Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 August 2025Opinion.al

Vuçiç: Dialogu me Kosovën të përqendrohet te Asociacioni dhe te të drejtat e serbëve

By: b b
26 August 2025 at 12:52

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë pas një takimi në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen, se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.

“Politika jonë është politika e paqes, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe e vendosur dhe e përgjegjshme në mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare”, shkroi Vuçiç më 26 gusht në Instagram, pas takimit me Sorensenin.

Ai shtoi se “përpjekja për ndalim” të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë tregon se “respektimi i të drejtave themelore dhe lirive të veprimit politik të serbëve është i rrezikuar”.

Vuçiç theksoi, gjithashtu, se me Sorensenin zhvilloi një bisedë të hapur, të fokusuar në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe mbi sfidat që lidhen me pozitën e serbëve në Kosovë.

Sorensen, pas takimit me Vuçiçin, do të takohet edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

I dërguari i BE-së për dialogun kishte vizituar Prishtinën më 6 gusht, ku me zyrtarët kosovarë kishte diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”.

Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023. Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese.

Dokumenti prej 11 nenesh, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, njohjen reciproke të simboleve shtetërore, shmangien e bllokimit nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe detyrimin që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialog.

Rundi i fundit i dialogut Kosovë–Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, u mbajt më 10 qershor.

Pas këtij takimi, në nivel të kryenegociatorëve, Sorensen deklaroi se po bëhen përgatitje për një takim në nivel të lartë.

Takim i tillë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023.

Ai takim u mbajt pak ditë para se një grup serbësh të armatosur të sulmonte policinë e Kosovës në Banjskë, afër Zveçanit.

Kosova fajëson Serbinë për atë ngjarje, ndërsa Beogradi mohon çdo përfshirje.

Sorensen erdhi në Serbi në mes të një krize politike dhe protestave shumëmujore kundër qeverisë, që shpërthyen pas vdekjes së 16 personave në shembjen e çatisë së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit.

Protestuesit, përveç kërkimit të përgjegjësisë për këtë tragjedi, po ashtu kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – kërkesë që autoritetet e refuzojnë./REL

Autor i disa vjedhjeve në qytetin e Vlorës, policia arreston 37-vjeçarin

By: b b
26 August 2025 at 12:44

Policia e Vlorës në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pronës, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bënë të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale D. B., 37 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë.

37 vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është autor i disa vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjes të kryera gjatë vitit 2025, më konkretisht:

më datë 25.02.2025, ka hyrë me forcë në një dyqan në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, ku ka vjedhur disa produkte elektrike
po më datë 25.02.2025, ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një dyqan në lagjen “Pavarësia 3”;
më datë 23.07.2025, ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një magazinë në lagjen “1 Maji”;
më datë 14.08.2025, ka vjedhur materiale të ndryshme me vlerë rreth 3000 euro, në një tjetër magazinë në lagjen “1 Maji”.

Kryeparlamentari i ri i Kosovës,Spiropali:Mezi pres të fillojmë bashkëpunimin …

By: b b
26 August 2025 at 12:26

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka uruar zgjedhjen e kreut të ri në parlamentin e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se mezi pres bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës për të mirë të qytetarëve.

“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, ka shkruar Spiropali në Facebook.

Kujtojmë se deputetët e Kosovës zgjodhën sot më 26 gusht me shumicë votash, Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. Basha, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori 73 vota pro, 30 deputetë votuan kundër ndërsa tre abstenuan.

Qeveria e re, Edi Rama takime në kryeministri

By: b b
26 August 2025 at 12:19

Qeveria mbylli pushimet zyrtarisht dhe ka nisur punën për sezonin e ri sa i përket zhvillimeve politike. Sot, më 26 gusht, kryeministri Edi Rama zhvilloi disa takime me ministra të kabinetit aktual.

Gazetarja Klesiana Omeri raportoi për Klan News se ka qenë ministri i Financave, Petrit Malaj, i pari që ka mbërritur në zyrën e kreut të qeverisë.

Pasi ai ka dalë nga kryeministria, Ramës i janë bashkuar ministrja e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku.

“Nuk ka detaje, janë takime informale, por duket se lidhen ngushtësisht me përgatitjen që është duke bërë kryeministri Edi Rama për sezonin e ri. Forumi i parë që do të mblidhet është më i rëndësishmi dhe më i madhi për PS që është asambleja”, raportoi gazetarja.

Nga konfirmimet deri më tani nuk pritet që ajo të zhvillohet brenda muajit gusht.

“Në ditët e para të muajit shtator pritet të mblidhet asambleja ku do të bëhen publikë emrat e qeverisë së re. Pritet me interes se deri në ç’nivel do të bëjë ndryshime kryeministri Edi Rama”, raportoi gazetarja.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për t’ia lënë mandatin e Nismës Shqipëria Bëhet, Ana Dajko, i hap rrugë tashmë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve. Vendimi është dërguar në KQZ dhe pritet që gjatë kësaj jave, Komisioni Rregullator të mblidhet dhe t’i certifikojë ato. Më pas, presidenti Bajram Begaj do të nxjerrë një dekret për mbledhjen e Kuvendit të ri.

Presidenti Begaj mesazh urimi për kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës

By: b b
26 August 2025 at 12:11

Presidenti Bajram Begaj ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

“Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, shkruajti presidenti në një postim në rrjetet sociale.

Deputetët e Kosovës zgjodhën sot më 26 gusht me shumicë votash, Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. Basha, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori 73 vota pro, 30 deputetë votuan kundër ndërsa tre abstenuan.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kush është Dimal Basha, kreu i ri i Kuvendit në Kosovë

By: b b
26 August 2025 at 12:03

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës këtë të martë.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kush është Dimal Basha?

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt. Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Neë York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Ai gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The Neë School University,” po ashtu në New York.

Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së. Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen VetëVendosje.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Situata e zjarreve në vend, MM: Vihet nën kontroll zjarri në Bogovë të Skraparit

By: b b
26 August 2025 at 11:56

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar paraditen e sotme se vatra e zjarrit në zonën e Bogovës, në Skrapar, është vënë plotësisht nën kontroll. Pas disa orësh pune intensive në terren, forcat operacionale kanë siguruar të gjithë perimetrin e jashtëm të zjarrit dhe kanë ndalur përhapjen e flakëve.

Mësohet se operacioni nisi në orët e para të mëngjesit, konkretisht në orën 05:30, dhe përfshiu një numër të madh forcash nga disa institucione.

Në terren kanë qenë të angazhuar:

• 30 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FA 22)
• 7 mjete zjarrfikëse nga Skrapari, Berati dhe Poliçani
• 20 punonjës të bashkisë
• 5 punonjës të shërbimit pyjor
• 15 punonjës të shërbimeve të tjera mbështetëse

Falë koordinimit mes institucioneve dhe ndërhyrjes në kohë, u arrit të izolohej zjarri dhe të shmangej përhapja drejt zonave të banuara apo me rrezik të lartë.

Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

By: b b
26 August 2025 at 11:36

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime.

Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare.

“Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri”, tha Krasniqi për media.

Ai theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.

PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i kishte hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.

Tiranë/ Me automatik e municione në makinë, policia arreston një 38-vjeçar

By: b b
26 August 2025 at 11:31

Një 38-vjeçar që lëvizte me makinë i armatosur në “Rrugën e Arbrit”, është arrestuar nga Policia e Tiranës, teksa rezulton i proceduar më parë për të njëjtën vepër penale.

Operacioni është koduar “Armed”, ndërsa u sekuestruan 1 armë zjarri automatike dhe municion luftarak. I arrestuari është B.B., 38 vjeç, banues në Burrel, ndaj të cilit u ngrit akuza “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas posedonte armë zjarri në automjetin me të cilin lëvizte, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat i operacionit të koduar “Armed” kanë lokalizuar dhe vënë në pranga 38-vjeçarin B.B., banues në Burrel”, thanë burime zyrtare.

Në Rrugën e Arbrit, shërbimet kanë ndaluar automjetin “BMW”, me drejtues të dyshuarin. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

U arrestua në Malin e Tomorit, Gjykata e Posaçme lë në burg Dorian Beun

By: b b
26 August 2025 at 11:25

Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Dorian Beun, i arrestuar dy ditë më parë në malin e Tomorit.

Beu akuzohet për “prodhim e shitje të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe masa në mungesë ndaj tij ishte caktuar në mars 2023.

Në sallën e gjyqit, përmes avokatit të tij Andi Hasanaj, Beu ka kërkuar masë më të butë duke pretenduar se për të njëjtin fakt penal po procedohej nga autoritetet italiane.

Në vendin fqinj ai është arrestuar në tetor 2023 dhe ndaj tij është caktuar masa “arrest në shtëpi”, ndërsa nga dhjetori 2023 drejtësia italiane ka vendosur që hetimi ndaj tij të vijojë në gjendje të lirë.

Hetimi ndaj Beut dhe personave të tjerë të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal është bërë nga një skuadër e përbashkët hetimore shqiptaro-italiane.

Australia fajëson Iranin për dy sulme antisemitike, ia dëbon ambasadorin

By: b b
26 August 2025 at 10:51

Australia e ka akuzuar të martën Iranin për kryerjen e dy sulmeve antisemitike me zjarrvënie në dy qytete të vendit, Sidnei dhe Melburn, si edhe e urdhëroi ambasadorin iranian të largohet nga vendi brenda shtatë ditësh.

Ky është dëbimi i parë i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, shtëpitë, shkollat, sinagogat dhe automjetet në Australi janë vënë në shënjestër të vandalizmave dhe zjarrvënieve antisemitike.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se Agjencia Australiane për Inteligjencë dhe Siguri ka mbledhur të dhëna të besueshme se Irani kishte drejtuar të paktën dy nga këto sulme.

“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni, të orkestruara nga një shtet i huaj në tokën australiane”, tha Albanese në një konferencë për shtyp.

“Ishin përpjekje për ta minuar kohezionin social dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, nënvizoi ai.

Sipas tij, Irani ishte përpjekur ta “fshihte përfshirjen e vet” në sulmet e vitit të kaluar ndaj një restoranti në Sidnei dhe ndaj Sinagogës Adass Israel në Melburn.

Albanese shtoi se agjencia e sigurisë së Australisë vlerëson se është e mundur që Irani të ketë drejtuar edhe sulme të tjera.

Australia i ka pezulluar operacionet në Ambasadën e vet në Teheran dhe të gjithë diplomatët e saj janë të sigurt në një vend të tretë, tha kryeministri, duke shtuar se Qeveria e tij do ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë iranianë kanë shtatë ditë kohë për t’u larguar.

Kjo do të jetë hera e parë që një ambasador dëbohet nga Australia që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ambasada e Izraelit në Australi e mirëpriti këtë veprim ndaj rivalit të saj kryesor, Iranit.

“Regjimi i Iranit nuk përbën kërcënim vetëm për hebrenjtë ose Izraelin, ai rrezikon gjithë botën e lirë, përfshirë Australinë”, tha Ambasada izraelite në X.

Izraeli dhe Irani e zhvilluan një luftë ajrore 12-ditore në qershor, pasi Izraeli nisi sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Rreth 90,000 njerëz të lindur në Iran jetojnë në Australi.

Dy burra janë akuzuar për sulmin e dhjetorit që dogji sinagogën, e ndërtuar në vitet 1960 nga të mbijetuarit e Holokaustit në lagjen Ripponlea.

Javën e kaluar, policia në shtetin juglindor të Viktorias tha se po ekzaminonte pajisje elektronike të sekuestruara gjatë një kontrolli në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, i cili pritet të dalë në gjyq të mërkurën.

Policia tha se tre persona ishin futur me forcë në sinagogë dhe ia kishin vënë zjarrin.

Mediat raportuan se burri i arrestuar në janar për atë sulm kishte lidhje me një bandë të njohur motoçiklistësh australianë. Ai i mohoi akuzat në gjykatë dhe u lirua me kusht.

Laç/ Në kërkim për trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, arrestohet 41-vjeçari

By: b b
26 August 2025 at 10:32

Policia e Lezhës ka arrestuar në Laç një 41-vjeçar të shpallur në kërkim për përfshirje në trafikimin e armëve të zjarrit. Shtetasi me inicialet R. K., banues në Fushë Kuqe të Kurbinit, u arrestua nga shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit, në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme për kapjen e personave në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, R. K. ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë si pjesë e operacionit të koduar “Puzzle”, i zhvilluar rreth tre muaj më parë. Ky operacion kishte në shënjestër një rrjet të trafikimit të armëve të zjarrit që përfshinte linjën Kosovë-Shqipëri.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 14 armë zjarri, ndërsa R. K. ishte një nga të dyshuarit kryesorë që kishte arritur t’i shpëtonte arrestimit në atë kohë.

Policia ka theksuar se kontrollet për kapjen e personave të shpallur në kërkim do të vijojnë me intensitet, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sigurisë dhe goditjen e krimit të organizuar.

Parku fotovoltaik i Spitallës, Voltalia gati të nisë ndërtimin.Operimi në janar 2027

By: b b
26 August 2025 at 10:25

Ndërtimi për parkun fotovoltaik të Spitallës pritet që të nisë këtë vit dhe nëse punimet ecin siç duhet vënia në punë dhe testimi pritet të bëhen në gusht-dhjetor të vitit 2026 ndërkohë që operimi tregtar pritet në janar 2027. “Spitalla Solar” e themeluar nga kompania Voltalia si përfaqësuese e saj në Shqipëri, ka njoftuar autoritetet përmes dokumentacionit vendndodhjen e saktë të impiantit dhe detaje të tjera të lidhura me të.

“Projekti ndodhet në territorin e Bashkisë Durrës, pranë fshatrave Adriatik, Vrinas (Shënavlash) dhe Spitallë, brenda Njësisë Administrative të Rrashbullit, Njësisë së Administrative (NjA) Nr.6 të qytetit të Durrësit dhe brenda Prefekturës së Durrësit. Vendndodhja e zonës së propozuar për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik në Spitallë është në zonën kadastrale nr. 8517 dhe përfshin një sipërfaqe prej rreth 123. Ha” thuhet në dokument.

Impianti me kapacitet të instaluar 100 MW pritet që të ndërtohet për një periudhë 15 mujore. Konkretisht sipas një kalendari paraprak kompania parashikon që ndërtimi në nisë në nëntor të këtij viti teksa përgjatë periudhës maj-qershor 2025 është bërë gati kantieri.

Punimet mekanike dhe ato elektrike pritet të zenë vend gjatë nëntor-2025 dhe nëntor 2026.  Impianti fotovolatik i Spitallës është i dyti që Voltalia do të zbatojë në vendin tonë pas atij të Karavastasë tashmë në operim prej dhjetorit 2023.

Projektet e Voltalia

Voltalia fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë në vitin 2020, ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat.  Sipas marrëveshjes 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.

Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh në një ankand të mbajtur gjatë 2021-it.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MË do të tregtohen në treg të lirë.  Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258,383 MË energji që përbënte 3.2 për qind të prodhimit neto vendas.

Aktualisht Voltalia duket se ka një interes të shtuar për Shqipërinë sa i takon zgjerimit me projekte të reja ku kohëve të fundit ka bërë thirrje për investitorë privatë apo individë që disponojnë truall të cilat kompania mund ti marrë me qira për të zbatuar aty projekte energjie diellore. /monitor.al

Kosovë/ Deputetët mblidhen sot për një përpjekje të re për konstituuimin e Kuvendit

By: b b
26 August 2025 at 10:10

Deputetët do të mblidhen sot për ta vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe për të dalë nga ngërçi i tejzgjatur politik.

Seanca, që pritet të nisë në orë n 11:00, do të vazhdojë aty ku u ndërpre dy ditë më parë, në pikën e tretë të tëndit të ditës, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve kompletohet konstituimi i Kuvendit dhe hapet rruga për formimin e një qeverie të re.

Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për ta konstituuar Kuvendin që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i ka hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse në Kuvend, pamjaftueshëm për ta zgjidhur kryeparlamentarin pa ndihmën e partive kundërshtare.

Nuk është e qartë se ka vullnet nga partitë e tjera për ta votuar ndonjërin prej kandidatëve të Vetëvendosjes në takimin e sotëm.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha më 24 gusht se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore.

Si nisi ngërçi politik?
Seanca konstituive nisi më 15 prill. Por, ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike mes partive politike, pasi asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.

Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.

Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.

Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.

Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura – aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht – përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t’i kthehet votimit të hapur.

Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Numri i pagesave me kartë kalon për herë të parë tërheqjet e parasë cash në ATM

By: b b
26 August 2025 at 09:58

Pagesat me kartë po shënojnë një rritje të shpejtë këtë vit, madje për herë të parë ato kanë kaluar në numër tërheqjet e parasë cash në ATM.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 52 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraja cash.

Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 17.4% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 16.3% i vitit të kaluar.

Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.

Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri.

Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.

Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 27 969, në rritje të mëtejshme me 28.4% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.

Një nga operatorët e mëdhenj globalë të pagesave me kartë, Mastercard, këtë vit po e mbështet zgjerimin e pagesave me kartë me një program të shtimit të pajisjeve POS me kushte lehtësuese për bizneset.

Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024 numri i kartave aktive arriti në 1.57 milionë, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë./Monitor

Trump ul pritshmëritë për takimin Putin-Zelenski

By: b b
26 August 2025 at 09:48

Presidenti i SHBA-së, Trump, tha se kishte folur përsëri në telefon me Presidentin rus Putin. Kurse Zelenski njoftoi për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh më i rezervuar në lidhje me një takim të mundshëm midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski. “Nuk e di nëse ata do të takohen. Ndoshta do të takohen. Ndoshta jo”, tha Trump në Uashington në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. Trumpi u tha gazetarëve se pas takimit për Ukrainën në Shtëpinë e Bardhë kishte folur në telefon me Putinin dhe se çdo bisedë që ka pasur me Putinin ka qenë “një bisedë e mirë”. Gjatë bisedës me gazetarët ai megjithatë shprehu zemërimin e tij për sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase dhe kërkoi njëtakim të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Zelenskyt.

Javën e kaluar, zëdhënësja e tij Karoline Leavitt, kishte deklaruar pas pyetjeve të përsëritura nga ana e gazetarëve, se Putini kishte rënë dakord për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin gjatë javëve të ardhshme. Pas takimit Trump-Putin u fol shumë se një takim midis Putinit dhe Zelenskit mund të zhvillohet së shpejti, por që atëherë Kremlini i ka minimizuar këto pritshmëri. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi së fundmi se Moska dhe Kievi duhet së pari të bien dakord për paqen dhe pastaj një takim midis presidentëve mund të vulosë marrëveshjen.

Zelenski njofton për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se në fund të javës do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e SHBA-së në lidhje me negociatat e mundshme me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Ai u takua në Kiev me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, me të cilin njoftohet se diskutoi për sanksione të mundshme kundër Rusisë.

Në një deklaratë online Zelenski tha se me Kellogg kishte folur për mënyrat se si “mund të detyrohet Moska që të hyjë në negociata të vërteta dhe për t’i dhënë fund luftës”. Zelenski tha se me të dërguarin special të SHBA-së Kellogg kishte diskutuar edhe për garancitë e sigurisë, në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Zelenski pret që aspektet më të rëndësishme të garancive të tilla për sigurinë të negociohen “së shpejti”. Ekipet negociuese ukrainase dhe amerikane planifikohet të takohen në fund të javës./DW

Borsh/ Kanosi me armë punonjësit e hotelit të tij, arrestohet 26-vjeçari

By: b b
26 August 2025 at 09:38

Policia e Himarës ka arrestuar pronarin e një hoteli në Borsh pasi ka kërcënuar me armë punëtorët e tij pas një konflikti verbal.

Në kuadër të operacionit të koduar “The gun” u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Emanuel Shkëmbi. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë konfliktit verbal me punëtorët në hotelin e tij në Borsh, shtetaset A.O dhe R.O nënë dhe bijë, i ka kanosur me një armë zjarri tip pistoletë.

Gjithashtu u procedua ne gjendje të lirë shtetasi A.Sh, babai i autorit pasi ka goditur shtetasen A.K duke ushtruar dhunë fizike tek ajo.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi: E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.

Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.; P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.

Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krehrin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit”, bëri me dije policia.

Rubio bisedon për luftën në Ukrainë me homologët evropianë

By: b b
26 August 2025 at 09:29

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e zhvilloi një bisedë me homologët e tij evropianë në lidhje me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të hënën vonë.

Rubio bisedoi me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit në një deklaratë.

Ministri ukrainas Sybiha tha se Ukraina është mirënjohëse ndaj Rubios për përpjekjet e tij dhe ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për “udhëheqjen e tij drejt arritjes së paqes”.

Ai shtoi se garancitë e sigurisë për Ukrainën janë thelbësore.

“Unë përsërita qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, juridikisht detyruese dhe efektive. Ato duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, juridike dhe të tjera”, shkroi Sybiha në X.

“Të gjithë ndajmë bindjen se ushtria ukrainase është niveli themelor i çdo garancie të tillë, prandaj forcimi maksimal i saj është prioriteti ynë kryesor”, shtoi ai.

Trump, pas takimeve të ndara me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe më vonë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me liderët evropianë, i ka kërkuar Rubios të udhëheqë bisedimet për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën./REL

Vuçiç përsërit thirrjen ndaj protestuesve për dialog

By: b b
26 August 2025 at 09:18

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përsëritur të hënën thirrjen e tij për dialog me protestuesit, pas nëntë muajve të protestave dhe bllokadave në gjithë vendin.

Në një intervistë dhënë Euronews Serbia, Vuçiq ka thënë se Qeveria në Beograd vazhdon të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht, siç ka thënë ai, refuzimit të protestuesve për t’i pranuar ofertat e tij për debat publik.

“Kjo nuk është thirrja ime e parë. U kam ofruar atyre debat të hapur televiziv. Kam qenë i gatshëm të diskutoj publikisht, sepse besoj që biseda dhe dialogu nuk kanë alternativë”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Ai ka shtuar se oferta e tij është valide “derisa ta pranojnë, sepse një ditë do t’iu duhet të flasin me dikënd”.

Disa prej studentëve në bllokadë, që i udhëheqin protestat, e kanë refuzuar paraprakisht ftesën e Vuçiqit, duke thënë se do të bisedojnë me presidentin e Serbisë, kur ai t’i shpallë zgjedhjet dhe t’iu plotësohen të gjitha kërkesat.

Studentët, dhe qytetarët që i mbështesin ata, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për 16 personat e vdekur si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar.

Protestuesit kërkojnë edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë e refuzuar nga Qeveria.

Vuçiq i ka thënë Euronews-it se ka ofruar shpalljen e zgjedhjeve “të paktën tri herë në gjashtë muajt e fundit”, përfshirë referendumin për mandatin e tij presidencial, “por që të gjitha ofertat janë kundërshtuar”.

“Kemi shumë punë, shumë punë për të bërë. Nuk mund të ketë zgjedhje gjithë kohën. Ata tani thonë se gjëja e vetme që duam janë zgjedhjet”.

Ai ka shtuar se do të jetë president edhe për një vit, një vit e gjysmë, dhe që një president i ri do të zgjidhet më pas.

Aksidenti në Novi Sad i ka ngritur dilemat për një sistem shtetëror të korruptuar. Protestuesit pretendojnë se shembja e strehës është rezultat direkt i ndërtimit të dobët.

“Korrupsioni është kthyer në temën kryesore dhe është e lehtë të shprehësh pakënaqësinë, edhe kur nuk është temë”, është shprehur Vuçiq.

“Serbia do ta ndjekë rrugën evropiane”
Vuçiq ka thënë se e ka prioritet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Për aq kohë sa të jem udhëheqës shtetëror, Serbia do të ndjekë rrugën evropiane, e përkushtuar dhe e vendosur për t’i kryer reformat e nevojshme”, ka thënë ai.

I pyetur për marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin, Vuçiq ka thënë se ata kanë raport korrekt dhe që presidenti rus është “gati për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me një marrëveshje të paqes”.

Vuçiq ka thënë se do të ishte i kënaqur nëse do të ishte nikoqir i një takimi mes Putinit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenky në Beograd, për ta diskutuar paqen, nëse palët e pëlqejnë këtë ide.

Serbia synon anëtarësimin në BE dhe e ka statusin e vendit kandidat, mirëpo mban edhe raporte të mira me Moskën, për çka është kritikuar disa herë nga Perëndimi./REL

Horoskopi, 26 gusht 2025

By: b b
26 August 2025 at 08:28

Dashi

Sot do të ndiheni më të vendosur dhe me energji për të përballuar sfidat e ditës. Fokusohuni në aspektet profesionale dhe shmangni konfliktet e panevojshme. Një mundësi e re mund të shfaqet në karrierë, por kërkon vëmendje të thellë.

Demi

Stabiliteti emocional do të jetë kyç sot. Përqendrohuni te marrëdhëniet personale dhe tregohuni të durueshëm me të afërmit. Mos nxitoni vendimet e rëndësishme financiare, analizoni mirë çdo ofertë.

Binjakët

Krijimtaria dhe komunikimi do të jenë pika juaj e fortë sot. Përfitoni nga kjo për të ndërtuar ura bashkëpunimi në ambientin e punës. Mos lini anash kujdesin për shëndetin, veçanërisht për stresin.

Gaforrja

Ditë e favorshme për reflektim dhe riorganizim. Në planin familjar, tregohuni të ndjeshëm dhe të gatshëm për të dëgjuar. Kujdes nga tensionet që mund të lindin në diskutimet e pakujdesshme.

Luani

Sot do të ndiheni më të fuqishëm dhe të motivuar. Shfrytëzoni këtë moment për të bërë hapa konkretë drejt objektivave tuaja. Kujdes mos e teproni me ambiciet, sepse mund të ndikojë te marrëdhëniet personale.

Virgjëresha

Në prag të ditëlindjes suaj, energjitë janë të larta dhe përqendrimi maksimal. Është koha ideale për të përfunduar projekte të nisura dhe për të vendosur qëllime të reja. Mos neglizhoni pushimin e nevojshëm.

Peshorja

Harmonia dhe balanca do të jenë thelbësore sot. Kujdesuni për marrëdhëniet profesionale dhe shmangni polemikat. Në planin financiar, mos bëni shpenzime impulsive.

Akrepi

Energjia juaj e brendshme është e fuqishme dhe ju ndihmon të merrni vendime të rëndësishme. Mos e harroni rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes nga të tjerët. Kujdes nga tendenca për të qenë shumë kritik.

Shigjetari

Një ditë pozitive për udhëtime dhe zgjerim horizontesh. Mund të merrni informacione të vlefshme për projekte të ardhshme. Mbani një qëndrim realist ndaj pritshmërive tuaja.

Bricjapi

Fokusi kryesor është puna dhe përgjegjësitë. Mund të ndiheni të lodhur, por qëndrueshmëria do t’ju sjellë sukses. Ruani ekuilibrin mes jetës personale dhe profesionale.

Ujori

Ditë e favorshme për ide të reja dhe inovacion. Bashkëpunimi me kolegët do të sjellë rezultate të mira. Mos u ndjeni të izoluar; kërkoni mbështetje kur ju nevojitet.

Peshqit

Sensitiviteti dhe intuita janë të fuqishme sot. Shfrytëzoni këtë për të marrë vendime të rëndësishme, veçanërisht në marrëdhëniet personale. Kujdes nga emocione të tepruara që mund të ndikojnë në gjykimin tuaj.

❌
❌