Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 June 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Sot është Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore, e përcaktuar si e tillë nga OKB-ja, me synimin të nxisë veprime për të ndihmuar në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga ushqimi, duke kontribuar në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, prosperitetin ekonomik, bujqësinë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Kjo ditë ndërkombëtare është një mundësi për të forcuar përpjekjet për të siguruar që ushqimi që hamë është i sigurt, për të përfshirë sigurinë ushqimore në agjendën publike dhe për të zvogëluar barrën e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi në nivel global.

Me rreth 600 milionë raste të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi çdo vit, ushqimi i pasigurt është një kërcënim për shëndetin e njeriut dhe ekonomitë, duke prekur në mënyrë disproporcionale njerëzit e cenueshëm dhe të margjinalizuar, veçanërisht gratë dhe fëmijët, popullatat e prekura nga konflikti dhe migrantët. Rreth 420 000 njerëz në të gjithë botën vdesin çdo vit pasi hanë ushqim të kontaminuar dhe fëmijët nën 5 vjeç mbajnë 40% të barrës së sëmundjeve që vijnë nga ushqimi, me 125 000 vdekje çdo vit.

Ushqimet e pasigurta që përmbajnë baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të dëmshme shkaktojnë më shumë se 200 sëmundje.

Vlerësimet e fundit tregojnë se ndikimi i ushqimit të pasigurt u kushton ekonomive me të ardhura të ulëta dhe të mesme rreth 95 miliardë dollarë amerikanë në humbje të produktivitetit, çdo vit.

Praktikat e mira të higjienës në sektorët e ushqimit dhe bujqësisë ndihmojnë në uljen e shfaqjes dhe përhapjes së sëmundjeve të transmetuara nga ushqimi.

OKB thotë se, siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët midis qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve. Të gjithë kanë një rol për të luajtur nga ferma në tryezë për të siguruar që ushqimi që konsumojmë është i sigurt dhe nuk do të dëmtojë shëndetin tonë. /j.p/

The post Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Promovohet libri i Bardhyl Demirajt, “Don Gjon Buzuku dhe ‘Meshari’ i tij”

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Komisioni i Përhershëm i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave, organizuan promovimin e librit “Don Gjon Buzuku dhe ‘Meshari’ i tij” i autorit Bardhyl Demiraj.

Prezantimi i librit kishte për synim të rikthente në qendër të vëmendjes rëndësinë e “Mesharit” si monumenti më i hershëm i gjuhës shqipe dhe kontributin e autorit Bardhyl Demiraj, i cili me këtë botim sjell një analizë të thelluar mbi figurën e Don Gjon Buzukut.

Në fjalën hapëse, prof. dr. Anila Omari, theksoi se studimet albanologjike dhe veçanërisht ato buzukiane pasurohen me monografinë e re të prof. Bardhyl Demirajt.

Prof. dr. Anila Omarit, u ndal te çështja e formimit teologjik-intelektual të Buzukut dhe te tekstet burimore që autori i monografisë ka identifikuar si modele mundshme të ‘Mesharit’. Ajo theksoi se hipoteza e aktivitetit të Buzukut në rajonin e Venecies si famullitar i Kishës së Shën Jobit është një mbështetje e rëndësishme për të kuptuar burimet dhe modelet që ai ka ndjekur në hartimin e veprës.

Ideja e autorit është që Buzuku u ndikua nga fryma e humanizmit të krishterë të kohës dhe vendit ku ai veproi, duke e pozicionuar Buzukun në rrethin e intelektualëve humanistë të diasporës shqiptare të shekujve XV-XVI si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Gjon Gazulli, Dhimitër Frangu etj.

Prof. Omari përfundoi fjalën e saj duke theksuar se monografia shënon një etapë të re në studimet buzukiane dhe njëkohësisht hap rrugën për hulumtime të mëtejshme sipas një metode filologjike të përvijuar saktë e tashmë të sprovuar me rezultate konkrete. /j.p/

 

1 nga 5

The post Promovohet libri i Bardhyl Demirajt, “Don Gjon Buzuku dhe ‘Meshari’ i tij” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Heart & Bread” promovon librin e arkitektit Stefano Boeri dhe regjisorit Amos Gitai

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Në edicionin e dytë të festivalit “Bukë dhe Zemër” (Bread & Heart), pikëtakimin e arkitekturës, kulturës dhe zhvillimit urban, u bë dhe promovimi i librit “A Private Glossary”, të autorëve Stefano Boeri dhe Amos Gitai.

Libri është një vepër që ndërthur arkitekturën, kinemanë, kujtesën dhe reflektimin mbi botën bashkëkohore. Ai është rezultat i një dialogu shumëvjeçar mes arkitektit italian Stefano Boeri dhe regjisorit izraelit Amos Gitai, sjellë në formën e një “fjalori personal” me tema që lidhen me identitetin, qytetin, kujtesën, familjen, migrimin, kulturën dhe sfidat e kohës sonë.

Përmes përvojave personale dhe profesionale të dy autorëve, vepra ofron një reflektim të thellë mbi marrëdhënien mes hapësirës, historisë dhe njeriut, duke e kthyer librin në një dialog unik mes arkitekturës dhe artit.

Në ceremoninë e promovimit ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të MTKS në projektet më të rëndësishme kulturore të vendit: Xaveer De Geyter (XDGA), i angazhuar në QKKF dhe Bibliotekën Kombëtare, si dhe drejt kualifikimit për Muzeun e Pavarësisë; Bjarke Ingels (BIG), për godinën e re të Teatrit Kombëtar; Toni Gironès, për Muzeun Arbëresh; Beat Huesler (Oppenheim Architecture), për Muzeun Besa; Stefano Boeri, për projektin e Amfiteatrit të Durrësit; Emre Arolat, për TID Elbasan; Casanova + Hernandez, për Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun e Artit Islamik; Kimmel Eshkolot Architects, për Muzeun Hebraik; Johan Anrys (51N4E), autor i disa projekteve të institucioneve e sektorit kulturor, si dhe Ralph Appelbaum, i angazhuar në konceptimin muzeal të Muzeut Besa, Muzeut Hebraik dhe Piramidës.

Ministri Gonxhja u shpreh se, prania e tyre në Tiranë konfirmon rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në realizimin e projekteve që po transformojnë peizazhin kulturor e turistik të Shqipërisë. /j.p/

The post “Heart & Bread” promovon librin e arkitektit Stefano Boeri dhe regjisorit Amos Gitai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrëmje e paharrueshme në Tiranë me legjendën e muzikës elektronike, Black Coffee

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Legjenda e muzikës elektronike, Black Coffee, ka mbajtur një koncert në pistën e atletikës pranë Liqeni Artificial i Tiranës, duke sjellë për publikun shqiptar një mbrëmje të veçantë verore, me ritme elektrizuese.

Black Coffee është fituesi i çmimit Grammy Awards dhe një nga emrat më të vlerësuar të skenës ndërkombëtare të muzikës elektronike. Ai interpretoi disa prej krijimeve të tij më të njohura, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme për të pranishmit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli pamje nga koncerti, i cili, siç duket dhe nga pamjet, tërhoqi një numër të madh adhuruesish të muzikës elektronike.

Ky koncert por edhe të tjera evente të kësaj natyre janë duke e kthyer Tiranën në një nga qendrat kryesore të skenës muzikore të rajonit, duke qenë se artistë të këtij kalibri kanë potencialin të tërheqin publik edhe nga vendet fqinje dhe më gjerë.

Pas Black Coffee, Tirana përgatitet të presë një tjetër event edhe më të fuqishëm, siç pritet të jetë koncerti i Kanye West i cili do të zhvillohet në muajin korrik dhe për të cilin po ndërtohet enkas një stadium. Koncerti i planifikuar i Ye (Kanye West) në Tiranë, më 11 korrik 2026, është promovuar si një event ndërkombëtar dhe organizatorët presin pjesëmarrës nga rajoni dhe vende të tjera evropiane. /j.p/

The post Mbrëmje e paharrueshme në Tiranë me legjendën e muzikës elektronike, Black Coffee appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Mjedisit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Sot është Dita Botërore e Mjedisit.

E udhëhequr nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe e mbajtur çdo vit më 5 qershor, që nga viti 1973, Dita Botërore e Mjedisit është platforma më e madhe globale për ndërgjegjësimin mjedisor.

“Dita Botërore e Mjedisit 2026 na kujton se ende kemi kohë për të ndryshuar kursin. Toka po na dërgon sinjale. Pyetja është: çfarë sinjali do të dërgojmë në këmbim?”, shkruan OKB në faqen e saj zyrtare.

OKB kujton se planeti ynë, Toka, po na flet përmes temperaturave rekord, zjarreve më intensive, stuhive ekstreme dhe akullnajave që zhduken para syve tanë.

Për vite me radhë, kemi thënë se kufizimi i ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius është thelbësor për të shmangur ndikimet më të këqija të ndryshimeve klimatike. Sot, ky prag është shumë afër tejkalimit. Ndryshimi i klimës nuk përbën më një kërcënim të ardhshëm: ai po riformëson jetën në të gjithë planetin.

Gjithsesi OKB thotë se, komunitetet po rivendosin ekosistemet. Të rinjtë po nxisin ndryshimin, energjia e pastër po transformon qytetet dhe shtëpitë. Zgjidhjet e qëndrueshme tashmë po ndërtojnë një të ardhme të ndryshme.

Për ta mbajtur ngrohjen globale nën 1,5° Celsius këtë shekull, duhet të përgjysmojmë emetimet vjetore të gazrave serrë deri në vitin 2030. Pa veprime, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit përtej udhëzimeve të sigurta do të rritet me 50% brenda dekadës dhe mbetjet plastike që derdhen në ekosistemet ujore pothuajse do të trefishohen deri në vitin 2040. Kështu që, nevojiten veprime urgjente për të adresuar këto çështje urgjente.

/j.p/r.e/

The post Dita Botërore e Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozita “Drawing Life” e arkitektit me famë ndërkombëtare Gaetano Pesce

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, u çel një ekspozitë me veprat e arkitektit dhe dizajnerit të mirënjohur italian, Gaetano Pesce.

Veprat janë ekspozuar në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), ku do të qëndrojnë në dispozicion të publikut për një muaj, prej sot e deri më 4 korrik.

Ekspozita “Drawing Life” e Gaetano Pesce-s, vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane dhe ka mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si edhe të Ambasadës Italiane në Shqipëri.

Në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës të “Drawing Life” (“Të vizatosh jetën”) të pranishmit mundën të eksploronin përmes 41 vizatimeve dhe 6 vazove të përzgjedhura, universin krijues të një prej figurave më të rëndësishme të dizajnit dhe arkitekturës bashkëkohore ndërkombëtare, përmes vizatimeve dhe objekteve që sfidojnë konvencionet e artit dhe arkitekturës. I pranishëm në inaugurimin e ekspozitës ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Ekspozita hapi një dritare drejt universit krijues të Gaetano Pesce-s, ku arti nuk njeh kufij dhe forma shndërrohet në një shprehje të lirë të mendimit. Përmes veprave të ekspozuara, vizitorët zbuluan një qasje unike që ndërthur lirinë artistike, eksperimentimin dhe inovacionin në formë dhe material. /j.p/

The post Ekspozita “Drawing Life” e arkitektit me famë ndërkombëtare Gaetano Pesce appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

100-vjetori i lindjes së tenorit të shquar Ibrahim Tukiçi

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ 4 qershori shënon 100-vjetorin e lindjes së Ibrahim Tukiçit (1926–2004), një prej tenorëve më të shquar që ka njohur Shqipëria, figurë e rëndësishme si për muzikën operistike ashtu edhe për atë popullore shqiptare.

Ibrahim Tukiçi lindi në qytetin e Shkodrës, por u formua artistikisht në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Me kthimin në atdhe Tukiçi u bë solist i Teatrit të Operës dhe Baletit duke interpretuar role të shumta në opera të njohura shqiptare dhe botërore.

Interpretoi role në operat “Rigoletto”, “Madama Butterfly”, “Cavalleria Rusticana”, “Nusja e shitur”, “Mrika”, “Pranvera”, “Lulja e Kujtimit”, “Zgjimi”, “Goca e Kaçanikut”, “Borana” etj. Por ai u bë shumë i dashur për publikun me interpretimet e këngëve qytetare shkodrane dhe u nderua me titujt Artist i Merituar dhe Artist i Popullit për kontributin e tij në kulturën shqiptare.

Shumë e konsiderojnë ende Ibrahim Tukiçin si një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare të shekullit të 20-të. Ai u nda nga jeta në Tiranë më 24 maj 2004, duke lënë pas djemtë Davidin dhe Gencin, edhe ata artistë që ecin në gjurmët e të atit. /j.p/

The post 100-vjetori i lindjes së tenorit të shquar Ibrahim Tukiçi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amos Gitai, mbështetës e optimist për reformën e re të kinemasë shqiptare

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Në Kinema Millennium u shfaq filmi “Free Zone”, në praninë e vetë autorit, regjisorit me famë botërore Amos Gitai.

Amos Gitai është një regjisor, skenarist dhe producent izraelit, i njohur ndërkombëtarisht për filmat e tij që trajtojnë tema si konflikti izraelito-palestinez, lufta, identiteti, emigracioni dhe kujtesa historike.

Gitai u prit nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja si dhe prej drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.

Ministri Gonxhja e cilësoi regjisorin “si një ndër artistët më të rëndësishëm izraelitë, krijimtaria e Gitai-t i kalon kufijtë e ekranit, duke u kthyer në një urë frymëzimi për dialogun dhe humanizmin në Lindjen e Mesme”.

Kreu i MTKS-së tha se, gjatë këtij takimi u diskutua për të ardhmen dhe hapat e rëndësishëm që po ndërmerren.

“Eksploruam mundësi konkrete për projekte të përbashkëta që kanë potencialin ta vendosin Shqipërinë në qendër të hartës së kinemasë botërore”, tha Gonxhja.

Gjithashtu, biseda u fokusua te projektligji i ri i Kinemasë dhe Audiovizualit, një draft i cilësuar nga ministri si, jetik për ta kthyer filmin shqiptar në një zë të fortë e të pavarur ndërkombëtar, si dhe për të hapur dyert e bashkëprodhimeve të rëndësishme.

/j.p/

The post Amos Gitai, mbështetës e optimist për reformën e re të kinemasë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më shumë se 29 mijë vizitorë gjatë majit në Kalanë e Shkodrës

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Kalaja e Shkodrës, siti i trashëgimisë historike rrethuar nga panoramat mahintëse të maleve përreth dhe liqenit, gjatë muajit maj u vizitua nga mbi 29 mijë turistë vendas dhe të huaj.

Shifrën e bëri të ditur Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, ndërkohë që sipas statistikave të saj prej fillimit të vitit e deri më tani (1 janar-31 maj), Kalaja e Rozafës është vizituar nga 62748 persona.

Shkodra është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në veri të Shqipërisë, e njohur për historinë, kulturën dhe natyrën e bukur. Qyteti ndodhet pranë liqenit më të madh në Ballkan dhe shërben si portë hyrëse drejt Alpeve Shqiptare. Kuzhina lokale është e njohur veçanërisht për gatimet me krap nga Liqeni i Shkodrës dhe produktet tradicionale të zonës.

Ndër atraksionet kryesore turistike të zonës padyshim që e para renditet Kalaja e Rozafës e pas saj Liqeni i Shkodrës, Muzeu “Marubi”, Ura e Mesit etj. Sa i përket turizmit natyror, prej Shkodrës mund të vizitohen lehtësisht Shiroka, Vermoshi, Razma e Thethi, zona që ofrojnë ecje malore, peizazhe alpine, bujtina tradicionale dhe eksperienca autentike. /j.p/

The post Më shumë se 29 mijë vizitorë gjatë majit në Kalanë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eslin Kurti fiton në Shkodër, do të prezantojë Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest”

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Festivali i 64-t Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër u mbyll me fitoren e Eslin Kurtit (në kategorinë 9-14 vjeç), me titull “Kërce me mua”.

Eslin Kurti do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest” në Maltë që do të mbahet më 24 tetor. Kënga fituese ka si autorë Rei Bezhanin, kompozitor Eriona Rushitin, tekstshkruese. Çdo vit, ky festival bashkon talente të reja jo vetëm nga Shqipëria e Kosova por edhe nga trevat e tjera shqipfolëse dhe diaspora.

Fituesit e kategorisë Junior janë:

  1. Eslin Kurti – “Kërce me mua”
  2. Aria Kolaveri – “Dua ta marr globin në krahë”
  3. Laura Spahiu – “Nëse beson”

Fituesit e kategorisë Te Vegjlit janë:

  1. Ajri Drishti – “Nuk kam ku luj”
  2. Maria Kalaja – “Çika-çika, Çikalore”
  3. Klea Shkreli – “Kush e shkroi”

Tri netët e Festivalit të Fëmijëve sollën atmosferë festive në Shkodër, ku në skenë u prezantuan krijime të reja, të interpretuara live. /j.p/

The post Eslin Kurti fiton në Shkodër, do të prezantojë Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koleksioni origjinal i Gjon Milit, në Muzeun “Marubi”

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është duke përgatitur ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, e cila do të çelet për publikun më 12 qershor.

Ekspozita paraqet për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit (1904–1984), fotograf dhe inxhinier ndriçimi me famë botërore, i cili njihet si një nga pionierët e fotografisë së shpejtë (stroboskopike) dhe si fotografi i preferuar i yjeve të Hollivudit dhe artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, përfshirë Pablo Pikason.

Gjon Mili, i lindur në Korçë në vitin 1904, emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nisi në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj qasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku hulumtoi mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike.

Muzeu “Marubi” thotë se, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar, pasi origjina shqiptare e Gjon Milit mbetet thelbësore në narrativën e tij, edhe pse e ndërtoi karrierën në SHBA.

Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në kujtesën artistike shqiptare. Kjo ekspozitë

Ekspozita, e kuruar nga Howard Greenberg, mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. /j.p/

The post Koleksioni origjinal i Gjon Milit, në Muzeun “Marubi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja do të prezantojë Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u bëri sot ftesë qytetarëve për të qenë pjesë e konsultimit publik në prezantimin e Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, për t’u njohur me vizionin për zhvillimin e kulturës në vitet e ardhshme.

Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026–2030 do të prezantohet nesër (3 qershor). Ministri Gonxhja tha se, ajo është rezultat i një procesi të gjerë bashkëpunimi që ka përfshirë ekspertë, profesionistë të kulturës, artistë, institucione, organizata dhe komunitetet kulturore.

“I udhëhequr nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondazione Santagata, procesi ka synuar të ndërtojë një vizion të përbashkët për të ardhmen e kulturës shqiptare”, u shpreh kreu i MTKS.

Strategjia përcakton vizionin, objektivat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e sektorit kulturor në periudhën 2026–2030, duke e vendosur kulturën në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Kjo strategji e konsideron kulturën si një forcë nxitëse për rritjen ekonomike, fuqizimin e kohezionit social, zhvillimin e industrive kreative dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

The post Gonxhja do të prezantojë Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Netët Korçare të Poezisë” uli siparin e edicionit të 30-të

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Qyteti i Korçës përmbylli Festivalin Ndërkombëtar të Poetëve dhe Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”, aktivitet të cilin kryebashkiaku Sotiraq Filo e cilësoi si një festë e vërtetë e fjalës së bukur në zemër të qytetit.

Ky ishte edicioni i 30-të i këtij aktiviteti.

“Për dy net me radhë, poetë nga e gjithë bota dhe Shqipëria ndanë me ne vargje që prekin shpirtin dhe i japin dritë ndjeshmërisë njerëzore”, u shpreh Sotiraq Filo i cili falënderoi pjesëmarrësit që e ngritën lart nivelin artistik të “Netëve të poezisë”.

Në këtë edicion morën pjesë 30 poetë e poetesha nga Shqipëria, trevat shqipfolëse dhe Evropa. Ata sollën prurjet më të mira, si dhe një shkëmbim mbresëlënës përvojash dhe eksperiencash letrare e poetike.

Poetesha Rita Petro dhe juria profesionale e festivalit ndanë këto çmime:

ION Deaconescu – Rumani, çmim i “Netëve Korçare”

Odise Kote – Shqipëri, çmimi “Dritëro Agolli”

Claudia Piccino – Itali, çmimi “Asdreni”

Petro Golitsis – Greqi, çmim special.

“Netët e Poezisë” tashmë janë kthyer në një dëshmi të gjallë se kultura është dhe mbetet një nga shtyllat më të forta të identitetit qytetar korçar. /j.p/

The post “Netët Korçare të Poezisë” uli siparin e edicionit të 30-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Globale e Prindërve

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, sot është Dita Globale e Prindërve e shpallur si e tillë që në vitin 2012, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në nder të prindërve në të gjithë botën.

Gjatë viteve 1980, Kombet e Bashkuara filluan të përqendronin vëmendjen në çështjet që lidhen me familjen. Në vitin 1983, Komisioni për Zhvillim Social i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të rriste ndërgjegjësimin midis vendimmarrësve dhe publikut për problemet dhe nevojat e familjes, si dhe për mënyrat efektive për përmbushjen e këtyre nevojave.

Sot UNICEF-i lançoi Ditën Globale të Prindërve nën temën “Së bashku për prindërit”.  UNICEF thekson rëndësinë e kohës dhe mbështetjen që prindërit ose kujdestarët kanë nevojë për t’u dhënë fëmijëve si një fillim i fortë në jetë.

UNICEF thotë se, të jesh prind është një nga përvojat më universale, por nuk është diçka e lehtë. Ky mision ka sfidat e veta edhe shumë kohë para se fëmijët të lindin.

Fushatat dhe programet edukative organizohen gjerësisht për prindërit dhe për të inkurajuar stabilitetin brenda bërthamës familjare. /j.p/

The post Dita Globale e Prindërve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sami Frashëri, iluministi që frymëzoi Rilindjen Kombëtare

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Iluministi dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, lindi më 1 qershor 1850, në Frashër të Përmetit.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ku mësoi disa gjuhë të huaja, si greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe italishten.

Më 1872 u vendos në Stamboll, ku nisi veprimtarinë si gazetar, shkrimtar dhe studiues, duke ndërthurur veprimtarinë intelektuale me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Si bashkëthemelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe një nga drejtuesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lëvizjes kulturore shqiptare.

Kryevepra e tij mbetet botimi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i botuar më 1899 në Bukuresht. Në këtë vepër ai shprehu idetë e tij demokratike për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, si edhe për përparimin e arsimit, kulturës dhe shkencës. 57 veprat e botuara në disa gjuhë të botës dhe 20 mijë vëllimet e bibliotekës së tij personale e bëjnë atë një nga enciklopedistët më të mëdhenj shqiptarë.

Edhe pse u izolua nga autoritetet osmane për veprimtarinë e tij thellësisht pro lëvizjes kombëtare shqiptare, Sami Frashëri vijoi punën e cila ndriçoi rrugën e vendit drejt pavarësisë.

Sami Frashëri u u nda nga jeta në Stamboll më 1904, duke lënë pas një pasuri të çmuar në fushën e mendimit patriotik shqiptar. /j.p/

The post Sami Frashëri, iluministi që frymëzoi Rilindjen Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga uzina te skena, grupet artistike amatore në socializëm në arkivin e ATSH

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Para viteve ’90, arti konsiderohej si një aktivitet i domosdoshëm i klasës punëtore.

Për këtë qëllim ishin ngritur një sërë grupesh artistike amatore të ndërmarrjeve, uzinave, kooperativave, madje edhe të reparteve ushtarake.

Nga arkivi i pasur i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) përzgjodhëm disa foto ku shfaqen punonjës gjatë kursit për specializim si baletmaestro për grupe diletantësh. Fotografitë i përkasin vitit 1968.

Në periudhën socialiste pothuajse çdo institucion kishte grupin e vet amator artistik. Këto grupe përbëheshin nga këngëtarë, valltarë, aktorë humori etj. Përveç se interpretonin përpara kolegëve të tyre, këta artistë amatorë përfaqësonin institucionin në aktivitete si spartakiada kulturore, koncertet e majit etj. Shumë artistë të njohur shqiptarë kanë dalë pikërisht nga këto grupe amatore, ku aktivizoheshin para se të bëheshin profesionistë.

Para viteve ’90 ekzistonin edhe festivale kombëtare të teatrove amatore si edhe festivale folklorike të ndërmarrjeve.

Fotoarkiv ATSH
1 nga 6

/a.f/r.e/

The post Nga uzina te skena, grupet artistike amatore në socializëm në arkivin e ATSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, Dita Botërore Pa Duhan

TIRANË, 31 maj/ATSH/ 31 Maji është Dita Botërore Pa Duhan.

Kjo ditë informon publikun mbi rreziqet e përdorimit të duhanit, praktikat e biznesit të kompanive të duhanit, çfarë po bën Organizata Botërore e Shëndetësisë për të luftuar epideminë e duhanit dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për jetë të shëndetshme dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm.

Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë krijuan Ditën Botërore Pa Duhan në vitin 1987 për të tërhequr vëmendjen globale ndaj epidemisë së duhanit, vdekjeve dhe sëmundjeve të parandalueshme që ajo shkakton.

Industritë e duhanit dhe nikotinës i projektojnë produktet e tyre në mënyrë që të fusin të rinjtë në një cikël varësie. Por OKB thotë se, kontrolli i varësisë nga duhani dhe nikotina mund të thyhet.

Efektet negative shëndetësore të duhanit çojnë në më shumë se 8 milionë vdekje çdo vit në mbarë botën, përfshirë 1,2 milionë joduhanpirës por të ekspozuar ndaj duhanit që tymosin të tjerët.

/r.e/

The post Sot, Dita Botërore Pa Duhan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Bijtë e Skënderbeut”, fotografitë e vitit 1968 të operës me këngëtarë amatorë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell në vëmendje fotot e rralla të vënies në skenë të operës “Bijtë e Skënderbeut”.

Opera u vu në skenën e Pallatit të Kulturës ”Aleksandër Moisiu” të Durrësit, edhe pse ky qytet nuk kishte trupë opere. Shfaqja u realizua në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Fotografitë janë realizuar në janar të vitit 1968, në Durrës.

Opera pati sukses, duke u shfaqur dhjetëra herë në disa qytete të vendit si Durrës, Tiranë, Shkodër, Elbasan e Korçë. Për realizimin e saj u angazhuan 200 artistë amatorë të qytetit të Durrësit. Opera pati dy kore, ai i të rriturve dhe ai i fëmijëve me pionierë të shkollave të Durrësit. Vetëm drejtuesit artistikë ishin profesionistë, si për shembull Jorgjie Truja, Koço Uci, Enver Plaku, Pjetër Dungu etj.

“Bijtë e Skënderbeut” u kompozua nga Abdulla Grimci, me libret të Matish Gjelucit. Dirigjent ishte i mirënjohuri Ermir Dizdari.

1 nga 8
atsh - 1
atsh - 2
atsh - 6

/a.f/r.e/

The post “Bijtë e Skënderbeut”, fotografitë e vitit 1968 të operës me këngëtarë amatorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kori i Teatrit të Operas do të këndojë shqip në Itali

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Kori i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të këndojë shqip në Savigliano, rajoni i Piemontes në Itali.

Performanca vjen në kuadër të Festivalit të 36-të Ndërkombëtar të Kantos Korale “Sergio Chiarlo”, aktivitet i cili zhvillohet në datat 5-7 qershor 2026.

Pas triumfit të baletit “Carmen” në Bologna, në 23 dhe 24 maj, ku performuan Anbeta Toromani, Adela Muçollari, Alessandro Macario, Dion Gjinika dhe Luca Curreli, tashmë është radha e korit të TKOBAP të përfaqësojë Shqipërinë në një kompeticion ndërkombëtar.

Në këtë festival prestigjioz, ku marrin pjesë kore nga vende të ndryshme të botës, kori ynë do të interpretojë një repertor tërësisht shqiptar, duke sjellë në skenën italiane tingullin, traditën dhe shpirtin e muzikës shqiptare.

Festivali do të kulmojë me interpretimin e përbashkët të momenteve nga opera “Nabucco”, ku të gjitha koret pjesëmarrëse do të bashkojnë zërat në një mbrëmje të veçantë muzikore.

1 nga 5

/r.e/a.f/

The post Kori i Teatrit të Operas do të këndojë shqip në Itali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferencë shkencore për pasuritë ujore në hapësirën mbarëshqiptare

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Në Prishtinë ka nisur punimet konferenca III ndërkombëtare shkencore dyditore me temë: “Uji si burim i energjisë dhe mbrojtja e mjedisit: Balanca drejt së ardhmes së qëndrueshme”.

Kjo veprimtari organizohet në kuadër të bashkëpunimit institucional ndërmjet Akademisë së Shkencave e të Arteve e Kosovës (AShAK) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh).

Konferenca ka bërë bashkë studiues të njohur, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të institucioneve shkencore nga Shqipëria dhe Kosova.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ndërkombëtar është diskutimi i qasjeve shkencore mbi menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore, zhvillimin e energjisë së rinovueshme, mbrojtjen e ekosistemeve mjedisore, si dhe aplikimin e teknologjive inovative për monitorimin dhe trajtimin e ndotësve në ujë.

Tematikat kryesore të punimeve të konferencës, përfshijnë burimet ujore dhe potencialin energjetik në rajon, energjitë e rinovueshme dhe strategjitë për ruajtjen e energjisë, teknologjitë e avancuara për trajtimin e ujit dhe eliminimin e ndotësve, si dhe menaxhimin e integruar të ujërave në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Prof. Zydi Teqja, anëtar i njësisë “Pasuritë ujore” pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti referatin kryesor.

Në kuadër të projekteve kërkimore-shkencore të kësaj njësie, u paraqitën kumtesat dhe rezultatet e studimeve nga akad. Besnik Baraj, prof. Adem Bekteshi, prof. Valbona Kolaneci, prof. Amilda Ballata, dr. Rozarta Nezaj, prof. Edlira Tako, dr. Orjada Hyska, dr. Ervis Krymbi dhe msc. Ana Ameda.

Punimet e konferencës vijojnë me platformën për rekomandimet politikëbërëse dhe strategjike në menaxhimin e pasurive ujore në hapësirën mbarëshqiptare.

/r.e/a.f/

The post Konferencë shkencore për pasuritë ujore në hapësirën mbarëshqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌