Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 14 August 2025Main stream

Ukraina urdhëron më shumë evakuime teksa Rusia shton presionin në fushëbetejë

By: b b
14 August 2025 at 22:22

Ukraina urdhëroi më shumë evakuime në lindje, nga një qytet pranë zonës ku ushtria e Moskës bëri së fundi një përparim të shpejtë, teksa forcat ruse po shtojnë presionin para samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Ne filluam evakuimin e detyrueshëm të familjeve me fëmijë nga qyteti Druzhkivka”, tha kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, Vadym Filashkin, duke shtuar se katër fshatra të tjerë pranë qytetit u urdhëruan po ashtu që të evakuohen.

Ai shtoi se 1.879 fëmijë janë ende në këto vendbanime.

Më herët gjatë së enjtes, forcat ruse pretenduan se kanë marrë nën kontroll fshatin Iskra dhe qytezën Shçerbinivka në rajonin e Donjeckut.

Rusia pretendon se në shtator të vitit 2022 e ka aneksuar rajonin e Donjeckut, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Ndërkaq, të martën forcat ruse përparuan me shpejtësi pranë qyteteve Dobropillia dhe Druzhkivka, që gjenden në vijën e frontit.

Më herët gjatë javës, Ukraina po ashtu urdhëroi evakuimin e banorëve nga Billozerske, një tjetër qytezë jo shumë larg kësaj zone, ku rusët kanë bërë përparime në fushëbetejë.

Këto përparime të Rusisë vijnë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet në Alaskë me homologun rus, Vladimir Putin, për përfundimin e luftës në Ukrainë, që Rusia e nisi më 2022.

Udhëheqësi amerikan e ka paralajmëruar Rusinë për “pasoja shumë të rënda”, nëse nuk i jep fund luftës.

Serbi/ Studentët dalin në protestë, në Novi Sad thyhen zyrat e partisë së Vuçiç

By: b b
14 August 2025 at 21:53

Një numër i madh protestuesish janë mbledhur sonte në Beograd dhe para turmës është vendosur një kordon policie që bllokon kalimin drejt objektit të partisë së Aleksandar Vuçiç.

Qytetarët u mblodhën para ambienteve të SNS-së në rrugën Knez Milosh, jo shumë larg Shtabit të Përgjithshëm, ku u pritën nga një kordon i policisë.

Aktivistët e SNS-së së Vuçiq janë gjithashtu në vendngjarje, dhe një konflikt verbal është zhvilluar midis protestuesve dhe policisë, si dhe protestuesve dhe aktivistëve të SNS-së.

Qytetarët janë mbledhur në Nemanjina, në rreth-rrotullimin pranë GO Novi Beograd dhe tek Autokomanda.

Edhe në Novi Sad, filloi një tubim qytetarësh para ambienteve të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës, raporton KosovaPress.

Ndërkohë janë thyer zyrat e partisë së Aleksandar Vuçiç në këtë qytet. Në hapësirat e zyrës nuk kishte anëtarë të partisë së Vuçiç.

Vrau 14-vjeçarin në Maliq, autori i mitur lë spitalin dhe dërgohet në komisariat

By: b b
14 August 2025 at 21:19

Autori i mitur i vrasjes së 14-vjeçarit në fshatin Pirg të Maliqit ka lënë pak momente më parë ambientet e spitalit.

I shoqëruar nga uniformat blu, i mituri do merret në pyetje nga autoritetet në komisariat.

Ngjarja tragjike ndodhi ditën e sotme në ambientet e jashtme të një lokali, ku viktima dhe autori kishin shkuar për të sqaruar një konflikt të mëparshëm mes tyre.

Debati i tyre përfundoi me përplasje fizike, ku viktima humbi jetën nga goditjet me thikë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

OKB bën thirrje për presion ndaj talibanëve për shkak të shkollimit të vajzave

By: b b
14 August 2025 at 20:49

Kombet e Bashkuara bën thirrje që shtetet të ushtrojnë presion diplomatik ndaj sundimtarëve talibanë në Afganistan, duke thënë se ndalesa që ata kanë vendosur ndaj shkollimit të vajzave, ka lënë miliona fëmijë jashtë klasave shkollore që kur grupi u rikthye në pushtet katër vjet më parë.

“Në një kohë kur disa po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet me talibanët, unë bëj thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mbetet më i mobilizuar se kurrë për rivendosjen e plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtës së grave afgane për arsimim”, tha Audrey Azoulay, drejtoreshë e Agjencisë Kulturore dhe Arsimore të OKB-së, UNESCO.

Afër 2.2 milionë vajzave u ndalohet të ndjekin shkollimin përtej nivelit fillor, sipas UNESCO-s.

“Fatkeqësisht, Afganistani është vendi i vetëm në botë ku arsimi i mesëm dhe i lartë është rreptësisht i ndaluar për vajzat dhe gratë”, tha Azoulay.

“Një gjeneratë e tërë e grave afgane po sakrifikohet”, shtoi ajo, duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “mbajë presionin diplomatik”.

Talibanët, të cilët premtuan një sundim më të butë pas marrjes së pushtetit në gusht të vitit 2021, kanë vendosur kufizime të mëdha për gratë, duke i ndaluar ato të ndjekin universitetet, të shkojnë në parqe publike, palestra dhe sallone bukurie – masa që OKB-ja i ka cilësuar si “aparteid gjinor”.

Rusia – e cila nuk përmendet në deklaratë – është vendi i vetëm që ka njohur qeverinë e talibanëve që kur ata morën pushtetin më 2021, pas tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani.

Khamenei i gatshëm për dialog me SHBA-në mbi marrëveshjen bërthamore

By: b b
14 August 2025 at 20:34

Udhëheqësi më i lartë i Iranit, Ali Khamenei, ka dhënë dritën jeshile për rinisjen e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara lidhur me marrëveshjen bërthamore, sipas burimeve të afërta me udhëheqjen iraniane, raportoi Reuters.

Ky zhvillim përfaqëson një lëvizje strategjike për Teheranin, pasi zyrtarët e tij më të lartë e konsiderojnë dialogun me Uashingtonin si rrugën më të sigurt për të shmangur një krizë të re diplomatike dhe për të ruajtur stabilitetin e regjimit.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si JCPOA, u arrit pas negociatave mes Iranit dhe gjashtë fuqive kryesore botërore. Dokumenti parashikonte që Irani të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Megjithatë, në vitin 2018, SHBA u tërhoq nga pakti dhe vendosi sanksione të reja ndaj Teheranit, duke shkaktuar përshkallëzim të tensioneve dhe veprime të njëanshme nga Irani që dolën jashtë kushteve të marrëveshjes.

Që prej atëherë, përpjekjet për të rifilluar marrëveshjen kanë ngecur për shkak të mospajtimeve mbi shkallën e heqjes së sanksioneve dhe kërkesave për garanci të reja.

Vendimi i Khamenei për të lejuar rifillimin e bisedimeve përfaqëson një ndryshim domethënës në politikën e tij, duke pasur parasysh skepticizmin e kahershëm ndaj dialogut me SHBA-në. Kjo lëvizje vjen në një moment sfidues për Iranin, i cili përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, pakënaqësi të brendshme dhe tensione të ashpra në arenën ndërkombëtare, veçanërisht me Izraelin dhe aleatët perëndimorë.

Rusia shpall Reporterët pa Kufij “organizatë të padëshirueshme”

By: b b
14 August 2025 at 20:06

Rusia ka futur Reporterët pa Kufij në listën e “organizatave të padëshirueshme”, që në praktikë nënkupton se këtij vëzhguesi të mediave i ndalohet operimi në këtë shtet.

Sipas një ligji kundërthënës të miratuar më 2015, por që rrallë ishte përdorur para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 2022, Rusia mund të ndalojë organizatat e huaja që i konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare.

Stafi i këtyre organizatave që shpallen “të padëshirueshme” rrezikojnë ndjekjen penale.

Kremlini ka intensifikuar shtypjen e mediave të pavarura, fushatë që zgjat që një dekadë, pas dërgimit të trupave në Ukrainë në vitin 2022, duke miratuar ligje censurimi që ndalojnë kritikat ndaj ushtrisë.

Reporterët pa Kufij, me seli në Francë, denoncon vazhdimisht sulmet ndaj lirisë së shprehjes dhe ndihmon gazetarët e përndjekur.

Vetëm muajin e kaluar, një gjykatë ruse dënoi një gazetare dhe ish-vullnetare të liderit të ndjerë opozitar Alesei Navalny – organizatat e të cilit janë shpallur “ekstremiste” në Rusi – me 12 vjet burgim.

Reporterët pa Kufij e përshkruan burgosjen e saj si një “simbol të shtypjes së zërave të pavarur nga Kremlini” dhe bëri thirrje për lirimin e saj, siç kërkon për të gjithë gazetarët e arrestuar në Rusi.

Lista e entiteteve “të padëshirueshme” që ka Ministria ruse e Drejtësisë deri më tani përfshin rreth 250 organizata, duke përfshirë Radion Evropa e Lirë, Amnesty International, Greenpeace dhe Universitetin Jale./rel

Maliq/Vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, shoqërohen disa të mitur

By: b b
14 August 2025 at 19:50

Një 14-vjeçar ka humbur jetën pasditen e kësaj të enjte në fshatin Pirg të Maliqit, pasi është goditur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij gjatë një zënke mes tyre.

Ngjarja është regjistruar në ambientet e jashtme të një lokali. Autori ka qenë në shoqërinë e katër personave të tjerë, gjithashtu të mitur, ndërsa viktima me dy të tjerë.

Siç raporton gazetarja e Klan News, Daniela Zisi, të dy 14-vjeçarët janë nga fshatra pranë Pirgut. Ngjarja duket se ka pasur një konflikt të mëparshëm, dhe ata janë takuar në lokal për të sqaruar mosmarrëveshjen.

“Pritet të merret dëshmia e të plagosurit, që është edhe autori i dyshuar, si dhe e dëshmitarëve okularë apo familjarëve,” tha gazetarja Zisi.

Mësohet se në komisariat janë shoqëruar gjashtë të mitur, që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.

Studentët serbë paralajmërojnë protestë në mbrëmje: Serbi zgjohu!

By: b b
14 August 2025 at 19:27

Studentët në Serbi kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë protestat edhe në mbrëmjen e sotme, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë natës së 13 dhe 14 gushtit.

Përmes rrjeteve sociale, ata kanë shpërndarë detaje mbi vendndodhjen dhe orarin e mbajtjes së tubimeve, duke u bërë thirrje qytetarëve në mbarë vendin të bashkohen në protestë.

Në kryeqytetin Beograd, protestat pritet të nisin në orën 19:30. Një natë më parë, në rreth 30 qytete u zhvilluan protesta nën sloganin “Serbi, zgjohu”, ku përplasjet më të forta mes protestuesve dhe policisë ndodhën në Beograd dhe Novi Sad, kryesisht pranë selive të partisë në pushtet, SNS.

Për herë të parë, në përplasjet morën pjesë edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe, përfshirë ushtarë të njësisë elitare “Kobra”.

Shtatë efektivë të ushtrisë u plagosën gjatë incidenteve, ndërsa katër prej tyre kanë marrë dëmtime serioze.

Studentët kanë theksuar se protestat po zhvillohen si reagim ndaj dhunës së ushtruar në Vrbas, ku protestuesit janë sulmuar nga mbështetës dhe anëtarë të Partisë Progresive Serbe me mjete të rrezikshme si fishekzjarrë, gurë, shishe me ujë të ngrirë dhe objekte të tjera.

Sherr me thika në Maliq, humb jetën 14-vjeçari

By: b b
14 August 2025 at 18:59

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Maliq, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi u qëllua me thikë nga .

Ngjarja u regjistrua rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali.

Sipas informacioneve të policisë, bëhet me dije se pati një konflikt me thikë midis tij dhe një tjetër 14-vjeçari.

Si pasojë e plagëve të marra, i mituri ka ndërruar jetë në spital.

Njoftimi i plotë:

Maliq/Informacion paraprak

Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve.

Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital.

14-vjeçari tjetër autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

17 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

By: b b
14 August 2025 at 18:47

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 17 persona u vranë të enjten nga sulmet ajrore izraelite, teksa ushtria ka intensifikuar bombardimet në Qytetin e Gazës.

Në mesin e viktimave ishin gjashtë civilë që po prisnin të merrnin ndihma humanitare, tha zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal.

“Forcat izraelite po intensifikojnë sulmet në zonën Zeitun” në Qytetin e Gazës, tha ai.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këto pretendime.

“Për të katërtën ditë me radhë, zona është goditur nga ushtria, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Shumë njerëz nuk mund të largohen nga zona për shkak të luftimeve”, theksoi Bassal.

Një ditë më parë, kreu i ushtrisë izraelite miratoi planin e ri për operacione në Rripin e Gazës, që synojnë lirimin e të gjitha pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria izraelite ka thënë se synon marrjen e kontrollit të plotë të Qytetit të Gazës dhe kampet e refugjatëve që gjenden në afërsi. Këto janë disa nga zonat më të populluara në territorin palestinez, ku ka shkatërrime të mëdha si pasojë e luftës që nisi mbi 22 muaj më parë.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 61.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi – shifra që OKB-ja i konsideron të besueshme.

Euro shënon rënien rekord: Këmbehet shumë pranë 97 lekëve

By: b b
14 August 2025 at 18:28

Rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun po thyen rekorde të reja. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të enjten monedha europiane u këmbye me 97.15 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë.

Kursi vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore. Krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek është në rënie me 2.7%.

Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektet sezonale të lidhura me turizmin. Muajt e verës shoqërohen me ofertë të shtuar valutore, për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve të huaj.

Oferta e lartë valutore në treg vazhdon të zhvendosë kursin e Euros në rënie, pavarësisht madje edhe ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, Banka Qendrore ka rifilluar blerjet e valutës për të frenuar mbiccmimin e monedhës vendase. Megjithatë, as kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut.

Shifrat e blerjeve në tregun valutor publikohen me një tremujor vonesë dhe për momentin nuk ka një informacion lidhur me volumin e valutës që po tërheq Banka e Shqipërisë nga tregu. Në periudhën korrik-gusht të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë pati blerë 176 milionëeuro, blerje që mjaftuan vetëm për ta mbajtur kursin pak më lart kufirit të 98 lekëve.

Për tremujorin e parë të vitit, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se deficiti i llogarisë korrente ra në vlerën e 212 milionë eurove, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tkurrja e deficitit të jashtëm në tremujorin e parë erdhi paralelisht nga rënia e deficitit në mallra dhe zgjerimi i mëtejshëm i suficitit në shërbime.

Kontributin kryesor në llogarinë e shërbimeve e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 295 milionë eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme. Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme shprehen se blerjet nga subjektet nga jashtë vendit vazhdojnë të jenë të larta, veçanërisht në zonat bregdetare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja në pasuri të paluajtshme po rriten edhe këtë vit. Për tremujorin e parë, ato arritën vlerën e 104 milionë eurove, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite buxhetore, vlerësohet se po vazhdon të luajë një rol shtesë në forcimin e monedhës vendase.

Të dhënat e Ministrisë së Financave treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.1 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 36% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Leku i fortë vazhdon të jetë një faktor me ndikim në nivelete ulëta të inflacionit të ulët të importuar në ekonominë shqiptare. Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë evidenton se inflacioni i ulët në ekonominë shqiptare vazhdon të jetë kryesisht efekt i faktorëve të jashtëm, ndërsa presionet rritëse mbi çmimet në ekonominë e brendshme ngelen të larta.

Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i Lekut vazhdon të ndikojë negativisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve, duke filluar nga turizmi, që po bëhet gjithnjë e më shumë sektor themelor për ekonominë shqiptare. /Monitor

Trump: Besoj se Putini është i gatshëm të arrijë marrëveshje

By: b b
14 August 2025 at 18:04

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të arrijë një marrëveshje dhe se kërcënimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë me gjasë ka luajtur rol në Moskë që të zhvillohet takimi.

Trump është paraparë të takohet me Putinin në Alaskë të premten. Presidenti amerikan tha se nuk është i sigurt nëse mund të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në luftën në Ukrainë, por shprehu interes që të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje.

“Unë besoj tani se ai është bindur që do të arrijë një marrëveshje, ai do të bëjë marrëveshje. Mendoj se do ta bëjë këtë, por do ta shohim”, tha Trump në një intervistë për Fox News Radio.

Më herët gjatë ditës, Putini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë “përpjekje të sinqerta” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe sugjeroi që Moska dhe Uashingtoni mund të bien dakord për një marrëveshje për armët bërthamore, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar paqen.

Gjatë intervistës për Fox News, Trump po ashtu e përmendi se ai ka tri vende në mendje për një takim pasues me Putinin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, megjithëse tha se nuk është e garantuar që ky takim i dytë do të mbahet.

“Në varësi të asaj që ndodhë me takimin tim, do t’i telefonoj presidentit Zelensky dhe le ta sjellim aty ku do të takohemi”, tha Trump.

Më 13 gusht, udhëheqësit evropianë dhe Zelensky zhvilluan një video-konferencë gjatë së cilës ata i kërkuan Trumpit që t’i bëjë presion Putinit për paqe në Ukrainë.

Pas kësaj bisede, Trump paralajmëroi Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk ndalet lufta në Ukrainë.

Takimi mes Trumpit dhe Putinit synon gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës në Ukrainë që ka nisur mbi tre vjet e gjysmë më parë. Trump ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë territor për të ndalur luftime të ashpra që kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima nga të dyja palët dhe kanë detyruar miliona ukrainas që të zhvendosen.

Uashingtoni duket se po përgatit Kievin dhe Moskën për kompromiset e mëdha për të përfunduar luftën, teksa nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se çdo marrëveshje paqeje do të lërë të dyja palët “të pakënaqura”.

Situata e zjarreve në vend, MM: 23 vatra aktive zjarri, ja zonat më problematike

By: b b
14 August 2025 at 17:48

Ministria e Mbrojtjes njofton se situata nga zjarret në vend paraqitet më e stabilizuar në shumë zona problematike, pas angazhimit të forcave të emergjencës.

Aktualisht janë raportuar 23 vatra zjarri aktive, ku po vijojnë operacionet për shuarjen e tyre.

Ndër pikat më kritike është Syri i Kaltër në Delvinë, ku mbi 200 forca, 11 automjete zjarrfikëse dhe avioni italian “Canadair” po luftojnë me flakët në Malin e Sopotit.

Në Poliçan, në zonat Zhapokikë, Plashnik dhe Rezervati Balloll, dje u evakuuan 20 banorë, ndërsa sot në terren po operojnë tre helikopterë, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një nga Çekia.

Në Velçan të Beratit, ndërhyrja e shpejtë nga toka dhe ajri shmangu rrezikun për banesat, ndërsa dy helikopterë të Forcës Ajrore dhe forcat e ushtrisë vijojnë punën për neutralizimin e plotë të vatrës.

Situata e rëndë vijon në Fushë Arrëz, ku mbi 150 forca po përpiqen të ndalojnë përhapjen e flakëve drejt zonave malore.

Edhe në Mali me Gropa, Tërnovë, Gramsh, Himarë, Selenicë dhe Mirditë, zjarrfikësit, forcat e ushtrisë dhe vullnetarët po punojnë për shuarjen e vatrave, në kushte të vështira terreni.

Zjarri në Berati, Mbrojtja ndan detaje nga aksioni për shuarjen e flakëve

By: b b
14 August 2025 at 17:34

Ministria e Mbrojtjes ka ndarë detaje lidhur me aksionin për shuarjen e zjarrit në fshatin Velçan të Beratit.

Sipas Mbrotjes pas ndërhyrës në zonë nga toka dhe ajri, është bërë e munduar shmangia e rrezikut nga banesat.

Po ashtu, bëhet me dije se efektivët e Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.

“Pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat.

Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa efektivët e Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Gjobë kush nuk e liron vetë!

By: b b
14 August 2025 at 17:12

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me lirimin e hapësirave publike të zaptuara.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka ndarë pamje nga lirimi i hapësirave, dhe thekson se të gjithë ata që çmontojnë vullnetarisht strukturat në kohë të vonuar, me pretendimin se është një aksion momental, gabohet.

Sipas kreut të qeverisë, ky program do të vijojë për katër vitet e ardhshme.

“Disa e vonojnë çmontimin vullnetar me idenë e gabuar se “aksioni do mbarojë”, por ky nuk është një aksion, është një program katërvjeçar që quhet Rilindja Urbane 2.0 dhe ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare“, shkruan ai.

Sakaq, Rama thekson se kushdo që nuk e liron hapësirën publike në mënyrë vullnetare, do ta bëjë si veprim në kuadër të masës administrative.

“Kush nuk e liron më mirë vetë hapësirën që ka zënë, në fund do ta lirojë bashkë me një gjobë”, shkruan Rama.

Ambasada e SHBA në Tiranë: Nga 2 Shtatori rregulla të reja për rinovimin e vizave

By: b b
14 August 2025 at 16:55

Ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar qytetarët se duke filluar nga data 2 shtator 2025, do të hyjnë në fuqi rregullore të reja për procesin e aplikimit për viza.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ambasada thotë se rregullat e reja filllojnë nga 2 shtatori.

Njoftimi i plotë:

“Duke filluar nga 2 shtatori 2025, vetëm vizat B1/B2 që janë ende të vlefshme OSE që kanë më pak se 12 muaj që kanë skaduar mund të rinovohen me postë. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa rasteve të udhëtimeve qeveritare, do të kërkohet një intervistë.

Nxisim aplikuesit për vizë të kontrollojnë faqen e ambasadës al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion më të detajuar mbi kërkesat dhe procedurat e aplikimit për vizë, si dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit dhe shërbimet e ambasadës.”

 

Rusia dhe Ukraina këmbejnë të burgosur të luftës

By: b b
14 August 2025 at 16:36

Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer secili nga 84 të burgosur të luftës, thanë zyrtarët e të dyja shteteve.

Gjatë këtij viti, të dy shtetet kanë liruar qindra të burgosur të luftës.

Këmbimi i fundit vjen në prag të samitit të nivelit të lartë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, që do të mbahet në Alaskë më 15 gusht.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram se Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësuan këmbimin, duke shtuar se personeli ushtarak rus i liruar po “merr ndihmë psikologjike dhe mjekësore”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale se në mesin e të burgosurve të këmbyer “ka edhe civilë dhe personel ushtarak”, disa nga të cilët “janë mbajtur nga rusët që nga viti 2014, 2016 dhe 2017”.

Ai tha se “mbrojtësit e Mariupolit” ishin po ashtu pjesë e këmbimit, duke iu referuar qytetit-port ukrainas që u mor nën kontroll nga forcat ruse më 2022, pas pothuajse tre muaj rrethim.

Zelensky shtoi se “do të ketë këmbime tjera” të të burgosurve.

Këmbimet në shkallë të madhe të të burgosurve ishin rezultati i vetëm i prekshëm i tri rundeve të bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, të zhvilluara nga maji deri në korrik.

Në rundin e tyre më të fundit të bisedimeve, të mbajtur muajin e kaluar, Rusia dhe Ukraina ranë dakord të shkëmbenin nga 1.200 të burgosur lufte secila.

Një negociator rus tha se Moska gjithashtu kishte ofruar t’i dorëzonte Kievit trupat e 3.000 ushtarëve të vrarë. /rel

Taksat vendore, tashmë në kohë reale në e-Albania

By: b b
14 August 2025 at 12:31

Bizneset dhe qytetarët e Tiranës mund të kontrollojnë në kohë reale detyrimet e tyre vendore përmes shërbimit elektronik “Taksat dhe tarifat vendore – Bashkia Tiranë” në e-Albania.

Tanimë ky shërbim ofrohet edhe për qytetarët që zotërojnë njësi tregtare apo pasuri të tjera të përdorura për aktivitet ekonomik.

Shërbimi u jep mundësinë përdoruesve të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe në kohë reale mbi vlerën e përditësuar të detyrimeve të tyre vendore, përfshirë penalitetet për pagesat e vonuara.

Nga taksa mbi ndërtesën, truallin dhe tokën bujqësore, deri te tarifa e pastrimit, taksa e tabelës apo shfrytëzimi i hapësirës publike çdo detyrim shfaqet i detajuar sipas vitit, shumës dhe këstit.

Përveç transparencës mbi detyrimet, shërbimi “Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore” ofron edhe mundësinë për të shkarkuar dokumentin përkatës që subjekti nuk ka detyrime ndaj bashkisë Tiranë.

Ky vërtetim mund të nevojitet për procedura të ndryshme ligjore, administrative apo tregtare dhe tani merret menjëherë, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në sportel.

Shërbimet nuk kërkojnë asnjë dokumentacion shoqërues, procedura kryhet me vetëm disa klikime dhe informacioni është i aksesueshëm nga çdo pajisje me internet.

Përdoruesit mund të shkarkojnë detyrimet e papaguara në formën e një mandati arkëtimi në çdo moment, apo vërtetimin e likuidimit të këtyre detyrimeve duke kursyer kohë dhe shmangur burokracitë./tvklan

Çështja “Epstein”/ Melania Trump kërcënon djalin e Joe Biden me padi

By: b b
14 August 2025 at 12:16

Zonja e Parë, Melania Trump ka kërcënuar se do ta padisë Hunter Biden për më shumë se 1 miliardë dollarë pasi ai tha se ajo është prezantuar me Trump përmes Jeffrey Epstein.

Avokatët që veprojnë në emër të zonjës së parë, e cila u martua me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në vitin 2005, i përshkruan akuzat si “të rremë, përçmuese, shpifëse dhe nxitëse”.

Biden, djali i ish-Presidentit të SHBA-së Joe Biden, bëri komentet gjatë një interviste në fillim të këtij muaji, në të cilën ai kritikoi ashpër lidhjet e mëparshme të presidentit me Epstein.

Donald Trump ishte mik i Epstein, por ka thënë se janë grindur në fillim të viteve 2000 sepse financuesi kishte përvetësuar punonjës që punonin në spa në klubin e golfit të Trump në Florida.

Një letër nga avokatët e zonjës së parë drejtuar një avokati të Hunter Biden kërkon që ai të tërheqë pretendimin dhe të kërkojë falje, ose të përballet me veprime ligjore për “mbi 1 miliard dollarë dëmshpërblim”.

Ajo thotë se zonja e parë ka pësuar “dëm të madh financiar dhe reputacional” për shkak të deklaratave që ai përsëriti.

Gjatë një interviste të gjerë me regjisorin Andrew Callaghan të publikuar më parë këtë muaj, Hunter Biden pretendoi se dokumentet e papublikuara në lidhje me Epstein do të “implikonin” Presidentin Trump.

Ai tha: “Epstein e prezantoi Melanian me Trump – lidhjet janë kaq të gjera dhe të thella”.

Nuk ka prova që dyshja u prezantua me njëri-tjetrin nga Epstein, i cili u vetëvra në burg ndërsa priste gjyqin në vitin 2019.

Serbi: Protesta dhe dhunë në disa qytete

By: b b
14 August 2025 at 12:03

Përleshje të dhunshme kanë shpërthyer në Serbi gjatë protestave kundër Presidentit Aleksandar Vuçiq. Ka pasur të lënduar dhe të arrestuar.

Përleshje të dhunshme shpërthyen në Serbi të mërkurën në mbrëmje gjatë protestave kundër qeverisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq. Në shumë qytete, të mëdha dhe të vogla, demonstruesit u përleshën me policinë dhe mbështetësit e Vuçiçit.

Protestat nëntëmujore arritën kulmin pasi mbështetësit e SNS (partia e Vuçiqit) sulmuan fizikisht demonstruesit kundër tij në Vojvodinë, Vrbas dhe Baçka Palanka të martën, pa reagimin e policisë.

Si kundërpërgjigje, protesta u organizuan në 30 vende të mërkurën, me marshime të drejtuara drejt selisë së SNS. Atje, demonstruesit u pritën nga kordone policie dhe mbështetës të partisë së Vuçiqit që ishin të përgatitur për dhunë.

Më së shumti dhunë në Novi Sad

Shumica e incidenteve ishin në Novi Sad, por edhe në Beograd. Gjërat ishin më të qeta në Nish, Pançevë, Krushevac, Çaçak, Kragujevac, Smederevo, Uzhicë, Lazarevac dhe shumë vende të tjera.

Në Beograd dhe Novi Sad, mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe qëlluan me piroteknikë dhe mjete të tjera ndaj protestuesve, të cilët më pas iu kundërpërgjigjën pjesërisht zjarrit. Në Novi Sad, policia përdori gaz lotsjellës. Ambientet e SNS u dogjën gjatë natës.

Në Beograd, policia me pajisje të plota për trazira bllokoi protestuesit që të afroheshin në një zonë në një park pranë ndërtesës së Parlamentit ku mbështetësit e Vuçiqit kanë ngritur kampe që nga marsi.

Në disa zona të tjera në Beograd, protestuesit u përleshën me policinë, e cila i pengoi ata të afroheshin në ambientet lokale të SNS-së.

Vuçiç: Beogradi dhe Novi Sadi do të pastrohen

Në një konferencë për shtyp të mërkurën vonë, Vuçiq tha se 16 policë dhe 64 mbështetës të SNS-së ishin lënduar vetëm në Novi Sad. Vuçiq i përshkroi protestuesit si “banditë dhe vrasës” dhe tha se Beogradi dhe Novi Sadi tani do të “pastrohen” prej tyre, raportoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ai tha se ky veprim kishte për qëllim të parandalonte një “luftë civile” dhe falënderoi mbështetësit e tij, “njerëzit e mrekullueshëm të zakonshëm” të cilët, tha ai, mbrojtën selinë e partisë “nga bllokuesit e çmendur”.

Ai gjithashtu akuzoi forca të huaja të paidentifikuara për organizimin e trazirave dhe premtoi arrestime. “Personat që shkelën ligjin do të arrestohen… Sonte ne parandaluam një skenar katastrofik të planifikuar nga dikush nga jashtë”, tha Vuçiq.

Lëvizja opozitare “Lëviz-Ndrysho” tha se mbështetësit e Vuçiqit ishin përgjegjës për përleshjet. “Sulmet ndaj njerëzve me piroteknikë dhe mjete të tjera shkelin të drejtën e tyre për jetë dhe protestë”, tha ajo në një deklaratë.

Arsyeja e protestave në Serbi

Protestat, të cilat po vazhdojnë për më shumë se nëntë muaj, shpërthyen pas shembjes së një çatie të rinovuar rishtazi mbi platformat e stacionit hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Ekspertë të pavarur dhe politikanë të opozitës ia atribuojnë tragjedinë neglizhencës dhe korrupsionit sistemik në administratën e Vuçiqit. Protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe autoritarizëm, duke kërkuar dorëheqjen e Vuçiqit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja./DW

❌
❌