Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 July 2025Main stream

Trump kritikon kryebashkiakun e Londrës: Ka bërë një punë të tmerrshme

By: el da
28 July 2025 at 22:52

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin britanik, Keir Starmer, ka ndezur debat me deklaratat e tij teksa ka kritikuar hapur kryebashkiakun e Londrës.

Teksa tregoi për planet e tij për të vizituar Londrën, Trump u shpreh gjithashtu se nuk është aspak fans i kryebashkiakut Sadiq Khan.

“Mendoj se ai ka bërë një punë të tmerrshme. Kryetari i Bashkisë së Londrës… një person i keq,” tha Trump me tone të ashpra.

Në përpjekje për të zbutur situatën, Starmer ndërhyri duke theksuar se Khan është një mik i tij. Por Trump nuk u tërhoq:

“Mendoj se ai bëri një punë të tmerrshme. Por unë patjetër do ta vizitoja Londrën.”

Pavarësisht kritikave ndaj Khan, Trump shprehu vlerësim për vetë kryeministrin Starmer si dhe për liderin e Partisë Reformiste, Nigel Farage. “Më pëlqen si Keir ashtu edhe Nigel, edhe pse kanë qëndrime të ndryshme politike. Të dy janë njerëz të mirë,” tha presidenti amerikan. m.p.

Radhë kilometrike kamionësh në kufirin Shqipëri-Kosovë

By: el da
28 July 2025 at 22:42

Një radhë e gjatë kilometrike e kamionëve të tonazhit të rëndë është krijuar pasditen e së hënës në aksin Bardhoc–Vermicë, në rrugën Morinë–Kukës, me drejtim nga Shqipëria drejt Kosovës.

Kamionët, të parkuar në dy rreshta përgjatë rrugës, po presin të hyjnë në Kosovë përmes pikës doganore të Vermicës.

Shkak i kësaj situate është masa e vendosur nga Ministria e Mjedisit dhe Transportit e Kosovës, e cila prej orës 11:00 deri në 17:00 ndaloi qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në autostrada dhe rrugë rajonale, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Edhe pse orari i ndalimit ka përfunduar, kamionët vijojnë të presin për të hyrë në Kosovë, kjo për shkak të pamundësisë së autoriteteve doganore të Kosovës për të përballuar fluksin dhe për të përfunduar në kohë procedurat doganore.

Radha e kamionëve nis që nga fshati Bardhoc dhe vijon deri te hyrja e doganës së Vermicës. Sot ishte dita e fundit e kësaj mase, e cila ka qenë në fuqi gjatë 15 ditëve të fundit të muajit korrik. m.p.

Dhuna ndaj kamarierit në Vlorë, publikohet videoja e plotë

By: el da
28 July 2025 at 22:34

Kanë dalë pamjet e rrahjes së oficerit të policisë (ish-shefit të Rrugores në Vlorë), Arjan Isufit, pasi ky i fundit, sëbashku me një mikun e tij, dhunuan një kamarier 18-vjeçar në ambientet e një hoteli në Vlorë.

Nga pamjet e siguruara, duket gqartë momenti i konfliktit dhe njerëzit që largohen me vrap nga njësia hoteliere, në kushtet e panikut. m.p.

Yesterday — 28 July 2025Main stream

Newcastle ndryshon sërish çmimin e kartonit të Alexander Isak

By: el da
28 July 2025 at 21:53

Duke parë interesin e shtuar të Liverpool, që kërkon transferimin e Alexander Isak, Newcastle ka ndryshuar çmimin e kartonit të sulmuesit suedez. “Qymyrxhinjtë” nuk mjaftohen me 150 milionë euro, por tashmë e kanë rritur çmimin në 170 milionë euro.

Edhe pse sulmuesi suedez e ka bërë të qartë se dëshiron vetëm të transferohet te Liverpool këtë verë, Neëcastle kërkon të përfitojë sa më shumë nga kartoni i tij. Liverpool po përgatitet të dërgojë ofertën e parë për Isak brenda kësaj jave, por nuk pritet më shumë se shifra 120 milionë euro.

Këtë lëvizje të fundit të Newcastle për të rritur me 20 milionë euro më shumë kartonin e sulmuesit, mediat angleze e shikojnë si një lloj presioni, që oferta e Liverpool të arrijë deri në 140 milionë euro. Nëse kampioni i Anglisë ofron këtë shifër, pra 140 milionë euro, Newcastle nuk ka rrugë tjetër veçse të pranojë.

Të vetme klube që mund të paguajnë pa problem shifrën e vendosur në 170 milionë euro janë vetëm ato arabe, por Alexander Isak ka refuzuar transferimin në ligën saudite dhe do vetëm të shkojë te Liverpool. m.p.

Kosova pret Kushtetuesen për zgjidhjen e ngërçit në Parlament

By: el da
28 July 2025 at 21:41

Sipas vendimit aktual, deri më 8 gusht Kuvendi nuk ka të drejtë të mblidhet, pasi paraprakisht kishte konsumuar 54 herë mundësinë për të konstituuar legjislaturën e nëntë. Njohësit e çështjeve kushtetuese shpresojnë që Gjykata Kushtetuese të sjellë jo vetëm një vendim të shpejtë, por edhe të qartë, ndryshe rrezikohet një krizë e rëndë.

“Përtej diskursit politik, besoj që Kosova ka hyrë në një krizë e cila nuk është më vetëm kushtetuese e politike, por edhe drejtpërdrejt me pasoja ekonomike dhe sociale. Në një situatë të tillë, vendi rrezikon që, përkundër masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, pas skadimit të këtij afati ose në rast të një vendimi të paplotë, të hyjë në një krizë më të thellë – atë se si do të veprohet tutje,” tha Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në vendimin e parë, Kushtetuesja i dha Kuvendit afat 30-ditor për konstituim, por gjatë kësaj kohe deputetët asnjëherë nuk votuan për ndonjë kandidat për kryeparlamentar – por vetëm për ngritjen e një komisioni për votim të fshehtë. Sipas njohësve, kjo mund të jetë subjekt i interpretimit nga Kushtetuesja, e cila mund të përcaktojë nëse afati konsiderohet i konsumuar apo jo.

“Gjykata ka precizuar që një kandidat mund të dështojë dhjetëra herë dhe vendi nuk shkon në zgjedhje. Por, kur dështimi tejkalon afatin 30-ditor, unë besoj që kjo është pjesa ku gjykata duhet të sqarojë dhe të përcaktojë që vendi shkon në zgjedhje – qoftë me dekret të Presidentes, apo në këtë rast me aktgjykim që do të përcaktonte një gjë të tillë dhe që do të ndiqej si precedent,” tha Cakolli.

Një tjetër sqarim që pritet nga Kushtetuesja është edhe sjellja e kryesuesit të seancës konstituive, i cili – sipas ekspertëve – nuk ka të drejtë t’i shmanget rendit të ditës të dakorduar mes partive para seancës së parë. Në rastin konkret, Avni Dehari është akuzuar se ka ndryshuar rendin e ditës kur hodhi në votim komisionin për votim të fshehtë, ndonëse kjo mënyrë votimi nuk ishte dakorduar në takimin e mbajtur më 8 prill.

Në rast se Gjykata nuk jep një vendim deri më 8 gusht, mundësitë janë që masa e pezullimit të vazhdojë. m.p.

Luftoi me flakët për të shpëtuar jetë, Agim Troci: Mendova për fëmijët

By: el da
28 July 2025 at 21:32

Agim Troci, heroi i cili rrezikoi jetën për të shpëtuar fëmijë e të moshuar mes flakëve në Delvinë ka rrëfyer momentet e tmerrit.

Shefi i Komisariatit të Policisë Delvinë, shprehet se nga tymi dhe bloza ka rënë pa ndjenja pasi shpëtoi banorët e zonës.

“Na thanë zjarrfikëset që banorët nuk pranojnë të evakuohen. Mes tyre ishte dhe një fëmijë 10 vjeç. Morëm në krahë dhe një grua të moshuar. Pastaj një çift të moshuarish që nuk pranonin.

Gjeta një kovë të vogël me ujë laga bluzën thashë të mos asfiksohem. U çoj lokacionin kolegëve. Telefonat mu bllokuan nga nxehtësia. U ula u mendova.

Ishte moment i vështirë mendova fëmijët dhe familjen. Kam vrapuar 100 metra për të gjetur zjarrfikësen ku e lashë, por nuk e gjeta. Kishte shumë tym dhe blozë, kam rënë pa ndjenja.”-tha Troci për Top Channel.

Ajo që mendoi ai në mometet e vështira të ndërhyrjes, ishin fëmijët dhe familja. Sakaq, Troci i cili tashmë ndodhet në spital pasi ka djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, shprehet se mezi pret që të rikthehet në punë. Veprimet e tij i quan të zakonshme. Troci merr pafund mesazhe vlerësuese në celular.

“Kam më shumë se 2500 mesazhe në telefon. Jam ndjerë mirë. Vizita nga e gjithë Shqipëria. Por sinqerisht nuk kam bërë asgjë për të marrë këtë protagonizëm.

Njerëzit duhet të veprojnë me zemër. Zemra nuk të lë të gabosh asnjëherë. Unë mezi pres të kthehem në punë”, përfundoi Troci. m.p.

Klienti godet me thikë praktikantin e berberhanes, zbardhen detajet

By: el da
28 July 2025 at 21:26

Zbardhen detaje të reja nga plagosja e 25-vjeçarit në Vlorë!

Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes autorit dhe të plagosurit.

Autori Shkëmbor Skënderaj ka hyrë brenda berberhanes ku ndodhej 25-vjeçari Margarit Shakaj dhe e ka goditur atë me thikë në kraharor.

Pas sulmit, ai ka hedhur thikën në trotuar dhe është larguar me vrap nëpër lagje. Deri tani, policia ende nuk ka arritur ta kapë. m.p.

Avokati Kujtim Cakrani: Rama është palaço që i hedh benzinë zjarrit

By: el da
28 July 2025 at 21:14

Avokati Kujtim Cakrani, mbrojtësi ligjor i policit Ardian Isufi i cili tashmë është i pezulluar, ka deklaruar se nuk është klienti i tij ai që goditi kamarierin 18-vjeçar në Vlorë.

Për emisionin “Now” në Euronews Albania, Cakrani hodhi akuza duke thënë se video e publikuar është prerë me qëllim që të sulmohet efektivi i policisë.

Kujtim Cakrani nuk la pa akuzuar edhe kryeministrin Edi Rama të cilin e quajti një palaço i cili i hedh benzinë zjarrit.

Avokati Kujtim Cakrani u shpreh se është e turpshme që asnjë oficer policie nuk ka vizituar në spital efektivin Ardian Isufi.

“Disa persona kanë ardhur dhe kanë goditur policin pa mendje. Nuk është gjë e mirë ajo që polici duhet të kishte ndërhyrë.

E turpshme është që një oficer policie mos t’i shojë një polici në spital. Turp Drejtorit të Policisë së Shtetit, dhe turp atij palaço kryeministri që i hedh benzinë zjarrit. Video e publikuar e prerë është bërë për të sulmuar policin. Unë kam bërë publike një video.”-tha Cakrani. m.p.

Duka, vizitë historike në Bujanoc për turneun futbollit në Luginën e Preshevës

By: el da
28 July 2025 at 21:07

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në komunën e Bujanocit, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në Luginën e Preshevës me mbështetjen e FSHF-së.

Në këtë vizitë, Presidenti Duka u shoqërua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Ata u pritën në një takim miqësor nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të klubeve shqiptare “Tërnoci” dhe “Besa”, si dhe përfaqësues të medias lokale.

Gjatë takimit, Presidenti Duka u njoh nga afër me situatën aktuale të futbollit në këtë zonë, si dhe me nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij. U kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet.

Presidenti Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për aktivizimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit në nivel komunitar.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi FSHF-në për kontributin konkret në organizimin e këtij aktiviteti, duke e cilësuar si një nismë me vlera të mëdha sportive dhe shoqërore që forcon bashkëpunimin dhe frymën e unitetit përmes sportit.

Në takim u përmend edhe figura e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, me origjinë nga Tërnoci, i cili është një shembull frymëzimi për fëmijët e Luginës së Preshevës që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sportit. m.p.

Lufta në Gaza, BE propozon që Izraelit t’i pezullohet qasja në fonde

By: el da
28 July 2025 at 20:54

Komisioni Evropian ka propozuar pezullimin e qasjes së Izraelit në fondet e Bashkimit Evropian për start-up në fushën e teknologjisë, teksa presioni rritet për shkak të situatës së rënduar humanitare në Gazë.

Kjo lëvizje nga Brukseli vjen në kohën kur disa shtete të BE-së po kërkojnë hapa konkretë kundër Izraelit në dritë të rritjes së frikës për uri të thelluar në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.

“Edhe pse Izraeli ka njoftuar një pauzë të përditshme humanitare të luftimeve në Gaza… situata mbetet e rëndë”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.

Propozimi për të pezulluar pjesërisht përfshirjen e Izraelit në programin gjigant të kërkimeve Horizon do të diskutohet nga 27 vendet anëtare të BE-së të martën.

Një pezullim i tillë kërkon miratimin e shumicës së shteteve anëtare në mënyrë që të hyjë në fuqi.

BE-ja ka hasur vështirësi në marrjen e masave lidhur me konfliktin në Gaza, pasi është e ndarë mes përkrahësve të Izraelit dhe atyre që kanë qëndrim më të favorshëm ndaj palestinezëve.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, këtë muaj paraqiti një sërë opsionesh për të ndëshkuar Izraelin, pasi ky i fundit u gjet fajtor për shkelje të marrëveshjes së bashkëpunimit me BE-në mbi baza të të drejtave të njeriut.

Brukseli po ashtu tha se kishte arritur një marrëveshje me Izraelin për të rritur qasjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Teksa BE-ja thotë se Izraeli ka ndërmarrë disa hapa për të zbatuar premtimet për rritjen e ndihmës humanitare, ende mbetet shumë për të bërë.

Pezullimi i pjesshëm i qasjes në programin Horizon është një nga masat më të kufizuara që Brukseli mund të ndërmarrë. m.p.

Cilat janë pasaportat më të fuqishme në botë për 2025?

By: el da
28 July 2025 at 20:47

Firma britanike e konsulencës Henley & Partners ka publikuar edhe këtë vit renditjen e saj, tashmë tradicionale, të pasaportave më “të fuqishme” në botë, domethënë dokumenteve që ju lejojnë të vizitoni numrin më të madh të vendeve të mundshme pa pasur nevojë për vizë ose thjesht duke plotësuar një formular për ta marrë atë kur hyni në vendin e destinacionit.

Çdo vit, ajo vlerëson pasaportat nga 199 vende dhe i krahason ato me 227 destinacione të mundshme në mbarë botën. Nuk është renditja e vetme e këtij lloji, por është e vetmja që përdor të dhëna nga baza e të dhënave e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), duke i krahasuar ato me informacionin mbi rregulloret e hyrjes për pothuajse çdo vend në botë.

Sipas renditjes së këtij viti , pasaporta e Singaporit mbetet më e fuqishmja, duke lejuar udhëtimin pa viza në 193 vende, një numër shumë i lartë, megjithëse më i ulët se 195 vendet e vitit të kaluar. Disa renditje përfshijnë disa vende të barabarta për vendin e parë, siç janë Japonia dhe Koreja e Jugut të renditura në vendin e dytë, dhe vendet e treta, të gjitha evropiane: Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia dhe Spanja (anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian ndihmon). Pasaporta italiane, së bashku me vendet e tjera të treta, lejon udhëtimin pa viza në 189 vende.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat deri një dekadë më parë kishin dy nga pasaportat më të fuqishme, tani renditen përkatësisht në vendin e dhjetë dhe të gjashtë, me 182 dhe 186 vende. Gjermania ishte në vendin e parë në vitin 2016 me 177 vende; tani renditet e treta, por me 189, për shkak të një rritjeje të përgjithshme të hyrjes pa viza dhe me rrugë të shpejtë. Duke krahasuar vitet 2016 dhe 2025, Kina u rrit nga vendi i 87-të në të 60-tin, ndërsa Rusia u rrit nga vendi i 48-të në të 46-tin.

Shqipëria renditet në vendin e 43-të dhe pasaporta shqiptare njihet në 122 vende të botës ku mund të hyhet pa vizë. Ndërsa me pasaportë të Kosovës mund të shkosh në 82 vende të botës pa vizë, renditet në vendin e 61-të, një poshtë Kinës.

Siç ka qenë rasti për shumë vite, pasaporta e Afganistanit mbetet në fund të listës: ajo lejon hyrjen pa viza vetëm në 25 vende (kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe shtete të vogla të Oqeanisë). Pasaporta e Irakut lejon hyrjen në 30 vende, dhe ajo e Sirisë në 27, një rënie e lehtë krahasuar me vitin e kaluar. m.p.

Grushtet mbi kamerierin dhe shuplaka mbi shoqërinë

By: el da
28 July 2025 at 20:35

Nga Sebi Alla

Shuplakë, grushte dhe fyerje mbi një gjimnazist vetëm 18-vjeçar, kamerier në një kompleks të njohur në Vlorë. Dhunuesi mund të ishte kushdo. Një i dehur, një i dehidratuar nga trutë, apo kapadai idiot që i ka veshur vetes rolin e të fortit. Por jo, qëllon që të dy dhunuesit janë në një tavolinë, polici që duhet të jetë kundër krimit dhe një tjetër i skeduar për krime. Dhunë mbi të riun, ëndrra e të cilit është studimi dhe puna për të mbajtur veten dhe familjen, me nder që ja jep puna dhe dije që i vjen nga vetja dhe sakrifica prindërore. Është nxënës ekselent…!

E mavijosën, e fyen, e shanë. Dhimbja fizike ikën shpejt, por atij djaloshi e shumë të tjerëve si ai, të së njëjtës moshë e shtrese shoqërore, i vranë shpresën, jo dje, jo sot, por ngadalë, për dekada. Dhe zinxhiri i të fortëve nuk paska fund, në një ngjarje që tregon më shumë se një sherr lokal në një bar lokali.

Dhunuesi polic dhunohet nga të tjerë më të fortë se ai, bartës së ligjit të pashkruar të xhunglës sonë. E pas tyre një tjetër “dhunë”, vjen nga një më i fortë se të gjithë të fortët, shteti, me përfaqësues kryeministrin i cili në përgjigje të mllefit qytetar “dhunon” paksa ligjin kur shprehet se: “Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali”.

Edhe kryeministri tregoi “dhunën institucionale”, pasi të drejtën për përjashtim të përhershëm nga radhët e policisë e ka kreu i Policisë së Shtetit, e po ashtu është në tagrin e drejtësisë së “pavarur” të vendosë ose jo nisjen e hetimeve. Por në këtë lojë të fortësh, fiton më i forti dhe pësuesi është gjithnjë ai që quhet më i dobët, që në fakt është shumë më i fortë se ata. Ai djalë 18-vjeçar as reagoi për mbrojtje, por ktheu faqen tjetër. Përse? Mos një polic me shapka (jashtë shërbimit) nuk e shtrinte dot përdhe?

Po edhe ia mundte fiziku, por ai ndeji, duroi dhe përjetoi një krim të shëmtuar që nisi në buzën e banaku të barit, për të përfunduar lart e më lart. Shoqëria u nda. Tashmë ankohen familjarët e policit se sipas tyre pasi dhunoi kamerierin, dhunuesin e dhunuan pronari i lokalit e një 15 të tjerë… të fortë edhe ata. Muskuj e para, kjo e fundit blek edhe grushtfortët. Në spital është polici, por me ca lëndime fizike, plagë që ia shuan koha, pa dalë akoma vera. Ajo çka mbjellim çdo ditë dhe e vadisin këta “bahçevanë krimi” është dhunimi nga një grupi të vogël mbi shumicën qytetare. Edhe policin e “dhunon” shefi i policisë që i jep një vend pune dhe e degdis jashtë rrethit për të ruajtur postet për tarafin e tij dhe jo meritën e gradës.

Edhe atë shefin e shefit e dhunon dikush tjetër që ka fuqi ta urdhërojë pa rregull e ligj, e ta përçudnojë sa herë nuk i shkon diçka sipas midesë. Në numër pak të fortë gjen, një dreq grushti janë ata që përdorin grushtet, koburen dhe vulën, ama nënshtrojnë një shoqëri dhe qytetari. Sa shpejt harruam. Kamerierë janë vrarë si “dem kolateral”, sanitare dhe qytetarë pa boxh kujt po ashtu, sepse të fortët i zë gjaku e zbrazin armë kuturu, pa pyetur se drejt kujt shkojnë ato plumba.

E kur vjen koha në ndonjë rast të përballen edhe ata kanë një më të fortë, prokurorin e gjykatësin, që edhe ai bën të fortin, për tu zbutur nga ndonjë shuk i madh valute. Nëse ndonjë i drejtë jep drejtësi, e të plas përjetë dyerve të burgjeve, ka ende shpresë për të fortët. Një më o fortë se vetë forca, ndryshon Kodin Penal, jep liri edhe për të dënuarit përjetë…!

Le të mllefosemi në rrjetet sociale, të harrojmë ca kohë derisa të vijë një dhunë tjetër dhe si gjithnjë, historikisht të reagojnë histerikisht, pa e kuptuar se kemi në duart forcën e madhe, protestën, që kurrë se përdorim ku duhet e si duhet, duke u bërë mish për top në revoltat politike dhe jo për kërkesat qytetare. Kush fitoi? Forca. Kush humbi? Qytetaria, dija, ndershmëria. m.p.

3 kërkesat e Shabanit për Lapajn para se… të shtypte “butonin e kuq”

By: el da
28 July 2025 at 20:29

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Endrit Shabani i kërkoi takim Adriatik Lapajt për të diskutuar mbi vijimësinë e koalicionit. Ai shfrytëzoi javët më të nxehta, ato kur kishte mundësinë e “butonit të kuq”, përdorimin e dajës së tij për të penguar mandatin e Lapajt.

Ky i fundit ishte i vetëdijshëm se mund ta humbte mandatin, nëse Shabani do të tregohej i pabesë, por duket se nuk e imagjinonte se aleati i tij ishte realisht ta bënte këtë. Për fatin e tij të keq, ashtu si edhe për fatin e keq të të gjithë koalicionit, Shabani e bëri. Ai ia hoqi Lapajt të drejtën për të shkuar në parlament.

Cilat ishin tri kërkesat e Shabanit, që ujërat të ishin të qeta? E para, ai kërkoi 1/3 e buxhetit shtetëror të “Shqipëria Bëhet”, nëse kjo parti do të merrte mandatin. Logjika e Shabanit ishin 10 mijë votat në rang kombëtar të partisë “Nisma Thurje”, si aleate e koalicionit. Deri këtu, nuk ka ndonjë tepri.

Së dyti, Shabani kërkoi që ai të ishte kandidat i përbashkët i koalicionit për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë. Pra, kërkoi që Lapaj ta mbështeste publikisht si kandidat. Së treti, Shabani kërkoi që ai të bëhej drejtues i koalicionit për katër vitet e ardhshme.

Duke qenë se Lapaj nuk po i jepte përgjigjet që priste, Shabani kundërveproi duke shtypur “butonin e kuq”, pra duke i hequr mandatin aleatit dhe mikut të tij.

A mund ta kishte menaxhuar Lapaj më mirë situatën? Padiskutim që po. Zakonisht, politikanët luajnë me dy porta dhe ruajnë një as nën mëngë. Fare mirë, Lapaj mund t’ia pranonte të trija kërkesat Shabanit dhe, me të marrë mandatin, pas 2-3 muajsh, mund të tërhiqej duke thënë se aleati i tij nuk ia mbush mendjen për të qenë lider i koalicionit.

Pse nuk e bëri këtë? Ose nuk e ka menduar si opsion, ose sepse kishte besim absolut se Shabani nuk do të tregohej i pabesë. Ja që e bëri…

Milan dhe Juventus, në garë për “dështakun” e sezonit

By: el da
28 July 2025 at 19:52

Sipas asaj që raporton “talkSport, Milan dhe Juventus kanë shtuar interesimin për Darwin Nunez. E ardhmja e sulmuesit uruguaian te Liverpool është në dyshim, sidomos pas transferimeve të bujshme që kanë bërë kampionët e Anglisë këtë verë. Po ashtu, Liverpool është shumë afër transferimit të Alexander Isak për 120 milionë euro nga Newcastle. Me një dyshe sulmuese Ekitike-Isak, nuk ka vend për Nunez te Liverpool.

Për urugianin ka interes edhe nga klubet arabe, por sulmuesi preferon të qëndrojë në elitë dhe Serie A mund të ishte destinacioni i duhur për të. Në 47 ndeshje sezonin e fundit, Nunez shënoi 7 gola dhe dha 7 asiste, shumë larg pritshmërive ndaj tij.

Pavarësisht këtyre statistikave, Milan dhe Juventus janë të bindur se uruguiani do të ishte një përforcim ideal për sulmin e tyre. Juventus e shikon Nunez si zëvendësuesin e duhur për Dusan Vlahovic, pasi serbi është drejt largimit. Në anën tjetër, Max Allegri e pëlqen shumë 26-vjeçarin dhe kuqezinjtë janë duke kërkuar për një sulmues të mirëfilltë dhe Nunez duket zgjedhja e duhur.

Problem mbetet shifra e madhe që kërkon Liverpool për të lënë të lirë sulmuesin e tyre. Ndërsa Juventus dhe Milan interesohen më shumë për formulën e huazimit. m.p.

Kryeministri francez: Marrëveshja e BE me Trump, ditë e errët për Evropën

By: el da
28 July 2025 at 19:44

Kryeministri francez François Bayrou thotë se Bashkimi Evropian ka kapitulluar para kërcënimeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për rritje të tarifave, duke e quajtur marrëveshjen kornizë të arritur në Skoci të dielën një “ditë të errët” për BE-në.

“Është një ditë e trishtueshme kur një aleancë kombesh të lira, të mbledhura për të afirmuar vlerat e tyre të përbashkëta dhe për të mbrojtur interesat e tyre të përbashkëta, pranon të nënshtrohet”, shkroi Bayrou në rrjetin social X të hënën.

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përshëndetën marrëveshjen, të cilën Komisionari Evropian i Tregtisë Marosh Shefçoviq e quajtën një hap përpara të hënën përballë kërcënimit të një lufte tregtare shkatërruese midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Marrëveshja do të vendosë tarifa prej 15% për pothuajse të gjitha eksportet evropiane në SHBA, përfshirë makinat, rreth tre herë më të larta se tarifa aktuale prej 4.8%, por shmang kërcënimin e tarifave ndëshkuese prej 30% që Trump kishte planifikuar të vendoste deri më 1 gusht nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, transmeton KosovaPress.

Tregjet evropiane të aksioneve arritën nivelin më të lartë katërmujor në tregtimin e hershëm të hënën, të nxitura nga lehtësimi që ishte arritur një marrëveshje. Indeksi Dax i Gjermanisë u rrit me 0.86% dhe indeksi Cac 40 i Francës u rrit me 1.1%, duke e çuar indeksin pan-evropian Stoxx 600 në nivelin e tij më të lartë që nga fundi i marsit, raporton The Guardian.

Por Franca, e parë si bashkë-pilot i projektit evropian së bashku me Gjermaninë, e ka bërë të qartë pakënaqësinë e saj. “Kjo gjendje nuk është e kënaqshme dhe nuk mund të mbahet”, shkroi ministri francez i Çështjeve Evropiane Benjamin Haddad në X, duke i bërë thirrje BE-së të aktivizojë “instrumentin e saj anti-detyrues”, i cili do të lejonte masa hakmarrëse jo-tarifore.

Ministri francez i Tregtisë Laurent Saint-Martin kritikoi mënyrën se si BE i trajtoi negociatat, duke thënë se nuk duhej të kishte hequr dorë nga masat hakmarrëse në atë që ai e quajti një luftë për pushtet të nisur nga presidenti Trump.

“Donald Trump kupton vetëm forcën,” tha Saint-Martin për radion France Inter: “Do të kishte qenë më mirë nëse do të kishim treguar më parë aftësinë tonë për hakmarrje. Dhe atëherë marrëveshja ndoshta do të dukej ndryshe.”

Detaje të reja të marrëveshjes kanë dalë në dritë, me zyrtarë të lartë që thonë se një tarifë prej 15% mbi importet e BE-së do të zbatohet për 70% të mallrave të shitura në SHBA.

Tarifat zero do të zbatohen për importet e BE-së në sektorë kyç si pjesët e avionëve, disa kimikate, pajisjet e prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe disa produkte bujqësore si tapa e përdorur në shishet e verës dhe dyshemetë.

Sektori farmaceutik i BE-së nuk do të përballet me tarifa më të larta se 15% sipas marrëveshjes së arritur me Trump. m.p.

GJKKO kalon për gjykim dosjen ‘Revanshi’, të pandehur Shullazi, Avdyli e Duka!

By: el da
28 July 2025 at 19:39

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ‘Revanshi’, ku të pandehur janë marrë Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka e Gjergji Cukali.

Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se në total janë 14 të pandehur, ndër ta Enver Dida, Besian Xhixha, Robert Laçi, Drianto Bardhi, Miri Bruli, Xhelal Rraja, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Naim Stafuka dhe Blerim Abazi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kishte shtrirje dhe aktivitet kriminal të organizuar dhe të ndërlidhur, me planifikime për vrasje të disa shtetasve, ndërhyrje në sistemin penitenciar dhe aktivitet të paligjshëm me armë, drogë dhe trafik ndërkufitar. Sipas hetimeve të dosjes “Revanshi”, Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi dhe Naim Stafuku, bashkëpunuan me të tjerë, për të vrarë Durim dhe Valter Bamin. Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi siguruan kushtet dhe mjetet materiale për vrasjen e Preng Gjinit në një atentat pranë Nesharakut në Tiranë.

Po ashtu bëhet e ditur se Emiljano Shullazi, dhunoi bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani. Astrit Avdyli ka mbajtur në banesë një pistoletë pa leje. Bashkë me Miri Brulin ata ndihmuan një person në kërkim për kalim të paligjshëm të kufijve nga Mali i Zi për në Shqipëri përmes liqenit të Shkodrës. Avdyli po ashtu, ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe me Emiljano Shullazi, kanë mbajtur telefona brenda në qeli dhe kanë komunikuar me persona të tjerë jashtë burgut për të porositur vrasje. m.p.

Trump përmend Kosovën dhe Serbinë: Po të mos isha unë…

By: el da
28 July 2025 at 19:26

Në një takim të zhvilluar kwtw tw hwnw në Britaninë e Madhe me kryeministrin britanik Keir Starmer, Presidenti i SHBA Donald Trump foli për situatat e tensionuara në nivel global, duke përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë.

Trump deklaroi se nëse ai nuk do të kishte qenë i angazhuar në skenën ndërkombëtare, do të kishin shpërthyer gjashtë luftëra nëpër botë, duke përmendur si shembuj konfliktet e mundshme në Indi-Pakistan, Kosovë-Serbi, Kongo-Ruandë dhe tensionet në Gaza.

Sa i përket Ballkanit, Trump theksoi se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin në një pikë kritike dhe se ai kishte ndërhyrë direkt për të parandaluar një përplasje të mundshme. Ai shtoi se u kishte thënë liderëve të të dyja vendeve se, nëse do të shpërthente një luftë, nuk do të kishte më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ky kërcënim, sipas Trump, kishte ndikuar që ata të tërhiqeshin nga përshkallëzimi i konfliktit. m.p.

Daja i Endrit Shabanit bëhet ‘ekspert ligjesh’, letër KQZ-së: Mos prano dorëheqjet!

By: el da
28 July 2025 at 19:16

Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, i cili ishte renditur i nënti në listën e mbyllur të kolicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun Tiranë, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), shpalljen të pavlefshme të deklaratave të dorëheqjes të dhëna nga kandidatët në listën e sigurt.

Ndonëse KQZ i dha mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt, Zeqiri që pretendonte më herët karrigen në parlament, thotë se duhet të shpallen të pavlefshme dorëheqjet nga mandati, me arsyetimin e bazuar në nënin 164 të Kodit Zgjedhor, se “një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore.”

Gjithashtu, Zeqiri pretendon se ka patur parregullsi në dorëheqjet e dhëna nga mandati, duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre.

“A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor?

Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve”,- shkruan Zeqiri në letrën drejtuar KAS dhe KQZ.

Me këtë lëvizje, duket se Zeqir Kordhoni po bën çmos që mandati të mos mbetet në llogoren e Lapajt, pasi ky i fundit e quajti Kleana Xhuvelin si “gardiane” të ulëses në parlament, derisa mandati të kalojë të lista e hapur, ku kreu i “Shqipëria Bëhet” kryeson si më i votuari.

Më 23 korrik, KQZ nuk i pranoi në bllok dorëheqjet e depozituara më 11 maj, të të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Por pavarësisht se nuk u dogjën dot si kandidatë, Celibashi, u njohu atyre të drejtën e tërheqjes nga mandati. Nga lista ishin penduar 2 emra, Xhuveli e katërta dhe Zeqir Kordhoni i nënti, dhe kishin shprehur vullnetin për të hyrë në Kuvend. E drejta i lindi së pari kandidates të radhitur më lart në listën e mbyllur. m.p.

20 mln euro, Granit Xhaka rikthehet në Premier League

By: el da
28 July 2025 at 19:08

Granit Xhaka bën rikthimin e bujshëm në Premier League, por këtë herë jo me Arsenal. Mesfushori shqiptar ka vendosur të mbyllë aventurën me Leverkusen, për të nisur një të re me Sunderland.

Xhaka do të firmosë me ekipin anglez një kontratë 3-vjeçare, pra të vlefshme deri në qershorin e vitit 2028. Ndërkohë që për të siguruar shërbimet e 32-vjeçarit, Sunderland do të shpenzojë 20 milionë euro.

Gjithçka është e kryer, teksa pritet vetëm zyrtarizimi. Kujtojmë se në garë serioze për shërbimet e mesfushorit ishte edhe Milan, por marrëveshja mes “Djallit” dhe Leverkusen nuk u arrit kurrë. m.p.

Dalin detajet: gafa nga SPAK, u arrestua “fukarai” në vend të Ilir Lloshit

By: el da
28 July 2025 at 18:57

Gazetari Fatmir Popja ka treguar historinë e Ilir Lloshit, një qytetari të thjeshtë dhe fukara nga Elbasani, i cili u arrestua ditë më parë në kuadër të një operacioni të madh të SPAK, për një rrjet që tarfikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine, drejt BE dhe Shqipërisë.

Mirëpo, tre ditë më pas kur të arrestuarit dolën në gjyq për verifikimin e masave të sigurisë, Ilir Lloshi u lirua menjëherë sepse aty u prova që ishte arrestuar gabimisht. Në fakt, Ilir Lloshi që duhet të ishte pas hekurave, është në arrati.

Shkruan gazetari Fatmir Popja

Në një episod që i ngjan më shumë një skenari filmik sesa një operacioni serioz hetimor është zbuluar pasi policia ka arrestuar fundjavën e kaluar një qytetar të pafajshëm nga Elbasani, vetëm sepse kishte fatin e keq të mbante të njëjtin emër me një të shumëkërkuar nga drejtësia.

Bëhet fjalë për Ilir Lloshin, një 54-vjeçar që jeton në varfëri ekstreme në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit i cili për disa ditë u mbajt nën arrest si pjesë e operacionit të bujshëm të SPAK, i mbështetur mbi dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erjon Alibej në çështjen “Plumbi i Artë”.

Por pas disa ditësh ndalimi, rezultoi se policia kishte bërë një gafë të rëndë, kishte ngatërruar personin që duhej të ishte arrestuar. Në të njëjtën lagje ku u zhvillua operacioni, jetojnë dy persona me emrin Ilir Lloshi. Autoritetet, pa kryer verifikimet e nevojshme dhe pa përdorur as metodat më bazike të identifikimit personal, i vunë prangat të gabuarit.

Iliri Lloshi që u arrestua gabimisht është një burrë i thjeshtë, i papunë, që përkujdeset për motrën e tij të sëmurë dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetet kriminale për të cilat akuzohet “Iliri tjetër”, ende i lirë dhe i pakapur.

Pas lirimit, qytetari arrestuar gabimisht është rikthyer në banesën e tij modeste, mes qetësisë dhe ironi së hidhur të fatit. Fqinjët i kanë sugjeruar të padisë SPAK dhe Policinë për arrestim të paligjshëm, ndërkohë që rasti ka hapur një debat të ri për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe saktësinë në veprimet e forcave të rendit.

Ky incident i rëndë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e punës së institucioneve të zbatimit të ligjit në vend, sidomos kur bëhet fjalë për operacione të ndjeshme si ato të ndërtuara mbi dëshmi të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Ironikisht, ndërsa një qytetar i pafajshëm u poshtërua padrejtësisht, personi i akuzuar real mbetet ende në kërkim ,një ironi e ashpër që vë në diskutim vetë funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe besueshmërinë e aksioneve “të suksesshme”.

Ky nuk është vetëm një rast njerëzor që meriton ndjesë publike dhe drejtësi për viktimën e gabimit ,është një alarm për të gjithë sistemin, kur drejtësia humb busullën, i pafajshmi vuan, dhe fajtorët qeshin nga distanca.

❌
❌