Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Java News

Rritet në 1 milionë lekë granti i vetëpunësimit, aplikimet vetëm online

By: A R
16 July 2025 at 22:59

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në programin e nxitjes së vetëpunësimit, me qëllim që të mbështesë më tej sipërmarrjet e reja. Ndryshimi kryesor është rritja e grantit të ofruar për ngritjen e biznesit, si dhe përcaktimi i kritereve dhe procedurave të reja për aplikantët.

Çfarë ndryshon për aplikantët?

Masa e subvencionimit për ngritjen e biznesit rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 1 000 000 (një milion) lekë.

Sipas vendimit, punëkërkuesit të papunë nuk duhet të kenë marrë pjesë në programet e nxitjes së punësimit në 5 vitet e fundit.

“Aplikimi për programin do të bëhet tani ekskluzivisht online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”, thuhet në vendim.

Sa i përket ndryshimeve në dokumentacion, kërkohet paraqitja e një “Vërtetimi për individ të paregjistruar”, ndërsa afatet kohore për disa procedura të procesit të aplikimit zgjaten nga 5 në 10 ditë pune.

Përveç këtyre, vendimi rrit edhe vlerën e një subvencioni tjetër më të vogël, nga 3 000 në 5 000 lekë.

The post Rritet në 1 milionë lekë granti i vetëpunësimit, aplikimet vetëm online first appeared on JavaNews.al.

Zuckerberg në gjyq, investitorët kërkojnë 8 miliardë dollarë për shkelje të privatësisë në Facebook

By: A R
16 July 2025 at 22:51

Një padi kolektive prej 8 miliardë dollarësh e ngritur nga investitorë kundër drejtorit ekzekutiv të Meta, Mark Zuckerberg, dhe drejtuesve të tjerë të kompanisë, filloi të mërkurën në Gjykatën e Kancelarisë së Delaware. Padia vjen si pasojë e skandalit të privatësisë së vitit 2018, që përfshiu firmën e konsulencës politike Cambridge Analytica.

Investitorët pretendojnë se Meta nuk i informoi plotësisht për rreziqet që të dhënat personale të përdoruesve të Facebook-ut do të keqpërdoren nga Cambridge Analytica. Ata akuzojnë drejtuesit e kompanisë se shkelën në mënyrë të përsëritur një urdhër të vitit 2012 nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), i cili kërkonte ndërprerjen e mbledhjes dhe ndarjes së të dhënave të përdoruesve pa pëlqimin e tyre. Aksionerët thonë se Facebook i shiti më pas këto të dhëna partnerëve komercialë.

Si pasojë e skandalit, Facebook pagoi një gjobë prej 5.1 miliardë dollarësh për të zgjidhur akuzat e FTC-së, si dhe arriti një marrëveshje privatësie prej 725 milionë dollarësh me përdoruesit. Tani, investitorët kërkojnë që Zuckerberg dhe drejtuesit e tjerë të rimbursojnë kompaninë për gjobën e lartë dhe kostot e tjera ligjore, duke e çuar dëmin total në mbi 8 miliardë dollarë.

Gjyqi pritet të zgjasë tetë ditë dhe në të do të dëshmojnë vetë Mark Zuckerberg dhe ish-drejtoresha e operacioneve, Sheryl Sandberg. Kompania tentoi të rrëzonte padinë, por Gjykata e Lartë e hodhi poshtë ankimimin, duke lejuar vazhdimin e çështjes. AP

The post Zuckerberg në gjyq, investitorët kërkojnë 8 miliardë dollarë për shkelje të privatësisë në Facebook first appeared on JavaNews.al.

Vidhnin karburant nga makinat e parkuara në Breshia, arrestohen shqiptarët

By: A R
16 July 2025 at 22:43

Dy shqiptarë janë arrestuar në Breshia të Italisë, pasi u kapën në flagrancë teksa vidhnin karburant nga automjete të parkuara.

Sipas mediave, të dy janë në gjendje të parregullt qëndrimi në Itali dhe ishin të njohur më parë për autoritetet italiane për precedentë penalë.

Ngjarja ndodhi pas një sinjalizimi nga një qytetar, i cili vuri re një automjet të dyshimtë në zonën via Buozzi dhe njoftoi menjëherë policinë në numrin 112.

Qytetari i ndoqi nga larg autorët, duke informuar policinë se ata ishin zhvendosur në via Rosselli, pranë një kompanie private, për të kryer një tjetër vjedhje.

Brenda pak minutash, patrullat e Policisë së Shtetit identifikuan dhe ndaluan makinën e përdorur nga dyshja. Njëri prej tyre u gjet i fshehur mes sediljeve. Gjatë kontrollit, në mjet u zbuluan 5 bidona me naftë të vjedhur, mjete vjedhjeje, përfshirë tre kaçavida, dy thika me mbyllje automatike, të fshehura nën sedilje.

Ndërkohë, bashkëpunëtori i dytë u përpoq të ikë në këmbë duke u futur në një ndërtesë, por u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër.

Të arrestuarit janë identifikuar si shtetasit me iniciale P.E., 42 vjeç dhe C.H., 39 vjeç.

Të dy u dërguan në Komisariat, ku iu morën shenjat daktiloskopike dhe u arrestuan për vjedhje të mbetur në tentativë në rrethana rënduese dhe mbajtje të paligjshme të armëve të ftohta dhe mjeteve të thyerjes.

Duke marrë parasysh të kaluarën kriminale dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin italian, Prefekti i Breshias, Paolo Sartori, ka firmosur urdhrin e dëbimit për të dy personat, i cili do të zbatohet menjëherë pas lirimit të tyre nga burgu.

The post Vidhnin karburant nga makinat e parkuara në Breshia, arrestohen shqiptarët first appeared on JavaNews.al.

“Thethi nuk ka nevojë për rruspa”, Vangjeli: Shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës, të çonte ujë dhe energji

By: A R
16 July 2025 at 22:35

Analisti Lorenc Vangjeli u shpreh me nota kritike në Log, News 24 ndaj aksionit të qeverisë në Theth për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sipas tij, Thethi nuk ka nevojë për rruspa dhe buldozerë por për ujë dhe energji elektrike dhe të ishte zgjidhur më parë çështja e pronës.

Nga ana tjetër kritik ishte edhe ndaj shkarkimeve masive të drejtorëve në bashkitë e vendit, por shton se një gjë e tillë duhej të ndodhte, por jo në këtë mënyrë si po vepron kryeministri, pasi ai po e trajton Shqipërinë si një bashki e vetme.

Vangjeli: Për ta kuptuar më mirë, duhet të ballafaqohet me të shkuarën. Ka patur klimë armiqësore në 2005-2011 kur Rama ishte kryebashkiak me zotin Berisha. Transpozoni këtë të sotmen me atë periudhë. Berisha të shkonte në bashki të fliste si administrohet bashkia, edhe polici bashkiak do i thoshte nuk lejohet të hysh këtu. Një ndarje e qartë e dy pushteteve, kanë pavarësi relative. Sot nuk na bën përshtypje, se edhe kryeministri dhe kryetari bashkisë janë e njëjta forcë. Këtu dalim te tradita më e hershme shqiptare, ku pushteti politik i merr të gjitha. Sillet edhe si kryebashkiak i bashkisë së Shqipërisë. E trajton Shqipërinë si një bashki e vetme. Ka një shkelje në frymë dhe përmbajtje të ligjit. Pjesa tjetër a ka të drejtë. Ana tjetër.

A duhet të ikin një pjesë e madhe, e këtyre lloj administratorësh, pa dyshim. A është kjo mënyra e duhur? Jo. Reforma e kontrollit të territorit është përdorur kaq shpesh, dhe kaq shpesh shohim rruspa dhe buldozerë. Më kujton kohën e shkuar, kazmën kur i këndonim. Kazma shkatërron nuk ndërton. Jemi autodestruktivë. Ndërto dhe shkatërro. Në Theth shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës. Duhej të siguronte furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Sa herë që shpërthen tritoli, një rruspë bëhemi më të varfër. Merremi me lloj gjërash dhe nuk merremi me një gjë të thjeshtë. Duhej të çonte, energji, ujë dhe një copë letër.

The post “Thethi nuk ka nevojë për rruspa”, Vangjeli: Shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës, të çonte ujë dhe energji first appeared on JavaNews.al.

Zjarr i madh pranë “Zonës 51” në Nevada, shpërthejnë teoritë konspirative

By: A R
16 July 2025 at 22:27

Një zjarr i madh ka shpërthyer pranë bazës ushtarake të njohur si Zonja 51 në Nevada, duke shkaktuar spekulime të shumta nga adhuruesit e teorive konspirative.

Pamje të kapura nga një kamera e vendosur në pronë private pranë qytetit Rachel tregojnë tym të dendur që ngrihet nga zona e klasifikuar pranë Groom Lake.

Zjarri nisi pas një goditjeje rrufeje dhe është zgjeruar nga 8,000 në mbi 35,000 hektarë. Edhe pse zjarri ndodhet rreth 15 milje larg vetë bazës, ai po përfshin një zonë historike ku dikur kryheshin testime bërthamore mbi tokë, Nevada Test Site, tani i njohur si Nevada National Security Site.

Departamenti i Mbrojtjes, që ka nën administrim tokën e Zonës 51 dhe rrethinat, është institucioni përgjegjës për menaxhimin e zjarrit. Ndërkohë, temperaturat e larta dhe lagështia e ulët po ndihmojnë përhapjen e flakëve nëpër bimësinë e thatë dhe pyjet me pishë dhe dëllinjë.

Megjithëse autoritetet konfirmojnë se nuk ka ndërtesa të kërcënuara dhe nuk janë urdhëruar evakuime.

Ndërkohë, rrjetet sociale janë përfshirë nga teoritë konspirative, me disa përdorues që pyesin nëse zjarri po përdoret për të fshehur prova pas kërkesave të fundit të Kongresit për të inspektuar bazën sekrete. Një grup vëzhgues, “Skyëatch Signal”, postoi në X: “S’po them gjë tjetër, vetëm që ishin alienët.”

The post Zjarr i madh pranë “Zonës 51” në Nevada, shpërthejnë teoritë konspirative first appeared on JavaNews.al.

Fluturimi i anuluar për Vjenë

16 July 2025 at 22:18

Tridhjetë vjet pas gjenocidit në Srebrenicë dhe përsëritjes “kurrë më” po ndodh gjenocidi në Gaza. E, sot po mungon madje edhe një Yasushi Akashi, simboli i pafuqisë së OKB-së. Tash ka vetëm heshtje

Nga Veton Surroi

1.

Aeroplani ishte ukrainas dhe i ngjyrosur me të bardhë e me shenjën UN në të, karriget me komoditet sovjetik, piloti mezi kuptohej kur shpjegoi se si do të udhëtonim nga Prishtina për në Vjenë dhe e tëra dukej krejtësisht surreale në atë verë të vitit 1995 ndërsa shkoja në një konferencë që e organizonte në Vjenë i dërguari i veçantë i OKB-së për ish-Jugosllavi Yasushi Akashi.

Dr. Akashi kishte mirësjelljen tipike japoneze me buzëqeshje të vërejtshme edhe në sy, dashamirësinë budiste për paqe dhe mungesën e njohurive për vendin dhe kohën në të cilën shërbente. Koha dhe vendi qenë ish-Jugosllavia që shpërbëhej me luftë, një Kroaci që po çlironte territorin e vet, një Bosnjë e Hercegovinë që zhbënte me gjak tërë strukturën e jetës së vet sociale, ne të tjerët që shikonim se si do të zhvillohej kjo luftë e me dëshirë intime që e tëra të mbetej pa forcë e të mos mbërrinte te pragu i shtëpisë.

Mbërritëm në Vjenë, të pamësuar me faktin se distanca mes nesh dhe atij qyteti është më pak se dy orë, u takuam me miq të shoqërisë civile e të politikës demokratike nga shtetet e ndryshme të ish Jugosllavisë, biseduam me ekspertë e diplomatë, folëm çka folëm në konferencë dhe u kthyem sërish me avionin e veçantë, ende të mrekulluar me normalitetin e nisjes prej Vjenës pasdite dhe arritjes në shtëpi para mbrëmjes.

U dakorduam në Vjenë që të takohemi sërish së shpejti. Ndoshta jo pse shihnim ndonjë vlerë të shtuar por aty ishin të gjitha benefitet e tjera të udhëtimit me avion special, qëndrim në hotel luksoz, bisedë intelektuale të nivelit të lartë, aromë e pamje Vjene e qytetërimi e njerëzish të pabrengosur me ekzistencën imediate.

Kur erdhi ftesa për të shkuar sërish Iso Rusi , një prej gazetarëve më të njohur dhe intelektual publik i respektuar gjithandej Maqedonisë veriore, u dakordua me mua që të mos shkojmë. Ia shkruam një letër Yasushi Akashit, i shpjeguam se ishte moralisht e papranueshme për ne të shkonim në Vjenë për të folur sërish për pajtimin e popujve përderisa në Srebrenicë ishin të zhdukur disa mijëra meshkuj myslimanë. Ndonëse nuk e shkruam ashtu, që të dy ishim të pajtimit se fjalët janë të tepërta kur ndodh gjenocidi e ti përpiqesh të vazhdosh aty ku e le herën e kaluar.

2.

Ja, nga ajo letër kaluan 30 vjet. Nuk ndryshuam historinë-dy gazetarë që i shkruajnë një zyrtari të lartë të OKB-së që beson se ia vlen të mbahet një konferencë në Vjenë me temë pajtimi të popujve, ndërsa njëri prej popujve po zhduket biologjikisht, nuk ndikuan as që të ndalet konferenca; ajo vazhdoi siç qe parashikuar.

Por, si autorë të letrës (dhe besoj se mund të flas edhe në emër të Isos) besuam se duhej mbrojtur parimësinë për hir të parimësisë, por në të njëjtën kohë edhe ta shndërrojmë parimësinë në funksion të vetinteresit. Srebrenica ishte një akt gjenocidi dhe nëse nuk e ngre zërin kundër gjenocidit i ke dhënë rrugë që të vijë te ti. Kjo nuk kishte të bënte vetëm me ish-Jugosllavinë. Siç kishte kuptuar presidenti Clinton, gjatë mandatit të tij ndodhi gjenocidi në Ruanda dhe andaj nuk mund ta lejonte në Bosnjë e Hercegovinë. Dhe, kur shkuam në Shtëpi të Bardhë si delegacion i Kosovës në maj të vitit 1998 na premtoi që nuk do të lejojë që Bosnja të përsëritet në Kosovë.

Mbrojtja e parimit është gjithnjë më e vlefshme nëse fillon ta mbrosh për të tjerët e jo për veten.

3.

M’u kujtua Yasushi Akashi, sepse më duket se po kalojmë nëpër një moment të ngjashëm politik, por në një botë krejt tjetër. Atëherë Yasushi Akashi u shndërrua në simbol të dobësisë së OKB-së, sepse po ashtu simbolizonte paaftësinë e asaj që po ndodhte në ish-Jugosllavi. Tash OKB-ja ka si të dërguar për Palestinë Francesca Albanesen, një akademike e guximshme e cila e përshkruan realitetin me përshkrim që nuk lë vend për dykuptimësi: pra gjenocid.

Por, tash ka sërish heshtje apo formulime që “dënojnë ashpër sulmin e dronëve ndaj Kievit” apo “dënojnë ashpër dhunën që shkaktoi vdekjen e civilëve në Gaza”. Këto formulime janë të njëllojta me heshtje, nuk kanë ndikim ndonjëfare. Çdo lider në cilindo vend të botës mund të jetojë me “dënim të ashpër”, e liderë si Putini apo Netanyahu posaçërisht. Që të dy jetojnë me aktakuzë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pa ndonjë telashe. Për më tepër që të dytë jetojnë me kënaqësinë e të pasurit njëri tjetrin. B.Netanyahu është në thelb përkrahës i Rusisë së Putinit që do të zgjerojë kufijtë e vet aty ku mendon se është Rusia e popullit rus. V.Putini është shumë i kënaqur me praninë e Netanyahut në këtë moment historik: çka janë disa dronë që dërgohen në Kiev kundër ukrainasve kur Netanyahut i lejohet gjenocidi i hapur në Gaza, sepse fundja edhe ai do të krijojë Izraelin e Madh, atë biblik, shtetin kombëtar hebre.

Para tridhjetë vjetësh brenda disa ditëve u ekzekutuan disa mijëra boshnjakë-myslimanë. Do të ketë pasur urrejtje tek ata që kryen ekzekutimet, sepse në fund dinin që po u merrnin jetë njerëzve të tjerë. Por, kjo urrejtje ishte e lidhur me një përllogaritje mendore, me një racionalitet: ai territor duhej të ishte pjesë e shtetësisë së zgjatur serbe (qoftë si Serbi të Madhe , qoftë si Republika Srpska) dhe në atë territor nuk kishte vend për boshnjakët.

Vrasja masive apo në këtë rast gjenocidi nuk janë organizim kolektiv i shfryrjes së urrejtjes, janë projekte racionale që kërkon zgjidhje mekanike; në Srebrenicë ishin pushkët automatike të autoblindave dhe ato personale, në Auschwitz ishin komorat e gazit, në Gaza është bombardimi nga lartësia deri në krijimin e kushteve që aty të mos ketë palestinezë, të gjallë a vdekur.

4.

Në Evropë para Srebrenicës gjenocidi kishte ndodhur gjatë nazizmit. Ideja fillestare qe ajo e dëbimit të hebrenjve prej shtetit të “pastër” gjerman. Kur u pa se kjo po shkon ngadalë u zhvillua metodologjia e shfarosjes në masë.

Tri gjëra ndodhën prej atëherë. E para ishte motoja “kurrë më”, pra vendosja e standardeve morale dhe juridike që gjenocidi të mos ndodhë ndonjëherë tjetër. E dyta ishte procesi i ballafaqimit me të kaluarën e popullit gjerman , atij që ndonëse nuk ishte fajtor individualisht kishte përgjegjësi kolektive për gjenocid. E treta ishte themelimi i shtetit të Izraelit, si një lloj kompensimi për një ndjenje fajësie të popujve evropianë e të SHBA-ve për lejimin që para syve të tyre të ndodhte Holokausti.
Kur ndodhi në Srebrenicë u përsërit “kurrë më”.

Tash po ndodh në Gaza. Nga liderët evropianë po mungon një pyetje thelbësore: përse po ndodhë kjo tridhjetë vjet pasi thamë “kurrë më” dhe çfarë mund të bëjmë ne dhe shtetet tona që kjo të ndalet? Ata kanë gjithsesi më shumë në duart e tyre se mundësinë e shkrimit të një letre Jasushi Akashit të kësaj epoke.

Dhe, kanë në duar momentin kur do të përsërisin “kurrë më”, por për ta bërë këtë duhet të pranojnë realitetin që tashmë çdo studiues i gjenocidit e di, se ajo që po ndodh në Gaza ka një emër.

The post Fluturimi i anuluar për Vjenë first appeared on JavaNews.al.

Krijohet Akademia e Pushtetit Vendor me në krye Arbjan Maznikun, ja cila do jetë detyra e strukturës

By: A R
16 July 2025 at 22:07

Këshilli i Ministrave, në vendimet e marra ditën e sotme, ka vendosur Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, në krye të bashkive vendase.

Kështu, qeveria ka miratuar ngritjen e një strukture të re të përbashkët me bashkitë, që do të shërbejë si qendër trajnimi për administratën vendore. Akademia e Pushtetit Vendor, do të angazhohet në zhvillimin profesional të të gjithë punonjësve të bashkive, nga drejtuesit më të lartë deri te stafi bazë.

Institucioni do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe të qeverisë, nën koordinimin e Ministrit të Pushtetit Vendor. Bashkitë do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Akademisë, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e shpenzimeve për tre vitet e para.

Qëllimi është rritja e kapaciteteve dhe performancës së administratës vendore, me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët

Vendimi

The post Krijohet Akademia e Pushtetit Vendor me në krye Arbjan Maznikun, ja cila do jetë detyra e strukturës first appeared on JavaNews.al.

Zjarri në Drenovë të Mallakastrës vë në rrezik nënstacionin elektrik

By: A R
16 July 2025 at 22:00

Ditën e sotme është riaktivizuar sërish zjarri në masivin pyjor të Drenovës në Mallakastër, duke vënë në rrezik një sipërfaqe të gjerë me pyje dhe bimësi.

Burime bëjnë me dije se zjarri në Drenovë është përhapur në një sipërfaqe të gjerë dhe flakët po afrohen pranë një nënstacioni elektrik.

Shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet janë përqëndruar pranë nënstacionit për të neutralizuar flakët që përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë.

The post Zjarri në Drenovë të Mallakastrës vë në rrezik nënstacionin elektrik first appeared on JavaNews.al.

Kryeprokurori i Hagës kërcënohet për urdhër-arrestet ndaj Netanyahu dhe Gallant: Hiq dorë, ose…

By: A R
16 July 2025 at 21:52

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), Karim Khan, është paralajmëruar se nëse nuk tërheq urdhrat e arrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, ai dhe gjykata do të “shkatërrohen”.

Sipas burimeve të Middle East Eye (MEE,  paralajmërimi iu dha Khanit në maj nga Nicholas Kaufman, një avokat mbrojtës britaniko-izraelit në GJPN, i lidhur me një këshilltar të Netanyahu-t. Mësohet se një këshilltar ligjor i Netanyahu-t i kishte thënë Kaufman se ishte “i autorizuar” t’i bënte një propozim Khanit për t’i dhënë një mënyrë “për t’u tërhequr” nga vendimi i tij.

Sipas një shënimi zyrtar të takimit, që ndodhet në arkivat e GJPN dhe që është parë nga MEE, Kaufman i sugjeroi Khanit të aplikonte për të riklasifikuar urdhrat e arrestit dhe informacionin bazë si “konfidencial”. Kjo do t’i mundësonte Izraelit të kishte qasje në akuzat dhe të sfidonte ato në mënyrë jo publike.

Kaufman gjithashtu paralajmëroi se nëse do të merrte vesh se Khan po përgatitej të lëshonte urdhra të tjerë arresti për ministrat e ekstremit të djathtë izraelit, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, për promovimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor, atëherë “të gjitha opsionet do të hiqeshin nga tryeza”.

“Do të të shkatërrojnë ty bashkw me gjykatën,” i tha ai Khanit.

GJPN kishte lëshuar në nëntor 2023 urdhra arresti për Netanyahu-n, Gallant dhe liderin e Hamasit, Mohammed Deif, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me sulmet e 7 tetorit dhe ofensivën ushtarake të mëvonshme të Izraelit në Gaza. Deif më vonë është konfirmuar i vdekur. Që nga ajo kohë, të pandehurit izraelitë janë në kërkim ndërkombëtar dhe shtetet anëtare të GJPN janë ligjërisht të detyruara të arrestojnë ata, ndonëse shumë shtete janë treguar të rezervuara.

Raportuesja e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, ka kritikuar shtetet që lejuan fluturimin e Netanyahu-t mbi hapësirën e tyre ajrore gjatë rrugës për në Shtetet e Bashkuara. Ajo theksoi se Italia, Franca dhe Greqia duhet të shpjegojnë pse i siguruan “kalim të sigurt” një personi që, sipas të drejtës ndërkombëtare, janë të detyruara ta arrestojnë.

Të tre shtetet janë nënshkruese të Statutit të Romës, traktati që themeloi GJPN-në në vitin 2002.

Kaufman deklaroi për MEE: “Nuk mohoj që i thashë z. Khan se duhet të kërkonte mënyra për të dalë nga gabimet e tij, por nuk kam qenë i autorizuar të bëj ndonjë propozim në emër të qeverisë izraelite dhe as nuk kam bërë.”

Sipas shënimit të takimit, të cilin e ka parë MEE, Khan dhe bashkëshortja e tij, Dato Shyamala Alagendra gjithashtu pjesëmarrëse në takim e interpretuan deklaratën si kërcënim.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj kërkesave për koment nga MEE.

Në kohën e takimit, Khan po përballej me hetime për sjellje të pahijshme seksuale. Dy javë më vonë, ai mori leje të pacaktuar pas publikimit të akuzave të reja për sulm seksual nga Wall Street Journal. Khan i ka mohuar me forcë të gjitha akuzat.

Takimi mes Khan dhe Kaufman ndodhi më 1 maj në një hotel në Hagë, sipas detajeve të zbuluara nga MEE.

Kaufman është një avokat mbrojtës në GJPN, aktualisht i përfshirë në mbrojtjen e ish-presidentit filipinas Rodrigo Duterte, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën për krime kundër njerëzimit gjatë fushatës së tij të ashpër kundër drogës.

The post Kryeprokurori i Hagës kërcënohet për urdhër-arrestet ndaj Netanyahu dhe Gallant: Hiq dorë, ose… first appeared on JavaNews.al.

Qeveria merr vendimin: Do riorganizohen 14 institucione, mes tyre dhe AKU-ja

By: A R
16 July 2025 at 21:43

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendimin për riorganizimin e institucioneve inspektuese të vendit.

Ky vendim, ka për qëllim sigurimin e standarteve që inspektorët të kenë njohuritë, aftësitë dhe integritetin e posaçëm për ushtrimin e funksionit të tyre.

Do të jenë 14 institucione të cilat do të riorganizohen. Bëhet fjalë për:  Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Instituti i Shëndetit Publik.

Klikoni këtu për të parë vendimin e Këshillit të Ministrave

Inspektorët, do i nënshtrohen trajnimit për 15 ditët, e më pas do të kryejnë teste. Testet do të jenë në teori dhe praktikë, e më pas do të vlerësohen me pikë nga KREK-u.

Pasi kandidatët të kenë kaluar me sukses testimet, do të përfitojnë kartën e inspektorit, që do të lëshohet nga Inspektori i Përgjithshëm. Kjo kartë, do të mbartë emrin, mbiemrin, foton, numrin unik identifikues, datën e lëshimit e të skadencës, fushën e inspektimit ose specializimit, por dhe element të tjerë shtesë që do të parandalojnë falsifikimin e tyre.

Sakaq, inspektorët aktualë në detyrë, të cilët nuk janë testuar për njohuritë e tyre prej më shumë se katër vite, do i nënshtrohet provimit të parë periodik brenda një viti, që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

E gjitha kjo vjen, pasi kryeministri Edi Rama, kërkoi pezullimin e punës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

“Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-s. AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë sesa mirë, bën dëm”, tha Rama më 2 korrik 2025, në tryezën “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, të zhvilluar mes fermerëve dhe sipërmarrësve në sektor.

Ndërkohë, më 12 korrik 2025, u vendos për ngritja e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë që do të vlerësojë inspektorët e AKU-së. Tre prej këtyre anëtarëve do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Përveçse se do vlerësojnë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së, në fokus do të jenë edhe aplikantët e rinj.

The post Qeveria merr vendimin: Do riorganizohen 14 institucione, mes tyre dhe AKU-ja first appeared on JavaNews.al.

Garda e Republikës do t’i mbrojë personalitetet edhe pas mbarimit të detyrës, kriteret e reja dhe procedura për përfitim

By: A R
16 July 2025 at 20:55

Qeveria ka miratuar një vendim që përcakton rregullat dhe procedurat për mbrojtjen personale dhe të banesës së personaliteteve të caktuara, edhe pasi të kenë përfunduar detyrën.

Ky vendim hyn në fuqi për t’iu përgjigjur rasteve kur jeta, shëndeti ose familja e një ish-zyrtari rrezikohen për shkak të funksionit që ka kryer.

Kriteret dhe procedura për përfitim

Për të përfituar mbrojtje nga Garda e Republikës, duhet të plotësohen dy kushte kryesore:

  • Të ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë personalitetin apo banesën e tij, brenda gjashtë muajve nga përfundimi i detyrës.
  • Të provohet një lidhje shkakësore mes rrezikut dhe funksionit të mëparshëm.

Procedura nis me një kërkesë me shkrim nga vetë personaliteti, drejtuar Ministrit të Brendshëm. Brenda 24 orëve nga marrja e kërkesës, Ministri urdhëron mbledhjen e një Komisioni të Posaçëm për të vlerësuar situatën. Ky komision vendos për kërkesën brenda 48 orëve dhe njofton vendimin te Ministri dhe personi i rrezikuar.

Komisioni i Posaçëm, që merr vendimin final, përbëhet nga përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet kryesore të sigurisë dhe drejtësisë, duke përfshirë zëvendësministrin e Brendshëm (Kryetar); zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Gardës së Republikës; përfaqësues nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Mbrojtja zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se një vit. Pas përfundimit të këtij afati, Komisioni mund të vendosë për vazhdimin, përfundimin ose ndryshimin e masave të sigurisë. Zbatimi i këtij vendimi është në ngarkim të Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës.

The post Garda e Republikës do t’i mbrojë personalitetet edhe pas mbarimit të detyrës, kriteret e reja dhe procedura për përfitim first appeared on JavaNews.al.

Gjendet i pajetë në makinë një 29-vjeçar tek “Astiri”, detajet e para nga ngjarja

By: A R
16 July 2025 at 20:48

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të mërkurë në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij.

Mësohet se viktima është shtetasi E.D., rreth 29 vjeç, i cili është konstatuar i pajetë nga familjarët në parkimin e pallatit ku banonte.

Sipas burimeve paraprake, nga këqyrja e jashtme nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkakun e vdekjes.

The post Gjendet i pajetë në makinë një 29-vjeçar tek “Astiri”, detajet e para nga ngjarja first appeared on JavaNews.al.

Situata e zjarreve në vend: Janë raportuar 12 vatra, katër ende aktive

By: A R
16 July 2025 at 20:42

Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 19:20, janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 8 dhe 4 janë aktive.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

-Në fshatin Fushë Milot, njësia administrative Milot, bashkia Lezhë.

-Në vendgrumbullimin e mbetjeve, Gërhot, njësia administrative Qytet, bashkia Gjirokastër.

-Në fshatin Gëziq, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.

-Në fshatin Kallarat, njësia administrative Horë Vranisht, bashkia Himarë.

-Në fshatin Borizane, njësia administrative Thumanë, bashkia Krujë.

-Në fshatin Mesopotam, njësia administrative Mesopotam, bashkia Finiq.

-Në fshatin Zenisht, njësia administrative Lis, bashkia Mat.

-Në fshatin Kutal, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

Qarku Dibër

Vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Në operacionin e shuarjes së zjarrit u angazhuan 30 forca operacionale, por terreni shkëmbor dhe era e fortë e ka vështirësuar punën e tyre. Në ndihmë të situatës erdhi edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.

Vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit i cili ishte riaktivizuar. Zjarri është aktiv në 2 vatra me zhvillim të ngadaltë, ku njëra zhvillohet në drejtim të fshatit Vlashaj dhe tjetra në drejtim të fshatit Krajkë. Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 6 forca zjarrfikëse nga MZSH të bashkisë Bulqizë, 6 forca të shërbimit pyjor, 12 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Si pasojë, deri tani, është përshkuar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.

Qarku Shkodër

Vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarri në një sipërfaqe me lis, dushk shkurre dhe barishte. Ne terren për shuarjen e zjarrit ndodhen 8 efektivë zjarrfikës dhe 5 forca nga shërbimi pyjor. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri deri tani, është rreth 12 ha.

Qarku Fier

Fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, i cili ishte riaktivizuar në datë 14.07.2025. Në vendngjarje punuan shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Mallakastër me 2 automjete zjarrfikëse me 13 efektivë, 15 forca bashkiake, 3 forca policore dhe 5 forca vullnetare. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 110 ha shkurre dhe pyll me pisha. Gjithashtu, janë djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse dhe 277 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme mori pjesë edhe helikopteri Cougar nga Forcat e Armatosura.

The post Situata e zjarreve në vend: Janë raportuar 12 vatra, katër ende aktive first appeared on JavaNews.al.

“Turp historik”, ekspertët kritikojnë vendimin e Speciales për ish-krerët e UÇK-së

By: A R
16 July 2025 at 20:32

Gjykata Speciale në Kosovë është vënë në qendër të kritikave nga ekspertët në Kosovë. Shkak është bërë vendimi i Gjykatës Speciale për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kërkuan largimin e disa akuzave.

Specialja po kritikohet për mungesë objektiviteti si dhe veprime që “shkojnë në favor të Serbisë”. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për rrëzimin e tërësishëm të mocionit të mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së përmes së cilit kërkohej largimi i disa akuzave nga aktakuza, që përfshinte periudhën për incidentet para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për Kosovapress, kritikon vendimin e trupit gjykues duke e quajtur mungesë objektiviteti nga ana e gjykatës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress se vendimi i fundit i Speciales është “turp historik” dhe akt që, sipas tij, i shërben vetëm interesave të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për KosovaPress se mbrojtja në këtë rast i ka potencuar disa pika mjaft të rëndësishme, derisa thekson se “konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, pra më 9 qershor”.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha se rrëzimi i mocionit të mbrojtjes të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, është humbje e rastit për të rikonfirmuar parimet mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

The post “Turp historik”, ekspertët kritikojnë vendimin e Speciales për ish-krerët e UÇK-së first appeared on JavaNews.al.

Indeksohet baza e pensioneve me 9.3% për llogaritjen e re, ndryshim prek vetëm pensionet nga 1 janari 2025 e në vazhdim

By: A R
16 July 2025 at 20:21

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar të pensioneve për vitin 2023, duke ndikuar në llogaritjen e pensioneve për të gjithë ata që do të dalin në pension duke filluar nga viti 2025.

Sipas këtij vendimi, baza e vlerësuar e vitit 2023 do të indeksohet me një koeficient prej 9.3%. Ky indeks do të aplikohet për të llogaritur bazën individuale vjetore, e cila përdoret më pas për të përcaktuar masën fillestare mujore të pensioneve.

Ky ndryshim prek vetëm pensionet me datë fillimi nga 1 janari 2025 e në vazhdim. Indeksimi bazohet në kontributet e paguara deri në fund të vitit 2023 dhe ka si qëllim të reflektojë ndryshimet ekonomike përpara se të llogaritet shuma fillestare e pensionit.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se, pas aplikimit të këtij indeksi, baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi për periudhën 1994-2001; paga maksimale në shkallë vendi për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen brenda buxhetit të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

The post Indeksohet baza e pensioneve me 9.3% për llogaritjen e re, ndryshim prek vetëm pensionet nga 1 janari 2025 e në vazhdim first appeared on JavaNews.al.

Serbia e mbushur me mercenarë rusë, kampet e ngritura synonin grusht shteti në Moldavi

By: A R
16 July 2025 at 20:12

Mercenarët e paguar nga Rusia kanë zbarkuar në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë. Kështu shkruan, pas një investigimi të hollësishëm, grupi mediak i Balkan Insight.

Ajo thekson se, Agjencitë ruse të inteligjencës kanë ngritur kampe trajnimi për mercenarë në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë për të përgatitur pjesëmarrësit për një përpjekje për grusht shteti në Moldavi.

Qytetarët moldavë u rekrutuan për operacionin dhe u kërkua të dorëzonin telefonat dhe pasaportat e tyre para se të fillonte trajnimi. Përgatitja përfshinte, ndër të tjera, trajnim në operacionin me dronë.

Maksim Rosca, një nga mercenarët, zbuloi se pjesëmarrësve iu premtua një shpërblim prej 300 deri në 500 dollarë për përfundimin e një kursi intensiv 10-ditor.

Në një intervistë me mediat moldave, Rosca zhvilloi trajnimin fillimisht në entitetin pro-rus të Republika Srpska të Bosnjës dhe Hercegovinës, me popullsi kryesisht serbe, dhe më vonë në një fshat të quajtur Radenka, në Serbinë lindore.

Pagesat thuhet se janë bërë në kriptomonedha. Sipas hetimit, seancat trajnuese u mbajtën midis 1 dhe 16 gushtit, dhe përsëri nga 22 gushti deri më 11 tetor 2024, në të dy vendet.

Operacioni kishte për qëllim të minonte zgjedhjet presidenciale në Moldavi, të cilat u zhvilluan në vjeshtën e vitit 2024. Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës mohojnë zyrtarisht ekzistencën e kampeve të stërvitjes në territorin e tyre, por zyra e prokurorit vendas ka nisur tashmë një hetim.

Në Serbi, policia zbuloi mbetjet e një kampi – letra të djegura, gjurmë të mushamasë së djegur dhe tokë të djegur. Sipas raporteve të medias pranë autoriteteve serbe, në vend u zbuluan gjithashtu dronë, syze mbrojtëse, pajisje komunikimi satelitor Starlink dhe lëngje të ndezshme.

Zyrtarët serbë nuk kanë dhënë ende asnjë koment. Instruktorët thuhet se janë të lidhur me Ëagner PMC ruse dhe individë që janë nën sanksione të BE-së.

The post Serbia e mbushur me mercenarë rusë, kampet e ngritura synonin grusht shteti në Moldavi first appeared on JavaNews.al.

Dash Sula ‘futet’ mes sherrit Lapaj-Shabani: Kur do t’i bësh gropën tjetrit, bie vetë brenda

By: A R
16 July 2025 at 20:05

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar lidhur me përplasjen e sotme mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e fituar nga koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ironizuar situatën e krijuar, Sula shprehet se kur do t’i bësh gropën tjetrit, bie vetë brenda.

Ai rikthen në kujtesë një bisedë të zhvilluar me Lapajn në momentin që po pretendonte për të kandiduar në listën e ‘Nismës Shqipëria Bëhet’ në Elbasan.

Sula tha se Lapaj gjatë bisedës e kishte siguruar se ata që ishin në listë të mbyllur do të jepnin dorëheqjen dhe nëse deputeti demokrat do të merrte më shumë vota nga anëtarët e tjerë të listës së hapur në Elbasan, do të merrte mandatin automatikisht, gjë që sipas tij aktualisht nuk po ndodh në Tiranë.

Postimi i Shabanit:

“Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë”, kjo është ajo që po ndodh me Adriatik Lapajn, të cilin e paralajmërova për një skemë të tillë, kur më tha se kandidatët në listë të mbyllur në Elbasan do të jepnin dorëheqjen nëse unë do të kandidoja në këtë qark për subjektin që ai përfaqëson. Në atë kohë i kërkova zotit Lapaj që në listë të mbyllur të vendosja një familjarin tim dhe ai/ ajo të jepte dorëheqjen pasi të fitoja në listë të hapur. Zoti Lapaj kërkonte që unë të besoja te ajo që sot po e lë atë jashtë parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregon se partitë e reja kanë mëndësitë e partive të vjetra….

The post Dash Sula ‘futet’ mes sherrit Lapaj-Shabani: Kur do t’i bësh gropën tjetrit, bie vetë brenda first appeared on JavaNews.al.

Gara për kryebashkiak të Tiranës, shkaku?! Prapaskenat e përplasjes Lapaj-Shabani

By: A R
16 July 2025 at 19:58

Një punëtor ndërtimi, i cili u bë pjese  e armatës se  kandidateve fiktiv të koalicionit “Nisma Shqipëria Behet”, i prishi gjithë skemën Adriatik Lapajt, duke i vënë në rrezik ëndrrën e tij për tu bërë deputet.

Zeqir Kordhoni, ndryshe nga sa i ishte zotuar në fillim kryetarëve, ka ndërruar mendje dhe hodhi një hap të ri drejt marrjes së mandatit, duke i kërkuar zyrtarisht KQZ-së të injorojë çdo shkresë të bërë në emër të tij, nga koalicioni Nisma Shqipëria Behet.

“Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15/07/2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, thuhej në kërkesën e Kordhonit.

Marrëveshja parazgjedhore mes Adriatik Lapajë dhe Endri Shabanit parashikonte që në listën e mbyllur të garonin familjarët e të dyja palëve, të cilët do të hiqnin dorë për t’i lënë vendin kandidatëve më të votuar në listën e hapur, që në këtë rast, me vota rezulton të jetë Adriatik Lapaj. Ndaj më shumë se një kapriço e një familjari, duket se pas fshihet një krisje mes dy drejtuesve  të koalicionit, krisje të cilin e konfirmoi edhe vetë Adriatik Lapaj publikisht.

“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!”, shkruan Lapaj.

Adriaik Lapaj paralajmëron se as Shabani dhe as familjaret e tij nuk do gëzojnë mandatin e Tiranës dhe bindja e tij vjen pasi Zeqir Kordhoni renditet i 9-ti në listën e mbyllur të qarkut Tiranë, por që ai të behet deputet para tij janë 8 kandidatë të tjerë mes tyre familjare të Lapajt, të gatshëm të “hakmerren” për të.

Top Channel ka mësuar se divorci politik Lapaj-Shabani shkon përtej një mandati deputeti dhe si shkak ka mungesën e dakortësisë për një tjetër garë të pritshme, atë të Tiranës, ku Endrit Shabani projekton veten si kandidatin e vetëm të koalicionit kurdo që të bëhen zgjedhjet, ambicie që mesa duket nuk i ka shkuar për shtat aleatit të tij, për të cilin Shabani kishte një kundërpërgjigje.

“Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut. Dua të sqaroj tre gjëra: E para, mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim?”, shkruan Shabani.

The post Gara për kryebashkiak të Tiranës, shkaku?! Prapaskenat e përplasjes Lapaj-Shabani first appeared on JavaNews.al.

Të dashurosh si një “gjysmëmurg….!”

16 July 2025 at 19:50

NGA ILIR ÇUMANI

(Në një kohë kur poezia shpesh ndrydhet nga banaliteti apo përmbysja e vlerave, vepra e Bardhyl Londos mbetet një oaz i pastër ku lexuesi gjen veten, fjalën dhe ndjenjën. Ai është ndër ata poetë që e kanë kthyer fjalën në një akt shpëtimi dhe poezinë në një mënyrë të qenies).


Bardhyl Londo, padyshim, mbetet edhe sot një nga emrat më përfaqësues të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe më tej. Ai është një poet që ka ditur të ngulë rrënjë në kujtesën letrare të lexuesit shqiptar jo me zhurmë, por me finesë; jo me pompozitet, por me thellësi e përulësi krijuese. I lindur në qytetin jugor të Përmetit më 1948, Londo i përket brezit të poetëve që u afirmuan gjatë viteve ’70 –të, një periudhë e ndërlikuar në jetën politike e kulturore të vendit, por që megjithatë, lindi një brez të ri zërash të fuqishëm në poezi.

Poezia e tij nuk ndjek klishetë e zakonshme dhe as format e zhurmshme të shprehjes; ajo përkundrazi rrjedh e qetë, e thellë dhe përçon me delikatesë një përvojë njerëzore të pasur, shpeshherë të heshtur, por gjithnjë të ndjeshme. Me një gjuhë të përpunuar, me simbole të përzgjedhura dhe me një ndërthurje të bukur të reales dhe imagjinares, Londo arriti të krijojë një botë poetike unike, ku njeriu, dashuria, koha dhe kujtesa qëndrojnë në qendër të universit letrar. Ai nuk rreshti kurrë së krijuari, duke dëshmuar një besnikëri të rrallë ndaj misionit të tij si poet, dhe duke mbetur një pikë referimi për çdo lexues e studiues serioz të poezisë shqiptare.

Qysh në vëllimet e tij të para, si “Emrin e ka dashuri” (1975) apo “Në udhët e fatit” (1978), Londo shfaqi një ndjeshmëri të veçantë poetike dhe një qasje introspektive ndaj përvojës njerëzore, duke u larguar nga retorika politike e kohës dhe duke u zhytur në një botë intime, ku emocioni, kujtimi, humbja dhe dashuria zinin vendin kryesor. Poezia e tij është lirike në përmbajtje dhe moderne në formë – një poezi që flet me tone të ulëta, por që prek thellë. Ai nuk e shpërfaq asnjëherë ndjenjën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por e lë të shpërthejë përmes metaforave, përmes figurave delikate, përmes një gjuhe që herë të përkund si një ninullë dhe herë të trazon si një kujtim i dhembshëm.

Me një veprimtari krijuese të pandërprerë, ai ka botuar një sërë vëllimesh poetike që janë bërë pjesë e fondit më të çmuar të letërsisë sonë kombëtare. Krahas poezisë, Bardhyl Londo ka kontribuar edhe në fushën e përkthimit dhe të kritikës letrare, si dhe ka mbajtur detyra të rëndësishme kulturore, mes të cilave spikat drejtimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në periudha të ndryshme.

Bardhyl Londo është poet i reflektimit, një vëzhgues i heshtur i shpirtit njerëzor. Në shumë nga poezitë e tij, dashuria shfaqet si ndjesi që sfidon kohën, një përjetim që nuk vdes, pavarësisht largësisë apo humbjes. Në vargjet: “Vetëm njëra do të qajë me zë”, ku heshtja merr formën e zërit dhe e pamundura bëhet përjetim, ai arrin të përkufizojë atë që shumë e ndiejnë, por pak mund ta thonë. Kjo aftësi për të thënë gjëra të mëdha me fjalë të thjeshta e të përmbajtura është pikërisht ajo që e bëjnë këtë poet një nga mjeshtrit e vërtetë të poezisë shqipe.

Më poshtë, po sjell një analizë të njërës prej poezive mbresëlënëse të titulluar “Vetëm njëra do të qajë me zë”. Janë vargje mjaft të ndjera për dashurinë që mbetet, për kujtimet që nuk vdesin dhe për heshtjen që shpesh flet më shumë se zërat.

Në një kohë kur marrëdhëniet ndërnjerëzore po bëhen gjithnjë e më sipërfaqësore, kur ndjenjat konsumohen shpejt dhe kujtimet zëvendësohen me përjetime të përkohshme, një poezi e vogël mund të bëhet urë lidhëse me një të vërtetë të madhe: dashuria që jeton thellë në kujtesë është më e fuqishme se çdo pasion i zhurmshëm.

Kjo poezi intime, e përshkruar me gjuhë të thjeshtë lirike dhe figura të pasura simbolike, flet për një njeri që kthehet pas në jetë, i vetëdijshëm për fundin që i afrohet, dhe që përmes kujtesës rishikon ndjenjat që vërtet kishin rëndësi.

DASHURITË QË IKIN DHE AJO QË MBETET.

“E di që shumë vajza më deshën
ca provokuese, ca të heshtura pa zë,
po unë në jetën prej gjysmëmurgu prej tyre desha vetëm një.”

Kjo strofa hapëse përmbledh një jetë të tërë në tre vargje. Poeti pohon se ka qenë objekt dashurie për shumë gra – disa më të shprehura, disa më të mbyllura – por ai vetë e ka përjetuar jetën me përmbajtje, si një “gjysmëmurg”, dhe ka dashur sinqerisht vetëm një. Kjo zgjedhje stilistike flet për një dashuri të përmbajtur, por të thellë, që s’ka pasur nevojë për shumë fjalë.

KUR KUJTIMET BËHEN SHTRAT

Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë
çarçafi i bardhë herë herë s’i nxë.
Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet
dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.

Në këtë pjesë, çarçafi i bardhë nuk është thjesht një element fizik; ai bëhet simbol i shtratit të kujtimeve, por edhe i bardhësisë së një fundi të afërt – ndoshta qefini. Poeti i është dorëzuar jetës së brendshme dhe e ka gjetur ngushëllimin jo më tek njerëzit e gjallë, por tek kujtimet që janë të vetmet që nuk largohen. Ato bëhen strehë, dëshmi e ndjenjave që nuk u konsumuan, por u ruajtën si një lutje e brendshme.

HAPAT E FUNDIT DHE HESHTJA QË FLET.

“Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen
të heshtura, të zeza një nga një.
Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,
Por vetëm njëra do të qajë me zë.”

Në strofën e fundit, hapat e vdekjes personifikohen në mënyrë të heshtur dhe të zezë – një përshkrim delikat i fundit që po afron. Poetika këtu bëhet thellësisht njerëzore, por edhe universale: në fund, shumë do të trishtohen, por vetëm ajo që u dashurua vërtet, do të qajë me zë.

Dhe kjo “e vetme” nuk është thjesht një grua mes të tjerave – është simboli i dashurisë së rrallë, i ndjenjës që nuk harrohet.

NJË PËRSHPIRTJE PËR DASHURINË DHE JETËN.

Kjo poezi është më shumë se një rrëfim personal – është një elegji për dashurinë e humbur, por të paharruar, një përsiatje mbi fundin dhe një nderim për kujtimet që mbijetojnë.

Përballë vdekjes, njeriu nuk është vetëm – ai ka me vete gjithçka që ka ndier vërtet. Dhe në atë moment, nuk ka rëndësi sa dashuri ke pasur përreth, por cilësia dhe thellësia e vetëm një dashurie të vërtetë.

Sepse në jetë, shumë mund të të duan, por vetëm njëra do të qajë me zë.

E DI QË SHUMË VAJZA MË DESHËN….
(Bardhyl Londo)

E di që shumë vajza më deshën
ca provokuese, ca të heshtura pa zë,
po unë në jetën prej gjysmëmurgu
prej tyre desha vetëm një.

Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë
çarçafi i bardhë herë-herë s’i nxë.
Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet
dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.

Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen
të heshtura, të zeza një nga një.
Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,
vetëm njëra do të qajë me zë.

The post Të dashurosh si një “gjysmëmurg….!” first appeared on JavaNews.al.

Qeveria financon komunitetet fetare, si ndahen mbi 113 milionë lekë për vitin 2025

By: A R
16 July 2025 at 19:42

Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën një vendim për caktimin e masës së financimit në buxhetin e vitit 2025 për katër bashkësitë fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë.

Vendimi, i cili mbështetet në ligjin përkatës dhe në ligjin e buxhetit të vitit 2025, ndan një fond total prej 113 000 000 lekësh.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 lekë, të ndarë në mbështetje për 71 punonjës të administratës dhe 70 punonjës të institucioneve arsimore, me gjysmën e pagës minimale buxhetore.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 lekë, të ndarë në financim për 55 punonjës të administratës dhe 55 punonjës të institucioneve arsimore, gjithashtu me gjysmën e pagës minimale buxhetore.

Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 lekë, e ndarë në financim për 40 punonjës të administratës dhe 70 punonjës të institucioneve arsimore, me gjysmën e pagës minimale buxhetore.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 lekë, e cila ndahet në disa zëra:

  • 6 000 000 lekë për 25 punonjës të administratës (deri në gjysmën e pagës minimale).
  • 13 360 000 lekë si kontribut për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në Gjirokastër.
  • 7 000 000 lekë si fond i veçantë për shkak të pozitës së saj si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë.

Kalimi i fondit do të kryhet njëherësh brenda muajit korrik të vitit 2025, dhe për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet.

The post Qeveria financon komunitetet fetare, si ndahen mbi 113 milionë lekë për vitin 2025 first appeared on JavaNews.al.

❌
❌