Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Opinion.al

Zjarri në Kalasë të Delvinës, flakët përparojnë drejt zonës së banuar

By: b b
27 July 2025 at 19:44

Situata në fshatin Kalasë të Delvinës paraqitet e rënduar dhe serioze pasditen e kësaj të diele, ku zjarri po përhapet i favorizuar nga era e fuqishme që fryn në zonë. Zjarri ka rrezikuar seriozisht banesat dhe infrastrukturën pranë zonës së banuar, duke krijuar alarm tek banorët.

Në aksion janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile. Për të përforcuar përpjekjet për shuarjen e zjarrit, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në zonë po operon edhe një helikopter i tipit Black Hawk, i cili po realizon hedhje uji mbi vatrat e zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe Kryetari i Bashkisë Delvinë, Besmir Veli, ndodhen në terren, ku po ndjekin nga afër operacionin në mbështetje të banorëve dhe përpjekjet për minimizimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.

Kujtojmë se në tre fshatra të Delvinës, dy ditë më parë u urdhërua evakuiimi i banorëve të rrezikuar për shkak të situatës kritike, e cila më pas u duk sikur u qetësua. Operacionet për shuarjen e zjarrit pritet të vazhdojnë edhe gjatë orëve në vazhdim, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Greqia merr ndihmë nga BE-ja për të luftuar zjarret shkatërrimtare

By: b b
27 July 2025 at 19:36

Greqia po lufton për të dytën ditë me radhë zjarret që kanë shkatërruar shtëpi dhe kanë shkaktuar evakuime, me ndihmën e zjarrfikësve çekë dhe avionëve italianë që pritet të mbërrijnë më vonë.

Zjarret vazhdonin të ishin aktive të dielën në mëngjes në rajonin e Peloponezit, në perëndim të kryeqytetit, si dhe në ishujt Evia dhe Kythira, ndërsa avionët dhe helikopterët rifilluan operacionet në disa pjesë të vendit që në agim.

“Pritet që sot të jetë një ditë e vështirë, me rrezik shumë të lartë për zjarr pothuajse në të gjithë territorin”, tha të dielën zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis, megjithëse shtoi se situata po përmirësohet.

Parashikuesit e motit thanë se erërat e forta që kanë përhapur flakët pritet të bien të dielën në shumicën e zonave, por paralajmëruan se ishulli turistik Kythira, me 3.600 banorë, vazhdon të përballet me kushte “shqetësuese” për shkak të erërave.

Mesazhe evakuimi u dërguan për banorët e ishullit, që ndodhet në juglindje të Peloponezit, herët në mëngjes të dielën, pasi zjarri po përhapej pa u ndalur.

“Shtëpi, kosheret e bletëve, pemë ulliri janë djegur”, tha për kanalin shtetëror ERT zëvendëskryetari i Komunës së Kythiras, Giorgos Komninos.

“Një manastir është në rrezik të drejtpërdrejtë tani”, shtoi ai, duke theksuar se gjysma e ishullit është djegur.

Dhjetëra zjarrfikës, të mbështetur nga tre helikopterë dhe dy avionë, po luftonin me zjarrin në Kythira, që kishte shpërthyer të shtunën në mëngjes dhe kishte detyruar evakuimin e një plazhi të njohur turistik.

Greqia kishte kërkuar më herët ndihmë nga aleatët e Bashkimit Evropian dhe dy avionë italianë pritej të mbërrinin të dielën, sipas brigadës së zjarrfikësve, ndërsa njësi nga Republika Çeke tashmë kanë filluar punën.

Njëmbëdhjetë rajone të Greqisë ende përballen me rrezik shumë të lartë për zjarre, sipas autoriteteve.

Zjarrfikësit po punojnë në disa zona të Peloponezit dhe ka pasur shumë shpërthime të reja zjarri gjatë natës në ishullin Evia, pranë Athinës, ku flakët kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe kanë vrarë mijëra kafshë fermash.

Punonjësit kanë filluar që në agim përpjekjet për të riparuar dëmet serioze në rrjetin elektrik të Evias dhe disa fshatra po përballen me probleme në furnizimin me ujë.

Më në jug, në Kretë, raportet thonë se zjarret që shpërthyen të shtunën pasdite dhe shkatërruan katër shtëpi dhe një kishë, tashmë janë vënë kryesisht nën kontroll.

Raportohet se policia po forcon njësitet në Kryoneri, në veri të Athinës, nga frika se grabitësit mund të synojnë shtëpitë e braktisura nga banorët që kanë ikur për shkak të zjarrit që shpërtheu të shtunën pasdite, por që të dielën ishte kryesisht nën kontroll.

Greqia po përjeton kushte të një vale të nxehti që gati një javë, me temperatura që në shumë zona kanë kaluar 40 gradë Celsius.

Të shtunën, temperatura arriti në 45.2°C në Amfilohia, në Greqinë perëndimore.

Pritet që të nxehtit ekstrem të zbutet nga e hëna.

Muajin e kaluar, zjarret në ishullin e pestë më të madh të Greqisë, Hios, në Egjeun verior, shkatërruan 4.700 hektarë tokë, ndërsa në fillim të korrikut një zjarr në Kretë detyroi evakuimin e 5.000 personave.

Viti më shkatërrimtar për zjarret ishte 2023, kur u humbën gati 175.000 hektarë dhe pati 20 viktima.

Shqipëria në flakë, Balluku zbret në terren: Dënim maksimal për zjarrvënësit!

By: b b
27 July 2025 at 18:58

Shqipëria prej ditësh është nën pushtetin e flakëve të zjarrit.

Ktë të diel, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka zbritur  në terren, ku vizitoi Bulqizën për të ndjekur nga afër aksionin për shuarjen e flakëve.

Nga atje, ajo deklaroi se në Kodin e ri Penal do të kërkohet që zjarrvënia të jetë vepër penale dhe të dënohet maksimalisht.

“Kemi pasur zjarrvënës të qëllimshëm. Në Kodin e ri Penal do të kërkojmë nga ligjvënësit në Parlamentin e ri që zjarrvënia e qëllimshme, por edhe zjarrvënia pa dashje – duke ditur shumë mirë se cilat janë pasojat – të jetë vepër penale dhe të ketë penalitete maksimale.”

Balluku tha se është bërë një punë e mirë nga policia për identifikimin e zjarrvënësve. Për këta të fundit, ajo u shpreh se nuk do të ketë ruajtje të identitetit dhe emrat e tyre do të bëhen publikë, për t’u kthyer në shembull.

“Janë identifikuar zjarrvënësit në të gjithë territorin, të cilët do të bëhen shembull, për të thënë të drejtën. Ky është momenti që ne nuk duhet t’u ruajmë identitetin, ashtu siç parashikohet në disa raste nga ligji. Identiteti i tyre do të jetë publik, për t’i kthyer në shembull. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit, qeveria shqiptare dhe pushteti vendor kanë qenë në krye të detyrës gjatë këtyre ditëve dhe do të kërkojnë që të penalizohen maksimalisht.”

Neutralizohen flakët në zonën e Shpiragut dhe Kuçovës

By: b b
27 July 2025 at 18:32

Pas ditësh të tëra përpjekje intensive të forcave tokësore dhe ajrore për përballimin e vatrave të zjarrit në jug dhe juglindje të vendit, situata në zonat e Shpiragut dhe Kuçovës është stabilizuar këtë të dielë, më 27 korrik.

Gazetarja Glidona Daci, duke raportuar live për Klan News nga Kuçova, bëri me dije se, sipas kontrolleve ajrore të fundit, nuk ka më vatra aktive në zonën e Shpiragut, pasi nuk janë konstatuar më shenja tymi apo flakësh. Sipas saj, kjo nuk ofron siguri që këto vatra nuk do të riaktivizohen pasi “Gjithcka është e mundur për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë”.

Në bazën ushtarake të Kuçovës, ku ka zbritur edhe një prej helikopterëve të Forcave të Armatosura, nuk është kërkuar më asistencë për fluturim, duke sinjalizuar një përmirësim të dukshëm të situatës.

“Ndërkohë për sa i përket vatrës ra ushtarake e Kuçovës, ku është ulur dhe një nga helikopterët, nuk është kërkuar ndihmë tjetër për të fluturuar sërish dhe helikopterët e tjerë të forcave ajrore janë në terren duke punuar në mënyrë që të bëhet e mundur shuarja e flakëve në zonat e tjera ku janë aktive: në zonën e Ibës, Borshit, Karaburunit, Vorës.”, tha Daci në një lidhje të drejtpërdrejtë.

Analiza/ A po e dëmton Kotorin statusi i UNESCO-s?

By: b b
27 July 2025 at 18:20

Më shumë se 65 organizata joqeveritare kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Planifikimit Hapësinor, Sllaven Radunoviq, për shkak të deklaratës së tij se Mali i Zi duhet të mendojë nëse ka më shumë dëm apo dobi nga fakti që Kotori është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Radunoviq më 24 korrik tha se mund të organizohet një referendum për qytetarët e Bokas lidhur me këtë çështje.

Kotori, një qytet mesjetar në Boka Kotorska, gëzon statusin e trashëgimisë botërore që nga viti 1979 për shkak të vlerave kulturore dhe arkitektonike.

Idenë për referendum e kanë hedhur poshtë autoritetet e Kotorit.

“Do të bëjmë çfarë duhet. Perla do të mbetet perlë”, tha kreu i Kotorit, Vladimir Jokiq.

Çfarë e motivoi ministrin të propozojë referendumin?
Deklarata e Radunoviqit erdhi pas mbledhjes së Komitetit për Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s në korrik në Paris, ku u vlerësua se ka pasur përkeqësim serioz të ruajtjes së zonës natyrore dhe historiko-kulturore të këtij qyteti.

U hap gjithashtu mundësia që Kotori të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.

Malit të Zi iu kërkua vendosja e një moratoriumi mbi projektet ndërtimore në zonën e mbrojtur, që përfshin pjesë të komunave Kotor, Tivat, Herceg Novi dhe Cetinje.

“Duhet të mendojmë nëse na sjell më shumë dobi të jemi në UNESCO apo më shumë përfitim nëse mund të ndërtojmë. Këto janë dëme të mëdha”, tha Radunoviq.

Ai shtoi se duhet hapur një debat publik mbi statusin e Kotorit.

“Dhe të shpallet një referendum për qytetarët e Bokas që të shihet çfarë do të bëhet më tej dhe nëse duhet ende të jemi në UNESCO”, shtoi ai.

Statusi i trashëgimisë botërore në rrezik?
Sipas raportit të UNESCO-s, është theksuar se Mali i Zi nuk ka përmbushur rekomandimet kyçe që janë përsëritur për vite me radhë.

Pikat problematike përfshijnë mungesën e ekspertëve, mungesën e një Studimi për Zonën e Mbrojtur, ligje të pakoordinuara dhe mungesë transparence në planifikim.

Për këtë arsye UNESCO kërkon ndalim urgjent të lëshimit të lejeve të ndërtimit, ndryshime të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndalim të shfrytëzimit të burimeve natyrore në zonën e mbrojtur…

Nevojitet gjithashtu një rishikim i planeve të zhvillimit urban për t’u përputhur me parimet e ruajtjes së vlerave të jashtëzakonshme universale, forcimi i institucioneve dhe krijimi i një sistemi transparent të menaxhimit.

Afati për zbatimin e masave përfundon në shkurt të vitit 2026.

Ministria e Kulturës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për koment mbi nismën e Radunoviqit, si dhe për pasojat nëse Mali i Zi nuk zbaton rekomandimet e UNESCO-s.

‘Jemi të barabartë me një fatkeqësi natyrore’
Kryetari i Komunës së Kotorit, Vladimir Jokiq, e hodhi poshtë idenë për referendum, duke theksuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore është një detyrim civilizues.

“Ruajtja e vlerave të jashtëzakonshme universale nuk mund të jetë objekt referendumi. As qeveria, as komuna, as qytetarët nuk duan të shkëputen nga qytetërimi”, tha Jokiq.

Ish-ministrja e Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq, vlerësoi se deklarata e Radunoviqit për një referendum të mundshëm përfaqëson një qëllim të rrezikshëm të qeverisë për të shkatërruar Boka Kotorskën dhe për ta fshirë atë nga harta e trashëgimisë botërore.

“Propozimi është absurd, jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe tregon një mosnjohje themelore të fakteve dhe standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Novakoviq Gjuroviq.

Edhe dega e Kotorit e Lëvizjes “Evropa Tani”, e kryeministrit Milojko Spajiq, deklaroi se janë kundër idesë për organizimin e çfarëdo referendumi.

“Çështjet zhvillimore dhe infrastrukturore të Kotorit dhe Boka Kotorska janë të rëndësishme dhe kërkojnë qasje serioze, por zgjidhjet duhet të kërkohen brenda kornizës që nënkupton ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike”, thanë nga Lëvizja “Evropa Tani”.

Arkitektja Biljana Gligoriq tha se Kotori mund të përfshihet së shpejti në listën e kuqe të UNESCO-s.

“Ka qenë një herë më parë në atë listë. Pas tërmetit. Ja si kemi kujdesur për të. Jemi të barabartë me një fatkeqësi natyrore për këtë perlë të planetit”, tha Gligoriq.

‘Statusi i UNESCO-s është njohje, jo pengesë’
Nëse Mali i Zi nuk i përmbush rekomandimet deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm, Kotori mund të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik – një regjistër ndërkombëtar i vendeve që përballen me kërcënime serioze ndaj vlerave universale.

Statusi i trashëgimisë botërore që gëzon Kotori nën mbrojtjen e UNESCO-s përfaqëson njohje për vlerat e tij të jashtëzakonshme universale, thuhet në deklaratën e 65 organizatave joqeveritare.

“Humbja e këtij statusi do të sillte pasoja afatgjata – rënie të besimit, ulje të investimeve, humbje të interesit nga partnerët ndërkombëtarë dhe dëmtim të reputacionit të shtetit”, deklaruan organizatat joqeveritare.

Heqja dorë nga statusi i UNESCO-s do të nënkuptonte lënien e hapësirës vetëm në dorën e logjikës së tregut, duke anashkaluar interesin publik dhe identitetin kulturor, u shpreh sektori civil.

Shembuj të humbjes së statusit të UNESCO-s
Në raste ekstreme, një lokacion mund të hiqet plotësisht nga lista e UNESCO-s, siç ndodhi me Luginën e Elbës në Dresden të Gjermanisë dhe me portin e Liverpulit.

Lugina e lumit Elba pranë Dresdenit ishte vendi i parë në Evropë dhe i dyti në botë që u hoq nga lista e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s.

Dresdeni është një nga qytetet e rralla në Gjermani që ka ruajtur pamjen e tij prej 250 vitesh.

U hoq nga lista sepse autoritetet vendosën të ndërtojnë një urë moderne me katër korsi mbi lumin.

Sipas Komitetit të Trashëgimisë Botërore, ndërtimi i urës nuk e ruante vlerën universale të jashtëzakonshme të luginës së lumit Elba.

Më parë, në vitin 2007, UNESCO kishte fshirë nga lista Rezervatin e oriksit arab (një lloj i rrallë antilope) në Oman, pasi autoritetet vendase e zvogëluan zonën e mbrojtur me 90 për qind, duke shkatërruar vlerën universale të jashtëzakonshme të asaj zone./rel

Rusia zbeh festimet ndërsa dronë fluturojnë pranë vendlindjes së Putinit

By: b b
27 July 2025 at 18:05

Rusia mbajti ceremoni të zbehura për nder të marinës më 27 korrik në Shën Petersburg, duke përmendur shqetësime për sigurinë, ndërsa autoritetet në rajonin përreth raportuan se forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan disa dronë që, sipas tyre, ishin lëshuar nga Ukraina.

Ndërkohë, Rusia vazhdoi sulmet ndaj Ukrainës, ku zyrtarët thanë se ushtria rrëzoi 78 nga 83 dronët sulmues ose mashtrues të lëshuar gjatë natës dhe në mëngjes, përfshirë disa fragmente të të cilëve dëmtuan ndërtesa në rajonin Poltava, që ndodhet mes Kievit dhe vijës së frontit në lindje.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ktheu paradën e Ditës së Marinës në lumin Neva në qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburg, në vitin 2017, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të kremtuar ushtrinë dhe për të ndezur ndjenjat patriotike.

Por, parada detare u anulua këtë vit, një vendim i shpallur nga autoritetet lokale në fund të javës së kaluar. Më 27 korrik, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se “kjo lidhet me situatën e përgjithshme, arsyet e sigurisë, të cilat janë mbi të gjitha”.

Zyrtarët rusë thanë se më shumë se 10 dronë u rrëzuan në mëngjes në rajonin e Leningradit, i cili rrethon Shën Petersburgun, dhe guvernatori tha se një grua u plagos lehtë nga mbetjet që ranë. Dhjetëra fluturime u pezulluan në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se gati 100 dronë u rrëzuan në rajone të ndryshme të Rusisë gjatë natës.

Putin ndodhej në Shën Petersburg dhe mori raporte për një stërvitje katërditore detare që përfundoi më 27 korrik dhe përfshinte anije nga Deti Baltik, përballë Shën Petersburgut, deri në Paqësor.

Ai u zotua të ndërtojë më shumë anije luftarake dhe të intensifikojë trajnimin detar, duke thënë se “fuqia goditëse dhe aftësia luftarake e marinës do të ngrihen në një nivel të ri cilësie”.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, forcat e Kievit kanë fundosur ose dëmtuar disa anije luftarake ruse në Detin e Zi, duke penguar operacionet e saj atje dhe duke e detyruar të tërhiqet nga Gadishulli i pushtuar i Krimesë drejt një baze në Rusi, Novorosijsk.

Edhe pse jo me të njëjtin intensitet si sulmet ajrore të pamëshirshme që Rusia ka lëshuar mbi qytetet ukrainase në mbarë vendin dhe që janë shtuar muajt e fundit, Kievi e ka trazuar Rusinë me sulme me dronë.

Në një postim në rrjetet sociale më 26 korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse ndaj qyteteve, qytezave dhe infrastrukturës “sigurisht nuk mund të mbeten pa përgjigje, dhe dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi e sigurojnë atë”.

“Ndërmarrjet ushtarake ruse, logjistika ruse dhe fushat ajrore ruse duhet të shohin se lufta e vetë Rusisë tani po i godet ata me pasoja të vërteta”, shkroi ai. “Saktësia e dronëve tanë, natyra e përditshme e përgjigjeve të Ukrainës – janë disa nga argumentet që me siguri do ta afrojnë paqen”.

Negociatorët rusë dhe ukrainas nuk bënë asnjë përparim të dukshëm drejt paqes në raundin e tretë të shkurtër të negociatave të drejtpërdrejta në Stamboll më 23 korrik. Rusia ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe Ukrainës për armëpushim, dhe Kievi e Moska vazhdojnë të jenë larg njëra-tjetrës për çështje kyçe si territori dhe siguria.

Ndër të tjera, Rusia kërkon që Ukraina të heqë dorë nga katër rajone tokësore që ajo pretendon në mënyrë të pabazë se janë tani pjesë e saj, përfshirë edhe pjesë që forcat ruse nuk i kontrollojnë, dhe të pranojë kufizime të rrepta mbi përmasën e forcave të saj të armatosura dhe ndihmën ushtarake të huaj.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje që kur mori detyrën në janar, kërcënoi më 14 korrik të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës – dhe sanksione sekondare për vendet që blejnë produkte nafte nga Rusia – nëse Rusia dhe Ukraina nuk arrijnë një marrëveshje deri në fillim të shtatorit.

Në një intervistë për Fox News të transmetuar më 26 korrik, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Trump po bëhet “gjithnjë e më i frustruar” që, megjithëse ka pasur bashkëbisedime të mira me Putinin nëpërmjet telefonit, “ato nuk çojnë askund”.

Trump po “humb durimin. Po humb gatishmërinë për të vazhduar të presë që pala ruse të bëjë diçka këtu, për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Rubio, duke shtuar se “nuk ka asnjë mënyrë që Putini të kishte mundur ta mbante këtë luftë pa mbështetjen e Kinës, veçanërisht përmes blerjes së naftës së tij”./rel

“Budallallëqet e tua!” Djali akuzon rëndë babain për veprime të pahijshme

By: b b
27 July 2025 at 17:47

Marjana dhe Qaniu, janë një çift i martuar prej 53 vjetësh që jeton në Itali. Në rubrikën “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, i ka sjellë një konflikt i lindur nga djali i madh, Ervini. Ata kanë tre fëmijë, por Qaniu i ka dhënë gjithçka Ervinit me qëllimin për “ta sjellë në rrugë të drejtë”, siç shprehet ai, pasi djali luante kumar.

Sipas çiftit, djali u kishte premtuar se do t’i mbante në shtëpinë ku jeton me bashkëshorten e dytë, por tani i ka nxjerrë në rrugë. Prindërit po jetojnë me djalin e vogël, Florindin, që banon me qira por kërkojnë të kthehen në shtëpinë e tyre.

Ervini merr pjesë në seancë përmes lidhjes telefonike, ku thotë se ai ka kontribuar në familje, ndërsa hedh një akuzë të rëndë kundrejt babait.

Qani: A të kam thënë 10-15 herë hajde në familje të bëjmë bisedën si të ndajmë gjërat? Brenda 24 orëvee të kam thirrur tri herë, çfarë më the sot në mëngjes?

Ervin: Faji jot është, nuk është faji im, faji jot është!

Qani: Për çfarë arsyeje? Se të besova që më ke lënë në rrugë sot? Se Florindi ka shtëpinë e vet me qira. Unë të dhashë shtëpinë ty, t’i dhashëtë gjitha, me dy shtëpi, dy martesa, dy makina, gjithë borxhet në Itali e Shqipëri?

Ervin: Po gjithë budallallëqet që ke bërë ti?

Qani: T’i kam bërë të gjitha gjërat unë!

Eni Çobani: Pse, çfarë budallallëqesh ka bërë, Ervin? Për çfarë budallallëqesh flitet, Ervin? T’i thuash  babait për budallallëqet e tua është një çikë e rëndë se është babai juaj.

Ervin: Më vjen zor se ka për të ngelur me gisht në gojë, por nuk po i tregoj gjërat se ai e di shumë mirë për çfarë po flas. Që në fejesën e parë që jam fejuar, që me nusen e dytë që kam marrë dhe gjërat e tjera i di shumë bukur ai, s’dua të fus në sherr edhe plakën me gjërat që ka bërë budallallëqe ai, ai i di shumë  mirë gjërat për çfarë flas.

Eni Çobani: Duhet të na i thuash se ne nuk e kuptojmë se ai ka ardhur, të akuzon  ty që i  ke marrë pronën me mashtrim.

Ervin: Nuk mund t’jua them se goca e huaj  ka krijuar familje sot.

Qani: A je i zoti të më vish këtu përballë?

Eni Çobani: Në qoftë se e nënkuptoj, ju po flisni se babai juaj ka bërë veprime jo të duhura kundrejt nuseve tuaja?

Ervin: Ekzakt, po.

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndë! Në qoftë se ju akuzoni babanë tuaj…

Marjana: Ç’janë këto fjalë kështu, znj. Eni? Ai ka punuar në mes të fabrikës së gomës, me 2500  punëtorë  dhe s’i ka dalë zëri, ç’janë këto budallallëqe që nxjerr nusja e tij? Ç’janë këto budallallëqe, na fëlliqën fare!

Qani: I djeg atij dhe do të shpifë gjëra se mua më njohin të gjithë!

U fut për t’u larë në det, mbytet turistja çeke në plazhin e Qerretit

By: b b
27 July 2025 at 17:30

Një turiste nga Çekia raportohet se është mbytur teksa po lahej në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Mësohet se 42-vjeçarja është mbytur aksidentalisht duke u larë në det.

Njoftimi i policisë:

Kavajë/Informacion paraprak

Rreth orës 16:00, në plazhin e Qerretit, Kavajë, duke u larë në det, është mbytur aksidentalisht shtetasja K. K., 42 vjeçe, banuese në Çeki.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të mbytjes.

Dhërmi/ “Beach bari” gjobitet me 200 mijë lekë për muzikën e lartë

By: b b
27 July 2025 at 17:10

Një “beach bar” në zonën turistike të Dhërmiut është ndëshkuar me një gjobë prej 200 mijë lekësh, pasi gjatë kontrolleve të policisë rezultoi se muzika e transmetuar kishte tejkaluar kufijtë e lejuar ligjorë për ndotjen akustike.

Ngjarja u konstatua më 26 korrik, kur shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi kryen kontrolle në disa lokale përgjatë vijës bregdetare.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Vlorë, gjatë verifikimeve në një prej lokaleve të natës, u konstatua se niveli i zërit tejkalonte normat e lejuara me ligj, çka çoi në vendosjen e një gjobe administrative për administratorin e lokalit, me inicialet E. P.

Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë në mënyrë intensive në të gjitha zonat turistike të qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e qetësisë për pushuesit dhe mbrojtjen nga ndotja akustike, një shqetësim i përsëritur gjatë sezonit veror.

Policia u bën thirrje të gjithë operatorëve turistikë, pronarëve të bareve, restoranteve dhe ambienteve të argëtimit “që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre”, për të shmangur masa ndëshkuese dhe për të siguruar një ambient të qetë për turistët.

Berlin/Protesta pro-palestineze, policë të plagosur dhe dhjetëra të arrestuar

By: b b
27 July 2025 at 16:54

Policia e Berlinit njoftoi të dielën se ka arrestuar 57 persona gjatë një proteste pro-palestineze që u mbajt në margjinat e marshit vjetor të Krenarisë në qytet një ditë më parë. Gjatë protestës, 17 zyrtarë policorë u plagosën.

Sipas policisë, rreth 10.000 protestues morën pjesë në tubimin e së shtunës në mbështetje të palestinezëve, por autoritetet ndërhynë për të shpërndarë turmën pasi organizatorët hasën vështirësi në rivendosjen e rendit.

Arrestimet lidhen me prishje të rendit publik, përfshirë rezistencë ndaj policisë, hedhje e shisheve apo përplasje fizike, por edhe përdorimin e sloganeve anti-semite si dhe “simbolesh të organizatave antikushtetuese dhe terroriste”, njoftoi policia në rrjetet sociale.

Lëvizja “Internationalist Queer Pride for Liberation”, e cila në faqen e saj të internetit deklaron se “nuk ka çlirim queer pa një luftë anti-imperialiste, anti-kolonialiste dhe anti-zioniste”, ishte organizatorja e protestës.

Demonstrata pro-palestineze u zhvillua ndërsa parada vjetore e Krenarisë në Berlin po mbahej në një distrikt tjetër të qytetit, ku u kryen edhe 64 arrestime për fyerje, sulme dhe gjithashtu për përdorim të supozuar të simboleve të lidhura me “organizatat terroriste”.

Zelensky:Më shumë sulme brenda Rusisë, pas rritjes së numrit të viktimave në Ukrainë

By: b b
27 July 2025 at 16:33

Viktimat civile po shtohen ndërsa Rusia vazhdon ofensivën e saj në Ukrainën lindore, duke pretenduar se ka kapur edhe dy fshatra të tjera, ndërkohë që udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, premtoi të hakmerret me më shumë sulme brenda territorit rus.

Ukraina nuk komentoi menjëherë për pretendimet e Ministrisë ruse të Mbrojtjes se forcat e saj më 26 korrik kishin kapur fshatin Zeleniy Hai në rajonin e Donjeckutdhe fshatin Malyivka në rajonin e Dnipropetrovskut.

Zelensky e pranoi se kishte luftime të ashpra përgjatë vijave të frontit në rajonet lindore të Ukrainës, por foli gjithashtu për “veprime të suksesshme të njësive tona” në rajonin e trazuar të Sumyt dhe tha se forcat e tij po “eliminojnë pushtuesit në zonat kufitare”.

Raportet nga të dyja palët nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

Zelensky gjithashtu tha se pika kryesore e sulmeve ruse mbetej afër qendrës së rëndësishme logjistike të Pokrovskut, një qytet me një popullsi para luftës prej më shumë se 60.000 banorësh, por që tani është kryesisht në rrënoja nga sulmet ajrore ruse.

Në adresimin e tij të natës me video, Zelensky tha se komandanti ushtarak ukrainas, Oleksandr Syrskiy, e kishte identifikuar Pokrovskun si një zonë që kërkon “vëmendje të veçantë” për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse.

Zëdhënësi ushtarak, Viktor Trehubov, i tha televizionit ukrainas se forcat ruse po sulmonin Pokrovskun me “një rrjedhë të vogël… që thjesht nuk ndalet”.

Dhuna vjen tre ditë pasi zyrtarët ukrainas dhe rusë zhvilluan takimin e tretë të drejtpërdrejtë në Stamboll në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit, i cili shpërtheu në një luftë të plotë pas pushtimit rus të shkurtit të vitit 2022.

Ato bisedime sollën përparim për shkëmbimet e mëtejshme të të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të rënë, por nuk pati përparim të dukshëm drejt një armëpushimi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke shfaqur zhgënjimin e tij për refuzimin e udhëheqësit rus, Vladimir Putin, për të rënë dakord për një armëpushim, në mes të korrikut kërcënoi se do të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës nëse nuk arrihet një marrëveshje me Kievin deri në fillim të shtatorit.

Në një intervistë për Fox News të transmetuar më 26 korrik, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Trump po bëhet “gjithnjë e më i zhgënjyer” që, edhe pse ka pasur ndërveprime të mira me Putinin gjatë bisedave telefonike, “ato nuk çojnë askund”.

Trump po “humb durimin. Ai po humbet gatishmërinë për të vazhduar të presë që pala ruse të bëjë diçka për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Rubio, duke shtuar se “nuk ka mënyrë që Putini të kishte mbajtur këtë luftë pa mbështetjen kineze, veçanërisht përmes blerjes së naftës së tij.”

Zelensky ka thënë se sulmet e fundit të Rusisë ishin një “përgjigje” ndaj propozimit të Kievit për një armëpushim të menjëhershëm gjatë bisedimeve të paqes.

Zelensky premtoi të hakmerret me sulme të mëtejshme në objektiva ushtarake brenda Rusisë pasi numri i viktimave civile u rrit më 26 korrik në disa rajone ukrainase të goditura nga artileria dhe dronët rusë.

“Sot, për fat të keq, pati shumë sulme ruse në qytetet dhe komunitetet tona: në Sumy – përfshirë infrastrukturën energjetike ukrainase – si dhe në Dnjepër, Harkiv, rajonin e Hersonit dhe rajonin e Donjeckut”, tha Zelensky në adresimin e tij me video të 26 korrikut.

“Sulme të tilla, padyshim, nuk mund të mbeten pa përgjigje, dhe dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi e sigurojnë këtë”, postoi ai veçmas në platformën X.

“Ndërmarrjet ushtarake ruse, logjistika ruse dhe aeroportet ruse duhet të kuptojnë se lufta e vetë Rusisë tani po i godet ata me pasoja reale”, shkroi Zelensky.

Ai tha se kishte udhëzuar zyrtarët të jenë më aktivë në tërheqjen e fondeve të jashtme për dronët.

“Gjithashtu kam udhëzuar zyrtarët qeveritarë dhe ministrin e Mbrojtjes që të rishikojnë më aktivisht të gjitha marrëveshjet që kemi me partnerët tanë — ato që duhet t’i zbatojmë plotësisht, por që, për fat të keq, aktualisht janë ende vetëm pjesërisht në zbatim”, shtoi ai pa dhënë detaje specifike.

Zelensky ka njoftuar se vendi i tij ka siguruar financim për tre sisteme amerikane të mbrojtjes raketore Patriot dhe është në negociata për shtatë sisteme të tjera, si pjesë e një marrëveshjeje të re që u mundëson aleatëve evropianë të blejnë armë amerikane për Kievin.

Pas deklaratave të fundit të Zelenskyt, autoritetet ruse raportuan sulme brenda territorit rus.

Aleksandr Khinshtein, guvernator i rajonit rus të Kurskut, më 26 korrik pretendoi se një dron ukrainas kishte vrarë një person në fshatin Obesta, rreth 5 kilometra nga kufiri.

Ndërsa autoritetet në rajonin e Volgogradit thanë se mbetjet e rëna nga dronët ukrainas të shkatërruar kishin dëmtuar furnizimin me energji elektrike në hekurudhë pranë zonës kufitare. Zyrtarët thanë se edhe trafiku në aeroportin e qytetit ishte ndërprerë./rel

Shqipëria, drejt një ekonomie pa ‘Cash’

By: b b
27 July 2025 at 16:21

Në një vend ku për dekada paraja fizike ka dominuar ekonominë, Shqipëria po përballet me sfidën e madhe të reduktimit të Cash-it. Më shumë se 95% e transaksioneve kryhen ende me para në dorë, veçanërisht në tregtinë e vogël dhe shërbimet e përditshme. Shoqata e Bankave e sheh këtë si një barrë që pengon formalizimin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik.

“Cash-i është një sëmundje për ekonominë, sepse nuk e lejon të shfaqet ashtu siç është në të vërtetë. Është një mjet për evazion, për informalitet dhe deformon konkurrencën. Është thelbësore të reduktohet sa më shumë. Përdorimi i pagesave dixhitale nuk është vetëm lehtësi, por mënyrë për të kuptuar vendin tonë si individë në shoqëri”, thotë Spiro Brumbulli, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Edhe pse ka përparime, sfidat janë të mëdha, sidomos me bizneset e vogla që vijojnë të punojnë thuajse vetëm me Cash. Shqipëria mbetet pa një tavan të detyruar për pagesat me para fizike për individët.

“Ndryshe nga vendet e rajonit si Greqia dhe Maqedonia që e kanë kufirin e Cash-it deri në 500 euro, ne e kemi vetëm për biznesin e madh. Ndërkohë, nga bizneset kërkohet të ofrojnë një alternativë pagese përveç Cash-it. Me SEPA-n në tetor dhe pagesat instant që vijnë më pas, kemi një hap kolosal përpara. Duhet ndërgjegjësim, internet dhe vullnet politik. Nëse angazhohen të gjithë, mund të shkojmë nga 90 në 60% përdorim Cash, një ndryshim i madh për mentalitetin tonë”, shton Brumbulli.

Zvogëlimi i parasë fizike është një domosdoshmëri për një ekonomi më transparente, më të sigurt dhe më të zhvilluar. Por ky tranzicion kërkon kohë, edukim dhe vendosmëri.

Tv Klan

BE mbështet ekonominë qarkulluese të vendit/ Fondet si pjesë e Kapitullit 27..

By: e xh
27 July 2025 at 16:05

Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike janë Kapitulli 27 i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ku këto dy pika të rëndësishme janë të ndërlidhura edhe me ekonominë qarkulluese të vendit. Në kuadër të EU4GreenGen, Bashkimi Europian ka financuar në vendin tonë disa projekte që kanë impakt në ekonomi dhe në tranzicionin e gjelbër.

Njëri prej start-upeve është transformimi i materialeve të ndërtimit në produkte dizajnimi, siç është rasti i abazhurëve të krijuar nga gurët e zonës piktoreske të Palasës.

Ndërsa në Baldushk të Tiranës, Bashkimi Europian ka financuar një laborator biologjik, i cili ofron menaxhim të qëndrueshëm të burimeve dhe ka impakt në ekonominë qarkulluese të zonës.

Duke qenë se Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike janë Kapitulli 27 i negociatave me BE-në, në fokus është edhe ndotja nga plastika apo materiale të ndryshme.

Në Bubq të Fushë-Krujës, me mbështetjen e Bashkimit Europian është ndërtuar projekti i parë pilot në Shqipëri për riciklimin e qelqit.

Bashkimi Europian, por edhe anëtarët e bllokut si Gjermania dhe Suedia, po bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare për të krijuar më shumë vende pune me paga të larta, falë inovacionit dhe projekteve që lidhen me ekonominë qarkulluese. Klan News

Zjarrvënia në disa qarqe/ Policia arreston dhe procedon 12 shtetas

By: e xh
27 July 2025 at 15:57

Policia ka ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe operacionale për parandalimin e zjarrvënieve, si dhe ka identifikimuar dhe kapur autorët.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të strukturave të policisë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur, arrestuar apo proceduar penalisht 12 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në disa qarqe të vendit, konkretisht:

Tiranë: Arrestohet autori i zjarrvënies në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa.

Durrës/Shijak: Arrestohet autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, duke rrezikuar banesat përreth.

Fier: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Frakull e Vogël, si dhe procedohet penalisht një tjetër shtetas që dogji mbeturina në tokën e tij, në fshatin Stan Karbunarë, duke dëmtuar disa rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.

Vlorë: Ndalohet një shtetas për zjarrvënie të qëllimshme gjatë pastrimit të territorit, që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të madhe me bimësi në malin e Shashicës.

Sarandë: Procedohet penalisht një 59-vjeçar, për zjarrvënie në malin e Finiqit.

Gjirokastër: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Kakavijë.

Kurbin: Procedohet penalisht një shtetas që dogji një sipërfaqe në zonën e mbrojtur të Shkopetit, si pasojë e një konflikti me banorët.

Dibër: Procedohet penalisht një shtetas që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me bimësi, në fshatin Dovolan.

Shkodër: Procedohet penalisht një shtetas që ndezi mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe me bimësi.

Poliçan: Procedohet penalisht një 57-vjeçar, pasi ndezi zjarr në fshatin Lybeshë dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi, në vendin e quajtur “Berthanes”.

Belsh/Cërrik: Arrestohet në flagrancë një shtetas, pasi dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën një sipërfaqe toke me ullinj dhe një sipërfaqe pylli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka kaluar në gatishmëri të gjitha strukturat vendore, me porosi të qarta për intensifikimin e masave parandaluese, hetimore dhe ndëshkimore ndaj çdo rasti zjarrvënieje, të qëllimshme apo të shkaktuar nga pakujdesia.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos ndezin zjarr, sepse do të përballen me forcën e ligjit. Po ashtu, qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht moshedhjen e cigareve të ndezura buzë rrugëve, pasi mund të shkaktojnë zjarr.

Konflikti/Rama: Pezullimi i policit masa e parë, të dorëzohet në duart e drejtësisë

By: e xh
27 July 2025 at 15:45

Pas përfshirjes së punonjësit të policisë në një konflikt fizik në Vlorë, ka reaguar në rrjetin X kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë shkruan se ‘pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali’.

Sa i takon planit të masave për reformën e kontrollit të territorit, Rama thotë se punonjësve të shtetit nuk do t’u tolerohen shkeljet e që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit,  qoftë jashtë orëve të shërbimit

‘Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë  komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit’, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, çdo punonjës shteti që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi.

‘Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh’ shkruan Rama në rrjetin X.

Vlorë, ja si dhunohet kamarieri 18-vjeçar për një shishe ujë (VIDEO)

By: e xh
27 July 2025 at 15:31

Në pamjet që po shihni, ky kamarier 18-vjeçar, i punësuar në bar-restorantin e një hoteli në Vlorë, qëllohet brutalisht nga një person në sy të një nënkomisari policie. Madje zyrtari i policisë, me inicialet A.I, me detyrë në policinë kufitare të Dibrës, është i pari që nis konfliktin duke e kapur për mjekër kamarierin 18-vjeçar.

Më pas, miku i tij, me inicialet L.B, 57 vjeç, e godet disa herë të riun që sapo kishte mbushur 18 vjeç, ndërsa polici nuk reagon, por bëhet spektator i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ajo që e bën më skandaloze gjithë situatën është se dhuna ka ndodhur pas një debati absurd për një shishe ujë që kamarieri ka çuar më tepër në tavolinë. Kështu e tregojnë ngjarjen vetë 18-vjeçari dhe kolegu i tij 17-vjeç, që i kishte marrë porosinë tavolinës ku gjendeshin nënkomisari i policisë dhe miku i tij.

Policia e Shtetit njoftoi se drejtori i përgjithshëm ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të efektivit dhe se ndaj tij është hapur procedurë disiplinore për sjellje që cenon rëndë figurën e uniformës blu.

Ndërsa vetë polici gjendet në spital, por policia nuk sqaron arsyen në njoftimin e saj. Nga burime të tjera mësohet se nënkomisari është goditur nga dy persona të tjerë që janë përfshirë më pas në konflikt dhe ka pësuar dëmtime.

Teksa hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, pyetja që ngrihet është se si mund të pretendohet të bëhet turizëm në një vend ku edhe policët përfshihen në konflikte të dhunshme me kamarierë adoleshentë për një shishe ujë, apo kur sheh ende njerëz që zihen nëpër plazhe, lokale plazhesh e nëpër rrugë, për një çadër, për një shikim apo për një të gërvishtur makine.

Të tilla pamje, që qarkullojnë me shpejtësi në mbarë botën nëpërmjet internetit, janë anti-reklama më e madhe e Shqipërisë turistike. Klan News

Lezhë, ngacmoi seksualisht vajzën e tij të mitur/ Pranga 55 vjeçarit

By: e xh
27 July 2025 at 15:19

Arrestohet një 55 vjeçar në Lezhë pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Gurra”.

‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Gurra”, Lezhë, pasi dyshohet se në banesë, ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur, 14 vjeçe’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

GJKKO konfirmon masat për grupin e drogës/ Lirohet njëri, ishte arrestuar gabimisht

By: e xh
27 July 2025 at 15:11

Anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, 27 korrik, në GJKKO për masat e sigurisë. Mes tyre Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, të cilët janë nën hetim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.

Siç raportohet, janë konfirmuar masat e sigurisë “arrest me burg” ndaj pesë personave, ndërsa është liruar shtetasi Ilir Lloshi, pasi rezulton se është vënë në pranga gabimisht. Kjo pasi ai kishte gjeneralitete dhe vendbanim të ngjashëm me një tjetër person të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.

SPAK njoftoi dje, 26 korrik, se si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike (kokainë e kanabis) me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.

“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.

Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama. /tvklan.al

 

Raporti final i OSBE-ODIHR, në fund të gushtit

By: e xh
27 July 2025 at 14:42

Nota finale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jepet në fund të gushtit me publikimin e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR. Burime zyrtare nga kjo organizatë i thanë Tv Kombëtar Klan News se po i jepet dora e fundit këtij raporti, i cili përmbledh gjetjet e misionit vëzhgues të udhëhequr nga Ambasadori Lamberto Zannier.

Në vlerësimin e saj paraprak, OSBE-ODIHR i konsideroi zgjedhjet parlamentare të 11 majit si konkurruese dhe përgjithësisht profesionale, pavarësisht mjedisit politik të polarizuar. OSBE-ODIHR vuri në dukje rolin pozitiv të SPAK-ut, si dhe mekanizmin e ngritur në bashkëpunim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme për zbulimin e krimeve zgjedhore.

Ky raport pritet me shumë interes nga klasa politike shqiptare, veçanërisht nga opozita e udhëhequr nga Sali Berisha, e cila i ka kontestuar këto zgjedhje duke i konsideruar ato si farsë elektorale.

Mbetet për t’u parë nëse ky raport do të pasqyrojë akuzat për shitblerje votash, manipulim të rezultateve, keqpërdorim të administratës dhe fondeve publike, por mbi të gjitha, pritet vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtarë për atë se sa kanë ndikuar gjetjet që ka paraqitur opozita në rezultatin e publikuar tashmë nga KQZ-ja.

Partia Socialiste ka fituar 83 vende në parlamentin e ri, ndaj pret ftesën nga Presidenti Begaj për të formuar qeverinë e re. Disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it kanë mbetur ende të pazbatuara, si depolitizimi i komisioneve zgjedhore, mekanizmat e kontrollit për financimin e partive politike dhe reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore. Klan News

Vengu e Kumbaro nga Vlora: Zonat turistike të sigurta, vatrat e zjarrit po shuhen

By: e xh
27 July 2025 at 14:36

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha po ndjekin nga afër situatën e krijuar me zjarrin në Vlorë e jo vetëm.

Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Vlorë, ministri Vengu theksoi se angazhimi i institucioneve është i plotë dhe po punohet intensivisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

“Situata është shumë më pozitive, si në aksin Korçë-Lukovë, ashtu edhe në lartësitë e Kaninës, ku vatrat janë shuar plotësisht. Vijojmë të jemi vigjilentë, me trupa të angazhuar në terren dhe mbështetje nga ajri,” u shpreh ministri.

Ndërkohë, Ministrja Kumbaro dha një mesazh për garantimin e sigurisë në të gjitha itineraret turistike, duke theksuar se në asnjë pikë të populluar nuk ka pasur problematika.

“Çdo masë merret paraprakisht, çdo sinjal apo alarm që na ndihmon duhet të njoftohet menjëherë. Jemi të gjithë të koordinuar, të gjithë në alert. Kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëpunim nga banorët, kryepleqtë dhe sidomos barinjtë,” tha ajo.

Ministrja vuri në dukje se zonat e mbrojtura janë më të rrezikuarat. “E shpëtuam Llogaranë dhe duam të parandalojmë çdo vatër në Karaburun, ndaj jemi të shpërndarë në gjithë territorin,” shtoi Kumbaro.

Edhe Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi nga baza ajrore e Farkës se dita e sotme ka njohur përmirësim, pas dy ditëve tejet të vështira.

Sipas tij, vatrat më problematike janë regjistruar në malin e Shpiragut, qytetin e Vlorës, malin mbi Kaninë, si dhe në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Bulqizës. Në shumë raste, theksoi ai, ka qenë e domosdoshme evakuimi i banorëve për të garantuar sigurinë e tyre.

Forcat e Armatosura, strukturat e Policisë së Shtetit, shërbimet vendore dhe ato qendrore janë angazhuar maksimalisht në terren, plus ndërhyrja nga ajri.

❌
❌