Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Opinion.al

Gjirokastra feston 20-vjetorin e hyrjes në UNESCO

By: b b
16 July 2025 at 14:47

Në këtë mënyrë, Gjirokastra festoi përvjetorin e 20-të të përfshirjes në listën e pasurive të ruajtura nga UNESCO.

Festa u përqendrua në zonën muzeale, ndërsa në qendër të saj ishte padyshim polifonia, e cila po ashtu ruhet si pasuri botërore.

Në qytetin e gurtë mundohen që polifoninë ta ruajnë e ta trashëgojnë ndër breza.

Aktiviteti u ndoq me interes edhe nga vizitorë të shumtë të cilët ndodhen në qytetin e gurtë në këtë periudhë.

Më pas, festa u zhvendos në skenën e madhe të kalasë së Gjirokastrës, ku pati një aktivitet artistik. Organizime të tilla do të vijojnë gjatë gjithë verës në qytetin e gurtë.

Tv Klan

Begaj firmos dekretin, liron nga detyra vajzën e Kadaresë

By: b b
16 July 2025 at 14:39

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin nga detyra të ambasadores së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Besiana Kadare.

Kujtojmë se Besiana Kadare, u emërua në këtë post më 1 tetor të vitit 2021, me dekret të Presidentit të asaj kohe, Ilir Meta.

Më parë, ajo ka qenë ambasadore e vendit në OKB.

D E K R E T PËR LIRIM AMBASADORI NGA DETYRA:

Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 26, pika 2 të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,
D E K R E T O J

Neni 1

Zonja Besiana Kadare lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Dënohet Imamoglu, 1 vit e 8 muaj burg për kryebashkiakun e Stambollit

By: b b
16 July 2025 at 14:23

Një gjykatë turke dënoi të mërkurën kryetarin opozitar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, me një vit e tetë muaj burg për fyerje dhe kërcënim ndaj një zyrtari publik.

Imamoglu, rival kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, ndodhet në burg që nga 23 marsi dhe pritet të apelojë vendimin, raporton AP.

Rasti lidhet me komentet e tij më 20 janar, ku ai kritikoi Prokurorin e Përgjithshëm të Stambollit, Akin Gurlek, duke e akuzuar për hetime të motivuara politikisht ndaj figurave opozitare.

Gjykata e shpalli Imamoglun fajtor për fyerje dhe kërcënim, por e liroi nga akuza për identifikim publik të zyrtarit me qëllim shënjestrimi.

Imamoglu e ka mohuar fajësinë, duke e quajtur procesin “ndëshkim, jo drejtësi”, dhe ka akuzuar gjyqësorin se vepron nën presionin e qeverisë.

Ai u arrestua bashkë me figura të tjera të Partisë Popullore Republikane, partia kryesore opozitare, si pjesë e një hetimi për korrupsion, arrestime që nxiten protestat më të mëdha në Turqi në mbi një dekadë.

Pavarësisht se ndodhet në burg, Imamoglu është shpallur zyrtarisht kandidat presidencial nga Partia Popullore Republikane për zgjedhjet që pritet të mbahen në vitin 2028, por që mund të përshpejtohen.

Që prej arrestimit të tij, dhjetëra zyrtarë të komunave të kontrolluara nga opozita janë përballur me arrestime për dyshime mbi manipulim tenderësh dhe ryshfet.

Opozita i ka quajtur këto akuza politike.

Ndërkohë, qeveria e Erdoganit këmbëngul se gjykatat janë të pavarura dhe veprojnë pa ndikim politik./REL

Kina kritikon politizimin e tregtisë në mes të përplasjes me SHBA-në

By: e xh
16 July 2025 at 14:09

Zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng, paralajmëroi të mërkurën kundër politikave tregtare proteksioniste dhe politizimit të zinxhirëve globalë të furnizimit, në një kritikë të tërthortë ndaj Shteteve të Bashkuara pas kërcënimeve të fundit për tarifa nga Uashingtoni.

Duke folur në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Zinxhirëve të Furnizimit në Pekin, He tha se disa vende po ndërhyjnë në tregje nën pretekstin e reduktimit të rrezikut, duke përdorur mjete si tarifat dhe masa kufizuese për të promovuar të ashtuquajturën rikthim të prodhimit.

Ai shtoi se Kina kundërshton shfrytëzimin artificial të çështjeve tregtare për qëllime politike dhe ideologjike. He nuk përmendi asnjë vend drejtpërdrejt, por theksoi se në një luftë tarifore nuk ka fitues raporton DPA.

Zinxhirët globalë të furnizimit u vunë sërish nën presion në prill, pasi Kina vendosi kufizime në eksportet e tokave të rralla dhe SHBA shpalli tarifa të reja për importet nga disa vende. Kompanitë gjermane kanë shprehur gjithashtu shqetësime për mungesa të mundshme të materialeve kritike nga Kina.

Tensionet kohët e fundit ishin zbutur, pasi të dy vendet ranë dakord të heqin disa kufizime tregtare. Prodhuesi amerikan i çipave Nvidia tha të hënën se pret të marrë miratimin e SHBA për të rifilluar shitjet e çipave të posaçëm për Kinën, pas shtrëngimit të kufizimeve të eksportit në prill.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara rritën ndjeshëm tarifat ndaj mallrave kineze, duke përfshirë automjetet elektrike, bateritë litiumi, panelet diellore dhe produktet e çipave.

Tarifa për automjetet elektrike u katërfishua nga 25 përqind në 100 përqind, si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur industrinë vendase nga subvencionet kineze.

Paralelisht, Kina vendosi kufizime në eksportin e disa mineraleve të rralla, të rëndësishme për prodhimin e teknologjisë së avancuar. Këto masa u interpretuan si një kundërpërgjigje ndaj presionit amerikan në sektorin teknologjik. Lufta tregtare po thellohet, me të dyja palët që përdorin tarifat dhe kufizimet si armë ekonomike. Tensionet po reflektojnë një garë të ashpër për dominim në teknologji dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit. REL

“Mësonte” turistët si të hidhnin mbeturinat në tokë,shoqërohet në polici Kozak Braçi

By: b b
16 July 2025 at 14:01

Policia ka gjobitur tiktokerin e famshëm Kozak Braçi, me një gjobë prej 100 mijë lekësh të reja për ndotje të mjedisit.

Pas publikimit të një video në rrjete sociale, Kozak shihej duke hedhur mbeturina nga dritarja e një automjeti në lëvizje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën shfaqej një shtetas duke hedhur mbeturina nga dritarja e automjetit në lëvizje, ku ishte pasagjer, kryen verifikimet për nxjerrjen e këtij shtetasi, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i verifikimeve u konstatua se videoja e publikuar ishte regjistruar para disa kohësh, si dhe u identifikua shtetasi që kreu shkeljen, konkretisht K. B., 32 vjeç Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të këtyre veprimeve, në zbatim të nenit 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000, dhe nenit 15 të Kodit Rrugor, 32-vjeçari u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë”, njofton policia.

Gjithashtu, materialet procedurale për këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim vlerësimin juridik të mëtejshëm./Opinion.al

Kontrabandoi një sasi nafte, pranga 64 vjeçarit/ E pëson doganieri në Qafë Thanë

By: e xh
16 July 2025 at 13:54

Kontrabandoi në Shqipëri një sasi nafte, kapet në flagrancë gjatë transportimit të saj dhe vihet në pranga.

Finalizohet nga Seksioni i Hetimit i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, operacioni i koduar “Depozita”, ku ndër të tjera u procedua penalisht një doganier, për shpërdorim detyre.

‘ Në afërsi të PKK Qafë Thanë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin I. M. Gjatë kontrollit në automjet u konstatua një depozitë rezervë me një sasi nafte, për të cilën shtetasi I. M. nuk kishte ndonjë dokument apo faturë.   

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 64 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”;

-referuan materialet në Prokurori, ku  filloi procedimi penal për shtetasin V. B., 56 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier në PKK Qafë Thanë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e shtetasit I. M’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Balla takim me ambasadorin e OSBE-së:Diskutuam mbi ecurinë e projektit e-Legislation

By: b b
16 July 2025 at 13:43

Ministri i Shtetit, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Michel Tarran.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thotë se kanë diskutuar mbi progresin e projektit “e-Legislation”, një nismë që synon digjitalizimin e procesit legjislativ në vend.

Sipas Ballës ky projekt ka nisur në vitin 2019, në kuadër të një marrëveshjeje të përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, Konfederatës Zvicerane dhe Prezencës së OSBE-së në vendin tonë.

“U takova me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Michel Tarran, për të diskutuar mbi ecurinë e projektit e-Legislation.

Kujtoj se ky projekt nisi në 2019 përmes Marrëveshjes mes Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Konfederatës Zvicerane dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

e-Legislation do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe integritetit të procesit ligjvënës, marrjen e informacionit në mënyre efikase duke përmirësuar cilësinë nëpërmjet përdorimit të inteligjences artificiale”, shkruan Balla.

“Forbes”: Zgjidhni Shqipërinë për pushime! Ky bregdet po shndërrohet…

By: e xh
16 July 2025 at 13:34

Revista prestigjioze “Forbes” i ka kushtuar një artikull rivierës shqiptare, kryesisht plazheve të Palasës, Dhërmiut dhe Jalës.

“Për dekada të tëra, Mesdheu ka qenë duke ju propozuar të njëjtat destinacione të arta, por tashmë të vjetruara si Kapri, San Trope, Mikonos apo Ibiza, vendet ku jahtet janë më të mëdha se flota lokale e peshkimit dhe fatura për një drekë buzë detit mund të financojë edhe një vresht modest ballkanik. Por tani mund të shijoni Shqipërinë”, kështu shkruhet në prestigjiozen “Forbes”.

E vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, me një vijë bregdetare të përshkuar nga Deti Jon, Shqipëria ka qenë për vite me radhë e harruar dhe e mbyllur për shkak të regjimit të zymtë komunist, dhe pikërisht kjo është arsyeja që e bën edhe më interesante tani.

Në jug keni Rivierën Shqiptare, që shtrihet përgjatë Jonit, me shkëmbinj dhe plazhe me guralecë që, sinqerisht, nuk do të dukeshin të çuditshme në Greqi apo Itali. Në plazhin e Palasës, tani keni “Green Coast Hotel”, një hotel i ri me pesë yje. Madje ka edhe parashutizëm mbi shkëmbinj, gjë që tregon se sa shpejt ky bregdet po shndërrohet nga sekreti i udhëtarëve me çanta shpine në një destinacion të shndritshëm.

Vetëm pak kilometra në jug, gjërat duken shumë të njëjta me ato që kanë qenë prej vitesh. Dhërmiu është një ndalesë popullore, e njohur për plazhin e tij me guralecë dhe baret që mbushen në verë me muzikë dhe kokteje. Ka edhe hotele të vogla, vende familjare ku mund të merrni një dhomë me qira.

Jala është një tjetër plazh që tërheq turmën e të rinjve, veçanërisht kur zhvillohen festivalet e muzikës verore. Por, nëse kërkoni diçka më të qetë, vazhdoni më tutje. Gjipeja është e fshehur midis shkëmbinjve, një gji që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë. Nuk ka hotel, as rrugë, as shezlongë me qira të rreshtuara në rërë.

Ajo që e bën Shqipërinë të ndihet ndryshe, të paktën për momentin, sipas artikullit të “Forbes”, është ajo që mungon. Asnjë hotel gjigant. Asnjë shezlong që kushton 80 euro. Asnjë turmë që të shtyn pranë rrënojave. Është ende pak e papërpunuar: rrugët nuk janë të gjitha të mira, autobusët vonohen.

Por është gjithashtu bujare, pjata të mëdha me mish ose peshk të pjekur në skarë, verë vendase dhe njerëz që këmbëngulin që të provosh rakinë e tyre të bërë në shtëpi, pavarësisht nëse mendon se mund ta përballosh apo jo.

Megjithatë, ndryshimi po vjen me shpejtësi sipas “Forbes”. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të hapet së shpejti, gjë që do të sjellë më shumë udhëtarë ndërkombëtarë. Tashmë po shfaqen në Rivierën Shqiptare edhe markat më të mëdha të hoteleve ndërkombëtare.

Më tej, prestigjiozja “Forbes” sugjeron që nëse jeni kuriozë për këtë pjesë të Mesdheut që ende ndihet si një zbulim, me përzierjen e saj të qyteteve osmane, maleve të egra dhe vijës bregdetare që nuk është gëlltitur nga zhvillimi, Shqipëria ia vlen të shkosh tani. Klan News

‘Do të rihapësh derën e të parëve..’/Paketa e Maleve,Rama: Në 5 ditë, 787 aplikantë

By: e xh
16 July 2025 at 13:23

Kryeministri Rama, përmes një postimi ne rrjetin social Facebook, shkruan se vetëm në 5 ditë numërohen 787 aplikantë.

Në këtë postim Rama shkruan se të gjithë emigrantët, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë me leje.

Sipas Ramës të gjithë ata që duan të aplikojnë mund të përfitojnë nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë e Bankës së Shqipërisë.

Postimi i kryeministrit Rama

Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë🇦🇱😍🇪🇺

Të gjithë emigrantët posaçërisht, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë ME LEJE, duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë të Bankës së Shqipërisë☀🤝⛰

Shërbimet në e-Albania/Rama-qytetarëve: Drejtohuni në zyrat e bashkive, denonconi…

By: b b
16 July 2025 at 13:14

Të gjithë qytetarët që nuk mund ta përdorin dot vetë portalin e-Albania për të marrë shërbime të caktuara, mund t’u drejtohen bashkive dhe njësive administrative përkatëse për ndihmë.

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama ditën e sotme, i cili njofton se ky është një shërbim që do të kryhet falas.

Sipas tij cdo subjekt privat që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës.

“Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës e-Albania për shërbime të caktuara, mund t’i drejtohen në çdo qytet zyrave të bashkive, si dhe njësive administrative përkatëse, për të marrë shërbimin e kërkuar, FALAS

Çdo subjekt privat (noter, avokat apo zyrë tjetër) që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës”, njofton Rama./Opinion.al

Kontroll blic../ Altin Ago në krye të burgut të Peqinit, Qazim Hoxha te i Elbasanit

By: e xh
16 July 2025 at 12:30

Ka përfunduar kontrolli blic në të gjitha burgjet këtë të mërkurë, më 16 korrik.

Pas kontrolleve blic, Altin Ago është emëruar në krye të burgut të Peqinit, ndërsa Qazim Hoxha në krye të burgut të Elbasanit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në të gjitha burgjet gjatë mbrëmjes së kaluar dhe herët në mëngjes, në kuadër të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Verifikimet janë kryer jo vetëm për sende të ndaluara por edhe janë këqyrur kartelat e takimeve të disa të burgosurve. Pas kontrolleve, janë kryer dy transferime drejtuesish, ai i Altin Agos dhe i Qazim Hoxhës./tvklan.al

Izraeli kërcënon me përshkallëzim ushtarak në Siri

By: b b
16 July 2025 at 12:23

Izraeli ka paralajmëruar se do të rrisë përfshirjen ushtarake në jug të Sirisë, nëse forcat qeveritare siriane nuk tërhiqen nga zonat e banuara nga pakica druze.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën se ushtria izraelite “do të vazhdojë të godasë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen dhe do të rrisë nivelin e përgjigjes nëse mesazhi nuk kuptohet”.

Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar të ruajë rajonin jugperëndimor të Sirisë si një zonë të çmilitarizuar dhe të mbrojë pakicën druze në kufi.

Kërcënimi i Izraelit vjen pas shpërthimit të dhunës në qytetin Sueida, ku një armëpushim i arritur të martën mes forcave qeveritare siriane dhe grupeve të armatosura druze u thye të mërkurën.

Ministria siriane e Mbrojtjes akuzoi milicitë lokale për shkeljen e marrëveshjes, duke thënë se ushtria rifilloi operacionet për të “mbrojtur banorët dhe garantuar kthimin e sigurt të atyre që janë larguar”.

Përplasjet nisën mes grupeve të armatosura druze dhe fiseve sunite beduine në provincën Sueida dhe janë shoqëruar me raporte për vrasje pa gjyq, plaçkitje dhe djegie të shtëpive nga forcat e sigurisë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi të paktën 250 të vrarë që nga fillimi i dhunës, përfshirë fëmijë, gra dhe dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.

Komuniteti druz, një pakicë fetare që buron nga një degë e islamit shiit, përballet me presion në rritje në Siri pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor.

Ndërsa disa pjesëtarë të pakicës druze kërkojnë integrim në sistemin e ri politik, të tjerë vazhdojnë të mbeten skeptikë dhe kërkojnë autonomi për rajonin e tyre.

Izraeli, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit druz, e konsideron këtë komunitet si aleat dhe është zotuar ta mbrojë nga kërcënimet në kufi./REL

U mbyt me litar/Policia për vrasjen e 23 vjeçarit:4 autorët s’kanë veshur uniforma..

By: e xh
16 July 2025 at 12:05

Policia e Dibrës ka dhënë një sërë detajesh për vrasjen e 23 vjeçarit Renis Dobra, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 9 korrik, në afërsi të liqenit të Ulzës.

Pas hetimit 1-javor në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëfajësia” dhe pamjeve filmike të siguruara, rezulton se krimi i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, rreth orës 22:10.

Në pranga kanë rënë dy nga autorët, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerët. Përkatësisht, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjokaj (në pranga) dhe dy vëllezërit Kristi e Aleksandër Bushgjokaj (në arrati).

“55 vjeçari, P.Ç, banues në Tropojë, u arrestua në Golaj të Kukësit i dyshuar për “vrasje me paramendim” dhe rrëmbim personi, kryer në bashkëpunim. Shtetasi F.B, 34 vjeç, banues në Kamzë, u arrestua në Astir, i akuzuar për të njëjtën vepër penale, ndërsa u shpallën në kërkim K.B dhe A.B, vëllezërit e të arrestuarit F.B”, tha zëdhënësi i Policisë Dibër.

“Shtetasi R.D është marrë peng dhe më pas është mbytur me litar. Autorët e kanë hedhur automjetin e tij në liqen, por gjatë rënies, trupi i 23 vjeçarit ka mbetur pranë sektorit C, pa rënë në liqen”, shtoi më tej.

Autorët, theksoi ai, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie dhe nuk kanë përdorur logo apo mjete të Policisë.

Sipas forcave policore, si motiv i vrasjes dyshohen mosmarrëveshjet për aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike, mes viktimës dhe autorëve.

“23 vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, deklaroi zëdhënësi i Policisë.

Policia ka sekuestruar 20 celularë, 7 automjete, sasi kokaine dhe një shumë eurosh dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Operacioni është kryer nga Policia Dibër, në bashkëpunim me forcat policore Tiranë dhe Kukës.

Janë shoqëruar edhe katër persona të tjerë, në vazhdën e hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shtyhet sërish seanca për Arbër Paplekajn

By: b b
16 July 2025 at 11:59

Seanca gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së Arbër Paplekajt për lirim me kusht nga burgu është shtyrë sërish.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e një përfaqësuesi të Shërbimit të Provës, pjesëmarrja e të cilit është e domosdoshme në këtë fazë të procedurës.

Sipas tvklan, më sohet se Gjykata e Durrësit vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 19 shtator, në orën 09:45.

Paplekaj, ish-efektiv i Forcave të Armatosura, është duke vuajtur një dënim me 7 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ngjarje që ndodhi në prill të vitit 2021, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Dënimi iu ul nga Gjykata e Apelit, e cila e rikualifikoi veprën nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.

Pasi ka përfunduar më shumë se gjysmën e dënimit, mbrojtja e tij ka kërkuar përfitimin e lirimit me kusht.

Seanca e shtatorit pritet të jetë vendimtare për këtë kërkesë, ndërkohë që Paplekaj nuk mori pjesë personalisht, por u përfaqësua nga avokati i tij.

Po digjte mbeturinat në oborr, por përfshihet nga flakët/ Humb jetën i moshuari

By: e xh
16 July 2025 at 11:42

Një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në Fushë-Milot. Ngjarja ndodhi pasi i moshuari po digjte mbeturinat në oborrin e tij.

Siç raporton Tv Klan, viktimë e kësaj ngjarjeje ka mbetur shtetasi i identifikuar si Demer Haxhiu.

Sipas burimeve paraprake, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë trupin e të moshuarit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Laçit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Berisha: Kartelet do përfaqësohen në BE falë lidhjeve me Ramën

By: b b
16 July 2025 at 11:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur në konferencën, ‘The Western Balkans Paradigm’, duke theksuar se përfaqësues të karteleve të drogës mund të zënë vend në delegacionet e ardhshme zyrtare të Shqipërisë në institucionet e Bashkimit Evropian

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Berisha tha se Shqipëria është kthyer në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.

Ai ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfshirjen e grupeve kriminale në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke e akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Edi Ramën për lidhje me kartelet e drogës dhe për kthimin e Shqipërisë në një qendër operative të krimit ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar ndikimin që këto struktura kriminale kanë në procese të rëndësishme si zgjedhjet, emërimet në administratë dhe në sistemin e drejtësisë.

“Së treti, sipas Departamentit të Shtetit, qendra operacionale e organizatave kriminale të Europës, të Amerikës Latine dhe të Lindjes së Mesme është kthyer Shqipëria.

Shqipëria eksporton kriminelë dhe drogë. Kartelet e drogës janë kaq të fuqishme sa ato e kanë në kontroll të plotë, portin më të madh të vendit, Durrësin.

Asnjë kg kokainë nuk kapet në këtë port, ndërkohë që antimafia italiane kap tonelata drogë dhe identifikon se tonelata të tjera kalojnë përmes Durrësit për të shkuar drejt Italisë apo Gjermanisë.

Karteli Çela kontrollon qarkullimin e heroinës nga vendet lindore, 70 përqind kalojnë përmes Elbasanit. Elbasani është kryeqyteti i kartelit Çela dhe kontrollon të gjithë qarkullimin. Tani cilat janë pasojat?

Në delegacionin e radhës në BE, në qoftë se këto kartele vendosin që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e delegacioneve në Këshillin e Stabilizimit, në Këshillin e Europës dhe në agjencitë e tjera.

Pse? Sepse ato kanë qenë shumë aktivë gjatë zgjedhjeve.

Kandidatët e tyre kanë marrë shumicën e votave, njerëz tërësisht të panjohur, por ata caktojnë ministrat, caktojnë kandidatët për deputetë, caktojnë drejtorët e policisë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejta dhe të forta me kryeministrin Edi Rama. Personi që ju e shikoni nga jashtë si një xhentëlmen që bën disa gjeste shumë të bukura në samite, bën një jetë të dyfishtë.

Ai ka jetën e vet me kartelet, me trafikantët e drogës dhe me vrasës me të cilët takohet në zyrën e tij dhe gjithçka është e dokumentuar. Tani, ne u jemi shumë mirënjohës PPE-së, partive simotra të qendrës e djathtë që kanë votuar 6 rezoluta brenda disa muajsh dhe thonë në thelb këtë që po u përcjell unë”, tha Berisha.

Situata me zjarret/ MM: Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 20 vatra, 3 ende aktive

By: e xh
16 July 2025 at 11:28

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat tre janë ende aktive dhe një në monitorim. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Fier, Kavajë, Vorë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Has, Krujë, Vlorë, Selenicë, Gjirokastër e Përmet.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër. Ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë.

Qarku Shkodër. Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarri në një sipërfaqe me lis dhe shkurre. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri është rreth 5 ha.

Qarku Gjirokastër. Në vendin e quajtur Grohot, ku bëhet grumbullimi i mbeturinave të bashkisë Gjirokastër, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarr. Në terren për shuarjen e zjarrit ndodhet grupi i shërbimit me një mjet zjarrfikës.

Në monitorim:

Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Ditën e sotme zona ku është zhvilluar zjarri është e fjetur dhe me pak tym që vjen brendësia e vatrës. Aktualisht në terren zjarri po monitorohet nga katër forca të AdZM dhe pesë forca bashkiake për shuarjen e vatrës së zjarrit.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 150 hektarë sipërfaqe dhe mbi 1000 rrënjë  ullinj.

Në një rast, zjarri është konstatuar në një banesë, në lagjen “15 Tetori”, Fier dhe në një rast tjetër në një autobus, në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, pranë tunelit te Skërficës, bashkia Gjirokastër. Në të dy rastet janë regjistruar dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 29 automjete zjarrfikëse dhe 346 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje tё dobëta në qarqet Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Shkodër, Dibër, Tiranë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër priten reshje të lokalizuara.

Sa i përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet Lezhë, Fier, Berat, dhe Gjirokastër, nivel rrezik “i moderuar” në të gjitha qarqet e tjera.

Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të gjitha të angazhuara, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit në rast nevoje. Autoritetet ftojnë qytetarët të bëjnë kujdes, duke shmangur ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura dhe të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë.

FBI fut në listën e personave “më të kërkuar” ish-ambasadorin iranian në Shqipëri

By: b b
16 July 2025 at 11:23

FBI ka publikuar të martën imazhe të reja të tre oficerëve të inteligjencës iraniane në listën e personave më të kërkuar, mes tyre edhe ish-ambasadorin e Iranit në Shqipëri, Gholamhossein Mohammadnia.

Ata dyshohet se janë përfshirë në rrëmbimin e agjentit special të FBI-së, Robert Levinson, i cili besohet të jetë i vdekur.

Reza Amiri Moghadam, Taghi Daneshvar dhe Gholamhossein Mohammadnia janë pjesë e një hetimi të gjerë mbi zhdukjen e Levinson në vitin 2007, tha zyra e FBI-së në Uashington.

Moghadam është ambasadori aktual iranian në Pakistan, I cili më parë drejtoi njësinë e operacioneve të Ministrisë Iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë në Teheran, një agjenci anëtarët e së cilës FBI i ka akuzuar për ndihmë në orkestrimin e rrëmbimit të Levinson.

Daneshvar përshkruhet nga FBI si një oficer i rangut të lartë në ministrinë iraniane të inteligjencës i përfshirë në aktivitete kundërspiunazhi. Rreth kohës kur Levinson u zhduk, ai dyshohet se mbikëqyri punën e Mohammad Baseri, një oficer tjetër iranian të inteligjencës të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar për rrëmbimin.

Mohammadnia është një zëvendës i lartë në ministrinë e inteligjencës i cili shërbeu si ambasador iranian në Shqipëri në vitin 2016, përpara se të dëbohej nga Shqipëria dy vjet më vonë për “dëmtim të sigurisë së saj kombëtare”, sipas FBI-së.

Agjencia amerikane tha se Mohammadnia udhëhoqi një iniciativë për të fajësuar zhdukjen e Levinson “një grupi terrorist në rajonin e Baluchistanit të Pakistanit për të larguar fajin nga qeveria iraniane”.

Sipas FBI-së, të tre të dyshuarit janë të lidhur me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS), të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë etiketuar si një lojtar kyç në operacionet e marrjes së pengjeve dhe komplotet që synojnë amerikanët jashtë vendit.

Berisha: Shqipëria u transformua në një shtet autokratik! Rama shkel parimet

By: e xh
16 July 2025 at 11:15

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në konferencën “The Western Balkans Paradigm”, një konferencë e organizuar nga Fondacioni i Partive Popullore Europiane – Martens Centre dhe Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD) i Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij kreu i PD-së foli për situatën politike në vendin tonë, ku nuk munguan kritikat për kryeministrin Edi Rama.

Gjithashtu Berisha foli ndër të tjera edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se nëse i jepet përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, kjo do i hapë rrugën autokracisë dhe ky do të ishte një gabim i tmerrshëm dhe historik për vendin tonë.

“Unë e konsideroj gjeopolitikën pothuajse një forcë natyrore, e cila gjithmonë duhet të merret në konsideratë seriozisht. Por duke i dhënë përparësi në krahasim me integrimin përmes standardeve, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë, që janë themelet e procesit të integrimit, në mendimin tim është një gabim i tmerrshëm dhe historik. Nga njëra anë kjo do të thotë tradhti e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të idealeve dhe aspiratave të një vendi kandidat sepse fakti që ata e shohin të ardhmen më të mirë në BE, mendojnë dhe kanë të drejtë të mendojnë se do jenë më të lirë, më të begatë në ekonominë e tregut dhe qytetarë më të denjë.

Por në rast se ju i jepni përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, apo aderimit për qëllime stabiliteti, kjo do të thotë që i jep rrugën dhe je në aleancë me autokracinë. Unë mendoj se asnjë vend i lirë i BE do ta donte këtë rezultat.

Kushdo që ka ndonjë dyshim, le të vijë në Shqipëri dhe ta studiojë kazusin. Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik.

Por edhe për BE-në në vetvete nuk është vetëm një problem i rëndë moral me vendet kandidate, por gjithashtu do të thotë të vendosësh një virus në themelet e veta pa ditur se cilat do jenë pasojat për të ardhmen. Një proces i bazuar në meritë është në interesin jetësor të qytetarëve të vendeve kandidatë. Është mënyra më e mirë për të ndihmuar këto vende që të shkëputin lidhjet me të kaluarën”, tha Berisha.

Gjithashtu ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndryshuar ligjet dhe se ka shkelur parimet.

“Shqipëria i nisi negociatat kur të gjitha pushtet 94% përqendrohen në një dorë. Kryeministri Shqipërisë për habinë tuaj qysh atëherë është bërë kryetar i këshillit kombëtar të shkencës, është bërë kryetar i komitetit kombëtar të ujërave, qysh atëherë kryeministri shqiptar ka ndryshuar ligjet dhe çdo ndërtesë e vetme dhe ato një katëshe duhet të nënshkruhen prej tij në mënyrë të ekzistojnë duke shkelur çdo parim ndërkombëtar. Së dyti ne i nisëm negociata kur ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narkoekonomia”, tha Berisha.

 

Caktohet gjyqtarja që do marrë në “dorë” dosjen e ish-deputetit Çyrbja

By: b b
16 July 2025 at 11:05

GJKKO ka hedhur këtë të mërkurë shortin elektronik për shqyrtimin e dosjes ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Sipas informacioneve, gjyqtarja Etleva Deda është caktuar për të shqyrtuar dosjen ndaj ish-deputetit socialist dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-deputetin, i cili u arrestua vitin e kaluar. Po ashtu, janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme edhe dy të pandehurit e tjerë.

Kujtojmë se ndaj Çyrbjes rëndojnë pesë vepra penale: dy akuza për “Tregim të sekretit shtetëror”, dy akuza për “Përkrahje e autorit të krimit” si dhe një akuzë për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

❌
❌