Vullnetarët ndihmojnë kafshët e djegura,puna ka nisur fillimisht me kalin në Delvinë
Këto janë pamjet që zjarret kanë lënë pas në Delvinë dhe në fshatin Skënderbegas të Gramshit. Mijëra hektarë pyje të djegur nga zjarret.
Kullota, pemë e shtëpi të shkrumbuara nga flakët, por edhe shumë kafshë, bagëti të imta dhe kuaj të djegur.
Vullnetarë dhe mbrojtës të kafshëve, siç është edhe Maria Cristina Medina, drejtuesja e një strehëze për kafshët në Tiranë, kanë shkuar për të ndihmuar banorët e këtyre zonave me kafshët e djegura. Ajo ndjek nga afër punën e veterinerit që po trajton një kalë të djegur nga zjarri.
“Shumë njerëz më kanë kontaktuar për kuaj dhe mushka të plagosur. Ndihma e vetme e drejtpërdrejtë ku na u lejua ta merrnim ishte ajo e para në Delvinë. Delvina, kali mban edhe emrin e qytetit, pati fatin e keq të binte në kontakt me zjarrin. Ka disa kafshë të tjera, por shumë prej tyre u desh të vriteshin. Delvina ka një shans të mirë, pasi mushkëritë e saj nuk u dëmtuan dhe po luftojmë për të që ta shpëtojmë. Për momentin, ajo është e lodhur; ne sapo i kemi dhënë ilaçe dhe krem ftohës, i cili është bërë posaçërisht për kuaj.”
Maria thotë se ka qenë shumë e vështirë të shikojë djegiet e mëdha që janë bërë te kafshët.
“Ka ditë që të merr rutina, por ka dhe ditë kur gjithçka bëhet shumë e vështirë për mua. Dje pashë fotografi të kafshëve të djegura, por që ishin ende gjallë, gjë që më mori shumë forcë, dhe në fund qava, madje volla. Por më pas ngrihesh përsëri dhe vazhdon sepse e di që kafshët kanë nevojë për ndihmë.”
Ajo tregon se së bashku me vullnetarë të tjerë shkojnë në zonat e prekura nga zjarri dhe me një furgon të strehës mbledhin kafshët me djegie.
Në disa raste, Medina, drejtuesja e strehës së kafshëve, ka shkuar të kontrollojë kafshët e djegura. Ajo ishte dhe në Skënderbegas, ku kontrolloi lopën e djegur nga zjarri në familjen e Doçit.
Bagëtia, por sidomos lopët, për një familje në fshat janë një ndër pasuritë më të mëdha. Dhe djegia e tyre nga zjarri, familjen Doçi e ka prekur shumë. Manjola Doçi tregon mes lotësh dhimbjen dhe frikën që përjetuan nga flakët.
“Kur mbërriti zjarri, i thashë burrit tim të merrte fëmijët dhe të ikte, dhe unë do të qëndroja këtu. Ai vrapoi përmes flakëve dhe arriti të shpëtonte vajzat. Unë isha këtu me kunatën time. Pashë flakët që na arrinin; shtëpitë dhe hambarët po digjeshin. Ne u tmerruam dhe vrapuam drejt lumit për të shpëtuar veten. Harrova ta zgjidhja zinxhirin e lopës. Bari u dogj dhe pastaj edhe lopa u plagos.”
Familja Doçi qëndron përreth lopës së lënduar nga zjarri me shpresën që vetëm trajtimi që po i bëjnë këta vullnetarë do ta shpëtojë.
“Kemi dy raste urgjente këtu, një lopë dhe një gomar. Lopa do të qëndrojë këtu, sepse familja qau dhe nuk donte ta jepte, dhe ata e duan atë përsëri. Meqenëse udhëtimi është kaq i gjatë, kemi vendosur që do të paguajmë për veterinerin dhe ai do të vijë çdo ditë dhe do bëjë gjithçka që mundet për ta shpëtuar lopën.”
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama bëri me dije se nga një vlerësim paraprak ishin dëmtuar 207 shtëpi nga zjarret në vend, 40 prej të cilave të djegura plotësisht, si dhe 3600 bagëti u dogjën. Kreu i qeverisë tha se do të ketë dëmshpërblim si për shtëpitë, por edhe për krerët e bagëtive të humbura.
Klan News