Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Opinion.al

Sulmi në Gaza, ushtria izraelite justifikon vrasjen e fëmijëve: Ishte gabim teknik!

By: b b
13 July 2025 at 22:51

Dhjetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit, ndërsa prisnin të mbushnin fuçitë e ujit në Gazën qendrore të dielën.

Trupat e tyre u dërguan në Spitalin al-Awda në Nuseirat, ku po trajtohen 16 persona të tjerë të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë, tha një mjek në Gaza.

Dëshmitarët okularë treguan për BBC se droni i ushtrisë izraelite lëshoi një raketë drejt një turme që qëndronte në rresht me shishet e mëdha që ishin ende bosh pranë një rezervuari uji në kampin e refugjatëve al-Nuseirat.

Ushtria izraelite u shfajësua duke thënë se një “gabim teknik” ndodhi gjatë sulmit, i cili tha se kishte për qëllim goditjen e “terroristëve” të Xhihadit Islamik, duke bërë që municioni të binte dhjetëra metra larg objektivit. “Incidenti është duke u hetuar”, tha ushtria izraelite.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se ishin në dijeni të “pretendimeve për viktima në zonë si pasojë e sulmit”, duke shtuar se “shprehin keqardhje për çdo dëm të shkaktuar ndaj civilëve“.

Pamjet e paverifikuara që qarkullojnë në internet pas sulmit tregojnë fëmijë të përgjakur dhe trupa të pajetë, të shoqëruar nga britma, panik dhe dëshpërim.

Parajsa e fshehur në brigjet e Bunës

By: b b
13 July 2025 at 22:18

Në brigjet e lumit Buna, në zonën e Dajçit në Shkodër ndodhet një plazh i vogël që po kthehet në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar nga turistët e shumtë.

Për banorët e zonës, plazhi rikthen nostalgjinë e kohëve kur noti në lumin e fshatit ishte një pjesë e pandarë e verës.

Ndërsa turistët e huaj shprehen se natyra dhe uji i pastër janë një mrekulli.

“Jam nga Malta. Është hera e dytë që vij. Më së shumti më pëlqen natyra këtu dhe temperaturat, të cilat nuk janë shumë të larta dhe janë më të përshtatshme se ato në vendin prej nga vij, sidomos për muajin korrik. Fillimisht do të qëndroj këtu për dy javë dhe kryesisht në veri të vendit. E rekomandoj me patjetër Shqipërinë sepse është një vend fantastik, me natyrë të mrekullueshme, njerëz shumë mikpritës dhe ushqim fantastik”, thotë një turist.

“Jam nga Spanja. Më pëlqen shumë këtu, plazhi, uji është krejtësisht i pastër dhe më pëlqen që mund të bëj padell”, shprehet vajza e vogël e turistit.

Kjo është një parajsë natyrore në Shkodër dhe një zonë e qetë dhe e mbrojtur, ku dhjetëra vizitorë gjejnë çlodhje dhe freski mes gjelbërimit dhe ujërave të pastra të Bunës.

Klan News

Trump shqyrton autorizimin e fondeve të reja për Ukrainën

By: b b
13 July 2025 at 22:06

Burime të shumta i kanë thënë CBS News se presidenti amerikan, Donald Trump po shqyrton autorizimin e fondeve të reja për Ukrainën për herë të parë që kur u rikthye në detyrë.

Financimi i ri mund të përdoret për t’i dërguar një mesazh Rusisë, thanë burimet, me Trumpin që është shprehur publikisht i frustruar me Vladimir Putinin ditët e fundit.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Trump ka 3.85 miliardë dollarë të mbetura në autoritetin presidencial të tërheqjes së buxhetit nga epoka e Bidenit, të cilin mund ta përdorë për të dërguar pajisje ushtarake amerikane në Ukrainë.

Ish-zyrtarët thanë gjithashtu se presidenti amerikan ka fuqinë të sekuestrojë rreth 5 miliardë dollarë asete ruse të huaja dhe t’i drejtojë fondet në Ukrainë, megjithëse as Trump dhe as Joe Biden nuk e kanë bërë këtë.

Yesterday — 13 July 2025Opinion.al

Presidenti gjerman thirrje për rikthimin e detyrimit ushtarak

By: b b
13 July 2025 at 21:46

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, deklaroi se Evropa nuk ndodhet më përballë një “kërcënimi për luftë”, por është në mes të një lufte të vërtetë, duke akuzuar Rusinë se me agresionin e saj në Ukrainë ka “shkatërruar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”.

Në intervistën vjetore për televizionin publik ZDF, kreu i shtetit gjerman theksoi nevojën që vendi të nxjerrë mësime nga situata aktuale dhe të rihapë debatin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Evropa dhe Gjermania duhet të mbrohen më mirë. Kjo përfshin edhe një rritje të kapaciteteve njerëzore të ushtrisë gjermane (Bundeswehr), e cila nuk mund të arrihet vetëm me rekrutim vullnetar,” u shpreh Steinmeier.

Ai theksoi se është përkrahës i rikthimit të detyrimit ushtarak, duke vlerësuar se në rrethanat aktuale të sigurisë, Gjermania ka nevojë për një ushtri më të madhe dhe më të përgatitur.

Kritika për SHBA-në dhe apeli për Gazën

Presidenti gjerman komentoi edhe mbi përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke kritikuar SHBA-në, konkretisht administratën e mëparshme të Donald Trump, për braktisjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Sipas tij, kjo ka çuar në zhvillimin e mëtejshëm të programit bërthamor iranian dhe ka ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.

“Pas një procesi të gjatë negociatash, në vitin 2015 u arrit një marrëveshje historike për të kufizuar programin bërthamor të Iranit. Ajo marrëveshje u prish nga qeveria Trump dhe që atëherë Irani ka avancuar me kapacitetet e veta bërthamore,” tha Steinmeier.

Në lidhje me situatën humanitare në Rripin e Gazës, ai bëri thirrje për presion diplomatik ndaj Izraelit nga ana e Gjermanisë, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi që Berlini duhet ta marrë përsipër, për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Izraelin.

Bashkëpunimi me NATO-n dhe mesazh për paqe

Steinmeier vlerësoi si të suksesshëm samitin e fundit të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët evropianë dhe transatlantikë. “Nuk përgatitemi për të bërë luftë, por për ta parandaluar atë,” tha ai.

Rrëzohet aeroplani në Britani, tymi i zi ‘pushton’ vendin

By: b b
13 July 2025 at 21:22

Një aeroplan i vogël është rrëzuar të dielën në Aeroportin Southend, në bregdetin juglindor të Anglisë, njoftoi policia lokale.

“Jemi aktualisht në vendngjarje dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shërbimet e emergjencës. Operacionet e shpëtimit dhe hetimit do të zgjasin disa orë. I bëjmë thirrje publikut të shmangë zonën derisa përpjekjet të vazhdojnë”, tha policia në një deklaratë.

Sipas mediave britanike, aeroplani i rrëzuar është një Beechcraft King Air B200 me dy motorë. Fluturimi ishte i destinuar për qytetin Lelystad në Holandë.

Imazhet qarkulluan në mediat sociale duke treguar tym të zi të dendur që ngrihej mbi aeroport, ndërsa një dëshmitar okular u tha mediave lokale se pa një “top zjarri të madh”.

Rrethanat e aksidentit dhe numri i personave në bordin e avionit mbeten të panjohura, ndërsa hetimet janë në kulmin e tyre.

Grenell akuzon Osmanin për “manipulim të fjalëve” të Trumpit

By: b b
13 July 2025 at 20:50

Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, e ka kritikuar të dielën presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për siç ka thënë, “manipulimin e fjalëve” të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ai i është referuar një deklarate të Osmanit, të bërë më herët gjatë javës në Uashington, përgjatë së cilës i ka konfirmuar deklaratat e presidentit Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 2019 dhe 2020 përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Zyrën Ovale. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi që ka pasur diçka të re është absurde”, ka thënë Grenell përmes një postimi në X.

Në nëntor të vitit 2019, Grenell ishte emëruar nga Trump si i dërguari i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ai ka qenë i përfshirë nga afër në këtë proces.

Në mandatin e parë të Trumpit, më saktësisht më 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike – e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit – e cila nuk është zbatuar kurrë në tërësi.

Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, ka deklaruar Trump më 29 qershor.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal, pa dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit.

Pas deklaratave të Grenellit, Osmani ka paralajmëruar konferencë për media, menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë.

Edhe autoritetet serbe kanë thënë se presidentja Osmani po e akuzon rrejshëm Serbinë dhe që po manipulon me fjalët e Trumpit.

“Fatkeqësisht, duket se manipulimet dhe fabrikimet janë mënyra e vetme që Osmani dhe Prishtina të marrin vëmendjen e Uashingtonit”, ka shkruar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq përmes një postimi në X.

Deklaratat e Osmanit i ka hedhur poshtë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 12 korrik.

“Nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja, ne duam të punojmë, të ndërtojmë”.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, sidomos në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës ka kulmuar në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – e ka sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe ka vrarë një rreshter policie.

Kosova e ka përshkruar sulmin si terrorist dhe e ka akuzuar Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e ka mohuar./rel

Zjarr në fshatin Drenovë të Mallakastrës, flakët përfshijnë sipërfaqe me ullishte

By: b b
13 July 2025 at 20:35

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e sotme në fshatin Drenovë të bashkisë Mallakastër.

Sipas asaj që raporton gazetarja Anila Sefa, flakët janë përhapur me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe ullishte.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Por, sipas burimeve nga terreni, ndërhyrja po vështirësohet për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer kodrinor.

Gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë vendin janë raportuar 18 vatra zjarri. Deri tani janë shuar 14, dy mbeten aktive dhe dy të tjera janë nën monitorim.

Aktualisht, vatrat aktive janë regjistruar në “Liqenin e Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, si dhe në fshatin Zambish të Rrogozhinës. Autoritetet po monitorojnë gjithashtu situatën në Skuraj të Kurbinit dhe në Polis të Elbasanit.

Kriza në Kuvend dhe të drejtat e serbëve, ja çfarë diskutoi Hanrahan me politikanët

By: b b
13 July 2025 at 20:22

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë takuar në pasditen e së dielës me diplomatin e Zyrës së Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatke, Brendan Hanrahan.

Hanrahan është zyrtari më i lartë i administratës së re amerikane që viziton Kosovën.

Krasniqi ka thënë se me Hanrahanin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e përtej dhe ka theksuar përkushtimin e partisë së tij për bashkëpunim politik dhe zgjidhje në të mirë të qytetarëve.

“Biseduam për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

Hykmete Bajrami ka thënë se në takim me Hanrahanin ka folur për krizën institucionale në Kosovë – referencë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët mblidhen prej 15 prillit në tentim për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo nuk arrijnë të gjejnë kompromis për situatën e krijuar.

Bajrami ka thënë se LDK-ja qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror.

“Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, si dhe shpreha gatishmërinë për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.

Situata është bllokuar në Kuvend pasi PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje – fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit – kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë përmes një komunikate se në takim kanë diskutuar me zyrtarin amerikan për ato që i kanë cilësuar ”veprime të njëanshme të përditshme të institucioneve në Prishtinë, të cilat e përkeqësojnë më tej situatën e brishtë të sigurisë dhe cenojnë të drejtat themelore të popullit serb”.

Megjithatë, ata nuk kanë përmendur diçka specifike kur kanë folur për cenimin e të drejtave të komunitetit serb.

Një ditë më parë, diplomati amerikan është takuar edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Përmes një komunikatë për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se palët kanë diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.

Para Kosovës, Hanrahan ka zhvilluar vizita edhe në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në nisje të vizitës, ai ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit./rel

 

IKMT prish mbi 70 ndërtime pa leje në Theth

By: b b
13 July 2025 at 20:03

Gjatë një jave që nga nisja e këtij aksioni, IKMT ka shembur objektet pa leje, por u përball herë pas here edhe me kundërshtimin e banorëve.

Por ndryshe nga ditët e tjera, gjatë së dielës, në punën e inspektorëve nuk pati rezistencë nga pronarët e ndërtimeve.

Puna e mbetur pritet të vijojë, pasi sipas IKMT janë konstatuar në total rreth 80 ndërtime të cilat nuk kanë lejet përkatëse të zhvillimit të pronës.

Paralelisht me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, para Kishës së Thethit, dhjetëra banorë të zonës u mblodhën për të diskutuar për situatën. Ata kërkojnë dialog dhe më shumë informacion për Paketën e Maleve që pritet të vendoset në zbatim nga qeveria.

Ky operacion nisi pas denoncimit të kreut të qeverisë për një kompleks vilash pa leje të ndërtuara pranë kishës ikonike të Thethit.

Lejimi i kësaj paligjshmërie i kushtoi largimin nga detyra të drejtuesve më të lartë të policisë së Shkodrës dhe drejtuesit lokal të postës së Thethit.

Klan News

Kavajë/ Përplasen dy Jet Ski në det, plagoset njëri prej drejtuesve

By: b b
13 July 2025 at 19:49

Dy Jet Ski janë përplasur me njëra-tjetën pasditen e sotme në plazhin e Golemit, në Kavajë.

Sipas informacionit paraprak, një nga mjetet drejtohej nga shtetasi S. D., 25 vjeç, ndërsa tjetri nga shtetasi P. B., 31 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, P. B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi tjetër, S. D., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë.

Njoftimi i policisë:

Kavajë / Informacion paraprak

Rreth orës 17:36, në Golem, Kavajë, në vendin e quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë,(zonë detare për lundrim jo zonë plazhi), shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, duke drejtuar një motor uji, është përplasur në det me një tjetër motor uji, që drejtohej nga shtetasi P. B., 31 vjeç, lindur në Kosovë.

Si pasojë e përplasjes, shtetasi P. B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar menjëherë në spital, nga shërbimet e Policisë Kufitare që po monitoronin hapësirën detare. Aktualisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi S. D. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Nga verifikimet paraprake, rezulton se të dy drejtuesit e mjeteve lundruese po lundronin së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të përplasjes së dy Jet Ski-ve.

Qeveria e re, Merz: Shpresojmë që efektet pozitive të vërehen në verë

By: b b
13 July 2025 at 19:38

Kancelari gjerman Friedrich Merz shpreson se qytetarët do ta vërejnë që tani në verë efektin pozitiv të vendimeve që janë marrë prej marrjes së pushtetit. Në intervistën e verës, në televizionin ARD, Merz tha se gati të gjitha planet për periudhën para verës janë realizuar.

Tani po fillojnë pushimet e verës në Bundestag, por Merz ka dhe disa termine shumë të rëndësishme para vetes. Në seancën e fundit të Bundestagut kishte një përshtypje të përçarjes serioze në koalicion, pasi që deputetët e Unionit CDU/CSU nuk i kanë mbështetur kandidatët e SPD për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Merz tha se ai mbështet vendimet e deputetëve të Unionit dhe drejtuesin e grupit parlamentar Jens Spahn.

Negociatat me SPD
Merz tha se në Bundestag është vështirë të krijohet një shumicë prej dy të tretave sa është e nevojshme për zgjedhjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por ai është i bindur se kjo mund të arrihet, ndërsa në pushimet e verës do të zhvillohen negociata me SPD për të tejkaluar diferencat mes tyre.

Tarifat mund të kenë pasoja serioze
Kancelari Merz foli edhe për tarifat e mundshme amerikane prej 30% ndaj Bashkimit Evropian nga data 1. gusht. Ai tha se në shumicën e rasteve më parë është dëshmuar se letrat e presidentit Trump janë në fakt pozicionet e tij për negociata.

Merz tha se të premten ka biseduar me presidentin Trump e më pas edhe ke Komisioneren Ursula von der Leyen dhe presidentin e Francës Macron për tarifat. Ai shpreson se tarifat nuk do të vendosen nga SHBA, ndryshe edhe BE duhet të reagojë. Por vendosja e tarifave do të dëmtonte shumë ekonominë gjermane. Kancelari Merz tha se shpreson të gjendjen një zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

Mosdarkordimi me veprimet e Izraelit
Sa i përket gjendjes në Rripin e Gazës, kancelari Merz u angazhua edhe njëherë për një zgjidhje me dy shtete mes izraelitëve dhe palestinezëve, të[ cilët, sipas tij, duhet ta kenë hapësirën e tyre për jetesë.

“Unë prej javësh nuk jam dakord me ate që po bën Izraeli në Gazë. Shpresoj që së bashku me evropianët dhe amerikanët të gjendjet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, theksoi Merz./dw

Haradinaj takon zyrtarin e lartë të DASH,konfirmon përkushtim për anëtarësim në NATO

By: b b
13 July 2025 at 19:21

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë me Zyrtarin e Lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Mark Fleming.

Në këtë takim, Haradinaj ka theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus të veçantë në thellimin e partneritetit në fushën e sigurisë, transmeton KosovaPress.

Ai ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke vlerësuar mbështetjen amerikane si jetike për këtë proces.

“Aleanca jonë me Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme. Përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, është shprehur Haradinaj pas takimit.

Gjermani, kontributet e sigurimeve rriten deri në 50%?

By: b b
13 July 2025 at 18:58

Rreth 42 përqind e të ardhurave në Gjermani derdhen që sot në fondet e sigurimeve shoqërore. Barra tatimore ka të ngjarë të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, paralajmërojnë ekspertët e bëjnë thirrje për reforma.

Ekonomisti dhe anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane, Martin Werding, ka thënë se punonjësit duhet të përgatiten për kontribute të sigurimeve shoqërore që arrijnë deri në 50 përqind të të ardhurave të tyre bruto. “Zhvillimi aktual është marramendës. Pyetja nuk është nëse normat e kontributeve do të arrijnë 50 përqind në një moment, por kur”, tha Werding për Rheinische Post.

Për shkak të popullsisë në plakje, tendenca drejt rritjes së kontributeve do të vazhdojë e pandryshuar në Gjermani, nëse nuk bëhen reforma edhe në vitet 2030, parashikon Werding. Profesori i politikës sociale dhe financave publike në Universitetin e Ruhr-it në Bochum pret që rritja e ardhshme e kontributeve të ndodhë që në vitin 2026.

Aktualisht, kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe punëdhënësit së bashku arrijnë në rreth 42 përqind të të ardhurave bruto. Werding pret që ato të rriten në 43 përqind gjatë vitit. Ai theksoi se disa kompani sigurimi shëndetësor kanë kaluar ndërkohë mesataren prej 17 përqind dhe tashmë i kanë rritur përsëri kontributet e tyre shtesë këtë vit. “Aktualisht, mesatarja ka të ngjarë të jetë 17.5 përqind.”

Edhe një rritje tjetër e sigurimit për kujdesin afatgjatë shëndetësor pritet me ndërrimin e viteve. Fondi i pensioneve pritet të preket më vonë: në vitin 2027 ose më së voni në vitin 2028, kontributet, të cilat kanë mbetur konstante në 18.6 përqind për një kohë të gjatë, do të rriten në pothuajse 20 përqind. “Kjo do të thotë arritja e një barre tatimore prej 45 përqind së shpejti deri në fund të kësaj periudhe legjislative”, tha ekonomisti, i cili bëri thirrje për reforma të thella.

Për ekspertin masat që po diskutohen aktualisht, të tilla si rritja e kufirit të vlerësimit të kontributeve shoqërore dhe përfshirja e nëpunësve civilë në sigurimet shoqërore, nuk janë të mjaftueshme. “Në disa raste, kjo thjesht krijon boshllëqe financiare diku tjetër – për shembull, në buxhetet e landeve që punësojnë shumicën e nëpunësve civilë”, thekson Werding. Nevojiten debate për zhvillimet e shpenzimeve shoqërore, efektivitetin e tyre, si për shembull, pensioni për nënat, që ka disa specifika e ka shkaktuar debat në Gjermani. Eksperti Martin Werding është anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane që merret nga ana studimore me zhvillimin ekonomik të Gjermanisë./dw

30-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në KiE,Spiropali:Falë arritjeve dolëm nga…

By: b b
13 July 2025 at 18:32

Shqipëria ka shënuar sot 30-vjetorin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Lidhur me këtë, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shpërndarë një mesazh, ku ka vlerësuar këtë moment historik si një hap thelbësor në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut në vendin tonë.

Ajo nënvizoi se gjatë kësaj legjislature, si rezultat i reformave në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës më 21 prill 2024.

Po ashtu, Spiropali shprehu gjithashtu mirënjohjen për punën dhe kontributin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për angazhimin në të gjitha çështjet kyçe ndër vite.

Mesazhi i Spiropalit:

“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.

Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.

Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.

Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.

Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”

“Më thonë je çupë!” Alberti i fyer nga vëllai e kunata: Nuk martohem dot prej tyre!

By: b b
13 July 2025 at 18:19

Vergjinushja është një nënë 76-vjeçare, e vuajtur, e ofenduar dhe e dhunuar nga djali i madh dhe nusja e tij. Ajo gjendet përballë djalit të vogël, Albertit në “Shihemi në Gjyq”nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, i cili i kërkon me ngulm që të ndahen të dy nga ajo shtëpi.

Vergjinushja jeton prej 22 vitesh me djalin e madh, nusen dhe dy fëmijët e tyre, ndërsa prej pak kohësh ka humbur bashkëshortin. Familja ushqehet me pensionin e saj, por nga ana tjetër, nuk kanë reshtur kurrë ofendimet e dhuna ndaj saj, me fjalët më të rënda. Fyerjet i ka përjetuar edhe Alberti, i cili thotë se vëllai e kunata e quajnë “vajzë”.

Albert: Unë jam beqar! Për shkak të tyre, unë nuk martohem sot se mua më del vëllai, më del tjetri, më del kunata në mes të rrugës, ofendon. Del vëllai në lokal, më ofendon.

Eni Çobani: Po pse?

Albert: Më ofendon, je budalla! Je çupë!

Eni Çobani: Çfarë të thotë mo?

Albert: Je çupë!

Eni Çobani: Çupë ty? Po pse?

Albert: Po, më thotë kunata!

Eni Çobani: Po pse je çupë ti?

Albert: Nuk e di. Mua më vjen zor kur dal në Pogradec se mua më pikëllon atje ku shkon më keq.

Eni Çobani: Po kjo qenka shumë e rëndë Vergjinush!

Vergjinush: E rëndë është edhe për mua që më thotë nusja në sy të djalit, më thotë gomaricë që mua më ka bërë një baba dhe nuk më ka bërë…. ose le të më gjejë burrë mua që jam k**vë! 76 vjeçe!

Albert: Unë ndihem i kërcënuar në Pogradec!

Vergjinush: Unë, më erdhi djali… prit ore Berti, të lutem!

Albert: Jo mama, nuk dua! Dua të japësh drejtësi!

Alberti thotë se nëse ai e nëna nuk jetojnë veçmas tyre, nuk i përjashton disa skenare të mundshme që mund t’i ndodhin atij kur ajo të ndërrojë jetë. Sipas tij, kunata dhe mbesa mund të inskenojnë sikur ai i ka sulmuar apo që të jetë provokuar dhe të mos ketë reaguar.

Albert: Edhe atë e pres nesër, që po të vdesë kjo nënë, prandaj nuk dua të më lërë, prej atyre dy zonjave që kam në shtëpi, nusen e mbesën, pres nesër budallallëkun tjetër! Përderisa thua që është çupë, nesër pres një gjë tjetër se sot nuk është e kollajshme. Sot unë jam vetë atje, nesër të vdeesë kjo copë nënë, gris fanellën nusja dhe thotë erdhi kunati apo xhaxhi, unë nuk i përballoj dot ato gjëra se mua më vjen turp të dal nesër para publikut apo Pogradecit atje. Unë, me këtë fjalë që tha ai sot, je çupë, unë nuk bëhem dot me shoqërinë.

Eni Çobani: Kjo qenka shumë e rëndë!

Albert: Nuk piqem se sot, edhe këto që fola në publik, sot thonë, mua më vete mendja, që ky miku… ka vajtur me të pa e ka nxjerrë çupë ajo!

Eni Çobani: E kuptoj, është e rëndë, sikur ajo ka tentuar me ju dhe ju s’keni mundur.

Albert: Po!/tvklan.al

Aksident në Rrugën e Arbrit/Automjetet përplasen kokë më kokë,plagosen dy drejtuesit

By: b b
13 July 2025 at 18:07

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në Rrugën e Arbrit.

Sipas informacioneve të para, dy automjete janë përplasur “kokë më kokë”, duke shkaktuar plagosjen e dy drejtuesve të mjeteve.

Të lënduarit janë transportuar menjëherë për ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bulqizës. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Mark Rutte vizitë zyrtare në SHBA, takim me Trump dhe zyrtarë të tjerë

By: b b
13 July 2025 at 17:55

Shefi i NATO-s Mark Rutte do të vizitojë Uashingtonin nesër për të zhvilluar takim me Donald Trump dhe zyrtarët e lartë të kabinetit të tij.

Njoftimi për shtyp që bëri me dije vizitën e Rutte nuk dha një arsye specifike për udhëtimin, por Trump tha së fundmi se do të ishte i gatshëm të furnizonte me armë Ukrainën nëpërmjet NATO-s.

Presidenti amerikan gjithashtu ka premtuar se do të bëjë një “deklaratë të madhe” në lidhje me Rusinë nesër, të cilën disa besojnë se mund të jetë mbështetja e tij për një projektligj sanksionesh kundër Moskës.

Përveç takimit me Trump në udhëtimin dy-ditor, Rutte do të zhvillojë gjithashtu bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.

“E ofenduar nga djali, e dhunuar nga nusja!” Deklarata: Kunata ma quan nënën k**vë!

By: b b
13 July 2025 at 17:33

Konflikti i radhës në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, zhvillohet mes nënës dhe djalit. Vergjinushja, 76 vjeçe, shpreh në insertin prezantues problematikën e rëndë të dhunës nga nusja dhe fyerjeve nga i biri.

“Jam 76 vjeç. Të të rrahë nusja, të të ofendojë djali, të të japë zeher të hash dhe të të thërrasë me fjalë ofenduese, të ofendojë edhe djalin e vogël, 100 të zeza m’i thotë, kam shumë për të thënë!”

Edhe kur hyn në studio, ajo përsërit të njëjtën gjë, e përlotur. “E dhunuar nga djali, e ofenduar nga nusja, e ofenduar nga mbesa, e rrahur. Fjalët më të pista i janë thënë kësaj nëne, 76 vjet grua!”, thotë e moshuara, e cila së fundmi ka mbetur edhe vejushë.

Nga ana tjetër, djali, Alberti, ka një konflikt me nënën dhe i kërkon të zgjedhë.

“Jam shumë i revoltuar! Nga shtëpia, nga kunata dhe nga nëna, personalisht. Unë sot nuk qëndroj dot me nënën se jam i kërcënuar, po më pengon. Nëna mban të dy krahët. Sot o të më zgjedhë mua, ose të mbajë familjen tjetër.”

Vergjinushja nis të tregojë se ka dy djem, nga të cilët i madhi është i martuar. Ajo thotë se djali i madh i ka dhënë edhe ilaç, pavarësisht se për 22 vjet ka qëndruar në shtëpinë e saj bashkë me familjen e tij. Nga djali dhe nusja, ajo është ofenduar vazhdimisht por i ka duruar të gjitha. Alberti konkretizon cilat kanë qenë këto ofendime të rënda, të cilat janë thënë prej nuses së shtëpisë kundrejt nënës së tij.

Vergjinush: Zonja Vergjinush ka një mal me halle, publiku do të çuditet me këtë zonjën Vergjinush dhe do të thotë kështu publiku që si ka ardhur kjo grua plakë, si nuk e ka ngrënë ilaçin e atij djalit që e ka mësuar djali nënën të hajë ilaç ku ma ka lënë dhe nuk kisha për të ardhur këtu, por më mbajti kjo grua (Eni Çobani) që nuk kam çfarë të them unë si plakë që jam.

Albert: Të ndërhyj unë?

Eni Çobani: Prit të dëgjojmë mamanë, do të ndërhysh, do të flasësh.

Albert: Të ndërhyj se më del aty ku dua unë.

Eni Çobani: Çfarë do të thuash?

Albert: Nga ai ilaçi i saj jam ofenduar edhe unë, nga hatri i saj që e ka mbajtur ajo se ajo zonja nuse kur është ndarë, ka vajtur dhe i ka kërkuar falje. Kur i ka kërkuar falje më ka marrë edhe mua në qafë sot, se nuk i kërkon dot falje.

Eni Çobani: Djalit tjetër?

Albert: Nuses i ka kërkuar, jo djalit dhe më ka thënë mua duro, duro, unë nesër mund të vritem. Sot që dal nga këtu, unë nuk jam i garantuar. Dakord? Sot o ai o unë në shtëpi.

Vergjinush: Unë e kam martuar djalin dhe e kam mbajtur djalin, kam bërë një gabim që të mos ma falë publiku dhe mos ta bëjë këtë që kam bërë unë, 22 vjet e kam mbajtur bashkë. E ofenduar nga djali, e ofenduar nga nusja, unë i shkelja ofendimet me këmbë. Por që e kam mbajtur bashkë, e kam mbajtur vetëm nga turpi, thoshin nuk mban vjehrra nuse. Unë pastaj këta djemtë, i thosha djalit puno, të madhit. Herë punonin, herë s’punonin. I mbaja vetëm me një pension, i mbaja vetë i gjashtë në shtëpi, me dy fëmijë në shkolla. Si përfundim, nusja ndahej dhe vinte në shtëpi më bashkohej.Unë si vjehrrë nuk ia thosha dot që moj bijë ti u ndave dhe ike. Unë si vjehrrë kam bërë një gabim që nuk më falet, të mos ma falë publiku.

Eni Çobani: Ke bërë shumë mirë se në fund të fundit, me djalin tënd ke qëndruar dhe me nusen, nuk është gabim.

Albert: Kur u nda radhën e parë, mos të kishte shkuar ta kishte thirrur në shtëpi. Të mos e kishte thirrur kur u nda dhe është gabimi edhe i nënës që shkon e i kërkon falje, edhe është fajtore, edhe shkon i kërkon…

Eni Çobani: Nëna fal gjithmonë, nënat kështu janë. Nënat janë me zemër të madhe.

Albert: Të më falë publiku se e kam nënë, arrin sot në sy të djalit, nusja në sy të djalit, bëhet nëna ime sot k**vë dhe pu**në! Mund ta nxjerr me video!

Vergjinush: Gomaricë! Më ka bërë nusja gomaricë!

Albert: I thashë të ma tregojë nëna ime kë kam baba unë!

Vergjinush: Një grua pa burrë! Z. Ardit, të më dëgjosh me vëmendje, edhe znj. Eni!

Albert: E kam bërë gati incizimin, ta dëgjojë sot publiku! Nëse unë gënjej, të më shpien me pranga që sot!

Vergjinush: Unë kam bërë një gabim që nuk më falet. Si u ndanë këta, kishim pesë lekë muhabet, fëmijët m’i linin mua dhe sot djalit të djalit të madh, ia shtroj unë rrobat, 76 vjeçe dhe ia ngre. E kam nip! E kam të djalit, ma do shpirti, ma do barku! Nuk e përzë dot!

Albert: Ajo po s’e përzuri atë, unë nuk rri! Unë iki që sot!

Vergjinush: Berti, lërmë nënën!

Albert: Nuk ndahesh me djathin, nuk shoh prej hirrës. Kur s’pashë prej vëllait, prej kunatës, nuk shoh prej hirrës.

Eni Çobani: Ti çfarë kërkon tani, të mos flejë me nipin?

Albert: As me nipin, asgjë! Të bëjë nëna dorëheqje! O me atë, o me mua!

Vergjinush: Unë jam gjyshe!

Albert: Nuk të lë të mbarosh, unë jam i kërcënuar!

Vergjinush: Turp të kesh që të kam rritur!

Albert: Turpin le ta kem unë!

Vergjinush: Më kërcënon në sy të publikut, nuk ju kam kërcënuar kurrë!/tvklan.al

Gisele Pelicot nderohet me titullin më të lartë të Francës

By: b b
13 July 2025 at 17:20

Gisele Pelicot, gruaja franceze që ka fituar vëmendje ndërkombëtare pasi ka dëshmuar publikisht në gjyqin për dhunimin masiv që ka përjetuar, i është ndarë titulli më i lartë i Francës.

Kjo 72-vjeçare është emëruar Kalorëse e Legjionit të Nderit, sipas një liste të publikuar para Ditës Kombëtare të Francës.

Pelicot ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet në një gjyq të profilit të lartë kundër burrit të saj, i cili e ka droguar dhe dhunuar, si dhe i ka ftuar dhjetëra burra tjerë të huaj që të abuzojnë me të për gati një dekadë.

Pelicot është në mesin e 589 personave që u është ndarë ky çmim prestigjioz.

Ajo ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pothuajse çdo ditë.

Ato kanë përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe Dominique Pelicotit, 72-vjeçar, i është dhënë dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka dhunuar Giselen dhe i ka rekrutuar rreth 50 burra për ta dhunuar, derisa ajo ka qenë pa vetëdije në shtrat.

“Dua që të gjitha gratë që janë dhunuar të thonë: Zonja Pelicot ia ka dalë, mundem edhe unë”, u ka thënë më parë ajo gazetarëve, duke treguar se ka vendosur ta bëjë të hapur procesin gjyqësor për “t’ia ndërruar vendin turpit” duke e bartur nga viktima te dhunuesi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka nderuar publikisht figurën e saj, duke thënë se “dinjiteti dhe kuraja e saj e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

Sipas avokates së saj, një libër me hollësi për përjetimet e Gisele Pelicotit do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Tuma e Kamenicës zgjon interesin e studiuesve të huaj

By: b b
13 July 2025 at 17:06

Trashëgimia e pasur historike dhe arkeologjike e Korçës po zgjon çdo vit e më tepër kuriozitetin e vizitorëve, sidomos të huaj. Këtë të diel, një grup studiuesish austriakë, mes të cilëve arkeologë, historianë dhe filologë, vizituan Tumën e Kamenicës, një vendvarrim prehistorik që daton në shekullin e XII para Krishtit.

Vizitorët e kanë një pikë të veçantë në guidat e tyre Tumën e Kamenicës, pasi si ajo nuk ka një të dytë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Rajon, për nga vlerat dhe interesi arkeologjik dhe antropologjik.

Vizitorët mbetën të befasuar nga ajo çka panë dhe dëgjuan për këtë varrezë prehistorike, ku gjenden veç varreve edhe objekte prej kocke, qeramike, armë dhe zbukurime prej bronzi, ari dhe argjendi. Vendbanimi i Linit në Pogradec dhe Tuma e Kamenicës në Korçë marrin rëndësi të veçantë, pasi plotësojnë një boshllëk për historinë e vendit.

“Punoj në Departamentin e Antikitetit në Universitetin e Salsburgut dhe fokusi im është arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë. Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës, gjë që është shumë e rrallë. Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu, jo vetëm në anën e mjekësisë, pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu. Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin, dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, thotë Rupert Breitwieser.

“Vij nga Vjena dhe jam mësuese e latinishtes, ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit. Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria, ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh, ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta parë”, shprehet Annamaria Lesigang.

“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur. Kemi parë gërmimet e Linit, ishte një pamje shumë e bukur në liqen. Është mahnitëse. Kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë. Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga Egnatia në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues dhe i mbajtur shumë mirë”, thotë Barbara Beckenberger.

Tuma e Kamenicës daton të jetë ndërtuar në shekullin e XII para Krishtit. Deri tani janë zbuluar 400 skelete njerëzore të asaj periudhe dhe rreth 3500 objekte arkeologjike. Ajo përfaqëson monumentin më të madh mortor të zbuluar në Shqipëri.

Tv Klan

❌
❌