Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë ku një grua, dyshohet se së bashku me të dashurin e saj, ka organizuar vrasjen e ish-bashkëshortit të saj polak në Agia Paraskevi.
Hetimet kanë hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve, mes tyre dy shqiptarë, si edhe rolin e gruas së viktimës.
Sipas protothema.gr, profesori 43-vjeçar kishte ngritur më parë një padi kundër të dashurit të ish-gruas së tij për kërcënime dhe dëmtime fizike, duke raportuar incidente dhune, detaje që tregojnë se kishte frikë për jetën.
Autori i dyshuar i vrasjes, gjatë rrëfimit të tij në polici, u shfaq i penduar, duke thënë: “Nuk mund ta duroja më ta shihja të trishtuar dhe të stresuar, dhe thashë se do ta bëja. Kam bërë gjithçka”.
35-vjeçari ka tentuar të marrë gjithë përgjegjësinë mbi vete, por, sipas medias greke, provat tregojnë se krimi ishte organizuar në bashkëpunimin me ish-gruan e viktimës.
Në rrëfimin e tij, autori i vrasjes ka treguar se rekrutoi tre bashkëpunëtorë, dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas bullgar, ndërsa u ka thënë që: “Do të shkojmë diku për të rrahur dikë që po më shqetëson të dashurën”.
Për t’i qetësuar, ai i siguroi se “nëse keni nevojë për avokatë, Nadia do të paguajë. Mos u shqetësoni”.
Porsche me qira dhe alibia e dështuar
Autorët përdorën një mjet tip Porsche Cayenne për të lëvizur, e cila sipas autoriteteve u gjet dhe u identifikua nëpërmjet kompanisë ku u mor me qira, duke çuar tek dy shqiptarët.
Mjeti dyshohet se e ndoqi 43-vjeçarin që nga momenti që ai ishte në Haidari për një takim me ish-gruan greke dhe fëmijët e tyre, deri Agia Paraskevi ku u organizua komploti i vrasjes.
Menjëherë pas vrasjes, autori dyshohet se braktisi bashkëpunëtorët e tij dhe hipi në një taksi me destinacion Nafplion, duke u përpjekur të fshihej.
Në të njëjtën kohë, ai ia kishte dhënë celularin dhe çelësat e makinës një personi tjetër, me qëllim që të krijonte një alibi të rreme se ndodhej në Argolidë dhe jo në vendin e krimit.
Arma e vrasjes, sipas deklaratës së tij, është blerë në Omonia, por ende nuk është gjetur.
Fotoja që “djeg” ish-gruan
Sa i përket ish-gruas së profesorit, 43-vjeçarja dyshohet se është përpjekur të fshehë të gjitha gjurmët. Menjëherë pas vrasjes, ajo e fiku telefonin dhe fshiu të gjitha të dhënat.
Megjithatë, policia gjeti një foto të viktimës në telefonin e saj, të bërë nga pas, ditën e vrasjes, që tregonte saktësisht se çfarë kishte veshur. Një fakt që, sipas autoriteteve, dokumenton rolin e saj në përgatitjen e krimit. Ende nuk është përcaktuar se kujt i është dërguar imazhi.
Megjithëse telefoni i vrasësit nuk është gjetur, hetimet zbuluan se komunikimet e tij me ish-gruan e tij u bënë nëpërmjet aplikacionit të koduar Signal, duke përdorur një numër që i përkiste djalit të saj.
Provat forcojnë bindjen e autoriteteve se ishte një vrasje e paramenduar, me përfshirjen e më shumë se një personi.
Autori dhe 3 bashkëpunëtorët e tij kanë rrëfyer krimin, ndërsa gruaja mohon çdo përfshirje.
Roli i shqiptarëve
Siç rezultoi nga hetimi policor, gruaja fillimisht i bëri presion partnerit të saj aktual që të gjente njerëz me pagesë për të rrahur ish-burrin e saj.
Në fakt, i dashuri i saj gjeti, nëpërmjet një të njohuri të bullgarit, edhe dy shqiptarë të gatshëm të merrnin përsipër “punën” (të gjithë janë arrestuar).
Ata e kanë çuar autorin e krimit në vendin e ngjarjes dhe i kanë dhënë një pistoletë me të cilin ky i fundit ka qëlluar dhe vrarë profesorin.
Si bullgari ashtu edhe dy shqiptarët kanë pohuar se nuk e dinin që autori donte ta vriste viktimën, por se thjesht donte ta terrorizonte dhe ta rrihte.
Ata dyshohet se i kanë kërkuar 50.000 euro që të mos e dorëzonin në polici, ndërsa autori u kishte dhënë 2.000 euro për të rrahur profesorin.
I dashuri i gruas greke u arrestua me akuzën se vrau 43-vjeçarin me 5 plumba, ndërsa tre shtetasit e huaj akuzohen si bashkëpunëtorë.
Viktima kishte pasur debate me ish-gruan e tij si për dy fëmijët që kanë, ashtu edhe për mosmarrëveshje financiare.
Fotot e autorëve në gjykatë


