Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Opinion.al

SHBA, BE dhe zyrtarë ukrainas takohen sot në Britani, para takimit Trump–Putin

By: b b
9 August 2025 at 15:45

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, do t’i mirëpresin të shtunën në një takim këshilltarët e sigurisë kombëtare nga Evropa dhe SHBA-ja për të biseduar për luftën e Rusisë në Ukrainë, tha zyra e kryeministrit Keir Starmer.

Kryeministri britanik Starmer bisedoi në telefon me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, para takimit të sigurisë, sipas njoftimit.

Takimi do të jetë “një forum i rëndësishëm për të biseduar për përparimin drejt sigurimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, thuhet në njoftim.

“Të dy liderët përshëndetën dëshirën e presidentit Trump për t’i dhënë fund kësaj lufte barbare dhe pajtuan se duhet të vazhdojmë të ushtrojmë trysni ndaj Putinit, që të përfundojë luftën e tij të paligjshme”, thuhet në komunikatë.

“Kryeministri e mbylli bisedën duke përsëritur mbështetjen e tij të palëkundur për Ukrainën dhe popullin e saj”.

Ky takim do të mbahet një ditë pasi u konfirmua zyrtarisht takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, të premten e ardhshme në Alaskë.

Synimi i takimit të Trumpit me Putinin është për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Ende nuk ka pasur ndonjë përmendje të pjesëmarrjes së Ukrainës në samitin e 15 gushtit, pavarësisht insistimit të Kievit dhe vendeve evropiane se vendi i shkatërruar nga lufta duhet të jetë pjesë e negociatave.

Megjithatë, këshilltari i sigurisë kombëtare të Ukrainës do të marrë pjesë në takimin e së shtunës, së bashku me homologët e tij evropianë dhe amerikanë, tha zyra e Starmerit.

Vance ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar për pushime dhe e nisi vizitën të premten me një takim me Lammyn në rezidencën qeveritare britanike në juglindje të Londrës./REL

Trafik armësh me autobus drejt Italisë, arrestohen tre persona

By: b b
9 August 2025 at 15:34

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor ndërkombëtar të koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak.

Aksioni u zhvillua nga DVP Lezhë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe Guardia di Finanza italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.

Mësohet se në pranga ka rënë 30-vjeçari F.M. nga Malësia e Madhe, me precedentë të rëndë kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë në Itali si kreu i një grupi kriminal në qytezën e Lecco-s pranë Milanos.

Ai akuzohet se dërgoi 5 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak drejt Italisë.

Gjatë operacionit u arrestuan edhe dy drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni.

“Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D.. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme.

Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar.

Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme.

Operacioni vijon në Shqipëri e  Itali për identifikimin dhe kapjen e pritësit të armëve, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet”, njofton policia.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake“.

Serbia: Popoviç e pranoi ‘nën presion’ fajësinë në Kosovë për nxitje të përçarjes

By: b b
9 August 2025 at 15:22

Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të shtunën se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

“Ne theksojmë se nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”, tha Ministria serbe.

Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur petendimin se Popoviq e pranoi fajësinë nën presion.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviqin me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.

Popoviq – i cili është ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe – kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Sepciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtje dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.

Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Vetë Popoviq e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni.

Në një komunikatë të shtunën, Ministria serbe pretendoi se gjyqi kundër Popoviqit ishte “një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të popullit serb”.

“Prandaj, Republika e Serbisë do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të mbrojtur Igor Popoviqin dhe për të ekspozuar këtë padrejtësi të rëndë para bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ajo tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë”.

“Përveç kësaj, vetë marrëveshja është e pavlefshme, sepse është lidhur nën presion dhe në kushte shkeljeje të të drejtave themelore të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, sipas aj.

Ministria u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare “që veprojnë në Kosovë”, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, që të “reagojnë urgjentisht”.

Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë, pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

Pas ndalimit policor prej 48-orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik.

Prokuroria e akuzoi atë se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

Çështjen e arrestimit të Popoviqit, zyrtarët serbë e kanë ngritur edhe gjatë takimeve me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, të akredituar në Serbi, por edhe me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Pas shqiptimit të paraburgimit ndaj Popoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Kjo deklaratë u pa si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Tetë dekada pas sulmeve atomike, Japonia ngre zërin kundër armëve bërthamore

By: b b
9 August 2025 at 15:03

Në 80-vjetorin e përdorimit të bombave atomike për herë të parë në ndonjë luftë, mijëra persona kanë kryer lutje në qytetet japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki, teksa zyrtarët japonezë kanë paralajmëruar liderët botërorë për kokat bërthamore që ekzistojnë edhe sot.

Hiroshima, qytet në perëndim të Japonisë, pothuajse është rrafshuar me tokë më 6 gusht të vitit 1945, kur Shtetet e Bashkuara e kanë gjuajtur bombën atomike të quajtur “Djaloshi i vogël”.

Zjarri i bombës që është përhapur në qytet ka shkuar në mbi 4.000 gradë Celsius.

Më 9 gusht është bombarduar qyteti tjetër japonez, Nagasaki me bombën e quajtur “Burri i shëndoshë”.

Sipas autoriteteve japoneze, mbi 200.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e bombave – shumica menjëherë për shkak të shpërthimeve, ndërsa të tjerë për shkak të rrezatimit dhe djegieve.

Operacionet kanë shkaktuar dëm katastrofal në njerëz, por kanë rezultuar me dhënie fund të Luftës së Dytë Botërore, pasi më 15 gusht Japonia është dorëzuar.

Në qytetin e Hiroshimës ka qenë selia e disa njësiteve ushtarake dhe e një baze të madhe furnizimesh gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët amerikanë kanë kalkuluar atëbotë që malet përreth qytetit do të koncentrojnë fuqinë e bombës dhe do ta rrisin kapacitetin e saj shkatërrues.

Përfaqësues të 120 shteteve dhe territoreve në botë, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit – që as nuk e konfirmon dhe as mohon posedimin e armëve bërthamore – kanë marrë pjesë në ceremoninë vjetore në Parkun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima, për të shënuar përvjetorin e 80-të.

Kryetari i qytetit, Kazumi Matsui, u ka bërë thirrje liderëve që të mësojnë nga Hiroshima dhe Nagasaki dhe ka paralajmëruar për pasojat e trendit global për rritje të kapaciteteve ushtarake.

“Ekziston një bindje mes liderëve politikë botërorë që posedimi i armëve bërthamore është diçka e pashmangshme për ta mbrojtur shtetin”, ka thënë ai, duke përmendur se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia posedojnë 90 për qind të kokave bërthamore në botë.

“Kjo situatë, jo vetëm që i kthen në zero mësimet e mësuara nga komuniteti ndërkombëtar nga kjo tragjedi e së kaluarës, por edhe e dëmton seriozisht kornizën që është ndërtuar për paqe. U bëj thirrje të gjithë liderëve në botë që ta vizitojnë Hiroshimën dhe të shohin vetë realitetin e bombardimit atomik”.

Disa dekada pas sulmeve, të mbijetuarit, të njohur si “hibakusha” shpesh janë përballur me diskriminime, për shkak të thashethemeve se ata janë bartës të sëmundjeve dhe që pasardhësit e tyre mund të infektohen.

Numri i të mbijetuarve ka rënë nën 100.000 – për herë të parë këtë vit.

Këta persona janë përballur me efekte afatgjata për shkak të sulmeve, përfshirë rreziqet për kancer të tiroides dhe leukemisë. Si në Hiroshima, ashtu edhe në Nagasaki ka pasur rritje të numrit të rasteve me kancer.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore nuk kanë identifikuar se pasardhësit e tyre kanë pasur ndonjë të metë.

Japonia është vendi i vetëm që është përballur me sulme bërthamore. Ajo ka thënë disa herë se është e përkushtuar për çarmatosje bërthamore, mirëpo nuk është nënshkruese apo vëzhguese e Traktatit të Kombeve të Bashkuara për Ndalim të Armëve Bërthamore.

Më 2016, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, ka qenë presidenti i parë që e ka vizituar Hiroshimën, sa ka qenë në detyrë.

Ai nuk ka kërkuar falje për sulmin, mirëpo është solidarizuar me të mbijetuarit dhe ka bërë thirrje për një botë pa armë bërthamore./REL

Plagosja e 27-vjeçarit në Tiranë/ Policia: 3 të arrestuar, 1 në kërkim

By: b b
9 August 2025 at 14:52

Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Zona e Treshit”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 27-vjeçar.

Uniformat blu kanë identifikuar 4 shtetas dhe kanë vënë në pranga 3 prej tyre, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit me të cilën u plagos 27-vjeçari.

“Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi R. Ç., 27 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorëve.

Në vijim të veprimeve për këtë rast:

-u arrestuan shtetasit B. N., 47 vjeç dhe A. Ll., 42 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-u arrestua shtetasi I. K., 51 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
-shpallën në kërkim shtetasin S. N., 35 vjeç.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasit B. N., 47 vjeç, A. Ll., 42 vjeç dhe S. N., 35 vjeç , gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin R. Ç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa shtetasi I. K., 51 vjeç, nuk ka kallëzuar për ngjarjen.

Gjithashtu, gjatë konfliktit ka mbetur i demtuar lehtë me sende të forta, shtetasi G. Sh., 42 vjeç, i cili ishte në shoqërinë e të dëmtuarit.

Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjore të ngjarjes si dhe lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Nis restaurimi i kishës 1300-vjeçare në Arrëz të Lushnjes

By: b b
9 August 2025 at 14:22

Kisha 1300-vjeçare në fshatin Arrëz të Lushnjes ka nisur të restaurohet.

Ndërhyrja ishte urgjente për shkak se rrezikohej shembja e një prej monumenteve më të vjetra historike të Myzeqesë.

Është Insututi Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i cili bëri të mundur nisjen e punimeve, pas alarmit të dhënë edhe nga prifti i këtij objekti.

Puna ka nisur prej një muaji me rregullimin e çatisë, dëmtimi i plotë i së cilës solli në degradimin e kishës së Shën Todrit.

Firma që kryen punimet ka ndërhyrë edhe në muraturë pasi pjesa më e madhe e tyre ishte çarë si pasojë e tërmeteve dhe lagështirës së kohës.

“Objekti mund të jetë 20-30% i dëmtuar nga muratura, ndërsa çatia është 100% e dëmtuar. Me afresket nuk është parashikuar që të ndërhyhet në këtë fazë. Kemi thjesht punime konsolidimi të muraturës dhe të çatisë së kishës”, tha inxhinieri i punimeve, Josif Basha.

Kisha ishte e mbyllur për besimtarët që prej vitit 2020 , të cilët nuk kryenin asnjë rit fetar në këto ambiente. At Harallamb Llupo,tregon se Shën Todri është një ndër kishat më të veçanta të stilit në ndërtim ,ndaj ajo është monument kulture i kategorisë së parë.

E rëndësishme është edhe ndërtimi i rrugës drejt zonës kishtare, e cila në dimër është e vështirë për tu kaluar. Për këtë i është kërkuar ndihmë bashkisë të Lushnjes por nuk ka asnjë përgjigje deri më sot.

“Vlera shpirtërore, është në vend adhurimi për të gjithë të krishterët e zonës. Është një nga kishat më të vjetra të zonës. Vlera arkitekturore, e cila ka një stil ndërtimi të veçantë jashtë kishave të tjera të zonës së Myzeqesë”, tha At Harallamb Llupo.

Ndërtimi i një çatie të re për kishën është një punë që do mjeshtëri dhe punëtorët janë të specializuar në këtë fushë.

Afati i punimeve restauruese në Kishën e Shën Todrit është pesë muaj. Ritmet e punës janë të kënaqshme dhe ajo do tu kthehet besimtarëve ortodoksë e përfunduar përpara afatit.

Pas kishës në Bishqethëm kjo është kisha e dytë që restaurohet në Lushnje. Ato janë objekte të shpallura monument kulti të kategorisë së parë dhe ruhen me status të veçantë nga shteti shqiptar.

Klan News

Bumi turistik në Shqipëri: Çfarë thonë statistikat?

By: b b
9 August 2025 at 14:05

Miliona vizitorë, miliarda euro. Turizmi ka nxitur shumë nga diskutimet përreth Shqipërisë në vitet e fundit.

Por, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, vera ka sjellë edhe disa shqetësime se plazhet shqiptare kanë më pak njerëz sesa pritej.

Një vit më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se publikimi i fotografive e videove të plazheve të boshatisura ishte “sulm i organizuar” për ta dëmtuar turizmin në Shqipëri.

Më vonë, ai tha se Shqipëria duhet të synojë turistë që shpenzojnë më shumë dhe jo vetëm të vazhdojë ta rrisë numrin e turistëve.

Megjithatë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, numri i turistëve është rritur sërish, edhe pse jo me trajektore aq pozitive sa në vitet paraprake.

Të dhënat e përdorura për këtë artikull tregojnë numrin e vizitorëve gjatë gjysmës së parë të secilit vit, pasi të dhënat për muajin korrik të këtij viti nuk janë publikuar ende.

Nga Azia, Afrika e Amerikat – numri i vizitorëve të huaj nga çdo cep i botës është rritur, në krahasim me periudhën e njëjtë të viteve paraprake.

Megjithatë numri më i madh i vizitorëve të huaj në Shqipëri, rreth 95 për qind, janë nga Evropa – me Kosovën që, ndër vite, ka mbetur burimi më i madh i turistëve të huaj në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, turistët e huaj që vizituan Shqipërinë vitin e kaluar shpenzuan rreth pesë miliardë euro.

Kjo do të thotë që një vizitor shpenzoi mesatarisht 427 euro, shifër që, sipas Bankës së Shqipërisë, është më e ulët sesa e vendeve të rajonit si Greqia e Turqia.

Por, Këshilli Botëror për Udhëtime dhe Turizëm (WTTC) ka parashikuar se shpenzimet e turistëve do të rriten këtë vit, duke arritur në 7.3 miliardë euro, apo 26.4 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

WTTC-ja parasheh se, deri në vitin 2034, sektori i turizmit do të punësojë rreth 314 mijë persona. Aktualisht, ky sektor punëson rreth 20 për qind të fuqisë punëtore në Shqipëri.

Ku shkojnë turistët në Shqipëri?

Në jug, plazhet me gurë e ujë të pastër tërheqin numrin më të madh të vizitorëve, ndërkohë që, në veri, shumë vizitorë drejtohen për në Theth e Valbonë.

Por, sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, edhe disa muze dhe parqe kombëtare tërhoqën qindra mijëra turistë përgjatë vitit 2024.

Mbi 90 për qind e të gjithë vizitorëve të huaj e vizitojnë Shqipërinë për pushime ose vizitë te të afërm.

Megjithatë, në vitet e fundit është rritur dukshëm edhe numri i udhëtarë kalimtarë, që hynë në Shqipëri vetëm për të shkuar drejt destinacioneve të tjera./REL

Qëlloi me armë gjahu kuajt në Parkun e Llogarasë, nis hetimi për 55-vjeçarin

By: b b
9 August 2025 at 13:51

Policia e Vlorës ka identifikuar autorin e dyshuar që ka qëlluar me armë gjahu ndaj kuajve në zonën e Llogarasë në Vlorë.

Sipas uniformave blu mësohet se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj 55-vjeçarit me iniciale S.M., nga Orikumi.

Këtij të fundit iu sekuestrua edhe një çifte për ekzaminime të mëtejshme.

“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.”, njofton policia.

Ezaurohen kapacitetet e hoteleve në Durrës

By: b b
9 August 2025 at 13:16

Prej më shumë se dy dekadash, bregdeti i Durrësit mbetet destinacioni i preferuar për pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ata vijojnë të frekuentojnë plazhet e Adriatikut, duke sjellë gjallëri në qytetin bregdetar.

Opinioni i pushuesve është i ndryshëm, por dashuria për detin dhe mikpritjen mbetet e njëjtë.

“Është hera e parë që vij këtu në Durrës. Më duket shumë mirë, edhe çmimet janë shumë mirë”.

“Unë vij nga Ferizaj. Vijmë gjithmonë te plazhi i Durrësit, më duket më mirë se vitet e tjera. Jemi mësuar këtu’.

“Vij çdo vit në Durrës, më duket më mirë se viti i kaluar”.

Operatorët turistikë thonë se gushti ka ezauruar thuajse të gjitha kapacitetet akomoduese, falë numrit të lartë të prenotimeve.

Me diell, det dhe argëtim, Durrësi vazhdon të mbajë vendin e parë në hartën e pushimeve verore për vendasit dhe turistët e huaj./Klan News

Zjarret në Finiq, Mallakastër e Mirditë/MM: Po ndërhyhet nga ajri dhe nga toka

By: b b
9 August 2025 at 13:00

Ministria e Mbrojtjes ka lajmëruar se po përpiqen të izolojnë zjarret, që janë të përqëndruara në Finiq, Mallakastër dhe Mirditë.

Mësohet se në:

Finiq – Në fshatin Livinë, zjarri është nën kontroll dhe banesat nuk rrezikohen.

Po operohet nga ajri me avion Canadair kroat dhe helikopter i Forcave Ajrore, ndërsa mjetet zjarrfikëse dhe forcat tokësore janë të pozicionuara në gatishmëri rreth fshatit.

Mallakastër – Forcat e Armatosura dhe MZSH Mallakastër po punojnë në një zonë ndarëse midis pyllit dhe pronave private për të ulur intensitetin e flakëve.

Mirditë – Po ndërhyhet nga ajri me avion Canadair italian dhe nga toka për izolimin e vatrave.

Forcat tokësore janë angazhuar maksimalisht për izolimin e zjarreve në të tre bashkitë.

Policia në godinën e News24, asociacionet e gazetarëve: Të mos bllokohet puna e tyre

By: b b
9 August 2025 at 12:40

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas pranisë së Policisë së Shtetit në ambientet e televizionit News24.

Përmes një deklarate zyrtare, UGSH ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të mos bllokojnë apo të ndërpresin punën e gazetarëve.

“UGSH kërkon nga institucionet shtetërore të mos bllokojnë dhe aq më keq të ndërpresin punën e gazetarëve dhe ndërprerjen e punës raportuese të kanalit të rëndësishëm informuese në hapësirën kombëtare.

Ne po ndjekim me vëmendje komunikimin dhe sqarimet e palëve në këtë përplasje e cila ka një histori pararendëse. UGSH është në alert për lirinë e medias dhe të ushtrimit të funksionit për gazetarët e këtij seti mediatik”, njoftoi zyra informuese e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Po ashtu një reagim pati edhe Asociacioni Gazetarëve të Shqipërtisë.

AGSH kërkoi largimin e policisë dhe tha që gazetarët e ekipi mediatik të lejohen të vijojnë transmetimet.

”Ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Pamjet e sotme përpara katër mediave, i ngjajnë klimës mediatike në Rusi, dhe ky nuk është modeli për të cilin ne punojmë si shoqëri”,thuhet në reagimin e tyre.

Sherri me dy të plagosur në Fier, policia: Një 40-vjeçar goditi me thikë…

By: b b
9 August 2025 at 12:24

Policia e Fierit ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së mbrëmshme në Fier, ku u dëmtuan me mjet prerës 2 shtetas.

Mësohet se një 40-vjeçar ka tentuar të vrasë me thikë një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta.

Në konflikt e sipër, është dëmtuar gjithashtu edhe vëllai i 40-vjeçarit, i cili u arrestua nga uniformat blu.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Fierit kanë shkuar për të marrë mjekim 2 shtetas të dëmtuar me mjet prerës, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 40-vjeçari.

Nga këto veprime dyshohet se në një rrugë të lagjes “11 Janari”, Fier, shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Fier, është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit E. H., 40 vjeç dhe T. H., alias T. S., 38 vjeç banues në Kraps (vëllezër).

Gjatë konfliktit, 40-vjeçari ka goditur me mjet prerës shtetasin A. M., si dhe është dëmtuar në dorë në konflikt e sipër, vëllai i 40-vjeçarit, shtetasi T. S..

Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 40 vjeç, banues në fshatin Kraps, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Rriten me 26.6% tatimi mbi të ardhurat personale

By: b b
9 August 2025 at 12:05

Në 6 muajt e parë të këtij viti, tatimi mbi të ardhurat personale ka sjellë në buxhetin e shtetit 40,8 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 8,6 miliardë lekësh ose 26,6% më shumë se gjashtëmujori i parë i 2024.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, kjo shumë është gjithashtu 5,4 miliardë lekë më e lartë sesa ishte parashikuar në planin fillestar të të ardhurave për këtë periudhë, duke reflektuar një realizim prej 15,4% mbi objektivin e parashikuar.

Kjo performancë pozitive vjen si rezultat i një disa faktorëve, duke nisur që nga ndikimi i drejtpërdrejtë që ka pasur rritja e punësimit formal dhe përmirësimi i deklarimit të pagave në sektorin privat, ku ndërmarrjet janë nxitur nga kontrolli më i shtuar tatimor.

Gjithashtu rritja e pagave në sektorin publik dhe në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si teknologjia, ndërtimi dhe shërbimet financiare, ka ndikuar në rritjen e bazës së tatueshme.

Një tjetër faktor është edhe përmirësimi i administrimit tatimor, ku përmes sistemeve të digjitalizuara, si E-Filling dhe fiskalizimi në kohë reale, kane rritur transparencën dhe efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave në vend.

Përveç pagave, një kontribut të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave ka dhënë edhe tatimi mbi burimet e tjera personale të të ardhurave, përfshirë qiratë, dividentët apo dhe të ardhurat nga vetëpunësimi.

Referuar të dhënave zyrtare nga Administrata Tatimore, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, rezultojnë mbi 10 mijë e 523 punonjës të rinj më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Klan News

“Nuk i bleu dot…”/Berisha: Prerja e sinjalit të News24, akt xhelati nga Ramaduro

By: b b
9 August 2025 at 11:50

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër, pas ndërprerjes së sinjalit të televizionit “News 24” nga autoritetet.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, Berisha e cilësoi këtë akt si një sulm ndaj fjalës së lirë.

Ai thekson se pas mbylljes së Agon Chanel dhe konfiskimit të Ora News, ky është televizioni i tretë që “Edi Rama përpiqet të zhdukë vetëm e vetëm se narkodiktatori i Tiranës nuk i bleu dhe nuk i kontrolloi dot”.

Reagimi: 

Me prerjen e sinjalit të News24 Ramaduro kreu një akt prej xhelati ndaj fjalës së lirë.

Në traditën e babait të tij biologjik Kristaq Rama që në 10 gusht 1988 firmosi varjen publike në litar të poetit disident Havzi Nela, Ramaduro më 11 gusht 2025 rrethoi me polici dhe urdhëroi xhelatët e tij të fjalës së lirë të ndërpresin sinjalin e televizionit të News24, një nga burimet kryesore e të pakta të informacionit të pavarur në Shqipëri.

Duke prerë në mënyrë brutale sinjalin e News24 në një akt hakmarrje primitive ndaj këtij televizioni, Edi Rama kërkon e mbrohet nga lajmi i paanshëm, debati i hapur dhe kritikat e bazuara ndaj tij dhe narkoqeverisë së tij dhe investigimet e guximshme gazetarëve të këtij televizioni të lidhjeve të tij dhe ministrave të tij me krimin dhe drogën dhe aferave të tyre korruptive.

Partia Demokratike shton se pas mbylljes së Agon Chanel dhe konfiskimit të Ora News, ky është televizioni i tretë që Edi Rama përpiqet të zhdukë vetëm e vetëm se narkodiktatori i Tiranës nuk i bleu dhe nuk i kontrolloi dot.

Partia Demokratike duke shprehur solidaritetin më të plotë me gazetarët dhe të gjithë punonjësit e News24 dënon me forcën më të madhe aktin hakmarrës primitiv prej xhelati të fjalës së lirë të Ramaduros dhe kërkon largimin e menjëhershëm të forcave policore nga territori i Televizionit News24, lirimin e menjëhershëm të sinjalit të këtij televizioni.

Partia Demokratike ju bën thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë të dënojnë me forcën më të madhe aktin primitiv të Edi Ramës, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit News24.

Avokatura e Shtetit reagon për ndërhyrjen e policisë në ambjentet e News 24

By: b b
9 August 2025 at 11:36

Avokatura e Shtetit ka reaguar pas ndërhyrjes së policisë në ambjentet e “News 24”.

Godina e News24 u rrethua nga policia mëngjesin e sotëm dhe u kërkua lirimi i ambienteve të saj.

Përmes një deklarate zyrtare, Avokatura e Shtetit njofton se me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale.

Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin.

Deklarata e plotë:

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale.

Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.

Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi.

Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit.

Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike.

Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike.

Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive.

Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e siper, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas perfundimit te kontrates.

Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.

Polici shpëtoi 3 të plagosurit nga aksidenti në Fier,i akordohet certifikata e lartë

By: b b
9 August 2025 at 11:24

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,Ilir Proda, i ka akorduar punonjësit të Policisë Rrugore, Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara.

Ai ka falënderuar Inspektorin Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë që ka treguar ndaj qytetarëve, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi , Proda tha se veprimi i punonjësit të policisë tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit.

Mesazhi i Drejtorit Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne.

Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore.

I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme.

Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

U kap duke u kujdesur për bimët narkotike, arrestohet 32-vjeçari në Krujë

By: b b
9 August 2025 at 10:53

Policia e Krujës ka kapur në flagrancë një 32-vjeçar, teksa po kujdesej për 110 bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin “Miliskaj” Thumanë.

Bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

“Në kuadër të planit operacional “Koordinata”, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme, të bazuara te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga shtetasin F. K., 32 vjeç, banues në Thumanë.

32-vjeçari u kap në flagrancë, duke u kujdesur për 110 bimët e dyshuara narkotike Cannabis Sativa që kishte kultivuar në fshatin “Miliskaj” Thumanë.

Kontrollet në kuadër të planit operacional “Koordinata”, vijojnë”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Fluks udhëtarësh në Portin e Vlorës, rreth 23 mijë pasagjerë nga korriku deri më sot

By: b b
9 August 2025 at 10:37

Porti i Vlorës në fundjavën e dytë të gushtit ka shënuar një fluks të shtuar të udhëtarëve që vijnë me tragete nga Italia.

Drejtori i Portit të Vlorës, Ilir Banushi deklaroi për Agjencinë Telegarfike Shqiptare se “ditën e sotme në Portin e Vlorës ka pasur një fluks të lartë të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërritën me tragetin “European Star”, nga Italia.

Sot mbërritën 1019 pasagjerë dhe 267 automjeteve.

Ndërsa në mbrëmje pritet të vijë edhe një tjetër traget me pasagjerë nga Italia”.

“Për muajin korrik kanë mbërritur rreth 14 000 pasagjerë dhe rreth 2500 mjete të vogla. Deri ditën e djeshme për gushtin kanë hyrë rreth 8000 mijë pasagjerë dhe 1700 mjete të vogla”, tha Banushi.

Sipas tij, gjatë gjithë sezonit veror në port janë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.

Ky numër i lartë udhëtarësh vjen në kulmin e sezonit veror, duke shtuar ndjeshëm lëvizjen në qytet dhe sjellë edhe rritje të aktivitetit ekonomik në zonën bregdetare të Vlorës.

Bregdeti i bukur i Vlorës, infrastruktura e përmirësuar dukshëm dhe hapësira atraktive të tilla si Lungomare me lokalet e shumta, apo bulevardi Vlorë-Skelë, përbëjnë disa nga faktorët dhe pikat e forta për treguesit e lartë të turistëve të huaj nga vende të ndryshme të botës në qytetin e Vlorës./ATSH

Rrethohet godina e News24, kërkohet dorëzimi i saj te shoqëria “KAYO”

By: b b
9 August 2025 at 10:24

Ditën e sotme, policia ka rrethuar dhe ka kërkuar lirimin e godinës së televizionit News24 ku ndodhen edhe revista Panorama dhe Balkan Web, duke ndërprerë sinjalin.

Ky hap vjen pasi kontrata e grupit mediatik për godinën, që dikur ishte ajo e Uzinës së ish-Autotraktorëve, ka disa vite që ka mbaruar dhe për lirimin e së cilës ka një vendim gjykate.

I pranishëm mes forcave të policisë është edhe drejtuesi i shoqërisë “KAYO”, Ardi Veliu.

Shoqëria “KAYO” ka kërkuar nga policia dorëzimin e godinës. Kjo e fundit i ka kaluar kompanisë së prodhimit të armëve me vendim të qeverisë për përdorimin e saj në funksion të shoqërisë.

Tvklan.al kontaktoi Policinë e Shtetit, por deri në këtë moment nuk ka pasur një reagim nga ana e saj.

Nuk ka ende një deklaratë institucionale për këtë ndërhyrje, ndërkohë që News24 ka deklaruar se uniformat blu nuk kanë lejuar futjen e gazetarëve në redaksi teksa prania e policisë sipas tyre ka qenë “pa paralajmërim dhe pa vendim gjykate”./tvklan

Inspektorati Shëndetësor intensifikon kontrollin e pishinave gjatë sezonit turistik

By: b b
9 August 2025 at 10:10

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka vijuar inspektimin e pishinave dhe kushteve higjeno-sanitare në të gjitha subjektet e vendit, në kuadër të sezonit turistik.

Nga muaji qershor deri tani janë inspektuar rreth 200 pishina në të gjithë vendin dhe procesi do të vazhdojë deri në fund të sezonit.

Gjatë kontrolleve, për pishinat që kanë rezultuar me mangësi janë lënë detyra me afate të përcaktuara për përmirësim dhe janë marrë masa administrative për subjektet përkatëse.

“ISHSH kryen me përpikmëri inspektimin dhe riinspektimin, duke trajtuar me seriozitet çdo sinjalizim apo ankesë nga institucionet shëndetësore ose qytetarët, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e pushuesve”, shkruan Koçiu.

❌
❌