Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 August 2025Gazeta Fjala

Elon Musk ngre padi ndaj Apple dhe OpenAI: Po pengojnë konkurencën

By: el da
25 August 2025 at 22:55

Dy kompanitë e Elon Musk, startup-i xAI dhe platforma e rrjeteve sociale X kanë ngritur një padi kundër Apple dhe OpenAI. Ata akuzojnë Apple dhe OpenAl se kanë bashkëpunuar në një “skemë antikonkurruese” që synonte përjashtimin e rivalëve në tregun e inteligjencës artificiale.

Padia mësohet se është paraqitur në Gjykatën Federale të Teksasit të Veriut. Në padi pretendohet se Apple dhe OpenAI kanë bashkëpunuar dhe kanë krye “komplot” për të ruajtur një pozicion dominues si në tregjet e telefonave inteligjentë ashtu edhe në ato të inteligjencës artificiale gjenetike.

Sipas padisë, Apple dyshohet se po i ul qëllimisht aplikacionet që janë etiketuar si “super aplikacione” dhe chatbot-et konkurruese, siç është Grok i xAI nga renditja e saj në App Store, ndërsa favorizon OpenAI duke përfshirë ChatGPT në produktet e veta.

“Nëse gjykata nuk e ndalon sjelljen e paligjshme të të pandehurve, ata do të vazhdojnë të pengojnë konkurrencën dhe kompani si e jona do të vuajnë pasojat e përjashtimit të padrejtë”, thuhet në padi.

Më herët në gusht, Musk paralajmëroi publikisht nëpërmjet Platformës X se do të ndërmerrte veprime ligjore kundër Apple duke e akuzuar atë se po bën të pamundur për çdo kompani të inteligjencës artificiale përveç OpenAI të arrijë në krye të App Store. m.p.

Media italiane: Shqipëria, një mit që duhet rrëzuar

By: el da
25 August 2025 at 22:47

Bukuritë e vendit tonë kanë tërhequr shumë të huaj për të vizituar Shqipërinë ndërsa edhe mediat e huaja i kanë kthyer sytë drejt nesh. Mediat italiane kanë lënë pas kampet e emigrantëve dhe kanë vendosur të shohin anën turistike të vendit dhe mesa duket “Notizie.it” ka mbetur aspak e kënaqur nga ky udhëtim i cili sipas tyre u sugjerua nga inteligjenca artificiale.

Teksa ka përshkruar me detaje bukuritë e vendit, problemi duket qartë se janë shqiptarët. Sjellja, infrastruktura dhe çdo detaj tjetër që është në dorë të njeriut dhe qeverisë lë për të dëshiruar dhe media italiane nuk ka nguruar ti nxjerrë në pah. Sipas artikullit të publikuar, Shqipëria është si një Itali e vitit 1990 mes kaosit ku sapo zbret nga trageti merr një mirëseardhje me kontrolle e pagesa parash që nuk e kupton se për çfarë janë.

Media italiane ndalet tek infrastruktura dhe ndërtimet e shumta. Bukuritë e natyrës i lanë të magjepsur por duke e lidhur pazëllin me shërbimet dhe pikat e tjera sipas medias italiane një udhëtim në vendin tonë nuk është unik. Ata e krahasuan natyrën me Kalabrinë ndërsa shtuan se shërbimet janë më të paktë në Shqipëri. m.p.

Trump paralajmëron: Nëse Rusia nuk pranon paqen, do ketë pasoja serioze

By: el da
25 August 2025 at 22:36

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se mund të ketë pasoja shumë serioze për Rusinë nëse kjo e fundit nuk e ndal luftën në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët, në Zyrën Ovale, ai theksoi se do të ketë një “ndërhyrje me forcë” nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve brenda dy javëve të ardhshme.

“Kjo është një situatë që duhet të marrë fund”, theksoi Trump.

Donald Trump këmbëngul se Putin dhe Zelensky duhet të takohen.

“I takon Putinit dhe Zelenskyt të takohen, i takon atyre, jo neve’, tha ai. m.p.

E mitura shqiptare u mbyt në pishinë! Lirohen prindërit dhe gjyshi

By: el da
25 August 2025 at 22:34

Autoritetet greke kanë vendosur të lirojnë me kusht prindërit dhe gjyshin e vajzës së mitur shqiptare, e cila humbi tragjikisht jetën pak ditë më parë në një pishinë në ishullin Paksos. Prokurori dhe Hetuesi ranë unanimisht dakord që ndaj tyre të vendosej masa e ndalimit të daljes jashtë Greqisë.

Ceremonia mortore e të miturës do të mbahet pasditen e së martës, më 26 gusht, ditë që përkon edhe me ditëlindjen e saj të katërt, një detaj i dhimbshëm që ka prekur thellë familjarët dhe komunitetin.

Avokati i familjes deklaroi se ngjarja tragjike ndodhi brenda pak sekondave. Vogëlushja po luante në korridorin e shtëpisë kur humbi nga sytë e të rriturve. Pasi u vu re mungesa, prindërit njoftuan policinë dhe nisën menjëherë kërkimet, ku u përfshinë edhe fqinjët. Fatkeqësisht, trupin e pajetë të saj e gjeti një kuzhinier në një vilë pranë shtëpisë.

Një mjek nga Qendra Shëndetësore e Paksos ndërhyri për të dhënë ndihmën e parë, por përpjekjet për ta shpëtuar ishin të kota.

Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe opinionin publik, duke ngritur alarmin për sigurinë e fëmijëve pranë ambienteve të rrezikshme, si pishinat private dhe publike. m.p.

Mero Baze: E vetmja mënyrë që Lapaj të fitonte, ishte të mos e bënte atë betejë

By: el da
25 August 2025 at 22:27

Adriatik Lapaj humbi sot të drejtën për të marrë mandatin në Kuvend, duke paguar shtrenjtë një manovër formale me listën e mbyllur, të mbushur me kushërinj dhe të afërm të drejtuesve të koalicionit, për t’i lënë vend garës së hapur pas numrit 12 në Qarkun e Tiranës.

Edhe pse formalisht duket sikur Lapaj e humbi mandatin nga kjo manovër, në të vërtetë ai e humbi mandatin nga sjellja e tij politike, e cila zbuloi defekte thelbësore në identitetin e tij si politikan.

Së pari, e humbi mandatin pasi premtoi se nuk do ta merrte atë nëse koalicioni merrte vetëm një mandat. Duke shkelur këtë premtim, ai ngjalli zemërim dhe ambicie te anëtarë të listës së mbyllur që nuk ishin të partisë së tij, ambicie që çuan pastaj në ballafaqim ligjor të listës, e cila e çoi mandatin te një tezja e tij emigrante, e cila nuk dihet nëse është njoftuar që do të jetë deputete apo jo.

Kjo e banalizon tërësisht performancën e tij politike dhe e kthen deputetimin e tij politik në një komedi që do të mbahet mend gjatë në politikën shqiptare.

Nëse Lapaj nuk do ta kërkonte mandatin e vetëm që mori koalicioni i tij, kjo nuk do të ndodhte. Por edhe nëse do të ndodhte, ai do të dilte shumë fisnik nga kjo betejë dhe nuk mbytej në vogëlsira.

Shembulli më i shkëlqyer i dinjitetit në këtë rast është Arlind Qorri, një politikan për të cilin nuk kam fare respekt për programin e tij neomarksist, por nuk mund të mos respektosh personalitetin e tij, koherencën dhe dinjitetin në raport me mandatin në parlament. Dhe ai e vendosi emrin të dytin në listë, por jo formalisht. Mori një mandat dhe atë mandat nuk ia vuri në dyshim atij që kishte para vetes. Kjo e bën atë një lider më të fuqishëm politik sesa një kryetar me mandat deputeti, pasi e bën një njeri te i cili mund të besosh në atë që thotë.

Është pikërisht kjo veti që te Lapaj u ekspozua fort si një boshllëk i madh.

Po aq seriozë u treguan dhe dy deputetët e rinj në partinë e Agron Shehajt, duke u përqendruar vetëm në Tiranë dhe duke marrë dy deputetë, në një betejë të tyre të qartë politike, si një alternativë opozitare e ndryshme nga PD.

Së dyti, ishte e trishtueshme se si Lapaj u përball me betejën ligjore në KQZ, KAS dhe Kolegj Zgjedhor për mandatin e tij. Një herë inkurajoi Celibashin t’ia japë motrës së vet mandatin, pastaj shkoi në KAS të mbrojë atë vendim, ndërsa sot shkoi në Kolegj për ta prishur vendimin e KAS dhe për t’ia rikthyer motrës së tij jo biologjike.

Kjo është tregues i dhimbshëm dhe për formimin e tij si jurist dhe avokat, përtej të qenit politikan. Është një avokat që nuk di të mbrojë as veten, duke e qesharakizuar gjithë procesin.

Dhe së fundmi, e gjithë shija që la beteja e tij për mandatin, sfumoi gjithë betejën që bëri në fushatë elektorale për t’u paraqitur si një forcë e re që do tejkalonte problemet e pushtetit të vjetër në Shqipëri.

Ai nuk bëri vetëm betejë ligjore, por dhe betejë mafioze për mandatin. Kërcënimet ndaj Endri Shabanit me jetë nga kushërinj të tij jashtë Shqipërisë apo sponsorë të padeklaruar të tij, ekspozuan një anë të errët të lidhjeve të politikës së re me metodat banditeske të vjetra në Shqipëri, që të sjellin zorrët në fyt.

Ai tregoi se fiksimi pas mandatit të deputetit ishte më i madh se integriteti i tij si një drejtues i ri politik, që duhet ta shpërfillte këtë problem dhe duhet ta kthente në barrë fajësie për kundërshtarët që ai mendon se e kanë provokuar këtë debat. Përkundrazi, ai nuk la gjë pa bërë, përfshi dhe kërcënimet fizike, që ta fitonte këtë betejë, për të cilën duhet të ishte i qartë qysh në momentin që nisi se e kishte të humbur. E vetmja mënyrë që ta fitonte këtë betejë ishte të mos ta bënte atë. Por ndonjëherë në politikë nuk e ke veten në dorë. Të ka ajo në dorë, dhe ajo është e pamëshirshme.

Ai duhet ta shmangte këtë debat, dhe nuk duhet t’i hynte fare kësaj historie, por ta paraqiste si një defekt të sistemit kundër të rinjve dhe të vazhdonte betejën. Por nuk e mundi dot veten! m.p.

Kriza politike, Franca shkon në zgjedhje të parakohshme?

By: el da
25 August 2025 at 22:17

Kryeministri francez, François Bayrou rrezikon të humbasë votën e besimit më 8 shtator, pasi kërkon mbështetje për një plan shkurtime shpenzimesh prej 44 miliardë euro në vit. Plani i Bayrout ka si qëllim përmirësimin e financave publike në Francë.

“Po përballemi me një rrezik të menjëhershëm që duhet ta adresojmë… përndryshe nuk kemi të ardhme,” – tha Bayrou.

Opozita është e vendosur të votojë kundër ku partitë RN, LFI, të Gjelbrit, Komunistët dhe Socialistët kanë paralajmëruar refuzim të plotë ndaj qeverisë.

Nëse qeveria rrëzohet, mund të pasojë shpërndarja e parlamentit si dhe zgjedhje të reja, një skenar që presidenti Macron do të përpiqet ta shmangë. m.p.

Identifikohet viktima e aksidentit në Vorë

By: el da
25 August 2025 at 22:08

Kujtim Luka 66 vjeç është viktima e aksidentit të mbrëmjes së kësaj të hëne në Vorë. Sipas raportimeve, Luka u përplas nga një automjet që drejtohej nga Jani Tanushi 53 vjeç.

Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë ende të paqarta ndërsa policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e automjetit, Jani Tanushi.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. m.p.

Vuçiq përsërit thirrjen ndaj protestuesve për dialog

By: el da
25 August 2025 at 21:55

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përsëritur të hënën thirrjen e tij për dialog me protestuesit, pas nëntë muajve të protestave dhe bllokadave në gjithë vendin.

Në një intervistë dhënë Euronews Serbia, Vuçiq ka thënë se Qeveria në Beograd vazhdon të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht, siç ka thënë ai, refuzimit të protestuesve për t’i pranuar ofertat e tij për debat publik.

“Kjo nuk është thirrja ime e parë. U kam ofruar atyre debat të hapur televiziv. Kam qenë i gatshëm të diskutoj publikisht, sepse besoj që biseda dhe dialogu nuk kanë alternativë”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Ai ka shtuar se oferta e tij është valide “derisa ta pranojnë, sepse një ditë do t’iu duhet të flasin me dikënd”.

Disa prej studentëve në bllokadë, që i udhëheqin protestat, e kanë refuzuar paraprakisht ftesën e Vuçiqit, duke thënë se do të bisedojnë me presidentin e Serbisë, kur ai t’i shpallë zgjedhjet dhe t’iu plotësohen të gjitha kërkesat.

Studentët, dhe qytetarët që i mbështesin ata, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për 16 personat e vdekur si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar.

Protestuesit kërkojnë edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë e refuzuar nga Qeveria.

Vuçiq i ka thënë Euronews-it se ka ofruar shpalljen e zgjedhjeve “të paktën tri herë në gjashtë muajt e fundit”, përfshirë referendumin për mandatin e tij presidencial, “por që të gjitha ofertat janë kundërshtuar”.

“Kemi shumë punë, shumë punë për të bërë. Nuk mund të ketë zgjedhje gjithë kohën. Ata tani thonë se gjëja e vetme që duam janë zgjedhjet”.

Ai ka shtuar se do të jetë president edhe për një vit, një vit e gjysmë, dhe që një president i ri do të zgjidhet më pas. m.p.

Mbretëria e Bashkuar reagon pas sulmit në spitalin në Gaza

By: el da
25 August 2025 at 21:48

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar thotë se është “i tmerruar” nga sulmi vdekjeprurës i kryer në një spital në jug të Gazës më herët gjatë ditës së sotme.

Sipas mediave të huaja, duke reaguar ndaj lajmit në rrjetin social ‘X’, David Lammy shkruan: “Civilët, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe gazetarët duhet të mbrohen”.

“Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm”, shkroi ai më tej.

Kujtojmë se ushtria izraelite tha se kreu një sulm në zonën e spitalit, ndërsa Mbrojtja Civile e drejtuar nga Hamasi tha se disa persona u vranë në një sulm fillestar në Spitalin Nasser dhe të tjerë në një të dytë, i cili ndodhi ndërsa ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje. m.p.

Aksident me vdekje në Vorë, detajet e fundit

By: el da
25 August 2025 at 21:45

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mbrëmjen e së hënës në zonën e Vorës.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti me drejtues shtetasin Jani Tanushi, rreth 53 vjeç, ka përplasur këmbësorin shtetasin Kujtim Luka rreth 66 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. m.p.

Stomatologjia dhe farmacia, dy degët më të kërkuara në Shqipëri

By: el da
25 August 2025 at 20:52

Këtë të hënë janë publikuar rezultatet për studentet fitues të cilët janë ata ekselentët që do jenë dhe mjekët e ardhshëm.

Kriteri kryesor për të aplikuar si çdo vit është mesatarja 8.5, nërsa përveç mesatares për mjekësi te përgjithshme maturantet kalojnë një tjetër filtër siç është testimi i informatizuar ku janë përzgjedhur 436 me te mirët .

Këtë vit kanë aplikuar 2029 maturantë, kaluan për testim 1202 dhe u përzgjodhën 436.

Prof. dr. Xheladin Dracini ka treguar se pas mjekësisë së përgjithshme, ajo që kërkojnë më shumë studentët është stomatologjia dhe farmacia.

Në degën stomatologji aplikuan 2739 dhe u pranuan 384. Në degën e farmacisë aplikuan 2327 dhe u pranuan 110.

Maturantët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin deri ne datën 27 gusht dhe në datën 29 gusht fillon regjistrimi i tyre pranë universiteteve. m.p.

Macron: Sulmet izraelite në spitalin e Gazës, të patolerueshme

By: el da
25 August 2025 at 20:34

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se sulmet izraelite ndaj një spitali në Gaza që shkaktuan vdekjen e civilëve dhe gazetarëve ishin “të patolerueshme”.

Sipas mediave të huaja, Macron tha në rrjetin social ‘X’ se Izraeli duhet të “respektojë ligjin ndërkombëtar” dhe se Franca po punonte ngushtë me Katarin në lidhje me situatën në Gaza.

“Kjo është e patolerueshme: civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen në të gjitha rrethanat”, tha Macron.

“Media duhet të jetë në gjendje të kryejë misionin e saj lirisht dhe në mënyrë të pavarur për të raportuar mbi realitetin e konfliktit. Ndihma humanitare duhet të lejohet”, shtoi ai më tej.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar”, vijoi Presidenti francez, shkruan A2 CNN.

Macron përsëriti thirrjet për një “armëpushim të përhershëm”, lirimin e të gjithë pengjeve, “shpërndarjen masive të ndihmës humanitare” dhe një “zgjidhje politike të qëndrueshme”, përfshirë çarmatimin e Hamasit. m.p.

Netanyahu: Izraeli shpreh keqardhje për aksidentin tragjik në spitalin Nasser

By: el da
25 August 2025 at 20:26

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë” për “fatkeqësinë tragjike” që ndodhi sot në spitalin Nasser.

Sipas mediave të huaja, udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se autoritetet ushtarake po kryenin një hetim të plotë për atë që ndodhi.

“Izraeli shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitalin Nasser në Gaza”, tha Netanyahu.

“Izraeli vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe të gjithë civilëve. Autoritetet ushtarake po kryejnë një hetim të plotë”, shtoi kryeministri izraelit.

“Lufta jonë është kundër terroristëve të Hamasit. Synimet tona të drejta janë mposhtja e Hamasit dhe kthimi i pengjeve tona në shtëpi”, përfundoi ai. m.p.

“Iku dhe më la jetim”, letra e Artur Zhejit për vdekjen e të atit

By: el da
25 August 2025 at 20:19

Pas ndarjes nga jeta të gazetarit Artur Zheji, shumë prej shkrimeve dhe kujtimeve të tij kanë rifituar vlerë të veçantë.

Një prej tyre është letra prekëse që ai i ka kushtuar babait të tij, Petro Zheji, pas ndarjes nga jeta të këtij të fundit.

Në rrëfimin e tij, Artur Zheji sjell kujtime të thella për figurën e një njeriu të jashtëzakonshëm, për pasionin e tij ndaj dijes dhe kulturës, për filozofinë e jetës dhe dashurinë për kombin.

Një shkrim që të prek shpirtin dhe të bën të reflektosh mbi trashëgiminë e vërtetë që lëmë pas.

Nga Artur Zheji

BABAI

Deri sa ndodhi ajo që ndodh, në luftën e gjithë-humbur të jetës me vdekjen, kisha përshtypjen mistike apo fëminore se babai im, ndoshta ishte i “pavdekshëm”. Më pëlqente ta besoja këtë, ndonëse tronditjen e parë, thyese të këtij miti, e mora, kur pak muaj përpara Petros, humba Besën, Nanën time të paepur.

Në moshën që jam unë sot, Petro, bënte të paktën çdo fundjavë 40-50 kilometra ecje, pa pushim. Nuk refuzonte me hundën mbledhur asnjë ushqim, por mund të agjëronte si besimtar, edhe disa ditë pa ngrënë. Dhe nuk ankohej kurrë. As edhe njëherë! As edhe në Fund!

Të gjitha këto cilësi, të marrëdhënies së tij të mrekullueshme që Petrushka (edhe kështu i thërrisnim në familje përkëdhelësisht) kishte me trupin e tij, e bënin atë të pangjashëm me të tjerë.

Do kisha shumë për të shkruar për Babanë që më iku dhe më la “jetim”, pavarësisht se në moshën time “jetimët” janë kaq të shumtë, saqë nuk thirren më të tillë…

Por, duart ngecin dhe sillen si të ngrira. Ndoshta sepse janë tejet të përbaltura nga balta që të detyron të përpunosh, e përditshmja dhe gazetaria që përshkruan epopenë, skuthllëqet dhe bëmat e palavdishme por zhurmëmëdha, të horrave tanë udhëheqës.

Më del parasysh galeria e personazheve që janë ushqyer shpirtërisht dhe intelektualisht në divanin e tij, shumë pak prej të cilëve mirënjohës, ndonëse gatuajnë edhe sot në magjen e të përditshmes, miell nga mielli i tij.
Sepse kush e njihte auto-ironinë para viteve ’90 në Shqipëri?

Askush!

Kush i njihte parabolat, metaforat, kalamburet, nënshtresat e fjalëve, tre a më shumë kuptimësinë e fjalëve, të lëshuara me një goditje të vetme?

Askush ose 2 apo 3 veta gjithsej!

Ishte dhe është një lloj arti i madh, të dish të flasësh dhe jo të gërmëzosh, përmes fjalës.

Të dish të shprehësh çdo ngjyrë, çdo nerv, çdo dridhje apo puhizë ajri, që krijon edhe krahë-përplasja e një krahu dallëndysheje dhe që mund të shpërthejë uragane, në oqeanin e thellë të shpirtrave të ndjeshëm… të qenieve që kanë shpirt sigurisht…

Dhe në ato uragane, me shkas krahë-përplasjen, që për miliona të tjerë është e padukshme, e pandjeshme dhe e kurrëndodhur, por që për të Zgjedhurin, janë në të vërtetë rizgjime të brendshme, nga të cilat fillojnë Udhëtime dhe Fillesa Veprash, që e tejkalojnë jetën njerëzore… kalitet një cilësi e re, e rrallë dhe e pranishme vetëm në kombet e mëdha…

Ky dhe ishte një nga pasionet e mëdha të Babait tim, të krijuarit e Kombit tonë, të pangjizur ende.

Përmes kalitjes mendore dhe nxënies së diturive të thella, nga ca pak djem e vajza me dhunti të rralla dhe me dashuri të patradhëtuar, në kohë dhe hapësirë për Dheun tonë…

I gatuar me Biblën, njohës i Kuranit, qëmtues i Budizmit, recitues në gjermanisht i Gëtes që përkthente, rusisht folës me Dostojevskin që shqipëronte apo i vëllazëruar me Servantesin, me Don Kishotin dhe Sançon e të cilit bashkudhëtonte pa reshtur bisedave, por edhe udhëtimeve të vërteta që ndërthureshin me ato imagjinaret … I rritur me Petrarkën dhe Virgjilin, adhurimin më të madh e kishte për Lao Tze, lindur 600 vjet para Krishtit në Henan…

Petro pra, apo “Bushi”, e kultivonte dhe e shpërndante bujarisht Dijen e tij, të vetmen pasuri që kishte, për këdo që i trokiste në derë.

Dhe sot mund të them, se shumica shkonte aty për të vjedhur!

Dhe ja thoja Petros, “vijnë e të vjedhin o Bush! Të vjedhin dhe nuk e kthejnë më kokën pas!”

“Le të vjedhin! Libri dhe Dija vidhen, nuk mësohen! Edhe unë e kam vjedhur nga librat dhe nga njerëzit e mençur që kam takuar në jetë… Dituria është farë, biri im, nuk hahet dhe nuk pihet, herët a vonë ajo mbillet! Dhe kështu e realizon misionin e saj!”

Shumë nga personazhet që qarkullojnë me njëfarë emri sot në Shqipëri, kanë kaluar mjaft seanca nga “divani psikanalitik dhe diturifalës i Petros”.

“Unë besoj se do të vijë shpejt dita që shqiptarët, do të punojnë më së shumti si mësonjës të Gjuhës Shqipe, që herët a vonë, do të jetë shumë e kërkuar nëpër Botë” më thoshte ai.

Dhe uroj që kjo Profeci të bëhet jetë e vërtetë…

Mirëupafshim “Bush”, librat e tu kërkohen dhe lexohen.

Janë të thellë dhe të humnershëm dhe kërkojnë notarë të mirë dhe këta të mirët janë pak.

Por aní, le të jenë pak, pishtarmbajtësit, pak kanë qenë gjithmonë!… m.p.

Zjarri pranë Lagunës së Nartës në Vlorë, 4 helikopterë në terren

By: el da
25 August 2025 at 20:07

Pasditen e sotme një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, pranë lagunës së Nartës. Nga pamjet, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Aktualisht në operacionin për vendosjen në kontroll të kësaj vatre, përveç ekipeve në terren po angazhohen dhe 4 helikopterë, të cilët po operojnë nga Baza Ajrore e Kuçovës.

Forca Ajrore do të vazhdojë monitorimin e zonës nëpërmjet dronëve TB-2 për identifikimin e vatrave të reja potenciale ose për të evidentuar raste të zjarrëvënies së qëllimshme.

Fatmirësisht, pasditja nuk shoqërohet me erë të fortë, gjë që ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit. Aktualisht, vatrat janë të izoluara, dhe nuk ka rrezik per perhapje. m.p.

Joz Marku konfirmon lidhjen me Xhoana Toshin

By: el da
25 August 2025 at 19:57

Pas disa javësh me spekulime dhe thashetheme në rrjet, këngëtari i njohur dhe ish-banori i Big Brother VIP Albania, Jozi ka vendosur t’i japë fund misterit duke konfirmuar lidhjen e tij me Xhoana Toshin.

Lajmi është bërë i ditur pas postimit të fundit të Xhoanës në “Instagram Story”, ku ajo ndau për herë të parë një foto përkrah këngëtarit, më pas një foto të tij duke performuar në skenë.

Burime pranë çiftit bëjnë me dije se njohja mes tyre ka nisur menjëherë pas daljes së Jozit nga BBVA/

Xhoana është parë në disa nga koncertet e tij, duke e mbështetur nga afër, dhe ata janë fotografuar bashkë në ambiente të ndryshme publike.

Interesante është se Jozi, më herët gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother, kishte deklaruar se nuk dëshironte një lidhje me një vajzë që është pjesë e showbizit. Por duket se zemra e tij ka ndryshuar “mendje”. m.p.

“Nuk e kishte fëmijën me mua”, flet shqiptari që i mori jetën gruas në Greqi

By: el da
25 August 2025 at 19:45

Zbardhet dëshmia e Pandeli Nakoleci, shqiptarit që masakroi me thikë bashkëshorten e tij në Volos të Greqisë. 40-vjeçari i qëndron versionit se bashkëshortja e tij Mariola Nakoleci e tradhtonte me një tjetër person dhe se ishte shtatzënë me të.

Në deklaratën e tij, Pandeli Nakoleci është shprehur se nuk kishte ndërmend që ta vriste, por vetëm donte që ta trembte pasi ajo e tradhtonte vazhdimisht, madje dhe se ishte shtatzënë me partnerin e saj të ri.

“Ajo fliste me të tjerët në Facebook dhe ishte xheloz. E doja shumë gruan time, në mënyrë patologjike. Nuk kisha planifikuar ta vrisja ose ta lëndoja, doja vetëm ta trembja me atë. U çmenda, humba mendjen, mendja ime u shua kur ajo më tha se fëmija që kishte humbur nuk ishte i imi dhe se do të më dërgonte foto dhe video me partnerin e saj të ri. Dyshimet e mia u konfirmuan. Që nga Pashkët e tutje, filloi e keqja. Një palë e tretë na shkatërroi jetën”, tha ai.

Tronditëse dhe e trishtë është dhe deklarata që ka dhënë njëra prej vajze dëshmitare e ngjarjes së rëndë. Ajo rrëfen se babai i saj ishte tepër xheloz dhe se gjithmonë grindej me të ëmën. Vajza tregon se mamaja bërtiste “ndihmë” ndërsa ajo ishte dëshmitare dhe kur i ati e tërhoqi për flokësh duke e rrëzuar në tokë edhe kur e goditi me thikë.

“Ata u grindën sepse babai im ishte shumë xheloz, prandaj e bëri. Ata ishin grindur më parë, por nuk ishte kështu. Ne ishim mirë. Kohët e fundit ai filloi të ndërtonte. Ai punonte normalisht. Ai ishte normal. Ai nuk bërtiste, nuk pinte, asgjë nga këto. Nëna ime bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’. Ai po shikonte telefonin e saj.

Isha përpara. Nëna ime bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’ dhe ai e bëri shpejt dhe iku. Pashë gjithçka, dhe kur e goditi me thikë dhe kur ajo po bërtiste dhe kur e tërhoqi nga flokët dhe e hodhi përtokë dhe gjithçka.

Ata ishin në dhomë, po bërtisnin. Nuk i kushtova shumë vëmendje, edhe unë po flija. Pastaj mami filloi të thoshte ‘do të më vrasësh’ dhe ajo tha ‘fute të voglin brenda’ dhe pastaj mami filloi të vraponte dhe pastaj u lodh. Ishim unë dhe vëllai im, ai është 13 vjeç”, tha ajo. m.p.

Bosnje: Bllokohet propozimi për ta nominuar Trumpin për Çmimin Nobel

By: el da
25 August 2025 at 19:33

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, kanë refuzuar të përfshijnë në agjendën e Presidencës një iniciativë të anëtares, Zhelka Cvijanoviq për ta nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, raporton Televizioni publik i Republikës Sërpska.

Cvijanoviq ka bërë të ditur më parë se ajo do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel në Komitetin e Nobelit.

“Presidenti amerikan e meriton këtë nominim sepse, përmes angazhimit të tij diplomatik dhe autoritetit personal, ai ka arritur rezultate që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kanë kontribuuar në stabilizimin e shumë krizave në botë”, ka thënë ajo në letrën e përgatitur për propozim.

Sipas saj, “mirënjohja për përpjekjet e tij dhe arritjet në fushën e paqes” arsyetojnë vendimin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për ta nominuar presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqe.

Më 31 korrik 2023, SHBA-ja e ka futur Cvijanoviqin në listën e personave të sanksionuar, për shkak të kërcënimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, si dhe të integritetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska i ka miratuar dy ligje anti-Dejton, që kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Të dyja ligjet janë pezulluar nga Schimdt, mirëpo autoritetet e Republikës Sërpska i kanë çuar përpara procedurat dhe kanë insistuar se nuk do t’i respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, çka ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale në Bosnje-Hercegovinë.

Edhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka qenë propozuesi i ligjeve për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është nën sanksione amerikane.

SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Dodikut më 5 janar 2022, përveç atyre të vitit 2017, për rrezikim të Marrëveshjes së Dejtonit.

Çmimi Nobel për Paqe është njëri prej pesë çmimeve Nobel.

Ai u ndahet individëve apo organizatave që kanë bërë kontribute të mëdha për paqen në botë, kryesisht përmes promovimit të vëllazërisë mes kombeve, çarmatosjes dhe paqes.

Çmimi e ka nismëtar Alfred Nobelin dhe është ndarë prej Komitetit Norvegjez të Nobelit prej vitit 1901. Ceremonia mbahet çdo vit, më 10 dhjetor, në Osllo.

Fituesit shpërblehen me medalje, diplomë dhe para të gatshme. m.p.

I nxehti po i plak njerëzit më shpejt

By: el da
25 August 2025 at 19:25

Ekspozimi i përsëritur ndaj të nxehtit dhe temperaturave ekstrem po përshpejton plakjen tek njerëzit, sipas një studimi të fundit.

Shkencëtarët theksojnë se ndikimi i këtyre valëve të nxehta është në një shkallë të ngjashme me dëmet që shkakton duhani, alkooli, dieta e varfër apo mungesa e aktivitetit fizik për shëndetin.

Temperaturat ekstreme janë bërë gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, duke kërcënuar me dëme afatgjata dhe të gjerë për shëndetin e miliarda njerëzve, paralajmëruan studiuesit.

Për këtë studim, janë ndjekur 25,000 persona në Tajvan për 15 vjet dhe janë krahasuar periudhat e ekspozimit ndaj valëve të nxehta me moshën biologjike të individëve, e cila është një masë e shëndetit të përgjithshëm.

Për shembull, u gjet se mosha biologjike e personave që përjetuan katër ditë më shumë valë nxehtësie në një periudhë 2-vjeçare, u rrit me rreth nëntë ditë. Punëtorët, të cilët kalojnë më shumë kohë jashtë, ishin më të prekura me moshën e tyre biologjike që u rrit me 33 ditë.

Ndërkohë që kjo rritje e moshës biologjike mund të duket e vogël, shkencëtarët theksuan se kjo ka ndodhur vetëm gjatë një periudhe 2-vjeçare. Ata janë duke hetuar ndikimin e valëve të nxehta gjatë tërë jetës së individëve.

Dr. Cui Guo, që udhëhoqi kërkimin në Universitetin e Hong Kongut, tha: “Nëse ekspozimi ndaj valëve të nxehta grumbullohet për disa dekada, ndikimi në shëndet do të jetë shumë më i madh se sa kemi raportuar deri tani.”

Studimi, i botuar në revistën “Nature Climate Change”, përdori rezultate nga një seri testesh mjekësore, përfshirë matjen e tensionit të gjakut, inflamacionin, kolesterolin, dhe funksionin e mushkërive, mëlçisë dhe veshkave, për të përcaktuar moshën biologjike të individëve.

Shkencëtarët krahasuan moshën biologjike të çdo individi me moshën e tij të vërtetë për të parë nëse ekspozimi ndaj valëve të nxehta kishte lidhje me plakjen më të shpejtë.

Pavarësisht se nuk është e qartë pse temperaturat e larta shkaktojnë plakje më të shpejtë, dëmtimi i ADN-së duket të jetë një nga arsyet kryesore.

Studimi mori parasysh faktorë si pesha e individëve, zakonet e tyre të të ushqyerit dhe ushtrimeve, si dhe ndonjë sëmundje ekzistente si diabeti dhe kanceri. M.P.

Spanja në alarm nga xhihadistët, 95 të arrestuar në 8 muaj

By: el da
25 August 2025 at 19:15

Në Spanjë po vihet re një përshkallëzim i vërtetë në luftën kundër terrorizmit xhihadist. Shifrat janë alarmante. Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit, janë arrestuar 95 persona për lidhje të dyshuara me terrorizmin. Ajo që shqetëson më tepër është rritja e rasteve të të rinjve, shpesh adoleshentë, që radikalizohen, kryesisht përmes internetit.

Pjesa më e madhe e të ndaluarve, në rreth 50 operacione të kryera që nga fillimi i vitit, janë arrestuar brenda territorit spanjoll. një e treta vetëm në Katalonjë, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar jashtë vendit në bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Brendshme.

Ky fenomen po ndiqet me vëmendje të shtuar nga shërbimet e inteligjencës dhe antiterrorizmit, sidomos për shkak të rritjes së numrit të të rinjve të përfshirë. Ekspertët e lidhin këtë prirje me radikalizimin në internet, i cili është shtuar pas pandemisë, me përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste në rrjetet sociale të përdorura nga të rinjtë.

Operacionet janë zhvilluar në 12 nga 17 komunitetet autonome të Spanjës dhe në qytetin autonom Melilla, në Marok. Në to janë përfshirë edhe katër gra, përfshirë dy motra të arrestuara në Madrid, të cilat drejtonin një lloj “akademie xhihadiste” online për indoktrinimin e grave myslimane. M.P.

❌
❌