Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Opinion.al

“Besimi te drejtësia..”/Gonzato: Të ndërtohen ura e gjuhë e përbashkët mes gjykatave

By: e xh
14 July 2025 at 11:53

Pjesëmarrës në prezantimin e udhërrëfyesit për jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato i bëri thirrje aktorëve dhe institucioneve që të sigurojnë zbatimin e plotë të vendimeve të kësaj gjykate dhe të mbrojnë pavarësinë e saj në çdo nivel.

“Inkurajoj të gjithë aktorët dhe institucionet qe të sigurojnë zbatimin e plotë të vendimeve të gjykatës dhe të  mbrojnë pavarësinë e saj në çdo nivel”, u shpreh ambasadori.

Silvio Gonzato nuk la pa falenderuar Gjykatën Kushtetuese dhe udhëheqjen e saj për rolin aktiv në procesin e integrimit të Shqipërisë, për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të sqaruar interpretimin kushtetues.

“Falënderoj GJK dhe udhëheqjen e saj për rolin aktiv në procesin e integrimit të Shqipërisë, për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të sqaruar interpretimin kushtetues dhe për faktin që kur trajton çështje të ndërlikuara mbetet mendje hapur për t’iu referuar të drejtës së BE-së dhe parimeve ndërkombëtare”, tha ambasadori i BE-së.

Gonzato nënvizoi faktin se duhet dialog ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

“Kjo që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet dhe të rrisin besimin. Duke ndërtuar ura mes gjykatave dhe një gjuhë të përbashkët për këto institucione,  drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por qytetarët duhet ta shohin, ta kuptojnë e të kenë besim.”, tha Gonzato.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE/ Manja: Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç!

By: b b
14 July 2025 at 11:44

Teksa mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën Kushtetuese (Vëllimi II), Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se Gjykata Kushtetuese është mbrojtësi i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit.

Gjatë fjalës së tij, Manja u shpreh se ky Udhërrëfyes përmban masa të forta për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

“Në një shtet demokratik, Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit.

Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit.

Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

Ai synon: përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë”, tha Manja.

Manja u ndal edhe tek procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, duke thënë se është një reformë e thellë shoqërore dhe Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në të.

”Për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv.

Në këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit.

Kjo nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve”, tha Manja.

Spiropali: Në tetor do mbahet një Konferencë Ndërkombëtare mbi Reformën në Drejtësi

By: b b
14 July 2025 at 11:29

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali mori pjesë sot në prezantimin e udhërrëfyesit për jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali ka deklaruar sot se në tetor të këtij viti do të mbahet një Konferencë Ndërkombëtare me fokus Reformën në Drejtësi.

Sipas saj, një nga panelet do t’i kushtohet pikërisht sfidave dhe rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e rendit demokratik në vendet anëtare të KiE-së.

“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, në tetor 2025 në rastin e 7-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe të 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të riorganizojë një konferencë ndërkombëtare e cila do të fokusohet në Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, dhe Drejtësinë Kushtetuese.

Një nga panelet do t’i kushtohet pikërisht sfidave dhe rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e rendit demokratik në vendet anëtare të KiE-së. Kjo do të jetë një mundësi për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar një vision të qartë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë”, ka deklaruar Spiropali.

Spiropali: Vendimet e Kushtetueses, kontribut për forcimin e shtetit të së drejtës!

By: e xh
14 July 2025 at 11:23

Elisa Spiropali, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, mori pjesë sot në prezantimin e udhërrëfyesit për jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Që në nisje të fjalës së saj, Spiropali deklaroi se Shqipëria ndodhet sot në një moment të rëndësishëm historik në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike, anëtarësimin ne familjen evropiane dhe rritjen e prestigjit ndërkombëtar.

Kryetarja e Parlamentit theksoi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese në formimin e shtetit të së drejtës.

“Vendimet e GJK janë edhe një kontribute të forcimit të shtetit të së drejtës në tërësi. Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron në instrument të vlefshëm për kuptimin, analizën dhe zbatimin e vendimeve kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të vendit tonë”, tha kryetarja e Kuvendit.

Pjesë nga fjala e kryetares së Parlamentit

Shqipëria ndodhet sot në një moment të rëndësishëm historik në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike, anëtarësimin ne familjen evropiane dhe rritjen e prestigjit ndërkombëtar. Nga të gjithë ne kërkohet që të bashkëpunojmë në këto procese.

Vëllimi i dytë i udhërrëfyesit të jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese është një dokument i rëndësishëm me vlera njohëse për konsistencën e vendimmarrjes së gjykatës, përmbajtjen dhe cilësinë e vendimeve të saj si edhe me dobi praktike.

Vendimet e GJK janë edhe një kontribute të forcimit të shtetit të së drejtës në tërësi. Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron në instrument të vlefshëm për kuptimin, analizën dhe zbatimin e vendimeve kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të vendit tonë.

Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese/Zaçaj:Detyrim për të gjitha pushtetet

By: e xh
14 July 2025 at 11:11

Po mbahet ceremonia e prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë fjalës së saj kryetarja Holta Zaçaj foli për vendimet e Gjykatës Kushtetuese teksa u shpreh se nuk janë këshilluese dhe as opsionale për t’u zbatuar, por të detyrueshme.

Ajo nënvizoi se ekzekutimi i tyre është një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.

“Mos të harrojmë – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet”, theksoi Zaçaj.

Ndër të tjera ajo u shpreh se përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.

Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve, tha Zaçaj vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, duke shtuar se që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese.

 

Parkimi i dyfishtë, policia masa të ashpra deri në burg

By: b b
14 July 2025 at 11:06

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një kundravajtje administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht.

Strukturat policore do të kryejnë veprime hetimore duke u bazuar në nenin 293 të Kodit Penal,” thotë gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Nga një vëzhgim në rrugët e kryeqytetit, konstatuam dhjetëra automjete të parkuara në mënyrë të dyfishtë.

Një pjesë e tyre bëhen pengesë për qarkullimin e mjeteve të tjera, ndërsa nuk mungojnë edhe parkimet në stacionet e autobusëve.

Policia e Shtetit deri më tani ka ndjekur praktikën e ndëshkimit duke u bazuar në nenin 156 të Kodit Rrugor, që parashikon gjobë nga 1–3 mijë lekë.

Ashpërsimi i masave ndëshkimore nga ana e policisë mirëpritet nga ekspertët e sigurisë rrugore. Por ata kërkojnë që uniformat blu të saktësojnë shkeljen që dënohet me burg.

“Jo të gjitha parkimet e gabuara, ose ndalimet e gabuara, qëndrimet e gabuara, pushimet e gabuara janë objekt i këtij neni. Policia Rrugore duhet të paraqesë një platformë përsa i përket direktivës apo porosisë që kanë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit,” tha Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore.

Eksperti Islam Qibini sugjeron rastet kur parkimi mund të konsiderohet si kundravajtje penale.

“Shumë drejtues automjetesh shpërfillin në mënyrë të papërgjegjshme rregullat e qarkullimit rrugor. Kemi disa drejtues mjetesh që parkojnë te vijat e bardha të këmbësorëve, te stacioni i autobusëve, ku absolutisht nuk duhet të parkohet mjeti apo të ndalohet.

Kemi parkime mbi trotuar, kemi parkime ku duhet të parkojnë invalidët.”

Një rishikim i dispozitave ligjore të Kodit Rrugor mund të ishte i nevojshëm sipas ekspertit Qibini.

“Neni aktual e ka vënë gjobën nga 1–3 mijë lekë të reja. Patjetër që duhet parë kjo lloj dispozite me qëllim që të bëhen ndryshime përkatëse dhe t’i shërbejnë sigurisë rrugore.”

Nga ana e Policisë Rrugore ende nuk ka nisur zbatimi i praktikës për ndëshkimin sipas Kodit Penal.

Klan News

Në kërkim ndërkombëtar për trafikim narkotikësh/Pranga 40 vjeçarit, do ekstradohet..

By: e xh
14 July 2025 at 11:00

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 55”, ku është vënë në pranga me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve.

“Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin E. F. alias E. C., 40 vjeç, banues në Shkodër” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij, Prokuroria e Riminit, Itali, në muajin shkurt 2025, ka lëshuar urdhër arresti, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve. Për këtë vepër penale, Kodi Penal italian parashikon dënim deri në 20 vjet burgim.

Në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi.

 

Dhjetëra njerëz të vrarë në përleshjet sektare në Siri

By: e xh
14 July 2025 at 10:58

Së paku 30 njerëz u vranë në përleshjet në jug të Sirisë, ndërsa autoritetet dërguan forca për të qetësuar situatën. Dhjetëra persona u plagosën gjithashtu.

Dhuna u zhvillua mes fiseve beduine sunite dhe luftëtarëve nga pakica fetare Druze në qytetin Sueida. Ministria e Brendshme e Sirisë tha se së paku 30 persona janë vrarë, ndërsa Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut – grup që monitoron luftën – raportoi se numri i të vdekurve është 37.

Luftërat midis grupeve të ndryshme minoritare në Siri u përshkallëzuan që nga rënia e regjimit të presidentit Bashar al-Assad, në dhjetor. Për vendosjen e rregullit brenda vendit tashmë është duke punuar një qeveri islamike.

Ministria e Brendshme siriane tha të hënën herët se forcat e saj do të ndërhyjnë drejtpërdrejt për të zgjidhur konfliktin dhe për të ndaluar përleshjet në Sueida. Guvernatori i këtij qyteti, Mustapha al-Bakur, u bëri thirrje zgjedhësve të tij që “të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’u përgjigjen thirrjeve kombëtare për reforma”.

Udhëheqësit shpirtërorë bënë gjithashtu thirrje për qetësi. Në prill dhe maj, përleshjet midis forcave të reja të sigurisë dhe luftëtarëve të pakicës Druze lanë dhjetëra njerëz të vrarë.

Besimi Druze është një degë e Islamit Shiit, që ka komunitete të konsiderueshme edhe në Liban, Jordani dhe Izrael. Nën regjimin e Asadit, shumë prej tyre ishin besnikë të qetë ndaj shtetit, me shpresën se do t’iu ofronte mbrojtje gjatë luftës civile 13-vjeçare. Në frontin diplomatik, vendet perëndimore janë duke bërë përpjekje për t’i rivendosur marrëdhëniet me Sirinë. Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara e hoqën grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – që ka marrë kontrollin e vendit – nga lista e organizatave të huaja terroriste. REL

Lirohet nga qelia ish-Shefi i Rrugores Roven Zeka

By: b b
14 July 2025 at 10:54

Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-Shefit të Rrugores Roven Zeka, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.

Sipas Klan News, vendimi është marrë për arsye shëndetësore.

Rreth një muaj më parë u raportua se ai kishte pësuar thyerje të legenit, pasi ishte rrëzuar në ambientet e burgut.

Kujtojmë se Zeka ndodhej në burg që prej prillit të këtij viti, nën akuzën e korrupsionit.

“Pastrim” në administratë dhe ndëshkim për zyrat që abuzojnë me…porositë e Ramës

By: b b
14 July 2025 at 10:33

Në pjesën e fundit të takimit, me dyer të mbyllura, mësohet se kryeministri Edi Rama ka kërkuar rifreskim të stafit administrativ në njësitë vendore, duke filluar me bashkitë që janë qendra qarku.

Përjashtim nga kjo nismë, do të bëjë vetëm Tirana, raporton gazetarja e Klan News Klesiana Omeri.

Ka kërkuar ndërhyrje edhe në mënyrën e ofrimit të shërbimeve digjitale.

Ka urdhëruar heqjen e licencës për çdo zyrë noteriale apo avokatie që ofron shërbime të platformës e-Albania me pagesë, duke theksuar se këto shërbime duhet të ofrohen falas nga bashkitë.

Verë e mosbindjes civile në Serbi

By: b b
14 July 2025 at 09:50

Pas tetë muajsh demonstratash paqësore, lëvizja protestuese në Serbi po ndryshon kurs.

Kur dhuna policore shtohet, protestuesit gjejnë rrugë të reja rezistence.

Nuk do t’ju themi çfarë të bëni, sepse e dini vetë.” Me këto fjalë, studentët në Beograd ia dorëzuan stafetën e rezistencës civile të gjithë shoqërisë serbe më 28 qershor 2025.

Dorëzimi simbolik i pushtetit protestues u bë gjatë një proteste në të cilën ata i dhanë një ultimatum të qartë qeverisë së Presidentit Aleksandër Vuçiç: zgjedhje të parakohshme parlamentare ose mosbindje civile.

Një fazë e re në protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit në Serbi,  ku pati përleshje mes qytetarëve dhe policisë në kryeqytetin serb. Demonstruesit hodhën gurë dhe shishe, dhe forcat e sigurisë u përgjigjën me granata tymuese, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë oficerë policie që përdorin dhunën kundër protestuesve paqësorë.

Rasti i studentit Luka Mihajloviç nga Novi Sadi tërhoqi vëmendjen kudo. Sipas raportimeve, ai u hodh përtokë dhe u rrah pavarësisht se qëndronte i qetë me duart lart.

Për shkak të lëndimeve, Mihajloviç u desh të dërgohej në spital. Por ndërsa priste për operacionin, një gjyqtar urdhëroi paraburgimin e tij pa një seancë paraprake dëgjimore. Nëna e gjeti atë në pranga në shtratin e spitalit, me roje dhe pa qasje në telefon.

Përndjekje e studentëve

Bllokimet e rrugëve përhapën nga Beogradi në të gjithë Serbinë të nesërmen. Qytetarët bllokuan spontanisht rrugët dhe kryqëzimet – disa ngritën barrikadame kontejnerë mbeturinash, të tjerë zunë vendkalimet për këmbësorë.

Policia u përgjigj me dhunë. Qindra u arrestuan dhe shumë të plagosur. Profesorja e universitetit për biologji dhe aktiviste , Biljana Stojkoviç, ishte dëshmitare e një prej sulmeve më brutale të policisë ndaj studentëve që luanin volejboll në mënyrë paqësore gjatë një bllokade rrugore.

”Mbërritën disa makina policie dhe brenda sekondave, oficerët e policisë u vërsulën me shkopinj në kryqëzim drejt studentëve. Ata ikën drejt fakultetit të drejtësisë”, tha Stojkoviç për DW.

Pamjet nga ajo mbrëmje tregojnë policinë duke rrahur studentët, duke i zvarritur ata jashtë ndërtesës së universitetit dhe duke i arrestuar.

“Ishte aq e tmerrshme sa gati më ra të fikët. Bërtita, godita me grushte mburojat e oficerëve të policisë, plotësisht e dëshpëruar, sepse skena ishte tepër brutale”, kujton Stojkoviç.

Taktika e re demonstruesve

Që ditët e para të mosbindjes civile, u arrestuan mbi 300 qytetarë në Serbi. Numri i arrestimeve është rritur që atëherë, por nuk ka shifra zyrtare. Ministria e Brendshme në Beograd nuk iu përgjigj një pyetjeje të DW për këtë çështje.

Midis të arrestuarve janë edhe minorenë, studentë, profesorë, mjekë, avokatë, aktivistë, politikanë dhe këshilltarë vendorë që i përkasin opozitës. Si reagim ndaj dhunës së policisë, studentët ndryshuan taktikat e protestër duke iu dredhuar forcave të sigurisë.

Në vend që t’u rezistojnë policëve, ata shmangen ose e zhvendosin protestën e tyre në një kryqëzim tjetër sapo të mbërrijë policia. Ose thjesht ulen në hije ndërsa oficerët qëndrojnë roje në asfaltin e nxehtë, duke bllokuar një “bllokadë ndërkohë bosh”.

“Ndërsa policia vepron brutalisht në disa qytete, situata është më e qetë në qytete të tjera”, përmbledh Stojkoviç.

“Megjithatë, policia po kontrollon intensivisht dhe pa shkak dokumentet e identitetit të njerëzve në trotuare, në rrugë dhe në bllokada. Brenda dy ditësh, këta njerëz raportohen për një shkelje.”

Stojkoviç beson se e gjithë kjo është pjesë e strategjisë së Presidentit Vuçiç. Ai e di se duhet të përmbahet nga dhuna e hapur për të shtypur protestat, pasi brutaliteti mund të shkaktojë reagime nga Bashkimi Evropian.

Deklarata zyrtare e Ministrisë së Brendshme luhatet midis thirrjeve për qetësi dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç deklaroi se bllokimi i arterieve kryesore të trafikut ishte i paligjshëm.

”Të gjithë kanë të drejtë të angazhohen politikisht, por ka një kohë dhe vend për luftë politike.”

Luajaliteti i policisë me pikëpyetje

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë qytetarë po humbasin besimin, se policia vepron në mënyrë të ligjshme. Pakënaqësia po rritet edhe midis vetë forcave të sigurisë. Mbi 100 ish-oficerë dhe aktualë policie nënshkruan një apel të hapur drejtuar kolegëve të tyre për t’i rezistuar urdhrave të paligjshëm.

Mes tyre është edhe Ugljesa Bokic, i cili u largua nga forcat policore në vitin 2023 dhe që atëherë punon si gazetar. Ai thotë se shumë oficerë policie nuk e mbështesin situatën aktuale.

“Ligji i detyron ata të jenë në rrugë, por ata përballen edhe me një dilemë morale që bie ndesh me detyrat e tyre ligjore”, tha Bokic për DW.

Dy oficerë në shërbim të intervistuar nga DW konfirmuan pakënaqësinë në rritje brenda forcës policore – veçanërisht në muajt e fundit.

Megjithatë, kjo ndjenjë proteste aktualisht është e heshtur: “Ata thjesht psherëtijnë  me veten e tyre.”

Vuçiq nuk ndryshon qëndrim: Nuk ka zgjedhje të reja

Pavarësisht protestave të vazhdueshme, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vazhdon të refuzojë kategorikisht zgjedhjet e reja. Zgjedhjet në Serbi nuk do të zhvillohen deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, deklaroi ai.

“Nuk kalojnë pesë ose gjashtë orë pa menduar për zgjedhjet. Unë jam një kafshë politike – jetoj për të, 24 orë në ditë. Por duhet ta kuptoni se ka gjëra më të rëndësishme se zgjedhjet – domethënë, vendi juaj, Serbia juaj”, tha Vuçiq.

Megjithatë protestat nuk ka gjasa të ndalen. Ato po organizohen në pothuajse çdo qytet, po ngrihen barrikada spontane dhe qytetarët po organizohen me turne, si të përgatiten për një rezistencë të zgjatur.

”E vetmja rrugëdalje nga kjo krizë – si sociale ashtu edhe politike – janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë Biljana Stojkoviç. Vendi tashmë gjendet në udhëkryq dhe nëse gjërat vazhdojnë kështu, zgjedhjet do të bëhen të pashmangshme.

“Vetë Vuçiç po përgatit një strategji daljeje për veten”, është e bindur Stojkoviç. Ai ka themeluar grupin studentor, i cili vepron për rreth dhjetë ditësh nën emrin “Studentët për Serbinë”, ata kërkojnë ndërprerjen e bllokadave, arrestimin e aktivistëve dhe zgjedhje të reja. Për qytetarët në rrugë, zgjedhjet janë vetëm kërkesa minimale.

Dhe presioni sapo ka filluar, thotë Stojkoviç. Hapi tjetër në përshkallëzimin e mosbindjes civile: bllokimi i autostradave./DW

“Edhe për trajtimin e mbetjeve…”/Rama: Do krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit

By: b b
14 July 2025 at 09:39

Në mbledhjen me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, kryeministri Edi Rama foli për disa problematika të qeverisjeve vendore.

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi nevojën e vendosjes së një sistemi të ri për trajtimin e mbetjeve, të shërbimit të shpërndarjes me ujë si edhe të shërbimit të shpërndarjes së naftës.

”Kemi lënë nje tjetër detyrë për të adresuar disa problematika në Bashkinë e Tiranës që lidhen me administrimin e një qyteti që rritet përditë, pastrimi, hapësirat publike, furnizimi me ujë dhe me radhë të gjitha shërbimet e tjera. Për këtë arsye kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një reformë të brendshme organizative.

Dua të vë theksin të çështja e shërbimit me ujë, duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit njësoj si operator i shpërndarjes se energjisë elektrike..na duhet një koorporatë e re që të adresojë problemin e investimeve, e të  gjitha marrëdhënieve me donatorë me institucionet financiare në të gjithë Shqipërinë  që janë lesh e li dhe të adresojë problemin e fragmentarizmit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh është e kot të presim rezultate të dëshiruara.

Përmirësimet janë të dukshme por të pamjaftueshme…qoftë për ujin dhe trajtimin e mbetjeve do duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe të krijojmë sinergji me koorporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar.

Kjo do na ndihmojë qoftë te shërbimi i furnizimit me ujë, qoftë investimet dhe patjetër transparencës në të gjitha këto procese ku ka shumë faktorë. Te sistemi i mbetjeve kemi një hartë që sot është shumë më ndryshe nga se ishte, por që duhet të konsolidohet dhe të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.

Po punojmë me ministrinë e shëndetësisë për furnizimin e gjithë sistemit publik dhe privat me barna me shtetin si palë. Ka ardhur koha të kalojmë në një rol të ri të shtetit.

Po punojmë intensivisht për një sistem të ri të furnizimit të naftës, domosdoshmëri dhe mundësi për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave dhe furnizimin me naftë. Që mendojmë se do të sjellë një kontroll më të madh në çmimin dhe qarkullimin e naftës”, tha Rama.

“Sot do bëhet konfiskim i…”/Rama: Çdo ngrehinë në shkelje të ligjit do rrafshohet!

By: b b
14 July 2025 at 09:31

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se çdo ngrehinë e ngritur në zona të mbrojtura apo hapësira publike do të rrafshohet.

Gjatë fjalës së tij nga mbledhja me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, ai theksoi se asnjë ndërtesë në shkelje të ligjit nuk do të legalizohet.

“Sot do të bëhet një konfiskim i një kuazi pallati në Vlorë që është në shkelje të lejes së ndërtimit, ky proces synon të bashkojë dy gjëra, s’kemi asnjë minutë për të humbur.

Kemi marrë përsipër të mbyllim procesin e legalizimeve, por ta harrojë kushdo qoftë që do të legalizohet çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji.

Historia ndërto nesër që të legalizosh nesër, nuk do të ecë.

E gjithë skuadra e deputetëve të jenë pranë komuniteteve dhe të janë në anën e shumicës dërrmuese të njerëzve që pengohen çdo ditë në jetën e tyre komunitare nga ata që me guxim të tepër kanë pushtuar hapësirat publike.

Tirana është zona më e nxehtë, edhe për shkak të atraksionit të madh që ka, dhe  nuk ka lagje e bllok banimi që të mos ketë zaptuesin e vet”, tha Rama.

Aksioni në Theth/Rama: S’do të ketë resorte turistike, është jashtë çdo lloj opsioni

By: b b
14 July 2025 at 09:21

Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të lejohen ndërtime restoresh në Theth, pasi të përfundojë aksioni i IKMT-së për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje.

Nga mbledhja me deputetë e drejtues të bashkisë së Tiranës, Rama deklaroi se asnjë oligark apo investitor strategjik, nuk do të përfshihet në projektet e zhvillimit në zonat rurale malore.

Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark, aty nuk bëhet fjalë që do lejohen ndërtime dhe resorte. Është jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion, janë për të ardhur keq.

Thethi dhe banorët e tij nuk janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grup njerëzish që nuk kanë lidhje me këtë histori.

Ne do i mbështesim ata që kanë prona nëpër male me kusht që t’i drejtohen institucioneve, madje kemi bërë dhe ‘Paketën e maleve’”, deklaroi Rama.

Shembjet në Theth, Rama: S’kemi prerë në besë askënd, janë goditur 40 subjekte

By: b b
14 July 2025 at 09:14

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se janë goditur rreth 40 subjekte pa leje në Theth.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka theksuar gjithashtu se nuk ka prerë në besë askënd, kjo lidhur me deklaratat e banorëve të Thethit.

Më tej, ai tha se mbetet për t’u parë se cfarë përgjegjësie do të marrë KLP lidhur me pr Gjeli e cila nuk ka pranuar as të fillojë hetimin, bazuar në denoncimet e bëra.

“Mbetet për t’u parë se cfarë përgjegjësie do të marrë KLP lidhur me zonjën Gjeli e cila nuk ka pranuar as të fillojë hetimin, bazuar në denoncimet e bëra dhe dua të them që në Theth janë goditur 40 subjekte, të cilat në një sërë rastesh kanë pasur më shumë sesa një grehinë, edhe nga dy dhe nga tre, dhe policia e shtetit, ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh të bëra në prokurori, dhe s’ka marrë asnjë veprim.

Gjithsesili policia e ka marrë pjesën e vet të përgjegjësie, ashtu sikundër bashkia e Shkodrës lidhur me IMT. Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift cuditërisht dje dhe u habita se si një njeri i zpotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena, dhe më pas i premë në besë.

Ne skemi prerë në besë askënd.

Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë dhe me fondin shqiptar të zhvillimit dhe me agjencinë e Kadastrës dhe që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me reth 300 legalizime që ata disponojnë.

Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve. Premtimi nuk ka qenë dhe s’e kemi bërë kurrë në asnjë nivel në asnjë cep të Shqipërisë, na jepni votën judhe ndërtoni pa leje dhe të gjithë këto ndërtime që janë prishur deri në gurin e fundit janë ndërtime të bëra në muajt e fundit. Jo ndërtime të kohës kur kemi qenë aty.

Ka pasur një turravrap të madh në Theth dhe e përsëris jo vetëm nga disa prej banorëve por edhe nga ata që nuk kanë lidhje fare me Thethin, që janë ngjitur atje lart për të ndërtuar”, tha Rama.

“S’janë banorë të zonës”, Rama për ndërtimet në Theth: S’bëhet fjalë për të shkretë

By: b b
14 July 2025 at 09:04

Kryeministri Edi Rama po zhvillon ditën e sotme një takim me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e Bashkive.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te ndërtimet pa leje në Theth.

Ai ka theksuar se godinat në Theth nuk janë ndërtuar nga njerëz të shkretë, por janë ngritur nga disa individë që s’janë as banorë të zonës.

“Ka një teori shumë, sipas meje, për të ardhur keq lidhur me përgjegjësinë, fajin. Kush e ka fajin?

Duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë përpiqen të ja lënë fajin strukturave të shtetit.

Nga njëra anë kemi disa njerëz të shkretë të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa dhe nga ana tjetër kemi një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë në shkelje të ligjit dhe është kujtuar pastaj që t’i godasë.

Nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, por individë që janë ngjitur deri atje dhe në një pjesë të konsiderueshme nuk janë banorë të atij vendi, madje në rastin flagrant, bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur.

Policia e Shtetit po merret me hetimin se si ka ndodhur dhe kush qëndron mbrapa pushtimit të qendrës së Thethit dhe bëhet fjalë për ndërtime të cilat nuk janë për të futur kokën, por për qëllim fitimi. Nga ana tjetër, nuk di që ka ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit, duke u vënë fajin strukturave të shtetit”, u shpreh Rama.

Trump premton dërgimin e raketave Patriot në Kiev

By: b b
14 July 2025 at 08:49

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë – me shumë gjasë përmes Bashkimit Evropian – ndërkohë që Kievi, Moska dhe e gjithë bota presin një “deklaratë të rëndësishme” nga ai, në lidhje me luftën.

Duke folur për gazetarët në një bazë ushtarake amerikane pranë Uashingtonit, Trump nuk dha detaje për dërgesat e planifikuara të sistemeve Patriot në Kiev.

“Ne do t’u dërgojmë atyre sisteme Patriot, të cilat u nevojiten aq shumë, sepse [presidenti rus, Vladimir] Putin me të vërtetë i habiti shumë njerëz. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje… Nuk më pëlqen”, tha Trump.

“Bashkimi Evropian do të paguajë për to. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë”, tha Trump, pa i specifikuar vendet e BE-së që do të përfshihen në transaksionin e tillë.

“Ne do t’u dërgojmë pajisje të ndryshme ushtarake, shumë të sofistikuara. Ata do të paguajnë 100 për qind për to. Kështu duam ne”, shtoi ai.

Më 2 korrik, Uashingtoni paralajmëroi se do t’i ndërpresë disa furnizime me armë për Kievin.

Megjithatë, Trump shprehu gjithnjë e më shumë zhgënjim për refuzimin e Putinit që të pranojë një armëpushim dhe, më 10 korrik, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë shtesë në Ukrainë – përmes vendeve anëtare të NATO-s ose aleatëve të tjerë evropianë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në një bisedë telefonike me Trumpin më 4 korrik, foli për mundësinë që Berlini të blejë sisteme Patriot nga Uashingtoni dhe më pas t’ia dërgojë Ukrainës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pritet të mbërrijë në Uashington më 14 korrik për bisedime me zyrtarët amerikanë.

Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës tri bateri të raketave Patriot – që të gjitha gjatë administratës së presidentit Joe Biden.

Sistemi Patriot është një nga më të avancuarit në botë për mbrojtjen ajrore, i aftë të kapë raketa balistike, raketa lundruese dhe aeroplanë luftarakë.

Trump paralajmëroi një “deklaratë të rëndësishme” për luftën, më 14 korrik.

Ajo vjen në një periudhë kur sulmet ruse ndaj Ukrainës janë qetësuar relativisht, pas një vale rekorde të sulmeve ajrore gjatë javëve të mëparshme.

Axios, duke cituar dy persona që kanë njohuri për planin, raportoi më 13 korrik se Trump pritet të njoftojë për një ndryshim të madh në strategjinë e tij ndaj luftës, duke paraqitur një politikë “agresive” që do të përfshijë edhe armë sulmuese për Ukrainën.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi këtë raport.

Në frontin diplomatik, edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, pritet të takohet me Trumpin më 14 korrik, për të diskutuar për Ukrainën dhe çështje të tjera.

Sipas një deklarate nga aleanca ushtarake perëndimore, Rutte do të takohet edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe anëtarë të Kongresit amerikan, gjatë vizitës së tij dyditore në SHBA.

Në anën tjetër, i dërguari posaçëm i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, do të nisë më 14 korrik një vizitë në Ukrainë.

Që kur mori detyrën në janar, Trump e bëri mbarimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor në politikën e jashtme./REL

Nis sot aksioni kundër tregtimit të bulmetit pa faturë

By: b b
14 July 2025 at 08:35

Ditën e sotme pritet të nisë aksioni i qeverisë për sekuestrimin e çdo produkti bulmeti, mishi apo qumështi që tregtohet pa faturë.

Operacioni i udhëhequr nga Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria e Tatimeve synon formalizimin e tregjeve ushqimore dhe luftimin e konkurrencës së pandershme.

Ministrat Petrit Malaj dhe Anila Denaj kanë paralajmëruar inspektime në terren, ndërsa të gjitha produktet pa dokumentacion do të konfiskohen dhe subjektet tregtare në shkelje do të ndëshkohen me gjobë.

Aksioni vjen pas një fushate sensibilizuese dyjavore dhe është pjesë e masave më të gjera të qeverisë për kontrollin e informalitetit në ekonomi.

Kujtojmë se Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka urdhëruar më herët pezullimin e inspektimeve që kryhen pa planifikim paraprak dhe pa miratim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Ky vendim synon të unifikojë praktikat e kontrollit dhe të garantojë transparencë e përputhje me ligjin për inspektimet.

Po ashtu do të ngrihet edhe një komision i posaçëm me pesë anëtarë, tre prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili do të vlerësojë punën e inspektorëve të AKU-së./tvklan

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën

By: b b
14 July 2025 at 08:28

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpall sot aktgjykimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte në vitin 1999.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave.

Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.

Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.

Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

Shqipëria, me rënien më të fortë të popullsisë në Europë në dekadën e fundit

By: b b
14 July 2025 at 08:23

Në gjithë Europën, sidomos atë në zhvillim, njerëzit lëvizin në kërkim të një jete më të mirë.

Globalizimi, hapja e tregjeve, lehtësimi i lëvizjes dhe kritereve të lejeve të punës nga shtetet e zhvilluara që po plaken, janë mundësi që, natyrshëm, shumëkush do të përpiqet ti shfrytëzojë, sidomos të rinjtë që sot kanë pritshmëri më të larta nga jeta.

Por, askush nuk ikën me ritmin që po largohen shqiptarët. Të dhënat e fundit të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 18.2% në fund të vitit 2024, në krahasim me 2011, periudhë që përfshin dhe zhvillimin e dy censeve.

Gjatë kësaj periudhe, vendi është reduktuar me mbi 500 mijë banorë. Vendi ka zyrtarisht sot 2.36 milionë banorë, shifër e raportuar dhe tek Eurostat.

 

Kjo rënie në përqindje (e matur me madhësinë relativ të kombit) është më e larta në Europë, sipas Eurostat. Shteti i dytë që ka humbur më shumë banorë, pas Shqipërisë, është Bullgaria, popullsia e së cilës është reduktuar me 12.3% brenda së njëjtës periudhë.

Maqedonia e Veriut renditet e treta, duke humbur 11.4%, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (-11.2%), Kroacia )-9.7), Letonia (-9.4) dhe Serbia (-9%). Vendi i rajonit që ka arritur të ruajë nivelet pothuajse të pandryshuara të popullsisë është Mali i Zi, që ka parë një rritje me 0.6% nga 2011-a. (Shifrat për Kosovën mungojnë).

Shtetet e Europës Perëndimore, ndonëse janë më të plakura, kanë arritur që të shtojnë popullsisë, si rrjedhojë e politikave agresive të emigrimit, si një zgjidhje për të adresuar problemet demografike, që kanë ardhur nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindjeve.

Eurozona e ka rritur popullsinë me 3.2% nga 2011-a. Në Itali, shteti më i plakur në Europë, së bashku me Spanjën, popullsia ka ndryshuar përkatësisht me -1.8% dhe +4.5%. Gjermania, që vitet e fundit ka lehtësuar kriteret e lejeve të punës ka rritur popullsinë me 4% në më shumë se një dekadë.

Në Shqipëri, tkurrja e fortë e popullsisë lidhet me dy faktorë. Së pari, ngadalësimi i shtesës natyrore, që gjatë pandemisë u kthye në negativ dhe tashmë është në nivele minimale, me vetëm 1.2 mijë persona plus në 2024-n, nga mbi 60 mijë persona që ishte në fillim të viteve 90.

Faktori i dytë dhe më i rëndësishëm është emigracioni, që njohu një valë të re pas vitit 2016, kryesisht nga popullsia e re në moshë. Në vitin 2024, sipas Eurostat, emigracioni neto ishte 28.8 mijë persona.

I dyti më i larti në Europë, pas Turqisë, që kishte një emigracion neto prej -156 mijë personash, por që është një shtet me një popullsi me 86 milionë banorë! Që pas viteve 90, në çdo dekadë, kur janë dhe të dhënat e Censeve, nga vendi janë larguar mesatarisht 500 mijë persona.

Të dy këto faktorë kanë ndikuar në plakjen e popullsisë. Sipas të dhënave të të tjera të Eurostat, mosha mediane e Shqipërisë arriti në 44.3 vite në 2024-n, duke iu afruar mesatares së BE-së prej 44.7 vite vitin e kaluar. Kjo do të thotë që në Shqipëri, gjysma e popullsisë është nën 44.3 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Në 2010-n, gjysma e popullsisë shqiptare ishte nën 31.9 vjeç.

Rënia e popullsisë dhe plakja e saj ka shkaktuar ngërç në tregun e punës, duke detyruar bizneset të frenojnë zgjerimin, ka frenuar produktivitetin, teksa janë rritur pagat pa u shoqëruar me rendimentin, ka frenuar konsumin dhe në afat të gjatë pritet të ndikojë skemën e pensioneve dhe rritjen e qëndrueshme ne vend, teksa qeveria nuk duket ende ta pranojë si një problem madhor, ritmet e larta me të cilat po reduktohet popullsia e vendit./Monitor

❌
❌