Një vit më parë iu sekuestruan 2 mln euro pasuri, fierakut i konfiskohet edhe “Lambo”
Një vit pasi iu sekuestrua pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, ku përfshiheshin mijëra hektarë tokë, apartamente, vendparkim, 12 makina dhe llogari bankare, një 37-vjeçari në Fier, i është konfiskuar edhe një automjet luksoz.
Prokuroria e Fierit bën me dije se Arbër Muçës i është sekuestruar një automjet tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, i cili ishte transportuar nga Dubai në Shqipëri përmes personave të tretë.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në vijim të hetimeve në procedimin penal nr.1162, datë 15.10.2020 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, të shtetasit A.M.
Kjo prokurori ka regjistruar kryesisht procedimin pasuror nr.3 të vitit 2024, mbështetur në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe sekuestrimi i makinës luksoze erdhi një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe paluajtshme me vlerë rreth 2 milion Euro të shtetasit A.M. Automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10.07.2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë”, njofton organi i akuzës.
Sipas autoriteteve shqiptare 37-vjeçari dyshohet se i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë Shqipërisë.
Pasuritë e sekuestruara të Arbër Muçës:
– 2 sipërfaqe toke arë, në total 6831 m2, në Fier
– 3 sipërfaqe toke truall, në total 630 m2, në Fier
– Njësi shërbimi me sipërfaqe 200 m2, në Fier
– Njësi 2 kate me sipërfaqe 625 m2, në Fier
– Njësi me sipërfaqe 100 m2, në Fier
– Apartament me sipërfaqe 127 m2, në Tiranë
– 1 vendparkim në Tiranë
– 13 automjete (1 ‘Lamborgini Urus Mansory’)
– 2 llogari bankare me vlerë rreth 120 000 euro
The post Një vit më parë iu sekuestruan 2 mln euro pasuri, fierakut i konfiskohet edhe “Lambo” first appeared on JavaNews.al.