Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 July 2025Opinion.al

Shqipëria Bëhet letër KQZ:Të respektohen dorëheqjet e kandidatëve në listën e …

By: b b
17 July 2025 at 16:56

“Shqipëria Bëhet” i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë.

Përmes saj, kërkohet që KQZ-ja të shpallë të pavlefshme kërkesat për revokimin e dorëheqjeve të anëtarëve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Shkresa e depozituar këtë të enjte nënvizon se dorëheqja është bërë nga kandidimi dhe si e tillë, emrat në listën e mbyllur kanë humbur të drejtën e përfitimit të mandatit.

Shkresa mbyllet me kërkesën që mandati t’i kaloj Adriatik Lapajt, si kandidati i renditur i pari me numrin më të lartë të votave në listën e hapur të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’.

Kujtojmë se prej ditësh ka nisu një ‘përplasje online’ mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit lidhur me mandatin e fituar nga koalicioni në zgjedhjet e 11 majit.

BE-ja kritikon Serbinë për stërvitjen ushtarake me Kinën

By: b b
17 July 2025 at 16:38

Stërvitja e parë ushtarake mes ushtrisë serbe dhe asaj kineze shënon një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.

Me këtë veprim, Serbia bëhet vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që zhvillon stërvitje të tilla me Kinën.

Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi më 14 korrik se stërvitja, e quajtur “Rojtari i Paqes 2025”, do të zhvillohet në gjysmën e dytë të korrikut, në provincën Hebei në veri të Kinës.

Viteve të fundit, Serbia ka blerë armë nga Kina, duke u bërë vendi i parë në Evropë që blen sistemin kinez kundërajror, FK-3.

Për shkak të qasjes ndaj Kinës dhe Rusisë, Brukseli e ka paralajmëruar disa herë Serbinë.

Edhe stërvitja ushtarake me Kinën u pa në të njëjtin kontekst kritik nga BE-ja.

“Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme”, ishte mesazhi nga Brukseli.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se blloku dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme evropiane, për parime dhe vlera të përbashkëta.

“Neve na duhet që Serbia të na bindë për drejtimin e saj strategjik”, tha zëdhënësi i BE-së.

Si vend kandidat, Serbia e ka detyrim të përputhet me politikën e jashtme të BE-së, dhe Brukseli e ka kërkuar këtë shumë herë nga Beogradi.

Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe qëllim strategjik i saj është anëtarësimi në BE.

Beogradi zyrtar e balancon njëkohësisht politikën e tij të jashtme midis Perëndimit, Kinës dhe Rusisë, e cila është izoluar nga Perëndimi për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Nikolla Lluniq, analist serb i gjeopolitikës dhe sigurisë, beson se vendimi i Serbisë për stërvitje ushtarake me Kinën “e minon orientimin e deklaruar të Serbisë drejt BE-së”.

“Forcimi i ndërveprimit të njësive kineze dhe serbe i dërgon Perëndimit një mesazh të qartë gjeopolitik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Para stërvitjes me Ushtrinë e Serbisë, Ushtria e Kinës zhvilloi në korrik të vitit 2024 manovra në Bjellorusi – së bashku me ushtrinë e këtij vendi – në kufi me NATO-n.

Ato u mbajtën në kohën e samitit të NATO-s në Uashington, ku udhëheqësit e aleancës ushtarake shprehën mbështetje “të padiskutueshme” për Ukrainën, ndërsa kritikuan ashpër Pekinin për mbështetjen e tij për Rusinë.

Cili është qëllimi i stërvitjes në Kinë?
Sipas njoftimit të Ministrisë kineze të Mbrojtjes, stërvitja e planifikuar “do të kontribuojë në forcimin e aftësive luftarake të pjesëmarrësve dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy ushtrive”.

Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me qëllimin e kësaj stërvitjeje, e as se cilat njësi dhe sa ushtarë të Ushtrisë së Serbisë do të marrin pjesë.

Përgjigje nuk ktheu as Ambasada e Kinës në Beograd.

Tash për tash, nuk ka informacione as nëse dhe kur do të mbahet një stërvitje e përbashkët në Serbi, pasi këto stërvitje zakonisht organizohen me rotacion.

Lluniq thotë se nga njoftimi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes mund të kuptohet më shumë se bëhet fjalë për një stërvitje ushtarake, e jo për trajnim.

Ai thotë se trajnimet ushtarake nuk kanë emër, ndaj “Rojtari i Paqes 2025” është më i përshtatshëm për stërvitje ushtarake.

NATO-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me stërvitjen e paralajmëruar ushtarake mes Serbisë dhe Kinës.

Armët kineze në Ushtrinë e Serbisë
Serbia bleu nga Kina gjashtë dronë pa pilot CH-92A në vitin 2020 dhe, dy vjet më vonë, edhe sistemin raketor të mbrojtjes ajrore FK-3.

Kështu, Serbia u bë operatore e këtyre raketave kineze dhe dronëve luftarakë në Evropë.

Gjatë prezantimit të pajisjeve të reja të Forcave të Armatosura të Serbisë në prill të vitit 2023, publikut iu prezantua edhe droni kinez CH-95.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi në fund të vitit 2024 se në Kinë është realizuar një trajnim për sistemin raketor FK-3, i cili mund të godasë lloje të ndryshme avionësh, helikopterësh, raketash lundruese dhe dronësh.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për blerjet e armëve ruse dhe kineze nga Serbia.

Pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Serbia vendosi një moratorium për të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerë të huaj.

Përjashtim bën stërvitja taktike ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, në të cilën njësitë e Ushtrisë së Serbisë forcojnë aftësitë e tyre për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse.

Stërvitjet “Ujku i Platinit” zhvillohen në Serbi që nga viti 2014 dhe në to marrin pjesë edhe anëtarë të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Lluniq thotë se pjesëmarrja e Serbisë në stërvitjen ushtarake me Kinën, bie ndesh me synimet që vetë Serbia i ka shpallur për politikën e saj të jashtme dhe e bën të paqëndrueshëm pretendimin e saj për neutralitet ushtarak.

“Është e qartë se moratoriumi mbështetet në kritere politike, jo parimore, dhe për këtë arsye, neutraliteti ushtarak i Serbisë, për shkak të kësaj qasjeje selektive, humb çdo besueshmëri ndërkombëtare”, thotë ai.

Stërvitjes ushtarake i paraprinë ushtrimet policore
Stërvitjet e ardhshme ushtarake nuk do të jenë të parat midis Serbisë dhe Kinës në fushën e sigurisë.

Viteve të kaluara, janë mbajtur edhe ushtrime mes njësive speciale të Policisë së Serbisë dhe asaj të Kinës, ndërsa që nga viti 2019 dy vendet kanë edhe një marrëveshje për patrulla të përbashkëta policore.

Vuk Vuksanoviq, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, përmend edhe dokumentin kinez të Iniciativës Globale të Sigurisë (GSI), të vitit 2023.

Në të, kujton ai, thuhet se Kina do t’i forcojë partneritetet dhe shkëmbimet e saj të sigurisë në fushën e arsimit ushtarak dhe policor.

Vuksanoviq thotë se rritja e bashkëpunimit në siguri mes Serbisë dhe Kinës reflektohet përmes blerjes së pajisjeve ushtarake kineze, bashkëpunimit policor dhe teknologjisë kineze të mbikëqyrjes.

“Nga perspektiva e Serbisë, ky është vetëm një vazhdim i politikës shumëvektoriale dhe politikës balancuese”, vlerëson ai.

Cili është interesi i Kinës?
Ushtria dhe policia kineze, sipas Vuksanoviqit, kërkojnë partnerë për të fituar përvojë ndërkombëtare.

Ai thotë se vendet evropiane, kryesisht, nuk ishin të gatshme ta bënin këtë.

“Kjo [me Serbinë] është përpjekje për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, është shumë e dobishme për promovimin e Kinës si një fuqi e re globale në rritje”, thotë Vuksanoviq.

Në korrik të vitit 2019, përpara pushtimit rus të Ukrainës, në Gjermani u mbajt një stërvitje e përbashkët ushtarake-mjekësore midis saj dhe Kinës.

Ajo u quajt “Ndihma e Kombinuar 2019” dhe në fokus kishte përgatitjen për reagim gjatë krizave humanitare.

Në media u përshkrua si ngjarja e parë për ushtrinë kineze në përpjekjet e saj për të krijuar lidhje më të ngushta me Evropën.

Serbia dhe Kina, viteve të fundit, i kanë forcuar edhe marrëdhëniet ekonomike dhe politike, të cilat dy vendet i cilësojnë si “miqësi të çeliktë” dhe “partneritet strategjik”.

Gjatë vizitës së dytë të presidentit kinez, Xi Jinping, në Beograd, në maj të vitit 2024, u nënshkrua një deklaratë për thellimin e partneritetit strategjik dhe “ndërtimin e një bashkësie të Serbisë dhe Kinës, me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

Beogradi së bashku me Parisin dhe Budapestin ishin tri adresat e vizituara nga Xi, gjatë vizitës së tij në Evropë në pranverën e vitit 2024.

Kina, ndërkohë, u bë edhe partnerja më e madhe e tregtisë së jashtme të Serbisë për sa u përket importeve, të cilat arritën në 5.13 miliardë euro në vitin 2024.

Autoritetet në Beograd mbështeten te Kina kur bëhet fjalë për investime ekonomike dhe kredi.

Ato, gjithashtu, llogarisin në mbështetjen e Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sa i përket kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës./rel

Rritet numri i të huajve që punojnë në Shqipëri/ Mbi 11 mijë leje pune këtë 6-mujor

By: e xh
17 July 2025 at 16:27

Shqipëria po njeh një rritje të ndjeshme të interesit për punësimin e shtetasve të huaj, veçanërisht nga vende si Turqia, Italia, Kosova, Filipinet dhe India. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 janë miratuar mbi 11 mijë leje unike pune për të huajt.

Gertiola Çepani, drejtuese e Shërbimit të Tregut të Punës pranë AKPA, bën të ditur se sektorët më të kërkuar mbeten ato prodhues dhe shërbimet.

“Gjatë këtij viti kemi zhvilluar një analizë të tregut, ku mbi 2300 punëdhënës kanë shprehur mungesën e fuqisë punëtore dhe nevojat për aftësi të reja. Për të aplikuar, punëdhënësit shqiptarë duhet të kenë lidhur kontratë pune me të huajin dhe të kenë shlyer detyrimet tatimore. Krahas dokumentacionit të zakonshëm si diploma, ID, dhe adresa e qëndrimit, aplikimi bëhet përmes e-Albania,” tha Gertiola Çepani, Drejtuese e Shërbimit të Tregut të Punës, AKPA.

Të huajt me leje unike gëzojnë të njëjtat të drejta si qytetarët shqiptarë, ndërkohë që aktiviteti i tyre punësor monitorohet nga Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Punës.

“Shqipëria është kthyer në një treg gjithnjë e më atraktiv për fuqinë punëtore të huaj, ndërsa sfidat mbeten dokumentacioni i pasaktë dhe përmbushja e kritereve ligjore. Ndërkohë, pritet rishikimi i ligjit për të huajt për të lehtësuar më tej të drejtat e emigrantëve dhe aksesin e tyre në tregun shqiptar të punës.”

Autoritetet theksojnë se kjo prirje pasqyron zhvillimet e tregut dhe rritjen e interesit të të huajve për të ndërtuar një të ardhme profesionale në Shqipëri. Tv Klan

 

 

Sarandë, policia: Janë plagosur 2 të rinj/ Do dërgohen drejt Spitalit të Traumës

By: e xh
17 July 2025 at 16:21

Policia e Sarandës ka dhënë detaje rreth ngjarjes së ndodhur pak momente më parë në stadiumin e qytetit ku mbetën të plagosur dy persona.

Konkretisht, sipas njoftimit paraprak të policisë, bëhet me dije se shtetasit e plagosur me armë zjarri i përkasin moshës 32 dhe 24 vjeç.

Po sipas policisë, të rinjtë, pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar.

 “Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar” tha policia e Sarandës në një informacion paraprak për mediat.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po vijon punën për identifikimin e autorit, zbardhjen e e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Yulia Svyrydenko emërohet kryeministre e Ukrainës

By: e xh
17 July 2025 at 16:09

Kuvendi i Ukrainës e ka emëruar Yulia Svyrydenkon kryeministre të vendit, në kuadër të riformatimit më të më madh të kabinetit qeveritar në këtë shtet në vjetët e fundit, me qëllim të përmirësimit të menaxhimit në periudhë lufte.

Svyrydenko, 39-vjeçare, e ka marrë detyrën nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, me kërkesë për rritje të prodhimit të brendshëm të armëve dhe ringjallje të ekonomisë së Ukrainës, të varur në mënyrë të konsiderueshme nga kreditë.

Në fjalimin para Kuvendit, Zelensky ka thënë se pret që Qeveria të rrisë numrin e armëve që prodhohen brenda territorit dhe që brenda gjashtë muajve ato jenë të shpërndara në fushëbetejë te 50 për qind e ushtarëve.

Ai e ka përmendur edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me aleatët, si një prej synimeve kryesore të riformatimit më të madh qeveritar prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022. Svyrydenko është teknokrate me përvojë, e cila ka shërbyer si zëvendëskryeministrja e parë e Ukrainës prej vitit 2021. Ajo është zotuar se do të veprojë “me shpejtësi dhe vendosmëri”.

“Lufta nuk lë hapësirë për vonesa”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – dikur Twitter.

“Prioritetet tona për gjashtë muajt e parë janë të qarta: furnizime të qëndrueshme për ushtrnë, zgjerim të prodhimit të brendshëm të armëve dhe përforcim të kapaciteteve teknologjike për forcat tona mbrojtëse”.

Svyrydenko është e njohur brenda qarqeve të administratës amerikane, pasi ajo e ka negociuar marrëveshjen për qasjen e Shteteve të Bashkuara në minerale e rralla të Ukrainës.

Këto negociata konsiderohen kryesore në përforcim të marrëdhënieve në mes të Kievit dhe Uashingtonit. Duke iu adresuar ligjvënësve të enjten, Zelensky ka thënë se do të ketë edhe marrëveshje tjera që do të arrihen me SHBA-në, por ka përmendur diçka specifike.Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Sarandë/ Të shtëna me armë zjarri, plagosen 2 persona pranë stadiumit të qytetit

By: e xh
17 July 2025 at 16:03

Raportohen të shtëna me armë zjarri në lagjen nr 4 të qytetit të Sarandës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pranë stadiumit të qytetit dhe raportohet për dy persona që kanë mbetur të plagosur.

Deri në këto momente bëhet me dije se në urgjencë janë paraqitur dy persona që kanë marrë ndihmën e parë pas plagëve të shkaktuara nga armë zjarri.

Forca policie ndodhen në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën, ndërsa po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të incidentit. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e të plagosurve, madje as motivet që çuan në përdorimin e armës.

“Udhëtim në rivieren, historinë dhe…”/Blick zbulon Shqipërinë turistike

By: e xh
17 July 2025 at 15:53

“Shqipëria ka përjetuar një bum vizitorësh vitet e fundit, kjo edhe falë çmimeve të favorshme. Plazhet, një diversitet i madh kulturor dhe peizazhet mbresëlënëse e bëjnë vendin një destinacion popullor udhëtimi.” Kështu nis shkrimi i të përditshmes gjermano-zvicerane “Blick” për vendin tonë, ku rendit disa nga pikat kryesore për t’u vizituar, duke nisur me Tiranën.

Kryeqyteti i Shqipërisë sigurisht që ia vlen një vizitë, pasi këtu e kaluara komuniste takohet me stilin e jetës në një mënyrë emocionuese. Qendra e qytetit është Sheshi “Skënderbej”, ku ndodhen ndërtesat më përfaqësuese të qytetit, ku spikat Muzeu Kombëtar me mozaikun e tij.

Më tej, shkrimi i gazetës gjermano-zvicerane “Blick” vijon me Sarandën, që e konsideron si parajsën e plazheve të Shqipërisë. Riviera shqiptare në jug të vendit tërheq shumë vizitorë dhe po zhvillohet gjithnjë e më shumë si një alternativë e lirë krahasuar me Kroacinë dhe Greqinë. Në Sarandë, “Blick” shkruan se përveç plazhit, mund të ecni përgjatë shëtitores, e cila ka shumë kafene dhe restorante.

Gjithashtu, Ksamil i zë një peshë të rëndësishme në artikullin e gazetës gjermano-zvicerane, që e konsideron si plazhin më të bukur të Shqipërisë, aty ku ky destinacion ka një plazh të gjatë me rërë, por edhe gjiret e ndryshme të vogla.

Një xhevahir historik është i vendosur në mes të peizazhit të Parkut Kombëtar të Butrintit, qyteti antik i cili është në trashëgiminë botërore të UNESCO-s, ku mund të dallohen gjurmët e grekëve, romakëve, bizantinëve dhe venecianëve, të gërshetuara në kompleksin historik.

Në shkrimin për Shqipërinë, e përditshmja gjermano-zvicerane “Blick” ndalet tek Berati dhe Gjirokastra.

Për të parin shkruan se përveç përzierjes piktoreske të ndërtesave të banimit, restoranteve e dyqaneve, kishat me afresket mesjetare ia vlen të vizitohen, sikurse edhe Muzeu Onufri, i cili ka ikona historike.

Ndërsa për Gjirokastrën, “Blick” shkruan se është ndoshta qyteti më i bukur dhe një nga destinacionet turistike më të vizituara, me ndërtesat që i ngjajnë mini-kështjellave të vogla.

Në përmbyllje të artikullit për vendin tonë, gjermano-zvicerania “Blick” ndalet tek Kruja, që e konsideron si shtëpia e heroit kombëtar “Skënderbeut”. Jo larg nga Tirana, Kruja me Muzeun Etnografik dhe kullat e larta në mal, ofrojnë një pamje të mrekullueshme të Parkut Kombëtar përreth. Klan News

Flakët vijojnë të përhapen/ Del jashtë kontrolli zjarri në Drenovë të Mallakastrës

By: e xh
17 July 2025 at 15:40

Përkeqësohet gjatë orëve të fundit situata në lidhje me zjarrin e rënë në zonën e Drenovës në Mallakastër. Raportohet se dhjetëra forca zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Patosi dhe efektivë të ushtrisë janë angazhuar në terren për të përballuar flakët që po përhapen me shpejtësi.

Zjarri vijon të jetë jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë e cila ka favorizuar përhapjen e flakëve në një sipërfaqe të gjerë pyjore dhe kullotash, pavarësisht ndërhyrjeve nga ajri përfshirë përdorimin e helikopterëve.

Nga ana e tyre autoritetet lokale kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga komuniteti, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e evakuimit në rast se zjarri avancon më tej.

Tentoi t’i jepte fund jetës/ Gjendet arma që u përdor nga 17-vjeçarja në Vlorë

By: e xh
17 July 2025 at 15:15

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit që dyshohet se u përdor nga 17-vjeçarja në tentativën për vetëvrasje. Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një njoftimi nga policia e Vlorës.

“Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 14.07.2025, në lagjen “Kushtrimi”, ku një 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i armës së zjarrit pistoletë, e cila ishte hedhur në një vend grumbullimi materialesh të ndryshme shtëpiake, pranë banesës së gjyshërve të të miturës dhe ndodhej brenda një qeseje plastike”, thuhet në njoftim.

Arma e sekuestruar do t’i dërgohet Institutit të Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se 17-vjeçarja qëlloi veten me plumb pas një konflikti familjar. Sipas uniformave blu, adoleshentja tentoi t’i jepte fund jetës pasi u dhunua nga babai i saj, 43 vjeçari me iniciale S. S., i cili u vendos në prangat e policisë më 15 korrik, një ditë pas ngjarjes.

Ai akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Blutë nisën procedimin në gjendje të lirë për gjyshin e të miturës, 76-vjeçarin me iniciale P. H., pasi dyshohet se  posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij. Ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. opinion.al

Hyri i maskuar e theu xhamin e derës së dyqanit për të vjedhur/ Pranga 36 vjeçarit

By: e xh
17 July 2025 at 15:01

Hyri i maskuar me kapuç, për të vjedhur në një dyqan, pasi theu me çekiç xhamin e derës gjatë natës, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë parandaloi vjedhjen në një dyqan në Mamurras.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në dyqan, autorin e dyshuar, me maskë dhe me kapuç, duke mbajtur një dorë një çekiç me të cilin dyshohet se kishte thyer xhamin e derës së dyqanit.

“Nga veprimet hetimore u identifikua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në Mamurras, i cili u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i mjeteve për vjedhje” dhe “Shkatërrimi i pronës””, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./opinion.al

 

BE plotëson kërkesën e Ramës/42.6 mld € për Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate

By: e xh
17 July 2025 at 14:52

Komisionerja evropiane Marta Kos deklaroi se me buxhetin e ri, BE-ja do të japë 42.6 miliardë euro për Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate, me kusht zbatimin e reformave të integrimit. Bëhet fjalë për një rritje prej 37% të buxhetit evropian për procesin e zgjerimit, nga 31 miliardë eurot që janë dhënë deri tani.

“Negociatat e pranimit me shtete të tilla si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina kanë përparuar shumë shpejt. Këto shtete kanë ambicien për të përfunduar negociatat brenda një kohe të shkurtër. Ne do të japim në vitet në vijim edhe 42.6 miliardë euro për vendet kandidate, një rritje prej 37% nga 31 miliardë eurot që japim aktualisht. Ky është një angazhim i qartë politik dhe strategjik për integrimin e shteteve anëtare të ardhshme, ndër to edhe Shqipëria,” tha Komisionerja Kos.

Kërkesa për rritjen e fondeve evropiane për shtetet kandidate është përsëritur shpesh në samite nga Kryeministri Rama, dhe duket se kjo ka sjellë reflektimin e Brukselit.

Në total, BE-ja planifikon një buxhet prej 2 trilionë eurosh për t’u shpenzuar mes viteve 2028 dhe 2034, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 1.21 trilionë euro të miratuar nga udhëheqësit evropianë në verën e vitit 2020. Klan News

“Nuk jam zyrtar i lartë”, Apeli i GJKKO-së vendos për Alqi Bllakon më 23 korrik

By: e xh
17 July 2025 at 14:23

Ka përfunduar pas dy orësh seanca në Apelin e Posaçëm në ngarkim të ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e tij me 4 vite burg lidhur me inceneratorin e Tiranës.

Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Bllakos, si dhe vetë ky i fundit, i cili kërkoi pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuza në atë formë.

Por, organi i akuzës i kërkoi Shkallës së Dytë të gjyqësorit ka vendosur që të qëndrojë në fuqi vendimi i GJKKO-së, sepse Alqi Bllako është funksionar i lartë ndërsa në postin si Sekretar i Përgjithshëm vetëm ka përcjellë shkresa.

Pasi togat e zeza dëgjuan pretendimet e prokurorëve dhe kërkesën e avokatëve të Bllakos, caktuan datën 23 korrik për të shpallur vendimin për ish-deputetin socialist.

Bllako u dënua nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në 11 mars të këtij viti me 4 vite burg, dënim i cili u zbrit në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, pasi u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv” në dy raste.

Ish-deputeti është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në shkallë të parë./tvklan.al

Shfaqi probleme shëndetësore, Veliaj dërgohet në spital/ I nënshtrohet ekzaminimeve

By: e xh
17 July 2025 at 14:11

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës i arrestuar me kërkesë të SPAK, ka shfaqur probleme shëndetësore mëngjesin e sotëm.

Mësohet se Veliajt i janë kryer analizat e nevojshme për të konstatuar gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa raportohet se kryebashkiaku ka shfaqur probleme me tensionin.

Për në spital krybashkiakun e kanë shoqëruar 30 policë dhe kanë nxjerrë pacientët e tjerë nga dhomat, për arsye sigurie. Pas kryerjes së ekzaminimeve, mësohet se Veliaj është rikthyer sërish në qeli për të vijuar me trajtimin mjekësor brenda IEVP Durrës.

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit të këtij viti, ndërkohë që do të vijojë të qëndrojë në qeli pa afat, pasi edhe shkalla e tretë e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, vlerësoi më 8 korrik, se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk duhet të ndryshojë.

Erion Veliaj ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar se ajo është ekstreme dhe nuk i përgjigjet nevojave të hetimit.

Nga ana tjetër SPAK e dyshon atë si të përfshirë në korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie bashkë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.

Begaj pret Admiralin Vandier: Shqipëria e gatshme të rrisë buxhetin e mbrojtjes

By: b b
17 July 2025 at 14:05

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot Komandantin e Komandës Supreme të Aleancës për Transformimin, Admiral Pierre Vandier.

Kreu i Shtetit i përcolli Admiralit Vandier përgëzime për lidershipin, angazhimin, vizionin dhe profesionalizmin e treguar në drejtimin e Komandës së Aleancës për Transformimin.

Ky takim zhvillohet gati një muaj nga mbajtja e Samitit të NATO-s në Hagë, të cilin Presidenti i Republikës e vlerësoi historik për të ardhmen e Aleancës Veri-Atlantike dhe si një garanci të qartë se NATO do të jetë më e fortë, më e bashkuar dhe më kohezive.

Në përmbushje të vendimeve të Samitit të Hagës, Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar me rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 dhe përkushtimin për t’i siguruar NATO-s kapacitetet e duhura.

Më tej, Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e misioneve të NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, duke theksuar rëndësinë e prezencës së tyre në rajon, pasi siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën.

Në përfundim të takimit, Begaj ritheksoi misionin e rëndësishëm që ka kjo komandë për modernizimin, transformimin dhe përshtatjen e NATO-s për t’u përballur me kërcënimet e sotme dhe sfidat e të ardhmes.

Mbeti në qeli/ Ilir Meta: S’kanë shans të shpikin ndonjë provë! Asnjë zhgënjim nga..

By: e xh
17 July 2025 at 13:59

Pas rrëzimit të kërkesës për liri nga Apeli i GJKKO, ku kjo e fundit e la në arrest me burg, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale Ilir Meta.

Në këtë postim, kreu i PL e ka nisur me fjalët asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.

Ai është shprehur se sistemi gjyqësor është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.

“As kanë pasur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta”, shkruan Meta në postimin e tij.

“Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.

Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falënderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.

As kanë pasur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.

Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese. Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS”, shkruan kreu i PL.

Meta thotë se këtë përballje do ta fitojë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë.

“Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.

Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.

Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë”, shkruan Meta në Facebook. opinion.al

 

 

“Mirëardhsh mik i shtrenjtë”, Rama përcjell Presidentin e Emirateve të Bashkuara

By: b b
17 July 2025 at 13:50

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Muhammed Bin Zayed ka përfunduar vizitën e tij në Shqipëri.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, teksa përmes një postimi në rrjete sociale ka ndarë pamjet nga përcjellja e Bin Zayed në aeroportin e Rinasit, drejt avionit të tij.

Krah pamjeve, Rama shkruan se e mirëpret sërish në Shqipëri.

“Mirëardhsh mik i shtrenjtë”, shkruan Rama krah fotos.

Gjatë takimit të tyre në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi një privilegj të rrallë ardhjen e Muhammmed Bin Zayed në Shqipëri.

Ai nderoi Presidentin arab me “Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike”.

Kujtojmë se Presidenti i Emirateve të Bashkuara mbërriti mbrëmjen e djeshme në vendin tonë.

(VIDEO)Thyen dhe vodhën një “Tabachino”/ Në pranga 2 persona, procedohen 2 të tjerë

By: e xh
17 July 2025 at 13:39

Zbardhen 2 vjedhje të kryera me thyerje në të njëjtën tabakino, dje dhe disa ditë më parë. Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Tabachino”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.

Sipas policisë janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, 2 prej tyre janë vënë në pranga e 2 të tjerë janë proceduar penalisht.

“Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Tabachino”, për zbardhjen e 2 rasteve të vjedhjes në një tabakino.

Si rezultat i operacionit janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, shtetasit: E. S., 22 vjeç dhe A. A., 19 vjeç, të cilët janë kapur dhe vënë në pranga, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 16.07.2025 dhe 30.06.2025, kanë vjedhur artikuj të ndryshëm me vlerë rreth 80 000 lekë, në tabakinon e shtetases B. K”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /opinion.al

Operacioni i spiunazhit/Pranga zv.komandantit të pikës kufitare, informonte serbët

By: e xh
17 July 2025 at 13:24

Një operacion i rrallë spiunazhi është duke u zhvilluar këtë të enjte, më 17 korrik, në Kosovë.

Lajm që u njoftua përmes këtij njoftimi nga Prokuroria: “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e saj, është duke u zhvilluar një operacion në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.”

Duke qenë se operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit.

Mirëpo klankosova.tv, ka mësuar se objektiv i këtij operacioni është një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili dyshohet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme te shërbimet sekrete të shtetit serb.

Zyrtari i identifikuar si Bojan Jevtic është arrestuar te pika kufitare te Dheu i Bardhë, ku punonte si zëvendëskomandant i pikës kufitare. Lajm i konfirmuar më pas dhe nga Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ndonëse nuk dha detaje, Svelça përgëzoi autoritetet për operacionin e zhvilluar.

“Kështu rritet besimi në organet e sigurisë”, deklaroi ai para nisjes së seancës së 48-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, seancë e cila dështoi përsëri./tvklan.al

 

Reuters: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor i Europës

By: b b
17 July 2025 at 13:21

Media e njohur ndërkombëtare “Reuters” i ka kushtuar një reportazh zbulimeve në Lin.

Përmes një artikulli, Reuters shkruan se kërkimet arkeologjike të Universitetit të Bernës dhe Institutit Shqiptar të Arkeologjisë konfirmojnë se Lini, fshat në Gadishullin e Pogradecit, është vendbanimi më i vjetër me palafite në Europë.

Ky zbulim, sipas profesor Albert Hafnerit, arkeolog në Universitetin e Bernës në Zvicër, pritet të ndryshojë hartën arkeologjike të Europës.

Artikulli:

Arkeologët që punojnë në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri janë të bindur se kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar në një liqen evropian duke gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetie dhe bujqësor që ka jetuar deri në 8 000 vjet më parë, sipas Reuters.

Ekipi, nga Zvicra dhe Shqipëria, kalon orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtylla druri që mbështesnin shtëpitë.

Ata gjithashtu po mbledhin eshtra të kafshëve të zbutura dhe të egra, objekte bakri dhe qeramikë me gdhendje të detajuara.

Albert Hafner, nga Universiteti i Bernës, tha se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por vendbanimet në fshatin Lin janë gjysmë mijëvjeçari më të vjetra, duke datuar midis 6 000 dhe 8 000 vjet më parë.

“Meqenëse është nën ujë, materiali organik është i ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë”, tha Hafner.

Studime të shumta tregojnë se Liqeni i Ohrit, i ndarë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është liqeni më i vjetër në Evropë, me mbi një milion vjet.

Mosha e gjetjeve përcaktohet nëpërmjet datimit me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, e cila mat unazat vjetore të rritjes në pemë.

Më shumë se 1 000 mostra druri janë mbledhur nga vendi, i cili mund të ketë strehuar disa qindra njerëz.

Besohet se  vendbanimi mbulon rreth gjashtë hektarë, por deri më tani, vetëm rreth 1% është gërmuar pas gjashtë vitesh pune.

Hafner tha se zbulimet  tregojnë se njerëzit që jetonin në liqen ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe bagëtive në pjesë të tjera të Evropës.

“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje gjërash, por të ardhurat e qëndrueshme për ushqimin vinin nga bujqësia”, tha ai.

Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi tha se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.

“Nga mënyra se si kishin jetuar, ngrënë, gjuajtur, peshkuar dhe nga mënyra se si arkitektura u përdor për të ndërtuar vendbanimin e tyre, mund të themi se ata ishin shumë inteligjentë për atë kohë”, tha Anastasi.

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD-së për përsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë

By: e xh
17 July 2025 at 13:07

Kolegji Zgjedhor ka vendosur këtë të enjte të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në qarkun e Tiranës.

Argumentet e paraqitura nga përfaqësuesi ligjori i PD, Franci Nuri, nuk binden trupën gjyqësore për të shpallur të pavlefshëm zgjedhjet në qarkun më të madh në vend, duke i hapur rrugë certifikimit final të rezultatit për këtë zonë zgjedhore.

Sipas rezultatit, 37 mandatet e Tiranës u ndanë 19 për PS, 13 për PD, 2 për Mundësinë, 1 për PSD, 1 për Lëvizjen Bashkë dhe 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet.

Gjithashtu, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë sot ankimin e PD për qarkun e Durrësit.

❌
❌