Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Java News

Kryeministri britanik paralajmëroi njohjen e Palestinës, Netanyahu ‘shpërthen’ ndaj Starmer: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit

By: A R
29 July 2025 at 23:01

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar homologun britanik Sir Keir Starmer për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetësinë palestineze në shtator, nëse Izraeli nuk i jep fund luftës në Gaza.

Sipas mediave të huaja, ai thotë se vendimi i kryeministrit britanik “shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit” dhe “ndëshkon viktimat e tij”.

“Një shtet xhihadist në kufirin e Izraelit sot, do të kërcënojë Britaninë nesër”, tha më tej Netanyahu, shkruan A2 CNN.

“Paqësimi ndaj terroristëve xhihadistë dështon gjithmonë. Do t’ju dështojë edhe juve. Nuk do të ndodhë”, përfundoi Netanyahu.

Kujtojmë se Starmer u zotua të bëjë një vlerësim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, lidhur me se sa i kanë përmbushur Izraeli dhe Hamasi këto hapa përpara se të marrë një vendim përfundimtar, duke siguruar që asnjëra palë të mos ketë të drejtë veto.

The post Kryeministri britanik paralajmëroi njohjen e Palestinës, Netanyahu ‘shpërthen’ ndaj Starmer: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit first appeared on JavaNews.al.

Manjani akuza Qeverisë: Kodi i Ri Penal është arma për grabitjen e pronës

By: A R
29 July 2025 at 22:52

Juristi Ylli Manjani komentoi në emisionin Now në Euronews Albania disa nga nenet e draftit të kodit të ri penal, të cilat sipas tij paraqesin anomali.

Sipas Manjanit, një nen që është përsëritur disa herë, që thotë ‘pasurimi i paligjshëm i kujtdo’, është një mjet për t’i grabitur pronën qytetarëve.

“Të ndalon polici në rrugë dhe të thotë këtë xhaketën ku e ke blerë se s’ma mbush mendjen. Duhet mbrojtur pasuria, nuk mundet kodi penal të jetë arma e grabitjes së pronës, është e tmerrshme.

Kjo është normale vetëm për shoqëritë bolshevike, kjo është majmunizëm nuk është logjikë. Aktualisht kjo bëhet me ligjin antimafia vetëm për persona që indicie që ka vepër penale, kjo është tjetër gjë. Në kodin e ri është për çdo qytetar. Nuk ka sot shqiptar që me standardet e vetingut që ka shpikur reforma të justifikojë pasurinë. Nëse qëllimi është që të vëmë një stekë si t’u marrim pronat shqiptarëve, kjo është steka”, tha Manjani.

The post Manjani akuza Qeverisë: Kodi i Ri Penal është arma për grabitjen e pronës first appeared on JavaNews.al.

Nga dënimi i çdo vendimi administrativ… tek një drejtësi europiane / Çfarë kërkon realisht BE-ja nga Shqipëria për “shpërdorimin e detyrës”

By: Java News
29 July 2025 at 22:44

Nga Edmond Petraj – Avokat

Në çdo raport vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, vepra penale e shpërdorimit të detyrës është një pikë ndalese: jo për ta eliminuar, por për të kuptuar si përdoret. Ndërkohë që shteti shqiptar i trembet çdo gabimi të një administratori të zakonshëm dhe ngre akuza penale për çdo vendim joefektiv, Brukseli bën një kërkesë të qartë: Zbatoni ligjin, por mos e keqpërdorni atë.

Në Shqipëri, neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës” është kthyer në një mjet të gjithanshëm ndëshkimi, një nen “shelg” që përkulet sa herë do prokuroria, por rrallë herë qëndron drejt në themelin e drejtësisë. Në fakt, BE-ja e njeh këtë nen, por nuk e përdor si në Shqipëri.

Çfarë kërkon BE-ja në të vërtetë?

Kërkesa e Bashkimit Evropian është më shumë një thirrje për maturi ligjore sesa për shtrëngim penal. BE nuk thotë që “mos e dëno shpërdorimin”, por kërkon që Shqipëria:

Ta zbatojë vetëm kur ka një shkelje të rëndë ligjore, me qëllim përfitimi personal;

Të mos ndëshkojë penalisht gabimet administrative, që mund të jenë thjesht rezultat i paaftësisë, mungesës së përvojës apo keqinterpretimit;

Të zhvillojë një administratë publike që nuk funksionon me frikë, por me përgjegjësi të qartë dhe kontroll të brendshëm;

Të garantojë që ndjekja penale të mos jetë e instrumentalizuar politikisht apo selektive.

Shqipëria: gjithçka penale, edhe kur është thjesht burokraci

Në vendin tonë, shpërdorimi i detyrës është shpesh një grackë ligjore: nëse s’e firmos, akuzohesh për neglizhencë; nëse firmos, akuzohesh për tejkalim kompetencash. Funksionarët publikë ndihen më afër bankës së të pandehurit sesa zyrës ku duhet të shërbejnë.

Dhe këtu vjen thelbi i kërkesës së BE-së: nëse doni një administratë që punon me integritet, nuk mund ta mbani peng me një nen penal të paqartë dhe të gjithanshëm.

Europa ka standarde të qarta

Në shtetet anëtare të BE-së, vepra si “shpërdorimi i detyrës” është e kodifikuar ndryshe për shembull si:

Korrupsion aktiv ose pasiv,

Keqpërdorim i fondeve publike,

Kontrata fiktive apo falsifikime,

Ndikim i paligjshëm në vendimmarrje.

Pra, BE-ja nuk njeh një nen ku gjithçka mund të ndëshkohet me togfjalëshin “ka shkaktuar dëm ndaj interesit publik”. Aty ka saktësi, qëllim kriminal, pasojë të qartë dhe dëshmi të provueshme.

Jo çdo dështim është krim

Ky është mësimi që duhet të marrim nga kërkesa e Bashkimit Evropian. Nëse duam një shtet funksional, nuk mund ta ndëshkojmë çdo zyrtar që nuk ka bërë punën perfekt. Gabimi është pjesë e natyrshme e punës publike. Por abuzimi me pushtetin për përfitim personal – ky është krimi i vërtetë që BE kërkon të luftojmë.

Dhe në fund drejtësia europiane nuk është më e butë, është më e drejtë

Ndaj, Shqipëria nuk duhet të heqë dorë nga ndëshkimi i abuzuesve përkundrazi. Por duhet të ndalë abuzimin me ndëshkimin. Sepse një vend që i trajton të gjithë si të dyshuar, nuk mund të ndërtojë një shoqëri të lirë, transparente dhe evropiane.

The post Nga dënimi i çdo vendimi administrativ… tek një drejtësi europiane / Çfarë kërkon realisht BE-ja nga Shqipëria për “shpërdorimin e detyrës” first appeared on JavaNews.al.

Beci sqaron largimet nga Teatri Migjeni: Disa aktorë nuk i përmbushin pritshmëritë!

By: A R
29 July 2025 at 22:37

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka reaguar pas debatit të ngritur për largimin nga puna të dy aktorëve të trupës së Teatrit “Migjeni”.

Beci thekson se vendimi i marrë vjen pas një analize të plotë të performancës individuale të çdo aktori dhe nuk ka asnjë prapavijë politike, siç është pretenduar..

‘Në kuadër të riorganizimit në prag të nisjes së sezonit të ri artistik, pak ditë më parë Drejtoria e Kulturës në Bashkinë e Shkodrës bëri një bilanc të punës individuale të secilit nga pjesëtarët e trupës profesioniste të aktorëve të Teatrit Migjeni, falë të cilit u arrit në përfundimin që disa prej tyre nuk i kishin përmbushur pritshmëritë dhe objektivat e sezoneve të mëparshme.

Dëshirojmë të theksojmë se ky riorganizim jo vetëm që nuk cënon cilësinë apo numrin e shfaqjeve të programuara për sezonin artistik të ardhshëm të Teatrit Migjeni, por përkundrazi synon të forcojë dhe përmirësojë më tej veprimtarinë artistike dhe organizative të institucionit. Në një trupë artistike, ashtu si në çdo sektor tjetër të administratës, ka detyrime të një kontrate pune, e cila në rast moszbatimi apo mosrealizimi, vjen një moment dhe ndërpritet. Për më tepër kur këto mosrealizime nuk janë periodike, por për tre vite, 12 muaj pa ndërprerje, me kontributin e taksapaguesve shkodranë.

Sipas tij, bëhet fjalë për mungesë të vazhdueshme angazhimi për tre vite me radhë, gjatë të cilave individët në fjalë kanë marrë rroga nga taksat e qytetarëve pa dhënë asnjë kontribut të prekshëm në skenën teatrore.

‘Në respekt të këtyre të fundit kemi detyrimin të mos lejojmë që asnjë nga paratë e tyre të përfundojë duke paguar rroga të pamerituara siç ka ndodhur për vite me radhë në këtë institucion. Bashkia Shkodër ka në themel të punës së saj përkushtimin dhe angazhimin e përditshëm maksimal dhe këtë e ka injektuar te çdo individ, duke filluar nga punonjësit e shërbimeve të bashkisë që pavarësisht kushteve të motit vijojnë punën për rritjen e cilësisë së jetës në qytet, e deri tek ata që mbushin sallat e sheshet me performacat e tyre artistike.

Por siç ndodh shpesh në një shoqëri të polarizuar si e jona në raste të tilla shfaqen pakënaqësitë, kundërshtimet dhe përdorimi politik i individëve. Furtuna në gotë kësaj radhe përfshiu gjithë skalionet politike të së djathtës në aksin Shkodër – Tiranë, paçka se gota ishte tërësisht e boshatisur’, tha ai.

Ai shton se Bashkia Shkodër është e angazhuar maksimalisht për rritjen e cilësisë së jetës dhe se kjo frymë është e pranishme në çdo sektor, përfshirë edhe kulturën dhe artin skenik.

Por e vërteta është krejt e ndryshme nga ky përdorim politik tipik. Sepse faktet janë në tetarin e shfaqjeve sipas viteve, aty ku shihet se sa ka shkelur në skenën e teatrit secili aktor i “Migjenit”. Ne si bashki nuk kemi asnjë arsye të demaskojmë individët, por në këtë rast nuk kemi pse t’i fshehim paaftësitë individuale të aktorëve të larguar, madje nuk duam as të diskutojmë në këto rreshta se sa regjisorë i kanë skualifikuar si të papërshtatshëm dy personat e larguar nga puna.
Ne nuk dimë se me çfarë meritash apo kriteresh janë punësuar në trupën e teatrit dy zotërinjtë me të cilët është ndërprerë raporti i punës, por bazuar në tetarin që mund të lexoni më poshtë, rezulton se asnjëri prej tyre nuk ka patur cilësi në punë. Talent lind, nuk të bën partia!

Së fundmi, duam t’u kujtojmë të gjithë artdashësve shkodranë dhe më gjerë se para rreth një viti e gjysmë u ngrit një flakë kashte e ngjashme ”në mbrojtje” të Teatrit Migjeni, i cili do të “shkrihej”. Sot jemi të gjithë dëshmitarë të punës së bërë për forcimin e cilësisë artistike, shtimin e numrit të shfaqjeve si dhe përmirësimin e kushteve të punës për aktorët, regjisorët dhe për vetë publikun’, tha ai,

The post Beci sqaron largimet nga Teatri Migjeni: Disa aktorë nuk i përmbushin pritshmëritë! first appeared on JavaNews.al.

Diplomohen 90 studentë të rinj të Akademisë së Forcave të Armatosura, pesë prej tyre nga Kosova

By: A R
29 July 2025 at 22:29

Plot 90 studentë të Akademisë së Forcave të Armatosura, pesë prej të cilëve nga Kosova u diplomuan këtë të martë, më 29 korrik. Ceremonia e diplomimit të studentëve të FA-ve u zhvillua në kompleksin e ri sportiv të garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Gjatë fjalës së tij, ministri Vengu theksoi rolin kyç që kanë Forcat e Armatosura në mbrojtjen dhe përparimin e vendit. Sipas tij, ushtria nuk është thjesht një strukturë ceremoniale.

“Më lejoni të them që është një nder i veçantë që të jem pranë jush sot, sepse është një moment i thellë krenarie institucionale, sepse sa herë një brez vesh uniformën, shteti shqiptar rifillon, forcohet, përtërihet. Kjo nuk është thjesht një ditë gëzimi, por një ditë dëshmie se rruga e duhur sado e vështirë mbetet rruga që formon njerëz të vërtetë.

Rruga që nuk të premton komoditet, por të ofron dinjitet dhe për këtë dua t’ju falenderoj. Forcat e Armatosura nuk janë një dekor ceremonial i Republikës, por janë kocka, muskul dhe ndërgjegje e saj, sepse fati i një kombi është i lidhur me fatin e atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për të.

Këtë e pamë qartë vetëm pak ditë më parë ku mbi një mijë efektivë të FA-ve u përballën me flakët që dogjën male e fusha. Ata nuk bënë vetëm detyrën, por atë që në rrethana normale quhet mision dhe në rrethana të jashtëzakonshme quhet heroziëm i heshtur, ky është realiteti i profesionit të ushatarakut.”– tha Vengu.

Në fjalimin e tij, ministri foli edhe për vizionin e qeverisë shqiptare në kuadër të programit “Shqipëria 2030”, ku mbrojtja sipas tij është bërë thelbësore për zhvillimin kombëtar. Ai përmendi pesë shtyllat strategjike të këtij plani: zhvillimin e industrisë së mbrojtjes për qëndrueshmëri ekonomike dhe teknologjike, inovacionin për të kapërcyer hendekun me forcat më të mëdha, modernizimin operacional dhe logjistik, investimin në profesione të reja si ekspertë armatimi, inxhinierë infrastrukture, mjekë ushtarakë, ekspertë dronësh, pilotë dhe specialistë të mbrojtjes kibernetike, dhe në fund, forcimin e mbrojtjes civile.

The post Diplomohen 90 studentë të rinj të Akademisë së Forcave të Armatosura, pesë prej tyre nga Kosova first appeared on JavaNews.al.

“Gabimi” fatal i autorit dhe shënimi/ Gjithçka duhet të dini për sulmin që tronditi New York-un

By: A R
29 July 2025 at 22:22

Një sulm me armë zjarri në një ndërtesë zyrash në Manhattan, New York, tronditi qytetin më 28 korrik, ku katër persona humbën jetën dhe një u plagos rëndë.

Autori, Shane Tamura, 27 vjeç nga Las Vegasi, kishte për qëllim të sulmonte selinë e Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL), por për shkak të një “gabimi” fatal, ai u ngjit në katin e gabuar të ndërtesës dhe sulmoi zyra të tjera.

Ku ndodhi sulmi?

Sulmi ndodhi në ndërtesën e njohur në 345 Park Avenue, në zonën e Midtown Manhattan, pranë vendeve si Rockefeller Center dhe Grand Central Terminal.

Si ndodhi ekzaktësisht?

Autori doli nga një BMW me një pushkë AR-15 dhe u nis drejt ndërtesës. Ai qëlloi një punonjës sigurie teksa po futej në godinë, më pas një grua që tentoi të fshihej dhe qëlloi me breshëri plumbash në hollin e ndërtesës. Më pas qëlloi edhe një tjetër punonjës sigurie që po fshihej pas një tavoline dhe një tjetër burrë në holl. Më pas u ngjit me ashensor në katin e 33-të, ku ndodhen zyrat e një kompanie menaxhimi pasurish të paluajtshme. Atje vrau një person dhe më pas u vetëvra.

Çfarë dihet për autorin?

Policia identifikoi autorin si Shane Tamura nga Las Vegasi. Ai punonte në departamentin e survejimit në kazinonë “Horseshoe” në Las Vegas. “Ai nuk ka shkuar në punë të dielën”, tha komisari Tisch.

Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, tha se hetuesit besojnë se Tamura donte të sulmonte selinë e NFL-së, por për shkak të një gabimi të bërë te ashensorët, ai hyri në zyrat e gabuara.

Tamura kishte luajtur futboll në shkollë të mesme në Kaliforni, por kurrë në NFL. Sipas hetuesve, ai rezulton me probleme mendore.

Shënimi

Në portofolin e Tamurës u gjet një shënim 3 faqe, ku ai akuzonte NFL-në për sëmundjen kronike traumatike të trurit (CTE), një gjendje e lidhur me goditjet në kokë që prekin sportistët.

Në shënim, Tamura kërkonte që truri i tij të studiohej për këtë sëmundje dhe shprehte keqardhjen e tij.

Kush janë viktimat?

-Didarul Islam, 36 vjeç, oficer policie nga Bangladeshi, i martuar dhe baba i dy djemve

-Wesley LePatner, drejtues ekzekutiv në firmën Blackstone, me karrierë në Goldman Sachs

-Aland Etienne, punonjës sigurie, i njohur si “hero i sigurisë” në New York

-Një punonjëse e Rudin Management, emri i së cilës nuk u bë publik

Komisioneri i NFL-së, Roger Goodell, tha se një punonjës i ligës u plagos rëndë, por ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore,.

The post “Gabimi” fatal i autorit dhe shënimi/ Gjithçka duhet të dini për sulmin që tronditi New York-un first appeared on JavaNews.al.

Në kërkim për impiant gazi pa leje, pronari i Delvina Gas rezulton edhe në dosjen e Arben Ahmetajt

By: A R
29 July 2025 at 22:13

Policia e Vlorës njoftoi se ka shpallur në kërkim pronarin e kompanisë Delvina Gas, Sokol Meqemeja. Ky i fundit dyshohet se ka ndërtuar pa leje një impiant gazi në tokë publike, në Delvinë. Në lidhje me këtë shkelje, policia ka vënë në pranga edhe dy inxhinierët e kompanisë, Elton Malkaj dhe Luan Metaj. Këta dy të fundit janë vënë në pranga për akuzën “ndërtim i paligjshëm” dhe “pushtim i tokës” me qëllim përfitimi.

Për të njëjtat akuza, në kërkim janë shpallur pronari i kompanisë, Sokol Meqemeja, 56 vjeç, si dhe administratori, Juglerd Ibrahimi, 36 vjeç. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Policisë së Vlorës dhe Sarandës, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Tiranë dhe Inspektoratit të Mjedisit.

Pas njoftimit të policisë, kompania reagoi duke theksuar se impianti nuk është TEC por pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës.

“Duam të theksojmë se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës. Ky impiant pastrimi ka 3 (tre) vjet që ka përfunduar ndërtimin dhe dy inxhinierët ishin thjesht mirëmbajtës të impiantit të pastrimit, i përfunduar tashmë së ndërtuari kohë më parë. Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ka zbatuar çdo detyrim dhe rregullore duke ju përmbajtur hap pas hapi kuadrit ligjor në fuqi në sektorin hidrokarbur,” thuhet në njoftim.

Meqemeja rezulton pronar i disa kompanive në Shqipëri. Ai ka në pronësi edhe “Frigo Food Albania”. Emri i tij del edhe në dosjen e SPAK ndaj Arben Ahmetajt si pjesëmarrës në transaksionet me të cilat ish-ministri i arratisur nga Shqipëria ka fshehur origjinën e disa prej pasurive të tij. Sipas dosjes, Meqemeja i ka dhënë 140 mijë euro Arben Ahmetajt, përmes skemave të shitjeve fiktive të apartamenteve.

Sipas organit të akuzës, kjo shumë ka shkuar për ish zv. kryeministrin si shpërblim për inceneratorin e Fierit, të cilin e kishte marrë përmes kompanisë Building Counstriction & Green Energy, ku ishte një prej krijuesve të saj.

Meqemeja u vu në qendër të vëmendjes së opinionit në shtator të vitit 2022, kur në media u raportua për praninë e bakterit të listerisë në salsiçet Woody. Në atë kohë AKU doli me një njoftim zyrtar për praninë e Listeria monocytogenes STI55, një bakter që përbën risk serioz për shëndetin e njeriut, në disa lloje të salsiçeve Woody. Meqemeja doli vetë para mediave për të qetësuar konsumatorët, duke ngrënë një salsiçe.

tpz.al

The post Në kërkim për impiant gazi pa leje, pronari i Delvina Gas rezulton edhe në dosjen e Arben Ahmetajt first appeared on JavaNews.al.

“10 vjet burg po e shkrepe armën në dasmë”, Manjani analizon Kodin e ri Penal

By: A R
29 July 2025 at 22:05

Kodi i ri Penal ishte tema e diskutimit mbrëmjen e kësaj të marte në Now në Euronews Albania.

Juristi Ylli Manjani vuri theksin te mungesa e edukimit që e shoqëron, sipas tij, Kodin e ri Penal, duke thënë se ky, sipas tij, është një Kod që kriminalizon shoqërinë, duke pasur në qendër të tij dënimin me burg.

Manjani tha se Kodi duhet të shoqërohet me një kod kundravajtjesh administrative, pasi, sipas tij, nuk mund të zgjidhet çdo problem apo shkelje shoqërore nga prokuroria.

“Qëllimi nuk është të kriminalizohet shoqëria, të futet shoqëria në burg, qëllimi është të edukohet. Nuk zgjidhet asgjë me pranga, kriminalizohet me pranga. Duhet patjetër që këtij ligji t’i shtrohet një kod kundravajtjesh administrative. Ka një sërë shkeljesh të cilat dënohen administrativisht, është shumë e thjeshtë. 10 vjet burg për armbajtje pa leje, a ndodh kjo në ndonjë vend të botës? 10 vjet po shkrepe armën në dasmë, e kuptoni apo jo?” -tha Manjani

The post “10 vjet burg po e shkrepe armën në dasmë”, Manjani analizon Kodin e ri Penal first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 29 July 2025Java News

Punë zero, shpenzime plot, mbi 671 mijë euro për deputetët në Kosovë, iu rriten edhe pagat

By: A R
29 July 2025 at 21:58

Deputetët e Kuvendit të Kosovës tentuan pa sukses 54 herë të mbyllin seancën konstituive.

Pavarësisht seancave çdo 48 orë dhe ndonjëherë më shpesh, puna e tyre efektive llogaritet e ulët pasi ato mbylleshin shpejtë.

Megjithatë deputetët vijuan të paguheshin rregullisht me pagën e tyre bazë mujore. Kuvendi i Kosovës i ka konfirmuar A2 CNN se nga data e betimit të deputetëve që është 19 prill e deri më 30 qershor për pagat e deputetëve, janë shpenzuar 530 mijë e 540 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për muajin prill: 95 633.93 €. Shuma e përgjithshme e pagave për muajin maj: 234 998.98 € Shuma e përgjithshme e pagave për muajin qershor: 199 907.67 €.

Kryeministri Albin Kurti dhe 16 ministra të tjerë që janë zgjedhur deputetë nuk janë paguar nga Kuvendi i Kosovës, pasi kanë përfituar pagën si pjesë e ekzekutivit. Deputetët kanë të drejtë të angazhojnë edhe staf mbështetës politikë, ose ndryshe që njihen si zyrtarë të lartë personal apo asistentë, paga e të cilëve është 900 euro. Për muajin maj dhe qershor, për pagat e këtyre zyrtarëve nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 136 mijë e 802 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për muajin maj: 59 860.27 €. Shuma e përgjithshme e pagave për muajin qershor: 76942.71 €. Gjatë muajve maj dhe qershor deputetët shpenzuan edhe për mbushje telefonike ne vlerë mbi 4 mijë euro. Shuma e përgjithshme e mbushjeve telefonike për deputetët për muajin maj: 1849.64 euro. Shuma e përgjithshme e mbushjeve telefonike për deputetët për muajin qershor: 2159 euro.

Deputetët u privuan vetëm nga dietat dhe nga shpenzimet e udhëtimit.

“Deputetët dhe stafi mbështetës politik nuk marrin mëditje për pjesëmarrje në seancë dhe nuk u janë kompensuar shpenzimet e udhëtimit”, thuhej në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi nuk ka treguar për shpenzimet e korrikut, meqë ende nuk është mbyllur muaji. Mirëpo me vendim qeveritar të gjithë zyrtarëve publikë, përfshirë edhe deputetëve, pagat e korrikut do të ekezekutohen me rritje prej 55 eurosh. Kështu nga paga 1859 euro për deputetin deri në qershor, nga ky muaj ata do të paguhen me 1914 euro në muaj.

The post Punë zero, shpenzime plot, mbi 671 mijë euro për deputetët në Kosovë, iu rriten edhe pagat first appeared on JavaNews.al.

Manjani: Ja përse nuk flet Rama për Kodin e ri Penal

By: A R
29 July 2025 at 21:51

Kodi i ri penal ka qenë tema e diskutimit mbrëmjen e të martës në “Now” në Euronews Albania me një grup ekspertësh dhe opinionistësh.

Lidhur me draftin e Kodit të ri ka folur dhe juristi Ylli Manjani, i cili ka thënë se, kryeministri Rama sipas tij po hesht qëllimisht dhe po bën mirë.

Sipas tij, Rama është duke parë se sa po përqafohet ky Kod nga shoqëria.

Nga ana tjetër, Manjani ka thënë se Prokurori i Përgjithshëm në deklaratën e ditës së sotme ka pasur të drejtë.

“Dua të them që ne mund të marrim gjëra qesharake sa të duash, ajo që i mungon këtij projekti është boshti logjik proporcional dhe mendimi politik. Edhe shikon, kryeministri i vendit nuk flet dhe mendoj që ka bërë qasjen e duhur. Kemi rënë dakord që mund të ketë probleme, por budalla nuk është përderisa është aty. Unë mendoj që qasja është e duhur, mendoj që po e bën për të parë sa shoqëria është e gatshme dhe grupet e interesit të gatshme. Ky projekt ka nevojë për një kod të ri të procedurës penale dhe këtu ka të drejtë Prokurori i Përgjithshëm.”-tha Manjani. 

The post Manjani: Ja përse nuk flet Rama për Kodin e ri Penal first appeared on JavaNews.al.

Avokati kritikon gjykatat: Me masat për “shpërdorim detyre” ka abuzime, qytetarëve u privohet liria për…

By: A R
29 July 2025 at 21:44

Avokati Edmond Petraj u shpreh se në Shqipëri ka abuzime sa i takon aplikimeve të masave për “shpërdorim detyre”

Ai theksoi se me aplikimin e këtyre masave po abuzohet, pasi qytetarëve po u hiqet e drejta e lirisë për gjëra shumë të vogla dhe të papërfillshme.

Sipas tij, në rastet e shpërdorimit të detyrës jo gjithmonë ka vjedhje dhe korrupsion.

Ai pohoi se parimi i proporcionalitetit duket që nuk merret parasysh fare nga gjykatat e vendit dhe kjo qasje shtoi avokati është e gabuar.

“Kjo pjesë e shpërdorimit të detyrës, që BE na ka lënë si hapësirë për të vepruar, mendoj se është largimi nga ndjekja e veprave penale për pjesën e abuzimit me detyrën, por që kjo duhet standardizuar. Unë jam dakord që kjo duhet ndryshuar. Me shpërdorimin e detyrës po abuzohet, sidomos masën e sigurisë dhe me heqjen e lirisë. Shpërdorimin nuk është gjithmonë vjedhje apo korrupsion, por mund të këtë bërë gabim njerëzor, tha ai në “Real Story”.

The post Avokati kritikon gjykatat: Me masat për “shpërdorim detyre” ka abuzime, qytetarëve u privohet liria për… first appeared on JavaNews.al.

Analizë / Çfarë sjell njohja e Palestinës si shtet, pse Starmer vendosi tani?!

By: A R
29 July 2025 at 21:36

Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për të njohur Palestinën si shtet të pavarur. Një vendim që për hir të së vërtetës është me pasoja të gjera diplomatike dhe gjeopolitike.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, është përballur me presion nga brenda dhe jashtë partisë së tij. Më shumë se 250 deputetë nga të gjitha partitë mbi 1/3 e anëtarëve të Dhomës së Komunave kanë firmosur një letër të përbashkët duke i kërkuar që të ndërmarrë hapin e njohjes së shtetit palestinez.

Fillimisht, Starmer e kishte kundërshtuar idenë, duke theksuar se njohja duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë për paqe. Por tani, ai ka ndryshuar qëndrim edhe pse me disa kushte të përfshira.

Ky vendim vjen pak kohë pasi Franca, si vendi i parë i G7-ës e ndërmorri e para një hap të tillë, e njohu zyrtarisht Palestinën si shtet. Lëvizja e Parisit nxiti më pas diskutime edhe në shtete të tjera perëndimore, përfshirë Britaninë.

Por, çfarë do të thotë njohja e Palestinës si shtet?

Sipas Konventës së Montevideos të vitit 1933, një shtet për t’u njohur si subjekt sovran duhet të përmbushë disa kritere: Të ketë një popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar, qeveri efektive dhe marrëdhënie ndërkombëtare, strukturë diplomatike formale (ambasada, marrëveshje, ambasadorë).

Deri në mars të vitit 2025, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur Palestinën si shtet. Mes tyre janë Rusia, Kina dhe India, si dhe disa vende evropiane si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe së fundmi Franca.

Pse Starmer e mori vendimin pikërisht tani?!

Kryeministri britanik Starmer tha se njohja e Palestinës në këtë moment do të ketë ndikimin më të madh, duke përmendur se shpresa për një zgjidhje me dy shtete një Izrael i sigurt dhe një Palestinë e qëndrueshme është në rrezik. Ai deklaroi se kjo është pjesë e një “plani në tetë pika”, tashmë i diskutuar me Francën dhe Gjermaninë. Starmer mohoi që ky vendim të jetë pasojë e presionit të deputetëve laburistë, duke këmbëngulur se ka qenë gjithmonë pjesë e planit të tij politik.

Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, gjatë një samiti të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete, përshkroi situatën në Gaza si “horror” dhe kërkoi armëpushim urgjent.

Çfarë përfshin zgjidhja me dy shtete?

Kjo zgjidhje parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit, duke u dhënë të dy popujve territor dhe siguri të ndarë. Palestinezët synojnë të formojnë shtetin e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar, Jerusalemin Lindor të aneksuar dhe Rripin e Gazës, territore të pushtuara nga Izraeli.

Por, një pengesë kryesore për zbatimin e kësaj zgjidhjeje mbetet përcaktimi i kufijve. Që nga viti 1967, mijëra vendbanime izraelite janë ndërtuar në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ku tashmë jetojnë rreth 600 mijë izraelitë.

Si ka reaguar Izraeli dhe Palestina?

Izraeli e ka dënuar ashpër këtë ndryshim të politikës britanike. Ministria e Jashtme izraelite shkroi në platformën X: “Kjo lëvizje, pas vendimit të Francës dhe nën trysninë politike të brendshme, përbën një shpërblim për Hamasin dhe dëmton përpjekjet për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka quajtur vendimin francez si “një trampolinë për shkatërrimin e Izraelit, jo për paqe”. Nga ana tjetër, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e falënderoi Presidentin Macron për vendimin e tij “historik”.

Si po reagojnë vendet e tjera?

Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete, por nuk e ka njohur ende Palestinën si shtet. Berlini ka theksuar nevojën për armëpushim në Gaza dhe ndihmë humanitare urgjente.

Kanadaja dhe Australia kanë shprehur mbështetje për një zgjidhje paqësore, por nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë drejt njohjes. Kryeministri australian, Anthony Albanese, e ka quajtur situatën në Gaza një “katastrofë humanitare”.

Italia e ka kushtëzuar çdo njohje të Palestinës me njohjen reciproke të Izraelit nga pala palestineze. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi: “Një shtet palestinez që nuk e njeh Izraelin nuk zgjidh asgjë”.

Ndërkohë, Spanja një nga vendet që tashmë e njeh Palestinën, e ka përshëndetur vendimin francez. Kryeministri Pedro Sánchez tha: “Së bashku duhet të mbrojmë atë që Netanyahu po përpiqet të shkatërrojë. Zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje”.

Arabia Saudite gjithashtu e ka përgëzuar vendimin francez, duke u bërë thirrje shteteve të tjera të ndjekin shembullin.

The post Analizë / Çfarë sjell njohja e Palestinës si shtet, pse Starmer vendosi tani?! first appeared on JavaNews.al.

Bllokohet dorëzimi i bilanceve! Bizneset nën stres, sistemi i ngarkuar rrezikon procedurën jashtë afateve

By: A R
29 July 2025 at 21:29

31 korriku është afati i fundit kur bizneset dorëzojnë pasqyrat financiare, në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Por prej një muaji sistemi rezulton me probleme teknike dhe nuk pranon aplikimet.

Sipërmarrësit janë të shqetësuar, pasi afati final po shkon drejt përfundimit.

“Ne kemi rreth një muaj që përpiqemi të kryejmë aplikimin. Sistemi na nxjerr error, na bën crash nuk na pranon aplikimet. Janë shumë biznese që po hasin këtë problematikë në çdo orë të ditës. Nga autoritetet nuk kemi asnjë reagim mbi këtë problematike”, shprehet Adela Kanani, drejtore ekzekutive e Aleancës së Profesionistëve të Lirë.

Në rast të mos dorëzimit në kohë të pasqyrave financiare, ligji parashikon dhe penalitete, të cilat gjenerohen direkt nga sistemi.

“Nëse hyn data 1 gusht direkt në sistem gjenerohet gjoba e cila arrin në 60 mijë lekë. Ky është një presion i panevojshëm për të gjithë bizneset të cilët tentojnë në mënyrë të vazhdueshme që ta kryejnë këtë procedurë, por nuk munden. Madje sistemi nuk lë as gjurmë që ne e kemi provuar disa herë, pasi pas çdo problem teknik aplikimi nis nga e para”, sqaroi Kanani.

Dorëzimi i bilanceve bëhet nëpërmjet platformës E-Albania. Të kontaktuar mbi këtë problematikë, Agjencia Kombëtare e Teknologjisë dhe Informacionit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit tha se sistemi është në gjendje pune.

Aplikimet po depozitohen edhe pse sistemi ka ngarkesë. Por mbetet për tu parë deri në afatin final nëse të gjithë bizneset do të mund të përfundojnë në kohë këtë procedurë ligjore.

The post Bllokohet dorëzimi i bilanceve! Bizneset nën stres, sistemi i ngarkuar rrezikon procedurën jashtë afateve first appeared on JavaNews.al.

Gjykata në Hagë e refuzon kërkesën e Mlladiçit për lirimin nga burgu për arsye shëndetësore

By: A R
29 July 2025 at 21:22

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) e ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiqit për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se edhe pse vlerësimet mjekësore tregojnë se Mlladiq i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të gjithanshëm shëndetësor, gjë që është e dokumentuar në raportet mjekësore.

“Informacionet që kam në dispozicion tregojnë se rrethanat humanitare bindëse, të cilat Mlladiq i ka përmendur si arsye për lirimin, nuk janë vërtetuar”, thuhet në vendim.

Sipas gjykatës, Mlladiq nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute dhe terminale që do të mund të arsyetonte lirimin e tij. Për më tepër, ai është duke marrë kujdes mjekësor cilësor dhe të përshtatur me nevojat e tij specifike.

Gjykata thekson, gjithashtu, se janë ndërmarrë masa për t’i mundësuar atij kontakte të rregullta me familjen.

“Mbajtja e tij e mëtejshme në burg nuk përbën trajtim çnjerëzor apo degradues dhe, si e tillë, vazhdon t’i mbështesë parimet thelbësore të ndëshkimit që zbatohen për krimet për të cilat ai është dënuar. Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Më 2 qershor, përmes avokatëve të tij, Mlladiq kishte paraqitur kërkesë për lirimin e përkohshëm ose të parakohshëm, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me një sëmundje terminale dhe se i kishte mbetur pak kohë për të jetuar.

Mbrojtja pretendon se shërbimi shëndetësor i burgut i ka njoftuar Mlladiqin dhe familjen e tij se “nuk mund të shërohet” dhe se “jeta e tij matet në muaj”.

Në kërkesë thuhej gjithashtu se, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, nuk ekziston rrezik për arratisje dhe se, në rast të lirimit, ai do të qëndronte në Serbi.

Ratko Mlladiq ishte në arrati për gati 16 vjet para se të arrestohej në Serbi në maj të vitit 2011 dhe të ekstradohej gjashtë ditë më vonë në Hagë.

Ai u shpall fajtor për gjenocidin ndaj afro 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga OKB-ja në verën e vitit 1995, për ndjekje dhe zhvendosje të detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve në mbarë Bosnjën, për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe për mbajtjen peng të paqeruajtësve të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995.

Ai u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

The post Gjykata në Hagë e refuzon kërkesën e Mlladiçit për lirimin nga burgu për arsye shëndetësore first appeared on JavaNews.al.

“Kodi i ri Penal, rrezik censure”, juristët: Propozimet e reja rrezikojnë fjalën e lirë

By: A R
29 July 2025 at 21:16

Burg për komente që mund të ndikojnë vendimmarrjen e gjykatës si dhe për publikuesit që zbulojnë të dhëna sekrete të hetimit.

Këto janë disa nga ndryshimet që propozohen në Kodin Penal, të cilat po kundërshtohen në publik si një përpjekje për të kufizuar fjalën e lirë.

“Duket se ka një nxitim prej tyre duke mos marr parasysh rekomandimet e BE-sw dhe vendimet e Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut që lidhet me lirinë e fjalës. Kodi ynë penal është një nga më të ndryshuarit, duke bërë propozime pa u marr mendimi i ekspertëve, grupit të interesit, pa u bërë një parashikim se nëse bëjmë këto ndryshime ku do arrijmë? Kjo është shumë e rrezikshme. Ato propozime e masa dënimesh që shkon gjobë deri në 4 vite burg janë drastike. Forma represive e cila është aplikuar në këto nene”, shprehet avokati Olti Malasi.

Avokati Olti Malasi, vlerëson se neni i ri 536, i cili parashikon dënim me burg për komentet para dhënies së një vendimi gjyqësor që synojnë ndikimin në aftësinë e gjykatës, hap rrugë për censurë të çdo analize apo kritike të pavarur që ka në fokus proceset gjyqësore, sidomos ato me interes publik.

“Gjykata nuk mundet të ndikohet nga komente e deklarata. Gjykata është e pavarur dhe duhet të jap vendimin në bazë të provave që i paraqiten. Nuk është e arritshme të monitorohen komentet që bëjnë të gjithë njerëzit. Ne burokracitë i kemi të pafundme jo më të shtojmë edhe nene të tilla kush bën komente lart e poshtë, në rrjete sociale, televizione, apo në salla gjyqesh”, tha Malasi.

Propozimi për të penguar rrjedhjen e të dhënave të hetimit penal, mund të përdoret sipas ekspertëve për të ndëshkuar gazetarinë hulumtuese dhe për të ndaluar informacionin që i shërben interesit publik.

“Propozimi që i është bërë këtij neni është i përgjithshëm dhe lë vend për interpretime të ndryshme. Ne nuk mundet të konsiderojmë gjithë dosjen sekret hetimor. Është cenim në radhë të parë për mbrojtjen që duhet të ketë të gjitha aktet në dorë për një mbrojtje dinjitoze; por gjithashtu edhe publiku në çështje të caktuara duhet të informohet”, shpjegoi avokati.

Avokatët paralajmërojnë se do të kërkojnë rishikimin e dispozitave dhe mendojnë se është nevoja e një debati të gjerë publik përpara miratimit në Kuvend.

The post “Kodi i ri Penal, rrezik censure”, juristët: Propozimet e reja rrezikojnë fjalën e lirë first appeared on JavaNews.al.

“Goditi shefin me shkelm”, Policia përgënjeshtron qytetarin që doli në media

By: A R
29 July 2025 at 21:08

Policia e Shtetit ka reaguar pas një deklarate në media të shtetasit A. (E.) M., i cili pretendon se ishte viktimë e një incidenti të ndodhur më 17 janar 2024 në Rrëshen.

Sipas Policisë, qytetari u ndalua për kontroll dhe refuzoi të bashkëpunonte me efektivët, duke shfaqur sjellje agresive dhe provokuese.

Në reagimin zyrtar, thuhet se në komisariat ai ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj shefit të Komisariatit, Klodian Kondi, dhe punonjësve të tjerë.

“Pamjet filmike janë dorëzuar tek Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe rasti është në gjykim në Lezhë”, thekson Policia, duke shtuar se zbaton ligjin me paanshmëri dhe mbron integritetin e efektivëve të saj.

“Në ambientet e brendshme të Komisariatit, shtetasi A. (E) M. reagoi me dhunë fizike, fillimisht duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë, e më pas duke tentuar të godasë me grusht Shefin e Komisariatit, Kryekomisar Klodian Kondi, si dhe duke e goditur atë me shkelm në pjesën e gjymtyrëve, në prani të disa punonjësve të tjerë“, thuhet më tej.

Kondi ka bërë kallëzim penal për “goditje për shkak të detyrës” dhe “kanosje”. Ngjarja është aktualisht në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë.

The post “Goditi shefin me shkelm”, Policia përgënjeshtron qytetarin që doli në media first appeared on JavaNews.al.

Starmer paralajmëroi njohjen e shtetit palestinez, Trump: Po bën të njëjtën gjë si Macron, por…

By: B K
29 July 2025 at 21:01

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka deklaruar se nuk e ka diskutuar kurrë planin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetësinë palestineze me kryeministrin britanik Keir Starmer, duke shtuar se SHBA-të “nuk janë në atë kamp”.

Presidenti, duke u kthyer në Uashington pas vizitës në Skoci gjatë fundjavës, tha se deklarata e Starmer ishte e ngjashme me atë të Emmanuel Macron të Francës.

“Ai në thelb po thotë të njëjtën gjë si Macron dhe kjo është në rregull. Nuk do të thotë që unë duhet të pajtohem”, tha ai.

Trump tha gjithashtu se administrata e tij do të merret me Izraelin për krijimin e qendrave ushqimore në Gaza.

Ai u tha gazetarëve se foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dy ditë më parë dhe se ky i fundit sipas tij “dëshiron të sigurohet që paratë të shpenzohen mirë dhe ushqimi të shpërndahet siç duhet” në Gaza.

“Mendoj se Izraeli dëshiron ta bëjë këtë, në fakt”, thotë ai. “Mund t’ju them se ata duan ta bëjnë, nuk duan që Hamasi të vjedhë paratë ose ushqimin. Nëse e bëjnë dhe me të vërtetë duan ta bëjnë, do të bëjnë një punë të mirë.”

The post Starmer paralajmëroi njohjen e shtetit palestinez, Trump: Po bën të njëjtën gjë si Macron, por… first appeared on JavaNews.al.

“Më bëtë meme”, ish-Ceo i Astronomer po planifikon padi ndaj Coldplay

By: B K
29 July 2025 at 20:55

Një përqafim i kapur nga kamera gjatë një koncerti të Coldplay mund të shndërrohet në një betejë të bujshme ligjore me pasoja të papritura për grupin legjendar britanik.

Andy Byron, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë “Astronomer”, është në prag të ngritjes së një padie ndaj Coldplay dhe organizatorëve të koncertit, duke i akuzuar për cenim të privatësisë, dëmtim të imazhit dhe shkaktim të shqetësimit emocional, pas incidentit që u bë viral në rrjetet sociale.

Ai madje pretendon se është kthyer në objekt talljeje globale, për shkak të asaj që ai e cilëson si një inskenim publik të turpshëm.

Sipas burimeve për “Page Six”, Byron po mendon të ndërmarrë veprime ligjore pasi pamjet që e tregonin atë duke përqafuar Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore në “Astronomer”, u transmetuan në ekranin gjigant të koncertit dhe më pas u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.

Ai thuhet se fajëson liderin e grupit Coldplay, Chris Martin, për komentin që ky i fundit bëri gjatë koncertit, ku dyshja u paraqit si në një “aventurë romantike”. Një avokat i specializuar për çështje civile, Camron Doëlatshahi nga MSD Lawyers, deklaroi për “Page Six” se nëse Byron vendos të padisë, ai mund të mbështetet edhe në pretendimin për shpifje, duke u përqendruar në mënyrën si Martin e karakterizoi marrëdhënien mes tij dhe Cabot.

“Një pretendim i mundshëm mund të jetë për shpifje, sidomos nëse zoti Martin ka sugjeruar publikisht një lidhje jashtë pune mes dy kolegëve,” u shpreh Doëlatshahi.

Ndërkohë, një burim pranë “Byron” u shpreh: “Ai nuk dha pëlqimin për t’u filmuar apo për t’u ekspozuar publikisht në atë mënyrë. Mendon se Coldplay e shndërroi në një meme pa dëshirën e tij. Për të provuar shpifjen, Byron duhet të vërtetojë se nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënieje intime me Cabot”, theksoi avokati.

Ngjarja ka shkaktuar jo vetëm trazira personale për Byron, por edhe pasoja profesionale, pasi ai është larguar tashmë nga kompania që drejtonte. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Coldplay apo përfaqësuesit e tyre ligjorë.

The post “Më bëtë meme”, ish-Ceo i Astronomer po planifikon padi ndaj Coldplay first appeared on JavaNews.al.

Tiranë -Prishtinë, segmenti ajror i munguar në zemër të kombit dhe tregut

By: Java News
29 July 2025 at 19:55

Nga Feliks Baci

“Një distancë e shkurtër, një ndërprerje fluturimesh dhe një mungesë e gjatë…”

Sot pas hapjes së korridorit ajror midis Shqipërisë dhe Kosovës — falë përpjekjeve të qeverive respektive dhe mbështetjes së NATO-s — fluturimi nga Tirana në Prishtinë zgjat vetëm 17 minuta. Kjo është një kohë simbolike, që dëshmon për afërsinë fizike dhe shpirtërore të dy vendeve tona, por edhe për një mundësi të madhe ende të pashfrytëzuar.

Një histori që lindi nga përkushtimi dhe kushtrimi

Lidhja ajrore Tiranë–Prishtinë lindi menjëherë pas luftës. Në një kohë kur ende ndihej aroma e barutit, aeroporti i Prishtinës (Sllatina) kontrollohej nga forcat ruse, që kishin mbërritur të parat në një nga lëvizjet më simbolike të tensionit ushtarak në rajon. Bashkë me z. Remzi Ejupi, simbol i kësaj përpjekjeje, dhe me ndihmën e z. Xhavit Haliti (në bashkëpunim me një gjeneral britanik), u punua për të marrë një leje të posaçme për fluturime civile.  Fillimisht leja u dha per fluturime humanitare nga Gjeneva në Prishtinë, përmes Albanian Airlines.

Leja per operime ajrore nga Tirana per ne Prishtine  u sigurua me argumentin se do të përdornim një avion rus Tupolev 134, gjë qe per fat ndikoi në tejkalimin e skepticizmit rus. Kështu nisi një “urë ajrore” që për një kohë të shkurtër u bë lidhja më e shpejtë, më e sigurt dhe më e domosdoshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Fluturimet zhvilloheshin me ritme të qëndrueshme — nga 7–9 në javë — edhe pse Serbia nuk jepte  shërbim navigacional mbi Kosovë, çka e detyronte rrugën ajrore të kalonte përmes Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, klima ekonomike ishte e favorshme dhe optimiste. Shumë biznese nga  shqiperia zhvendosën aktivitetin në Prishtinë, ndërsa lidhjet ndërkombëtare u konsoliduan përmes kësaj linje.

Rruga automobilistike, por jo zëvendësuese

Më pas, me ndërtimin e Rrugës së Kombit, nevoja për fluturime u zvogëlua. Transporti tokësor u bë më i lehtë dhe më ekonomik. Por ndërprerja e fluturimeve nuk mund të konsiderohet si një “zgjidhje përfundimtare”. Kjo është një anomali që nuk qëndron në një kontekst evropian modern, ku edhe distancat më të shkurtra trajtohen si lidhje strategjike për zhvillim.

Nevoja për rikthim të linjës ajrore

Lidhja ajrore Tiranë–Prishtinë duhet të rikthehet. Jo thjesht për arsye simbolike, por për shkak të nevojave reale të tregut,  të diplomacisë dhe levizjes  se qytetarëve të të dy vendeve.

Është e kuptueshme që kompanitë ajrore nuk do të operojnë në destinacione ku nuk ka leverdi ekonomike. Por kjo është pikërisht arsyeja pse nevojitet mbështetje institucionale.

Çfarë kërkohet konkretisht?

Një thirrje publike e përbashkët nga administratat respektive te aviacionit civil te Shqipërisë dhe te Kosovës për të promovuar linjën Tiranë–Prishtinë  dhe vv si interes strategjik dhe kombëtar.

Krijimi i një skeme mbështetëse (subvencioni) për 2 vitet e para të operimit, me ndihmën e fondeve të Komisionit Evropian.

Lehtesira aeroportuale nga te dy anet, ne çeshtje te perpunimit te udhetareve ne nje linje te detikuar te checkin- t dhe kalilit kufitar vetem me karta identiteti, ulje taksash ku hapesira rregullatore e lejon.

Përdorimi i mekanizmit PSO – Public Service Obligationm (Detyrim për Shërbim Publik), një instrument që BE e përdor për të subvencionuar linjat ajrore kur ato kanë vlerë publike, por mungesë fitimprurjeje tregtare.

PSO nuk është “ndihmë shtetërore” në kuptiminm klasik — është një mpërjashtim që lejon financimin e linjave të domosdoshme. Ëizz Air, për shembull, ka përfituar këtë status për linjën Budapest–Tiranë.

Kush mund te garoje ne rastin e aplikimit PSO ?

Të gjitha kompanitë ajrore shqiptare apo të rajonit te kenë mundësi të konkurrojnë për këtë linjë, përmes një procesi të hapur, transparent dhe me kritere të qarta.

Paralelisht, duhet të zhvillohet një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi në të dy anët e kufirit, për të rritur kërkesën dhe për të afirmuar këtë linjë si pjesë e një vizioni të përbashkët zhvillimi kombëtar dhe evropian.

Tirana dhe Prishtina janë më pranë se kurrë. Por fluturimi midis tyre duhet të jetë po aq i shpejtë dhe i natyrshëm sa vetë lidhja që na bashkon.

The post Tiranë -Prishtinë, segmenti ajror i munguar në zemër të kombit dhe tregut first appeared on JavaNews.al.

Mjeshtra të manipulimit! Tri shenjat e horoskopit që luajnë “viktimën” edhe kur kanë faj

By: B K
29 July 2025 at 19:47

Në marrëdhëniet tona, qofshin ato personale apo profesionale, frika nga vetmia mund të na shtyjë të luajmë viktimën, edhe kur është faji ynë. Megjithatë, disa shenja duket se e bëjnë këtë me një aftësi të veçantë.

Këto shenja shpesh kanë tendencë të nxjerrin në pah dramën dhe lotët, edhe kur faji u takon vetëm atyre.

Luani, i njohur për krenarinë dhe vetëbesimin e tij, zakonisht e mendon veten si të pagabueshëm. Kur përballet me një situatë ku është e qartë se ai ka faj, ai shpesh përdor strategji për të fajësuar të tjerët.  Ai përdor sharmin dhe retorikën e tij për të lëkundur opinionin e atyre që e rrethojnë në favor të tij, duke shmangur kështu marrjen e përgjegjësisë dhe duke u fokusuar që të tjerët të ndjejnë se ai është viktimë.

Akrepi, me natyrën e tij intensive pasionante, ka aftësinë të bindë të tjerët se ai është viktimë. Plagët e tij emocionale dhe tendencat shkatërruese shpesh e bëjnë atë të krijojë emocione negative rreth tij, duke shmangur kështu përgjegjësinë personale. Shirja e tij intensive e bën atë të shohë sulme kudo, ndërsa anashkalojë veprimet e tij që shkaktojnë dhimbje tek të tjerët.

Peshqit, të njohur për ndjeshmërinë dhe dhembshurinë e tyre, mund të jenë gjithashtu shumë manipulues në një nivel emocional. Ata kanë aftësinë të fitojnë simpatinë e të tjerëve dhe të paraqiten si viktima të pafajshme, edhe kur janë përgjegjës për situatën. Aftësia e tyre për të përmbysur realitetin dhe për t’i penguar ata që i rrethojnë është karakteristikë e tyre teksa përpiqen të rimarrin kontrollin e situatës.

The post Mjeshtra të manipulimit! Tri shenjat e horoskopit që luajnë “viktimën” edhe kur kanë faj first appeared on JavaNews.al.

❌
❌