Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Opinion.al

Projekti “Shkolla Verore 2025”/Rama: Eksperiencë për më shumë se 1000 fëmijë

By: b b
13 July 2025 at 13:44

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë disa detaje lidhur me projektin “Shkolla Verore 2025”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama thotë se kjo e gjitha është një eksperiencë edukative, por edhe argëtuese, për më shumë se 1 mijë nxënës.

Më tej, ai thekson se ky program ka të përfshirë 150 profesionistë, mësues, psikologë, oficerë sigurie dhe punonjës socialë, ashtu sikurse dhe 100 të rinj vullnetarë nga gjimnazistët.

““Shkolla Verore 2025” – Një eksperiencë edukative dhe argëtuese për më shumë se 1000 fëmijë nga klasa I-V
10 shkolla pjesëmarrëse në Tiranë, Kamëz dhe Durrës, 150 profesionistë, mësues, psikologë, oficerë sigurie dhe punonjës socialë dhe 100 të rinj vullnetarë nga gjimnazet të angazhuar në këtë projekt

Programi solli art, zeje, kodim, gjuhë të huaj, sport, projekte dhe mbi të gjitha pasion për librin”, shkruan Rama në rrjete sociale.

Siguria detare/Bllokohen 36 mjete lundruese nga Ksamili në Koman, gjoba deri në…

By: b b
13 July 2025 at 13:33

Në kuadër të kontrolleve për sigurinë në det, policia ka bllokuar 36 mjete lundruese nga Ksamili në Koman.

Sipas uniformave blu mësohet se janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.

Mjetet e bllokuara janë 24 Jet Ski, 5 Skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

“Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, ka intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, në zonat liqenore dhe lumore, me fokus në garantimin e sigurisë për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese.

Gjatë javës së fundit, janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për Shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.

Mjetet e bllokuara janë 24 Jet Ski, 5 Skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.

Ndërkohë nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste për t’u ardhur në ndihmë 18 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese”, njofton policia.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit.

OSHEE: Nuk ka energji elektrike për ndërtimet pa leje

By: b b
13 July 2025 at 13:13

Në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për të goditur paligjshmërinë në fushën e ndërtimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur të marrë masa për të ndaluar lidhjet e reja me rrjetin elektrik.

Përmes një deklaratë zyrtare, OSHEE thekson se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për lidhje të re me rrjetin elektrik nga ndërtesa që nuk kanë leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e përcaktuara në lejen ekzistuese.

Sipas OSHEE, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave të reja për lidhje, me qëllim që të parandalohet çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin dhe për të garantuar një sistem të drejtë e të sigurt për të gjithë qytetarët.

Njoftimi i OSHEE:

Në kuadër të aksionit të nisur nga qeveria shqiptare për të goditur paligjshmërinë në fushën e ndërtimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) shprehet i vendosur për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët institucionale.

OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.

OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

Vijon aksioni i shembjes së ndërtimeve në Theth

By: b b
13 July 2025 at 12:56

Ka vijuar edhe këtë të dielë aksioni i IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth.

Situata ditën e sotme paraqitet më e qetë, ndërsa bëhet e ditur se deri më tani janë prishur rreth 70 objekte pa leje.

Më herët IKMT ka bërë të ditur se janë konstatuar rreth 80 objekte pa leje në këtë zonë, por burime pranë saj bëjnë të ditur se ky numër mund të jetë edhe më i lartë.

Gjatë ditës së sotme pritet që banorët e zonës së Thethit të mbajnë edhe një takim mes tyre për të koordinuar qëndrimin që do të mbajnë lidhur me aksionin e IKMT-së.

Tv Klan

Lirohet hapësira e kthyer në vendparkim automjetesh, procedohet 39-vjeçari në Tiranë

By: b b
13 July 2025 at 12:49

Ditën e sotme ka vijuar në Tiranë lirimi i hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme.

Mësohet se është liruar një hapësirë e përbashkët pallati, e kthyer në mënyrë të paligjshme në vendparkim automjetesh, në rrugën “Medar Shtylla”.

Për rastin u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, i akuzuar për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Bashkiake dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërhynë në një hapësirë të përbashkët pallati në rrugën “Medar Shtylla”, e cila ishte zënë pa leje dhe ishte kthyer në një vendparkim automjetesh.

Në përfundim të veprimeve për rastin, u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme u tërhoqën me karrotrec”, njofton policia.

Policia e Tiranës vijon apelimin se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të hapësirave publike.

Begaj me Ali Ahmetin:Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut,faktor vendimtar shtetformues

By: b b
13 July 2025 at 12:34

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me politikanin shqiptar, Ali Ahmetin.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Begaj ndau disa foto nga ky takim, teksa shprehet se është kënaqësi bisedimi me Ahmetin.

Po kështu, Begaj thotë  se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues, ashtu sikurse dhe mbështetës të rrugës Euroatlantike të vendit.

“Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.

Situata e zjarreve në vend: U raportuan 18 raste, mbeten aktive 2 vatra

By: b b
13 July 2025 at 12:15

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë për 24 orët e fundit.

Sipas ministrisë, u raportuan për 18 raste zjarri në vend, nga të cilat kanë mbetur aktive ende dy prej vatrave.

Dy të tjera, janë gjithashtu nën monitorim.

Vatrat aktive janë ajo tek “Liqeni i Luleve” në Dibër, e në fshatin Zambish të Tiranës. Tek ky rasti i fundit, flakët janë përhapur edhe në fshatrat Berdal, Thartor dhe Moroj, duke rrezikuar kështu banesat.

“Aktualisht mbeten aktive vatrat:

  • Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Për shuarjen e tij u angazhuan 6 efektivë të MZSH Dibër, 5 forca pyojre, 20 forca bashkiake, 30 efektivë nga Forcat e Armatosura, dhe helikopteri Cougar. Si pasojë është përshkuar njësipërfaqe rreth 30 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna me të njëjtat kapacitete nga forcat operacionale, për shuarjen e vatrës së zjarrit.

 

  • Qarku Tiranë. Në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, është punuar për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me dushqe. Gjatë ditës së djeshme zjarri ka marrë përmasa akoma dhe më të mëdha për shkak të erës dhe është përhapur edhe në fshatrat Berdal, Thartor dhe Moroj, duke rrezikuar banesat në disa momente. Në vendngjarje u angazhuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Rrogozhinë me 1 automjet zjarrfikës dhe 10 efektivë, 30 forca bashkiake, 20 forca vullnetare, si dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura. Ditën e sotme forcat operacionale po vazhdojnë punën në terren për fikjen përfundimtare të zjarrit.

Sakaq, nën monitorim mbetet kufiri midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë të Lezhës, si dhe zona “Mal Plak” në Elbasan.

“Në monitorim:

  • Qarku Lezhë. Në kufirin midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin. Në vendngjarje u angazhuan 25 forca bashkiake, 20 forca policore, 6 forca nga Shërbimi Pyjor, 3 forca vullnetare dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, bënë krehjen e zonës. Terreni është i pjerrët dhe me shkurre. Vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore. Sipërfaqa e djegur është rreth 23 ha.
  • Qarku Elbasan. Në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia Administrative Polis, bashkia Librazhd, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit tërënë në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje u angazhuan Shërbimi vendor i MZSH Librazhd me 1 automjet zjarrfikëse dhe 8 efektivë, 3 inspektorë të pyjeve si edhe 10 forca vullnetare, të cilët punuan deri vonë për vënien nën kontroll të vatrës . Zjarri ka intesitet të ulët dhe vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore.

Dëmet janë të konsiderueshme, teksa janë djegur rreth 79 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe bimësi. Flakë pati dhe tek një banesë në Rrëshen, ku për pasojë u dogj kuzhina dhe dhoma e ndenjës. Shkaqet e zjarrit tek kjo banesë private janë ende të panjohura.

“Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 79 hektarë. Në një rast, në fshatin Tarazh, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë zjarri ka rënë zjarr në një shtëpi private. Si pasojë, u dogj kuzhina dhe salloni i shtëpisë. Shkaku i rënies së zjarrit është i panjohur.

Në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier e Berat, pritet që niveli i rrezikut të jetë i lartë, ashtu sikurse dhe në jug të Shkodrës, apo në verilindje të Durrësit. Nivel i moderuar pritet të jetë në të gjitha qarqet e tjera.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëtanë qarkun Shkodër, ndërsa në qarqet e tjera nuk priten reshje.

Sa i përket zjarrëve në pyje, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier e Berat, dhe nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera. Nё disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug) dhe Durrës (Verilindje).

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë”, njofton ministria.

Deputeti gjerman: Kosova ka nevojë për qeveri stabile

By: b b
13 July 2025 at 12:00

Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetović, flet për heshtjen politike për gjendjen e shqiptarëve në Serbinë e Jugut, Srebrenicën dhe vëmendjen ndaj Kosovës.

Deutsche Welle: Z. Ahmetoviq, të premten ju mbajtët në Bundestag një fjalim me rastin e ditës përkujtimore të Srebrenicës. Ju jeni i prekur personalisht nga Lufta e Bosnjës, eshtrat e gjyshit tuaj u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan vetëm në vitin 2016. Si e përjetuat këtë debat?

Adis Ahmetović: Jam shumë mirënjohës që në Bundestagun gjerman u zhvillua një debat i dakorduar për këtë ngjarje. Nuk përkujtuam vetëm 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, por për herë të parë edhe Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit për këtë krim. Vitin e kaluar, qeveria gjermane, në bashkëpunim me Ruandën, arriti të fitojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta shpallur këtë ditë si ditë ndërkombëtare përkujtimore. Ky debat ishte i domosdoshëm.

Edhe pas 30 vitesh ka ende aktorë politikë në Ballkanin Perëndimor – në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në Beograd – që mohojnë gjenocidin, përpiqen të shtrembërojnë historinë dhe glorifikojnë kriminelë lufte si Ratko Mladić apo Radovan Karadžić. Kjo është e papranueshme. Kemi përgjegjësi – ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë rajonit.

Srebrenica ishte një gjenocid në tokën evropiane. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga kjo për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht në Kosovë?

Ne duhet ta ndjekim nga afër dhe vazhdimisht situatën në Ballkanin Perëndimor.

Politika për Ballkanin nuk mund të jetë çështje konjukturash – ajo duhet të jetë pjesë e përhershme e agjendës së politikës sonë të jashtme. Prandaj, unë ndjek rregullisht zhvillimet në rajon, në Shqipëri, Serbi dhe në Kosovë. Qëllimi ynë është stabiliteti në rajon. Për Kosovën, kjo do të thotë konkretisht: ne duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur – nëse do të varej nga SPD, më mirë dje sesa nesër.

Srebrenica na kujton çdo ditë, se Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por pjesë qendrore e Evropës. Shumë njerëz nga Ballkani jetojnë sot në Gjermani, janë të integruar shumë mirë dhe janë shtetas gjermanë. Edhe kjo na obligon. Rajoni duhet të jetë pjesë përbërëse e politikave tona të jashtme dhe të sigurisë – dhe ky është realitet nën këtë qeveri, veçanërisht sa i përket Kosovës.

Sipas informacioneve tona, në Bundestag ka pasur një përpjekje për të miratuar një rezolutë për Srebrenicën. Përse dështoi kjo nismë?

Mund të them me siguri se sot kemi arritur ta përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë në një formë të denjë – me përmasa dhe në një kuadër që i përgjigjet seriozitetit të kësaj çështjeje. Unë mbajta një fjalim personalisht dhe vendosa lulen përkujtimore të Srebrenicës në jakën e xhaketës – si një shenjë të qartë solidariteti.

Një shenjë tjetër e fortë ishte prania e dy të mbijetuarve të gjenocidit. Krahas ambasadorit të Bosnjës, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës, partneri im politik Faruk Ajeti – një diplomat që bën një punë të shkëlqyer këtu në Gjermani.

Dua të theksoj gjithashtu: Grupi parlamentar i SPD-së në Bundestag ka miratuar një qëndrim të vetin për 30-vjetorin dhe për Ditën e Parë Ndërkombëtare të Përkujtimit për Srebrenicën – dhe këtë e ka bërë njëzëri. Kjo ishte vetëm pika e fillimit. Vitin tjetër vjen Dita e Dytë Ndërkombëtare e Përkujtimit – pastaj e treta, e katërta Dhe ne do ta rrisim dhe do ta përmirësojmë angazhimin tonë.

Përmendët Këshillin e Evropës. A ka ndonjë plan konkret për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave?

Nuk mund të përmend një datë konkrete, sepse kjo do të ishte e papërgjegjshme. Por si zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të SPD-së – bashkë me kolegun tim Frank Schwabe – do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur kursin tonë.  Ne duam që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

U zhgënjyem që kjo nuk u arrit në legjislaturën e kaluar, ndonëse kishte një momentum strategjik. Po të ishte ushtruar më shumë presion, ndoshta do të kishte ndodhur. Megjithatë, nuk duhet të dorëzohemi. Në jubileun e Këshillit të Evropës në Bundestag thashë qartë: Dëshira ime është që Kosova, kjo demokraci e re, të bëhet anëtare e plotë sa më shpejt – nëse do të varej nga ne të SPD-së, dje e jo nesër.

Ndaj kujt duhej bërë më shumë presion vitin e kaluar?

Qeveria gjermane do të duhej të kishte ushtruar më shumë presion mbi shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Disa vende ishin kundër. Por Gjermania ka tani më shumë peshë në Evropë – dhe ne duhet të veprojmë me vetëbesim, por edhe me përulësi. Si SPD do të kujdesemi që qeveria të jetë më aktive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm, z. Wadephul, është shprehur vetë se Kosova duhet të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Evropës. Ne do t’ia kujtojmë këtë premtim – dhe do ta gjykojmë në bazë të tij.

Një tjetër garanci për paqe është anëtarësimi në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi shpresojnë të bëhen anëtare deri në vitin 2030. A është kjo realiste? Dhe dëgjojmë të flitet për anëtarësim të asociiuar. Çfarë nënkuptojmë me këtë term?

Një nga mësimet më të mëdha nga gjenocidi i Srebrenicës është: procesi i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare të BE-së duhet të marrë hov serioz. Nëse duam stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon, këto vende – përfshirë Kosovën – duhet të kenë një perspektivë reale, transparente dhe të sinqertë për anëtarësim. Dhe diçka tjetër:

Anëtarësimi në NATO është po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja nivelet – integrimi politik dhe siguria kolektive – janë të lidhura ngushtë. Pa siguri, nuk ka asgjë. Njerëzit nuk kanë ikur nga Ballkani në vitet ’90 për të kërkuar punë më të mirë. Ata ikën për shkak të luftës, përndjekjes, dëbimit dhe krimeve. Që kjo të mos ndodhë më kurrë, nevojitet një përfshirje e qëndrueshme në BE dhe NATO. Nuk mund të them se kur do të ndodhë kjo. Por mund t’ju premtoj: si përfaqësues i SPD-së për politikën e jashtme, do të jap gjithçka që kjo perspektivë të bëhet reale. E vërteta është gjithashtu se shtetet vetë – Kosova, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Përgjegjësia është e dyanshme.

Parlamenti i Kosovës është i bllokuar aktualisht dhe nuk po arrin të fillojë punën. Sa e dëmshme është kjo për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian?

Si socialdemokrat, jam në kontakt të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe partia e tij janë parti simotra me SPD-në – të dyja i përkasin krahut të majtë progresist. Ne kemi një interes të madh për një qeveri stabile në Kosovë, një parlament funksional dhe punë parlamentare të rregullt. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik.

Nëse kjo arrihet dhe në vitet e ardhshme kemi një qeveri stabile – me një presidente shumë të vetëdijshme dhe përfaqësuese të shkëlqyer të kësaj demokracie të re –, siç është zonja Vjosa Osamani, atëherë çështje si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procesi i integrimit në BE dhe një anëtarësim i mundshëm në NATO duhet të jenë sërish në krye të agjendës. Këto çështje janë të ndërlidhura ngushtë. Dhe nëse të dyja palët – Kosova dhe BE-ja – bëjnë detyrat e tyre, unë jam i bindur se do të ketë një perspektivë shumë pozitive.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës ankohen për margjinalizim – dhe se janë të prekur nga pasivizimi sistematik i adresave të tyre. Këtë javë ju keni pritur në Bundestag një delegacion nga Lugina e Preshevës. Çfarë morët me vete nga ky takim?

Do të jem shumë i sinqertë – dhe unë jam një politikan që flet hapur: Situata e pakicës shqiptare në Serbi deri më sot nuk ka pasur vëmendjen e duhur, as në Gjermani e as në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi parë mjaftueshëm situatën. Prandaj jam shumë mirënjohës që ky delegacion bëri një rrugë kaq të gjatë për të ardhur në Bundestag.

Kur them “rrugë e gjatë”, nuk e kam fjalën për kilometrat, por për këmbënguljen. Ata kanë kërkuar takime vazhdimisht – nuk ka qenë e lehtë të gjejnë dëgjues. Ka pasur shumë organizata të ndryshme që kanë avokuar për këtë çështje, ndër të tjera edhe një shkencëtare nga Institutit Max Planck në Göttingen, e cila më konaktoi e më tha: “Z. Ahmetović, duhet ta shikoni këtë çështje.”

Dhe jam i lumtur që e bëra. Nuk e kisha të qartë sa serioze dhe problematike është situata në terren. Çfarë mësova nga ky takim?

Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e pakicave të vlejnë kudo. Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe në përfaqësimin politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen – sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së.

Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Serbia e Jugut kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja. A e konsideroni këtë kërkesë legjitime?

Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi?

Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat – për pakicat në Serbi, si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj unë e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj./DW

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 46-të

By: b b
13 July 2025 at 11:39

Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as të dielën e 13 korrikut, dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.

Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë.

Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit – kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, mirëpo situata nuk ka ndryshuar.

Ajo e ka përmendur edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi./REL

Mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e tij për të përfituar para, 28-vjeçari…

By: b b
13 July 2025 at 11:21

Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 28- vjeçar, pasi mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e tij për të përfituar para.

Sipas uniformave blu mësohet se është vënë në pranga edhe bashkëpunëtori i tij, i cili do të merrte shumën e kërkuar.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh.

Shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, duke i kërkuar shtetasit B. C. shumën e parave, me pretendimin se do të shërbenin për lirimin e djalit të tij.

Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

VIDEO/ Rama: Spektakël delfinësh në bregdetin magjepsës të Himarës

By: b b
13 July 2025 at 11:09

Një grup delfinësh kanë dhuruar spektakël për turistët dhe pushuesit në bregdetin e Himarës.

Pamjet janë ndarë nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale .

“Nga bregdeti magjepsës i Himarës, ku natyra dhuron edhe spektaklin e delfinëve”, shkruan Rama.

Kujtojmë se nuk është hera e parë që delfinët dhurojnë spektakël në ujërat shqiptare.

Pasi numri i tyre në ujërat e detit Jon dhe Adriatik është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Dyshohet se plagosi nga pakujdesia me armë zjarri një shtetas,arrestohet 51-vjeçari

By: b b
13 July 2025 at 10:51

Policia ka vënë në pranga një 51-vjeçar, pasi dyshohet se nga pakujdesia plagosi me armë zjarri një 34-vjeçar.

Mësohet se në pranga ka rënë edhe 34-vjeçari i dëmtuar, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën 51-vjeçari dyshohet se ka kryer plagosjen.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se pasditën e djeshme ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një shtetas, dyshohet i plagosur me armë zjarri, menjëherë organizuan punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.

Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit B. K., 51 vjeç, i cili dyshohet se nga pakujdesia, pasditen e djeshme, në një lokal në Valias, ka qëlluar me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Xh., 34 vjeç, me të cilin banonin në të njëjtën lagje. Ky i fundit ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, u arrestua edhe shtetasi F. Xh. (i dëmtuari), pasi gjatë procesit hetimor nuk bashkëpunoi plotësisht, duke mos dhënë informacion të mjaftueshëm mbi rrethanat dhe personin e dyshuar si autor të plagosjes.

Më tej, gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit, pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer plagosja”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Sekuestrohen mbi 2 mijë bimë kanabis, procedohen penalisht 2 roje mjedisi

By: b b
13 July 2025 at 10:15

Policia e Shkodrës ka gjetur dhe asgjësuar 2943 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Sipas uniformave blu mësohet se janë proceduar penalisht 2 roje mjedisi, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe komisariatet në varësi të saj kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësive administrative Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 735 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Gruemirë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe asgjësuan 1631 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Për këto raste u proceduan për shpërdorim detyre:

V. P., roje pyjesh
A. K., roje e zonave të mbrojtura

Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës asgjësuan 139 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në territorin e njësive administrative Luf-Qerret dhe Gjegjan, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë asgjësuan 438 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të paligjshëm”, njofton policia.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër./Opinion.al

Në kërkim për trafik droge dhe plagosje,arrestohet 41-vjeçari nga Maqedonia e Veriut

By: b b
13 July 2025 at 09:58

Një 41-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është vënë në pranga nga policia, pasi kërkohej nga autoritetet austriake për disa vepra të rënda penale.

Sipas uniformave blu mësohet se 41-vjeçari me iniciale M. A., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij rëndojnë veprat penale “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar”, dhe “Plagosje”.

Gjatë kontrollit fizik, 41-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, finalizuan operacionin e radhës të koduar “Operacionalja 54”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit M. A., 41 vjeç, lindur dhe banues në Shkup, Maqedonia e Veriut.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik Innsbruck, Vjenë, Austri, për kryerjen e veprave penale “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar”, dhe “Plagosje”.

Këto vepra janë të parashikuara nga Kodi Penal Austriak, ku parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.

Gjatë kontrollit fizik, 41-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet austriake.

Rriten kërkesat për fruta: Fermerët në Berat shtojnë sipërfaqet me pjeshkë

By: b b
13 July 2025 at 09:44

Prodhuesit e pemëtarëve për industri janë të paktë në vendin tonë.

Në fshatin Lapardha të Beratit prodhohet pikërisht pjeshkë për industri. 7 tonë të këtij produkti tregtohen çdo ditë nga 5 hektarë të mbjellë me këtë frut.

Ajo kultivohet nga familja Çifliku. Babë e bir kanë lënë emigracionin dhe janë kthyer në vendlindje duke investuar në pemëtari.

Kanë zgjedhur të prodhojnë për industri pasi në këtë mënyrë tregu është i garantuar dhe çmimi është i kënaqshëm.

“Ja vlen sepse e ke mallin e shitur, e ke çmimin e duhur… çdo gjë me kushte, të një fermeri optimal. Me çmim të arsyeshëm që të jemi të kënaqur edhe ne e fabrika. Çmimin nuk e kemi vendosur, por diku aty tek 60-70 lekë”, tha fermeri.

Prodhimi këtë vit është i mbarë, ndërsa ky produkt do të jetë në treg deri në fillim të shtatorit.

“Kemi që prej 15 qershor, deri në shtator”, sqaroi fermeri.

Fermerët janë të kënaqur dhe thonë se puna ia ka vlejtur. Ndaj kanë vendosur të shtojnë edhe sipërfaqen e mbjellë me pjeshkë.

Ata kultivojnë varietete të pjeshkës enkas për industri ndërsa nuk kanë hequr dorë as nga pjeshkët autoktone. Kur shumë banorë të zonës e braktisën pas prishjes së kooperativave, familja Çifliku e kultivon ende.

Industria kërkon sasi të mëdha frutash, kjo për shkak të nevojave të tregut, si atij vendas dhe atij të huaj.

“Aktualisht, fabrika 250 tonë, domëthënë normalizohet, jo se plotësohet. Fabrika ka kapacitetin për të bërë dhe lëngun e pjeshkës, një kërkesë e paparë, por nuk ka frut. Gjithë ato fabrika që bëjnë lëngjet, koncetratin e marrin nga jashtë. Pse mos ta marrin nga ‘Made in Albania’”, u shpreh Arben Zdrava, sipërmarrës.

Pjeshkët përdoren kryesisht për prodhimin e kompostove.

“Ky është një frut gjithnjë në mungesë në tregun vendor, por edhe ndërkombëtar”, shtoi Zdrava.

Sipas sipërmarrësve, fermerët kanë leverdi pasi nuk janë në varësi të tregut konsumator.

“Disa fermerë kanë atë etjen e momentit që dikush nga tregu ditor imponon çmimin më të lartë, por nuk është e vazhdueshme kjo, e industria ka vendosur një çmim mesatar për të mos e lënë fermerin të ketë atë problemin. Ky është një bashkëpunim që ne e kemi kërkuar dhe jemi në bursë”, tha Zdrava.

Fermerët janë të kënaqur me shitjen e prodhimit por e kanë të vështirë që ta mbajnë atë.

Për shkak të motit të keq shpesh prodhimi dëmtohet, ndaj fermerët kërkojnë që autoritetet t’i ndihmojnë me subvencione për rrjetat e pemëve.

“Ndihmën e parë nga shteti e duam nga rrjetat. Po mbuluan këto, unë fle gjumë pa merak, se kur binte shi ne rrinim jashtë, na ikte prodhimi kot. E për çfarë? Për hiç gjë”, u shpreh fermeri.

Deri tani nuk kanë qenë pjesë e skemave subvencionale rrjetat për mbrojtjen e pemëve.

Klan News

DW: Kuota për nxënësit migrantë në shkollat gjermane?

By: b b
13 July 2025 at 09:34

Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien propozoi kufizim balancues të numrit të fëmijëve emigrantë në shkollat ​​gjermane.

Propozimi i saj gjen mbështetje, por edhe shumë kritika.

Kur Sabine Schwarz (emri i ndryshuar nga redaksia) mësoi për idenë e Ministres së Arsimit nëpërmjet mesazhit në WhatsApp të një mikeshe, fillimisht mendoi se kjo ishte një shaka pa kripë.

Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien e CDU ishte e mendimit, se një kuotë migrimi në shkollat ​​gjermane ishte një “model i imagjinueshëm”, por do të duheshin parë edhe vende të tjera “për të parë nëse në fund kjo do të ishte 30 apo 40 përqind”.

Sabinen e prek kjo temë, ajo është drejtoreshë e një shkolle fillore në landin Renani Veriore-Vestfali me pothuajse 350 nxënës, më shumë se 80 përqind e të cilëve vijnë nga familje emigrantësh.

Propozimi i Prien nuk do të funksiononte në realitet në Gjermani,  sipas saj:

”Mendoj se ajo nuk ka menduar për politikën e strehimit apo qëndrimet e njerëzve, dhe as nuk e ka idenë se si duket situata në të vërtetë në disa lagje.

Sepse atëherë njerëzit do të duhej të zhvendoseshin në lagjen tonë, të paktën nëse donin të shkonin në shkollën afër vendit ku jetojnë. Ne as nuk kemi përqindjen e njerëzve këtu që do të përshkruheshin si gjermanishtfolës ose gjermanë”, shprehet Schwarz.

Numri i migrantëve kriter i prindërve në zgjedhjen e shkollës

Në zonën e shkollës së saj fillore numri i migrantëve është 60 përqind. Gjermanët që jetojnë me shtëpi pranë shkollës së saj preferojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të tjera, thotë Schwarz, gjë që është e trishtueshme.

Kur bëhet fjalë për arsimin, gjermanët preferojnë të qëndrojnë mes tyre: Pothuajse 20 vjet më parë, landi Renani Veriore-Vestfali hoqi detyrimin për të dërguar fëmijët në një shkollë afër banimit, madje edhe për shkollën ​​fillore vlen parimi i zgjedhjes së lirë.

Rezultati: Familjet gjermane me pretendime për arsimin i shmangin shkollat ​​si ajo e Schwarz – nga frika se një përqindje e lartë e emigrantëve mund të ndikojë negativisht në suksesin shkollor të fëmijëve të tyre.

“Ajo që dëgjon gjithmonë është se migrimi barazohet me një nivel më të ulët arsimimi dhe se fëmijët mësojnë gjithashtu më ngadalë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë.

Për shembull, ne përfituam nga vala e refugjatëve në vitin 2015 sepse kishim shumë fëmijë që ishin shumë të interesuar për një arsim të mirë.”

Schwarz kritikon faktin që të gjithë fëmijët paragjykohen njësoj.

Arsimi në Suedi: Laptop apo fletore e libra – Sa digjital duhet të jetë mësimi në shkolla?

Kur vjen puna tek arsimi ekspertët, mësuesit, prindërit e nxënësit janë të mendimit, se duhet reformim. Gjermania del shumë dobët në shumë kategori kur bëhen vlerësime ndërkombëtare:

Në studimin e fundit të PISA-s në vitin 2022, Gjermania u rendit vetëm nga mesi në krahasimin ndërkombëtar. Aftësia e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë ra në nivelet më të ulëta të matura ndonjëherë.

Miratim për iniciativën e Prien

Por ka edhe mjaft njerëz që mund ta kuptojnë qasjen e Prien.

Një argument: edhe fëmijët ukrainas u shpërndanë në mënyrë sa më të barabartë midis shkollave pas mbërritjes së tyre. Studiuesi i njohur gjerman i arsimit, Klaus Hurrelmann i shkruan DW:

”Propozimi i ministres është i kuptueshëm, sepse një përbërje e diversifikuar mirë e klasave shkollore dhe grupeve mësimore bazuar në prejardhjen çon qartë në punë më të mirë.”

Megjithatë, ideja është e vështirë për t’u zbatuar në praktikë, sepse kërkon që nxënësit të identifikohen me origjinën, por shumë prindër dhe nxënës e perceptojnë këtë si diskriminues.

“Keqkuptimet dhe ndjesia e diskriminimit që vijnë si pasojë e kësaj nuk i barazpeshojnë përfitimet e mundshme. Qasje më të mira do të ishin mbështetja e shkollave me një përqindje shumë të lartë fëmijësh dhe të rinjsh me vështirësi gjuhësore.”

Këtë e kërkon Stefan Düll, president i Shoqatës së Mësuesve Gjermanë. Në këtë kontekst, Düll vlerëson programin e Mundësive tër Reja të qeverive të landeve dhe federatës.

Programi parashikon ndarjen e 20 miliardë eurove gjatë viteve të ardhshme për 4,000 shkolla me probleme. Düll e mirëpret debatin e iniciuar nga Prien. Megjithëse dyshon. Propozimi i saj do të dështojë për shkak të zbatimit dhe do ta zhvendosë problemin: Prindërit gjermanë do t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla private.

Shoqata e Mësuesve Gjermanë prononcohet për DW e thekson, se  “shoqata e Mësuesve Gjermanë ka theksuar prej vitesh se mësimdhënia është dukshëm më e vështirë kur shumë nxënës nuk kanë aftësi të mjaftueshme në gjuhën gjermane.

Megjithatë, sipas mendimit tonë, është pak e dobishme të rishpërndahen nxënësit thjesht për të arritur një kuotë të caktuar në klasa individuale. Kjo vështirë të realizohet nga një perspektivë organizative dhe nuk nxit kohezionin social brenda një komuniteti shkollor.”/DW

Kurti pas takimit me diplomatin amerikan Hanrahan:Kosova,partnere e besueshme e SHBA

By: b b
13 July 2025 at 09:23

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së shtunës me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan në Prishtinë, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kryeministria, palët kanë diskutuar në një darkë pune edhe për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.

Takimi është zhvilluar në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Pjesë e takimit kanë qenë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.

Para vizitës në Kosovë, Hanrahan ka realizuar vizita në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe është zyrtari më i lartë që ka vizituar rajonin e Ballkanit prej administratës së re amerikane.

Kurti është zyrtari i dytë i lartë nga Kosova që ka takuar Hanrahanin, pasi ditë më parë ai ka realizuar takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Uashington.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se bashkë me zyrtarin amerikan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Në Serbi, Hanrahan është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti serb ka thënë se bashkëpunimi ekonomik produktiv mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara duhet të jetë baza e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.

Në nisje të vizitës, vetë Hanrahan ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit./REL

Kthimi i “Përbindëshit të detit”? Kina dhe SHBA-ja ringjallin ekranoplanin

By: b b
13 July 2025 at 09:13

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, në vitet ’60, analistët e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) vërejtën një mjet misterioz duke u ndërtuar në brigjet e Kaspikut, në Rusinë sovjetike.

Ai që fillimisht u quajt “Përbindëshi i Detit Kaspik” më vonë u kuptua se ishte një ekranoplan, një anije ushtarake që kapërcen valët me shpejtësi të aeroplanëve luftarakë.

Dekada pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe projektit të ekranoplanit të atij vendi, fotografitë nga Kina sugjerojnë se Pekini tani mund të jetë duke ndërtuar diçka të ngjashme në Detin Bohai.

Anija është quajtur, joçuditërisht, “Përbindëshi i Detit Bohai”.

Eksperti i aviacionit ushtarak, Justin Bronk, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërtimi i anijes eksperimentale nga Kina vë në pah gatishmërinë e Pekinit për të provuar pothuajse gjithçka në kërkim të përparësive taktike ndaj rivalëve dhe armiqve të vet.

“Kina është e njohur për vendosmërinë e saj për të financuar dhe për të testuar një mori zgjidhjesh të ndryshme teknike dhe teknologjike për problemet ushtarake”, ka thënë Bronk, hulumtues i lartë në Royal United Services Institute, duke shtuar se kinezët po i provojnë edhe dizajnët me gjasa të vogla për sukses.

“Mbase duke u bazuar në logjikën se disa, të paktën, do të rezultojnë të përdorshëm dhe të suksesshëm”, është shprehur ai.

Ekranoplanët ofrojnë disa përparësi në krahasim me aeroplanët dhe me anijet.

Duke fluturuar ulët, ata do të mbeteshin të padukshëm për shumicën e sistemeve të radarëve, derisa të paraqiteshin në horizont.

Me shpejtësi maksimale prej rreth 10 herë më të madhe se ajo e anijeve luftarake, një flotë ekranoplanësh në ardhje do t’ju jepte mbrojtjeve bregdetare pak kohë për të reaguar.

Ekranoplanët janë, po ashtu, të aftë të kalojnë mbi mina kundëranije pa u dëmtuar, dhe mund të bartin ngarkesa më të mëdha sesa aeroplanët e madhësisë së njëjtë.

Këto përparësi zgjuan së voni imagjinatën e inxhinierëve në Agjencinë amerikane për Projekte Hulumtuese të Avancuara për Mbrojtje (DARPA), e cila raportohet të ketë shpenzuar 22 milionë dollarë për të dizajnuar modele të një anieje fluturuese, të quajtur “Liberty Lifter”.

Programi amerikan u ndërpre para kohe, në qershorin e 2025-tës.

Një zëdhënës i njërës nga kompanitë e përfshira në ndërtimin e modeleve i ka thënë gazetës Air Force Times se përmes programit kanë arritur “të shfaqin qëndrueshmërinë e dizajnit dhe realizueshmërinë e teknikave të reja të prodhimit”.

Por, përveç skicave të mjetit amerikan, asgjë tjetër s’është parë.

Tani, fotografitë që rrodhën nga Kina, qoftë të planifikuara apo të rastësishme, sugjerojnë se Pekini ka arritur fazën e testimit të prototipit të mjetit të saj fluturues-lundrues.

Nuk ka dëshmi konkrete se anija e vërejtur në Detin Bohai është pjesë e një projekti ushtarak, por ngjyra e saj e hirtë dhe një portë e madhe për ngarkesa i ka shtyrë ekspertët të spekulojnë se ajo mund të jetë e menduar si një lloj anije logjistike ushtarake.

“Ekranoplani mund të ndërtohet [për marinën kineze] për të bartur ngarkesa, që janë shumë të rënda edhe për aeroplanët e mëdhenj transportues ushtarakë, më shpejt sesa do t’i transportonin anijet tradicionale”, ka thënë Bronk.

“Ai mund t’i shërbejë Kinës për t’i përforcuar ishujt e vegjël të kontestuar më shpejt, me sisteme të konsiderueshme kundëranije dhe kundërajrore”.

Dizajnët e mëparshëm të ekranoplanit kanë çaluar për shkak të nevojës për fuqi të madhe për t’u ngritur në ajër, që mund të minimizojë shpenzimin e ulët të karburantit si rezultat i fluturimit të ulët.

Për më tepër, fluturimi pak mbi nivelin e detit i vë anijet në rrezik të lartë të goditjes nga zogjtë, krahasuar me një aeroplan që fluturon në lartësi të mëdha.

Marina e Kinës është duke u zgjeruar me shpejtësi, teksa vendi autoritar aziatik raportohet se synon të ndërtojë një flotë prej gjashtë aeroplanëve transportues luftarakë deri në vitet ’30.

Pamjet e fundit të mjeteve të pazakonta kanë rritur frikën se Pekini është duke u përgatitur aktivisht për një pushtim të mundshëm të Tajvanit./REL

Intervista e diplomatit Daum: Më shumë isha ambasador i shqiptarëve tek qeveria ime

By: b b
13 July 2025 at 09:05

Werner Daum një diplomat gjerman, jurist dhe autor botimesh mbi historinë e kulturës, ndërroi jetë gjatë një vizite në Shqipëri, ku 35 vjet më parë ka shërbyer si përfaqësuesi diplomatik i RFGJ-së në Tiranë.

Lajmi i shuarjes më 12 korrik 2025 i diplomatit gjerman Werner Daum u komunikua në mediat shqiptare, pasi ai ndodhej këto ditë në Shqipëri, vendi ku përpara 35 vjetësh ishte i pari diplomat gjermano-perëndimor që hapi Ambasadën e RFGJ-së në Shqipërinë komuniste më 1987.

Ai asokohe gjatë qëndrimit tre vjeçar në Shqipëri ka pasur një aktivitet intensiv përtej kufijve të diplomacisë duke u angazhuar për hapjen dhe afrimin e Shqipërisë me botën perëndimore.

Ai vet në një intervistë historike për DW (2010) është shprehur, se “kam qenë më shumë një ambasador i shqiptarëve tek qeveria ime, se sa anasjelltas”.

Daum brenda një kohë të shkurtër falë edhe njohjes së gjuhës shqipe arriti t’i njohë shqiptarët dhe të hyjë në komunikim direkt me njerëzit, sikurse është shprehur ai vet: “Unë e kam dashur Shqipërinë që në fillim, i kam dashur shumë shqiptarët, atë natyrë të mrekullueshme me male dhe det, pyjet. Jam ndierë shumë mirë atje.”

Ironi e fatit, që Daum ndërroi jetë pikërisht në Shqipëri, vendi ku punoi me pasion për hapjen dhe afrimin midis dy vendeve, njeriu që hapi portat e Ambasadës së RFGJ-së fund qershorin dhe fillim korrikun 1990 për pranimin e mijëra shqiptarëve, që në shenjë proteste ndaj sistemit vërshuan drejt selive diplomatike perëndimore për t’i dhënë goditjen e fundit regjimit komunist në Shqipëri, ngjarje që ka hyrë në histori si 2 Korriku.

“Shumë i kënaqur që hapa portat e ambasadës për shqiptarët”

Rreth kësaj ngjarjeje Daum në për DW më 2010 ka shpjeguar atë se çfarë ndodhi ato ditë. Ambasada gjermane pranoi rreth 3200 shqiptarë që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria:

”Unë dua të them se nuk ishin 3200 por 3199, por nuk ishte se shqiptarët erdhën në ambasadën gjermane.

Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke, unë kisha shumë miqësi me ambasadorin grek, ai quhej Kakabasis, fliste perfekt gjermanisht, kishte ndjekur një shkollë gjermane, ai ishte miku im më i mirë ndër diplomatët. Ai nuk ishte vetëm një mik që fliste gjermanisht si unë, por ne ishim edhe komshinj, pasi ambasada greke ndodhej direkt pranë ambasadës gjermane.

Natyrisht që shqiptarët erdhën fillimisht në ambasadën greke, sepse ata ishin shqiptarë që vinin nga jugu i Shqipërisë dhe që flisnin greqisht, dhe mendonin se ndoshta ambasada greke mund t´i ndihmonte ata. Të parët ishin rreth 15 deri 25 veta, të tjerë shkuan tek ambasada egjiptiane, italiane, disa shkuan tek ambasada franceze.

Dhe unë u dëshpërova që deri në ato momente asnjë nuk kishte ardhur në ambasadën gjermane. Mua më vinte turp dhe mendova se nuk është e mundur që njerëzit të kërkojnë strehim tek egjiptianët, grekët apo italianët, por jo tek ne.

Dhe me ndërgjegje të plotë i thashë punonjësit të sigurimit të kufirit federal se që sot e tutje ambasada do të jetë e ndriçuar në mbrëmje, që të gjitha dritat do të ndizen, dhe se porta e madhe që sheh nga rruga do të lihet e hapur që të bjerë në sy, kanati i derës nuk do të jetë i hapur fare, por i pakyçur dhe kjo duhej të ishte e dukshme. Unë nuk mund ta duroja që njerëzit të mos kërkonin strehim në ambasadën gjermane.

Kjo mori dhenë dhe njerëzit e parë erdhën, pastaj erdhën të tjerë, pastaj një kamion që prishi murin rrethues të godinës. Unë këto veprime i përshëndeta, por tani dua të them që kjo nuk u përshëndet nga qeveria ime dhe kjo mu tha në telefon. Unë komunikoja me qeverinë në Bon vetëm nëpërmjët linjës telefonike satelitore, pasi nuk mund të dërgonim fakse apo të shkruanim letra.

Duhet thënë se qeveritë flasin për demokraci nëpër tryeza të dielave, por në aktivitetin e tyre ato e kanë për detyrë të ruajnë stabilitetin dhe jo të bëjnë një ndërhyrje aktive. Asnjë qeveri nuk do që amabsada e vendit të tij të mbushet me azilkërkues.

Dhe kështu ndodhi, por unë sot jam shumë i kënaqur që e kam bërë këtë, madje edhe pse në kundërshtim me porositë e qeverisë sime.”

Se si e përjetoi Daum Shqipërinë pas ngjarjeve të korrikut?

“Qeveria ime vendosi që ne nuk duhej ta përsërsinim një gjë të ngjashme dhe kjo ishte e drejtë.

Për mua personalisht ishte e qartë që ky ishte fundi i rregjimit, se mund të zgjaste ndoshta edhe gjashtë muaj apo një vit, por isha i sigurtë se situata nuk mund të stabilizohej më. Unë isha i bindur se procesi ishte vënë në lëvizje dhe se çdo gjë tjetër do të ndodhte vetvetiu në mënyrë të natyrshme.

Qeveria e Bonit tha se gjendja është qetësuar, se njerëzit janë dërguar në shtëpitë e tyre, se unë do të hiqja flamurin gjerman nga ambasada dhe dera do të qëndojë e hapur, kurse unë do të luaja zyrtarisht rolin e kujdestarit të shtëpisë. Kështu unë vazhdoja të merrja rrogën por nëse dikush vinte aty kjo nuk ishte më ambasadë por një shtëpi.

Kështu qëndrova rreth një muaj derisa mora një telefonatë nga Boni, prej nga mu njoftua që duhet ta lë Shqipërinë menjëherë, kjo ishte edhe dëshira e palës shqiptare, paçka se unë isha tani vetëm kujdestar i shtëpisë. U largova me makinën time, me fotografitë e prindërve të mi dhe me bizhuteritë e mamasë sime e disa gjëra të mia private.

Teksa udhëtoja një grua e moshuar iu afrua makinës dhe theu xhamin e saj me një gur. Kështu udhëtova pa xham deri në Beograd pas 16 orë udhëtimi dhe arrita në ambasadën gjermane atje. Dy ditë më vonë më thanë se unë isha bërë jeshil në fytyrë dhe se nuk kishin parë ndonjëherë një fytyrë të tillë.

Gruaja ime, e cila ndodhej në Beograd fillimisht nuk më njohu. Dua të theksoj se unë isha krenar për rolin tim aktiv në një pikë kthese në historinë evropiane, jo vetëm kundër atij rregjimi kriminal në Shqipëri, por edhe kundër qëndrimit kundërshtues të qeverisë sime, që në fakt ishte i kuptueshëm.”

Karriera profesionale

Werner Daum lindi më 14 korrik 1943 në Nyrnberg, studioi në Piza, Beirut dhe në Universitetin Amerikan në Kajro duke u diplomuar në jurispundencë në Frankfurt mbi Main. Si pjesëtar i shërbimit diplomatik të Ministrisë së Jashtme të RFGJ-së stacionet e tij si diplomat kanë qenë, Jemeni, Sudani, Shqipëria, drejtor i përfaqësisë gjermane në seksionin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.

Daum krahas aktivitetit diplomatik ka lënë pas disa botime mbi historinë e kulturës për Shqipërinë “Shqipëria mes kryqit dhe gjysmëhënës” si dhe botime për Jemenin e Sudanin./DW

Trashëgimi e kulturës botërore, UNESCO merr në mbrojtje kështjellat e mbretit Ludwig

By: b b
13 July 2025 at 08:51

Në mbledhjen e Komisionit të Trashëgimisë së Kulturës Botërore të UNESCO-s në Paris u pranuan në listën e objekteve të mbrojtura të kulturës botërore kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig i II si dhe shtëpia mbretërore në Berg.

Këto kështjella në mjedise idilike natyrore që prej mëse 140 vjetësh janë si një magnet për turistët. Vetëm vitin e kaluar janë joshur të vizitojnë këto vepra mjeshtërore rreth 1,7 milionë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.

Pamje e kopshtit me lule të kuqe dhe pemë që shtrihet para kështjellës Herrencheimsee, ndërtuar nga mbreti i Bavarisë Ludwig i IIPamje e kopshtit me lule të kuqe dhe pemë që shtrihet para kështjellës Herrencheimsee, ndërtuar nga mbreti i Bavarisë Ludwig i II

Tri kështjellat e famshme të Ludwig-ut të II u ndërtuan gjatë mbretërimit të tij me shuma maramendëse parash.

Kështjellat Linderhof dhe Herrenchiemsee, ku janë vendosur ekspozitat qëndrore në kujtim të Ludwig-ut të II, si dhe kështjella Neuschwanstein.

Mbreti i famshëm bavarez

Ludwig i IIështë konsideruar në gjithë botën si gjermani më i njohur, megjithëse parë hollë ai ka qenë bavarez: Mbreti Ludwigu i II ka lindur më 25 gusht 1845 në kështjellën Nymphenburg afër Mynihut dhe ka vdekur më 13 qershor 1886 në liqenin Starnberger.

Ludwigu i II. ka sunduar nga 1864 deri në vdekjen e tij si mbreti i Bavarisë.

Ai nuk ka qenë mbret “konvencional”, të cilit nuk i interesonte shumë politika, lufta dhe administrata. Ai angazhohej për artin, ndërtimin e kështjellave shumë pompoze, mbështeste Richard Wagnerin dhe muzikën e tij./DW

❌
❌