Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Opinion.al

Zjarrvënia në disa qarqe/ Policia arreston dhe procedon 12 shtetas

By: e xh
27 July 2025 at 15:57

Policia ka ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe operacionale për parandalimin e zjarrvënieve, si dhe ka identifikimuar dhe kapur autorët.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të strukturave të policisë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur, arrestuar apo proceduar penalisht 12 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në disa qarqe të vendit, konkretisht:

Tiranë: Arrestohet autori i zjarrvënies në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa.

Durrës/Shijak: Arrestohet autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, duke rrezikuar banesat përreth.

Fier: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Frakull e Vogël, si dhe procedohet penalisht një tjetër shtetas që dogji mbeturina në tokën e tij, në fshatin Stan Karbunarë, duke dëmtuar disa rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.

Vlorë: Ndalohet një shtetas për zjarrvënie të qëllimshme gjatë pastrimit të territorit, që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të madhe me bimësi në malin e Shashicës.

Sarandë: Procedohet penalisht një 59-vjeçar, për zjarrvënie në malin e Finiqit.

Gjirokastër: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Kakavijë.

Kurbin: Procedohet penalisht një shtetas që dogji një sipërfaqe në zonën e mbrojtur të Shkopetit, si pasojë e një konflikti me banorët.

Dibër: Procedohet penalisht një shtetas që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me bimësi, në fshatin Dovolan.

Shkodër: Procedohet penalisht një shtetas që ndezi mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe me bimësi.

Poliçan: Procedohet penalisht një 57-vjeçar, pasi ndezi zjarr në fshatin Lybeshë dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi, në vendin e quajtur “Berthanes”.

Belsh/Cërrik: Arrestohet në flagrancë një shtetas, pasi dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën një sipërfaqe toke me ullinj dhe një sipërfaqe pylli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka kaluar në gatishmëri të gjitha strukturat vendore, me porosi të qarta për intensifikimin e masave parandaluese, hetimore dhe ndëshkimore ndaj çdo rasti zjarrvënieje, të qëllimshme apo të shkaktuar nga pakujdesia.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos ndezin zjarr, sepse do të përballen me forcën e ligjit. Po ashtu, qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht moshedhjen e cigareve të ndezura buzë rrugëve, pasi mund të shkaktojnë zjarr.

Konflikti/Rama: Pezullimi i policit masa e parë, të dorëzohet në duart e drejtësisë

By: e xh
27 July 2025 at 15:45

Pas përfshirjes së punonjësit të policisë në një konflikt fizik në Vlorë, ka reaguar në rrjetin X kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë shkruan se ‘pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali’.

Sa i takon planit të masave për reformën e kontrollit të territorit, Rama thotë se punonjësve të shtetit nuk do t’u tolerohen shkeljet e që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit,  qoftë jashtë orëve të shërbimit

‘Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë  komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit’, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, çdo punonjës shteti që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi.

‘Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh’ shkruan Rama në rrjetin X.

Vlorë, ja si dhunohet kamarieri 18-vjeçar për një shishe ujë (VIDEO)

By: e xh
27 July 2025 at 15:31

Në pamjet që po shihni, ky kamarier 18-vjeçar, i punësuar në bar-restorantin e një hoteli në Vlorë, qëllohet brutalisht nga një person në sy të një nënkomisari policie. Madje zyrtari i policisë, me inicialet A.I, me detyrë në policinë kufitare të Dibrës, është i pari që nis konfliktin duke e kapur për mjekër kamarierin 18-vjeçar.

Më pas, miku i tij, me inicialet L.B, 57 vjeç, e godet disa herë të riun që sapo kishte mbushur 18 vjeç, ndërsa polici nuk reagon, por bëhet spektator i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ajo që e bën më skandaloze gjithë situatën është se dhuna ka ndodhur pas një debati absurd për një shishe ujë që kamarieri ka çuar më tepër në tavolinë. Kështu e tregojnë ngjarjen vetë 18-vjeçari dhe kolegu i tij 17-vjeç, që i kishte marrë porosinë tavolinës ku gjendeshin nënkomisari i policisë dhe miku i tij.

Policia e Shtetit njoftoi se drejtori i përgjithshëm ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të efektivit dhe se ndaj tij është hapur procedurë disiplinore për sjellje që cenon rëndë figurën e uniformës blu.

Ndërsa vetë polici gjendet në spital, por policia nuk sqaron arsyen në njoftimin e saj. Nga burime të tjera mësohet se nënkomisari është goditur nga dy persona të tjerë që janë përfshirë më pas në konflikt dhe ka pësuar dëmtime.

Teksa hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, pyetja që ngrihet është se si mund të pretendohet të bëhet turizëm në një vend ku edhe policët përfshihen në konflikte të dhunshme me kamarierë adoleshentë për një shishe ujë, apo kur sheh ende njerëz që zihen nëpër plazhe, lokale plazhesh e nëpër rrugë, për një çadër, për një shikim apo për një të gërvishtur makine.

Të tilla pamje, që qarkullojnë me shpejtësi në mbarë botën nëpërmjet internetit, janë anti-reklama më e madhe e Shqipërisë turistike. Klan News

Lezhë, ngacmoi seksualisht vajzën e tij të mitur/ Pranga 55 vjeçarit

By: e xh
27 July 2025 at 15:19

Arrestohet një 55 vjeçar në Lezhë pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Gurra”.

‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Gurra”, Lezhë, pasi dyshohet se në banesë, ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur, 14 vjeçe’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

GJKKO konfirmon masat për grupin e drogës/ Lirohet njëri, ishte arrestuar gabimisht

By: e xh
27 July 2025 at 15:11

Anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, 27 korrik, në GJKKO për masat e sigurisë. Mes tyre Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, të cilët janë nën hetim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.

Siç raportohet, janë konfirmuar masat e sigurisë “arrest me burg” ndaj pesë personave, ndërsa është liruar shtetasi Ilir Lloshi, pasi rezulton se është vënë në pranga gabimisht. Kjo pasi ai kishte gjeneralitete dhe vendbanim të ngjashëm me një tjetër person të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.

SPAK njoftoi dje, 26 korrik, se si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike (kokainë e kanabis) me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.

“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.

Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama. /tvklan.al

 

Raporti final i OSBE-ODIHR, në fund të gushtit

By: e xh
27 July 2025 at 14:42

Nota finale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jepet në fund të gushtit me publikimin e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Burime zyrtare nga kjo organizatë i thanë Tv Kombëtar Klan News se po i jepet dora e fundit këtij raporti, i cili përmbledh gjetjet e misionit vëzhgues të udhëhequr nga Ambasadori Lamberto Zannier.

Në vlerësimin e saj paraprak, OSBE-ODIHR i konsideroi zgjedhjet parlamentare të 11 majit si konkurruese dhe përgjithësisht profesionale, pavarësisht mjedisit politik të polarizuar. OSBE-ODIHR vuri në dukje rolin pozitiv të SPAK-ut, si dhe mekanizmin e ngritur në bashkëpunim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme për zbulimin e krimeve zgjedhore.

Ky raport pritet me shumë interes nga klasa politike shqiptare, veçanërisht nga opozita e udhëhequr nga Sali Berisha, e cila i ka kontestuar këto zgjedhje duke i konsideruar ato si farsë elektorale.

Mbetet për t’u parë nëse ky raport do të pasqyrojë akuzat për shitblerje votash, manipulim të rezultateve, keqpërdorim të administratës dhe fondeve publike, por mbi të gjitha, pritet vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtarë për atë se sa kanë ndikuar gjetjet që ka paraqitur opozita në rezultatin e publikuar tashmë nga KQZ-ja.

Partia Socialiste ka fituar 83 vende në parlamentin e ri, ndaj pret ftesën nga Presidenti Begaj për të formuar qeverinë e re. Disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it kanë mbetur ende të pazbatuara, si depolitizimi i komisioneve zgjedhore, mekanizmat e kontrollit për financimin e partive politike dhe reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore. Klan News

Vengu e Kumbaro nga Vlora: Zonat turistike të sigurta, vatrat e zjarrit po shuhen

By: e xh
27 July 2025 at 14:36

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha po ndjekin nga afër situatën e krijuar me zjarrin në Vlorë e jo vetëm.

Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Vlorë, ministri Vengu theksoi se angazhimi i institucioneve është i plotë dhe po punohet intensivisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

“Situata është shumë më pozitive, si në aksin Korçë-Lukovë, ashtu edhe në lartësitë e Kaninës, ku vatrat janë shuar plotësisht. Vijojmë të jemi vigjilentë, me trupa të angazhuar në terren dhe mbështetje nga ajri,” u shpreh ministri.

Ndërkohë, Ministrja Kumbaro dha një mesazh për garantimin e sigurisë në të gjitha itineraret turistike, duke theksuar se në asnjë pikë të populluar nuk ka pasur problematika.

“Çdo masë merret paraprakisht, çdo sinjal apo alarm që na ndihmon duhet të njoftohet menjëherë. Jemi të gjithë të koordinuar, të gjithë në alert. Kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëpunim nga banorët, kryepleqtë dhe sidomos barinjtë,” tha ajo.

Ministrja vuri në dukje se zonat e mbrojtura janë më të rrezikuarat. “E shpëtuam Llogaranë dhe duam të parandalojmë çdo vatër në Karaburun, ndaj jemi të shpërndarë në gjithë territorin,” shtoi Kumbaro.

Edhe Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi nga baza ajrore e Farkës se dita e sotme ka njohur përmirësim, pas dy ditëve tejet të vështira.

Sipas tij, vatrat më problematike janë regjistruar në malin e Shpiragut, qytetin e Vlorës, malin mbi Kaninë, si dhe në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Bulqizës. Në shumë raste, theksoi ai, ka qenë e domosdoshme evakuimi i banorëve për të garantuar sigurinë e tyre.

Forcat e Armatosura, strukturat e Policisë së Shtetit, shërbimet vendore dhe ato qendrore janë angazhuar maksimalisht në terren, plus ndërhyrja nga ajri.

I tha se do punonte kamariere, por e shfrytëzoi për prostitucion/Pranga 46 vjeçarit

By: e xh
27 July 2025 at 14:15

Futi në mënyrë ilegale në Shqipëri një shtetase ruse dhe më pas e shfrytëzoi për prostitucion, identifikohet dhe vihet në pranga 46-vjeçari.

Finalizohet operacioni i koduar “Gjuetari”, ku arrestohet 46-vjeçari, i cili mashtroi 20-vjeçaren se do ta punësonte si kameriere dhe më pas, nëpërmjet dhunës dhe kërcënimeve, e shfrytëzoi për prostitucion për afro dy vite.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke e markës “KralArms”, dy palë dylbi dhe tre aparate celularë.

‘Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e rasteve të shfrytëzimit për prostitucion, bazuar në informacionet e marra dhe të ndjekura me metoda speciale të hetimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës organizuan dhe finalizuan një tjetër operacion, të koduar “Gjuetari”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. D., 46 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës, i dyshuar për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, “Trafikimi i personave të rritur”, “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.

Nga veprimet hetimore të kryera u bë i mundur dokumentimi i shfrytëzimit të prostitucionit të 20-vjeçares nga Rusia, pasi rezultoi se 46-vjeçari e ka dhunuar fizikisht dhe e ka shfrytëzuar në fushën e prostitucionit në hotele të ndryshme, me persona të ndryshëm, kundrejt vlerave monetare që varionin nga 250 deri në 300 euro për person. Këto vlera monetare i përfitonte shtetasi K. D.

Po nga hetimet rezulton se kjo shtetase është trafikuar nga shtetasi K. D., në tetor 2023, kur është futur ilegalisht në Shqipëri nga Podgorica.

Në kuadër të operacionit u shpall në kërkim shtetasi E. S., 39 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë rast për prostitucion’, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Humb jetën 69-vjeçarja, dyshohet se pësoi arrest kardiak pasi u fut në det

By: e xh
27 July 2025 at 13:50

Dyshohet se pësoi arrest kardiak pasi u fut në det, humb jetën 69 vjeçarja.  Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 10:45, në plazhin e Qerretit, Kavajë, ku ka humbur jetës shtetasja L. Sh., 69 vjeçe, banuese në Tiranë.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të shkakut të humbjes së jetës së 69-vjeçares.

Informacioni i policisë

Rreth orës 10:45, në plazhin e Qerretit, Kavajë, shtetasja L. Sh., 69 vjeçe, banuese në Tiranë, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak në momentin që ka hyrë në det, dhe për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të shkakut të humbjes së jetës së 69-vjeçares.

Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime”

By: e xh
27 July 2025 at 13:26

Bashkia e Tiranës i bën apel qytetarëve që të kontribuojnë për një qytet më të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke raportuar çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.

Përmes këtij aplikacioni, qytetarët mund të njoftojnë menjëherë për ndërtimet pa leje mbi trotuare, në lulishte apo në hyrje pallatesh – problematika që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë dhe cenojnë hapësirën publike.

Në rubrikën “Raporto”, çdo përdorues mund të dërgojë informacion të detajuar, të shoqëruar me foto dhe vendndodhjen e saktë. Pas verifikimit në terren nga strukturat përkatëse të bashkisë, merren masat e nevojshme për lirimin e hapësirës.

Bashkia nënvizon se çdo raportim ka vlerë dhe ndihmon në krijimin e një Tirane të aksesueshme për të gjithë qytetarët, pa pengesa dhe pa zaptime.

“Borshi shpëtoi nga zjarri”/ Inspektori i Përgjithshëm-pushuesve: Mirë se të vini!

By: e xh
27 July 2025 at 13:20

‘Borshi shpëtoi, turistë e pushues mirë se të vini!’ Kështu shkruan në rrjetin social Facebook, Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, i cili në këtë postim ka shprehur një mesazh falënderues për të gjitha forcat që morën pjesë në operacionin e shpëtimit në Borsh.

Ai i ka cilësuar të gjithë ata që morën pjesë në operacione si heronj të heshtur, dhe në mesazhin e tij falenderimet konkrete shkuan për zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e policisë.

Ndërkohë, falënderime për përkushtimin në këtë situatë, Hajdari i ka shprehur edhe ministrit të Mbrotjes Pirro Vengu dhe Kryetarit të Bashkise Himarë, Vangjel Tavos.

Forca të shumta qoftë nga toka edhe nga ajri u përfshinë në shuarjen e zjarreve në fshatrat Borsh, Piqeras dhe Sasaj.

Postimi i Inspektorit të Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari

Borshi shpëtoi, turistë e pushues mirë se të vini!

Falë heronjëve të heshtur zjarrfikës, forcave të armatosura,punonjësve të policisë, gjithë pjesmarrësve në operacion,përkushtimit të Ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu dhe Kryetarit të Bashkise Himarë, mikut Vangjel Tavo.

Situatë e parë me sy dhe jetuar me zemer prej disa orësh.

 

 

Vlorë, konfliktohet jashtë shërbimit/Pezullohet nga detyra oficeri i policisë

By: e xh
27 July 2025 at 12:28

Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

‘Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:

-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.

Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë’, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Dogji 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi në Parkun../ Pranga 63 vjeçarit

By: e xh
27 July 2025 at 12:11

Dyshohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe kullotë, duke shkaktuar djegien e rreth 600 hektarëve me bimësi dhe sipërfaqe natyrore në Parkun Kombëtar të Dajtit, arrestohet 63-vjeçari.

Pas njoftimit të marrë se në vendin e quajtur “Mali me Gropa” kishte rënë zjarr, shërbimet përkatëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

‘Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë.

Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore’, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Trafiku nga Kolumbia në Europë, grupi i drogës del para GJKKO-së

By: e xh
27 July 2025 at 11:48

Gjashtë anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, 27 korrik, në GJKKO për masat e sigurisë.

Mes tyre janë Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj. Ata janë nën hetim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.

SPAK njoftoi dje, 26 korrik, se si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike (kokainë e kanabis) me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.

“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.

Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama. /tvklan.al

Flakët në jug/ Ndërhyrjet nga ajri, niset nga Italia avioni zjarrfikës Canadair

By: e xh
27 July 2025 at 11:39

Në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Minisria e Mbrotjes në një njoftim të fundit thotë se ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.

Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.

Pak më parë MM njoftoi situatën e zjarreve në vend, ku gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 mbeten aktive dhe 16 nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar.

Situata mbetet kritike në zonat e Lurës, Bulqizës, Delvinës, Tiranës dhe Korçës, ku janë angazhuar mbi 1350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse. Përveç ndërhyrjeve nga toka, po përdoren edhe helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë për të frenuar përhapjen e flakëve.

SHBA/ Sulm me thikë në një supermarket, plagosen 11 persona në Michigan!

By: e xh
27 July 2025 at 11:21

Një burrë ka plagosur me thikë 11 persona, të cilët ishin klientë të rastësishëm në një supermarket Walmart në Traverse City, Michigan.

Ngjarja ka krijuar panik dhe tmerr, ndërkohë që siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, autori është arrestuar nga policia, falë ndërhyrjes së disa qytetarëve që arritën ta neutralizonin para se të përshkallëzonte masakrën.

Sherifi i qarkut, Michael D. Shea, tha se “qytetarët i dhanë fund këtij sulmi brutal”.

Të plagosurit janë dërguar në Munson Medical Center dhe raportohen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Dëshmitarët flasin për skena tronditëse. “Gjaku rridhte kudo dhe njerëzit ulërinin,” tha një prej klienteve.

Autori u pa duke vrapuar nëpër korridore dhe duke goditur njerëzit njëri pas tjetrit, derisa u ndalua me forcë nga qytetarët. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa policia ka kërkuar që banorët të shmangin zonën.

 

Zjarret, MM: 21 vatra aktive në vend/ Ndërhyrje nga ajri e qindra forca në terren

By: e xh
27 July 2025 at 11:14

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 mbeten aktive dhe 16 nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar.

Situata mbetet kritike në zonat e Lurës, Bulqizës, Delvinës, Tiranës dhe Korçës, ku janë angazhuar mbi 1350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse. Përveç ndërhyrjeve nga toka, po përdoren edhe helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zjarret kanë rrezikuar banesa dhe zona urbane, duke detyruar evakuime në disa prej tyre. Autoritetet paralajmërojnë rrezik të lartë për zjarret në pyjet e vendit edhe për ditët në vijim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes:

-Në Parkun Kombëtar Lurë, te “Liqeni i Luleve”, vazhdon aktive vatra në Gropën e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë – janë angazhuar rreth 50 forca operacionale

-Në Zall Gjoçaj, bashkia Mat, zjarri ka një shtrirje mbi 14 km dhe vijon në tre kahe kryesore – në terren janë rreth 46 forca

-Në Qafë Buall, Bulqizë, zjarri është përhapur drejt Qytetit të Vjetër dhe Krastës – janë angazhuar 120 forca dhe 2 helikopterë, janë evakuuar 6 banesa

-Në malin mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, vijon ndërhyrja me 58 efektivë dhe 4 mjete FA – zjarri në zona të paarritshme nga toka

-Në Kopaçëz, Delvinë, zjarri mbetet aktiv – në terren janë 70 forca, një autoambulancë dhe helikopter Cougar

-Në fshatin Lugaxhi, Elbasan – mbi 50 forca në terren

-Në malin e Lisecit, Gramsh – vatra në zonë të vështirë, zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme

-Në Shkopet, në kufirin mes Kurbin–Mirditë–Mat – mbi 80 forca të angazhuara, nuk ka rrezik për banesat

-Në fshatin Fang, Mirditë – në operacion janë mbi 120 forca dhe 3 mjete

-Në Qeramicë, Devoll – vatër e re, rrezikon përhapje për shkak të erës

-Në Kriçkovë, Pogradec – forcat operacionale në terren

-Në Parkun Kombëtar Prespë, fshati Lajthizë, Pustec – sot priten të angazhohen 75 forca

-Në fshatin Galinë, Berat – zjarri është ende aktiv

-Në Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, Gjirokastër – zjarri përparon drejt zonës së mbrojtur “Bregu i Pamjes”, pritet ndërhyrje nga ajri

-Në Izvor i Vjetër dhe Duraj, Memaliaj – zjarri aktiv, por i izoluar në disa zona

-Në Malin me Gropa, Tiranë – rreth 55 forca në operacion, është arrestuar një i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme

-Në fshatin Ibë, Tiranë – terren i vështirë, janë angazhuar 2 helikopterë, 6 mjete dhe 25 forca

-Në fshatin Shetel, Shijak – 40 forca në terren, pritet ndërhyrje nga ajri

-Në “Rraze Veshtit”, Malësi e Madhe – 35 forca të angazhuara, terren i pakalueshëm për mjete zjarrfikëse

Vatra të monitoruara:

Ulëz (Mat), Livadhet e Peladhisë (Bulqizë), Maja e Paliskës dhe Sashic (Vlorë), Markat (Konispol), pyjet e Gurakuqit (Librazhd), Dishnicë (Korçë), Strelcë (Maliq), Muzhakë (Skrapar), Konisbaltë (Dimal), Paftal (Berat), Zgërbonjë (Poliçan), Gryka e Motinës – Dragobi dhe Mamëz (Kukës)

Forcat në operacion:

1350 forca operacionale

65 automjete zjarrfikëse

5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura

2 helikopterë hungarezë

2 helikopterë Canadair nga Kroacia dhe Italia (në zonën e Vlorës)

Afër zgjidhjes? Von der Leyen takohet me Donald Trump

By: e xh
27 July 2025 at 10:50

A do të arrihet një marrëveshje në mosmarrëveshjen tregtare BE-SHBA? Presidentja e KE von der Leyen takohet sot me Presidentin e SHBA Trump. Trumpi beson se ka 50% mundësi për marrëveshje.

Në mosmarrëveshjen për tarifat midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen takohet sot në Turnberry të Skocisë me Presidentin e SHBA Donald Trump.

Vendimi u mor pas një “bisede të mirë telefonike” me Trumpin, shkroi von der Leyen në platformën X. Ata do të diskutojnë për “marrëdhëniet tregtare transatlantike” dhe si të mbahen ato të forta.

Trump sheh “mundësi 50%”

Para se të nisej për në Skoci, Trump i kishte vlerësuar mundësitë për të arritur një marrëveshje me BE me 50%. “Do të thoja se kemi 50% mundësi, ndoshta edhe më pak, por 50% mundësi për të arritur një marrëveshje me BE”, u tha republikani gazetarëve.

Pak çaste më vonë ai shtoi: “Mendoj se BE-ja ka një shans mjaft të mirë për të arritur një marrëveshje.”

Dy ditë më parë Trumpi premtoi të hiqte tarifat me të cilat kishte kërcënuar për importet evropiane, nëse Bashkimi Evropian hap më tej tregun e tij për Shtetet e Bashkuara. Përpara kësaj Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte lënë të kuptohet se mund të jetë pranë një dakordim në mosmarrëveshjen tregtare.

Trumpi sapo kishte rënë dakord me Japoninë për tarifa prej 15%, shumë më poshtë se sa pritej fillimisht. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë negociuar me BE për javë të tëra për një marrëveshje tregtare që do të shmangte tarifat prej 30% që Trump njoftoi për 1 gusht. Afati skadon pas një jave.

Konflikt doganor që nga prilli

Në fillim të prillit presidenti amerikan shkaktoi konflikt doganor me partnerët tregtarë në të gjithë botën. Ai njoftoi shtesa të larta për importet nga BEdhe shumë vende të tjera, por më vonë i uli ato në 10% për të lejuar negociatat.

Deri tani, medikamentet dhe produktet farmaceutike përjashtohen. Një tarifë doganore e lartë prej 25% vlen për automjetet dhe 50% për produktet e çelikut dhe aluminit. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka përgatitur gjithashtu kundërdogana të mundshme për mallrat amerikane me vlerë 93 miliardë euro. DW

Shijak/ Djeg mbeturinat dhe zjarri del jashtë kontrollit, pranga 58 vjeçarit

By: e xh
27 July 2025 at 10:38

Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel në Shijak, duke rrezikuar djegien e banesave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme në territorin e fshatit Shetel kishte rënë zjarr, i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar dhe që rrezikonte të përfshinte edhe banesat, u nisën menjëherë drejt vendngjarjes.

‘Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak.

Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarr për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara’, thuhet në njoftimin e policisë.

Zjarret, stabilizohet situata në Borsh dhe Lukovë

By: e xh
27 July 2025 at 10:23

Situata nga vatrat e zjarrit në zonat e Borshit dhe Lukovës është e stabilizuar.

Lajmin e bën të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ku ndër të tjera ka theksuar se forcat operacionale dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe mbajtur gatishmërinë maksimale për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës.

‘Aktualisht, situata nga vatrat e zjarrit në zonat e Borshit dhe Lukovës është e stabilizuar. Forcat operacionale dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe mbajtur gatishmërinë maksimale për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës’, shkruan Vengu në rrjetin social Facebook.

❌
❌