Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Java News

Tortura, akoma evidente

By: A R
18 July 2025 at 23:01

Nga Arben Papadhopulli

Asnjëherë nuk kam shkruar për Erion Veliajn — as kur ishte më i fuqishmi në Tiranë, as kur u arrestua në zyrë. As për gjyqin e tij e as për pretendimet e tij. Por si një qytetar kam të drejtë të flas. Nuk më ka lidhur asgjë personale apo politike me të, përveç disa shkëmbimeve idesh kur ai drejtonte organizatën MJAFT dhe unë një fondacion të BBC-së në Shqipëri.

Por sot, si qytetar i këtij vendi, ndiej neveri dhe tronditje kur shoh një sistem që praktikon metoda të turpshme dhe çnjerëzore ndaj një individi që, pëlqehet apo jo,  është një qënie njerëzore.

Nëse ka vjedhur apo bastisur duhet të ketë turp, dhe të vuajë dënimin e duhur.

Por. Shqipëria është palë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit Mizor, Çnjerëzor apo Poshtërues, të ratifikuar që në vitin 1994. Shteti shqiptar ka detyrime të panegociueshme për të mos aplikuar, nxitur apo toleruar forma torturimi fizik, izolimi ekstrem apo presioni psikologjik ndaj të paraburgosurve — pavarësisht se kush janë apo çfarë akuzash u rëndojnë.

Ajo që po ndodh me Veliajn nuk është më sistem i bujaties së dënimit — është torturë në logjikë. Një sistem që i mbyll sytë para luksit dhe privilegjeve që u ofrohen kriminelëve të rrezikshëm, ndërsa përpiqet të poshtërojë publikisht një figurë politike, nuk ka më lidhje me administrimin penitenciar. Ka hyrë në një territor tjetër: atë të dhunës së legjitimuar nga heshtja dhe hipokrizia.

Kur sistemi nuk respekton më njeriun, ai shndërrohet në vegël poshtërimi. Dhe aty nuk jemi më përballë një çështjeje politike — por përballë një katastrofe njerëzore dhe morale.

The post Tortura, akoma evidente first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 18 July 2025Java News

Tirana Bank shpallet “Banka më e Mirë në Shqipëri” për vitin 2025 nga Euromoney

By: A R
18 July 2025 at 22:52

Tirana Bank është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Banka më e Mirë në Shqipëri” nga Euromoney, një nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare për vlerësimin e arritjeve në industrinë bankare.

Çmimi për Tirana Bank është një vlerësim për një vit të suksesshëm në shumë dimensione: performancë e qëndrueshme financiare, rritje mbi mesataren e tregut, përparim në transformimin dixhital dhe avancim në ndërtimin e një përvoje gjithnjë e më të personalizuar për klientët.

Gjatë ceremonisë zyrtare të ndarjes së çmimeve më 17 Korrik 2025 në Londër, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, z. Dritan Mustafa, u shpreh: Është një nder dhe privilegj i madh që të marrim këtë vlerësim prestigjioz. Ky çmim është dëshmi e përkushtimit të palodhur të stafit tonë, vizionit inovativ dhe strategjisë sonë afatgjatë për transformimin dixhital. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për të mbajtur standardet më të larta dhe për të qenë gjithmonë partnerë të besueshëm për klientët tanë.”

Photo © 2025 – ASV Photography Ltd.
www.ASVphotos.com

Përfaqësuesit e Tirana Bank morën pjesë në këtë ceremoni ku u konfirmua pozicionimi i bankës si një nga institucionet më të suksesshme në tregun financiar shqiptar.

Disa nga elementët kyç që ndikuan në këtë vlerësim përfshijnë: rritjen e qëndrueshme të performancës financiare, me rritje të dukshme në totalin e aktiveve, kredidhënies dhe depozitave; projektet e avancuara të transformimit dixhital, përfshirë zhvillimet në platformën Online Banking dhe proceset e dixhitalizuara të kredidhënies; përmirësimin e përvojës së klientit, përmes shërbimeve më të thjeshta, më të shpejta dhe të orientuara nga nevojat reale.

Ky çmim vendos Tirana Bank në radhën e institucioneve që udhëheqin me vizion, inovacion dhe qëndrueshmëri, duke forcuar rolin e saj si një nga aktorët më të rëndësishëm në sistemin financiar shqiptar dhe më gjerë.

Photo © 2025 – ASV Photography Ltd.
www.ASVphotos.com

Vlerësimi nga Euromoney, si një autoritet i padiskutueshëm në analizën e tregjeve financiare shërben gjithashtu si një shtysë e fortë për bankën në përmbushjen e objektivave të saj strategjikë, si në drejtim të rritjes së pranisë në treg, ashtu edhe në përshpejtimin e rrugëtimit të saj dixhital.

Çmimet Euromoney Awards for Excellence konsiderohen ndër më prestigjiozet në industrinë financiare globale dhe jepen çdo vit për institucionet bankare që demonstrojnë performancë të shkëlqyer, inovacion dhe kontribut në zhvillimin ekonomik. Revista Euromoney, e themeluar në vitin 1969, është lider global në analizën dhe raportimin e tregjeve financiare, duke ofruar njohje të veçantë për bankat dhe institucionet financiare që dallohen në industrinë ndërkombëtare financiare.

Photo © 2025 – ASV Photography Ltd.
www.ASVphotos.com

The post Tirana Bank shpallet “Banka më e Mirë në Shqipëri” për vitin 2025 nga Euromoney first appeared on JavaNews.al.

I shpallur në kërkim disa ditë më parë, gjendet i pajetë 72-vjeçari në Fier

By: A R
18 July 2025 at 22:42

Trupi i një 72-vjeçari, është gjetur i dekompozuar pranë tokave të fshatit Sektor Seman, në Fier.

Sipas njoftimit të uniformave blu, paraprakisht nuk janë konstatuar shenja dhune.

Sakaq, ai ishte shpallur në kërkim që prej datës 12 korrik 2025. Ka qenë vëllai i të moshuarit, i cili ka kallëzuar pranë Komisariatit të Policisë Fier, largimin nga banesa e 72-vjeçarit.

Sakaq, grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes e të moshuarit.

Në tokat e fshatit Sektor Seman, është gjetur i dekompozuar, trupi i pajetë i shtetasit M. Sh., 72 vjeç, banues në Fier. Nga kqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Ky shtetas është shpallur në kërkim në datë 12.07.2025, nga Komisariati i Policisë Fier, pas kallëzimit të bërë nga vëllai i tij për largim nga banesa. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes“, njofton policia.

The post I shpallur në kërkim disa ditë më parë, gjendet i pajetë 72-vjeçari në Fier first appeared on JavaNews.al.

“Edi Rama shihet si shpresë në Maqedoni”, ish-ministri i Jashtëm: Vizita e tij në Shkup bëri jehonë, është bashkues

By: A R
18 July 2025 at 22:33

Ish-ministri i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani ka vlerësuar figurën e kryeministrit Rama në emisionin në Çdo Kënd me Merita Haklajn.

Osmani deklaroi se kreu i qeverisë shqiptare shihet nga bashkëkombasit e tij në Maqedoninë e Veriut si shpresë dhe figurë përbashkuese.

Ai shtoi se Rama e ka afruar Shqipërinë me BE dhe e ka transformuar shtetin.

“Kryeministri Rama shihet si shpresë te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sepse shihet si një njeri që po e afron Shqipërinë me BE, dhe e ka transformuar në një shtet modern që po le vendet e Ballkanit pas në cdo parametër. Aeroporti i Beogradit ishte lokal krahasuar me Tiranën. Këto janë parametra zhvillimi. Kur shohim Shqipërinë mirë, dhe Ramën në punën e tij na jep shpresë.

Kam parë një anketë ku 50% e qytetarëve maqedonas, ata e shohin me një frymë pozitive, sepse ka qenë parimor me Bullgarinë dhe kritik për bllokadën. Vizita e Ramës në Shkup bëri jehonë, sidomos dalja në Çarshi. Rama shihet në RMV si bashkues. Ai i ftoi liderët në Tiranë dhe i uli bashkë. Partitë nacionaliste në RMV në atë kohë bën shumë zhurmë”, deklaroi Osmani.

The post “Edi Rama shihet si shpresë në Maqedoni”, ish-ministri i Jashtëm: Vizita e tij në Shkup bëri jehonë, është bashkues first appeared on JavaNews.al.

“Zgjedhjet e tetorit janë një referendum”, Bujar Osmani: Shqiptarët po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë

By: A R
18 July 2025 at 22:24

Nënkryetari i BDI në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani ishte i ftuar në emisionin Çdo Kënd në A2 CNN, ku foli për zhvillimet e fundit politike në vendin e tij dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në muajin tetor.

Ish-ministri i Jashtëm në RMV, u shpreh se këto zgjedhje po konsiderohen si referendum, pasi prej muajsh tashmë ka një strategji për të përjashtuar shqiptarët.

Osmani rrëfen se dhe kryeministri Mickoski përdor tone të papranueshme edhe ndaj tij duke thënë se si mundet që një shqiptar ka negociuar me Bullgarinë për identitetin e shtetit.

“Unë do të kisha dashur që këto zgjedhje të ishin lokale, por janë kthyer në një referendum, nëse shqiptarët do të nënshtrohen apo do t’i rikthehen parimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Këto parime na kanë përcaktuar si zot në vendin tonë. Ka një strategji përjashtimi shqiptarësh që ata të ndihen si qeraxhinj në shtëpinë e vetë. Kryeministri flet veçanërisht për mua dhe thotë se si mundet një shqiptar të ketë vendosur për identitetin e shtetit, të ketë neogociuar me Bullgarinë sikur unë jam qytetar i rendit të dytë edhe kur jam ministër i Jashtëm, edhe pse t’i je i zgjedhur nga Kuvendi ti nuk ke të drejtë të negociosh në emër të shtetit. Kjo i ka bërë shqiptarët të ndjehen të përjashtuar dhe të nënvlerësuar”, tha Osmani.

The post “Zgjedhjet e tetorit janë një referendum”, Bujar Osmani: Shqiptarët po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë first appeared on JavaNews.al.

Trump kërkon tarifa minimalisht 15-20% për mallrat nga BE, Brukseli nën presion

By: A R
18 July 2025 at 22:15

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm kërkesat në negociatat tregtare me Bashkimin Evropian, duke kërkuar një tarifë minimale prej 15% deri në 20% ndaj të gjitha mallrave nga BE.

Sipas Financial Times, kjo qasje më agresive synon të testojë “pragun e dhimbjes” së BE-së pas javësh bisedimesh për një marrëveshje kornizë që do të mbante një tarifë bazë prej 10% për shumicën e mallrave.

Trump është treguar i pandikuar edhe nga oferta e fundit e BE-së për të ulur tarifat mbi makinat, duke sinjalizuar se do të ishte i kënaqur t’i mbajë tarifat në këtë sektor në nivelin 25%, siç ishte planifikuar, thanë burime të njohura me negociatat.

Brukseli i përçarë për kundërpërgjigje, aksionet bien

Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, u dha ambasadorëve të bllokut një vlerësim pesimist për vizitën e tij të fundit në Uashington, sipas dy burimeve.

Një zyrtar amerikan tha për Financial Times se administrata tani po shqyrton një nivel reciproc tarifash mbi 10%, edhe në rast se arrihet një marrëveshje. Kjo vë BE-në përpara një dileme, ndërsa afrohet afati i 1 gushtit, data në të cilën Trump ka paralajmëruar vendosjen e një tarife 30% mbi të gjitha importet nga BE.

Megjithëse BE-ja ka paralajmëruar se do të hakmerret nëse ndodh një lëvizje e tillë, vendet anëtare mbeten të ndara mbi kundërmasat dhe mund të detyrohen të pranojnë një nivel bazë mbi 10%.

Lajmi për kërkesat e Trump shkaktoi rënie të lehtë të bursave amerikane: indeksi S&P 500 ra deri në 0.2%.

Merz kritik për ofertat e BE-së

Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se Uashingtoni mbetet skeptik ndaj ofertave evropiane për të ulur tarifat sektoriale.

“Nëse mund të krijojmë rregulla sektoriale, ose të trajtojmë disa sektorë ndryshe nga të tjerët, mbetet një çështje e hapur. Pala evropiane e mbështet këtë, por pala amerikane e sheh më kritikisht”, tha ai të premten.

Një diplomat i lartë i BE-së tha për Financial Times se insistimi i Trump për tarifa të përhershme reciproke prej 15%-20% mund ta shtyjë Brukselin drejt hakmarrjes.

“Ne nuk duam një luftë tregtare, por nuk e dimë nëse SHBA do të na lërë ndonjë zgjedhje”, tha ai.

Një diplomat i dytë i BE-së shtoi: “Atmosfera ka ndryshuar dukshëm” në favor të kundërmasave. “Nuk do të pranojmë të vendoset 15%.”

Çfarë parashikon BE-ja në rast të dështimit të bisedimeve?

Në rast dështimi, BE-ja ka përgatitur disa paketa me kundërmasa, të cilat janë shtyrë në pritje të afatit të Trump më 1 gusht.

Njëra përfshin tarifa mbi 21 miliardë euro importe vjetore amerikane, që do të hyjnë në fuqi më 6 gusht.

Një tjetër propozon hakmarrje mbi 72 miliardë euro mallra amerikane, përfshirë avionë Boeing dhe bourbon.

Një alternativë e tretë po përgatitet dhe mund të shtrihet edhe mbi shërbimet, përfshirë reklamat digjitale dhe të ardhurat nga shërbime online.

Aktualisht, tarifat amerikane mbulojnë 380 miliardë euro eksporte vjetore të BE-së, nga një total prej 532.3 miliardë eurosh. SHBA mbeten tregu më i madh i vetëm për eksportet evropiane, duke përfaqësuar rreth një të pestën e tyre.

Ndërkohë, administrata amerikane është inkurajuar nga një rritje e vogël e inflacionit dhe nga fakti që deri tani ka arkëtuar rreth 50 miliardë dollarë të ardhura shtesë doganore në tremujorin e dytë, pa u përballur me hakmarrje të gjerë nga partnerët më të mëdhenj tregtarë.

The post Trump kërkon tarifa minimalisht 15-20% për mallrat nga BE, Brukseli nën presion first appeared on JavaNews.al.

Mbytja e të miturve më Shkumbin, i afërmi: Me ato bagëti mbahemi, në lumë ishte formuar një gropë

By: A R
18 July 2025 at 22:09

Njëri prej të afërmve ka rrëfyer detaje nga tragjedia e ndodhur këtë të premte në lumin Shkumbin.

Ai tha se në lumin Shkumbin ishte formuar një gropë e madhe dhe mendohet se aty mund të jenë mbytur.

I afërmi shtoi se familja e të miturve mbahej me bagëtitë, të cilët i kullotnin dy vëllezërit e mitur.

“Po kthehesha nga puna dhe pashë policinë, policët po vinin me vrap, njëri që punon tek hidrocentrali njërin fëmijë e kishte në krah, pashë të ëmën që po u përplaste këtej, i ati nuk e dinte nga po ikte, po i kam robt e mi, kanë bagëti, me ato mbahen, se s’kanë gjë tjetër.

Prindërit mbajnë lopët, fëmijët mbajnë gjërat e imta, atje matanë është bërë një gropë e madhe, se kanë bërë një pritë që mos ikë uji matanë, aty i kishte gjet roja që punon tek hidrocentrali, njërin fëmijë e kishte polici në krah, e shtriva në tokë i bëra frymëmarrje artificiale, nuk di ça të them nuk jepte reagim fare, vinin përditë tek puna ime mbushnin ujë, rrinim bashkë aty kur ishte vapë”, tha i afërmi për gazetaren e Top Channel, Bruna Kërçyku.

“I kam fshatarët e mi, sa mësova për ngjarjen, erdha të mbledh bagëtitë. Fëmijët kanë qenë me bagëtitë këtu. Nuk kam çfarë të them, fatkeqësi e madhe”, u shpreh një tjetër banor.

“Shkumbini nuk ka shumë ujë, por do kenë rënë në ndonjë gropë. I njohim, është ngjarje shumë e rëndë. Zakonisht ka fëmijë që lahen në lumë, por nuk e dimë si ka qenë punë”, u shpreh një banore.

The post Mbytja e të miturve më Shkumbin, i afërmi: Me ato bagëti mbahemi, në lumë ishte formuar një gropë first appeared on JavaNews.al.

Sa pak mjafton sot për të zbuluar gjithçka për dy të panjohur!

By: A R
18 July 2025 at 22:00

Chris Martin, këngëtari i Coldplay, e mori me shaka: “Shikojini këta dy, ose kanë një lidhje sekrete ose janë shumë të turpshëm”. Por, si duket, pa dashje (ose ndoshta jo), ai qëlloi në shenjë.

Fillimisht, nuk ishte e qartë nëse çifti i kapur nga kiss cam në një koncert në Boston ishte thjesht i turpshëm. Por interneti, i gjithëpushtetshëm dhe gjithmonë i etur për drama, zbuloi shpejt se ata ishin në fakt tradhtarë. Partnerët dhe fëmijët e tyre tashmë e dinë, falë një valë komentesh dhe mesazhesh në rrjetet sociale drejtuar të tradhtuarve.

Si nisi gjithçka: një përqafim dhe një kamera

Gjithçka ndodhi në Gillette Stadium, gjatë një koncerti të Coldplay. Në ekranin gjigant të stadiumit u shfaq një çift që dukej i lumtur dhe shumë i afërt. Kur kuptuan që po transmetoheshin drejtpërdrejt në ekran, ajo mbuloi fytyrën, ndërsa ai u përpoq të fshihej duke u ulur. Në atë moment, Chris Martin e komentoi skenën me humor të lehtë, duke shtuar: “Shpresoj që të mos kem bërë diçka të keqe”. Por, dëmi ishte bërë.

Shpejtësia e rrjeteve: identitetet u zbuluan brenda pak orësh

Çfarë ndodhi më pas? Videoja u bë virale. Përdoruesit e rrjeteve sociale u vunë në kërkim të identitetit të çiftit. Brenda orësh, emrat, kompanitë ku punonin, statusi civil dhe familjet e tyre u zbuluan dhe u publikuan si ushqim për turmën.

Sipas Corriere della Sera, burri ishte CEO i një kompanie që ofron zgjidhje software dhe inteligjencë artificiale. Ajo, drejtuese e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, punësuar vetëm shtatë muaj më parë. Profilët e tyre në LinkedIn u kthyen në një arenë publike, aq sa kompania bllokoi aksesin drejt tyre në faqen zyrtare.

Edhe partnerët e tyre “zyrtarë” u përfshinë në këtë vorbull. Gruaja e CEO-së, për shembull, u bombardua në Facebook me komente dhe video nga TikTok ku dyshja kapeshin mat. Ajo hoqi mbiemrin e burrit nga profili i saj dhe më pas mbylli të gjitha rrjetet sociale, duke dhënë një mesazh të heshtur, por shumë të qartë.

Një tjetër fytyrë e internetit: doxxing dhe teknologji të rrezikshme

Kjo histori tregoi fuqinë dhe rrezikun e praktikës së quajtur doxxing: gjetja dhe publikimi i të dhënave private të dikujt pa lejen e tij. Në këtë rast, mjaftoi një video dhe ndihma e disa mjeteve online për të “demaskuar” çiftin.

Një nga mjetet që dyshohet se është përdorur është PimEyes një program i njohur për kërkimin e fytyrave që mund të gjejë përputhje me një foto të vetme. Ky lloj softueri është i diskutueshëm sepse i lejon kujtdo të gjurmojë imazhe dhe identitete me një saktësi befasuese.

Teknologji të tilla, siç thekson Corriere della Sera, kanë potencialin për t’u keqpërdorur. Në një rast të ngjashëm, studentë të Harvardit demonstruan se mund ta lidhin PimEyes me syze të zgjuara për të njohur dhe identifikuar njerëz në kohë reale në rrugë. Një alarm serioz për privatësinë, pavarësisht përpjekjeve të Big Tech për të kufizuar përdorime të tilla: Google Lens, Gemini dhe madje edhe ChatGPT nuk lejojnë identifikimin e fytyrave të njerëzve jo publikë nga foto të rastësishme.

Mësimi nga kjo histori

Edhe pse gjigantët e teknologjisë vendosin barriera për të ruajtur privatësinë, realiteti është se mjafton një foto, pak kuriozitet dhe disa mjete online që të zbulosh gjithçka për këdo. Çifti i kapur në koncertin e Coldplay tani e di këtë më mirë se kushdo tjetër.

The post Sa pak mjafton sot për të zbuluar gjithçka për dy të panjohur! first appeared on JavaNews.al.

Shkrirja AKU, Denaj: Të gjithë inspektorët në “filtër”, është ngritur komisioni me pesë anëtarë

By: A R
18 July 2025 at 21:52

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” komentoi aksionet qe kryhen në kuadër të përmirësimit të kushteve të sigurisë ushqimore.

Ajo theksoi se ka ardhur koha që inspektimet nuk mund të bëhen nga hiçi, por ato duhet të bazohen në të dhënat e sistemit, që reflektojnë prezencë risku.

Ministrja theksoi se kontrollet në subjekte duhet të bëhen në mënyrë të dinjitetshme, ku komunikimi të ketë parësore, e shoqëror kjo dhe me paralajmërim për gjoba.

“Nga 13 maj ka hyrë në fuqi “Ligji i Inspektoratit” dhe është një ligj shumë i rëndësishëm, i cili është aprovuar nga Parlamenti i Shqipërisë në shtatorin e vitit të kaluar. Deri në fund të vitit kemi detyrimin për të organizuar shumë elementë të mënyrë së si bëhet inspektimi në territor, duke marrë praktikat më të mira, por mbi bazë risku. Nuk mund të shkojë asnjë inspektor nëse të dhënat në sistem nuk tregojnë nëse ka një risk të shtuar dhe duhet shkuar me lajmërim, me këshillim dhe nëse masat nuk janë marrë , të vendosen gjoba.

Këto janë praktikat ndërkombëtare. Ky standardizim është në frymë të ligjit. Ne kemi marrë shumë ankesa, dhe jo vetëm tani. Kemi pasur probleme. Unë s’jam duke thënë se AKU nuk do ketë funksionet e kontrollit deri sa të bëhet Inspektorati Qendror i Ministrisë së Bujqësisë në raport me ushqimin, ku do bashkojë dhe pjesën e analizës së produktit final në treg, por edhe disa elementë të analizave që bëhen nga veterinaria, shërbimi i bimëve dhe i peshkimit.

Ka ardhur koha që inspektimi të bëhet jo vetëm në bazë të riskut, por të bëhet me dinjitet, por të bëhet në raport me komunikimin me biznesin, ku jo vetëm më ndërgjegjësimin, por edhe masat për t’u marrë nga biznesi të vendosen me afate kohore dhe të shkohet për këto afate kohore, të cilat kanë nevojë për të rritur nga ana e biznesit sigurinë ushqimore. Ne nuk mund të themi se kjo nuk është bërë totalit, por ka dhe praktika jo të mira.”, tha ajo.

Ajo theksoi se i gjithë personeli i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit do të kalojë në verifikim të plotë nga një Komision, i cili është ngritur tashmë dhe drejtohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.

Ajo theksoi se kjo “sitë” do të ndihmojë dhe Ministrinë e Bujqësisë për të parë se si duhen riorganizuar inspektoratet, me qëllim që t’i përgjigjen sfidave që kërkon siguria ushqimore.

:Kryeministri e bëri të qartë dhe në fjalën e tij ishte shterues në tre elementë: një inspektorat, i cili funksionon në bazë të riskut, ndikon në përmirësimin e sigurisë dhe i gjithë personeli do të kalojë në një vlerësim të profilit të analizës së punës që ka bërë nga secili nga një Komision i posaçëm, i ngritur tashmë, i drejtuar nga një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, komisioni përbëhet nga pesë veta, tre janë nga UBT-ja dhe dy janë nga Ministria e Bujqësisë dhe ky komision do të marrë në analizë të gjithë punonjësit dhe do shikojë profilin e punës me CV, performancës, do vlerësojë eksperiencat më të mira apo jo të mira dhe do ndihmojë Ministrisë me një rekomandim se cilat do ishin ato struktura që do duhet të riorganizohen ndryshe dhe në frymë të inspektoratit qendror”, tha ajo.

The post Shkrirja AKU, Denaj: Të gjithë inspektorët në “filtër”, është ngritur komisioni me pesë anëtarë first appeared on JavaNews.al.

Drejtori i Mossad në SHBA, kërkon ndihmë për planin e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza

By: A R
18 July 2025 at 21:45

Drejtori i Mossad-it izraelit, David Barnea, ka zhvilluar një vizitë të nivelit të lartë në Uashington këtë javë, ku ka kërkuar ndihmën e administratës Trump për të promovuar një plan të ndjeshëm dhe të kontestuar: largimin e një pjese të konsiderueshme të popullsisë palestineze nga Rripi i Gazës, sipas burimeve të kanalit Al Arabiya.

Gjatë takimeve me zyrtarë amerikanë, Barnea thuhet se ka diskutuar mundësinë që vende të treta të pranojnë qindra mijëra palestinezë si pjesë e një plani të ri që po shqyrton aktualisht qeveria e Izraelit. Sipas raportimeve, në fokus të këtyre përpjekjeve janë Etiopia, Indonezia dhe Libia, vende me të cilat Izraeli po zhvillon bisedime për këtë çështje.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Gaza po përjeton një krizë humanitare të thellë si pasojë e luftës së vazhdueshme. Shkatërrimi i infrastrukturës, mungesa e ndihmës humanitare dhe përplasjet e përgjakshme kanë çuar në zhvendosjen e brendshme të qindra mijëra njerëzve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është aktualisht në kushte ekstreme mbijetese.

Plani për transferimin e palestinezëve jashtë Gazës ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, pasi kujton idetë e spastrimeve të mëparshme demografike në rajon. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar e kanë konsideruar këtë qasje si të rrezikshme dhe potencialisht shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar për pasoja të mëdha humanitare dhe politike.

Qeveria izraelite nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e një plani të tillë, por disa deklarata të mëparshme të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrave të kabinetit të tij kanë lënë të kuptohet se Izraeli po shqyrton “alternativa të ndryshme afatgjata” për Gazën pas përfundimit të luftës.

Për momentin, nuk dihet se çfarë përgjigjeje i është dhënë kërkesës së Mossad-it nga pala amerikane, megjithatë administrata Trump ka mbajtur një qasje më pak kritike ndaj politikave të Izraelit në Gaza krahasuar me administratat e mëparshme.

Kjo lëvizje e re diplomatikisht komplekse pritet të ndezë debate të forta në arenën ndërkombëtare dhe të shtojë edhe më tej tensionet në Lindjen e Mesme.

The post Drejtori i Mossad në SHBA, kërkon ndihmë për planin e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza first appeared on JavaNews.al.

Ndryshimet në pushtetin vendor, Mazniku e lidh me integrimin në BE: Bashkitë duhet të jenë gati për këtë proces

By: A R
18 July 2025 at 21:37

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ka theksuar rëndësinë e pushtetit vendor në të gjitha çështjet e zhvillimit të vendit.

Në një lidhje direkte në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, Mazniku lidhur me shkarkimet masive dhe riorganizimin nëpër bashkitë e vendit e ka lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nevojën e bashkive për të qenë gati për kalimin me sukses të këtij procesi.

“Së pari pasi ne kemi nevojë t’iu japim një zhvillim të ri vendit. Padyshim një pjesë e rëndësishme e reformave ndodhin nga pushteti vendor dhe prandaj është e rëndësishme që dhe pushteti vendor të ristrukturohet në linjë me ato sfida që vendi ka përpara. Kemi parasysh që ne jemi në një fazë të negociatave të numrit më të madh të negociatave dhe brenda vjeshtës do të kemi të hapura të gjitha kapitujt që synojmë t’i mbyllim deri në 2027. Kjo përkon që të gjitha bashkitë të jenë gati për këtë proces, pasi një pjesë jo e vogël e ndërveprimit të BE me Shqipërinë në fakt zbatohet në nivel vendor dhe bashkitë duhet të jenë në një nivel më të lartë angazhimi, funksionimi, strukturimi dhe gadishmërie për t’u shërbyer qytetarëve të vendit.Kjo ka qenë ai mesazhi kryesor që një seri momentesh të ndryshme që kryeministri ka përcjellë gjatë kësaj kohe, për t’i dhënë mundësi bashkive që të jenë në një ton të ri dhe mënyrë të re se si ju shërbejnë qytetarëve”, theksoi Arbajn Mazniku.

Ndërsa sa i përket kërkesave të Ramës për dorëheqje të drejtorëve, Mazniku nuk e quan një ndërhyrje të pushtetit qëndror. Sa i përket drejtorëve që kanë dhënë dorëheqjen, ministri thekson se është qartësuar që ato janë të mirëpritur që të rikandidojnë në këto procese.

“Këto janë të gjithë, organzim i cili nuk është aq shumë organizim midis qeverisë dhe pushtetit qendror se sa është mes kryetarit të Partisë Socialiste dhe 55 kryetarëve të bashkisë të zgjedhur që janë të PS. Padyshim kur PS ka nevoje për një riorganizim dhe padyshim nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje por me një riorganizim. Kryetarët janë emërime të kryetarit dhe është mëse normale që PS të ristrukturohet dhe të riorganizohet. Nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje të mënyrës se si organizohen nga na administrative, por kemi të bëjmë me një riorganizim që në nivel politik PS ka të gjithë të drejtën të riorganizohet që tu shërbejë më mirë qytetarëve”, tha Mazniku.

Lidhur me Akademinë e Pushtetit Vendor që pritet të drejtohet nga ai, Mazniku shprehet se kjo është një strukturë që ka qenë një angazhim  i vjetër i qeverisë. Ministri thekson se ajo do të jetë një strukturë që ndihmon bashkitë për aftësimin e tyre.

Është një strukturë që ka qenë një anazhim i vjetër i qeverisë. Një strukturë që ndihmon stafet e bashkive për aftësimin e tyre për çështje të ndryshme të përditshmërisë. Të gjitha punët që bashkitë bëjnë ne na rezulton që ne kemi mungesa kapaciteti dhe kemi nevojë që të ndajmë eksperiencat më të mira me njëri-tjetrin. Kjo strukturë do të përzgjedhi më të mirët në një fushë të caktuar dhe nëse ka një person më të mirë, ai person do të bëhet trajneri për njerëzit e tjerë në bashkitë e tjera. Ky është mekanizëm që synon që aftësitë më të mira nga vendet partnere si Zvicra, Austria, Holanda të marrim edhe atje aftësitë më të mira në mënyrë që të kemi kapacitetet më të mira dhe për të zhvilluar zonat ku ato janë”, theksoi Mazniku.

The post Ndryshimet në pushtetin vendor, Mazniku e lidh me integrimin në BE: Bashkitë duhet të jenë gati për këtë proces first appeared on JavaNews.al.

Kredi me interesa te ulëta për bujqësinë, Denaj: Fermerët duhet të formalizohen për të përfituar

By: E S
18 July 2025 at 21:00

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka theksuar rëndësinë e formalizimit të sektorit bujqësor dhe domosdoshmërinë për ta mbështetur atë jo vetëm përmes subvencioneve, por edhe përmes kredive të buta.

Ajo u bëri thirrje fermerëve të kalojnë nga statusi individual në formën e ndërmarrjeve bujqësore, për të përfituar më shumë nga instrumentet financiare dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të zinxhirit prodhim–përpunim–shitje.

Denaj theksoi se formalizimi është kusht për të pasur qasje në kredi bankare dhe vuri në dukje se përqindja e subvencioneve në buxhetin e Ministrisë është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

“Nëse ne nuk mbjellim prodhime siç e kërkojnë standardet e tregut. Ne këtë gjë nuk e bëjmë vetëm me skemën e subvencioneve, ne duhet ta bëjmë edhe me një kredi të butë. Do të flas jo vetëm në pozicionin e ekspertëve, por edhe të bujqërve. Nxitja mes prodhimit përpunimit dhe shitjes në zinxhir, kjo kërkon ndërtimin e shtëpive për të prodhuar, kërkon edhe mjetet që ka nevojë edhe hallka e fundit në zinxhir. Çështja mbetet e hap dot banka derën për sektorin e bujqërisë kur ai është infomral, jo.

Në asnjë rast banka nuk mund të kreditojë pa pasur një formalizmi dhe është e padiskutueshme sot është koha që të gjitha bizneset të heqin dorë nga NIPT-i i fermerit dhe të shkojnë drejt ndërmarrjeve bujqësore edhe me një 1-2 apo 3 hektarë. Por, letrat, dokumentacioni në raport me pjesën fiskale është absolute, kjo është një thirrje për fermerët për të mos u ndjerë të vegjël, por të mëdhenj ashtu siç janë, për punën që ata bëjnë, por ta formalizojnë atë punë. E dyta është mbështetje që ne japim me grantet që ne i quajmë subvencione, por këto janë shumë më të rëndësishme për infrastrukturën derisa të vijë procesi për prodhim.

Ne kemi ofertuar këtë vit, subvencionet e drejtpërdrejta që ulin kostot e prodhimit, ndërkohë që këto subvencionet e investimeve japin mundësinë e zgjerimit, pra janë të dyja të ndryshme dhe të dyja duhet. Politika e Ministrisë së Bujqësisë ndër vite, jo vetëm tani ka qenë që të dyja duhen. Nëse më përpara kjo politikë ka qenë me shifra më të ulëta, nëse në vitin 2013 vetëm 10% e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë kanë qenë subvencione, sot janë 45%. Kemi një rritje shumë cilësore në një peshë specifike”, tha ministrja Denaj.

The post Kredi me interesa te ulëta për bujqësinë, Denaj: Fermerët duhet të formalizohen për të përfituar first appeared on JavaNews.al.

Asnjë produkt blegtoral pa faturë/ Denaj: Blerja pa kupon, jo vetëm dëm fiskal, por edhe dëm për sigurinë ushqimore

By: E S
18 July 2025 at 20:53

Ministrja Anila Denaj theksoi domosdoshmërinë për faturën në çdo blerje. Në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Denaj u shpreh se është shumë e rëndësishme marrja e faturës në çdo blerje.

Gjithashtu shtoi se tashmë ka ardhur koha që të kuptohet se të blesh pa faturë nuk është vetëm një dëm fiskal, por edhe një dëm për sigurinë ushqimore.

“Unë dhe ministri kemi qenë në terren dhe evidentuar nga afër nevojë për të këshilluar marrjen e faturës në çdo blerje. Ka ardhur koha që të të gjithë duhet të kuptojnë se të blesh pa faturë nuk është vetëm një dëm fiskal, por është edhe një dëm për sigurinë ushqimore. Pra ne duhet të kuptojmë që në të gjithë zinxhirin e kalimit të një produkti nga fara në tryezë nëse ka faturë, ne ndihmojmë gjurmueshmërinë, ndihmojmë sigurinë ushqimore dhe ndihmojmë në shëndetin tonë publik dhe të kërkosh këtë faturë është detyrim. Ministria e Financave ka marrë përsipër të rishikojë procesin për rimbursimin e fermerit”, tha ajo.

The post Asnjë produkt blegtoral pa faturë/ Denaj: Blerja pa kupon, jo vetëm dëm fiskal, por edhe dëm për sigurinë ushqimore first appeared on JavaNews.al.

“Bisedimet afër pikës së vendimit“/ Zyrtari i lartë izraelit: Hamasi po vonon marrëveshjen e re për pengjet

By: E S
18 July 2025 at 20:46

Pavarësisht përparimit të delegacionit izraelit në Doha, pengesa të rëndësishme mbeten pasi Hamasi refuzon të bëjë kompromis për kushtet e lirimit të të burgosurve

Një zyrtar i lartë izraelit tha të premten se Hamasi po zvarritet në përgjigjen ndaj një propozimi të ri për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi pengjesh që është paraqitur nga ndërmjetësuesit si Izraelit ashtu edhe grupit terrorist, duke ngritur dyshime për seriozitetin e qëllimeve të Hamasit.

“Delegacioni izraelit ka bërë një rrugë të gjatë,” tha zyrtari. “Por duke pasur parasysh refuzimin e Hamasit për të ecur përpara, po shtohen dyshimet për seriozitetin e tyre. Po i afrohemi një momenti vendimtar në negociata — dhe Hamasi po krijon një pengesë në çështjen e kushteve për lirimin e të burgosurve.”

The post “Bisedimet afër pikës së vendimit“/ Zyrtari i lartë izraelit: Hamasi po vonon marrëveshjen e re për pengjet first appeared on JavaNews.al.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate: Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, të hënën konstituohet Kuvendi i Kosovës

By: E S
18 July 2025 at 20:38

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Famir Limaj dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të zhvillohet në pasditen e së shtunës, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Seanca e re për konstituim të Kuvendit do të mbahet të shtunën në orën 11:00. Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë, që mendojmë se është e arsyeshme, për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, tha Izmaku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.

“Por, nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja. Situata është e paparashikueshme”, ka thënë mes tjerash ajo.

Më herët gjatë ditës, Limaj është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.

Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun, të propozuar për kryeparlamentare, të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.

The post Deputetja e Nismës Socialdemokrate: Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, të hënën konstituohet Kuvendi i Kosovës first appeared on JavaNews.al.

“Përplasjet Lapaj-Shabani për mandatet i parashikova më herët”, Dash Sula: PD ka marrë pushimet, e shkëputur nga njerëzit

By: E S
18 July 2025 at 20:30

Deputeti i PD Dashnor Sula ka komentuar përplasjet Lapaj-Shabani. I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv, ai tha se e parashikoi më herët se do të ndodhin këto përplasje për mandatet.

Sula deklaroi se Adriatik Lapaj duhet që ti qëndrojë deklaratave që ka bërë, i cili sipas tij premtoi se nuk do të futej në Kuvend nëse merrte një mandat.

‘Unë e kisha të qartë se këto situata do të ndodhin për këtë çështjen e mandateve. Po Lapaj se mbajti fjalën nga deklarata e tij se mandatin mund ta merrte dikush tjetër nëse do të merrte një mandat, ai vet sdo të hynte në Kuvend. Unë i kam sugjeruar partive të reja se duhet që të jeni brenda sistemit dhe jo jashtë sistemit sepse keni mundësi më të madhe për të drejtuar sistemin. Ose duhet që të keni parasysh që krijuar një grup një parlamentar që s’janë rehat në raport me Berishën që të propozonin projektligje dhe nisma ligjore. Dhe përsëri e kanë refuzuar më një naivitet politikë dhe kjo më ka bërë përshtypje’, tha ai.

Sula kërkoi një opozitë të fortë dhe të re, e cila të vendosë balancë në skenën politike dhe të rikthejë besimin e qytetarëve te demokracia.

‘Edi Rama ka lindur me këmishë, ka gjetur rehat me këtë opozitë. Ata e kanë humbur shansin në raport me demokracinë në tërësi, duhet që forcat e reja të kishin një ekuilibër më të madh. Rama po përpiqet që të riformatojë sepse ka një mungesë të opozitës që nuk është në gjendje që të bëjë presion qeverisë’,tha ai.

Ai tha se PD është shkëputur nga takimet me njërzit në terren. Sipas tij, pas humbjet në zgjedhjet e 11 majit, opozita duhet që të kishte një qasje tjetër.

‘Dy njerëz që prodhojnë politikë të përditshme është Rama dhe Berisha. Pas 11 majit opozita duhet që të kishte pasur një qasje tjetër duhet që të bënin protesta jo thjesht dil aty dhe bëjë një deklaratë, dil televizion, futi edhe ndonjë plazh. Duhet që të ishin në terren, PD është shkëputur nga njerëzit dhe nga demokratët dhe pastaj nuk fitojnë në zgjedhje’, tha ai.

The post “Përplasjet Lapaj-Shabani për mandatet i parashikova më herët”, Dash Sula: PD ka marrë pushimet, e shkëputur nga njerëzit first appeared on JavaNews.al.

Zyrtarët evropianë duan të shtrëngojnë rregullat e azilit të BE-së, synohet mbrojtja e kufijve

By: E S
18 July 2025 at 20:22

Takimi, i organizuar nga ministri i brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, dhe me përfaqësues austriakë, çek, danezë, francezë, të BE-së dhe polakë të pranishëm, shqyrtoi heqjen e pengesave për transferimin e azilkërkuesve të refuzuar jashtë bllokut.

Deklarata e fundit prej katër faqesh, e botuar të premten, paralajmëroi se një numër i madh migrantësh që hyjnë në BE po “krijonin presion të konsiderueshëm mbi sistemet tona kombëtare të azilit, pritjes dhe integrimit, duke përfshirë sfidat ndaj sigurisë së brendshme, dhe duke kontribuar në një polarizim në rritje në shoqëritë tona”.

Ata propozuan që apelimi ndaj një vendimi administrativ nuk duhet të rezultojë gjithmonë në pezullimin e vendimit fillestar, ndër ide të tjera politike.

Dokumenti gjithashtu bëri thirrje për zbatim më të rreptë të ligjit kundër kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtje më të fortë të kufijve.

The post Zyrtarët evropianë duan të shtrëngojnë rregullat e azilit të BE-së, synohet mbrojtja e kufijve first appeared on JavaNews.al.

Grabitje 200 mijë euro dhe një peng/ Anëtarja e komisionit të tenderave: U futën në shtëpi të maskuar, rrëmbyen edhe vëllanë

By: E S
18 July 2025 at 20:12

Katër persona të maskuar hynë në shtëpi, aty gjendeshim unë mamaja vëllai dhe tre fëmijët”, kështu e ka nisur rrëfimin anëtarja e Komisionit të Prokurimit Publik L. S., e cila ka pranuar vjedhjen e 200 mijë eurove dhe paundëve dhe rrëmbimin për pak orë të të vëllait.

Kjo ngjarje u zbulua nga SPAK gjatë hetimeve për shkelje të barazisë në tendera dhe ku përgjimet e shfaqnin punonjësen shtetërore duke u ankuar tek familjarët për grabitjen e ndodhur në qytetin e Librazhdit.

Por ndërsa ky hetim është finalizuar me 11 të pandehur mes tyre edhe kreu I KPP Jonaid Myzyri, dosja e dytë e grabitjes po investigohet ende nga prokurori Elvin Gokaj.

Zyrtarja thotë se si një person u qëndroi me armë tek koka ndërsa të tjerët kontrolluan banesën derisa gjetën vaultat euro dhe paund. ‘pastaj morën peng vëllain dhe e lanë në Labinot që ai të mos denonconte dhe ai u kthye në këmbë” thotë zyrtarja që insiston se paratë ishin dërguar nga vëllezërit e tjerë të cilët janë emigrant.

Grabitjen e ka pranuare dhe familjari tjetër, ndërkohë që SPAK është në pritje të përgjigjes nga policia lokale e Librazhdit dhe Elbasanit për të marrë detaje mbi ngjarjen. /tch/

The post Grabitje 200 mijë euro dhe një peng/ Anëtarja e komisionit të tenderave: U futën në shtëpi të maskuar, rrëmbyen edhe vëllanë first appeared on JavaNews.al.

Shpërthim në qendrën e trajnimit të policisë në Los Angeles, humbin jetën tre persona

By: E S
18 July 2025 at 20:03

Të paktën tre persona kanë humbur jetën pas një incidenti të rëndë që ndodhi në një qendër trajnimi të Departamentit të Policisë të Qarkut Los Angeles.

Lajmin e ka konfirmuar Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, e cila shkroi në “X”:

“Sapo fola me departamentin lidhur me një incident që duket të jetë tejet i rëndë dhe që ka marrë jetën e të paktën tre personave në një qendër trajnimi të zbatimit të ligjit në Los Angeles. Agjentët federalë janë në vendngjarje dhe po punojmë për të mësuar më shumë”.

Zëdhënësi i Departamentit të Sherifit të Los Angeles-it konfirmoi se shpërthimi ndodhi në Akademinë e Trajnimit Biscailuz Center në East Los Angeles.

Ai deklaroi se shkaku i shpërthimit është ende nën hetim, dhe se nuk janë ende në gjendje të konfirmojnë nëse ka të vdekur të tjerë apo të plagosur.

Sipas gazetës Los Angeles Times, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, shpërthimi ndodhi gjatë lëvizjes së disa lëndëve plasëse nga njësia e specializuar për bomba. Hetimet janë në vazhdim dhe zona mbetet e rrethuar nga forcat e rendit dhe ekipet hetimore.

The post Shpërthim në qendrën e trajnimit të policisë në Los Angeles, humbin jetën tre persona first appeared on JavaNews.al.

Ishin duke ruajtur bagëtitë dhe u futën në lumë për t’u larë, mbyten dy fëmijë në Elbasan

By: E S
18 July 2025 at 19:55

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, ku dy të mitur kanë humbur jetën pasi u mbytën në rrjedhën e lumit Shkumbin.

Sipas informacioneve paraprake, fëmijët e moshës 8 dhe 10 vjeç, vëllezër, janë mbytur ndërsa ruanin bagëtitë së bashku me një familjare të tyre.

Ata raportohet se kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg.

Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë.

Ngjarja ka tronditur gjithë zonën, ndërsa familjarët ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike të afërm e bashkëfshatarë të viktimave.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Kjo është një tjetër ngjarje që ngre shqetësimin për sigurinë e fëmijëve pranë zonave ujore, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur temperatura e lartë i shtyn të miturit të kërkojnë freski në lumenj apo rezervuarë pa mbikëqyrje.

The post Ishin duke ruajtur bagëtitë dhe u futën në lumë për t’u larë, mbyten dy fëmijë në Elbasan first appeared on JavaNews.al.

❌
❌