Ish-deputetja dhe vajza e vetme e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Teutë Rugova, është martuar zyrtarisht ditën e sotme. Ajo ka kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj, Agron Gjeloshin, djalin e aktivistit të njohur, Nik Gjeloshi në një ceremoni të veçantë familjare, e cila u mbajt në shtëpinë e familjes Rugova, të njohur ndryshe si “Rezidenca Rugova” në Prishtinë.
Lajmi është bërë publik nga kunata e saj, stilistja e njohur Blerina Kllokoqi Rugova, e cila ka ndarë disa fotografi nga ceremonia, ku çifti shfaqet i lumtur dhe i emocionuar. Kurorëzimi është bërë nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm për të zyrtarizuar këtë moment të rëndësishëm për çiftin.
Ismail Kadare dhe Ibrahim Rugova janë dy njerëz të mëdhenj për shqiptarët. Të dytë edhe kanë shkruar dhe i janë future me zell e me xhelozi studimit dhe letërsisë. Rugova më shumë si studiues ndërsa Kadare më shumë si shkrimtar, ata i bashkon, nëse jo asgjë, Franca, si një shtet ku të dytë kanë pëlqyer të jetojnë e punojnë për një kohë, shkruan KultPlus.
Ndonëse shpesh kishin mospajtime, ata sërish ishin miq.
Po ju sjellim sot fjalët e Kadaresë mbi këtë figurë të njohur për shqiptarët:
“Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis”. President të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu.
E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota dika ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit… Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet”, ka thënë mes tjerash Kadare.
“Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik”, ka thënë Kadare për Presidentin Historik të Kosovës – Ibrahim Rugovën.
Ndërsa në një pritje në Köln në vitin 2013, Ismail Kadare ndër të tjera theksoi: “Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq.”
Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006. Ka udhëhequr Kosovën dhe LDK’në prej viteve të 90’ta. / KultPlus.com
Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.
“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.
“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar tutje Olluri. / KultPlus.com
Një botim i ri kushtuar jetës dhe veprës së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, është publikuar së fundmi në Itali, duke sjellë para lexuesve italianë figurën e liderit që udhëhoqi popullin e Kosovës drejt pavarësisë përmes rrugës së rezistencës paqësore.
Libri, i shkruar nga ambasadori Vehbi Miftari dhe përkthyer në italisht nga Giovanni Firera, vjen si një vlerësim i thellë për kontributin e Rugovës në ndërtimin e identitetit shtetëror të Kosovës. Ky botim është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm me shtëpinë botuese “Editrice Morrone” dhe intelektualin Carlo Morrone, të cilët ndihmuan në ndërtimin e një “ure kulturore” mes Italisë dhe Kosovës.
Ibrahim Rugova, i lindur në Cerrcë më 1944, ishte një intelektual, shkrimtar dhe kritik letrar që u bë një figurë qendrore në historinë e re të Kosovës. Në vitet ’90, ai udhëhoqi një lëvizje të gjerë popullore për pavarësi nga Jugosllavia, duke mbështetur fuqishëm rezistencën paqësore dhe duke u frymëzuar nga figurat botërore si Mahatma Gandhi dhe Martin Luther King. Megjithë kritikat që mori për qëndrimin e tij të moderuar, Rugova arriti të ndërkombëtarizojë çështjen kosovare dhe të sigurojë mbështetje të gjerë diplomatike për të drejtat e popullit të tij.
“Jam i nderuar që u përzgjodha për përkthimin dhe publikimin e këtij libri në Itali, për njeriun që ndihmoi të ndryshojë fatin e një kombi të lirë”, shkruan përkthyesi Giovanni Firera, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtimit dhe vlerave që përfaqëson figura e Rugovës.
Ky botim vjen si një hap domethënës për promovimin e historisë dhe kulturës së Kosovës në Evropë, duke e prezantuar Ibrahim Rugovën jo vetëm si një udhëheqës politik, por si një simbol të dinjitetit dhe dialogut në përpjekjet për vetëvendosje./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në inaugurimin e një pjese të bibliotekës “Ervin Szabó” në Budapest, e cila tashmë mban emrin e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se trashëgimia e “Atit themeltar të Republikës”, siç e cilësoi ajo Rugovën, nuk i përket vetëm Kosovës, por të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e së drejtës dhe në idealin e lirisë.
“Prandaj, sot në Budapest, bashkë me miq të Presidentit Rugova e miq të rinj të Kosovës, inauguruam një pjesë të bibliotekës ‘Ervin Szabó’ me emrin e Presidentit historik, si shenjë e përhershme kujtese për vizionin e arkitektit të pavarësisë, i cili me përkushtim i udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka theksuar Osmani.
Inaugurimi i kësaj pjese të bibliotekës në kryeqytetin hungarez vjen si një tjetër akt nderimi për presidentin e parë të Kosovës, i cili për vite me radhë ishte figurë qendrore e rezistencës paqësore të popullit të Kosovës.
Historiani Asdren Shala, është shprehur se ish-presidenti i vendit, Ibrahim Rugova, s’ka qenë frikacak dhe se ka besuar në paqe.
Sipas Shalës, pikërisht rezistenca e tij paqësore e ka delegjitimuar argumentin e Serbisë, se në Kosovë shqiptarët nuk kanë problem me të drejta.
“Personalisht lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës, po e portretizoj më Rugovën sepse është ikona e asaj lëvizje, por edhe lëvizja çlirimtare e UÇK-së për mua janë komplementare. Mos ta harrojmë në vitet `90-ta një hap eventual i Ibrahim Rugovës, me iu përgjigj një ftese të Franjo Tuxhmanit dhe Stipe Mesiç për një luftë të përbashkët kundër Serbisë, shqiptaro – kroat-sllovene, në gjykimin tim ajo kish me përfundu më së keqi për shqiptarët”.
“Kështu që mendoj se rezistenca e Ibrahim Rugovës ka qenë ose e ka delegjitimu argumentin e Serbisë, apo atë kohë ish-jugosllavisë që në Kosovë shqiptarët nuk e kanë problem me liri e të drejta. Ajo rezistencë paqësore, që po e themi me epitetin që e ka zgjedh Rugova vet, një farë refuzimi estetik që i bënë atij sistemi të aparatit apartedi, për mua ka qenë një argument i mirë që goxha shumë e ka lëvizje çështjen e shqiptarëve tutje”, tha Shala në Rubikon të Klan Kosovës.
Por siç ka theksuar Shala, ka qenë një moment kur Ibrahim Rugova është dashur të ndërronte qasjen.
“Pas Dejtonit ka lëvizje të tjera gjeopolitike, ku mos përmendja e shqiptarëve, që këtu u tha mirë apo keq është temë për debat por s`po e bëjmë sot. Unë mendoj që ka një moment kthese ku Ibrahim Rugova, të paktën ish deshtë me kuptu, që të paktën ka ardhë momenti me ndërru qasjen”.
“Sepse unë asnjëherë nuk mendoj që pacifizmi si filozofi, si mënyrë e të parit të politikës nuk është frikë. Se këtu është përpjek shumë mas luftës që pacifizmin me na asocu me frikën që s`është. Thjesht Ibrahim Rugova ka besuar në paqe. Me thënë që Rugova ka qenë frikacak ose nuk ka qenë patriot për mua është naivitet në gjykim”, tha Shala.
Për ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, janë thënë fjalë nga më të mëdhat nga figura të ndryshme kombëtare e ndër kombëtare, shkruan KultPlus.
Sot KultPlus ju sjell disa nga fjalët që shkrimtari i shquar shqiptar, At Zef Pllumi kishte thënë për Rugovën.
”Nji ndër burrat e rrallë të kômbit shqiptár. Ndoshta mâ i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilësohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatërrimtar.
Ai u përpoq m’e spjegue shkrimtarin e madh kosovár Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpírtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashktë: Liria e popullit kosovár. Caktoi m’e ndjekë rrugën e tij si mâ të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atjé mendonte me e shtî edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkathë vuajtje as gjak kurrkujt, prandej edhe kjè thirrë “Gandi kosovár”.
U shá e u luftue nga serbët, u shá e u luftue nga shqiptarët, u shá e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kjè trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të sháme, sepse ai ishte mâ i dijtuni, e mâ i urti i të gjithve.
Vazhdimisht pat kritika në shtypin kosovár për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nânë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të Dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet, sepse Gjon Pali i Dytë kjè luftari mâ paqsór mbi tokë, i cili ia duel me i shkatrrue dy ideologjitë mâ kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nâna Terezë, shqiptarja që mori çmimin “Nobel për Paqe”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhânë njerëzimit, në nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa m’e nderue vorrin e nânës së vet.
Mjerisht Ibrahim Rugova nuk arriti me i pá të realizueme idealet e veta për Kosovën. Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnór, tue drejtue me shêmullin e vet personal.
Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm”, shprehet At Zef Pllumi. / KultPlus.com
Shalli i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova tashmë i takon ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Këtë dhuratë Berisha e mori nga Adnan Merovci, ish-bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Berisha tha se kjo është dhurata më prekëse e jetës së tij.
“Dhurata më prekëse e jetës sime. Adnan Merovci, bashkëpunëtori i presidentit Rugova, më dhuroi shallin e mikut tim të pavdekshëm. Kjo ishte dhuarat më prekëse e jetës sime. Faleminderit shumë Adnan”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ndërkaq, përgjegjësi i protokollit në kohën e Rugovës, Adnan Merovci, kohë më parë kishte thënë që një jelek dhe një shall i Rugovës, si rezultat i udhëtimeve, kishin mbetur te ai.
Ndryshe, ish presidenti Ibrahim Rugova në çdo takim e moment historik të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës ka mbajtur rreth qafës një shall. /Telegrafi/
TIRANË, 24 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në promovimin e titujve të librave të autorit Adnan Merovci: “Një hap me Rugovën”, “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”, “Pengu” dhe kompleti prej 5 librave “Të Premtet”.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova nuk ishte vetëm një lider, por edhe një misionar.
“Ibrahim Rugova është, në vlerësimin tim, një gjeni shqiptar në politikën evropiane dhe në politikën botërore. Është një gjeni i papërsëritshëm. Pasardhës i një familje atdhetare. Intelektual i klasit të parë. Ai angazhohet në çështjen e kombit dhe vendit të tij. Në mënyrë gjeniale, ai zgjedh një rrugë krejtësisht të huaj për shqiptarët. Të huaj për shumicën e kombeve të botës. Zgjedh rrugën paqësore për të mundur një pushtim”, tha Berisha.
Berisha theksoi se Rugova zgjodhi rrugën paqësore për të mundur një regjim.
“Kombet, ndaj pushtimeve, kanë pasur ose nënshtrim, ose përballje me armë. Ibrahim Rugova nuk zgjodhi as të parën dhe as të dytën, por zgjodhi qëndresën paqësore, me të cilën ai shtyu muret e kohës. Me të cilën ai në mënyrë më mahnitëse, ta quajmë “mrekullia Rugova”, ai arriti që një projekt, të cilin përveç atij, përveç shqiptarëve, nuk mbaj mend një të dytë që ta përkrahte, që ta mbështeste, t’i lëmë folkloret, pavarësinë e Kosovës nuk e mbështeste njeri, përveç atij”, theksoi Berisha.
“Imagjinoni për një moment të luftosh i vetëm dhe të gjithë kundër. Por përsëri, ai në këmbë. Pse në këmbë? Sepse kishte bërë një zgjedhje gjeniale, kishte bërë zgjedhjen paqësore”, tha më tej Berisha.
“Rugova nuk ishte vetëm një lider vizionar, por ishte i vetmi politikan që sa ç’ishte lider, aq ishte edhe misionar”, nënvizoi kreu i PD.
Berisha gjithashtu u shpreh se, “Ibrahim Rugova ia doli të ideojë dhe të realizojë ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi”.
Me varg në shpirt m`çeli pranvera. Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë. Më bëhet se do të vajtoj përhera, Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë? Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur, Mos jemi të mjer në krijatyrë?
Po ëndrrove me këngë të rritesh, Dhe ajo jetës përpara ti flasë. E di. Me dëngë plot do t`goditësh. E ngado të endesh veç do të vrasë.
Athua Zoti i madh diti të gjykojë Që njomaket të kalben shi në vrug. Apo secili barrën e vdekjes të peshojë N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?
I ngopur me të vërtetën në gji, Vëllau im dole n`mesin me erë. Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi – T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.
O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë, Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë? Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë – Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.
Dua të iki fushës e malit- Jetën e shof si grusht t`rendë. Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli Të ngjitem së bashku në vend.
Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit, Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë. Po heret i vranë sytë e shtrembërimit, Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.
Por nji ditë të dihet se zemra e poetit, N`dimër a n`verë s`di të ngurrë Dhe kur e ndjen valën rreth vetit – Qan e qesh nuk qetësohet kurr.
Ajo që ndodhi dje në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington në takimin midis presidentit amerikan Trump dhe atij ukrainas Zelenjskyt, përkundër dialogut të ashpër midis presidentit amerikan dhe atij ukrainas si dhe arrogancës që tregoi Trampi në raport me arritjen e një marrëveshjeje paqësore që niset mbi kompromiset që sjell raporti i forcave, siç janë ato në dobi të Rusisë, pa u përmendur shkaku i luftës (agresori) por interesi që ajo të ndalet, me ç’rast presidenti ukrainas u kundërpërgjigj se nuk do të pranojë paqen përmes kapitulimit, gjë që solli edhe largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë, përkujton një rast të ngjashëm, nga prilli i vitit 1990 kur pas dëshmive të delegacionit të shqiptarëve në Këshillin për të drejta të njeriut, në Senatin Amerikan, nënkryetari i paritisë Republikane, Robert Dol, kërkoi të takohej sy më sy me dr Rugovën, atëherë kryetar i LDK-së dhe Dobrica Qosiqin, autor i Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave, i cili ishte në krye të procesve që po çonin te shkatërrimi i Jugosllavisë.
Këtu po sjell një pjesë të kësaj bisede te Robert Dolit me Qosiqin dhe Rugovën, kur ai pas mospajtimeve me Qosiqin atij iu kërcënue se do të shkatërrohet Jugosllavia, ndërsa gjuhës pajtuese të Rugovës iu përgjegj me premtimin se do të kenë ndihmën amerikane deri te fitoja po qe se luftojnë me mjete paqësore për liri, demokraci, bazazi dhe qytetërim perëndimor…
Pra, takimi përfundoi me largimin (dëbimin) e njëanshëm të Qosiqit nga zyra e Robert Dolit… Dy vite më vonë, në maj të vitit 1992, Dobrica Qosiq u zgjodh kryetar i Jugosllavisë, ndërsa Rugova president i parë i Kosovës. Kërcënimi i Dolit ndaj Qosiqit doli të jetë i njëmndt: me shkatërrimin e Jugosllavisë nga bombardimet e NATO-s, siç ndodhi edhe çlirimi dhe krijimi i shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit u shpall më 17 02 2008.
PREMTIMET DHE KËRCËNIMET E ROBERT DOLIT DR RUGOVËS DHE QOSIQIT
Dëshmitë para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur rëndësi të dyfishtë. Sepse, na i kishin hapur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej.
Edhe pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se praktikisht efektet e saj janë hetuar edhe nga ne e edhe nga vetë Beogradi, prej nga dilte fare qartë se në njërën anë, nuk do të jenë në gjendje që problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët.
Mesazhet e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para Këshillit të Senatit nga demonstrimi i admi-nistratës amerikane, edhe gjatë shfaqjes së Rugovës në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete. Ndonëse me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim paradite, kur na kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kup-tueshëm në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar ato që do të thuhen nga të dy anët, kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha, fjala ishte për përcaktime dia-metralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah Perën-dimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme.
Fjalët e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala. Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar, që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe fjalë të ngjashme nga ato që tashmë kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve serbë, ku ai mbante autorësinë.
Senatori Dol, ia ndërpreu fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos kërkesave për liri, barazi, demokraci dhe Perëndim.
“Shqiptarët, madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj, prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit.
“Nga sjelljet e tyre… Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër varreve tona, kundër shenjtërve tanë… Nga të gjitha….” Me teatralitet tha se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi perëndimor dhe vlerat e tij…
Rugova deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe?
Qosiqi sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me të pavërteta që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la të kthehej andej.
“Pyetja është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?”
“Populli serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtet-formues në atë të pakicës. Kemi derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë një rrënim të tillë…” “Pra, nuk pranoni demokracinë?” “Nuk pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim… Kjo është e drejtë e secilit popull… Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës…”
“Kjo më mjafton, zotëri… Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të natyrës?!… “ Qosiqi bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli.
“Nëse vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha…”
Pastaj na u drejtua neve.
“Do të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?”
Rugova, pa një pa dy tha:
“Kërkojmë liri, barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri…”
“Amerika është në anën e atyre që kërkojnë liri, demokraci dhe barazi…”
Robert Doli nuk foli tjetër. U ngrit dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e Rugovës të gatshëm ta merrnin. Qosiqi na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzë-qeshjen e varur që kurrë nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.
“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar përcjellës.
Dhe duke i shikuar si po largoheshin se si m’u duk se korri-doreve të Senatit amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniqi me rastin e takimeve të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd.
(Shkëputje nga libri “Vitet e Gjermanisë”, botua dhjetor 2024, FAQE 249-246)/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë.
Krerët e shtetit po ashtu ngritën flamurin e Kosovës, si dhe bënë homazhe te Memoriali i të Zhdukurve.
Ata pritet të bëjnë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi./KultPlus.com
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumbardh Salihu, është pritur sot në familjen e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Ai e cilësoi këtë takim si një moment të veçantë në rrugëtimin e tij politik, duke shprehur mirënjohje të veçantë për pritjen dhe mbështetjen e Ukë Rugovës.
“Ndihem jashtëzakonisht i nderuar nga pritja e familjes Rugova, familjes së Presidentit historik të Republikës së Kosovës, i cili ka qenë dhe mbetet heroi im politik. Falënderoj veçanërisht Ukë Rugovën për mikpritjen dhe mbështetjen e tij në rrugëtimin tim politik”, ka shkruar Salihu.
Ai theksoi se është krenar që është pjesë e LDK-së, partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova, dhe që sot vazhdon të ndjekë me përkushtim filozofinë e tij politike.
Salihu e përmbylli postimin e tij me hashtagun #LDK124, duke e lidhur mesazhin e tij me numrin rendor të partisë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Takimi i Salihut me familjen Rugova shihet si një mesazh i rëndësishëm politik brenda LDK-së, duke reflektuar vazhdimësinë e trashëgimisë rugoviane në këtë subjekt politik.
Diva e estradës shqiptare, Adelina Ismaili, ka kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, në 19-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Me një postim prekës në Instagram, këngëtarja ndau një video që përfshinte tri fotografi të saj me presidentin Rugova, të realizuara vite më parë, duke treguar respektin e saj të vazhdueshëm për figurën historike që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
Për ta shoqëruar këtë kujtim të veçantë, Adelina i vendosi videos këngën e saj ikonike të dedikuar Ibrahim Rugovës, “Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën”, një krijim muzikor që simbolizon frymën e asaj kohe dhe vlerat që Rugova përfaqësonte.
Në mbishkrimin e videos, ajo shkroi: “I përjetshëm kujtimi për ty president, ishe i popullit, nga populli dhe për popullin”.
Postimi i Adelinës ngjalli emocione dhe reagime të shumta nga ndjekësit e saj, të cilët shprehën mirënjohjen dhe respektin për presidentin Rugova, një lider i dashur dhe simbol i paqes e unitetit kombëtar.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 ia kishte bërë dhjetë kërkesa urgjente shteteve perëndimore për ta zgjidhur problemin e Kosovës, që në atë kohë ishte futur në një krizë të thellë politike.
Një dokument i bërë viral tashmë, Rugova kishte përmendur se Kosova është në krizë për shkak të disa arsyeve, ku ka përmendur se tensione janë rritur për shkak të 30 mijë ushtarë serbë dhe 25 mijë policë patrullojnë në Kosovë.
Si arsye që e thellon krizën, Rugova ka listuar edhe faktin se serbët lokalë janë të armatosur. Pastaj, thotë se forcat paramilitare të Arkanit ia mësyjnë fshatrave shqiptarë për të bërë punë të pista.
Ndër të tjera thuhet se pasi Millosheviqi “kreu” punën e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të drejtohet kah Kosova.
Rrjedhimisht, Rugova përmes 10 kërkesave urgjente u tregoi shteteve të perëndimit se çfarë duhet bërë.
Vendosjen e një numri të konsiderueshëm forcash të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.
Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së.
Vendosjen e misioneve të jashtme (ndërkombëtare) në Kosovë.
Rritjen e zonës “të mos fluturohet” përmbi Kosovë.
Të ndalet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë.
Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe, të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar.
Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare.
Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia.
Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje.
Të përjashtohet Kosova nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.
Pesë vjet më vonë në Kosovë krisi lufta. Faktori ndërkombëtar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës, bashkë me UÇK-në si organizatë ushtarake e lindur nga populli kryengritës.
Pas qershorit të vitit 1999, Kosova u shpall zonë e administruar nga OKB-ja deri më 2008, kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës./ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij, duke kujtuar takimet e tyre në vitin 1997.
Kurti ka shkruar se prej asaj kohe, figura e tij i ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë e paqësor.
“Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti ka shkruar se Rugova, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, ka luajtur rol kyç në ndërkombëtarizmin e çështjes së Kosovës në vitet e ’90.
“Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, ka shkruar kryeministri.
Më tej, Kurti ka shkruar se Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë.
Ndër të tjera, ai ka treguar se korpusit të botimeve për Presidentin Rugova, u është shtuar edhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman.
“I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”, ka treguar ai./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar familjen e presidentit Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij.
Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shkruar se kujtimi për presidentin historik, Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori por edhe busulla jonë nacionale.
“Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i fyrmëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar presidentin historik Ibrahim Rugova në 19 vjetorin e vdekjes së tij.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se figura e Rugovës i ka mbetur në kujtesë si një njeri i urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë.
Ai tha se këtë imazh për Rugovën e ndërtoj në fillet e angazhimit të tij politik më 1997, ku edhe kishte pasur rastin ta takonte dy herë.
“Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore.
Si kryetari i parë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90. Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Kurti.
Kurti është shprehur se në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që sipas Kurtit fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008.
“Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë. Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri u shpreh se ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të presidentit Rugova.
“I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij.
Në shenjë mirënjohje dhe respekti për Presidentin Ibrahim Rugova, në 19 vjetorin e tij të vdekjes”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Sot mbushen 19 vjet prej ndarjes nga jeta të presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova (1944-2006).
Ibrahim Rugova përveç se presidenti i parë i Republikës së Kosovës, ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues. Ai lindi në 9 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut. Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris. Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 1988-1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës.
Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991). Gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta parlamentare dhe presidenciale të majit 1992 dhe qershorit 1998, të organizuara nga partitë politike dhe institucionet shqiptare të Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës.
Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”. Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Famurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006.