botës, letërsia shqipe arriti majat.

Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kadare u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. 

Krahas çmimeve të tjera, më 2019 fitoi “Nobelin” amerikan, siç cilësohet çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”. Gjatë ndarjes së këtij çmimi Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.

Disa herë qe konsideruar si favorit për “Nobel”.

Në biografinë e tij të publikuar në faqen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës thuhet se fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. 

Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Evropiane.
Ndërkaq, “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër.

Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. 

Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët. 

Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.

Tutje thuhet se letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar./ KultPlus.com 

Një vit prej ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare

By: E.K
1 July 2025 at 09:11

Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare. Ai ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit, i cili ngriti lart prestigjin e letrave shqipe anembanë globit. Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Në vendlindje qëndroi […]

The post Një vit prej ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare appeared first on FaxWeb.

Homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare

By: berti
1 July 2025 at 08:46

Nga Albert Vataj Më 1 korrik 2024, ra heshtja mbi një zë që kishte kohë që nuk fliste, por që kishte folur aq shumë sa çdo heshtje pas tij tingëllon ende si jehonë. Një vit më parë u nda nga jeta Ismail Kadare, njeriu që u lartua në ndërgjegjen e një kombi si një sfidë dhe si një shenjë, si një zë që mbeti i paarritshëm, i pazëvendësueshëm, i pashuar. Kaloi një vit që nga ajo ditë kur Shqipëria…

Source

Një vit nga ndarja me jetën e Ismail Kadaresë, trashëgimia që nuk shuhet

By: gaze tare
1 July 2025 at 09:38

Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.

Ai ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit, i cili ngriti lart prestigjin e letrave shqipe anembanë globit.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Në vendlindje qëndroi deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Më pas kreu në Tiranë studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.

Në harkun e viteve 1958-1960, Kadare thelloi studimet në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari.

Në vitin 1963 botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Karriera e Kadaresë shënoi kulme të tjera me tema sa lokale aq edhe universale. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve ishte kryefjalë edhe në romanin “Kështjella”, botuar në vitin 1970. I njëjti frymëzim vihet re edhe tek “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.

Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron, në Tiranë, e ngriti në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.

Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera.

Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

The post Një vit nga ndarja me jetën e Ismail Kadaresë, trashëgimia që nuk shuhet appeared first on iconstyle.al.

❌
❌