Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayAlbeu

Rruga dhe ujësjellësi, Erion Isai sërish në SPAK: Çfarë e lidh me bashkëshortin e Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj?

By: E S
27 November 2025 at 15:10

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, u paraqit sot sërish në SPAK, ndërsa ndaj tij vijon hetimi për disa vepra penale të lidhura me tenderat publikë.

SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatet hetimore, deri në shkurt, për Isain dhe pesë zyrtarë të tjerë të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentash”. Hetimi lidhet me dy tendera: atë të rrugës Korçë–Ersekë dhe projektin e ujësjellësit të Kolonjës.

Procedurat për rrugën Korçë–Ersekë konsiderohen të “kopsitura”, ndërsa zgjatja e hetimeve duket se lidhet kryesisht me ujësjellësin e Kolonjës.

Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, në ambientet e SPAK u pa duke hyrë dhe dalë pa shumë bujë edhe bashkëshorti i Ministres së Jashtme Elisa Spiropali, Salarjon Totaj.

Ai njihet për angazhime të hershme në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe për përfshirjen në tenderin e njohur për blerjen e sahateve të ujit. Ka raportime që lidhin praninë e Totajt me atë të Isait në SPAK, megjithatë mbetet për t’u parë çfarë provash reale ka SPAK dhe nëse ka diçka konkrete që i lidh të dy personazhet me tenderin në fjalë.

“Shefe” sille shpejt, zjarr….

Në dosjen e SPAK mbi Isain janë përfshirë edhe biseda të sekuestruara nga telefoni i Entela Çanos, administratore e kompanisë “A&E Engineering”, e cila ka fituar tenderin për mbikëqyrjen e ujësjellësit të Ersekës.

Komunikimet e publikuara tregojnë ndërveprim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm mes Erion Isait dhe Çanos, duke përfshirë përcjelljen e preventivave, ndryshimin e parametrave teknikë dhe orientimin e vlerave të parashikuara në dokumente.

Në bisedat mes tyre, Isai i kërkon Çanos që “të sjellë preventivat sa më shpejt”, ndërsa e quan shpesh “shefe”, duke i referuar si personi që përgatiste projektet për t’u kaluar në këshillin teknik.

Në një rast, Isai i shkruan: “Me duhet deri te premten… një zjarr, të lutem”, duke i kërkuar që të përshpejtojë dokumentet e ujësjellësit për 13 fshatra.

Në mesazhet e tjera diskutohet ulja e parametrave, shifrat maksimale të vlerës së punimeve dhe nevoja për t’i “vulosur” dokumentet në kohë.

Nga të dhënat del se preventivat janë përgatitur dhe modifikuar në komunikim të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese, ndërsa vlerat totale për projektet rezultojnë të jenë 386 milionë lekë dhe një variant tjetër prej 390 milionë lekësh, të dërguara brenda të njëjtës ditë.

Bisedat e vitit 2020 të përfshira në dosje tregojnë se Isai jepte udhëzime specifike për kostot e tubacioneve dhe materialeve, duke kërkuar “sa më shpejt” përgatitjen e dokumenteve. Mes komunikimeve dallohet një raport i afërt personal dhe profesional mes tij dhe Çanos, të cilës i shkruan “je yll” ndërsa i kërkon të dorëzohen listat e fshatrave dhe vlerat përkatëse. /skyweb.al

The post Rruga dhe ujësjellësi, Erion Isai sërish në SPAK: Çfarë e lidh me bashkëshortin e Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj? appeared first on Albeu.com.

Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi vijojnë skemat mes tyre, koha që shteti shqiptar të marrë frenat e Aeroportit të Vlorës!

By: E S
19 November 2025 at 10:50

Aeroporti i Vlorës ndodhet në një situatë kaotike dhe pa drejtim, pasi kompania koncesionare ka mbetur pa administrator dhe pa një nga drejtuesit teknikë.

Dorëheqjet dhe shkarkimet e fundit kanë lënë kompaninë në një gjendje boshllëku drejtues, ndërkohë që punimet në aeroport vazhdojnë, por secili nga aksionerët punon i ndarë, pa koordinim dhe pa një qendër të qartë vendimmarrjeje.

Konflikti mes ortakëve kryesorë, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit, është thelluar.

Sipas Kapitali.al, Pacolli ka tentuar të zëvendësojë drejtuesit dhe të marrë kontroll të plotë, ndërsa Ademi ka reaguar duke kërkuar masa sigurie në gjykatë për të bllokuar çdo vendim të njëanshëm. Përplasja është zhvendosur edhe në prokurori, ku palët kanë kallëzuar njëri-tjetrin për mashtrim dhe veprime të paligjshme.

Në qendër të konfliktit janë paratë dhe kontrolli i aksioneve. Ademi pretendon se ka investuar 23 milionë euro, por zotëron vetëm 2 për qind të aksioneve, ndërsa Pacolli flet për një komplot ndaj tij nga njerëz që vetë i ka emëruar.

Dy figurat jo vetëm nuk gjejnë gjuhë, por po e nxjerrin publikisht në shesh konfliktin e brendshëm duke dëmtuar projektin.

Shteti shqiptar të marrë frenat 

Vlora International Airport është një investim strategjik për Shqipërinë. Ky aeroport e vendos vendin në një linjë me fqinjët për kapacitetet e pritjes së turistëve, në një periudhë kur, sipas të dhënave të INSTAT, sezoni i turizmit është zgjatur nga prilli deri në fund të shtatorit.

Rajoni i jugut ka përfituar ndërkohë investime të mëdha që presin funksionimin e aeroportit për të shfrytëzuar plotësisht kapacitetet turistike.

Shteti shqiptar i ka dalë garant këtij koncesioni me financime, lehtësira dhe mbështetje për përfundimin e punimeve, ndërsa Pacolli dhe Ademi dalin publikisht duke deklaruar pa asnjë përgjegjësi se aeroporti nuk mund të funksionojë në mars.

Kjo sjellje minon aspiratat e Shqipërisë dhe strategjinë kombëtare për zgjerimin e turizmit.

Në kushtet kur përballë janë dy personazhe që nuk ngjallin besim, kanë shkelur detyrime ndaj shtetit shqiptar dhe akuzojnë publikisht njëri-tjetrin për mashtrime, manipulime dhe lojëra të rrezikshme, është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë dhe të marrë frenat e projektit.

Me situatën aktuale, as Pacolli dhe as Ademi nuk mund të shkojnë në arbitrazh pa i hapur vetes probleme edhe më të mëdha.

Një sjellje e ngjashme mes Pacollit dhe Ademit është raportuar edhe në Bengazi, çka tregon se modeli i konflik­tit, prishjes së partneritetit dhe bllokimit të projekteve nuk është rastësor dhe se këta dy aktorë nuk kanë ndërmend të realizojnë siç duhet as investimin në Shqipëri.

Ky precedent e bën edhe më urgjente ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të mbrojtur një projekt strategjik që nuk mund të lihet në duart e një konflikti të pafund ndërmjet dy individëve që prodhojnë vetëm ngërç dhe jo zgjidhje. /skyweb.al

The post Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi vijojnë skemat mes tyre, koha që shteti shqiptar të marrë frenat e Aeroportit të Vlorës! appeared first on Albeu.com.

Zbatimi i së Drejtës për Informim në institucionet publike mbetet problematike

By: E S
22 October 2025 at 10:57

Një monitorim i fundit i kryer nga Instituti Shqiptar i Medias,  me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Çeke në Tiranë, tregon se zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit në institucionet publike vazhdon të jetë i pjesshëm dhe i pabarabartë.

Në kuadër të këtij monitorimi, ISHM dërgoi 145 kërkesa për informacion pranë institucioneve të ndryshme të qeverisë qendrore.

Nga këto, vetëm 90 kërkesa morën përgjigje, ndërsa 55 kërkesa – ose 38% e totalit – mbetën pa përgjigje apo u refuzuan. Kjo përqindje e lartë e mosreagimit tregon një nivel të konsiderueshëm të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore për transparencë.

Testimi u realizua përmes dy grupeve të aplikantëve: gazetarë dhe qytetarë të thjeshtë (studentë, aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile).

Rezultatet tregojnë se gazetarët kanë një nivel më të lartë suksesi në marrjen e përgjigjeve, vetëm 29% e kërkesave të tyre janë refuzuar, ndërsa në grupin e qytetarëve kjo shifër arrin në 49%. Nga të gjitha kërkesat e dërguara, 15% morën përgjigje të plota, ndërsa 26% përgjigje të pjesshme. Në shumë raste, institucionet janë mjaftuar me informacione të përgjithshme, pa dhënë dokumentet specifike të kërkuara, veçanërisht kur kërkuesit ishin gazetarë.

Në lidhje me afatin e kthimit të përgjigjeve, situata paraqitet disi më pozitive. 73% e përgjigjeve janë dhënë brenda 10 ditëve, ndërsa 50% brenda 5 ditëve, dhe në dy raste përgjigja është dhënë në të njëjtën ditë. Megjithatë, 22% e kërkesave kanë marrë përgjigje pas më shumë se 15 ditësh.

Ndarja sipas kategorive tregon se gazetarët jo vetëm marrin përgjigje më shpesh, por edhe më shpejt: 31% e tyre morën përgjigje brenda pesë ditëve, kundrejt 15% të qytetarëve. Kjo tendencë konfirmon se institucionet vijojnë të jenë më të hapura ndaj kërkesave që vijnë nga media sesa ndaj atyre të qytetarëve të zakonshëm.

Të gjitha kërkesat u dërguan përmes e-mailit, një procedurë që tashmë është bërë rutinë dhe nuk ka hasur vështirësi teknike.

Sipas pjesëmarrësve në testim, institucionet e pavarura dhe ato të reja të drejtësisë janë treguar më korrekte në përgjigjet e tyre, ndërsa disa ministri vijojnë të kenë problematika në respektimin e afateve dhe dhënien e informacionit të plotë. Instituti Shqiptar i Medias thekson se ky testim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të nxitur transparencën institucionale dhe zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, një instrument thelbësor për llogaridhënie dhe pjesëmarrje qytetare. /skyweb.al

The post Zbatimi i së Drejtës për Informim në institucionet publike mbetet problematike appeared first on Albeu.com.

Tirana–Teuta, shifrat flasin për bregdetarët: Rikthehet mbrojtësi Jazxhi

By: E S
15 October 2025 at 20:01

Teuta vazhdon përgatitjet në terren për ndeshjen kundër Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të Superiores, e cila do të zhvillohet të shtunën në “Air Albania”, duke nisur nga ora 17:00.

Atmosfera në kampin e bregdetarëve është e shkëlqyer pas rezultateve të fundit, që e pozicionojnë ekipin në zonën play-off.

Teuta është ekipi i vetëm pa humbje në Abissnet Superiore pas 6 javëve të para, me 10 pikë të grumbulluara, duke mbajtur vendin e katërt në kampionat, vetëm 3 pikë larg Vllaznisë që kryeson.

Trajneri Dobi ka në dispozicion të gjithë grupin për këtë sfidë, ku kërkohet vlerësim maksimal.

Lajmi i mirë për stafin teknik është rikthimi i mbrojtësit Artan Jazxhi, i cili kishte munguar në prologun e Superiores për shkak dëmtimi. Mbrojtësi 24-vjeçar u aktivizua në miqësoren kundër Luzit dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Tiranën.

Tirana mbetet një kundërshtar i fortë, megjithatë statistikat në përballjet direket flasin në favor të bregdetarëve, me 4 fitore dhe një barazim në 5 takimet e fundit.

Interesante është se dy nga lojtarët më të mirë të Tiranës sezonin e kaluar – portieri Selmani dhe kapiteni Përgjoni – këtë sezon mbrojnë fanellën e Teutës dhe do të synojnë të marrin tri pikët ndaj ish-skuadrës së tyre.

The post Tirana–Teuta, shifrat flasin për bregdetarët: Rikthehet mbrojtësi Jazxhi appeared first on Albeu.com.

EMRI/ Një shkencëtar në krye të Shëndetësisë, ky është mjeku i njohur që Rama e ka projektuar si ministër

By: E S
9 September 2025 at 18:51

Qeveria e re e Edi Ramës pritet të ketë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë një emër nga bota akademike dhe mjekësore. Burime të AlbEu konfirmojnë se kandidati kryesor është profesori dhe neurokirurgu i njohur, Kita Sallabanda, një figurë me karrierë të gjatë brenda dhe jashtë vendit.

Sallabanda ka lindur në Tiranë më 17 janar 1959 dhe ka shtetësi shqiptare dhe spanjolle.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ai u specializua në neurokirurgji në Barcelonë dhe më pas në radiokirurgji në Universitetin Karolinska të Suedisë.

Në Shqipëri ka punuar si neurokirurg në QSUT “Nënë Tereza” deri në vitin 2000, ndërsa më pas e ka zhvilluar karrierën në Spanjë, ku është angazhuar në spitalet “San Francisco de Asis” dhe “San Carlos” në Madrid.

Aktualisht drejton shërbimin e neurokirurgjisë në spitalin “Virgen del Mar” në Madrid dhe është profesor i asociuar në Universitetin Complutense të kryeqytetit spanjoll.

Sallabanda ka mbi dy dekada eksperiencë si mjek dhe pedagog, është autor i dhjetëra botimeve shkencore dhe librave të specializuar në radiokirurgji, si dhe ka marrë pjesë në mbi 100 konferenca ndërkombëtare.

Ai ka mbajtur edhe pozicione drejtuese në shoqata profesionale, përfshirë atë të Radiokirurgjisë në Spanjë dhe Shoqatën Ibero-Latin-Amerikane të Radiokirurgjisë.

Në aspektin publik, ai është nderuar me medaljen e artë nga Akademia Mbretërore e Mjekësisë në Spanjë dhe me “Ordenin e Meritës Civile” nga Mbreti Juan Carlos. Sallabanda ka shërbyer gjithashtu si Konsull Nderi i Spanjës në Shqipëri dhe ka koordinuar ndihmat humanitare të këtij vendi gjatë luftës së Kosovës.

Emërimi i tij pritet të sjellë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë një profil të spikatur profesional, me eksperiencë ndërkombëtare dhe lidhje të forta me botën akademike e mjekësore europiane.

Krahas tij që është kandidatura kryesore e Ramës, një alternativë tjetër është dhe Prof.Dr.Evis Sala, e njohur gjerësisht në Britaninë e Madhe dhe Itali. Sala është angazhuar vitet e fundit në post drejtues në njëuniversitet të njohur jopublik në Tiranë./albeu.com

The post EMRI/ Një shkencëtar në krye të Shëndetësisë, ky është mjeku i njohur që Rama e ka projektuar si ministër appeared first on Albeu.com.

SKEMA/ Si “çanë” Marin Gjonaj dhe Sokol Tasha në Bulqizë, ERE nis procedurat e licencimit për Solar Park Gjoricë: Banorët gati për protesta, projekti në pikëpyetje

By: E S
14 August 2025 at 12:28

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat e licencimit për prodhim të energjisë elektrike të kompanisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk, për një park fotovoltaik me kapacitet 35.6 MW në Gjoricë të Bulqizës.

Vendimi u mor më 12 gusht 2025, me miratim për nisjen e procedurës për licencim të impiantit në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë.

Në dukje, një procedurë standarde për çdo impiant të ri.

Por, ndryshe nga shumë projekte të tjera, ky park pasqyron një kombinim interesash ekonomikë e politikë, të lidhur me skema të organizuara nga Tirana dhe që kanë shkaktuar reagim të fortë lokal.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Skyweb.al, procedurat në terren nisën në fund të vitit 2023.

Më 23 shkurt 2024, Bashkia Bulqizë i kaloi në përdorim Sokol Tashës 42.5 hektarë tokë për ndërtimin e parkut fotovoltaik.

Kerkesa qe Sokol Tasha i beri Bashkise Bulqize ne janar 2024 per token
Kerkesa qe Sokol Tasha i beri Bashkise Bulqize ne janar 2024 per token

Tasha, një biznesmen lokal me xhiro modeste, nuk kishte mundësi të siguronte investimin prej 36 milionë eurosh të nevojshëm për projektin.

Në këtë moment, në skenë hyn Marin Gjonaj, një investitor i fuqishëm në energjinë diellore, i njohur për ndërtimin e një parku 125 MW në territorin e ish-rafinërisë ARMO.

Gjonaj kishte kapitalin, ndërsa Tasha ndikimin lokal dhe “besën” e banorëve. Për kontektin lokal, kjo ishte më e rendësishme se vetë paratë.

Burime lokale pohojnë se Gjonaj nuk mund të hynte drejtpërdrejt në Gjoricë.

Për këtë arsye, “flamurin” e licencës e mori Tasha përmes kompanisë “Gjorica Solar Park”, themeluar në nëntor 2023. Me lidhjet e tij fisnore dhe kontaktet në Bashkinë Bulqizë, ai zbuti rezistencën lokale dhe bëri të mundur zhvillimin e dëgjesës publike, pas së cilës bashkia miratoi kalimin e tokës.

Vendimi i Bashkise per t'i dhene token Sokol Tashes me qellim ndertimin e parkut
Vendimi i Bashkise per t’i dhene token Sokol Tashes me qellim ndertimin e parkut

Bashkia publikoi foto nga takimet me banorët, ku projekti prezantohej si investim i Sokol Tashës. Banorët mendonin se po mbështesnin një “djalë të zonës”. Por, në prill 2024, Tasha i shiti 97% të aksioneve të “Solar Park Gjoricë” Marin Gjonajt, i cili sot zotëron rreth 77% të aksioneve të kompanisë mëmë “Infotelecom SolarPark4”.

Partnerë në këtë projekt janë edhe turqit e Adame Mühendislik Enerji SAN. TIC. LTD. STI, me 20% të aksioneve. Kompania turke ka bazën në Adana, por në faqen e saj nuk ka informacion mbi projektin e Bulqizës.

Lëvizja e Tashës, e cilësuar nga burime lokale si “prerje në besë”, shkaktoi zemërim në zonë. Edhe pse të gjitha lejet janë marrë, ndërtimi nuk ka nisur ende.

Ndërkohë, banorët po organizohen për protesta, duke kundërshtuar faktin që investimi nuk do të zhvillohet nga përfaqësuesi lokal, por nga Gjonaj dhe partnerët e tij turq.

Kompania u shpall fituese e tenderit të zhvilluar nga MIE duke ofruar një çmim prej 39.7 euro/ MW orë. Por pas entuaziazmit të fillimit,burime bëjnë me dije se kjo ofertë është konsideruar tepër e ulët dhe rrezikon seriozisht projektin, i cili për shkak të detyrimeve kontraktuale të kredisë duhet të mbyllet deri në fund të këtij viti. /skyweb.al

The post SKEMA/ Si “çanë” Marin Gjonaj dhe Sokol Tasha në Bulqizë, ERE nis procedurat e licencimit për Solar Park Gjoricë: Banorët gati për protesta, projekti në pikëpyetje appeared first on Albeu.com.

Hetimi për sigurimet, si Banka Credins dhe SICRED ranë në “kurthin” që ngritën për bankat e tjera

By: E S
17 June 2025 at 21:25

Një hetim që nisi si një ankesë për abuzim në tregun e sigurimeve është shndërruar tashmë në një skemë që mund të fundosë vetë ankimuesin. SICRED, kompania e sigurimit të jetës në pronësi të Bankës Credins, është kthyer në subjekt hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës, së bashku me bankën që e zotëron, pikërisht për të njëjtat praktika që ajo denoncoi tek autoritetet.

Në korrik të vitit 2024, ndërsa Shqipëria përgatitej për pushimet verore, SICRED depozitoi një ankesë pranë Komisionit të Konkurrencës me shkresën nr. 523.

Në dokumentin që ka parë Skyweb.al, kompania kërkonte hetim të thelluar ndaj disa bankave të nivelit të dytë, me akuzën se po manipulonin tregun e sigurimeve të jetës për kreditë hipotekore, duke përjashtuar konkurrentët dhe imponuar kushte që binin ndesh me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Por ajo që ndodhi më pas e ktheu këtë ankesë në një kurth që goditi vetë paditësin.

Gjuetari që ra në rrjetë

Skyweb.al mëson me marrjen e shkresës nga SICRED, Komisioni i Konkurrencës vendosi të zgjerojë hetimin në të gjithë sistemin bankar, përfshirë edhe Bankën Credins. Kontrolli mbi dokumentacionin e kësaj banke zbuloi se edhe vetë ajo, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë me SICRED, aplikonte të njëjtat praktika të mbylljes së tregut që kishte akuzuar për bankat e tjera.

Në thelb, Banka Credins i ofronte klientëve të saj vetëm një opsion për sigurimin e jetës: kompaninë që ajo vetë zotëron,SICRED. Faturat e sigurimit u dërgohen klientëve si detyrim i kryer, pa të drejtë për të zgjedhur ofertuesin më të leverdishëm në treg.

Kështu, paratë kalonin nga një xhep i bankës në tjetrin, duke i garantuar fitime të dyfishta aksionerëve, ndërsa klientët paguanin më shumë në një treg ku konkurrenca ishte vetëm në letër.

Sipas nenit 4 dhe 9 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, çdo marrëveshje ose praktikë që kufizon zgjedhjen e lirë të konsumatorit apo vendos kushte të pabarabarta për ofruesit e shërbimeve është e ndaluar. Pikërisht mbi këtë bazë ligjore po ndërtohet hetimi i Komisionit të Konkurrencës, i cili tashmë po shqyrton përfitimet milionëshe që bankat kanë realizuar nga shitja e detyruar e policave të sigurimit.

Skyweb.al ka mësuar se vetëm nga këto skema, sistemi bankar siguron mbi 4 deri në 5 milionë euro fitim në vit, në kurriz të klientëve që marrin kryesisht kredi për banesa. Nga ana tjetër, tregu i sigurimeve tregon një nivel shumë të ulët të dëmshpërblimeve, çka hedh hije të rënda mbi integritetin e shërbimit të ofruar.

Jo vetëm shkelje e konkurrencës…

Hetimi vijon dhe pritet që Komisioni i Konkurrencës të dalë me një përfundim pas disa muajsh, siç ka treguar praktika e deritanishme e hetimeve të ngjashme, ndërkohë që sa i përket shembullit të mësipërm, problemi me abuzimin me pozitën dominuese në treg, për të cilën po hetohet Credins duket të jetë problemi më i vogël.

Kjo, pasi në një ekonomi ku gëlon informaliteti dhe pastrimi i parave dhe pas sinjalizimeve të forta edhe nga vetë Departamenti i Shtetit si edhe agjencitë e inteligjencës, një “bastisje” edhe nga Njësia e Inteligjencës Financiare pas Komisionit të Konkurrencës do të sistemonte punët edhe me ndonjë apo disa aksionerë hije mes dhjetëra të tjerëve që ka kjo bankë.

Abuzimi me klientët kredimarrës

Hetimet paraprake tregojnë se kjo praktikë abuzuese me policat e sigurimit është e përhapur në shumicën e bankave të vendit. Kur kredia është hipotekore, banka rinovon automatikisht policën e sigurimit të jetës çdo vit dhe ia faturon klientit, pa asnjë konsultim ose të drejtë zgjedhjeje.

Ky është thelbi i problemit: klienti nuk vepron si konsumator i lirë, por si pagues i detyruar i një shërbimi që nuk e ka përzgjedhur vetë.

Komisioni i Konkurrencës është ende në fazën e mbledhjes së të dhënave. Vendimi përfundimtar pritet të dalë pas disa muajsh.

Por nëse praktika do të shpallet shkelje e ligjit, pasojat për bankat, përfshirë Bankën Credins dhe SICRED, do të jenë serioze, si nga pikëpamja financiare ashtu edhe nga ajo reputacionale.

Një gjë është e qartë: kur ndërton një kurth për të tjerët në një treg të çrregulluar, mund të jesh i pari që bie brenda. Dhe ky është rasti më tipik./skyweb.al

The post Hetimi për sigurimet, si Banka Credins dhe SICRED ranë në “kurthin” që ngritën për bankat e tjera appeared first on Albeu.com.

AKSHI nuk gjen rehat, akuza të forta për favorizime edhe pas anulimit dhe rishpalljes së tenderit të kamerave të doganave

By: E S
2 May 2025 at 22:28

Pavarësisht anulimit dhe rishpalljes së tenderit për instalimin e kamerave të sigurisë në dogana, procedura vijon të përballet me akuza për probleme të rënda, favorizime dhe kufizim të konkurrencës së lirë. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si organizatore e procesit, ka ndryshuar disa kërkesa teknike, por shqetësimet mbi mënyrën e hartimit të dokumentacionit dhe paracaktimin e fituesit mbeten ende të forta.

Pjesë nga ankesa e kompanisë CSP ndaj kritereve të AKSHI për tenderin e kamerave të doganave
Pjesë nga ankesa e kompanisë CSP ndaj kritereve të AKSHI për tenderin e kamerave të doganave

Siç raportoi më herët Skyweb.al, tenderi fillestar, me një vlerë prej 720 mijë eurosh, u anulua pasi Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) pranoi ankesën e kompanisë shqiptare CSP, e cila ngriti dyshime serioze mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe specifikimet teknike të vendosura. Sipas CSP, dokumentacioni i tenderit ishte hartuar në mënyrë të tillë që favorizonte pajisje specifike të prodhuara nga kompania kineze Univieë, e cila është e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në tekstin e ankesës së parë, CSP theksonte se kërkesat teknike ishin të dizajnuara për të “qepur si kostum” një produkt të vetëm, duke përjashtuar çdo alternativë tjetër dhe duke shkatërruar garën reale mes operatorëve ekonomikë. Këto shqetësime u reflektuan edhe në presionin publik që u krijua, duke e detyruar AKSHI-n të anulojë tenderin për të evituar një tjetër skandal në fushën e prokurimeve publike dhe sigurisë.

Megjithatë, menjëherë pas rishpalljes së tenderit, kompania CSP ka paraqitur një tjetër ankesë pranë KPP-së, kësaj radhe me një ton akuzues edhe më të ashpër. Në ankesën e re, CSP pohon se ndryshimet në specifikimet teknike janë minimale dhe se në thelb ruhet i njëjti problem thelbësor: kriteret vazhdojnë të jenë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të paracaktojnë fituesin.

CSP thekson se, sipas Ligjit për Prokurimet Publike (LPP), specifikimet teknike duhet të jenë ngushtë të lidhura me nevojat reale të projektit dhe jo të imponojnë zgjidhje të caktuara që sjellin rritje të pajustifikuara të kostove dhe kufizim të ndjeshëm të konkurrencës. “Në këtë rast kemi të bëjmë me një abuzim flagrant,” thuhet në ankesë, ku theksohet se këto veprime diskriminojnë operatorët me kapacitete financiare më modeste dhe synojnë të mbajnë të hapur garën vetëm për një grup shumë të kufizuar konkurrentësh.

Më tej, CSP deklaron se edhe KPP vetë ka pranuar argumentet e paraqitura në ankesën e parë, duke nënvizuar problematikën e rëndë të dokumentacionit teknik në tenderin e mëparshëm. Megjithëse procedura është rihapur, sipas CSP-së, nuk ka pasur një reflektim real mbi gabimet dhe shqetësimet e konstatuara.

Fakti që në tenderin fillestar parashikohej përdorimi i pajisjeve të një kompanie të sanksionuar nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, siç është Univieë, duke ndërkohë kërkuar certifikata sigurie të nivelit të lartë për instaluesit e pajisjeve, ngriti pikëpyetje të forta mbi koherencën dhe integritetin e gjithë procesit. Edhe pas rishpalljes, procedura mbetet nën hijen e dyshimeve për paracaktim dhe mungesë transparence.

Mbetet për t’u parë nëse KPP do ta marrë në konsideratë sërish këtë ankesë për të çuar në një rishpallje të dytë të tenderit, të famshëm tashmë, të kamerave të sigurisë në dogana. /skyweb.al

The post AKSHI nuk gjen rehat, akuza të forta për favorizime edhe pas anulimit dhe rishpalljes së tenderit të kamerave të doganave appeared first on Albeu.com.

Rekord 99.9%! Vangjel Tavo në Himarë i jep prodhuesit të patateve tenderin për çeljen e sezonit turistik

By: E S
28 April 2025 at 22:30

Kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo ka firmosur një tender me vlerë rreth 100 mijë euro për organizimin e aktiviteteve kulturore në qytet me rastin e çeljes së sezonit turistik për vitin 2025.

Tenderi me Nr reference REF-43196-04-02-2025 u shpall më datë 2 prill, ndërsa siç konstaton Skyweb.al, fitues është shpallur bashkimi i kompanive pogradecare “JOKLEN & CO” shpk –  “SHBB ELIA BUZAHISHTE 1998” sh.p.k.

Sipas dokumentit të shpalljes së së fituesit duke se tenderi ka probleme serioze me konkurrencën duke u shpallur me“flamur të kuq” edhe nga Open Procurement Albania për shkak se bashkimi i kompanive në fjalë kanë garuar me veten duke e marrë tenderin me 99.9% të fondit limit, shkruan skyweb.al

Ky mund të jetë një rekord në fakt, pasi edhe në rastet më ekstreme, operatorët e shpallur paraprakisht fitues, përpiqen që të lëshojnë disi te fondi limit për të dhënë idenë e garës, por duket se nuk është rasti.

Fondi limit ishte 9,983,333 lekë pa TVSH, kurse oferta fituese ishte 9,973,000 lekë pa TVSH!

Kompania “JOKLEN & CO” shpk  rezulton se nuk ka fokus të saj organizimin e aktiviteteve kulturore, por shumë aktivitete të tjera, përfshi ofrimin e shërbimeve funerale; tregtimin e perimeve;mjaltit; prodhimeve blegtorale, etj. Sëfundmi “JOKLEN & CO” shpk  ka shtuar si pjesë të aktivitetit edhe organizimin e panaireve dhe aktiviteteve.

Ndërkohë partneri i “JOKLEN & CO” shpk  në këtë kontratë, kompania “SHBB ELIA BUZAHISHTE 1998”sh.p.k.është një shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor e vendosur në Velçan të Pogradecit.

Në pjesën ku përshkruhet objekti i biznesit të “SHBB ELIA BUZAHISHTE 1998” sh.p.k. është shkruhet:

Sigurimi i fares së patates , riprodhimi i saj dhe tregëtimi.Blerje, shitje dhe magazinimin, vecaranisht të farës së patates dhe mundësinë për prodhime të tjera bujqësore.Furnizimin dhe shitjen e sasisë së mjaftueshme te fares.Rregullimin e bimeve per prodhim dhe venien ne rregull te skemave te qarkullimit qe kane te bejne me prodhimin dhe kerkesat e tregut. Mbeshtetje me ndihmesat teknike perbrenda zonave te kompetencave.Stimulimi i variteteve te reja dhe me te mira, permes testeve aktive dhe

permes marrjes se informacioneve nga burime te tjera.Drejtimi i prones se shoqerise si ndertesat dhe makinerite.Drejtimi i detyrave finaciare dhe administrative, kjo perfshin nje qarkullim te fondit qe mund te perdoret si krediper tu dhene dhe anetareve, fondet rezerve dhe llogarite.Investime per ngritjen e permiresimin e infrastruktures dhe kushteve te jetesesne zonatku zhvillohet aktiviteti i shoqerise. /skyweb.al 

The post Rekord 99.9%! Vangjel Tavo në Himarë i jep prodhuesit të patateve tenderin për çeljen e sezonit turistik appeared first on Albeu.com.

FATURAT/ Si po i zhvat Wizz Air shqiptarët: Ikni ankohuni në Angli po deshet!

By: E S
22 April 2025 at 11:22

Wizz Air hyri në tregun shqiptar si një kompani “łow cost” duke ofruar fillimisht bileta me çmime vërtetë të lira, ndërsa siç do të tregojë Skyweb.al në këtë cikël shkrimesh që nis sot, “Wizz-i” rezulton të mos jetë më kompani me çmime të lira, përkundrazi të dhënat e siguruara nga redaksia tregojnë se është më e shtrenjtë se kompanitë e tjera “legacy” si Air Albania; ITA Airways; Austrian Airlines; Aegean, etj.

Komisionet abuzive, kufizimet e mëdha në bagazhe si edhe kostot e tjera fshehura, përveç vonesave, e bëjnë kompaninë Wizz Air, një ndër më të shtrenjtat për fluturimet nga Shqipëria.

Skyëeb është bërë dëshmitar i një rasti tejet abuziv nga kompania Wizz Air, e cila ka tarifuar çmime stratoferike për tre bileta vajtje ardhje nga Tirana në Bergamo të Italisë.

Të Wizz Air ndryshimi i datës së fluturimit kushton më shumë se blerja e një bilete të re!

E gjitha historia nis më datë 19 mars të këtij viti ku një familje e përbërë nga prindërit dhe një fëmijë 10 vjeç blejnë tri bileta vajtje-ardhje Tiranë-Bergamo për një fund të prillit me një çmim 324 euro, të cilat u paguan menjëherë.

Familjes në fjalë i ndryshojnë planet dhe në vend të prillit, vendos që ta bëjë këtë udhëtim në fund të qershorit. Teksa bëhet ndryshimi i datës së udhëtimit, sistemi i Wizz Air aplikon një tarifë shtesë me komisione të tjera dhe një penallti rreth 50 euro per person për çdo drejtim duke e çuar vetëm koston ndryshimit të datës në 446 euro, ndërkohë që nëse biletat të bliheshin nga fillimi, kostoja do të ishte 333 euro.

Ne foto: Blerja e biletave me 19 mars dhe pastaj ndryshimi i dates me 19 prill dhe kostoja totale rret 769 euro
Ne foto: Blerja e biletave me 19 mars dhe pastaj ndryshimi i dates me 19 prill dhe kostoja totale rret 769 euro

Pas ndryshimit të datës, në total, familja në fjalë pagoi 769 euro për këto tre bileta vajtje-ardhje Tiranë-Bergamo për në fund të qershorit 2025. Siç konfirmohet edhe nga fatura përmbledhëse Ëizz Air ka aplikuar kosto shtesë jo vetëm si tarifë për ndryshimin e datës, gjë që bie ndesh me çdo praktikë ligjore në Shqipëri apo dhe më gjerë.

“Ikni ankohuni në Angli!”

Skyëeb kontaktoi me kompaninë Wizz Air për t’u interesuar në lidhje me çështjen në fjalë duke marrë si përgjigje se “çështja ishte mbyllur” dhe se shuma e tarifuar nuk mund të kompensohej.

Redaksia tentoi të kontaktojë sërish me kompaninë, por mungesa e një përfaqësie në Tiranë si edhe praktikat zhvatëse të saj ndaj klientëve shqiptarë e bën të pamundur zgjidhjen e problemit.

Tallja maksimale me klientët e saj ishte kur kompania Ëizz Air sugjeron që problemin në fjalë, familja ta ankimojë në një institucion të ankesave në Britaninë e Madhe duke e ditur ndërkohë që ky insitucion nuk ka autoritet në Shqipëri dhe nuk mund të detyrojë një kompani të BE-së që të kompensojë një qyetar të një vendi jashtë BE.

Abuzim me pozitën dominuese në treg

Wizz Air zgjedh të sillë në këtë mënyrë me shqiptarët nisur edhe nga fakti se institucionet tona janë të dobta përballë praktikave abuzive. Redaksia konsultoi ligjin për “Konkurrencën në Republikën e Shqipërisë” dhe çështja e mësipërme është rasti tipik kur një kompani abuzon me “pozitën dominuese” të saj në treg.

Ftohet Autoriteti i Konkurrencës që të verifikojë praktikën në fjalë për të futur në shina një kompani që erdhi si “low cost” dhe tani po tarifon me çmime të kripura edhe përmes praktikave të zhvatjes ndaj klientëve! /skyweb.al 

The post FATURAT/ Si po i zhvat Wizz Air shqiptarët: Ikni ankohuni në Angli po deshet! appeared first on Albeu.com.

Një kompani ndërtimi e përfshirë në pastrim parash, shqiptarja bleu truallin 90 000 euro dhe e shiti 2.2 milion euro

By: E S
21 April 2025 at 20:30

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në raportin e saj vjetor të publikuar së fundmi, ka zbuluar një ndër tipologjitë më të sofistikuara të pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri, duke evidentuar përdorimin e pasurive të paluajtshme si mekanizëm për legalizimin e të ardhurave nga veprimtari kriminale.

Sipas të dhënave të raportit, rasti i identifikuar përfshin një shtetase shqiptare, e identifikuar si shtetasja A, me rezidencë në një shtet të Bashkimit Europian. Në vitin 2021, ajo ka investuar në Shqipëri përmes një familjari të saj, duke blerë një truall me vlerë 90 mijë euro, çmim ky dukshëm më i ulët se tregu real.

Verifikimet e mëvonshme treguan se paratë për blerjen e kësaj pasurie ishin depozituar në para cash, jo vetëm nga shtetasja A dhe familjarët e saj, por edhe nga shtetasi B, ish-bashkëshorti i saj, gjithashtu rezident në të njëjtin shtet të BE-së. Ky element ngre dyshime të forta mbi burimin e këtyre fondeve.

Vetëm dy muaj pas blerjes, shtetasja A ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje me një kompani ndërtimi në Shqipëri, shoqëria Y, duke vënë truallin në dispozicion për zhvillim në këmbim të përfitimeve në ndërtim. Por skema nuk përfundon aty. Vetëm një vit më pas, ajo ka shitur të njëjtin truall – tashmë të zhvilluar – po kësaj shoqërie në një vlerë rreth 2.2 milionë euro, duke shumëfishuar në mënyrë të dyshimtë çmimin fillestar.

Sipas analizës së AIF, fondet e përfituara nga kjo shitje janë transferuar më pas në një shtet tjetër të BE-së, të identifikuar si “shteti V”, në llogarinë e shoqërisë X, e themeluar nga vetë shtetasja A menjëherë pas përfitimit të shumës. Kjo kompani, me objekt veprimtarie ndërtimin, ka lidhur më tej një kontratë të re sipërmarrjeje me një kompani të tretë, shoqërinë D, ku një pjesë e fondeve është transferuar në llogaritë e kësaj të fundit si pagesë për shërbime ndërtimi.

Hetimi evidentoi se përfaqësuesi i shoqërisë D, një shtetas shqiptar, ka qenë më parë i punësuar në shoqërinë Y në Shqipëri, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes të gjithë aktorëve të përfshirë në skemë. Më tej, ky person rezulton të jetë aksioner në një tjetër kompani ndërtimi në shtetin V, e cila është e lidhur ngushtë me shoqërinë D.

Nga informacionet e siguruara në bashkëpunim me Njësitë e Inteligjencës Financiare të vendeve të BE-së, dyshohet se shtetasi B është përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, dhe se një pjesë e të ardhurave të tij kriminale janë investuar përmes kësaj skeme në Shqipëri, për t’u legalizuar dhe më pas tërhequr në shtete të tjera.

AIF thekson se ky rast përmban një sërë indikatorësh të pastrimit të parave, përfshirë:

  • Depozitime në cash në sistemin bankar për blerjen e pasurive të paluajtshme;

  • Investime fillestare nën vlerën reale të tregut;

  • Rritje e menjëhershme dhe e pajustifikuar e vlerës së pasurisë së blerë;

  • Transferta të shumta ndërkombëtare të fondeve në kompani të lidhura me individë të përfshirë;

  • Lidhje të tërthorta mes kompanive dhe individëve të përfshirë në veprimtarinë ndërtimore;

  • Dyshime për burime kriminale të të ardhurave të investuara.

Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe dyshimeve të bazuara për veprimtari kriminale të organizuar në disa shtete, rasti është referuar për hetim të mëtejshëm pranë organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe partnerëve ndërkombëtarë. /skyweb.al

The post Një kompani ndërtimi e përfshirë në pastrim parash, shqiptarja bleu truallin 90 000 euro dhe e shiti 2.2 milion euro appeared first on Albeu.com.

INVESTIGIMI/ Bastet pushtojnë qytetet: Kush organizon tregun e miliardave, roli i policisë, “peshkaqenët” dhe “cironkat”

By: E S
16 April 2025 at 19:51

Eraldi*, një 30-vjeçar me banim në Tiranë nuk do ta kishte menduar kurrë se dikush mund të futet në lokal teksa ai po konsumon kafenë dhe të kërkojë të shohë aplikacionet dhe faqet që akseson në celularin e tij. Ky dikushi si në shumë raste të tjera që ai thotë se ka qenë dëshmitar, mund të jetë një efektiv policie në kërkim të personave që vendosin baste sportive në mënyrë të paligjshme përmes celularëve të tyre.

Policia e Shtetit i tha Skyweb.al se gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë evidentuar 104 rastë në të gjithë territorin e vendit me 184 autorë, nga të cilët 55 janë arrestuar dhe 129 të tjerë janë ndjekur në gjendje të lirë.

Shumica e tyre janë pikërisht si personazhi ynë, i cili herë pas here vendos baste sportive nëpërmjet celularit të tij për persona të tjerë, ndërsa “userin” si “menaxher” thotë se e ka marrë në një lokal në një zonë tepër të frekuentuar të Tiranës, i cili vetë ushtron aktivitet thuajse hapur, pa u trembur nga forcat e rendit.

Bastet sportive, paligjshmëria e ligjëruar në çdo rrugë dhe cep pallati 

Vendosja e basteve sportive është një veprim ende i ndaluar në Shqipëri, megjithatë për momentin siç konstaton Skyweb.al është një ndër “sportet” më të përhapura teksa shihet nga mjaft individë si një mundësi për të siguruar disa të ardhura duke rrezikuar ndërkohë që të arrestohen.

Ushtrimi i aktivitetit online ka bërë që bastet të kapilarizohen në mënyrë të tejshkajshme duke përfshirë dhe persona që në jetën e tyre nuk kanë patur kurrë probleme me ligjin.

Redaksia ka investiguar disa muaj në këtë sektor duke zbuluar të dhëna shqetësuese për numrin e personave të implikuar; sasinë kolosale të parave që qarkullohet në të zezë; nxitjen e aktiviteteve kriminale për shkak të luftës mes grupeve në terren; ekspozimin e një numri të madh personash si shkelës të ligjit si edhe dëmet e mëdha sociale dhe ekonomike që u shkaktohet familjeve shqiptare, shmangia e të cilave ishte edhe argumenti kryesor kur ato u mbyllën në 1 janar të vitit 2019. Qeveria vendosi t’i rihapë në shkurt 2024, por tregu mbetet ende peng i interesave të nëntokës që lëviz shuma të mëdha parash në ilegalitet.

Unë bëj punë të tjera, por kam dhe userin dhe kush kërkon të vendosë skedina ua vendos. Nëse do fokusohem këtu mund të nxjerr disa të ardhura të mira, por nuk është ky aktiviteti që dua të bëj”, shprehet Eraldi për Skyweb.al duke shtuar se “Kudo gjen lokale dhe njerëz që kanë usera për të vendosur skedina”.

Madje, një burim tjetër, i familjarizuar me këtë sektor i tha redaksisë se vitet e fundit “në lojë” janë futur edhe vajzat, të cilat kanë po ashtu “usera” personal ose edhe si “menaxher”, nëpërmjet të cilit i jep akses personave të tjerë si “user individual”.

Organizimi i tregut të basteve sportive në Shqipëri. Përpunimi grafik: Skyweb.al
Organizimi i tregut të basteve sportive në Shqipëri. Përpunimi grafik: Skyweb.al

Treshja që organizon lojën nuk ka ndryshuar 

I njëjti burim shpjegoi së tregu i basteve sportive në të zezë funksionon në tre fasha, në formën e një piramide ku në majë është “kompania që bën lojën”, më poshtë “bosat e qyteteve” dhe lokalet ose invididët që në rastin konkret ofrojnë lojtarët, pra ata që venë bastet.

Asnjë fashë nuk mund të ekzistojë pa tjetrën, ndërsa Skyweb.al mëson se ky aktivitet nuk mund të përhapej kaq shumë pa mbrojtjen nga përfaqësues të forcave të rendit në zonat respektive.

Në krye të piramidës është kompania që bën lojën, e cila vendos koeficientët dhe ngre e menaxhon platformën, nëpërmjet së cilës bëhen dhe llogaritë se sa para i takojnë aktorëve të tregut në fund të periudhës përkatëse, që zakonisht është një muaj”.

Skyweb.al mëson se në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë treg nga momenti kur u mbyllen bastet sportive.

Ata që ishin të ligjshëm kaluan “në të zezë” dhe tashmë kanë pozita edhe më të forta në treg.

Mësohet se bëhet fjalë për tre kompani “që bëjnë lojën”, të cilat më pas ua shesin platformat e menaxhimit “bosave të qyteteve” duke marrë prej tyre një pagesë 5 deri 10% të xhiros mujore në varësi të marrëveshjes, për shërbimin e ofruar.

Burime bëjnë me dije se këto personazhe njihen botërisht, janë thuajse të njëjtët që kanë patur në dorë tregun e basteve sportive para se të mbylleshin, por ndërkohë që policia arreston “cironka” me usera bastesh, askush nuk guxon të prekë “ treshen” që “bëjnë lojën” apo as personat që redaksia mësoi se kontrollojnë, organizojnë dhe mbrojnë në në terren bastet sportive nëpërmjet pagesave nën dorë ndaj drejtuesve të caktuar të policisë.

Kush janë “bosat e qyteteve”?

Redaksia ka zgjedhur t’i quajë kështu për lehtësi të identifikimit në këtë shkrim, megjithatë këta mësohet se keta janë personazhet që marrin përsipër një zonë të caktuar, i cili mund të jetë rajon, një qytet, një rreth, një qark apo një lagje ose zonë siç ndodh në rastin e Tiranës, e cila ka një popullsi më të madhe.

Dyshohet se personazhet në fjalë janë kryesisht të lidhur me botën e krimit dhe me aktivitete të tjera të ligjshme apo të jashtëligjshme dhe kanë një prezencë të fortë në terren nëpërmjet lidhjeve me forcat e rendit, politikën dhe administratën.

Në raste të caktuara, personazhe të tillë janë edhe pjesë e krimit të organizuar duke orientuar shpesh edhe votën në terren në raste zgjedhjesh.

Qytetet ndahen sipas “kodit të mafias”

Siç mëson Skyweb.al, e gjithë Shqipëria është e ndarë në territor mes personazheve në fjalë dhe ka një “deal” që askush të mos hyjë me struktura në territorin e tjetrit. Kjo marrëveshje ruajtur deri më tani një llojë paqeje mes tyre, kur rrallë herë ndodh që të ketë konflikte të mëdha për këtë çështje.

Burime bëjnë me dije se janë pikërisht “bosat e qyteteve” që nëpërmjet kompanive të tyre investojnë në ngritjen e infrastrukturës nëpërmjet rekrutimit të personazheve me influencë nëpër qytete dhe lagje, të cilët kanë në pronësi hapësira lokalesh apo hapin lokale për të ushtruar aktivitetin e basteve sportive, ndërkohë që në dukje kanë thjesht aktivitet si një bar normal.

Sipas marrëveshjes, kompania e “bosave të qyteteve” mund të investojë edhe në arredimin e barit dhe pronari i barit merr rolin e “menaxherit” mëpërmjet hapjes së një useri në platformë, i cili menaxhon usera të tjerë individual, të cilët janë thjesht lojtarë bastesh. Këta të fundit kanë kontakt vetëm me “menaxherin” në rastet kur duan kredit në “userin e tyre”apo kur fitojnë dhe marrin paratë e fituata.

Ndërkohë, në varësi të marrëveshjes, “menaxheri”, pra pronari i bari-it, bën shlyerjet një herë në dy javë ose një herë në muaj me kompaninë e “bosit të qytetit” .

Si funksionon skema e basteve

Redaksia mësoi se personi që hap lokalin merr 4% të biletës për baste teke dhe 8% për biletë me më shumë se një ndeshje të vendosur. Po ashtu, kur bëhen likuidimet mujore ose dyjavore, ai merr nga “bosat e qytetit” një pagesë prej 20-30% të fitimit pas rakordimeve. 

Por “menaxherë bastesh” nuk janë vetëm ata që kanë lokale. Siç mëson Skyweb.al ka një numër të madh personash që kanë user “menaxheri”, që nuk kanë lokale në dispozicion, por thjesht kanë një rreth të gjerë njerëzish, me të cilët punojnë. I tillë është personazhi ynë, Eraldi.

Keta individë mund të hapin vetë “usera” dhe të luajnë rolin e lokalit.

Gjatë vitit të fundit, në Tiranë dhe qytete kryesore janë hapur mjaft lokale me logo të dukshme dhe të njohura për vendosje bastesh. Gazetarja Ola Xama referoi rastin e lokaleve me logot “333” dhe “CR7” disa ditë më parë për këtë çështje. Ky treg nuk do vëmendje dhe zhurmë. Disa ditë më vonë tabelat u hoqën, por dyshohet se aktiviteti vijon.

Skyweb.al mëson se e gjithë skema e mësipërme, në rastet kur është e organizuar nga “bosat e qyteteve” funksionon nën tolerimin ose edhe mbrojtjen e forcave të rendit, shërbim i cili dyshohet se shpërblehet me një pagesë mujore.

Atëhere, kush po arrestohet ditë për ditë për baste të paligjshme nëse disa “shefa policie janë në tavë?”

Këtu nis “problemi” i Eraldit dhe personazheve të tjerë si ai. Skyweb.al mëson se ndryshe nga personat që kanë lokal, të tjerë që ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të pavarur, nuk janë “nën mbrojtjen e policisë”.  

“Këta janë pikërisht ata që mbushin kronikat apo lajmet e portaleve si të arrestuar për vendosje të basteve të paligjshme, pasi të tjerët me lokale nuk arrestohen. Ka raste edhe kur goditen me kast persona që futen, si të themi, pa leje në zonat përkatëse”. 

Eraldi duke na treguar se si funksionon platforma e vendosje së basteve. Foto: Skyweb.al

 

Redaksia mëson se në Tiranë dhe rrethe gjendet një numër shumë i madh personash që kanë usera si “menaxherë” dhe vendosin baste në mënyrë të pavarur nga “bosat e qyteteve”, të cilët ndryshe nga lokalet, nuk kanë luksin të njoftohen në raste operacionesh policore duke u bërë viktima të paligjshmërisë së tyre për pak qindarka.

Ministria e Financave bën të paditurën, bastet e paligjshme lulëzojnë kudo 

Qeveria shqiptare vendosi rihapjen e basteve dhe ligjërimin e tyre, ndërsa Skyweb.al mëson se procesi ka ngecur prej gati një viti. Ministria e Financave i tha Skyweb.al pas një kërkese për informacion se “rihapja e basteve sportive do të bëhet pasi të jenë gati aktet nënligjore”.

Bëhet fjalë për udhëzimet që rrjedhin pas ndryshimeve ligjore të miratuara vjet me qëllim rihapjen e lojërave të fatit.

Një burim pranë Komisionit të Licencave i tha redaksisë se ata i kishin “kaluar nëpër duar aktet nënligjore për lojërat e fatit që në verën e vitit të shkuar dhe se pretendimi që nuk janë gati nuk duket shumë pranë realitetit”.

Përgjegjës për hartimin e akteve nënligjore janë pikërisht Ministria e Financave dhe institucionet në varësi dhe zgjatja e këtij procesi duket se rrjedh prej një mungese vullneti për të ligjëruar lojërat e fatit.

Kush është i interesuar për të “zezën”?

Redaksia mëson se ka një rezistencë nga vetë aktorët kryesorë të lojërave të fatit që pretendojnë për të marrë licenca për ligjërimin e tregut.

Duke qenë të pasigurt se kush mund të marrë licencë dhe kush jo, qasja është që të ruhet kjo status quo, në të zezë”, i tha një burim redaksisë duke shtuar se edhe vetë aktorët kryesorë të këtij tregu janë të interesuar për ligjërimin, pasi nëse do të paguanin taksa do t’u dilte më mirë se sa tani që paguajnë rryshfet për të mbrojtur zonat e tyre nga të tjerët si edhe veprimi i forcave të rendit.

“Torta” e lojërave të fatit është tepër e madhe dhe lufta po zhvillohet nëntokë tashmë me aktorë lokalë dhe ndërkombëtare që duan të këpusin copa të kësaj torte, e cila sipas vlerësimeve pararapake mendohet të qarkullojë gati 2 miliard euro.

Zgjerimi masiv i basteve në Shqipëri dëshmon jo vetëm dështimin e ndalimit formal, por edhe funksionimin e një ekonomie të errët, të mbrojtur nga lidhje të fuqishme politike dhe në polici. Ndërsa shteti premton legalizim të rregulluar, realiteti në terren tregon se bastet nuk kanë reshtur kurrë. /skyweb.al 

*Emri është i ndryshuar për arsye sigurie 

The post INVESTIGIMI/ Bastet pushtojnë qytetet: Kush organizon tregun e miliardave, roli i policisë, “peshkaqenët” dhe “cironkat” appeared first on Albeu.com.

VIDEO/ Dalin pamjet! Momenti ku Jozi shoqërohet nga policia. Kokë ulur, i heshtur dhe me pranga në duar

By: E S
13 April 2025 at 02:03

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në Big Brother VIP, me Jozefin Markun që ka goditur Gjestin pas eliminimit të tij nga shtëpia.

Menjëherë pas kësaj, produksioni ka kontaktuar Policinë e Shtetit, e cila menjëherë ka arrestuar Jozin.

Dalin pamjet e momentit të arrestimit të banorit nga forcat e policisë.

Nga ana tjetër, gjatë Prime-t u mësua se gjendja shëndetësore e Gjestit ishte e stabilizuar.

The post VIDEO/ Dalin pamjet! Momenti ku Jozi shoqërohet nga policia. Kokë ulur, i heshtur dhe me pranga në duar appeared first on Albeu.com.

Kompania private shkallmon tubacionet e ujit te “Komuna e Parisit” në Tiranë, llumi pushton depozitat e pallateve

By: E S
11 April 2025 at 20:35

Një situatë shqetësuese është raportuar sot nga banorët e lagjes Komuna e Parisit në Tiranë. Prej orëve të para të mëngjesit, nga çezmat e apartamenteve të tyre nuk ka rrjedhur ujë i pijshëm, por llum.

Sipas denoncimeve të shumta që kanë mbërritur në redaksinë tonë, kjo ndotje e madhe e ujit ka bërë që mijëra banorë të mbeten pa për të kryer shërbimet bazike të përditshme në shtëpitë e tyre, ndërsa uji i ambalazhuar në disa markete ka mbaruar.

Pamjet e dërguara tregojnë ujë me ngjyrë të zezë që rrjedh nga rubinetat, ndërsa depozitat e ujit nëpër pallate janë tashmë të mbushura me baltë dhe mbetje.

Administratoret e pallateve u kanë komunikuar banorëve se problemi ka ardhur si pasojë e një dëmtimi në tubacionin kryesor të furnizimit me ujë, i shkaktuar nga punime të pakujdesshme të kryera nga një kompani private aty pranë.

Deri në momentin e raportimit, nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga autoritetet përkatëse apo kompania që dyshohet si përgjegjëse. /skyweb.al

The post Kompania private shkallmon tubacionet e ujit te “Komuna e Parisit” në Tiranë, llumi pushton depozitat e pallateve appeared first on Albeu.com.

Instalimi i DPI-ve te Vodafone dhe One, flet AKSK: S’po ju përgjojmë, pajisjet i morëm BORXH në Izrael

By: E S
10 April 2025 at 22:56

Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen Kibernetike (AKSK) ka reaguar më në fund përmes një përgjigjeje zyrtare në lidhje me debatin e ngritur pas vendosjes pa asnjë njoftim të pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI( në rrjetin e kompanive celulare Vodafone Albania dhe One Albania.

Përmes një përgjigjeje zyrtare të nisur gazetarit Emirjon Senja, AKSK pranon zyrtarisht instalimin e këtyre pajisjeve duke e ligjëruar këtë veprim me nevojën për të mbyllur shërbimin e Tik Tok në Shqipëri.

AKSK pranon gjithashtu se pajisjet DPI të instaluara te Vodafone Albania dhe One Albania janë ofruar nga Izraeli, ndërkohë që thuhet se ato nuk janë blerë, por vetëm janë marrë në përdorim për një vit dhe më pas do t’i kthehen Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të Izraelit, shkruan skyweb.al.

Këto detaje dalin për herë të parë në publik, ndërkohë që siç mësohet, AKSK i referohet një marrëveshjeje të lidhur me Autoritetin e Sigurisë Kibernetike të Izraelit në shkurt 2023, pikërisht në periudhën kur plasi skandali i hakerimit të sistemeve të AKSHI-t dhe dolën në shesh pagat, targat, numrat e telefonit dhe llogaritë bankare të shqiptarëve.

Pyetur në lidhje me bazën ligjore, mbi të cilën u vendosen këto pajisje, AKSK thotë se është referuar VKM-së së qcverisë për mbylljen e Tik Tok; ligjit për Sigurinë Kibernetike si edhe ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e femijës”, ndërkohë që nuk ka asnjë referencë ligjore në lidhje që mbron të dhënat personale nga keqpërdorimi.

Po ashtu, në përgjigjen dhënë gazetarit Senja, AKSK thekson se pajisjet DPI nuk mund të përgjojnë qytetarët.

“Platforma DPI analizon VETËM kokën (headerin) e paketës së protokollit të internetit IP dhe e ka teknikisht të pamundur të deshifrojë/ç`kodojë dhe analizojë vetë përmbajtjen e paketës (payload-in). Komunikimet me përmbajtje që transmetohen në internet në vendin tonë, janë 100% të enkriptuara me çelsa të bazuar në algoritma asimetrik për shkëmbimin e tyre, si edhe simetrik për kodimin e përmbajtjes. Në këto kushte DPI NUK arrin të aksesojë dhe as të lexojë përmbajtjen e komunikimit. DPI sheh vetëm që “diçka po dërgohet diku”, por nuk mund të identifikojë dërguesin, marrësin dhe as përmbajtjen e informacionit”, shpjegon AKSK.

Instalimi i pajisjeve DPI pritet të bëhet edhe te ISP-të e tjera krahas Vodafone dhe One Albania sipas AKSK, pasi pritet të kalohet edhe në fazën e dytë të këtij procesi.

Shprehet AKSK:

Implementimi i teknikës DPI në Shqipëri është i ndarë në dy faza:

1- Faza e parë mbulon kompanitë celulare Vodafone dhe One.

2- Faza e dytë mbulon të gjithë ofruesit e shërbimit të internetit me shumicë (Wholesale), të cilët shërbejnë si ndërmjetës midis pikave të hyrjes së internetit në vendin tonë dhe ofruesve të tjerë të shërbimit të internetit.

Ekspertë të fushës si edhe gazetarët kanë shprehur shqetëim në lidhje me censurën si edhe keqpërdorimin e të dhënave personale përmes instalimit të pajisjeve DPI pa një një kuadër rregullator të mirëfilltë që i pret rrugën pikërisht problematikave të tilla.

Deri më tani, e vetmja siguri e ofruar nga AKSK është ajo verbale duke bërë shpjegime se çfarë bën dhe çfarë nuk bën DPI ndërkohë që nuk ka (të paktën nuk është vënë në dispozion) një procedurë që tregon se si mbrohen të dhënat personale.

Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka shprehur shqetësimin se pajisjet DPI bëjnë një profilizim të mirëfilltë të individëve gjatë perdorimit të internetit, ku edhe pse nuk mund të lexohet përmbajtja e mesazheve, mund të identifikohet bashkëbiseduesi; aplikacioni i komunikimit; nëse po flet me voice apo SMS, nëse po dërgon dokumente apo video, etj; cilat websitë apo aplikacione po viziton, etj.

Ndërkohë, AKEP që është institucioni përgjegjës për komunikimet elektronike në Shqipëri nuk ka reaguar ende. /skyweb.al

The post Instalimi i DPI-ve te Vodafone dhe One, flet AKSK: S’po ju përgjojmë, pajisjet i morëm BORXH në Izrael appeared first on Albeu.com.

SIGURIMET/ Komisioni i Konkurrencës, hetim të thelluar ndaj 11 bankave në Shqipëri

By: E S
9 April 2025 at 12:54

Komisioni i Konkurrencës ka miratuar vendimin për hapjen e një procedurë hetimi të thelluar në tregun e sigurimit të jetës për kreditë bankare dhe në tregun e ndërmjetësimit të sigurimeve, duke përfshirë 11 banka dhe 2 ndërmarrje të ndërmjetësimit.

Në mbledhjen e datës 26 mars 2025, Komisioni analizoi të dhënat e mbledhura gjatë fazës së hetimit paraprak dhe konkludoi se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Dyshime për marrëveshje të ndaluara dhe pozita dominuese

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, sjellja e bankave Raiffeisen Bank, OTP Bank Albania, Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Tirana Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania, Union Bank, ABI Bank, ProCredit Bank, si dhe ndërmarrjeve E-Business Solutions SHPK dhe Abi Broker Sigurimesh SHA, mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe 9 të ligjit në fuqi.

Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon në mënyrë eksplicite marrëveshjet apo praktikat e koordinuarames ndërmarrjeve që synojnë ose kanë efektin e shtrembërimit të konkurrencës në treg. Nga ana tjetër, neni 9 ndalon abuzimin me pozitën dominuese, përmes vendosjes së kushteve të padrejta për konsumatorin apo kufizimit të aksesit të aktorëve të tjerë në treg.

Gjithashtu, për katër banka të tjera – Credins Bank, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Tirana Bank dhe Banka e Parë e Investimeve – hetimi përqendrohet mbi dyshimet për abuzim me pozitën dominuese, në kuptim të nenit 9 të ligjit.

Hetimi përfshin periudhën 2021–2025

Vendimi nr. 1171 i datës 26.03.2025 parashikon që hetimi i thelluar do të përfshijë një periudhë gati katërvjeçare, nga 7 nëntor 2021 deri më 26 mars 2025. Gjatë kësaj kohe, bankat e listuara kanë ofruar kredi me kushtin e sigurimit të jetës, shpeshherë përmes ndërmarrjeve të përzgjedhura të ndërmjetësimit, në disa raste të lidhura drejtpërdrejt me vetë bankën ose të bashkëpunuara në mënyrë ekskluzive.

Treg me ndikim të ndjeshëm te konsumatori

Sigurimi i jetës për kredi është një element thelbësor për çdo individ apo biznes që merr hua në banka. Këto sigurime mbulojnë rrezikun e paaftësisë për të shlyer kredinë në rast vdekjeje ose paaftësie fizike të kredimarrësit. Por, nëse ndërmarrjet financiare kufizojnë zgjedhjen e klientëve apo krijojnë marrëveshje të koordinuara për çmimet apo ndërmjetësit, kjo përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe dëm potencial për konsumatorin final.

Çfarë pritet nga hetimi?

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë ende detaje për formën që ka marrë sjellja e dyshuar e ndërmarrjeve, por hetimi i thelluar do të kërkojë bashkëpunim të detyruar nga subjektet e përfshira, duke përfshirë dokumentacionin për kontratat me klientët, marrëdhëniet me kompanitë e sigurimeve dhe ndërmjetësit, si dhe mekanizmat e brendshëm të përzgjedhjes së ofertave.

Në përfundim të procesit, nëse vërtetohen shkelje të ligjit, Autoriteti mund të vendosë gjobitje deri në 10% të xhiros vjetore të ndërmarrjeve përkatëse dhe të kërkojë ndryshimin e praktikave të tregut. /skyweb.al

The post SIGURIMET/ Komisioni i Konkurrencës, hetim të thelluar ndaj 11 bankave në Shqipëri appeared first on Albeu.com.

Rekord HISTORIK, edhe Paundi “shkrihet” përballë Lekut

By: E S
8 April 2025 at 18:18

Pasiguria qe ka mberthyer boten per shkak te krizave te shumta te sigurise ne rajone te ndryshme si edhe vendimi i administrates Trump per vendosjen e tarifave shtese ndaj vendeve te tjera kane rritur ndjeshem shqetesimet per nje recesion ekonomik global.

Kjo eshte reflektuar ne bursa si edhe kursin e kembimit, nderkohe qe monedhat e forta si paundi, dollari apo euro, jane dobesuar ndjeshem gjate diteve te fundit edhe ne vendin tone.

Madje, sipas te dhenave te Bankes se Shqiperise, Paundi Britanik ka shenuar sot rekordin negativ historik me Lekun duke u kembyer si KURRE me pare, te pakten qe nga viti 2005 kur edhe daton databaza e te dhenave te BSH.

Te dhenat e BSH per kursin e kembimit mes Paundit dhe Lekut gjatë 10 viteve te fundit

Nje paund sot u kembye me mesatarisht 115.24 leke duke humbur rreth 4% te vleres se tij vetem ne nje vit. Kujtojme se nje Paund kembehej me rreth 120 leke ne te njejten periudhe te vitit te shkuar.

Sot eshte nje dite e keqe edhe per “çunat e Londres”.

Te dhenat e BSH per kursin e kembimit mes Paundit dhe Lekut gjatë vitit të fundit

Zhvleresimi i valutave perballe Lekut ka rritur shqetesimet ne familjet shqiptare qe mbahen me dergesat e emigranteve, nderkohe qe realiteti i ri nuk ka ndikuar nderkohe edhe ne drejtim te uljes se çmimit te mallrave te importit, te cilat perkundrazi, shtrenjtohen, shkruan skyweb.al.

INSTAT publikoi sot Indeksin e Çmimeve te Konsumit duke pasqyruar nje shtrenjtim te metejshem te ushqimeve krahasuar me te njejten periudhe te nje viti me pare edhe pse ne kushtet kur Leku eshte sot me i fuqishem perballe Euros, duhej te ishte e kunderta.

Nga ana tjeter, ky forcim i Lekut kundrejt monedhave te tjera ka ndikuar teper negativisht ne drejtim te eksporteve duke i bere prodhimet shqiptare me te shtrenjta ne tregun europian dhe me gjere. /skyweb.al

The post Rekord HISTORIK, edhe Paundi “shkrihet” përballë Lekut appeared first on Albeu.com.

SKEMA/ Si u transferuan miliarda në CASH të Raiffeisen Bank International në Moskë ditët që Rusia po pushtonte Ukrainën!

By: E S
6 April 2025 at 15:12

Vetëm pak ditë përpara nisjes së pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, Raiffeisen Bank International (RBI) – banka më e rëndësishme perëndimore që vijon të operojë në Rusi – ka transportuar sasi të mëdha parash CASH drejt Moskës.

Sipas një hulumtimi të përbashkët nga gazeta austriake Der Standard dhe rrjeti ndërkombëtar i gazetarëve investigativë OCCRP, mes janarit dhe shkurtit 2022, RBI ka dërguar mbi nëntë miliardë euro në para CASH (euro, dollarë dhe franga zvicerane) në të paktën 189 dërgesa të veçanta drejt Rusisë.

Të paktën dhjetë nga këto dërgesa arritën në Rusi më 24 shkurt 2022 ose më pas – pikërisht kur tanket ruse po hynin në Ukrainë dhe avionët luftarakë po bombardonin qytete si Kievi. Marrësi ishte kompania TBSS, e cila mban lidhje të ngushta me institucionet shtetërore ruse.

Sipas ekspertëve, kjo lëvizje i dha një shtysë të madhe likuiditeti ekonomisë ruse, dhe potencialisht kontribuoi në mënyrë indirekte në financimin e luftës së Putinit. “Paraja e gatshme në valutë të huaj është gjithmonë e dobishme në kohë lufte,” thotë Janis Kluge, ekspert për Rusinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Nuk është e qartë kush i përfitoi saktësisht këto fonde – oligarkët rusë, miqtë e Putinit apo vetë shteti dhe ushtria ruse. Sipas analistit amerikan David Szakonyi, “me disa milionë në dorë blen besnikëri. Me disa miliardë? Aq më tepër.”

Ndërkohë, RBI ka zgjedhur të mos largohet nga tregu rus, ndryshe nga shumica e bankave perëndimore pas pushtimit të Ukrainës. Ajo vijon të gjenerojë rreth një të tretën e fitimeve totale në Rusi, duke paguar miliona në taksa drejt qeverisë ruse – para që, sipas kritikëve, ushqejnë makinerinë e luftës të Kremlinit.

Një nga detajet më interesante të zbuluara nga hetimi i Der Standard dhe OCCRP lidhet me faktin se të paktën dhjetë nga dërgesat me para të gatshme të Raiffeisen Bank International (RBI) mbërritën në Rusi më 24 shkurt 2022 ose pas kësaj date – pra, në ditën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Në atë kohë, tanket ruse po hynin në Kiev, ndërsa avionët luftarakë bombardonin qytetet ukrainase.

RBI është justifikuar duke thënë se ajo vepron vetëm si menaxhere e bankave partnere në bazë të kontratave. Por analistët paralajmërojnë: “Për një pushtim nevojitet para në dorë – siç ndodhi në luftën e Irakut, në Afganistan dhe tani në Ukrainë,” thotë David Szakonyi, politolog amerikan. “Disa miliona në dorë mund të blejnë besnikëri. Disa miliardë? Akoma më shumë.”

Ndërkohë që shumica e bankave perëndimore u tërhoqën nga Rusia pas nisjes së luftës, RBI zgjodhi të qëndrojë. Ajo gjeneron rreth një të tretën e fitimeve totale në Rusi dhe paguan miliona euro në taksa për qeverinë ruse çdo vit – para që, sipas kritikëve, ndihmojnë në mbajtjen gjallë të makinerisë së luftës të Kremlinit.

Një burim i brendshëm i bankës thekson se një dërgesë e planifikuar për ditën e pushtimit u ndalua në momentin e fundit. Nga ana tjetër, një zëdhënës i RBI deklaroi se nuk ka pasur dërgesa pas shpërthimit të luftës.

Zbulimet kanë rritur presionin mbi RBI, e cila prej kohësh kritikohet për qëndrimin e saj në tregun rus. Në përgjigje të interesimit mediatik, banka ka theksuar se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se të gjitha dërgesat respektonin rregulloret që ishin në fuqi në atë kohë.

Por, ndonëse nuk ka shkelje të qarta ligjore, ekspertët theksojnë se dërgesat ndihmuan në forcimin e regjimit rus – pikërisht në momentet kur përgatitjet për luftë ishin në kulm. “Paratë e gatshme ndoshta ndihmuan ose regjimin, ose ata që e mbështesin atë,” thotë eksperti për Rusinë, Janis Kluge.

Aktualisht, tërheqja nga tregu rus nuk është opsion për RBI, pasi një shitje e degës ruse mund të bëhet vetëm me miratimin e Kremlinit. Si rrjedhojë, banka vijon të operojë në Rusi, megjithëse po zvogëlon gradualisht aktivitetin e saj.

I pyetur nëse banka do të largohej nga Rusia në rast të heqjes së sanksioneve, një zëdhënës i RBI u shpreh se nuk mund të paragjykojë vendimet e Bordit Drejtues dhe të Këshillit Mbikëqyrës./skyweb.al

The post SKEMA/ Si u transferuan miliarda në CASH të Raiffeisen Bank International në Moskë ditët që Rusia po pushtonte Ukrainën! appeared first on Albeu.com.

Fiter Bajrami, Presidenti Begaj viziton KMSH, Bektashinjtë dhe Xhaminë e Namazgjasë, bën thirrje për më shumë dashuri mes shqiptarëve

By: E S
30 March 2025 at 11:47

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin, festë e cila shënon mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Mesazhe të veçanta Kreu i Shtetit u përcolli klerikëve gjatë vizitave që zhvilloi në institucionet e komunitetit mysliman dhe atij bektashi në Tiranë.

Presidenti Begaj i nisi vizitat me Xhaminë e Madhe e Tiranës, ku u prit nga Myftiu i kryeqytetit, Imam Bilal Teqja.

Presidenti u shpreh se hapja e dyerve të kësaj xhamie përmbushi kërkesën disavjeçare të besimtarëve, për të cilët ky ishte Ramazani i parë me Xhami të Madhe, e cila pret edhe turistë të shumtë, siç bëri me dije Myftiu i Tiranës.

Presidenti theksoi rëndësinë e unitetit mes besimtarëve dhe gjithë shqiptarëve, bashkë me urimin që devotshmëria e treguar gjatë këij muaji të vijojë deri në ardhjen e Ramazanit tjetër.

I shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Kreu i Shtetit përshkoi në këmbë rrugën drejt selisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga Kryetari Bujar Spahiu, të cilit i përcolli urime për Fitër Bajramin, duke u shprehur:

“Gëzuar Fitër Bajramin! Qoftë kjo ditë e shënuar një ditë solidariteti, një ditë mirësie për të gjithë shqiptarët. Fjalët e Kuranit Famëlartë dhe të urtit, Profetit Muhamed, le të shërbejnë për çdo shqiptar, për çdo besimtar, si shembull frymëzimi në jetën e përditshme, të jemi solidarë me njëri-tjetrin, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të ndihmojmë familjet në nevojë e të jemi të bashkuar në shërbim të interesit tonë madhor, në shërbim të interesit të harmonisë qytetare, të dialogut ndërfetar”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Këtë Bajram Presidenti uroi edhe besimtarët bektashinj. Ai vizitoi selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku u prit nga Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nga ku përcolli mesazhe mbi vlerat morale që mbajnë një shoqëri larg tundimit për të vrapuar drejt materiales./albeu

The post Fiter Bajrami, Presidenti Begaj viziton KMSH, Bektashinjtë dhe Xhaminë e Namazgjasë, bën thirrje për më shumë dashuri mes shqiptarëve appeared first on Albeu.com.

Një spiun në celularin dhe lap top-in tuaj, Vodafone dhe One duhet të tregojnë çfarë po ndodh me DPI

By: E S
29 March 2025 at 16:36
Nga Emirjon Senja
Vendosja e pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) në kompanitë që bëjnë shpërndarjen e internetit pa një paketë rregullatore mbi përdorimin e të dhënave është një veprim më shumë se i guximshëm, që shkon në kufijtë e çmendurisë dhe paligjshmërisë dhe me shumë gjasa do të jetë një ndër skandalet më të mëdha dhe objekt i kronikave të përditshme.
Historia sa ka filluar në fakt.
Vodafone Albania dhe One Telecomunications që i kanë vendosur dhe futur tashmë në përdorim këto pajisje duhet të jenë transparent me qytetarët, por edhe të përgjegjshëm përballë ligjit dhe të tregojnë se në çfarë rrethanash kanë pranuar instalimin dhe dhënien e aksesit në rrjetet e tyre.
Njoftimi për ndërperjen e Tik Tok erdhi pikërisht pasi këto pajisje ishin instaluar te Vodafone dhe One. Një mik me tregoi foto të këtyre pajisjeve të instaluara në njërën prej kompanive.
Ekspertë të fushës si Besmir Semanaj dhe Tomi Kallanxhi kanë dhënë alarmin për instalimin e pajisjeve në fjalë duke folur edhe për rrezikun e madh që paraqesin, siç është kontrolli i trafikut të internetit duke patur akses në ëebsitet që vizitohen nga qytetarët dhe përmbatjen e tyre; komunikimet dhe i gjithë aktiviteti online.
Është njëlloj sikur të vendosesh screen record në kompjuter apo celuar dhe çfarë shfaqet në ekranin tend të shihet nga të tjerët.
Imagjiononi të jetonit në një shtëpi xhami, pa perde, një shoqëri tepër “transparente”, siç e përshkruan Yevgeny Zamyatin në novelën “Ne”.
Është praktikë e shoqërive si kjo e jona që përdoren situata të ndryshme, siç është tani argumenti i Tik Tok për të kontrolluar qytetarët, dhe DPI janë pajisje tepër të rrezikshme nëse të dhënat kalojnë nëpër duart e personave të papërgjegjshëm. Shembuj të tillë kemi pafund këto vitet e fundit në Shqipëri.
I mbani mend si ia ulën pantallonat AKSHI-it ku dolën rrogat, numrat e celularit, llogaritë bankare?
Nga ana tjetër, AKEP ka mbushur një listë prej rreth 13 000 aplikacionesh dhe webistesh të bllokuara me synimin gjoja për bllokimin e Tik Tok, ndërkohë që ka ankesa se janë bllokuar edhe aksese në faqet e kompanive ndërkombëtare të shitjeve online.
Një rrëmujë e madhe, pa transparence ku po lihen hapësira të mëdha abuzimi. /albeu.com

The post Një spiun në celularin dhe lap top-in tuaj, Vodafone dhe One duhet të tregojnë çfarë po ndodh me DPI appeared first on Albeu.com.

❌
❌