Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 August 2025Opinion.al

Takimi i Trump dhe Putin, ja mesazhi i Zelensky-t

By: b b
15 August 2025 at 22:53

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se kërkesa “numër një” e Ukrainës në samitin e Alaskës është që Rusia të bjerë dakord për një armëpushim.

Vetëm një armëpushim mund të ofrojë bazën për bisedime kuptimplote paqeje, thonë Ukraina dhe aleatët e saj evropianë. Pas një telefonate midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe udhëheqësve evropianë të mërkurën, dy diplomatë evropianë të njohur me çështjen i thanë CNN se Trump sugjeroi që ai do të nxiste një armëpushim në bisedimet e sotme, të cilat janë duke u zhvilluar aktualisht.

Nëse Rusia pranon një armëpushim, vëmendja e Ukrainës mund të kthehet te prioriteti i saj i radhës, një vend në tryezë për takimin e ardhshëm. Kievi shpreson që bisedimet e sotme të jenë një prelud i një samiti trepalësh midis udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.

“Çdo gjë që ka të bëjë me Ukrainën duhet të diskutohet ekskluzivisht me Ukrainën. Ne duhet të përgatisim një format trepalësh për bisedime”, tha Zelensky pas telefonatës së së mërkurës me Trump.

Nga kush u shoqërua Trump dhe Putin në takimin në Alaskë?

By: b b
15 August 2025 at 22:41

Në takimin midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin , i cili fillimisht ishte menduar të ishte një takim kokë më kokë me vetëm dy përkthyes të pranishëm, po marrin pjesë katër persona të tjerë.

Nga ana amerikane është Sekretari i Shtetit Marco Rubio , i cili në vitin 2016 e sfidoi Trumpin në zgjedhjet paraprake republikane për të zgjedhur kandidatin presidencial (ai doli i treti), por më pas u bë aleat i ish-manjatit, dhe Steve Witkoff, një avokat dhe zhvillues pasurish të paluajtshme dhe mik i Trumpit, i cili në muajt e fundit është bërë i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë i ngarkuar me menaxhimin e dosjeve më të ndjeshme ndërkombëtare, siç është kriza e Lindjes së Mesme dhe, pikërisht, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës.

Nga pala ruse, Putinit ju bashkua shtatëdhjetë e pesë vjeçari Sergei Lavrov, një veteran që shërbeu si ambasador i Moskës në Kombet e Bashkuara për dhjetë vjet dhe ka qenë Ministër i Jashtëm për njëzet e një vjet, dhe Yuri Ushakov, këshilltari që është gjithmonë në anën e “carit” kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, falë përvojës së tij dhjetëvjeçare si ambasador i Kremlinit në Uashington, nga viti 1998 deri në vitin 2008.

Trump dhe Putin do të diskutojnë mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Para se të nisej nga Uashingtoni në Alaskë, Trump u ka thënë gazetarëve se shpreson që do të ketë rezultat.

Para këtij takimi, dy liderët kanë biseduar të paktën pesë herë përmes telefonit, prej kur Trump e ka marrë mandatin në janar të këtij viti.

Kosovë: Prokuroria Speciale padi për dëbimin e shqiptarëve

By: b b
15 August 2025 at 22:23

Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzoi në Gjykatën e Prishtinës një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë periudhës së luftës së viteve 1999.

Dëbimi masiv i shqiptarëve nga shtëpitë e tyre gjatë periudhës së luftës së vitit 1999, sulmet, ndalimet arbitrare, shkatërrimi i shtëpive dhe shumë akuza të tjera, janë pjesë e një aktakuze që Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj 21 personave të cilët akuzohen për krime lufte.

“Ju njoftojmë lidhur me aktakuzën që sot më 15.08. e kemi dorëzuar në gjykatë, që mendoj se përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet që janë shkaktuar gjatë luftës në Kosovë”, tha në një konferencë për mediat kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

Pesë vjet hetime intensive
Emrat e të akuzuarve nuk u bënë publik, por sipas kryeprokurorit Isufaj Prokuroria vlerëson se “të pandehurit në pozitën dhe funksionin që kanë ushtruar kanë dështuar në marrjen e masave të nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar këto krime, kanë dështuar për të ndëshkuar autorët e tyre si dhe kanë dështuar për të raportuar te autoritetet më të larta ndonëse kishin kompetenca”. Sipas tij, këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të gjerë nga armata e atëhershme e ish-Jugosllavisë dhe policisë së Serbisë, që kanë rezultuar “me zhvendosje me dhunë të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare”.

Zhvendosja me dhunë e civilëve shqiptarë
Prokurori i çështjes në Prokurorinë Speciale, Atdhe Dema, tha se “aktakuza është përgatitur pas pesë vjetësh hetime intensive”. “Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshinte: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës”, tha prokurori Dema.

Sipas tij, që të gjithë 21 të dyshuarit “kanë pasur kontroll të plotë mbi ushtrinë e atëhershme jugosllave dhe mbi policinë serbe dhe se nuk i kanë parandaluar pjesëtarët e tyre nga kryerja e krimeve të luftës kundër popullsisë në Kosovë”. Ai bëri të ditur se Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarrestime ndërkombëtare për të dyshuarit, për të cilët tha se janë të paarritshëm për Prokurorinë e Kosovës në këtë kohë.

Gjykim në mungesë
Në Kosovë që prej tri vjetësh lejohet gjykimi në mungesë, pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin e Procedurës Penale. Megjithatë gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Që nga hyrja në fuqi e ligjit të amandamentuar për gjykimet në mungesë në vitin 2022, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë. Por nga të gjitha ato vetëm një aktgjykim në mungesë është shqiptuar në dhjetorin e vitit të shkuar në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullsisë civile.

Shtim i numrit të aktakuzave
Vitet e fundit është rritur numri i aktakuzave të ngritura në Kosovë për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullatës civile”. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në vitin 2021 është ngritur një aktakuzë dhe është akuzuar një person, në vitin 2022, tri aktakuza dhe tre të akuzuar, në vitin 2023, 15 aktakuza dhe 68 të akuzuar. Në vitin 2024 janë ngritur 14 aktakuza dhe 25 të akuzuar, ndërsa, në periudhën janar-mars 2025, ka pasur 4 aktakuza e 6 të akuzuar. Në këto statistika nuk përfshihet aktakuza e fundit dhe 21 të akuzuarit për të cilën njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

13.000 të vrarë dhe mbi 1.600 të zhdukur
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, 1998/99, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mbi 1.600 persona vazhdojnë të cilësohen të zhdukur, shumica nga ta shqiptarë të Kosovës. Një pjesë e trupave të civilëve shqiptarë të vrarë, sipas autoriteteve të Kosovës dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, janë gjetur në varreza masive edhe në Serbi.

Disa nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë tashmë dy dekada më parë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, përfshirë krimet edhe në territorin e Kosovës. Ndër të arrestuarit ishte edhe udhëheqësi i atëhershëm politik Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në burg të Hagës gjatë procesit të gjykimit pa arritur të dënohet./dw

Samiti i Alaskës, Trump dhe Putin fotografohen pranë njëri-tjetrit

By: b b
15 August 2025 at 22:06

Këto janë pamjet e para nga takimi në Alaska mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Pasi u takuan në aeroport u nisën, dy udhëheqësit u nisën drejt bazës Elmendorf-Richardson, në afërsi të Ankorixhit në Alaskës, ku mbahet takimi.

Sekretari i shtetit amerikan, Marco Rubio, dhe i dërguari Steve Witkoff janë ulur përkrah Trump, ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ndihmësi i tij, Yuri Ushakov, janë pranë Putinit.

Më shumë se gjashtë vjet pas takimit të tyre të fundit, Donald Trump dhe Vladimir Putin janë përsëri ballë për ballë.

“A do të pranoni një armëpushim?”, Putin hesht para pyetjes së gazetarëve

By: b b
15 August 2025 at 21:55

Ka nisur zyrtarisht në Alaskë takimi mes Presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ku në fokus të bisedimeve do të jetë arritja e një marrëveshje për paqen në Ukrainë.

Në një moment gjatë takimit me Donald Trump në Alaska, presidenti rus Vladimir Putin u pyet nga gazetarët nëse do të “ndalte vrasjen e civilëve”.

Putin iu përgjigj pyetjes vetëm duke treguar gishtin drejt veshit dhe duke ngritur supet, pa dhënë asnjë fjalë.

Ndërkohë edhe pyetjes nëse “do të pranojë paqen” përsëri Putin refuzoi që t’I përgjigjej.

Kosova furnizohet me autoblinda nga SHBA-të

By: b b
15 August 2025 at 21:42

Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me autoblinda që janë blerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bën të ditur autoritetet.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky furnizim është dëshmia e radhës e partneritetit “të palëkundur me SHBA-në”, por edhe hap i rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-së”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se është i gëzuar me avancimin “dinamik të FSK-së”, që tha se po vazhdon të fuqizohet me teknologji dhe mjete të avancuara “për të garantuar realizimin e misionit të saj kushtetues”.

“Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, tha Maqedonci.

Maqedonci tha se Kosova është e përkushtuar që të ketë sisteme armatimi në përputhje me NATO-n, organizatën më të madhe të sigurisë në botë ku vendi synon të anëtarësohet.

Autoritetet nuk bënë të ditur se sa autoblinda bleu Kosova nga SHBA-të.

Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve Javelin, dhe tani është duke bërë pagesën e tyre.

FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga SHBA-të. Më 2018, nga SHBA-të, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-të, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.

Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro. /rel

Donald Trump e Vladimir Putin takohen në Anchorage

By: b b
15 August 2025 at 21:21

Pas gjashtë vitesh nga takimi i fundit, dy presidentët, Donald Trump dhe Vladimir Putin, u takuan me njëri-tjetrin.

Të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin me një shtrëngim duarsh pasi zbritën nga avionët presidencialë në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage, në Alaskë.

Trump i buzëqeshur madje duartrokiti presidentin rus ndërsa ai iu afrua në qilimin e kuq.

Trump dhe Putin do të diskutojnë mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin mbërrin në Alaska

By: b b
15 August 2025 at 21:08

Presidenti rus Vladimir Putin sapo ka zbarkuar në Anchorage të Alaskës, për të marrë pjesë në samitin SHBA-Rusi.

Homologu i tij amerikan, Donald Trump zbarkoi i pari në Alaska, por ende nuk ka zbritur nga Air Force One.

Pritet që dyshja të takohet në shkallët e avionit të presidentit rus.

Mbërrin në Alaska presidenti amerikan, Donald Trump

By: b b
15 August 2025 at 20:48

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka mbërritur pak më parë në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska me Air Force One.

Trump është i pari që ka zbarkuar në bazën ushtarake.

Siç raportohet, ai nuk ishte i qartë se çfarë do ta konsideronte sukses në takimin e tij me Putinin, por ai tha se dëshiron një armëpushim “sot”.

Po ashtu, mediat e huaja kanë publikuar pamjet e para nga salla, ku do të mbahet konferenca për shtyp pas takimit.

Trump flet para takimit me Putin: Nuk do të jem i lumtur nëse s’ka armëpushim

By: b b
15 August 2025 at 20:31

Pak para takimit historik me presidentin rus Putin, Donald Trump ka folur përsëri me gazetarët në Air Force One.

Ai përsëriti qëllimin e qartë për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Nuk e di nëse do të ndodhë sot, por nuk do të jem i lumtur nëse do të jetë e kundërta“, tha ai.

“Kjo nuk ka të bëjë me Evropën. Evropa nuk po më thotë se çfarë të bëj, por ata do të përfshihen në proces, padyshim, ashtu sikurse dhe Zelensky“, u shpreh presidenti amerikan.

Sipas tij, SHBA po fiton para nga lufta në Ukrainë, pasi po merr çekë nga NATO për furnizim me armë, por ky fakt “nuk i intereson”. “Jam këtu për të ndaluar vrasjet“, vijoi ai.

Korçë/Arrestohet në banesë autori i plagosjes së 27-vjeçarit dhe transportohet në…

By: b b
15 August 2025 at 20:05

Policia e Korçës ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes së 27 vjeçarit Ari Kodra, pasditen e sotme.

Ai është nxjerrë nga banesa dhe, i shoqëruar nga forcat e rendit, po transportohet drejt spitalit të Korçës për mjekim.

Ndërkohë, i plagosuri 27-vjeçar, që u dërgua më herët në spital, ndodhet në gjendje stabël dhe po trajtohet në sallën e reanimacionit.

Policia ka sekuestruar mjetin prerës më të cilën ndodhi plagosja, ndërsa vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e konfliktit dhe motivet e ngjarjes.

OKB: Që nga maji, mbi 1.700 të vrarë teksa po prisnin për ndihma në Gazë

By: b b
15 August 2025 at 19:59

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të premten se të paktën 1.760 palestinezë janë vrarë teksa po kërkonin që të merrnin ndihma humanitare në Rripin e Gazës që prej fundit të majit.

“Që nga 27 maji e deri më 13 gusht, ne kemi regjistruar të paktën 1.760 palestinezë të vrarë teksa po kërkonin të merrnin ndihma. Prej tyre, 994 u vranë në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën [GHF] dhe 766 përgjatë rrugëve ku kalojnë kamionët me ndihma. Shumica e këtyre vrasjeve u kryen nga ushtria izraelite”, tha zyra e agjencisë së OKB-së për territoret palestineze.

Më 1 gusht, kjo zyrë kishte raportuar për 1.373 të vrarë.

Përditësimi i të dhënave vjen pasi agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 23 persona u vranë nga Izraeli të premten, përfshirë 12 persona të cilët po prisnin për ndihma humanitare.

Më herët gjatë javës, shefi i ushtrisë izraelite tha se janë miratuar planet për ofensivën e re në Gazë. Ofensiva ka për synim mposhtjen e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Ushtria izraelite synon të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës dhe kampet e refugjatëve që gjenden në afërsi. Këto janë disa nga zonat më të populluara të Rripit të Gazës, që ka pësuar shkatërrime të mëdha gjatë 22 muajve luftë.

Planet e qeverisë izraelite për të zgjeruar luftën kanë nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, si edhe kundërshtime në Izrael.

Ekspertë të mbështetur nga OKB-ja kanë paralajmëruar për uri të thelluar në Gazë, ku Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës humanitare që lejon të hyjë në këtë territor.

një uri të përhapur që po zhvillohet në territor, ku Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës humanitare që lejon të hyjë.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 61.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi – shifra që OKB-ja i konsideron të besueshme./rel

Korçë/ Konflikt me thika , një person në gjendje të rëndë

By: b b
15 August 2025 at 19:38

Një person ka mbërritur në gjendje kritike për jetën në Spitalin Rajonal të Korçës pas një konflikti me thika.

Sipas informacioneve të para, 27-vjeçari ka pësuar plagë të thella, të dyshuara se janë shkaktuar nga mjeti prerës, thikë.

Ndërkohë autoritetet po zbardhin ngjarjen. Policia ka nisur hetimet dhe pritet të japë më shumë detaje lidhur me ngjarjen.

 

Banesa dhe krerë të humbur nga zjarret në vend, Rama premton rifinancim

By: b b
15 August 2025 at 19:27

Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret e ditëve të fundit në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë  ky proces se do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë që nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve.

Pas këtij procesi, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës. Pas vlerësimit financiar, çdo bashki përcakton koston e kompensimit, i cili kryhet përmes fondit të mbrojtjes civile nga fondet e vetë bashkisë së prekur.

Postimi i plotë i Ramës:

Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve.

Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare.

Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile.

KUJT HUMBI SHTËPINË DO T’IA RINDËRTOJMË FALAS dhe KUJT HUMBI KRERËT DO T’IA RIFINANCOJMË NJË MË NJË

 

Zelensky para takimit Trump-Putin: Po na vrasin dhe në ditën e negociatave!

By: b b
15 August 2025 at 19:01

Volodymyr Zelensky i është përgjigjur raporteve për sulme ruse në të gjithë Ukrainën, të cilat po ndodhin teksa Presidenti amerikan Donald Trump po fluturon për t’u takuar me Vladimir Putin këtë mbrëmje në Alaskë.

Ndërkohë, që presidenti ukrainas po merr në kohë reale raporte mbi samitin e Alaskës, ai thotë në Telegram se po është i informuar gjithashtu për “sulme të qëllimshme ruse” në Sumy, rajonin e Dnipro, Zaporizhzhia, rajonin e Khersonit dhe rajonin e Donetskut.

“Lufta vazhdon. Ajo vazhdon pikërisht sepse nuk ka vetëm një urdhër, por edhe sinjale për përgatitjen e Moskës për t’i dhënë fund kësaj lufte. Në ditën e negociatave, ata po vrasin gjithashtu. Dhe kjo thotë shumë”, shprehet Zelensky.

Lideri i Kievit vazhdon të thotë se Ukraina është “e gatshme të punojë sa më produktivisht të jetë e mundur për t’i dhënë fund luftës” dhe se shpreson për një qëndrim të fortë amerikan.

Gjithçka do të varet nga kjo, rusët po mbështeten në fuqinë amerikane“, thotë Zelensky.

Lëkundje tërmeti në Shqipëri, ja ku ishte epiqendra

By: b b
15 August 2025 at 18:46

Një tërmet u shënua pasditen e sotme në vendin tonë.

Epiqendra e tërmetit ishte në qytetin e Krujës.

Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, lëkundjet ishin të magnitudës 3.6 të shkallës Rihter.

Tërmeti u regjistrua në orën 18:24, shtatë kilometër në jug-jugperëndim të Krujës dhe 16 kilometër në veriperëndim të Tiranës.

Zjarret në vend, Vengu: Vlerësim dhe kompensim të dëmeve të shkaktuara!

By: b b
15 August 2025 at 18:34

Pas zjarreve shkatërruese, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka njoftuar se do të ketë vlerësim dhe kompensim për dëmet e shkaktuara nga  flakët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu shprehet se do të ndiqet një procedurë e veçantë, e cila do të realizohet në çdo bashki të prekur.

“Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë.

Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare.

Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile”, shkruan Vengu në Facebook.

Mediat spanjolle rekomandojnë Shqipërinë: Bregdeti, perlë sekrete në Mesdhe!

By: b b
15 August 2025 at 18:18

“Bregdeti shqiptar: një perlë sekrete në Mesdhe, e njohur si ‘Karaibet Evropiane’”. Me këtë titull, revista e njohur spanjolle Hola i ka kushtuar një reportazh të gjatë turizmit në Shqipëri.

Media spanjolle shkruan se me më shumë se 400 kilometra vijë bregdetare, plazhe ende të shkreta, kuzhinë mesdhetare me një shpirt ballkanik dhe një pasuri historike të habitshme, Shqipëria ofron mundësinë për një eksplorim të veçantë.

“Bregdeti shqiptar mund të mos jetë më sekret për udhëtarët me më shumë përvojë, por ai ende i habit shumicën dërrmuese të vizitorëve.”

Artikulli nis nga Kepi i Rodonit, ku Deti Adriatik shfaq gjithë bukurinë dhe shkëlqimin e tij. Për plazh rekomandohet gjiri i Lalzit.

Për ata që pëlqejnë jetën urbane sugjerohet Durrësi, i cili përveç plazhit të gjatë me rërë ofron edhe histori që daton 2600 vjet më parë me amfiteatrin e tij romak. Vlerësohet gjithashtu ushqimi, që ndërthur elemente tradicionale dhe europiane.

Revista spanjolle ndalet më pas në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku veçon biodiversitetin e mrekullueshëm. Rrugëtimi i gazetarëve vijon me Vlorën në jug, një pikënisje perfekte për Rivierën Shqiptare. Uji i kaltër dhe plazhet e shumta ofrojnë gjithçka që kërkojnë turistët, sipas medias spanjolle.

Himara dhe Ksamil janë destinacionet e radhës, për të cilat revista thotë se nëse termi “parajsë” mund të duket i ekzagjeruar, për panoramën që ofron nuk ka përkufizim më të mirë. Sugjerohen Gjiret e Gjipesë, Jalës dhe Porto Palermos.

Në fund, një vizitë në Parkun e Butrintit ofron një udhëtim të pasur në histori, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të plotë për çdo lloj vizitori.

Tv Klan

 

Talibanët, afër “zhdukjes” së grave nga jeta publike

By: b b
15 August 2025 at 17:57

Katër vjet pas rikthimit të talibanëve në pushtet në Afganistan, Kombet e Bashkuara kanë thënë se grupi ultra-konservator është “më gati se kurrë në arritjen e vizionit për një shoqëri që i ka zhdukur gratë nga jeta publike”.

Talibanët janë rikthyer në pushtet më 15 gusht 2021 dhe prej atëherë kanë zbatuar rregulla drakonike, duke ua shkelur të gjitha të drejtat grave dhe vajzave afgane, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë.

Qeveria e udhëhequr nga talibanët ua ka ndaluar vajzave shkollimin pas klasës së gjashtë, derisa grave shumicën e vendeve të punës. Ato, as nuk mund të marrin pjesë në jetën politike.

Gratë duhet ta respektojnë edhe kodin e ashpër islamik sapo të dalin jashtë shtëpive të tyre.

Një raport i ri i Misionit të OKB-së për Ndihmë në Afganistan, është në linjë me paralajmërimet e Agjencisë së OKB-së për Gratë, duke thënë se ka dokumentuar raste të grave që janë ndaluar prej inspektorëve të Ministrisë për Përhapje të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, nën arsyetimet se i kanë shkelur rregullat e kodit të veshjes.

“Dekretet që i kanë miratuar talibanët i kufizojnë të drejtat e vajzave dhe grave dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën duke krijuar një cikël, i cili i detyron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, sepse secilën herë bëhen më të cenueshme”, ka thënë Agjencia e OKB-së për Gratë.

Sipas OKB-së, mbi 78 për qind e grave afgane e kanë humbur qasjen në edukim, punësim dhe trajnim prej kthimit të talibanëve në pushtet.

Shembull, në qytetin e Heratit, agjencitë e OKB-së kanë vërejtur që dhjetëra gra që e kanë respektuar rregullin e hixhabit, nuk janë lejuar që të hyjnë nëpër dyqane apo ta përdorin transportin publik. Sipas raportit, disa gra janë ndaluar derisa familjarët e tyre u kanë blerë rroba për t’u mbuluar tërësisht.

Talibanët ua kanë ndaluar grave që të udhëtojnë pa një përcjellës burrë, vendim që ua ka pamundësuar qasjen në kujdes shëndetësor dhe shërbime tjera të domosdoshme.

Sipas trupave të OKB-së, policia e talibanëve për çështje morali i ka udhëzuar klinikat shëndetësore, zyrat qeveritare, dyqanet dhe shoferët e taksive që të mos kenë kontakt me gratë që nuk e kanë një përcjellës burrë.

Policia e Kandaharit u ka kërkuar grave që punojnë në sistemin shëndetësor që të jenë në shoqërinë e një familjari të gjinisë mashkullore dhe t’i posedojnë gjithmonë dokumentet që i vërtetojnë lidhjet e tyre familjare.

Secilën herë e më të zakonshme janë bërë edhe martesat mes të miturve, dhe sipas OKB-së, “gratë çdo herë e më shumë janë subjekte të dhunës, brenda dhe jashtë shtëpisë”.

Sipas organizatës, pengesat në qasjen në kujdes shëndetësor për gratë do ta rrisin për 50 për qind shkallën e vdekshmërisë së grave në Afganistan deri më 2026.

Në periudhën e fundit është raportuar për plot vdekje për shkak të komplikimeve gjatë shtatzënisë, të cilat janë të parandalueshme.

Mungesa e specialisteve pritet të vërehet edhe më shumë në të ardhmen e afërt, pasi talibanët ua kanë ndaluar grave shkuarjen në universitet dhe i kanë mbyllur shkollat private që kanë ofruar profilizime në infermieri dhe punë në laboratorë.

Agjencia e OKB-së për gratë ka paralajmëruar se rezultati i politikave shtypëse të talibanëve ndaj grave në Afganistan është “shkatërrues”.

“Gratë po jetojnë më pak dhe kanë më tepër probleme shëndetësore”, ka thënë ajo.

Situata e grave dhe vajzave në Afganistan po bëhet “gjithnjë më e papërshtatshme” nën talibanët, ka thënë OKB-ja, duke paralajmëruar që nëse nuk merren veprime urgjente, ky realitet i rëndë do të normalizohet, dhe si përfundim gratë dhe vajzat do të përjashtohen tërësisht nga jeta publike./rel

Mbyllet kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të zjarreve

By: b b
15 August 2025 at 17:30

Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar në Kosovë ka bërë të ditur se në pasditen e së premtes është mbyllur pika kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Glloboqicë, për shkak të përhapjes së zjarreve.

Përmes një postimi në Facebook, kjo organizatë qeveritare ka thënë se është njoftuar nga pala maqedonase se zjarret janë afruar afër rrugës së fshatit Jazhincë, ndërsa vendimin për mbylljen e kufirit e ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme.

Vendet e Ballkanit dhe një pjesë e mirë e kontinentit evropian po përballen këtë javë me temperatura rreth apo mbi 40 gradë Celsius.

Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur më 14 gusht se i ka regjistruar 61 vatra zjarri, dhe që shumica janë lokalizuar.

Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.

Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.

Në Shqipëri dhe Mal të Zi është raportuar edhe për viktima në përpjekjet për shuarje zjarresh, ndërsa qindra mijëra hektarë tokë janë djegur.

Autoritetet në disa shtete kanë thënë se disa zjarre janë nisur edhe qëllimshëm dhe tashmë i kanë arrestuar disa persona që dyshohen për këtë shkelje.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore./rel

❌
❌