Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Java News

Një vit më parë iu sekuestruan 2 mln euro pasuri, fierakut i konfiskohet edhe “Lambo”

By: A R
14 July 2025 at 13:59

Një vit pasi iu sekuestrua pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, ku përfshiheshin mijëra hektarë tokë, apartamente, vendparkim, 12 makina dhe llogari bankare, një 37-vjeçari në Fier, i është konfiskuar edhe një automjet luksoz.

Prokuroria e Fierit bën me dije se Arbër Muçës i është sekuestruar një automjet tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, i cili ishte transportuar nga Dubai në Shqipëri përmes personave të tretë.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në vijim të hetimeve në procedimin penal nr.1162, datë 15.10.2020 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, të shtetasit A.M.

Kjo prokurori ka regjistruar kryesisht procedimin pasuror nr.3 të vitit 2024, mbështetur në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe sekuestrimi i makinës luksoze erdhi një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe paluajtshme me vlerë rreth 2 milion Euro të shtetasit A.M. Automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10.07.2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë”, njofton organi i akuzës.

Sipas autoriteteve shqiptare 37-vjeçari dyshohet se i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë Shqipërisë.

Pasuritë e sekuestruara të Arbër Muçës:

– 2 sipërfaqe toke arë, në total 6831 m2, në Fier

– 3 sipërfaqe toke truall, në total 630 m2, në Fier

– Njësi shërbimi me sipërfaqe 200 m2, në Fier

– Njësi 2 kate me sipërfaqe 625 m2, në Fier

– Njësi me sipërfaqe 100 m2, në Fier

– Apartament me sipërfaqe 127 m2, në Tiranë

– 1 vendparkim në Tiranë

– 13 automjete (1 ‘Lamborgini Urus Mansory’)

– 2 llogari bankare me vlerë rreth 120 000 euro

The post Një vit më parë iu sekuestruan 2 mln euro pasuri, fierakut i konfiskohet edhe “Lambo” first appeared on JavaNews.al.

Pas urdhrit të Ramës, dorëheqje “zinxhir” edhe në bashkinë Elbasan

By: A R
14 July 2025 at 13:52

Kanë nisur dorëheqjet edhe në bashkinë Elbasan.

Siç raportohet, disa drejtorë e administratorë kanë dhënë dorëheqjen pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë se kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.

Në mbledhjen e sotme, 14 korrik, me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, Rama vuri theksin te një sërë reformash që do mundësojnë shërbime më efikase ndaj qytetarëve.

Kujtojmë se më herët, dorëheqje masive ka pasur në bashkinë Vlorë, Fier, Korce, Kolonje dhe Durrës.

The post Pas urdhrit të Ramës, dorëheqje “zinxhir” edhe në bashkinë Elbasan first appeared on JavaNews.al.

Mbërrin në spital me plagë nga armë zjarri 17-vjeçarja në Vlorë

By: A R
14 July 2025 at 13:45

Një 17-vjeçare ka mbërritur në spitalin e Vlorës me plagë të shkaktuar nga armë zjarri. Sipas informacioneve nga policia e Vlorës dyshohet se e mitura është vetëplagosur me pistoletë.

Ajo është gjetur në banesë me plagë nga arma e zjarrit në trup. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital. Burime raportojnë se vajza është gjendje të rëndë.

Sipas bluzave të bardha, e mitura ka qenë koshiente në momentet e mbërritjes në spital.

Vlorë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 11:40, është paraqitur në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore, një shtetase e mitur 17 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri pistoletë, në banesën e saj, në lagjen “Kushtrimi”.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post Mbërrin në spital me plagë nga armë zjarri 17-vjeçarja në Vlorë first appeared on JavaNews.al.

Automjeti përplas këmbësoren në Lushnjë, ndërron jetë në spital 65-vjeçarja

By: A R
14 July 2025 at 13:35

Një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Babunjë të Lushnjës. Një 35-vjeçar ka përplasur me automjetin e tij një këmbësore, e cila më pas ka ndërruar jetë në spital.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë;  L. K., 35 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në fshatin Babunjë, me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen T. Rr., 65 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital”, njofton Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

The post Automjeti përplas këmbësoren në Lushnjë, ndërron jetë në spital 65-vjeçarja first appeared on JavaNews.al.

Ballanca: Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimet pa leje. Asnjë ankesë nga qytetarët

By: A R
14 July 2025 at 13:28

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, në një prononcim për mediat ka deklaruar se institucioni që ajo drejton ende nuk ka marrë asnjë ankim nga ana e qytetarëve në lidhje me aksionin e ndërmarrë për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth.

“Avokati i Popullit është shprehur në mënyrë të vazhdueshme që e drejta për zhvillim duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi edhe në rast se ka veprime për identifikimin për prishje e ndërtimeve pa laje duhet të ndiqen disa procedura për ti dhënë mundësi qytetarëve të adresojnë shqetësimin që kanë pranë gjykatave kompetentë.

Ajo u shpreh se institucionit që ajo drejton i nevojitet konsensusi i qytetarëve për të nisur hetime të plota mbi problematika të caktuara, ndërsa solli si shembull një rast në Shkodër, ku qytetarët nuk dhanë dakordësi për të nisur hetimin, duke e penguar procesin.

Edhe më parë ne kemi shkuar dhe takuar qytetarët në Shkodër, propozuam rast pas rasti, dhe ata nuk na dhanë konsensusin për të vijuar më tej me procedurat.”

Sipas Erinda Ballanca, Avokati i Popullit duhet të bëjë një hetim të plotë për të verifikuar edhe problematikat e qytetarëve, por edhe qëndrimin e organeve përkatëse.

Nuk dalim me deklarata të menjëhershme individuale. Nëse verifikojmë se ka një çështje e cila mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut ne mund të nisim një rast me iniciativë. Nëse verifikojmë në bazë të ligjit se ka një çështje e cila mund të përbëjë shkelje të së drejtës së njeriut, ne mund të nisim një rast me iniciativë. Por në rastin konkret do të duhet që qytetarët të na japin të drejtë, të na thonë që ‘po jam dakord ta ndiqni rastin tim. ’.

Ndaj vijon ajo, në Theth nuk kemi një ankesë, së pari do të duhet që qytetarët të bëjnë një ankesë.

Kemi nisur një rast për këtë çështje, por do të duhet që ekipi ynë të shkojë në terren. Pra të gjitha këto janë çështje fazash dhe etapash, nuk kemi shkuar ende në terren, por do të shkojmë.

Me verifikimin e parë, vijon më tej Ballanca, mund të ketë një çështje që duhen ndjekur, por nëse do të ndodhin prishje të banesave pa leje duhet të jemi të qartë se institucioni nuk mbështet ndërtimet pa leje në territor.

Ne do të dalim në një qëndrim. Paraprakisht në verifikimin e parë duket në pamje të parë, që mund ketë, kur them mund do të thotë që nuk kemi pasur shkaqe për të kuptuar që ka një problematikë të tillë. Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimet pa leje.

The post Ballanca: Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimet pa leje. Asnjë ankesë nga qytetarët first appeared on JavaNews.al.

“The Wanted”, kapet nga Policia Rrugore 37-vjeçari i kërkuar në Spanjë

By: A R
14 July 2025 at 13:18

Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në pranga një pjesëtar të një organizate kriminale të akuzuar në Spanjë, për mashtrim me pasoja të rënda.

Ai u kap gjatë monitorimit të akseve rrugore në kryeqytet duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit.

“Gjatë monitorimit sistematik që kryhet në të gjitha akset e kryeqytetit, me pajisje bashkëkohore dhe shërbime të shtuara, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës konstatuan shtetasin N. S., 37 vjeç, duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit. Nga verifikimet e kryera menjëherë pas ndalimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranë rezultoi se 37-vjeçari ishte në kërkim për llogari të autoriteteve spanjolle”.

Gjykata e Seu de Urgell i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan provizorisht, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasin N. S., për ekstradimin e të cilit Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin.

The post “The Wanted”, kapet nga Policia Rrugore 37-vjeçari i kërkuar në Spanjë first appeared on JavaNews.al.

“Rama u soll si malazezët”, Berisha: Dënoj me forcën më të madhe krimin shtetëror ndaj banorëve të Thethit

By: A R
14 July 2025 at 13:09

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se “dhuna dhe shkatërrimi i ekonomive të banorëve të Thethit është një nga aktet më të rënda, më të paprecedentë në historinë e një vendi”.

“Edi Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu. Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër. Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre. Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, pafytyrësinë dhe pabesinë më të madhe për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një projekt antishqiptar, një projekt hakmarrës, primitiv. Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha, shkruan A2.

“Pra, kreu një aksion urrejtje të papërmbajtur ndaj njerëzve që kishin shfrytëzuar pronën e vet për të ndërtuar pasi i kishte autorizuar, pasi ai dhe kreu i Bashkisë së Shkodrës, në një seri deklaratash i kishin garantuar se do legalizoheshin dhe do marrin lejet e legalizimit. Pasi u kishte kërkuar që të ftojnë njerëzit e tyre në emigracion të vijnë dhe të investojnë në Theth, Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar. E thashë edhe njëherë, shfrytëzoi pabesinë, mashtrimin dhe ka dëmtuar më shumë se çdo pushtues tjetër atë zonë. Armik i shpallur i veriut. Në 12 vite të qeverisjes së tij, në qarqet e veriut po të heqim Rrugën e Arbrit, e përfunduar më shumë se gjysma gjatë qeverisjes sonë, por në fakt investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë në zonat e tjera të vendit”, shtoi Berisha.

The post “Rama u soll si malazezët”, Berisha: Dënoj me forcën më të madhe krimin shtetëror ndaj banorëve të Thethit first appeared on JavaNews.al.

Sekuestrimi i pallatit në Vlorë, Rama: Do t’i kalojë shtetit! Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje

By: A R
14 July 2025 at 13:01

Mëngjesin e sotëm Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici ishte në Vlorë, ku ka verifikuar kantieret e ndërtimit dhe lejet për pallate.

Nga verifikimet rezultoi se një pallat ishte pa leje, dhe Bici bëri me dije se ndërtesa do t’i kalojë shtetit.

Kreu i qeverisë Edi Rama në një postim në Facebook shprehet se këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike.

“Ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme.

Ndërkohë së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë.

Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, shkruan Rama.

The post Sekuestrimi i pallatit në Vlorë, Rama: Do t’i kalojë shtetit! Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje first appeared on JavaNews.al.

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 15 Korrik 2025

By: A R
14 July 2025 at 12:50

Dashi

Marrëdhënia me atë qe keni ne krah do jete shume e paqëndrueshme gjate kësaj dite. Nuk do jeni shume ne humor dhe here pas here do debatoni ashpër me te. Beqaret do jene te parrezistueshem dhe do marrin propozime pa fund. Ne planin financiar nuk do keni dëshirë te ulni shpenzimet dhe kjo mund ta përkeqësoje gjendjen ne te cilën ndodheni.

Demi

Kjo dite do jete mjafte përshtatshme për te bere disa rregullime ne jetën tuaj ne çift ose për te marre vendime për te ardhmen. Te dy do jeni realiste dhe te qarte pe rate qe doni te bëni. Beqaret jo vetëm qe do kenë takime, por mund te fillojnë edhe histori dashurie pasionante. Ne planin financiar merrini gjerat shtruar edhe sikur t’iu dalin vështirësi.

Binjaket

Kjo dite do jete mjaft romaneske për te dashuruarit. Gjithçka do ndodhe si me magji dhe here pas here do iu duket vetja sikur jeni vërtet ne një ëndërr te bukur. Beqaret nuk do jene ne humorin e duhur për te dale e për te njohur persona te rinj. Për një buxhet te qëndrueshëm shpenzoni aq sa ua mban xhepi jo me tepër. Vetëm disa mund te përfitojnë ndonjë shpërblim nga puna.

Gaforrja

Dita do filloje me se miri sot, por me kalimin e orëve situata do iu dale jashtë kontrollit. Mos lejoni qe problemet ne pune apo ne familje te ndikojnë ne lidhjen tuaj. Beqaret duhet te reflektojnë shume here para se te pranojnë ndonjë takim me persona qe sapo i kane njohur. Te ardhurat do jene ne te njëjtën gjendje si disa dite me pare. Nuk keni perse te shqetësoheni.

Luani

Do jete dita me e favorshme sot për te zgjidhur te gjitha debatet dhe problemet ne çift. Do toleroni me shume se kurdoherë tjetër. Beqaret do jene ne kërkim te princit te kaltër, por nuk do arrijnë dot ta gjejnë as gjate kësaj dite. Buxhetit do i bëni një riorganizim te përgjithshëm sepse kohet e fundit e kishit lënë goxha pas dore. Dëgjojini edhe këshillat e disa te afërmve.

Virgjeresha

Ata qe janë ne një lidhje do jeni me te ndjeshëm dhe me romantike gjate kësaj dite. Priten çaste te mrekullueshme pranë atij qe dashuroni. Beqaret do kenë një dite te zakonshme pa ndonjë takim mbresëlënës. Mos kërkoni asgjë me ngut ose me inat. Financat do kërkojnë me tepër vëmendje. Po i kaluat limitet e shpenzimeve do keni vështirësi te mëdha.

Peshorja

Do jeni shume xheloze ndaj partnerit tuaj gjate kësaj dite dhe kjo do sjelle probleme serioze ne lidhjen qe keni dertuar. Mos e teproni nëse nuk doni ta humbisni atë qe keni ne krah. Beqaret me mire te qëndrojnë vetëm sepse përndryshe do përballen me zhgënjime. Edhe pse do e keni te vështirë te kurseni duhet me doemos ta bëni këtë qe te mos keni vështirësi financiare.

Akrepi

Dite shume e mire kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do ndiheni te sigurte dhe te lumtur pranë atij qe keni ne krah dhe do dëshironi qe t’i bëni gjerat me serioze. Beqaret nuk do jene ne humorin e duhur për te kërkuar dike. Financat do jene goxha te paqëndrueshme. Shmangni çdo lloj shpenzimi te tepruar dhe çdo lloj huaje. Nuk është ende momenti për ta lënë veten te lire.

Shigjetari

Dite shume e zakonshme dhe pa asgjë te veçante kjo e sotmja. Merrini gjerat si t’iu vijnë pa e vrare shume mendjen se ç’do ndodhe me tej. Beqaret duhet te gjejnë mënyrën e duhur për te joshur personin qe pëlqejnë dhe do ia arrijnë qëllimit. Te ardhurat nuk do jene te mira për te gjithë. Ata qe kane pasur probleme do e kenë serish te vështirë te kryejnë ndonjë shpenzim me tepër.

Bricjapi

Jeta sentimentale e çifteve do jete e mrekullueshme sot. Do flisni me hapur për gjithçka dhe nuk do mani me mëri për te kaluesen. Beqaret do jene te lire te bëjnë çfarë te duan sepse mundësitë për takime dhe për aventura do jene te shumta. Financat do jene me delikate se disa dite pa pare, prandaj duhen marre sa me shpejt masa strikte.

Ujori

Do jeni shume te qarte për ato qe doni te bëni ne jetën tuaj ne çift sot dhe marrëdhënia me partnerin do ketë ndryshime. Nëse jeni lodhur nga rutina e kohëve te fundit mund te merrni vendime drastike. Beqaret nuk do jene ne humorin e duhur për te dale e për t’u njohur me persona te rinj. Ne planin financiar do jene disa te afërm qe do iu ndihmojnë ta stabilizoni situatën.

Peshqit

Do jeni gjithë kohës me nerva sot dhe shpesh do ja nxirrni gjithçka atij qe keni ne krah. Kujdes mos e teproni sepse edhe durimi e ka një kufi. Beqaret do jene pa fat kështu qe edhe sikur te kërkojnë gjithë kohës nuk do e gjejnë princin e kaltër. Ne planin financiar do jeni me fat. Do shpenzoni për gjithçka qe doni dhe do hiqni edhe disa para mënjanë.

The post Horoskopi ditor për nesër, e Martë 15 Korrik 2025 first appeared on JavaNews.al.

“Negociatat me BE mund të mbyllen në 2027”, Marta Kos vlerëson reformat e Shqipërisë

By: A R
14 July 2025 at 12:41

Në takimin e përbashkët të parlamentarëve të angazhuar në marrëdhëniet e BE-së me NATO-n, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi shpejtësinë në zbatimin e reformave të integrimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

“Aktualisht, ne po shohim shumë reforma në zhvillim e sipër në vendet kandidate. Shqipëria dhe Mali i Zi e kanë kuptuar se për to është hapur një dritare mundësie. Ato po ecin shumë shpejt në rrugën e reformave të integrimit evropian. Nëse Mali i Zi ecën me të njëjtën shpejtësi në zbatimin e reformave siç ka bërë deri më tani, ne mund t’i përfundojmë negociatat teknike me këtë vend deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë, ne mund të arrijmë finishin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në këtë mënyrë, këto dy vende do të jenë në gjendje të bëhen anëtare me të drejta të plota të BE-së brenda mandatit të këtij Komisioni Evropian,” tha komisionerja Kos.

Komisionerja bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve mes dy organizatave, në mënyrë që shtetet kandidate të mund të kenë garancitë e duhura të sigurisë përballë ndërhyrjeve nga Rusia për destabilizimin e tyre.

The post “Negociatat me BE mund të mbyllen në 2027”, Marta Kos vlerëson reformat e Shqipërisë first appeared on JavaNews.al.

“Toka e klubit Partizani u ble nga italianët”, dhëndri i Berishës padit Moisiun për shpifje në gjykatë

By: A R
14 July 2025 at 12:00

Pas deklaratave të ish-presidentit Alfred Moisiu, mbrëmjen e djeshme në A2 CNN, për rastin “Partizani”, ka reaguar sot Jamarbër Malltezi, i cili thotë se do ta padisë ish-presidentin në gjykatë për shpifje.

Në një postim në Facebook, ai cilëson shpifje deklaratat e ish-kreut të shtetit, i cili tha se toka e Klubit Partizani ishte shpronësuar nga italianët dhe se drejtësia duhet të kërkonte dokumentet në Itali. Në përgjigje të këtyre deklaratve, Malltezi akuzon Moisiun se tha të pavërteta.

“Fakti që toka nuk ka qenë e shpronësuar quhet fakt i njohur zyrtarisht, përderisa është botuar në fletoret zyrtare të kohës së Italisë si tokë e rekuizuar dhe jo e shpronësuar. (Rekuizimi është okupim për periudhë të përkohshme e pa ndryshuar pronësinë). Kaq do të qe e mjaftueshme për këdo që respekton ligjin, por veçanërisht për një ish-president, nëse ai do të përmbushte kriteret e një burrështetasi – respektin për ligjin dhe jo shpifjen”, shkruan Malltezi.

Ai i kujton ish-presidentit  hetimet e SPAK dhe kërkimet edhe në arkivat e Italisë për këtë çështje ku sipas tij provohet se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar.

“Për merakun e ish-presidentit që mesa duket nuk ka më aftësinë të ndjeke detaje, rikujtoj se SPAK jo vetëm ka kryer 3 muaj hetime në Arkivat e Shqipërisë, por ka bërë kërkesë edhe në arkivat e Italisë nga ku ka marre mbi 10,000 faqe dokumente, të cilat provojnë katërcipërisht atë që shkruhet në fletoret zyrtare se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar”.

Duke i cilësuar shpifje deklaratat e ish-presidenti Moisiu, Malltezi tha se do ta çojë në gjykatë.

“Zgjedhja për t’u vetëposhtëruar nëpërmjet shpifjes nuk është çështje moshe, por karakteri. Për të larguar çdo dyshim të publikut mbi këtë çështje, e njoftoj publikisht z.Moisiu që meqë ky është një fakt i ditur për të dhe meqë fjalët nuk mund t’i lëshojë siç nuk thuhet, do ketë mundësi të provojë ose jo, shpifjet e tij në gjykatë”.

Më herët, ish-presidenti i Shqipërisë, tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, tha se:

“Drejtësia e re duhet të jetë më e kujdesshme, po të nxjerrësh faktet s’mund të thonë se këto gjëra nuk ekzistojnë. Të marrim grupin e pallateve Partizani, ajo ka qenë tokë e blerë nga italianët. Tani se ku janë dokumentet unë nuk i di.

Nuk bëhet asgjë pa dokumente. Edhe nëse nuk janë këtu, gjenden në Itali. Arkivat të shkojnë dhe t’i marrin, t’i mbyllin gojën.”

Sipas Moisiut, në mungesë të një administrate të rregullt, prona mund të shitet disa herë duke krijuar kaos dhe pasiguri pronësore: “Të marrësh ta shesësh disa herë se administrata nuk është e rregullt dhe nuk gjen dokumentet, kjo nuk është e drejtë. Këtu bëhen disa gjëra që bëhen ashiqare”, tha ish-presidenti.

The post “Toka e klubit Partizani u ble nga italianët”, dhëndri i Berishës padit Moisiun për shpifje në gjykatë first appeared on JavaNews.al.

“Duhen ndërtuar ura mes gjykatave”, Gonzato: Drejtësia, të arrijë te qytetarët…

By: A R
14 July 2025 at 11:52

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, mori pjesë sot në prezantimin e “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

Gjatë fjalës së tij, Gonzato ka theksuar se drejtësia e dhënë nga gjykatat do të jetë një kontribut i çmuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gonzato theksoi se është me rëndësi që drejtësia të jetë e dukshme dhe e prekshme për qytearët.

“Sot nuk është rasti për të rishikuar përparësitë e Reformës në Drejtësi. Megjitatë, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të theksuar vlerën e dialogut.

Këto elemente janë kyçe që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet e larta të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Ky është një proces i vazhdueshëm.

Drejtësia, jo vetë duhet të jepet, por edhe duhet të duket që po jepet. Drejtëisa duhet të arrojë te qytetarët, duhet ta kuptojnë, të kenë besim, dhe vetëm duke patur këtë besim mund ta shohim integrimin në BE si një mundësi për të arritur më shumë.

Dhe për këtë çdo hap ka rëndësi, cdo përpjekje që bëjnë gjykatat kontribuojnë për këtë vizion”, u shpreh ambasadori Gonzato.

The post “Duhen ndërtuar ura mes gjykatave”, Gonzato: Drejtësia, të arrijë te qytetarët… first appeared on JavaNews.al.

Modeli kinez apo britanik? BE në zgjedhje të vështira për marrëdhëniet me SHBA-të

By: A R
14 July 2025 at 11:44

Bashkimi Europian po përballet me një dilemë të madhe në poitikën e tij tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara, pas njoftimit të fundit për masa tarifore amerikane prej mbi 7 miliiardë eurosh. Në takimin emergjent të Coreper, komitetit të 27 ambasadorëve të BE-së, u diskutua mes dy strategjive kryesore për të përballuar situatën: zgjedhja mes “modelit kinez” dhe “modelit britanik”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka marrë mbështetjen e qeverive të vendeve anëtare për të shtyrë pezullimin e masave tarifore deri në fillim të gushtit, duke shpresuar për një zgjidhje të negociuar. Ajo theksoi se SHBA i ka dërguar BE-së një letër me masat që do të hynin në fuqi në mungesë të marrëveshjes, dhe BE është gati të përgatitet për kundërmasa në rast se bisedimet dështojnë.

Në diskutimet e Coreper u shfaqën dy rrugë të kundërta: “modeli kinez”, që nënkupton përballje direkte dhe përgjigje me masa të ngjashme, dhe “modeli britanik”, që përfaqëson një qëndrim më të moderuar, duke pritur që Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë kursin dhe duke pranuar humbje të përkohshme ekonomike.

Sipas vëzhgimeve, SHBA nuk ka arritur të fitojë mbështetje për kërkesat e saj në asnjë nga partnerët kryesorë globalë, nga Kina në Japoni, India e Brazili, duke bërë që një përballje më e ashpër të jetë gjithnjë më e mundshme. Franca dhe Spanja kanë përkrahur “modelin kinez”, duke argumentuar se presidenti amerikan e kupton vetëm gjuhën e forcës dhe zakonisht tërhiqet përballë presionit.

Megjithatë, kjo rrugë ka rreziqet e saj, pasi izolimi tregtar i SHBA në gusht mund të trondisë tregjet dhe të dëmtojë seriozisht ekonominë amerikane, duke vënë në presion edhe qëndrueshmërinë e borxhit publik.

Për këtë arsye, Ursula von der Leyen po përpiqet të thellojë marrëdhëniet me tregjet e mëdha aziatike si Kina dhe India, si dhe me vende si Vietnami dhe Indonezia, me të cilat BE ka arritur kohët e fundit marrëveshje tregtare. Një vizitë në Pekin më 24 korrik ka rëndësi të veçantë për të siguruar një marrëveshje pragmatike me Kinën, që do të ndihmojë në kompensimin e humbjeve nga mosmarrëveshjet me SHBA.

Nga ana tjetër, “modeli britanik” mbështet një pritje më të duruar, duke pranuar humbje të përkohshme dhe shpresuar në një rikthim të SHBA në dialog. Por kjo do të thotë se problemi vetëm shtyhet, jo zgjidhet.

Në këtë klimë të tensionuar, përpjekjet e Gjermanisë për një marrëveshje të përqendruar vetëm në sektorin e automobilave, siç tentuan BMË dhe Mercedes, kanë dështuar, dhe kancelari Merz ka shprehur shqetësim për industrinë eksportuese të vendit të tij.

Brukseli do të vazhdojë negociatat deri më 1 gusht, duke pezulluar përkohësisht tarifat e parashikuara për sot, që kapin vlerën prej 21 miliardë eurosh. Por Komisioneri për Tregtinë, Maros Sefcovic, ka paralajmëruar se një paketë tjetër kundërmasash prej 70 miliardë eurosh është gati dhe do të zbatohet nëse nuk arrihet marrëveshje.

Masa e fundit shihet si një pjesë e taktikës së njohur të Trump, e cilësuar si “e parregullt dhe e paparashikueshme”, për të rritur presionin ndaj partnerëve tregtarë. BE nuk dëshiron të nisë një “hakmarrje të menjëhershme”, por po shqyrton të gjitha opsionet, përfshirë një taksë dixhitale (ëeb tax) që mund të aktivizohet vitin tjetër nëse lufta tregtare vazhdon.

Brukseli kërkon të arrijë “marrëveshjen më të mirë të mundshme” brenda 16 ditëve të ardhshme, por në këtë afat do të duhet të zgjedhë mes “modelit kinez” dhe “modelit britanik”. Për momentin, Ursula von der Leyen ka zgjedhur të marrë kohë.

The post Modeli kinez apo britanik? BE në zgjedhje të vështira për marrëdhëniet me SHBA-të first appeared on JavaNews.al.

Ultimatumi i Ramës, nisin dorëheqjet e administratorëve në bashkitë Korçë e Kolonjë

By: A R
14 July 2025 at 11:35

Pas thirrjes së kryeministrit Rama, nisin dorëheqjet e administratorëve në juglindje të vendit.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se të 7 administratorët e bashkisë së Korçës dhe 3 të Kolonjës  kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarëve të bashkive respektive.

Ndërkohë të kontaktuar me telefon Sotiraq Filo dhe Erion Isai thanë se nuk do të ketë largime të Zv/kryetarëve.

Nga ana tjetër ende nuk ka ndodhur një proces i tillë në  tre bashki si Pogradeci, Maliqi dhe Devolli, sipas komunikimit me këto institucione ato u shprehën se janë në proces vlerësimi për të zbatuar të gjithë kuadrin ligjor mbi këtë kërkesë për pozicionet drejtuese.

Asnjë zv.kryetar në juglindje të vendit nuk është shkarkuar, apo dorëhequr deri më tani. Burimet shtojnë se brenda pak ditëve Rama pritet të jetë në këtë qark.

The post Ultimatumi i Ramës, nisin dorëheqjet e administratorëve në bashkitë Korçë e Kolonjë first appeared on JavaNews.al.

Holta Zaçaj: Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, detyrim për të gjitha pushtetet

By: A R
14 July 2025 at 11:26

Kryetarja e GJK-së, Holta Zaçaj ka marrë pjesë në ceremoninë e prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Vëllimi II.

Gjatë fjalës së saj, magjistratja Zaçaj foli për vendimet e Gjykatës Kushtetuese teksa u shpreh se nuk janë këshilluese dhe as opsionale për t’u zbatuar, por të detyrueshme.

Kryetarja e GJK-së theksoi se ekzekutimi i tyre është një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.

“Mos të harrojmë – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet”, theksoi Zaçaj.

Ajo u shpreh se përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.

Zaçaj shtoi se dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, duke shtuar se “që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese.”

The post Holta Zaçaj: Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, detyrim për të gjitha pushtetet first appeared on JavaNews.al.

Kjo është Shqipëria në BE e Edi Ramës…dhe nuk keni parë gjë akoma

By: A R
14 July 2025 at 11:18

Nga Vitjon Nina

Ka disa dhimbje, për të cilat ia vlen të shtrëngosh dhëmbët dhe të durosh për të parë rezultatin përfundimtar.

Ky mundet – ose jo – të jetë rasti, por ajo çfarë është vërtetë e qartë është se Edi Rama i ka hedhur letrat që kishte në dorë në shesh të mejdanit dhe shqiptarëve po ua thotë me zë të qartë pa e nisur ende mandatin e tij të katërt: E doni Evropën? Kjo është Evropa!

Në fillim të mandatit të tij të parë, nga foltorja e Parlamentit, Rama do të bënte bujë me një shprehje, e cila ndoshta do të rrënjësohej më shumë se çdo tjetër në fjalorin e tij politik kryeministror.

“S’keni parë gjë akoma!”.

Çdo herë që një aksion i madh pritet prej tij, pak përpara, ai e rishfaq shprehjen publikisht, qoftë për të ngritur kauza rreth qeverisjes, apo edhe për të hedhur shashka ndaj opozitës dhe për të “paracaktuar” fatin e saj.

Mirëpo një aksion i fundit masiv i një shteti të ri ligjor dhe me zero tolerancë, erdhi thuajse qorrazi, në mënyrë të beftë dhe të menjëhershme.

Një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike i hapi rrugë prishjes së objekteve pa leje.

Më pas, erdhi radha e reformimit radikal të bashkive në gjithë vendin, me kërkesa për dorëheqje, shkarkime, apo rifreskimi të gjithë strukturës, prej drejtorëve të drejtorive, deri te nënkryetarët e bashkive.

“Janë të lodhur, shumë të lodhur, të rraskapitur”. Kështu i sheh kryeministri ata.

Por ai këtë herë po shkon përtej thjesht sensacionit, i cili ndalet një herë në Vlorë, më pas në Theth, e bën një kalim herë-herë edhe në Tiranë.

Ai paraqet një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

Kërkon reformim rrënjësor të territorit. Kërkon që diaspora të jetë pjesë e kapaciteteve të bashkive në hartimin e projekteve. Kërkon reformim të bujqësisë. Reformim të shpërndarjes së ujit. Qendër monitorimi për ndërtimet.

Por, mbi të gjitha, i vë ombrellën këtyre. Sepse ajo çfarë vërtetë Edi Rama po kërkon, është përgatitja jo vetëm e plotë, por pa asnjë cen për Integrimin.

Është e vërtetë se “symbyllazia” e gjithë 12 vjetëve të mandatit të tij mund të vihet në dyshim, së bashku me faktin se pse gjithë këto reforma, duhet të realizohen kështu, pas një duzine vitesh në Qeveri, me një mandat të hekurt në krye të vendit, me drejtimin e bashkive dërrmuese dhe me shfaqjen e një “patundshmërie dhe patolerance” në sytë e publikut.

Po kjo e ka përgjigjen në maratonën e 11 korrikut, kur përpara drejtuesve vendorë dhe me referime nga qeveria qendrore, ai e artikuloi fjalinë që duhet të ishte ngulitur më së shumti në mendjen e të gjithëve, përtej “madhështisë” së spektaklit që ofrojnë lirimet e hapësirave publike.

“Asnjë justifikim. Prej mësimeve nga gabimet, reformimi do të jetë rrënjësor”.

Sepse kjo nuk është më Shqipëria e shqiptarëve. Është Shqipëria që po nis hapin e fundit drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria ku ligji duhet të jetë vijë e kuqe jo për qytetarin, sa për shtetin vetë.

Dhe nëse ai nuk e ka artikuluar para këtij aksioni shprehjen e tij kapilare “S’keni parë gjë akoma”, për shqiptarët duhet të jetë e qartë.

Shqipëria 2030 në BE nuk është më slogani i fushatës së Edi Ramës. Është dora e veprimit, nga Brukseli, në Paris, Berlin, Romë e Tiranë.

The post Kjo është Shqipëria në BE e Edi Ramës…dhe nuk keni parë gjë akoma first appeared on JavaNews.al.

Lirohet nga qelia ish-Shefi i Rrugores, Roven Zeka

By: A R
14 July 2025 at 11:11

Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-Shefit të Rrugores Roven Zeka, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë për arsye shëndetësore. Rreth një muaj më parë u raportua se ai kishte pësuar thyerje të legenit, pasi ishte rrëzuar në ambientet e burgut.

Më herët, masa e “arrestit me burg” u la në fuqi nga Apeli i GJKKO-së për Zekën dhe oficerin Edison Tabaku, ndërsa për shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, u caktua “arrest shtëpie” për shkak të rrethanave familjare.

Kujtojmë se urdhër-arresti nga Prokuroria e Posaçme për Zekën, Novakun dhe zyrtarin tjetër të policisë Edison Tabaku u lëshua më 19 prill të këtij viti. Ata akuzohen për “korrupsion pasiv” lidhur me një ngjarje të ndodhur më 16 prill, ku kërkuan ryshfet për të mos arrestuar drejtuesen e një mjeti që kishte shkaktuar një aksident me pesë të plagosur në kryeqytet.

SPAK thekson se sipas informacioneve të siguruar nga BKH, ka rezultuar se oficerët e policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit pagesën prej 2 mijë eurosh. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim me ndihmën e personave të tjerë.

Roven Zeka u emërua në krye të Policisë Rrugore të Tiranës në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa më herët ka shërbyer në qytetin e Elbasanit.

The post Lirohet nga qelia ish-Shefi i Rrugores, Roven Zeka first appeared on JavaNews.al.

Tragjedia komike që po luhet në Theth

14 July 2025 at 11:00

Nga Frrok Çupi

Teatri po niste, diku pasdite. Aktorët, kush e kush më teatral se tjetri, po vinin. Derisa u bënë bashkë në “skenë’ të ardhur rrugës së fshatit, një nga një ishin me koka të ulura, të penduar. Kur u mblodhën në skenë u ngrehën. Kjo është loja teatrale.

Edhe skena u sajua nga ajo kohë që nuk kthehet më. Kisha në sfond, një çinar i vjetër me degë të gjëra, bytha e pemës së lashtë dhe ca kryqe në varreza. Këta menduan se duke kthyer kohën do të shpiknin kohë planetare të re. Kjo s’ka ndodhur e as mund të ndodhë në këtë planet.

Ata që do të luanin ‘ tragjedinë’, e nisën me një komedi. Një njeri i veshur me qafore prifti, u shfaq i frikësuar para të gjithëve. Herë frikë nga katolicizmi i Shoshit e Shalës se do ta përzënë e nuk do t’ i shkojnë më në meshë, herë i frikësuar nga këta që e kishin ftuar për ‘lojën’. Sikur këtyre të mos u pëlqente loja, atëherë ai nuk do të shpërblehej. Prifti po luante teatër në oborrin e zaptuar të kishës; ai ishte bërë palë me zaptuesit.

Komedia vazhdoi pas priftit të fshatit. Një prift në Shkodër, tha se ishte Vlash Pali, po i kërkonte shtetit të përkundte malësorët e Thethit. I fyu, por kushedi sa e morën vesh ata. I kërkoi shtetit që me ninulla ‘t’i vinte në gjumë një herë, dy herë, tre herë… nëse nuk flinin, kurrë mos fjetshin!’. Prift më pazarxhi nuk kisha menduar, më erdhi turp që kisha shkuar ndonjëherë në kishë.

Pastaj prifi Pali e çoi më tej lojën komike. E gjeti veten të paaftë për të thënë gjë të hairit, dhe iu drejtua për ndihmë një myslimani. ‘ Dua këtu Faik Konicën që të shajë shqiptarët siç di ai të shajë’, tha.  Por shpërblesën do ta merrte dom Pali prej komitëve. Njësoj si në filmat e realizmit socialist ku prifti bashkëpunon me kriminelët.

Teatrit po i mungonte një figurë e lartë e artit, Ramiz Kovaçi. Mysliman për mysliman, katolikët e ngrefun të teatrit në Theth më mirë të thërrisnin aktorin e madh, Kovaçi, që ka luajtur teatër me ‘tokën tonë’, se sa Konicën.

Në skenë doli njëri që ia dha fjalën bajraktarit. Prapë ka bajraktarë të vërtetë apo fosile? Kur ta shikojnë në video të rinjtë, do të hutohen. U shkon mendja te dronët “Bajraktar” që vijnë nga Turqia? Të tjerë bajraktarë nuk njihen këta dy shekujt e fundit. Bajraktari që u shfaq si relikte pa emër personal, dukej që ishte i një kohe tjetër të mykur. Kërcënoi ligjin, shtetin, popullin dhe Republikën, sipas një skenari të shëmtuar; në gojën e bajraktarit mungonin gjysma e dhëmbëve si një krehër i hedhur. Bajraktarët e shekulli të tyre diku 18-19 të urdhëruar nga Tanzimati, kanë qenë burra të bukur dylberë dhe zgjidheshin si kali: Me të gjithë dhëmbët në gojë.

Bajraktari i Thethit kërcënoi shtetin se me një fërshëllimë do të sjellë këtu Kukësin, Hasin, Romën, Brukselin, Berlinin dhe Nju Jorkun të armatosur kundër Shqipërisë. Luftë do të bëjmë!, tha ai. Ndoshta sot ndodhet në qeli për thirrje kundër rendit Kushtetues.

“Sepse nuk na ka pushtuar as turku!”, tha dhe harroi se titulli i tij ishte titull turk, bajraktar.

Teatër i shkurtër, por shuma zemërak në bythë të lisit në Theth. Ikën shpejt. Mund të teatronin gjithë natën, por askush nuk po i shikonte. Andej nga Tirana e Shkodra askush nuk po trembet dhe as po reagon. Me sa duket askush nuk e kupton gjuhën e tyre, ajo është gjuhë e vdekur me kohë. Ka shekuj që Shqipëria përdor gjuhën e ligjit dhe të të drejtës. Sidomos tani kur shteti ka hyrë në epokën më moderne dhe flet gjuhën e Europës.

Kush i kupton këta? Askush.

Në zonën e tyre ka një histori para njëqind vjetësh. Kapedani e kishte humbur autoritetin në popull, as në dasmë nuk donte të shkonte. Nisi adjutantin e tij, Pjetër Lleshin, në dasmën e fundit.

-Si të shkoj kapedan? Në vendin tuej nuk mund të shkoj

-Shko ore!, i tha eprori.

-Nuk më do kush aty, nuk çohet kush në kambë?

-Shko si unë, dil në krye të vendit- i tha kapedani. Po s’u çuan ata në odë, thërrit me za të naltë: “Buuuv burra, Pjetër Lleshi në krye të vendit!’. (Ai për vete).

Por prapë s’ia vërshëlleu kush. Burrat vazhduan të bisedojnë në gjuhën e tyre.

Këtu në Theth po mbaron teatri me gjuhën e vdekur.

The post Tragjedia komike që po luhet në Theth first appeared on JavaNews.al.

“Të marroftë Zoti”, Rama i përgjigjet priftit: S’e kuptoj si hyri në historinë e Thethit duke folur për joshje e rrena

By: A R
14 July 2025 at 10:52

Kryeministri Edi Rama komentoi gjithashtu edhe reagimin e një Prifti për aksionin e shembjes së objekteve pa leje në Theth.

“Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift çuditërisht dje dhe u habita se si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena, dhe më pas i premë në besë. Ne s’kemi prerë në besë askënd.

Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë dhe me Fondin shqiptar të zhvillimit dhe me agjencinë e Kadastrës dhe që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve.”, tha Rama.

Dy dite me pare, me anë të një postimi në rrjete sociale, famullitari Palaj shkruan:

“Edhe kyt kishim mangut…!

Regjimi i asaj kohe detyroi kyt t’shkretë popull të HA barë, ky i sotshmi të PI barë. Dallim i vogel…!

Po, si kshtu more, t’marroftë Zoti, ti që për 30 vite nuk legalizove pronen, për 30 ditë legalizon kanabisin!?

Siguria në kulm… Kanabis i legalizuar në pronë të palegalizuar.

Dhe çka asht ma e keqja, prap fajin e ka populli.

Në fakt populli e ka fajin…!

Jo më kotë Konica thoshte: “ Shqiptari asht por sdin me thanë jam!”

The post “Të marroftë Zoti”, Rama i përgjigjet priftit: S’e kuptoj si hyri në historinë e Thethit duke folur për joshje e rrena first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / Fill pas fjalës së Ramës, IKMT ‘zbarkon’ në Vlorë dhe sekuestron pallatin

By: A R
14 July 2025 at 10:45

Pas fjalës së kryeministrit Rama, i cili paralajmëroi mëngjesin e kësaj të hëne se do të konfiskohej një pallat në Vlorë, forcat e IKMT kanë zbritur në qytetin bregdetar.

Në terren ka zbritur edhe kryeinspektorja Dallëndyshe Bici, ndërsa aksioni ka nisur me verifikimin e ndërtimeve që po kryhen në qytetin e Vlorës.

Inspektorët e IKMT Janë ndalur në një pallat disa katësh në ndërtim e sipër.

Mësohet se verifikimet do të vazhdojnë në terren në disa objekte, ndërsa ende nuk dihet cila nga godinat do të vendoset në sekuestro pasi procesi po vijon.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Euronews Albania (@euronews_albania)

The post VIDEO / Fill pas fjalës së Ramës, IKMT ‘zbarkon’ në Vlorë dhe sekuestron pallatin first appeared on JavaNews.al.

❌
❌