Për të mirën e demokracisë shqiptare, ka ardhur koha që Partia Demokratike të reformohet dhe të heqë dorë nga berishizmi. Drejtuesit politikë që dështuan më 11 maj duhet të japin dorëheqjen, ndërkohë që deputetët me rezultate të dobëta dhe që kanë 2-3 mandate në Parlament duhet të bëjnë një hap pas.
Jo vetëm kaq. Për të shpëtuar opozitën nuk mjafton rinovimi i PD-së, por bashkimi i saj me formacione të tjera politike duke krijuar një “konfederatë opozitare”, e përmendur disa herë prej dy vitesh nga Fatmir Mediu. Duhet bashkim me partitë e reja, me personalitete nga diaspora dhe nga shoqëria civile.
Fjala.al po përmend një listë me emrat që duhet të jenë pjesë e mozaikut kryesor në “ansamblin e ri” të opozitës shqiptare. Pra, një grup me emra bindës, të cilët konceptohen alternativa serioze në shoqëri dhe që së bashku mund të turbullojnë mirë ujërat e politikës shqiptare:
Ilir Alimehmeti & Jorida Tabaku – Reformimi i PD-së duhet të nisë me dy emra si imazh fillestar, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku. Ata nuk kanë ngarkesat tipike të përplasjeve brenda partisë dhe nuk konceptohen si figura të kultivuara nga Sali Berisha. Përfaqësojnë denjësisht kryeqytetin dhe kanë marrë një numër të jashtëzakonshëm votash në zgjedhjet e 11 majit, duke u konfirmuar si dy figurat më të pëlqyera në PD.
Agron Shehaj – Partia që ai drejton, “Mundësia”, mori rreth 50 mijë vota më 11 maj. U rendit si parti e tretë në qarkun Tiranë, ku dhe mori dy mandate. Ai është një nga deputetët më të pëlqyer nga publiku, gjithmonë konstant me denoncimet e tij kundër pushtetit. Nuk është nevoja që partia e tij të shkrihet me PD-në, por të jetë pjesë e formacionit të plotë opozitar në koalicion. (Bashkë me të, edhe emra si Erald Kapri dhe Barbara Doda, të spikatur në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit.)
Adriatik Lapaj – Partia e drejtuar prej tij, “Shqipëria Bëhet”, mori 64 mijë vota më 11 maj, forcë e tretë në rang kombëtar. Ka frymëzuar më shumë se partitë e tjera të reja në Shqipëri dhe ka mbështetje të shpërndarë në të gjitha qarqet. Ka deklaruar publikisht se është i djathtë, edhe pse drejton një parti kryesisht me prirje centriste. Ai gjithashtu do të mund t’i bashkohej PD-së në trajtë koalicioni. (Bashkë me të, edhe emra si Gjeneral Dedë Prenga, Azmer Dulevic, Dorina Prethi dhe Edona Haklaj.)
Gledis Nano – Konsiderohet si një nga personalitetet më të shquara në vend. Ai kujtohet edhe sot si njeriu i cili sfidoi pushtetin dhe nuk pranoi të jepte dorëheqjen në një post tejet të lartë si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Ka pëlqyeshmëri të lartë publike dhe do të ishte një “transferim” i goditur për opozitën e re shqiptare.
Majlinda Bregu – Partitë e mëdha kanë gjithmonë nevojë për një rikthim elegant te rrënjët. Zonja Bregu është një nga asetet e kahershme të PD-së, edhe pse e shkëputur prej shumë vitesh që kur Lulzim Basha mori drejtimin e partisë. Pas një sërë eksperiencash jashtë vendit me role të rëndësishme, ajo mund të rikthehet në strukturat demokrate.
Florian Haçkaj – Bashkëthemelues i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, e cila nisi e para presionin për mundësimin e votës së diasporës. Shumë aktiv në jetën publike dhe një njeri i apasionuar pas politikës. Jeton në Zvicër dhe ka mbi 12 vite përvojë menaxheriale në kompani në nivel ndërkombëtar. Udhëton shumë shpesh në Shqipëri.
Panajot Soko – Ekonomist i shkëlqyer dhe njeri aktiv në jetën publike të vendit. Pas largimit me dinjitet nga “Nisma Thurje”, ai do të ishte një vlerë e shtuar për PD-në për katër vitet e ardhshme. Shumë i pëlqyer në publik dhe njeri me intelekt të rrallë. Gëzon respekt në mjedisin politik si dhe atë mediatik.
Klodiana Lala – Si një nga gazetaret më të vullnetshme dhe guximtare në vend, kalimi i saj në politikë do të ishte i natyrshëm. Praktikisht, ajo ka vite që bën opozitë më shumë se shumica e deputetëve aktualë të PD-së. Qytetarët shqiptarë do ta mirëprisnin angazhimin e saj politik, duke qenë se puna e saj e përditshme, thellë-thellë, ngjan me politikën.
Tedi Kopliku, Fisnik Qosja dhe Aulon Kalaja – Aktualisht pjesë e familjes demokrate. Janë tre prej emrave më të freskët dhe bindës në PD. Të rinj, oratorë, seriozë dhe me pëlqyeshmëri të lartë publike. Nuk konceptohen si demokratë berishistë, por si demokratë të moderuar. Do të ishin alternativa të shkëlqyera për një PD të reformuar dhe rinore.
PD duhet të bëhet e re dhe e pastër, të reflektojë shpresë, të ketë besimin e qytetarëve dhe të ketë një rreze sa më të gjerë, duke u bashkuar me sa më shumë “copëza” të shoqërisë, duke krijuar një “konfederatë opozitare” gjithëpërfshirëse. Demokracia shqiptare ka nevojë jo vetëm për një opozitë pa Berishën, por për një alternativë dinjitoze, që kalon caqet e së djathtës tradicionale dhe i kundërvihet palës tjetër, e cila sot qeveris vendin.