Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

IKMT shemb me eksploziv ndërtesën e fundit në Theth

By: b b
15 July 2025 at 16:59

Është shembur dhe ndërtesa e fundit pa leje në zonën e Thethit.

Sipas burimeve, ndërtesë trekatëshe u shemb në mënyrë të kontrolluar përmes lëndës shpërthyese. Kështu, aksioni i IKMT-së në Theth përfundoi ditën e sotme.

Kujtojmë se pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, nisi aksioni rreth një javë i IKMT-së, duke çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve të sotme, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar.

Makinat e braktisura, problem për hapësirat publike dhe sfidë për policinë

By: b b
15 July 2025 at 16:49

“Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka përfshirë dhe policinë rrugore Tiranë, e cila prej ditësh po grumbullon automjetet që prej kohësh janë të palëvizshme në rrugët e kryeqytetit.

Por edhe pse një fushatë e re, kjo ka zgjuar një problem të hershëm dhe mesa duket çlirimi i një hapësire do të prodhojë bllokimin e një hapësire tjetër, pikërisht këtë përballë komisariatit të policisë rrugore Tiranë”, raporton gazetari Merin Maçi.

janë këto automjete që janë bllokuar nga rrugorët e Tiranës, e që prej kohësh janë të palëvizshme.

Ky varg automjetesh që prej vitesh gjenden të parkuara në dy krahët e rrugës pranë komisariatit rrugor, vjen për shkak të mungesës së një pike bllokimi.

Aktualisht policia rrugore Tiranë ka të shfrytëzueshme për magazinim të automjeteve të bllokuara, hapësirën në oborrin e komisariatit, si dhe një sipërfaqe të vënë në dispozicion pranë drejtorisë së rezervave të shtetit.

Por këto hapësira janë të pamjaftueshme për të mbajtur të gjitha automjetet e bllokuara, nisur nga kjo policia rrugore është e detyruar t’i parkojë në rrugë.

Pak kohë më parë, Bashkia Tiranë i vuri në dispozicion një sipërfaqe toke që do të shërbente si pikë bllokimi për automjetet, por ajo hapësirë ende nuk është vënë në punë.

Derisa ky ngërç të zgjidhet, policia do vijojë të zërë hapësirën publike me automjetet që bllokon.

Tv Klan

A mund ta frikësojnë Putinin kërcënimet e Trump?

By: b b
15 July 2025 at 16:37

Donald Trump e ashpërsoi retorikën kundër Vladimir Putinit dhe kërcënoi me sanksione kundër Rusisë. Por deklaratat e forta nga Uashingtoni nuk ka gjasa të shkaktojnë trazira në Moskë për momentin.

50 ditë, ky është afati i fundit. Pastaj vendosen tarifa ndëshkuese 100 për qind. Si afati ashtu edhe kërcënimi vijnë direkt nga Shtëpia e Bardhë dhe shënojnë ndryshimin e qëndrimit tëDonald Trump, për momentin. Presidenti amerikan po i jep Kremlinit afat deri në fillim të shtatorit për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Nëse deri atëherë nuk ka një “marrëveshje” ose të paktën një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, tha presidenti amerikan, tarifat ndëshkuese prej 100 përqind do të vendosen për të gjithë ata që ende bëjnë biznes me Rusinë, duke mbushur kështu “arkën e luftës” të Kremlinit.

Pas muajsh bisedimesh, duket se durimi i Donald Trump me Vladimir Putinin po merr fund. Trump tha, se ka dëgjuar shumë fjalë (nga pala ruse), po pastaj Kievi bombardohet përsëri natën tjetër. “Nëse doni të dini të vërtetën, Putini po na flet shumë budallallëqe.”

Sanksionet dytësore mund ta godasin rëndë Rusinë
Sanksionet dytësore, me të cilat kërcënon Trump mund ta ndryshojnë gjendjen. Ato do ta godisnin fort Rusinë, sepse synojnë edhe burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë: shitjen e lëndëve të para, veçanërisht naftës dhe gazit. Rreth gjysma e buxhetit të shtetit rus financohet nga burimet e lëndëve të para. Gjatë tre viteve e gjysmë të luftës, nuk është arritur të ulen ndjeshëm të ardhurat ruse nga biznesi i naftës dhe gazit. Kremlini i anashkaloi sanksionet e mëparshme, për shembull, me të ashtuquajturën flotë në hije. Kërcënimet e Trump, të ashtuquajturat sanksione dytësore, shkojnë një hap më tej: Ato kanë për qëllim të dekurajojnë blerësit e lëndëve të para ruse. Nëse të ardhurat e Rusisë nga biznesi i naftës dhe gazit do të reduktoheshin ndjeshëm, kjo do të krijonte probleme të mëdha financiare për Kremlinin dhe ta bënin më të vështirë mbajtjen në punë të makinerisë së luftës.

Kërcënime me pikëpyetje
Megjithatë, kërcënimi i Trump, sado i fortë që mund të tingëllojë, është i mbushur me disa pikëpyetje. Mënjanimi i naftës ruse nga tregu, e cila përbën 10 përqind të tregut global, ka të ngjarë të shoqërohet me turbulenca masive në çmimet e naftës dhe nuk do të jetë e realizueshme në një afat të shkurtër.

Pikëpyetja tjetër: A do të ishte Donald Trump realisht i gatshëm të rrezikonte për Ukrainën një mosmarrëveshje të re tarifore me Kinën ose Indinë, ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Pasojat e një mosmarrëveshjeje të tillë tarifore do të ndikonin edhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka të ngjarë të çonin në trazira të reja në tregun global. Kurse lidhur me gazin rus, sanksionet dytësore do të ishin gjithashtu problematike edhe për partnerët evropianë. Si Austria edhe Hungaria gjithashtu blejnë gaz rus.

Senatori republikan Lindsey Graham, i cili e mbështet propozimin për sanksione dytësore, kishte bërë thirrje më parë për tarifa deri në 500 përqind. Graham bëri fjalë për një “çekiç goditës” në dispozicion të Trump për t’i dhënë fund luftës. Por duket se Donald Trump ka zgjedhur opsionin shumë më pak të ashpër.

50 ditë i ofrojnë presidentit amerikan mundësi të mjaftueshme për të ndryshuar edhe më tej qëndrimin e tij, por edhe Rusisë mundësinë për të përparuar më tej në fushën e betejës. Tarifat prej 100 përqind do të ishin gjithashtu dukshëm më të ulëta se sa janë diskutuar më parë. E ndoshta prandaj edhe bursa e Moskës reagoi ndaj deklaratës së Trump me rritje të kursit.

Bursa e Moskës u rrit me më shumë se dy përqind pas deklaratave të Trump, me shumë mundësi nga lehtësimi i ndjerë që kërcënimi i presidentit amerikane ishte më pak drastik nga sa kishin frikë disa./dw

Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqje si pjesë e ndryshimeve të mëdha në Qeveri

By: b b
15 July 2025 at 16:16

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, njoftoi të martën se e ka paraqitur dorëheqjen përmes një lere, si pjesë e ndryshimeve të mëdha në Qeverinë ukrainase të kohës së luftës që pritet të ndodhin këtë javë.

Presidenti Volodymyr Zelensky e propozoi të hënën zëvendëskryeministren e parë, Yulia Svyrydenko, për ta zëvendësuar Shmyhalin.

Svyrydenko, e cila është gjithashtu ministre e Ekonomisë, është aleate e ngushtë dhe e kamotshme e Zelenskyt.

Shmyhal, i cili ka mbajtur këtë post që nga marsi i vitit 2020, pritet të emërohet ministër i ri i mbrojtjes i Ukrainës, tha Zelenskiy të hënën.

Parlamenti i Ukrainës pritet të votojë për emërimin e Svyrydenkos më vonë gjatë kësaj jave.

Zelensky tha se tashmë kishte diskutuar me të për detyrat kryesore për gjashtëmujorin e ardhshëm.

“Po përgatisim hapat fillestarë të Qeverisë së rinovuar”, tha ai në Telegram, duke postuar një foto nga takimi i tyre në zyrën e tij.

Sipas tij, detyrat kyçe do të jenë rritja e prodhimit të brendshëm të armëve dhe zbatimi i reformave për të çliruar potencialin ekonomik të Ukrainës.

Këto ndryshime, më të mëdhatë që nga pushtimi i vendit nga Rusia në shkurt 2022, vjen ndërsa forcat ruse vazhdojnë përparimin e tyre të ngadaltë në lindje të Ukrainës.

Ekonomia e Ukrainës mbetet më e vogël se para luftës, pavarësisht se bizneset vendase janë përshtatur me realitetin e luftës dhe miliarda ndihma nga aleatët perëndimorë të Kievit kanë ndihmuar për të ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Viti i ardhshëm paraqet një sfidë të vështirë për financimin e deficitit buxhetor gjithnjë në rritje, pasi ndihma e huaj pritet të ulet. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vendit do t’i duhen rreth 40 miliardë dollarë financim i jashtëm në vitin 2026.

Sipas deputetëve, Parlamenti do të votojë për emërimet e reja në Qeveri të enjten./rel

SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-deputetin socialist Jurgis Cyrbja

By: b b
15 July 2025 at 16:05

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre të pandehur: ish-deputetin Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin, për rrjedhje informacioni sekret, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.

Ata akuzohen se kanë shpërndarë të dhëna sekrete nga sistemi TIMS dhe Policisë së Shtetit ndaj personave të shpallur në kërkim, përmes platformave të enkriptuara “SkyEcc” dhe “Matrix”.

Çyrbja dyshohet se ka premtuar mbështetje institucionale në këmbim të votave nga Hajri, i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hetimet vijojnë për bashkëpunëtorë të tjerë dhe funksionarë publikë të përfshirë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

1. Jurgis Çyrbja i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021, 6.3.2021, 6.3.2021, 6.3.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë (në episodet e datave; 2.12.2020, 29.12.2020, 25.2.2021 dhe 7.3.2021), parashikuar nga neni 302/1/2 i Kodit Penal.

iii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

iv. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021) parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

v. “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal (në periudhën mes datave 5.3.2021-8.3.2021).

2. Ahmet Masha, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

ii. “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim (në episodin e datës 6.3.2021), parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

3. Altin Hajri, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal (në periudhën midis datave 1.12.2020 – 8.3.2021)

ii. “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal (në episodin e datës 1.5.2020).

Nga aktet e administruara për këtë procedim penal, ka rezultuar e provuar se të pandehurit; Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”. I pandehuri Altin Hajri ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.

Nga tërësia e veprimeve të kryera hetimore, ka rezultuar e provuar se të pandehurit në 8 (tetë) episode të ndryshme, gjatë periudhës 1.5.2020 deri në datë 8.3.2021, janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Këto informacione që u siguruan nga të pandehurit, u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”kryer në bashkëpunim (sipas episodeve respektive), parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Ndërsa, komunikimet që të pandehurit kanë zhvilluar me bashkëbiseduesit e tyre, përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyEcc”, (konfirmuar dhe nga aktet e dosjes se ishte persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar), u kanë shërbyer si një e dhënë e rëndësishme për të qëndruar të fshehur dhe për t’i shpëtuar kapjes apo arrestimit nga strukturat e policisë, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale, “Përkrahje e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 302/1 e 25 të Kodit Penal.

Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).

Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, (person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale).

I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, i pandehuri Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Për interesa të këtij procedimi penal është bërë e mundur ekzekutimi i letërporosisë drejtuar autoriteteve të drejtësisë holandeze për disa përdorues të platformës së enkriptuar “Matrix”.

Nga analizimi i disa prej komunikimeve, ka rezultuar e provuar se gjatë periudhës tetor – dhjetor 2024, i pandehuri, Altin Hajri dhe bashkëbiseduesit e tij, diskutojnë lidhur me momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit personal ndaj të pandehurve: Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha, (datë 20.10.2024 dhe në vijim). Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim.

Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se funksionarë publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 8(tetë) raste, kanë zbuluar akte, të përcaktuar si “sekret shtetëror” nga ligji, pasi me përmbajtjen e tyre, rezulton se janë vënë në dijeni edhe të pandehurit objekt gjykimi, duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe të funksionarëve publikë, të cilët kanë zbuluar akte të përcaktuar nga ligji si “sekret shtëtor”, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal, nr. 93/1 të vitit 2024 në procedimin me nr. 93/1.1 të vitit 2025. Hetimet rreth këtij procedimi vijojnë.

Një falënderim i veçantë u drejtohet autoriteteve të drejtësisë franceze, holandeze, belge, Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK për këtë procedim penal.

Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën

By: b b
15 July 2025 at 14:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme për rolin e pretenduar të presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës nga Serbia në Kosovë.

Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra.

“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.

“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.

Ditëve të fundit, ajo foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Kjo deklaratë shkaktoi kritika nga Richard Grenell, i dërguari i Trumpit për misione speciale.

Ai e akuzoi Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.

Pyetjeve të REL-it se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, nuk iu përgjigj as Qeveria në detyrë e Kosovës e as Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme.

I pyetur nga gazetarët për këtë çështje më 15 korrik, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha shkurtimisht: “Ne jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjatë gjithë historisë së Republikës së Kosovës”.

Përshkallëzimi i fundit i madh në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.

Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia – një akuzë që Beogradi e mohoi.

Pas komenteve të Grenellit, ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për shtyp, pasi të kthehet nga udhëtimi.

Duke folur në Rigë, Osmani po ashtu tha se ndikimi i Rusisë në Kosovë “është zero”.

“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për shtetin tonë fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet nën ndikimin e Rusisë – qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes këtij ndikimi në Serbi, Rusia përpiqet të shkaktojë pasoja destabilizuese edhe më gjerë në rajon, sepse sa më shumë të destabilizohet Evropa, aq më shumë u shërben interesave të Rusisë”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova do të punojë ngushtë me aleatët në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përmes masave të frenimit dhe parandalimit, me qëllim që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të cilat kryhen përmes Serbisë, të mos ketë sukses./REL

Vetëdeklarimi i adresës së banesës në “e-Albania”

By: b b
15 July 2025 at 13:39

Të gjithë shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Shqipërisë duhet të kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike online, në portalin “E-Albania”.

Referuar vendimit të qeverisë të publikuar në Fletoren Zyrtare, që tashmë ka hyrë në fuqi, shtetasi i cili kërkon të banojë në një familje ekzistuese, paraqet kërkesën dhe më pas ajo duhet të konfirmohet nga kryefamiljari i familjes pritëse në “E-Albania”, duke respektuar standardet e banimit, të miratuara nga legjislacioni në fuqi.

Gjithçka bëhet duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.

Dokumentet e ngarkuara në shërbimin elektronik në portalin “E-Albania” ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Të gjithë anëtarët e së njëjtës familje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa për shtetasit që kryejnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, apo qëndrojnë në institucionet e paraburgimit në pritje të vendimit gjyqësor për më shumë se 3 muaj, institucioni përgjegjës duhet të paraqesë brenda 48 orëve nga plotësimi i afatit të mësipërm, pranë zyrës së gjendjes civile, listën emërore të tyre, e cila duhet të përmbajë të dhënat e personave.

Zyrat e gjendjes civile në Bashki/Njësi Administrative, në rastin kur konstatojnë se ka mangësi në dokumentacionin përkatës, njoftojnë brenda 24 orëve shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit “E-Albania”.

Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 ditëve nga njoftimi, thuhet në vendimin e fundit të botuar në Fletoren Zyrtare./tvklan

Fier/Donin të digjnin mbeturinat por flakët u përhapën në pyje,procedohen 3 qytetarë

By: b b
15 July 2025 at 12:49

Policia e Fierit ka identifikuar dhe proceduar penalisht 3 autorët e dyshuar të zjarrëvënieve në fshatrat Drenovë, Suk 2 dhe Frakull e Madhe.

Nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarreve që këta 3 shtetas kanë ndezur në tokat e tyre, për djegien e mbeturinave, janë djegur sipërfaqe pyjore.

“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të tjera procedurale, të kryera menjëherë pas njoftimeve për vatra zjarri në këto fshatra, shërbimet e komisariateve të Policisë Mallakastër dhe Fier referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
E. V., 70 vjeç, banues në fshatin Drenovë;
Xh. R., 59 vjeç, banues në fshatin Suk 2;
R. Ç., 48 vjeçe, banuese në fshatin Frakull e Madhe.

Nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarreve që këta 3 shtetas kanë ndezur në tokat e tyre, për djegien e mbeturinave, janë djegur sipërfaqe pyjore, si dhe sipërfaqe të mbjella me vreshta dhe pemë frutorë”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Qëlloi me armë drejt fqinjit, arrestohet 41-vjeçari në Dobraç

By: b b
15 July 2025 at 12:22

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili një ditë më parë në fshatin Dobraç, kanosi fqinjin e tij, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë.

41-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale që po kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në drejtimin e Prokurorisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. J., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, shtetasit S. J., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi municioni luftarak dhe shuma parash të valutave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit pistoletë të dyshuar të përdorur për kanosjen”, njofton policia.

Merz mirëpret vendimin e Trumpit për t’i dërguar armë Ukrainës

By: b b
15 July 2025 at 12:07

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i mirëpriti planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të furnizuar Ukrainën me armë “në shkallë të gjerë”.

“Presidenti Trump dhe unë e kemi diskutuar këtë disa herë gjatë ditëve të fundit. E kam siguruar: Gjermania do të luajë një rol aktiv”, shkroi Merz në platformën X.

Trump tha se do të dërgojë sisteme mbrojtëse ajrore – Patriot, për ta ndihmuar Kievin që të mbrohet nga Rusia, por se kostot do të mbulohen nga Bashkimi Evropian.

Më herët, Merz ka shprehur gatishmërinë e Gjermanisë për të blerë sisteme Patriot nga SHBA-ja për Ukrainën.

Raportohet se bëhet fjalë për dy sisteme, ndërsa një tjetër do të financohet nga Norvegjia.

Ukraina ka bërë të ditur se ka nevojë për gjithsej dhjetë sisteme të tilla.

“Po e bëjmë këtë për interesin tonë”, tha Merz.

“Kjo do t’i ndihmojë ukrainasit të mbrohen nga terrori i bombardimeve ruse. Vetëm në këtë mënyrë do të rritet presioni mbi Moskën që të ulet në bisedime për paqe. Në fund të fundit, po tregojmë se jemi të bashkuar si partnerë në politikën e sigurisë”, shtoi ai.

Sipas tij, tani janë duke u sqaruar detajet, ndërsa Qeveria gjermane është në kontakt me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjendet në Uashington për bisedime mbi këtë çështje.

Pistorius – pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth – tha se dërgimi i dy sistemeve Patriot në Ukrainë është në përgatitje e sipër.

Ai tha se dorëzimi do të financohet nga Gjermania, por se detajet e fundit teknike, logjistike dhe financiare ende duhet të sqarohen.

Ukraina ka nevojë urgjente për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, theksoi Pistorius./REL

Aksident në Elbasan/ 62-vjeçari humb jetën, drejtuesi i mjetit në gjendje të dehur

By: b b
15 July 2025 at 11:53

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Elbasan-Bradashesh, ku si pasojë ka humbur jetën një 62-vjeçar.

Mësohet se i moshuari është përplasur nga një 28-vjeçar, i cili dyshohet se po drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

62-vjeçari i cili po lëvizte me biçikletë, ka humbur jetën në spital.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin L. B., 28 vjeç, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, shtetasi L. B. dyshohet se duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur shtetasin Xh. R., 62 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili ka humbur jetën në spital”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

“Plumbi i Artë”/ Jep më në fund dëshminë para gjykatës i penduari Skerdi Tasi

By: b b
15 July 2025 at 11:36

Pas disa seancash të dështuara, Skerdi Tasi, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, jep më në fund shpjegime para gjykatës.

Dëshmia e Tasit:

Shtetasin Henrik Hoxhaj e kam njohur nga një shok i përbashkët. Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi me takoi me Henrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier.

Henriku kishte të gjitha të dhënat e atij personi. Ai rrinte afër rrethrrotullimit te parkut në Fier.

Për ngjarjen Hebriku kishte një makinë “Alfa Romeo” të blerë në Fier.

Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike.

Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal.

Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova.

Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë.

Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçin.

Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier.

Unë njihesha prej vitesh me Vironin. Në 2017 ai më kontaktoi për të vrarë Agim Boriçin. U realizuan veprimet, por në vitin 2018.

Ndërsa në 2017, unë takohesha përditë me Henrikun. Gjatë kësaj kohe ai më tha se kishte marrë përsipër edhe një punë tjetër, ekzekutimin e Hajredin Beharit. Henriku kishte foto të tij. Ai rrinte tek një lokal përballë shtëpisë, si edhe kishte një dyqan ku shiste vajra makine.

Kujtojmë se në seancën e datës 10 korrik, dështoi për të katërtën herë radhazi marrja e dëshmisë së të penduarit Skerdi Tasi nga Gjykata e Posaçme, për shkak të debateve të forta në seancë mes prokurorëve dhe avokatëve. Shkak i këtyre debateve u bë fakti që gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa proceaverbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.

Pas këtij momenti, avokati i Henrik Hoxhajt dhe avokatët e Altin Ndocit kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues me pretendimin se ishin të njëanshëm në gjykim.

Debati në sallë precipitoi deri në fyerje nga ana e prokurorit Behar Dibra, ndërsa avokati Gentian Rumano po përsëriste kërkesën për përjashtim. Këto bënë që i penduari Tasi të mos mundte ta jepte dëshminë para trupës gjyqësore për të disatën herë./tvklan

MM: Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, 4 ende aktive

By: b b
15 July 2025 at 11:23

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

-Qarku Dibër

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Me gjithë punën e bërë nga forcat operacionale në terren, nuk është arritur të vihet nën kontroll zjarri, pasi ka patur shtrirje të madhe të vatrës. Territori i thepisur dhe era kanë ndihmuar zhvillimin e zjarrit.

Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 150 ha. Sot forcave u janë bashkuar edhe 100 forca nga FA.

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, i zhvilluar në drejtim të “Majës së Vlashes”.

Zjarri është zhvilluar në dy vatra ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era.

Vijon operacioni për izolimin e vatrës në fshatin Arras, njësia administrative Arras, bashkia Dibër. Forcat po punojnë për të shmangur rrezikun për banesat, pasi era ndihmon përhapjen e flakëve drejt fshatit Shumbat të njësisë administrative Sllovë.

-Qarku Fier.

Në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Gjatë natës, vatra e zjarrit ka përparuar në thellësi të masivit pyjor, duke marrë një shtrirje edhe më të gjerë. Sot ka filluar operacioni me 13 forca nga MZSH Mallakastër, 15 forca bashkiake dhe 30 forca nga FA.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 292 hektarë sipërfaqe, mbi 1000 rrënjë kumbulla, qershi e ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 394 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë dhe 1 Helikopter.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje tё dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të lokalizuara.

Sa i përket zjarreve në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër, nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.

Vijon shembja e objektit të fundit në Theth

By: b b
15 July 2025 at 11:09

Mëngjesin e ditës së sotme ka nisur puna për shembjen e objektit të fundit pa leje në Theth.

Ky objekt do i japë fund aksionit në parkun e Thethit.

Më herët sot, një grup qytetarësh të Mirditës janë nisur drejt Thethit, në shenjë solidariteti me banorët e zonës së Dukagjinit për të protestuar në ditën e shembjes së objektit të fundit.

Kujtojmë se pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, nisi aksioni rreth një javë i IKMT-së, duke çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve të sotme, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj shtrohet në spital

By: b b
15 July 2025 at 10:52

Ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj është shtruar në spital që prej ditës së shtunës.

Sipas Klan News mësohet se Beqaj është shtruar me urgjencë në QSUT pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë.

Sipas mjekëve, gjendja e tij është ende e pastabilizuar.

Kujtojmë se Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e sterilizimit.

Zgjerohet “vala” e dorëheqjeve, largime nga bashkia Sarandë

By: b b
15 July 2025 at 10:47

Bashkia Sarandë është e radhës, në vazhdën e dorëheqjeve “zinxhir” që pas kritikave e ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.

Dorëheqjet e stafit në këtë bashki vijnë një ditë pas atyre në bashkitë Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër e Lushnje.

Në Shkodër, vetëm disa orë pasi drejtorët e Bashkisë dhanë dorëheqjen, kryebashkiaku socialist, Benet Baci, bëri thirrje për të aplikuar në pozicionet e lira të punës.

Në Lushnje, duke marrë për bazë ultimatumin e kreut të qeverisë për reformimin dhe rritjen e performancës së pushteti vendor në vend, ministrja Belinda Balluku u kërkoi dorëheqjen 13 drejtorëve të kësaj bashkie.

Balluku zhvilloi mbledhje dhe me 15 kryetarët e njësive administrative. Edhe këtyre të fundit, u kërkoi dorëheqjen e menjëhershme.

Në Elbasan, dhanë dorëheqjen disa drejtorë e administratorë. Njëjtë edhe në bashkinë e Kukësit.

Kujtojmë se kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.

Në mbledhjen e djeshme, 14 korrik, me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, Rama vuri theksin te një sërë reformash që do mundësojnë shërbime më efikase ndaj qytetarëve.

Kujtojmë se më herët, dorëheqje masive ka pasur në bashkinë Vlorë, Fier dhe Durrës./tvklan

I akuzuar për shpërdorim detyre/ SPAK kërkon dy vite burg për Jorgo Goron

By: b b
15 July 2025 at 09:55

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro.

SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite burg për Goron, që konvertohet në 1 vit e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar.

Kujtojmë se Jorgo Goro akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me ish-drejtorin e Tokës dhe Menaxhimit të Pronës të Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha gjithashtu i pandehur në këtë dosje.

Çështja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon Goron se në vitin 2016 ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë duke ia kaluar Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.

Ndërkohë për një çështje tjetër, Goro u gjet fajtor për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie duke u dënuar me dy vite e 20 ditë heqje lirie.

Flakët nuk ndalen në Drenovë, pritet ndërhyrje nga ajri

By: b b
15 July 2025 at 09:45

Prej ditës së dielë, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën pyjore të Drenovës në Mallakastër.

Siç raportohet, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive, ndërsa në terren ndodhen 30 trupa të ushtrisë, që janë angazhuar përkrah zjarrfikësve dhe forcave bashkiake në përpjekje për të izoluar flakët.

Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja me mjete zjarrfikëse është e pamundur, ndaj puna po vijon me mjete rrethanore, ndërsa pritet ndërhyrje edhe nga ajri.

Mësohet se zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi./tvklan

Rritja ekonomike e Kinës tejkalon pritshmëritë, pavarësisht tarifave të Trumpit

By: b b
15 July 2025 at 09:33

Ekonomia e Kinës ka shënuar rritje më të mirë se pritej, pavarësisht tarifave të SHBA-së dhe krizës së gjatë në tregun e pronave që kanë ndikuar në ngadalësimin e saj.

Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia e Kinës u rrit për 5.2% në tremujorin që përfundoi në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje është pak më e lartë se parashikimi i ekonomistëve prej 5.1%, por më e ulët se në tremujorin e mëparshëm.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë e shmangu një rënie të madhe, pjesërisht falë masave të marra nga Qeveria dhe një marrëveshjeje të dobët tregtare me SHBA-në.

Ekonomia “ka përballuar presionin dhe ka përparuar me qëndrueshmëri, pavarësisht sfidave”, tha përmes një deklarate Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës.

Sipas zyrtarëve, rritja ekonomike u mbështet nga një rritje prej 6.4% në prodhim, falë kërkesave më të mëdha për pajisje printimi 3D, makina elektrike dhe robotë industrialë.

Sektori i shërbimeve në vend – që përfshin transportin, financat dhe teknologjinë – gjithashtu pati rritje.

Megjithatë, disa ekonomistë presin që Kina të mos e arrijë objektivin e saj vjetor të rritjes prej “rreth 5%” këtë vit.

Lufta tregtare mes presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, bëri që SHBA-ja të vendoste taksa prej 145% mbi importet kineze.

Pekini iu përgjigj duke vendosur taksa 125% mbi disa mallra amerikane.

Këto taksa u ndaluan përkohësisht pas bisedimeve në Gjenevë dhe Londër. Tani, të dyja vendet kanë kohë deri më 12 gusht për të bërë një marrëveshje tregtare afatgjate.

SHBA-ja ka vendosur taksa të larta edhe ndaj vendeve që kanë lidhje të ngushta ekonomike me Kinën./REL

Tentoi t’i jepte fund jetës prej dhunës? Arrestohet babai i 17-vjeçares në Vlorë

By: b b
15 July 2025 at 09:24

Policia ka zbardhur detaje nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku u vetëplagos rëndë me armë zjarri një 17-vjeçare.

Uniformat blu kanë vënë në pranga babain e 17-vjeçares, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij dhe për këtë arsye, ajo ka tentuar të vetëvritet.

Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë gjyshi i saj, pasi posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.

“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:

• arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë;

• referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.

Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Shtetasja e mitur ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

❌
❌