Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Gazeta Fjala

Milan dhe Juventus, në garë për “dështakun” e sezonit

By: el da
28 July 2025 at 19:52

Sipas asaj që raporton “talkSport, Milan dhe Juventus kanë shtuar interesimin për Darwin Nunez. E ardhmja e sulmuesit uruguaian te Liverpool është në dyshim, sidomos pas transferimeve të bujshme që kanë bërë kampionët e Anglisë këtë verë. Po ashtu, Liverpool është shumë afër transferimit të Alexander Isak për 120 milionë euro nga Newcastle. Me një dyshe sulmuese Ekitike-Isak, nuk ka vend për Nunez te Liverpool.

Për urugianin ka interes edhe nga klubet arabe, por sulmuesi preferon të qëndrojë në elitë dhe Serie A mund të ishte destinacioni i duhur për të. Në 47 ndeshje sezonin e fundit, Nunez shënoi 7 gola dhe dha 7 asiste, shumë larg pritshmërive ndaj tij.

Pavarësisht këtyre statistikave, Milan dhe Juventus janë të bindur se uruguiani do të ishte një përforcim ideal për sulmin e tyre. Juventus e shikon Nunez si zëvendësuesin e duhur për Dusan Vlahovic, pasi serbi është drejt largimit. Në anën tjetër, Max Allegri e pëlqen shumë 26-vjeçarin dhe kuqezinjtë janë duke kërkuar për një sulmues të mirëfilltë dhe Nunez duket zgjedhja e duhur.

Problem mbetet shifra e madhe që kërkon Liverpool për të lënë të lirë sulmuesin e tyre. Ndërsa Juventus dhe Milan interesohen më shumë për formulën e huazimit. m.p.

Kryeministri francez: Marrëveshja e BE me Trump, ditë e errët për Evropën

By: el da
28 July 2025 at 19:44

Kryeministri francez François Bayrou thotë se Bashkimi Evropian ka kapitulluar para kërcënimeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për rritje të tarifave, duke e quajtur marrëveshjen kornizë të arritur në Skoci të dielën një “ditë të errët” për BE-në.

“Është një ditë e trishtueshme kur një aleancë kombesh të lira, të mbledhura për të afirmuar vlerat e tyre të përbashkëta dhe për të mbrojtur interesat e tyre të përbashkëta, pranon të nënshtrohet”, shkroi Bayrou në rrjetin social X të hënën.

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përshëndetën marrëveshjen, të cilën Komisionari Evropian i Tregtisë Marosh Shefçoviq e quajtën një hap përpara të hënën përballë kërcënimit të një lufte tregtare shkatërruese midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Marrëveshja do të vendosë tarifa prej 15% për pothuajse të gjitha eksportet evropiane në SHBA, përfshirë makinat, rreth tre herë më të larta se tarifa aktuale prej 4.8%, por shmang kërcënimin e tarifave ndëshkuese prej 30% që Trump kishte planifikuar të vendoste deri më 1 gusht nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, transmeton KosovaPress.

Tregjet evropiane të aksioneve arritën nivelin më të lartë katërmujor në tregtimin e hershëm të hënën, të nxitura nga lehtësimi që ishte arritur një marrëveshje. Indeksi Dax i Gjermanisë u rrit me 0.86% dhe indeksi Cac 40 i Francës u rrit me 1.1%, duke e çuar indeksin pan-evropian Stoxx 600 në nivelin e tij më të lartë që nga fundi i marsit, raporton The Guardian.

Por Franca, e parë si bashkë-pilot i projektit evropian së bashku me Gjermaninë, e ka bërë të qartë pakënaqësinë e saj. “Kjo gjendje nuk është e kënaqshme dhe nuk mund të mbahet”, shkroi ministri francez i Çështjeve Evropiane Benjamin Haddad në X, duke i bërë thirrje BE-së të aktivizojë “instrumentin e saj anti-detyrues”, i cili do të lejonte masa hakmarrëse jo-tarifore.

Ministri francez i Tregtisë Laurent Saint-Martin kritikoi mënyrën se si BE i trajtoi negociatat, duke thënë se nuk duhej të kishte hequr dorë nga masat hakmarrëse në atë që ai e quajti një luftë për pushtet të nisur nga presidenti Trump.

“Donald Trump kupton vetëm forcën,” tha Saint-Martin për radion France Inter: “Do të kishte qenë më mirë nëse do të kishim treguar më parë aftësinë tonë për hakmarrje. Dhe atëherë marrëveshja ndoshta do të dukej ndryshe.”

Detaje të reja të marrëveshjes kanë dalë në dritë, me zyrtarë të lartë që thonë se një tarifë prej 15% mbi importet e BE-së do të zbatohet për 70% të mallrave të shitura në SHBA.

Tarifat zero do të zbatohen për importet e BE-së në sektorë kyç si pjesët e avionëve, disa kimikate, pajisjet e prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe disa produkte bujqësore si tapa e përdorur në shishet e verës dhe dyshemetë.

Sektori farmaceutik i BE-së nuk do të përballet me tarifa më të larta se 15% sipas marrëveshjes së arritur me Trump. m.p.

GJKKO kalon për gjykim dosjen ‘Revanshi’, të pandehur Shullazi, Avdyli e Duka!

By: el da
28 July 2025 at 19:39

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ‘Revanshi’, ku të pandehur janë marrë Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka e Gjergji Cukali.

Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se në total janë 14 të pandehur, ndër ta Enver Dida, Besian Xhixha, Robert Laçi, Drianto Bardhi, Miri Bruli, Xhelal Rraja, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Naim Stafuka dhe Blerim Abazi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kishte shtrirje dhe aktivitet kriminal të organizuar dhe të ndërlidhur, me planifikime për vrasje të disa shtetasve, ndërhyrje në sistemin penitenciar dhe aktivitet të paligjshëm me armë, drogë dhe trafik ndërkufitar. Sipas hetimeve të dosjes “Revanshi”, Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi dhe Naim Stafuku, bashkëpunuan me të tjerë, për të vrarë Durim dhe Valter Bamin. Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi siguruan kushtet dhe mjetet materiale për vrasjen e Preng Gjinit në një atentat pranë Nesharakut në Tiranë.

Po ashtu bëhet e ditur se Emiljano Shullazi, dhunoi bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani. Astrit Avdyli ka mbajtur në banesë një pistoletë pa leje. Bashkë me Miri Brulin ata ndihmuan një person në kërkim për kalim të paligjshëm të kufijve nga Mali i Zi për në Shqipëri përmes liqenit të Shkodrës. Avdyli po ashtu, ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe me Emiljano Shullazi, kanë mbajtur telefona brenda në qeli dhe kanë komunikuar me persona të tjerë jashtë burgut për të porositur vrasje. m.p.

Trump përmend Kosovën dhe Serbinë: Po të mos isha unë…

By: el da
28 July 2025 at 19:26

Në një takim të zhvilluar kwtw tw hwnw në Britaninë e Madhe me kryeministrin britanik Keir Starmer, Presidenti i SHBA Donald Trump foli për situatat e tensionuara në nivel global, duke përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë.

Trump deklaroi se nëse ai nuk do të kishte qenë i angazhuar në skenën ndërkombëtare, do të kishin shpërthyer gjashtë luftëra nëpër botë, duke përmendur si shembuj konfliktet e mundshme në Indi-Pakistan, Kosovë-Serbi, Kongo-Ruandë dhe tensionet në Gaza.

Sa i përket Ballkanit, Trump theksoi se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin në një pikë kritike dhe se ai kishte ndërhyrë direkt për të parandaluar një përplasje të mundshme. Ai shtoi se u kishte thënë liderëve të të dyja vendeve se, nëse do të shpërthente një luftë, nuk do të kishte më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ky kërcënim, sipas Trump, kishte ndikuar që ata të tërhiqeshin nga përshkallëzimi i konfliktit. m.p.

Daja i Endrit Shabanit bëhet ‘ekspert ligjesh’, letër KQZ-së: Mos prano dorëheqjet!

By: el da
28 July 2025 at 19:16

Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, i cili ishte renditur i nënti në listën e mbyllur të kolicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun Tiranë, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), shpalljen të pavlefshme të deklaratave të dorëheqjes të dhëna nga kandidatët në listën e sigurt.

Ndonëse KQZ i dha mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt, Zeqiri që pretendonte më herët karrigen në parlament, thotë se duhet të shpallen të pavlefshme dorëheqjet nga mandati, me arsyetimin e bazuar në nënin 164 të Kodit Zgjedhor, se “një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore.”

Gjithashtu, Zeqiri pretendon se ka patur parregullsi në dorëheqjet e dhëna nga mandati, duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre.

“A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor?

Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve”,- shkruan Zeqiri në letrën drejtuar KAS dhe KQZ.

Me këtë lëvizje, duket se Zeqir Kordhoni po bën çmos që mandati të mos mbetet në llogoren e Lapajt, pasi ky i fundit e quajti Kleana Xhuvelin si “gardiane” të ulëses në parlament, derisa mandati të kalojë të lista e hapur, ku kreu i “Shqipëria Bëhet” kryeson si më i votuari.

Më 23 korrik, KQZ nuk i pranoi në bllok dorëheqjet e depozituara më 11 maj, të të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Por pavarësisht se nuk u dogjën dot si kandidatë, Celibashi, u njohu atyre të drejtën e tërheqjes nga mandati. Nga lista ishin penduar 2 emra, Xhuveli e katërta dhe Zeqir Kordhoni i nënti, dhe kishin shprehur vullnetin për të hyrë në Kuvend. E drejta i lindi së pari kandidates të radhitur më lart në listën e mbyllur. m.p.

20 mln euro, Granit Xhaka rikthehet në Premier League

By: el da
28 July 2025 at 19:08

Granit Xhaka bën rikthimin e bujshëm në Premier League, por këtë herë jo me Arsenal. Mesfushori shqiptar ka vendosur të mbyllë aventurën me Leverkusen, për të nisur një të re me Sunderland.

Xhaka do të firmosë me ekipin anglez një kontratë 3-vjeçare, pra të vlefshme deri në qershorin e vitit 2028. Ndërkohë që për të siguruar shërbimet e 32-vjeçarit, Sunderland do të shpenzojë 20 milionë euro.

Gjithçka është e kryer, teksa pritet vetëm zyrtarizimi. Kujtojmë se në garë serioze për shërbimet e mesfushorit ishte edhe Milan, por marrëveshja mes “Djallit” dhe Leverkusen nuk u arrit kurrë. m.p.

Kompanitë e basteve befasojnë Vllazninë, kuotat e konsiderojnë jashtë Evropës

By: Admin
28 July 2025 at 19:05

Vllaznia do të përballet me Vikingurin këtë të enjte. Ndeshja në Islandë do të nisë në orën 20:45.

Kompanitë e basteve kanë publikuar kuotat e para për këtë ndeshje dhe janë disi të çuditshme. Kështu fitorja e Vikingurit me koeficientin 1.3 duket sikur bëhet fakt.

Në anën tjetër është fitorja e Vllaznisë me koeficientin e lartë 7.5. Barazimi ka kuotën 5.

Vllaznia ndërkohë e fitoi 2 me 1 ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë ia dolën me përmbysje falë golave të Bajramit dhe Malës./ D.C

Dalin detajet: gafa nga SPAK, u arrestua “fukarai” në vend të Ilir Lloshit

By: el da
28 July 2025 at 18:57

Gazetari Fatmir Popja ka treguar historinë e Ilir Lloshit, një qytetari të thjeshtë dhe fukara nga Elbasani, i cili u arrestua ditë më parë në kuadër të një operacioni të madh të SPAK, për një rrjet që tarfikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine, drejt BE dhe Shqipërisë.

Mirëpo, tre ditë më pas kur të arrestuarit dolën në gjyq për verifikimin e masave të sigurisë, Ilir Lloshi u lirua menjëherë sepse aty u prova që ishte arrestuar gabimisht. Në fakt, Ilir Lloshi që duhet të ishte pas hekurave, është në arrati.

Shkruan gazetari Fatmir Popja

Në një episod që i ngjan më shumë një skenari filmik sesa një operacioni serioz hetimor është zbuluar pasi policia ka arrestuar fundjavën e kaluar një qytetar të pafajshëm nga Elbasani, vetëm sepse kishte fatin e keq të mbante të njëjtin emër me një të shumëkërkuar nga drejtësia.

Bëhet fjalë për Ilir Lloshin, një 54-vjeçar që jeton në varfëri ekstreme në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit i cili për disa ditë u mbajt nën arrest si pjesë e operacionit të bujshëm të SPAK, i mbështetur mbi dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej në çështjen “Plumbi i Artë”.

Por pas disa ditësh ndalimi, rezultoi se policia kishte bërë një gafë të rëndë, kishte ngatërruar personin që duhej të ishte arrestuar. Në të njëjtën lagje ku u zhvillua operacioni, jetojnë dy persona me emrin Ilir Lloshi. Autoritetet, pa kryer verifikimet e nevojshme dhe pa përdorur as metodat më bazike të identifikimit personal, i vunë prangat të gabuarit.

Iliri Lloshi që u arrestua gabimisht është një burrë i thjeshtë, i papunë, që përkujdeset për motrën e tij të sëmurë dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet kriminale për të cilat akuzohet “Iliri tjetër”, ende i lirë dhe i pakapur.

Pas lirimit, qytetari arrestuar gabimisht është rikthyer në banesën e tij modeste, mes qetësisë dhe ironi së hidhur të fatit. Fqinjët i kanë sugjeruar të padisë SPAK dhe Policinë për arrestim të paligjshëm, ndërkohë që rasti ka hapur një debat të ri për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe saktësinë në veprimet e forcave të rendit.

Ky incident i rëndë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e punës së institucioneve të zbatimit të ligjit në vend, sidomos kur bëhet fjalë për operacione të ndjeshme si ato të ndërtuara mbi dëshmi të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Ironikisht, ndërsa një qytetar i pafajshëm u poshtërua padrejtësisht, personi i akuzuar real mbetet ende në kërkim ,një ironi e ashpër që vë në diskutim vetë funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe besueshmërinë e aksioneve “të suksesshme”.

Ky nuk është vetëm një rast njerëzor që meriton ndjesë publike dhe drejtësi për viktimën e gabimit ,është një alarm për të gjithë sistemin, kur drejtësia humb busullën, i pafajshmi vuan, dhe fajtorët qeshin nga distanca.

Gjendet trupi i pajetë i një burri pranë “Urës së Drinit të Zi”

By: el da
28 July 2025 at 18:44

Një trup i pajetë është gjetur sot rreth orës 16:00 në Kukës pranë “Urës së Drinit të Zi”. Policia bën me dije se personi i pajetë është ende të paidentifikuar, por i përket i gjinisë mashkullore.

Gjithashtu në njoftim thuhet se nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. m.p.

Përfundon intervista për 7 kandidatët për drejtues të BKH-së

By: el da
28 July 2025 at 18:35

Ka përfunduar zyrtarisht sot faza e intervistave në procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas zhvillimit të testit të poligrafit në datat 24 dhe 25 korrik.

Intervistat u zhvilluan në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke nisur prej orës 09:00. Çdo kandidat iu nënshtrua një interviste 45-minutëshe përballë Komisionit të Përzgjedhjes.

Kjo fazë u monitorua nga përfaqësues ndërkombëtarë dhe kishte në fokus vlerësimin e njohurive profesionale, aftësive drejtuese dhe qasjes që secili kandidat ka ndaj sfidave të këtij pozicioni të rëndësishëm..

Në përfundim të intervistave, Komisioni vendosi që të gjithë shtatë kandidatët të kalojnë në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, sipas nenit 6 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. m.p.

Rusët nuk ndalen, breshëri dronësh dhe raketash mbi qiellin e Kievit

By: el da
28 July 2025 at 17:58

Ukraina u përball me një tjetër breshëri dronësh dhe raketash nga Rusia. Sulmet kanë vijuar në të gjithë vendin për të paktën gjashtë orë që nga mesnata, citojnë mediat ndërkombëtare. Polonia fqinje ngriti në ajër avionët e saj ushtarakë, ndërsa media lituaneze LRT citoi policinë lokale të thoshte se një lloj i paidentifikuar avioni pa pilot kishte hyrë në territorin e saj nga Bjellorusia.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha në një postim në Telegram se rrëzoi dhe bllokoi 309 nga 324 dronë, si dhe dy nga shtatë raketat e lëshuara nga Rusia gjatë natës, shkruan A2 CNN. Një nga qëllimet kryesore të sulmit ishte një aeroport në rajonin perëndimor, megjithëse shpërthime u dëgjuan edhe në disa zona qendrore dhe jugore të vendit, tha ajo. Të paktën pesë civilë, përfshirë një fëmijë, u plagosën në Kiev, tha kryebashkiaku i kryeqytetit, Vitali Klitschko, në një postim tjetër në Telegram.

Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës me një numër rekord sulmesh me dronë në javët e fundit, përfshirë një sulm me 728 dronë më 9 korrik që dëmtoi ndërtesa banimi dhe infrastrukturë. Viktimat civile mujore të Ukrainës në qershor ishin më të lartat në tre vjet, me 232 të vrarë dhe 1,343 të plagosur, sipas Kombeve të Bashkuara.

Breshëria e të hënës pasoi diskutimin e Presidentit Volodymyr Zelenskiy mbi nevojat ushtarake të Ukrainës dhe hapat e mëtejshëm mbi sanksionet me udhëheqësit evropianë, përfshirë Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe shefen e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Ne po e forcojmë vazhdimisht mburojën ajrore të Ukrainës dhe është jetike të ruhet një mirëkuptim i qartë midis partnerëve se si saktësisht mund të ndihmojnë ata”, tha Zelenskiy në një postim në X duke komentuar sulmin. m.p.

Berisha ka frikë nga kodi i ri penal: Nëse unë shaj Irena Gjokën… Janë ligje diktature!

By: el da
28 July 2025 at 17:41

I pakursyer në akuzat dhe denigrimin e njerëzve të drejtësisë, nga çdo paraqitje në SPAK si i pandehur për korrupsion, Sali Berisha u shfaq me kritika të ashpra për draftin e ri të Kodit Penal.

Nga selia e Partisë Demokratike, ai u ndal veçanërisht te neni “536” që duket se e tremb kryedemokratin për rëndimin e pozitave të tij ligjore në të ardhmen nëse draft kodi miratohet pa ndryshime.

Ky nen parashikon deri në 3 vite burg për ata që “bëjnë apo publikojnë komente me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj…”

“Ky kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste. Imagjinoni ju tani, që në qoftë se ti thua se Irena Gjoka, me fakte, është një delinkuente, një kriminele, që ka fshehur krimet e saj, që është e dënuar me burg dhe që për shkak të këtij dënimi, ajo kurrë nuk mund të ishte magjistrate gjykatëse, por që e kanë futur si peng për ta keqshfrytëzuar në mënyrën më të egër.

Imagjinoni Altin Dumanin, i cili ka 3-4 shtëpi, tre apartamente dhe banon te shtëpia e vjehrrit. Pra, Altin Dumani, i cili thuhet kundër një ryshfeti 700 mijë euro nuk dënoi për rastin e Jan Prengës, Altin Hajrin dhe që tani së fundmi fshehu për javë të tëra mandatin e arrestit të Troplinëve. Pra, në qoftë se ti guxon dhe ia thua publikut këto, dënohesh”, tha Berisha.

Berisha tha se Partia Demokratike do ta kundërshtojë Kodin e Ri Penal, një paralajmërim që pritet t’i mbetet vetëm deklaratave politike, përballë 83 mandateve të mazhorancës, vetëm 1 votë larg shumicës së cilësuar që kërkon ky draft. m.p.

700 milionë lekë cash, SPAK godet dy ‘Exchange’, sekuestrohen pasuri

By: el da
28 July 2025 at 17:29

Dy kompani të njohura në fushën e këmbimit valutor në Tiranë, janë goditur nga Prokuroria e Posaçme, pas një hetimi nën dyshimet se kishin lidhje me prodhimin dhe shitjen e drogës, si dhe pastrimin e parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Bëhet fjalë për kompanitë “Ferizaj” dhe “Kalbaj”, ndërsa në pranga kanë rënë shtetasit Enver Ferizaj, Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj.

Gjatë hetimeve paraprake janë kryer veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, verifikimin e burimit të ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që mundet të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale.

Gjithashtu, gjatë hetimeve parapraprake për këtë procedim penal nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale. m.p.

U raportua i zhdukur në Sarandë, gjendet i mbytur në det turisti portugez

By: el da
28 July 2025 at 17:11

Një 57-vjeçar portugez u raportua i zhdukur ditën e djeshme në det, në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur “Buka e Vivarit” në qytetin e Sarandës.

Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të bërë në afërsi të zonës ku ai ishte parë për herë të fundit kanë gjendur trupin e e pa jetë të shtetasit me iniciale A.G..

Bëhet me dije se trupi i pa jetë i 57-vjeçarit do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, e cila dyshohet paraprakisht të jetë shkaktuar nga mbytja në det. m.p.

“Paketa e Maleve”, 2800 shqiptarë shprehin interes për investime në dy javë

By: el da
28 July 2025 at 17:06

Rreth 2 mijë e 800 shprehje interesi në pak më shumë se 2 javë nga nisja e aplikimeve… “Paketa e Maleve” po josh shqiptarët. “Presim që interesi për ‘Paketën e Maleve’ të vijë në rritje gjatë ditëve në vijim. Deri tani, shifrat janë inkurajuese, por potenciali është edhe më i madh. Arsyeja është e thjeshtë: zonat malore në Shqipëri, përfshirë ato me bukuri të rralla natyrore dhe trashëgimi kulturore, kanë qenë të lëna pas dore për vite me radhë. Krahasuar me zonat bregdetare, ato kanë marrë më pak vëmendje, si nga shteti ashtu edhe nga investitorët privatë. Kjo skemë është një përpjekje konkrete për të balancuar zhvillimin dhe për të sjellë më shumë mundësi ekonomike në këto territore të izoluara”, thotë për A2 CNN Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i MEKI.

Heqje e taksës mbi pronën e infrastrukturën bashkë me përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe ai nga të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Është kjo formula me anë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë qytetarët të investojnë në agroturizëm në Shqipëri.

“Aktualisht jemi në fazën ku bashkitë janë duke identifikuar zonat përfituese, bazuar në potencialin natyror, turistik dhe ekonomik që ato ofrojnë. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit, sepse përzgjedhja e duhur e territorit do të garantojë që investimet të shkojnë pikërisht atje ku ka nevojë dhe mundësi reale zhvillimi”, thotë Musabelliu.

Përparësi për investime me anë të “Paketës së maleve” do të kenë ata individë që tashmë shfrytëzojnë këto zona. Ata që i kanë në përdorim prej më shumë se 10 vitesh, mund të blejnë këto prona me çmimin simbolik “1 euro”.

“Qëllimi ynë është t’u japim përparësi atyre që e njohin terrenin dhe kanë kontribuar ndër vite në mbajtjen gjallë të këtyre zonave. Nëse dikush e ka pasur një pronë apo tokë në përdorim për më shumë se 10 vjet, tani ka mundësinë ta bëjë të vetën, me një çmim simbolik prej vetëm 1 euro. Kjo është një mënyrë konkrete për të motivuar qëndrimin në zonat malore dhe për t’i kthyer ato në qendra të vogla zhvillimi”, thotë Musabelliu. m.p.

Rodrygo injoron klubet prestigjioze dhe zgjedh… klubin pa trofe!

By: el da
28 July 2025 at 16:54

Rodrygo është informuar nga Real Madrid se nuk ka vend titullari në skuadër dhe se duhet të largohet. Sulmuesi brazilian kishte plane të tjera, por ka vendosur të plotësojë direktivën e klubit.

Për brazilianin ka 4 oferta bigësh (deri tani). Liverpool ka shfaqur interes konkret dhe është gati të ofrojë 100 mln euro për të, edhe pse ka shpenzuar shifra marramendëse në merkato.

Manchester City, Tottenham dhe Arsenal janë tri klubet e tjera të interesuara. Sipas mediave angleze, Rodrygo tërhiqet nga ideja për të luajtur te Tottenham, ku mendon se mund të bëhet protagonist absolut.

Ndërkohë, PSG dhe Bayern janë përmendur si opsione, por jo aq sa klubet e mësipërme. m.p.

Luca Toni këshillon Juventusin: Ta them unë se kë duhet të blesh

By: el da
28 July 2025 at 16:42

Luca Toni ka thënë se Juventusi duhet të blejë një zëvendësues nëse do të shesë Dusan Vlahovic.

Pavarësisht mbërritjes së sulmuesit të Lille, Jonathan David, Toni këmbëngul se Juves i duhet ende një qendërsulmues nëse Vlahovic largohet.

Lidhur me situatën e Vlahovic, ai tha për La Gazzetta dello Sport: “Të kalosh nga më i kërkuari në merkato në të qenit jashtë loje është një ndryshim i madh, por nëse ai fiton shumë, nuk është faji i tij.

“Dusan gjithmonë do të shënojë gola; mund ta shihja duke luajtur për çdo ekip të Serie A. Por një gjë është e sigurt: David ka shifra mbresëlënëse, por nëse shitet Vlahovic, do të duhet një sulmues tjetër me 20 gola”.

Lidhur me një rikthim të mundshëm të sulmuesit të PSG-së, Randal Kolo Muani, pas huazimit të sezonit të kaluar, Toni është shprehur optimist.

“Ai është një sulmues europian, tashmë e njeh Juven, Tudorin dhe Serie A: është e drejtë të vësh bast për rikthimin e tij. Po sikur të dështojë? Do të vija bast për Hojlund, ndoshta në huazim.

“Gjatë sezonit të tij tek Atalanta, përpara se të transferohej te Manchester United, më ka pëlqyer shumë. Do ta bazoja vendimin tim te ky aspekt, jo te vështirësitë që ka në Angli”.

Për cilësitë e David, Toni tha gjithashtu: “Numrat janë thelbësorë për një sulmues, dhe ato të David janë mbresëlënëse. Jam kurioz të shoh nëse ai mund ta mbajë atë ritëm në Itali, me më pak hapësirë dhe mbrojtje më të forta. Do të jetë një sfidë e madhe edhe për të.

E mjera Shqipëri! Pensionistët e Durrësit plagosen me thikë për… një lojë domino

By: el da
28 July 2025 at 16:36

Një lojë domino është transformuar në një plagosje me thikë, ku të lënduar kanë mbetur 2 të moshuar nga Durrësi.

Burime për A2 bëjnë me dije se ngjarja e rëndë sapo ka ndodhur në afërsi të sheshit “Pranvera”, tek lulishtja përballë Postës Shqiptare.

Të moshuarit janë transportuar për të marrë ndihmën e parë, ndërkohë që ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. m.p.

Trump del blof me sulmin për Beyonce, këngëtarja nuk është paguar

By: el da
28 July 2025 at 16:26

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka pretenduar se këngëtarja me famë botërorë, Beyonce ka marrë 11 milionë dollarë gjatë fushatës për kandidaten për presidente në SHBA, Kamala Harris.

Ndërkohë që këto pretendime janë hedhur poshtë përmes publikimit të disa shifrave. Nga të dhënat zyrtare, të afishuara në mediat e huaja shkruhet se një pagesë prej prej 165 mijë dollarësh është kryer për shpenzime teknike të eventit e jo për mbështetje personale për artistët të cilët në tetor të vitit të kaluar dolën përkrah Harris.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e yllit muzikor e kanë mohuar këtë gjë, gjithashtu dhe faqet e verifikimit të fakteve si FactCheck.org dhe PolitiFact, e kanë hedhur konsideruar këtë informacion dhe deklaratë të Trump si të pavërtetë.

Lidhur me këto deklarata të presidentit ka reaguar edhe vetë nëna e Beyonces e cila ka pohuar se ky lajm i cili po qarkullon nëpër media është i rremë.

Gjithashtu ajo shtoi se vajza e saj nuk ka marre asnjë qindarkë, por madje ka paguar fluturimin Harris dhe për ekipin e saj. m.p.

Nxehet situata! Trump: Putin ka kohë edhe 10-12 ditë, ose…

By: el da
28 July 2025 at 16:17

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ulur ndjeshëm afatin që i kishte dhënë më parë presidentit rus Vladimir Putin për të arritur një marrëveshje mbi konfliktin në Ukrainë. Në një deklaratë të dhënë sot për mediat, Trump tha se afati i ri është “10 ose 12 ditë nga sot”, duke zëvendësuar atë që ishte 50 ditë, të cilin e kishte shpallur dy javë më parë.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur retorika e Trump ndaj krizës në Ukrainë ka qenë gjithnjë e më e drejtpërdrejtë, duke e paraqitur veten si një figurë që mund të negociojë një përfundim të shpejtë të luftës, shkruan A2 CNN.

Trump foli edhe për situatën në Rripin e Gazës, ku theksoi se Bashkimi Europian është “shumë i përfshirë” në përpjekjet për të ndihmuar popullin palestinez me ndihma ushqimore dhe humanitare. Ai e cilësoi Gazën si një “zonë shumë e trazuar”, duke shtuar se ka qenë e tillë “për dekada”.

Lidhur me çështjen e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, Trump theksoi se është bërë progres në lirimin e tyre, por në mënyrë të ngadaltë dhe të pjesshme. Ai deklaroi se tashmë Hamasi ka mbetur me pak pengje, gjë që sipas tij, e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje. “Sapo t’i lirojnë, nuk do të kenë më mburojë”, u shpreh Trump, duke i cilësuar pengjet si një mjet që Hamasi po e përdor për të mbrojtur veten nga sulmet apo presionet ndërkombëtare. m.p.

❌
❌