Nuk kuptoj se përse shumica e medias te ne janë të pozicionuara sikur do të kënaqeshin shumë dhe do të fërkonin barkun sikur iniciativa e Z. Trump për paqe me Rusinë të dështonte!
A thua sikur janë lobi të industrisë së armatimit që shet armë për ata që vriten me njeri tjetrin atje dhe kanë frikë se paqja do t’u lejë stok kallashnikovë të pashitur!
Pse bëjnë si gjinkalla në vapë, shplajnë trutë e publikut?
Ajo që kuptoj është se përse durrsakët e mirë u bëjnë aq hyzmet kosovarëve në plazh.
Pa kosovarët në plazh pothuajse nuk do të kishte këmbë turisti dhe berberët, shitësit e pajisjeve elektrike, shitësit e rrobave të vjetra, shitësit e pispilive, pulave të pjekura, të byreqeve, shitësit e gjerdanëve me flori turk, të brekëve të detit, shitësit e kosit, dhallës, akulloreve, ata të nderuar që vertisin çelësa dhomash me qira në rrugë, këpucarë, lavazhuesit e qerreve, etj., do të detyroheshin të mbyllnin dyqanet duke iu vënë qepenën!
Hyzmeqarë dakord, por kjo është jeta!
Të jem si këta, taksën e kalimit të trarit të kosovarëve për të ardhur këtu, ja u paguanin këta me qejf atyre!
Ndonjëherë mendoj, ç’do bënin këta po të mos ishte pavarësuar Kosova ? Do të hante njeriu njeriun këtu!
Dursaku i mënçur dhe i butë, ngado të ketë ardhur dhe vendosur këtu, e di shumë mirë.
Po ju e dini?
Po e dini, uleni një çikë delirin!
Do të thoni ju çfarë lidhje ka lufta në Ukrainë me pushuesit nga Kosova në Durrës, Golem, Qerret, Mali i Robit ?
Ka dhe shumë madje, por kur ta kuptojnë disa elita politiko-mediatike do të jetë aq vonë sa të vish të lahesh në Durrës në mes të janarit!/ KultPlus.com
Maltina Jashari, me prejardhje nga Ferizaj dhe e lindur e rritur në Manchester, Mbretëri e Bashkuar, ka shënuar histori si garuesja e parë femër shqiptare në Formula. Ajo përfaqësoi për herë të parë Republikën e Kosovës në gara ndërkombëtare dhe ngriti flamurin tonë, duke bërë krenar jo vetëm vendin, por edhe komunitetin shqiptar në diasporë.
Maltina është një shembull frymëzimi për të rinjtë në Kosovë dhe Manchester, duke kombinuar sportin me studimet. Ajo ndjek Inxhinieri Arkitekturore në Mbretërinë e Bashkuar, krahas karrierës së saj në Formula 4, duke treguar se pasioni dhe përkushtimi mund të shkojnë paralelisht.
Sot, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e priti Maltinën në një takim të veçantë dhe e përgëzoi për sukseset e saj të jashtëzakonshme. Ai theksoi se arritjet e Maltinës janë një burim frymëzimi për të rinjtë e qytetit dhe një shembull i qartë i kombinimit të talentit, disiplinës dhe punës së palodhur.
Ky takim shënon një moment të veçantë për Ferizajn dhe Kosovën, duke reflektuar fuqinë e të rinjve shqiptarë që arrijnë të bëjnë krenar kombin në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com
Filmi i shkurtër me skenar dhe regji nga Alban Muja, “Mua besoj më shpëtoi portreti” (I Believe the Portrait Saved Me), pati premierën rajonale në Festivalin e Sarajevës, ku konkuroi në seksionin zyrtar për Zemrën e Sarajevës në kategorinë e filmave dokumentarë, si dhe në kategorinë European Short.
Krahas kineastëve të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë, regjisori Alban Muja dhe producenti Edon Rizvanolli iu përgjigjën pyetjeve të publikut pas shfaqjes së filmit në të dyja kategoritë.
Nominimi i filmit në dy kategori të ndryshme përbën një rast të rrallë dhe të veçantë, i cili u prit me krenari nga ekipi i filmit dhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, duke theksuar rëndësinë dhe cilësinë e prodhimeve kinematografike nga Kosova në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com
Panelet diellore në hapësirë mund të ulin nevojat tokësore të Evropës për energji të rinovueshme me 80% deri në vitin 2050, sipas një studimi.
Duke përdorur një model të detajuar kompjuterik të rrjetit të ardhshëm të energjisë elektrike të kontinentit, studiuesit zbuluan se një sistem panelesh hapësinore i projektuar nga NASA mund të ulë koston e të gjithë sistemit të energjisë elektrike evropian deri në 15%. Gjithashtu mund të ulë përdorimin e baterive me më shumë se dy të tretat.
Studimi, i udhëhequr nga studiues në King’s College London, është i pari që vlerëson ndikimin e mundshëm të energjisë diellore hapësinore në Evropë. Panelet e energjisë diellore hapësinore (SBSP) që dhanë rezultate pozitive përdorin një dizajn heliostati. Dizajni, të cilin sistemi imiton, përdor reflektorë të ngjashëm me pasqyrën për të mbledhur rrezet e diellit në orbitë. Rrezet e diellit më pas transmetohen në stacionet në Tokë dhe shndërrohen në energji elektrike përpara se të dërgohen në një rrjet energjetik.
Kur studiuesit integruan konceptin në modelin bazuar në parashikimet e NASA-s për kapacitetin e saj potencial energjetik, rezultatet treguan se ai mund të zëvendësonte deri në 80% të energjisë së rinovueshme tokësore të Evropës.
“Ka disa rreziqe që duhen marrë në konsideratë, siç është se si sateliti në hapësirë mund të ketë shumë panele diellore. A mund të shkaktojë përplasje ose të dëmtohet nga mbeturinat në hapësirë? Energjia e rinovueshme për të zëvendësuar lëndët djegëse fosile është veprimi më i rëndësishëm që po ndërmarrim si njerëz. Energjia diellore e bazuar në hapësirë është një teknologji potenciale dhe mund të ofrojë energji diellore të vazhdueshme si një burim energjie të rinovueshme”, tha Dr. Wei He, autori kryesor i studimit./rtsh/ KultPlus.com
Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e komunitetit lokal, u zhvillua për të dytin vit radhazi “Festa e Koranit”, një aktivitet i organizuar nga Bashkia e Pogradecit, që ka për synim promovimin e turizmit, mbrojtjen e ekosistemit liqenor dhe trashëgiminë natyrore të qytetit.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha se, “elementi kryesor i aktivitetit ishte hedhja në liqen e 200 mijë rasateve (berthamave) të Koranit, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Kjo ndërhyrje është një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe shumimin e kësaj specie endemike, e cila jeton vetëm në Liqenin e Ohrit”.
Sipas tij, kjo festë simbolizon jo vetëm përkujdesjen për mjedisin, por edhe angazhimin e autoriteteve për të kthyer biodiversitetin në një vlerë turistike dhe zhvillimore. Kjo specie e rrallë është pjesë e identitetit të Pogradecit dhe ka potencial të lartë për tërheqjen e vizitorëve.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, përgëzoi të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti dhe theksoi se “Vit pas viti po ndërtojmë një traditë të re për qytetin. Festa e Koranit do të pasohet, që nga viti i ardhshëm, edhe me Festën e Krapit, ku synojmë ndërtimin e një impianti të veçantë për rritjen e kësaj specieje në zhdukje.”
Kjo nismë synon të forcojë më tej pozicionin e Pogradecit si një destinacion turistik me identitet të veçantë, duke e kthyer liqenin në një burim të qëndrueshëm zhvillimi jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e ekologjik./atsh/ KultPlus.com
Më 21 gusht 1911, Parisi u trondit nga një nga ngjarjet më të bujshme në historinë e artit: zhdukja e Mona Lisës nga Muzeu i Luvrit. Vepra e Leonardo da Vinçit u mor në heshtje nga muret e muzeut, duke lënë pas vetëm një boshllëk dhe shumë pikëpyetje.
Për dy vjet me radhë, misteri ndezi thashetheme dhe teori konspirative, ndërsa policia madje arrestoi përkohësisht edhe emra të mëdhenj si Pablo Picasso dhe Guillaume Apollinaire, por pa prova të mjaftueshme.
Në dhjetor 1913, tabloja u shfaq papritur në Firence, kur Vincenzo Perugia, ish-punonjës i Luvrit, tentoi ta shiste. Ai pretendoi se vepronte nga “patriotizmi”, duke besuar se piktura duhej të ishte pronë e Italisë. Pas rikthimit të saj në Paris, Mona Lisa u shndërrua përfundimisht në një ikonë botërore të artit dhe misterit.
Ishte pikërisht kjo vjedhje që e ngriti veprën mbi çdo kufi, duke e kthyer në simbol të pavdekshëm të kulturës botërore./KultPlus.com
Kompania gjermane Adidas i ka kërkuar zyrtarisht falje një komuniteti indigjen në Meksikë, pas akuzave për përvetësim kulturor. Shkaku ishte modeli i ri i atleteve, i quajtur “Oaxaca Slip-On”, që kishte kopjuar dizajnin e sandaleve tradicionale të njohura si “huaraches”, të cilat prodhohen prej lëkure nga artizanët vendas.
Ky veprim shkaktoi kritika të ashpra, duke nxitur edhe reagimin e presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum. Karen González, drejtoresha ligjore e Adidas Mexico, pranoi publikisht se modeli i këpucës ishte frymëzuar nga dizajnet tradicionale të komunitetit të Villa Hidalgo Yalalag.
“Ne e kuptojmë se kjo mund të ketë shkaktuar shqetësim dhe për këtë arsye, kërkojmë ndjesë publikisht,” tha ajo.
González siguroi se në të ardhmen, Adidas do të bashkëpunojë me komunitetet lokale për të respektuar kulturën dhe artizanatin e tyre, që shërben si një burim mbijetese. Pas këtij incidenti, këpuca u hoq menjëherë nga shitjet online, ndërsa qeveria meksikane ka njoftuar se do të kërkojë kompensim financiar nga kompania.
Një ekspozitë e re e hapur në Royal Scottish Academy në Edinburg vë në qendër artin bashkëkohor që merr natyrën dhe peizazhin si material krijues, duke e shndërruar qytetin në një galeri të hapur.
Në fokus është artisti Andy Goldsworthy, i njohur për veprat e tij të realizuara me elementë natyrorë, nga gjethet e thara te balta apo leshi i deleve. Punimet e tij shihen si pikënisje për një itinerar më të gjerë artistik në qytet, i cili përfshin gjithashtu vepra të Barbara Hepworth, Antony Gormley dhe Charles Jencks, të vendosura në parqe, kopshte botanike dhe hapësira publike.
Një nga ndalesat kryesore është Kopshti Botanik Mbretëror, ku ekspozohet instalacioni i njohur i Goldsworthy-t Slate Cone, si edhe skulptura Slate, Hole, Wall, një rreth i ndërtuar me gurë të vendosur me dorë, nën hijen e një peme lajthie. Në të njëjtin ambient ndodhen edhe vepra të Barbara Hepworth dhe Ian Hamilton Finlay.
Rruga artistike vijon përgjatë lumit Water of Leith, ku vizitorët mund të shohin statujat prej hekuri të Antony Gormley, të vendosura si brenda lumit, ashtu edhe në hapësira urbane. Në oborrin e galerisë shtrihet Landform, vepra monumentale e Charles Jencks, me kodra të gjelbra dhe pellgje të dizajnuara me kujdes, që bashkojnë natyrën me arkitekturën moderne.
Ekspozita dhe itinerari i saj pasues e bëjnë Edinburgun një hapësirë ku arti dhe natyra takohen në mënyrë të pandarë, duke i ofruar vizitorëve një përvojë të re estetike./KultPlus.com
Ballkani ka vetëm republika parlamentare,por ato nuk janë të gjitha njëlloj.
Serbia është një Republikë Ushtarake.
Ajo kërkon vazhdimisht konflikt.
Dikur Serbia ka qenë një Republikë Fshatare dhe kjo është një nga arsyet pse serbët nuk u konvertuan në Islam.
Gjatë pushtimit osman shumica e fshatarëve serbë ishin mbarështruesit kryesorë të derrave në Europë dhe nëse do konvertoheshin duhet të linin punën sepse Kurani e ndalon mishin e derrit.
Nuk e njoh serbishten por besoj se ky popull ka më pak arsye se cdo popull të shajë popujt e tjerë o derr, sepse ata kanë fituar shumë nga kjo kafshë e dashur.
Ndërkaq Kosova është një Republikë Romantike.
Ajo ende nuk ka një qëllim ekonomik,por ka vetëm qëllime nacionale.
Asaj i duhet të egzistojë.
Ajo jeton ende me stresin se do ti rrëmbëjnë territore dhe kjo e pengon të përqëndrohet te objektivat e saj tregtare që sidoqoftë janë të kufizuar.
Turqia është pothuajse një Republikë Fetare.
Feja ka mbajtur të bashkuar gjithë ata popuj që përbëjnë Turqinë dhe sot ajo e mbron Republikën turke që ka qenë disa herë në buzë të greminës por gjithmonë ka shpëtuar duke e varur flamurin në majë të minaresë.
Nga ana e saj Greqia është një Republikë Detare.
Ndoshta më e madhja në planet sepse sot qarkullon gati 25 per qind të mallrave të botës me flotën e saj madhështore,i vetmi art praktik që i ka mbetur nga lashtësia e saj atëherë kur gjithë Greqia ishte e ndarë në disa republika të vogla.
Ndërsa Kroacia, është një Republikë Gjermanike.
Ustashët që ishin kukullat e Hitlerit në Ballkan, e larguan me forcë nga tradita e saj liberale veneciane duke e detyruar të ndjekë disiplinën e fortë gjermanike e cila nuk ndërton dot asnjëherë Republika Tregtare por përkundrazi i vret ato sa herë mundet.
Nëse nesër do kishte sërish një konflikt në Evropë, në cdo rast Kroacia do rreshtohej me Gjermaninë dhe ustashët e përgjumur do nxirrnin armët kundër fqinjëve, romëve dhe hebrenjve të cilët dikur i zhdukën me dhunë.
Mali i Zi është një Republikë Turistike por duke qenë shumë e vogël, nuk ka mundësi të luajë rol të madh në rajon.
Kjo Republikë në det, është gjithë kohën e kërcënuar mes rrymave properëndimore dhe prolindore prandaj duke qenë një varkë e vogël lëkundet lehtë dhe mund të mbytet papritmas.
Ndërkaq, Maqedonia është një Republikë Plastike.
E gjendur mes Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Serbisë ajo i ngjan një sanduici që merr gjithnjë formën e bukës që e rrethon.
Për shkak të trysnisë që i vjen nga jashtë, Maqedonia herë pas here ndryshon emrin, pastaj kushtetutën dhe nuk është cudi në të ardhmen të lëshojë territore nëse kjo i kërkohet me forcë.
Sikur Shqipëria të mos sillej si një Republikë Tregtare të cilës nuk i intereson shumë cfarë ndodh pas saj, ajo mund ti ndizte kollaj 30 për qind të banorëve të Maqedonisë, për ti ndryshuar hartën këtij shteti plastik.
Po ne cfarë Republike jemi?
Para disa kohësh kam shkruar se vitet e fundit Shqipëria po merr formën e një Republike Tregtare cka nuk është keq, madje është shumë mirë.
Sa më shumë lexoj histori aq më shumë bindem se ky është destini jonë që në kohën kur anijet e Romës vinin në brigjet tona për tu furnizuar.
Ahmet Zogu ishte i pari që kuptoi se Shqipëria mund të funksiononte si një Republike Tregtare.
Mbreti Zog ndoshta nuk e dinte cfarë po bënte, por nevoja e tij për tu shkëputur nga Ballkani dhe Orienti, dhe për tu orientuar nga deti ishte e dukshme këmbëngulëse dhe e qëllimshme.
Zogu e hapi vendin për hebrenjtë, hoqi ferexhetë, forcoi monedhën, mori arkitektët më të mirë italianë të kohës, krijoi një kastë tregtare të shkathët,hapi tregun,ndërtoi bankën, fali tokë për investime dhe dha shumë koncesione tek të huajt.
Paratë dhe energjitë që Zogu harxhonte për shkëlqim, për famë, për fotografi, martesa e tij glamour, veshja dhe makinat, nevoja për të kapur lajme në shtypin ndërkombëtar, më shumë se një mani për të rënë në sy, ishte një mënyrë për ta bërë më joshës projektin naiv të Republikës Tregtare që ai e kishte në kokë, pa e formuluar dot.
Sikur ekonomia anemike e Shqipërisë ta kishte ndihmuar dhe Lufta e Dytë Botërore të mos na sillte komunizmin si një shpërblim për 500 vjet prapambetje, ndoshta Zogu do kishte ndërtuar Republikën Tregtare të Shqipërisë 100 vjet më parë.
Po të kishte pasur më shumë kohë, Ahmet Zogu do i kishte bërë një shërbim të madh vendit duke korruptuar Partinë Komuniste sic bënë para dhe pas tij të gjitha vendet e Perëndimit me metoda gjysëmdemokratike.
Por në vitin 1939 Europa e vrau Republikën Tregtare të Ahmet Zogut dhe e pushtoi me ushtri.
Ushtarët evropianë e mbytën në djep Republikën tonë të Parë Tregtare, tani sapo jemi futur tek e dyta.
Por cfarë është Republika Tregtare ?
Qëllimi kryesor i një Republike Tregtare është të shkëlqejë, aq sa nganjëherë ajo duket sikur mendon më shumë për të huajt se për vendasit.
Republika Tregtare kërkon të jetë gjithë kohën një vitrinë lluksi, një avangardë në ndërtim dhe në organizime kulturore,në samite të mrekullueshme, tolerante me të gjitha racat,me të gjitha kombet, sidomos me të gjitha fetë, një hub, pra një zonë e lirë për piktorët, artistët,arkitektët, për start upet, një vend i mbushur me festivale dhe koncerte në cdo stinë, joshës për ata që bëjnë trend në tregjet ndërkombëtare, të cilët e vizitojnë atë shpesh nga deti dhe nga ajri duke kërkuar të sigurojnë aty një copë tokë për vete, ose për biznes.
Por që të jesh Republikë Tregtare duhet të plotësosh patjetër një kusht.
Duhet të kesh det.
Megjithatë jo të gjithë ata që kanë det mund të bëhen Republika Tregtare.
Libani ka qenë një Republikë Tregtare, por Izraeli që ka dalje në det njëjlloj si Libani, nuk ka qenë dhe nuk do jetë ndoshta dot kurrë një Republikë Tregtare.
Arabia Saudite ka më shumë det se Dubai por ajo nuk do jetë asnjëherë një Republikë Tregtare sepse ka një profil thellësisht prodhues.
Ajo prodhon naftë dhe nuk ka klas.
Dubai nuk prodhon pothuajse asgjë.
Ai vetëm shërben, mikpret investitorë për taksa të ulëta,ndërton në mënyrë futuriste, garanton siguri kursimesh, nuk pyet nga i fiton paratë, shet lluks, pushime të paharrueshme dhe mundësi kontaktesh fantastike për biznes, art dhe sport.
Republika Tregtare e bazon zhvillimin ekonomik tek tregtia dhe jo tek prodhimi, prandaj ato mbajnë një monedhë të fortë sepse tregtarët e saj duan të blejnë lirë jashtë vendit, mallrat që ua shesin të huajve që vijnë pa pushim të vizitojnë Republikën e tyre.
Republika Tregtare mban taksa më të ulëta se gjithë fqinjët e vet për tu marrë atyre paratë.
Republikat Tregtare nuk kanë fe.
Ato nuk janë më një produkt evropian dhe as i krishterë sic kanë qenë dikur.
Ato mund të jenë aziatike si Singapori, mund të jenë latine si Panamaja, mund të jenë muslimane si Libani dhe Dubai, prandaj mund të jenë edhe ballkanike si Shqipëria.
Republikat Tregtare nuk kushtëzohen nga forma e rregjimit.
Hong Kongu është pjesë e një vendi jo demokratik si Kina.
Dubai është një monarki dhe nuk është fare republikë.
Aty njerëzit nuk votojnë për ata që qeverisin.
Pra demokracia nuk është detyrimisht një kusht për një Republikë Tregtare, por në të kundërt siguria është kushti jetik.
Duke i renditur këto elementë duket sikur flasim pak për Shqipërinë.
Shqipëria pothuajse nuk prodhon dhe taksat nuk i ka shumë të larta.
Ajo vetëm ndërton, gatuan, blen dhe shet.
Bashkë me betonin, historia, dielli, uji, malet dhe gjellët janë pasuria e saj më e madhe.
Shqipëria ka sot monedhën më të fortë në histori, ndoshta që nga koha e Mbretësirë para 100 vitesh, cka favorizon tregtarët që blejnë, më shumë se prodhuesit që shesin dhe kjo politikë duket e qëllimshme.
Shqipëria po investon shumë në turizëm,në transport dhe është një vend shumë i hapur për të huajt qofshin turistë, punëtorë krahu apo tregtarë nga të gjitha anët e botës.
Shqipëria ndërton shumë ,ndoshta më shumë se kushdo në Evropë dhe duke marrë parasysh madhësinë dhe popullsinë që ka kuptohet se ndërton për të huajt që mund të vijnë nesër.
Nga ana tjetër ajo po largohet me shpejtësi dhe kokëfortësi nga konfliktet me komshinjtë, madje deri në atë pikë saqë duket sikur interesat e shqiptarëve që jetojnë në vende të tjera po i injoron në dobi të interesave të veta tregtare.
Ballkani i hapur është një ilustrim.
Megjithëse Kosova u corr duke bërtitur se Ballkani i hapur i dëmtonte interesat e saj, sërish Shqipëria nuk u tërhoq dhe nënshkroi bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë për të hapur kufinjtë dhe për të taksuar më pak qarkullimin e mallrave, një gjest tipik i një Republike Tregtare që takson më pak miellin dhe më shumë gjakun, sepse i pari shitet, kurse i dyti jo.
Sot, një biznesmen nga Dubai për Shqiperinë, ka më shumë rëndësi se gjithë qeveria serbe.
Një autobuz turistësh nga Anglia ka më shumë peshë se cdo i cmendur në Bosnje.
Një grup kinezësh në kafenetë e Tiranës sjell më shumë të ardhura se një qytet nga Kosova dhe cfarë mendon Bullgaria për integrimin e Shqipërisë nuk bën më asnjë lajm, ndryshe nga 30 vjet më parë kur vizita e një bullgari me kostum ishte një ngjarje kombëtare që festohej në bulevard.
Tani Republika e Tregtare e Shqipërisë shikon vetëm xhepat e saj.
Ajo është një Republikë agresivisht egoiste dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë.
Edhe konflikti i fundit me Greqinë ishte konflitk i një Republike Tregtare që grindet me një Republikë tjetër Tregtare.
Grindja për Bashkinë e Himarës nuk ndodhi për shkaqe nacionaliste por për arsye ekonomike, tregtare.
Shqipëria nuk mund të pranonte që lejen për hotelet, për plazhet dhe shezlonat t’ia përcaktonte një Republikë rivale Detare dhe ka të drejtë.
Nëse Himara do kishte qenë në Mallakastër apo në Dibër, asnjë konflikt nuk do ndodhte me Greqinë.
Prandaj Shqipëria nuk veproi si një Republikë Nacionaliste por si një Republikë Tregtare.
Ajo mbrojti me forcë, me polici dhe gjykata detin e vet, pra në një kuptim ekonominë e vet duke i shkuar parimit se, raison d’etat, pra e drejta e shtetit, prevalon mbi të drejtat e njeriut.
Por nëse Republika Tregtare e Shqipërisë ka një rrezik ai vjen nga Europa.
Europa është gjithnjë kundër Republikave Tregtare.
Franca e Napoleonit shkatërroi në fillim Republikën e mrekullueshme tregtare të Venecias.pastaj Italia u bashkua duke mbledhur mbetjet e të gjitha republikave të veta tregtare përfshi Venecian, Genovën, Pisën dhe Napolin.
Pak më vonë u bashkua Gjermania e cila shkatërroi me sukses republikat tregtare të Amsterdamit, Antverpit dhe Hamburgut.
Bashkimi Evropian vitet e fundit shkatërroi me sukses republikat e mbetura tregtare të Maltës dhe Qipros.
Kësaj të fundit ia mori të gjitha kursimet mbi 100 mijë dollarë brenda një natë cka është një nga aktet më mizorë financiarë në historinë moderne.
Dhe të mendosh se këtë e bëri me pretendimin se do ta shpëtonte Qipron nga falimentimi.
Ishte sigurisht një gënjeshtër e sajuar nga urrejtja e pangopur gjermane ndal lirive të tepruara financiare.
Qëllimi i vërtetë ishte zhdukja e modelit ekonomik të Qipros bankat e të cilës mblidhnin para nga gjithë bota pa pyetur cfarë pasaporte ke.
Ne sa kemi nisur të negociojmë me Europën dhe kërkësa kryesore e saj është formalizimi ekstrem, kontrolli i rreptë i tregut, i bankave dhe i të ardhurave.
Për emigrantët shqiptarë është më kollaj të cojnë kursimet në Tajëan sesa ti sjellin në Shqipëri.
Europa nuk i lejon sepse ajo mendon se bankat janë kasaforta, celësin e të cilave e ka gjithmonë ajo.
Por kur ne të kemi mbaruar negociatat, për pesë vjet, e sigurt është se Europa nuk do jetë më kjo që është sot.
Forca të reja politike po lindin të cilat do kërkojnë ta ndryshojnën këtë model ekonomik duke i dhënë pak më shumë fuqi vendeve antare.
Europa do kuptojë se periferia e saj nuk mund të sillet si veriu i ngurtë.
Këtu ka më shumë diell ,njereëzit vishen me rroba të lehta dhe era e detit i fluturon paratë nga xhepat.
Shqipëria ka qenë historikisht mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ky lloj hub-i mund të funksionojë në të ardhmen si cepi apo më saktë si kepi i një lirije më të madhe financiare.
Prandaj them se ndoshta këtë herë mund të kemi pak fat.
Mund ta shijojmë Republikën tonë Tregtare për disa vjet sepse sic thonë marinarët e vjetër, era duket e ngohtë dhe mund ta shtyjë anijen tonë në ujëra më të qeta./ KultPlus.com
Filmi “Sound of Falling” (“In die Sonne schauen”) është përzgjedhur për të përfaqësuar Gjermaninë në ceremoninë e ardhshme të çmimeve Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Vendimi u shpall të enjten nga juria e pavarur e ekspertëve të emëruar nga German Films, agjencia kombëtare e promovimit të kinemasë gjermane.
Juria e përshkroi filmin si “formalisht të pakompromis, emocionalisht ekzistencial dhe artistikisht unik pa paralele në kinemanë gjermane dhe ndërkombëtare”. Duke shtrirë ngjarjet në një periudhë prej një shekulli, vepra ndërthur jetët e katër grave Alma (1910), Erika (1940), Angelika (1980) dhe Nelly (2020) të cilat përballen me kufizime, dhunë dhe pengesa shoqërore, ndërsa lidhen përmes traumave të pathëna dhe sekreteve familjare. Historia zhvillohet në një fermë në rajonin Altmark, në Saksoni-Anhalt, ku një ngjarje tragjike përsëritet, duke e bërë të paqartë kufirin mes së kaluarës dhe së tashmes.
“Sound of Falling” u përzgjodh mes pesë filmave të propozuar, duke lënë pas titujt “Amrum” (Fatih Akin), “Cranko” (Joachim A. Lang), “Riefenstahl” (Andres Veiel) dhe “The Tiger” (Dennis Gansel). Filmi u shfaq premierë këtë vit në Festivalin e Filmit në Cannes, ku fitoi Çmimin e Jurisë, së bashku me filmin “Sirat” të regjisorit Oliver Laxe./KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, kanë nderuar shkrimtarin Ibrahim Kadriu me çmimin “Çelësi i Qytetit”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe.
Hyseni u shpreh se Kadriu është figurë e shquar e letrave shqipe, krijues që me veprat e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në identitetin kulturor e kombëtar, përcjellë KultPlus.
Ai njoftoi gjithashtu se ka propozuar që Kadriu të nominohet për çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit”, si dhe të rekomandohet te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për tu nderuar me Medalje Presidenciale për kontributin e dhënë në pasurimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Nga ana e tij, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, tha se dorëzimi i çmimit është një ditë e veçantë për Gjilanin, pasi Kadriu mbetet një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë shqipe të kohës sonë.
Shkrimtari falënderoi për këtë nderim, duke theksuar se “guri më së shumti peshon në vendlindje”.
Ndërsa profesori Anton Nikë Berisha e cilësoi këtë vendim si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se rrallë ndodh të vlerësohet puna e një shkrimtari, dhe se ky akt tregon kujdesin për artin dhe ndikimin estetik që letërsia ka në shpirtin e njeriut./KultPlus.com
Radiotelevizioni i Kosovës ka shpallur konkursin publik për pozita profesionale muzikore për të qenë pjesë përbërëse e Orkestrës së edicionit të tretë të Festivalit të Këngës.
Në konkursin e publikuar, janë 8 pozita për bendin e festivalit, 32 për orkestrën dhe 4 pozita tjera për formacione vokale. Një nga kriteret për këtë konkurs është përvoja profesionale përmes pjesëmarrjes në ngjarje të tilla kulturore duke përfshirë koncerte dhe organizime të tjera.
Afati për aplikim do të mbetet i hapur deri më datë 30.08.2025 në orën 16:00, në email adresën konkursradio@rtklive.com
Ndërkaq aplikimi për pjesëmarrje si garues vazhdon të mbetet i hapur deri më 31 gusht, teksa ftohen këngëtarë, kompozitorë, tekstshkrues nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora që të bëhen pjesë e ‘FEST 3’.
Përderisa organizatorët po bëjnë gati gjithçka rreth festivalit të transmetuesit publik të Kosovës, edhe sivjet kompozitori dhe mjeshtri Florent Boshnjaku do të jetë drejtor artistik i festivalit.
Filmi me metrazh të shkurtër “Sytë e Bernës”, me regji nga Ermal Gërdovci dhe skenar të Patrik Lekaj, ka pasur premierën botërore në edicionin e 30-të të Sarajevo Film Festival, në kuadër të kategorisë Competition Programme – Short Film.
Pas shfaqjes, u organizua një Q&A me regjisorin Gërdovci, ku publiku pati rastin të diskutojë mbi procesin krijues dhe temat që trajton filmi.
Produksioni është realizuar nga kompania Kandërr, në bashkëprodhim me Filmik dhe Sloboda Film, me producente Trëndelina Halili dhe bashkëproducente Marija Dimitrova.
Në rolet kryesore shfaqen aktorët: Arta Selimi, Tristan Halilaj, Ervin Shala, Gramos Malaj dhe Altin Vraniqi. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./KultPlus.com
Me një histori të ngrohtë, të mbushur me dashuri e shpresë, Elia Zaharia bisedon me fëmijët për librin e saj, “Perla dhe dreri i artë”, në Qendrën për Hapje dhe Dialog.
Një përrallë që flet me gjuhën e zemrës dhe që gjen vendin e saj në Shqipëri, aty ku bjeshkët, zanat dhe nimfat shndërrohen në udhërrëfyese magjike për lexuesit e vegjël dhe të rritur.
Burim frymëzimi për këtë krijim ka qenë vajza e autores, e cila ka ndriçuar çdo fjalë e faqe, duke e bërë këtë libër një dhuratë të veçantë për të dhe për të gjithë fëmijët.
“Në librin e dytë, ndërkohë, unë u bëra me një gocë të vogël, që tani është katër vjeçe e gjysmë. E ka emrin Geraldinë, si stërgjyshja e vet. Sa herë lexonim ose shfletonim librin e parë, ku flitej për stërgjyshen e saj, ajo thoshte: ‘Mami, po mua kur do të ma bësh një libër? Dua edhe unë të jem personazh i një libri.’ Dhe kështu unë fillova të frymëzohesha nga e përditshmja jonë dhe të shkruaja pak e nga pak episodet. Sigurisht që fantazia pastaj fillon dhe udhëton…” tha znj. Zaharia.
I shoqëruar edhe me ilustrime, “Perla dhe dreri i artë” prek zemrat me mesazhin e mirësisë dhe të guximit, ndërsa përpiqet ta bëjë edhe më të prekshëm rrëfimin.
“Jam përpjekur që, edhe nëpërmjet gjuhës së ilustrimeve, ta bëj librin sa më të pranuar dhe të aksesueshëm për të gjitha moshat. Do të thotë se edhe një fëmijë që nuk ka mësuar akoma të lexojë, mund ta kuptojë nga ilustrimet, të cilat mund t’ia shpjegojnë prindërit apo edhe t’i interpretojë. Për shembull, Geraldina, vajza ime, nga ilustrimet di që ta thotë përrallën në kronologjinë e vet, sepse e kupton,” u shpreh autorja dhe aktorja e njohur.
Ky është botimi i dytë që Elia Zaharia sjell për të gjithë vogëlushët./rtsh/KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi sot se Kalaja e Bashtovës do të rihapet për vizitorët më 29 gusht, pas restaurimit të realizuar si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.
“Dikur pothuajse e harruar dhe e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, Kalaja e Bashtovës po rikthehet në jetë falë mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe programit EU4Culture, të zbatuar nga UNOPS,” njofton Gonxhja.
Ceremonia e rihapjes do të zhvillohet më 29 gusht, në orën 16:00, ku vizitorët do të kenë mundësinë të dëshmojnë nga afër transformimin e këtij monumenti historik.
Kalaja e Bashtovës është një kështjellë katërkëndore mesjetare e vendosur në fushën pjellore pranë grykederdhjes së lumit Shkumbin, përballë detit Adriatik në Shqipërinë qendrore, afërsisht 2 km nga fshati Vilë Ballaj.
Në mesjetë, kjo zonë ishte port i rëndësishëm për tregtinë e drithërave dhe pjesë e rrugës historike Via Egnatia, që lidhte bregdetin me pjesët e brendshme të Gadishullit Ballkanik.
Në vitin 2017, Kalaja e Bashtovës u fut në listën e tentativës së UNESCO-s për trashëgimi botërore, për shkak të vendndodhjes së saj të veçantë dhe rëndësisë historike./atsh/KultPlus.com
Edon Zhegrova tashmë ka arritur një marrëveshje personale me Juventusin, por klubi italian duhet të përmbushë dy kushte për të finalizuar transferimin.
Juventusi e ka vënë në shënjestër yllin e Lille për të forcuar repartin ofensiv, por burime italiane raportojnë se gjigandët e Serie A duhet të: Ulin kërkesat financiare të Lille, dhe Shesin Nico Gonzalez.
Zhegrova ka rënë dakord me kushtet e ofruara nga Juventusi dhe është në pritje të marrëveshjes mes dy klubeve. Lille kërkon një shifër prej rreth 20 deri në 25 milionë euro, por Juventusi po punon për ta ulur çmimin, pasi kontrata e Zhegrovës skadon në qershor 2026 dhe lojtari ka njoftuar klubin se nuk do ta rinovojë pas këtij sezoni.
Negociatat mes dy klubeve janë aktive dhe zhvillohen me intensitet. Palët janë të interesuara për një marrëveshje, por gjithçka varet nga kompromisi që mund të gjendet për çmimin përfundimtar. Nëse Juventus arrin të përmbushë këto dy kushte në ditët apo javët në vijim, transferimi i Zhegrovës në Serie A mund të bëhet realitet shumë shpejt.
Për tifozët shqiptarë dhe sidomos ata kosovarë, kalimi i Edon Zhegrovës në një klub të madh si Juventusi do të ishte një moment historik dhe një dëshmi e ngritjes së vazhdueshme të yjeve shqiptarë në futbollin ndërkombëtar./footballitalia/KultPlus.com
Qindra mijëra biseda të përdoruesve me chatbot-in me inteligjencë artificiale (AI) Grok, i krijuar nga Elon Musk, janë ekspozuar në rezultatet e motorëve të kërkimit, duket se pa dijeninë e përdoruesve.
Kur përdoruesit e Grok shtypin një buton për të ndarë një transkript të bisedës së tyre, krijohen lidhje unike, por përveç ndarjes me personin e synuar, ky buton gjithashtu e bën bisedën të aksesueshme në internet përmes kërkimit.
Një kërkim në Google të enjten zbuloi se ishin indeksuar gati 300,000 biseda me Grok.
Kjo situatë ka bërë që një ekspert ta përshkruajë fenomenin si një “katastrofë e privatësisë në zhvillim.”
BBC i është drejtuar kompanisë X për një koment. Ndërkohë, Forbes, një publikim i njohur për teknologji, ishte i pari që raportoi për këtë shkelje të privatësisë, duke numëruar më shumë se 370,000 biseda të përdoruesve të shfaqura në Google.
Ndër bisedat që pa BBC, përfshiheshin raste ku chatbot-i i Musk jepte: krijimin e një fjalëkalimi të sigurt, plane ushqimore për humbje në peshë, përgjigje të detajuara për çështje mjekësore
Disa transkripte gjithashtu tregonin përpjekjet e përdoruesve për të testuar kufijtë e asaj që Grok mund të thotë apo të bëjë.
Në një rast të veçantë, chatbot-i jepte udhëzime të detajuara për prodhimin e një droge të klasës A në një laborator.
Nuk është hera e parë që bisedat me chatbot-ët e AI shfaqen më gjerësisht nga sa përdoruesit mund të kenë menduar kur përdorin funksione të ndarjes së bisedave.
Kohët e fundit, OpenAI u tërhoq nga një “eksperiment” që lejonte bisedat e ndara të ChatGPT të shfaqeshin në rezultatet e motorëve të kërkimit.
Një zëdhënës i OpenAI tha për BBC se po eksperimentonin me mënyra më të lehta për të ndarë biseda të dobishme, duke mbajtur përdoruesit në kontroll.
Ata theksuan se bisedat e përdoruesve janë private në mënyrë të parazgjedhur, dhe vetëm përdoruesit që japin pëlqimin i bëjnë ato publike.
Më herët gjatë këtij viti, Meta u përball me kritika pasi bisedat e përdoruesve me chatbot-in Meta AI u shfaqën në një “feed” publik të quajtur “discover” në aplikacionin e saj.
Edhe kur detajet e llogarisë së përdoruesve janë anonimë apo të fshehura në transkriptet e chatbot-it, pyetjet që ata shtrojnë mund të përmbajnë informacione personale ose të ndjeshme, duke përbërë një rrezik të madh për privatësinë.
Ekspertët thonë se kjo situatë thekson shqetësimet në rritje për privatësinë e përdoruesve.
“Chatbot-ët me AI janë një katastrofë e privatësisë që po zhvillohet,” tha Prof. Luc Rocher, profesor i asociuar në Oxford Internet Institute, për BBC-në.
Ai shtoi se “bisedat e rrjedhura” nga chatbot-ët kanë nxjerrë informacione të përdoruesve që përfshijnë emra të plotë, vendndodhje, detaje për shëndetin mendor, aktivitetet e bizneseve, apo marrëdhënie personale.
“Pasi të rrjedhin online, këto biseda mbeten atje përgjithmonë,” paralajmëroi ai.
Ndërkohë, Prof. Carissa Veliz, profesoreshë e filozofisë në Institutin për Etikën e AI në Universitetin e Oksfordit, tha se fakti që përdoruesit nuk informohen se bisedat e ndara do të shfaqen në rezultatet e kërkimit, është “shqetësues.”
“Teknologjia jonë as që na tregon çfarë po bën me të dhënat tona, dhe kjo është një problem,” tha ajo./BBC/KultPlus.com
“Ky sezon është një histori e dy qyteteve: Roma dhe Parisi,” thotë krijuesi Darren Star. “Duke u ndarë mes të dyjave, Emily e çon dashurinë dhe jetën në një nivel tjetër.”
Emily nuk do të eksplorojë vetëm Romën, në fotot e para të sezonit të ri, ajo shihet duke udhëtuar me një varkë luksoze nëpër kanalet e Venecias, duke përjetuar një tjetër faqe të “la dolce vita” italiane.
“Nga çatitë pariziene te rrënojat romake, mezi presim të ndajmë me publikun këtë kapitull të ri të Emilyt,” shton Star. Vendosja e ngjarjes në Itali ishte një mënyrë për të mbajtur serinë të freskët dhe për t’i dhënë një frymë të re ndërkombëtare.
Në sezonin e pestë, do të rikthehen emrat e njohur të serialit: Lily Collins si Emily Cooper, Philippine Leroy-Beaulieu si Sylvie Grateau, Ashley Park si Mindy Chen, Lucas Bravo si Gabriel, Samuel Arnold si Julien, Bruno Gouery si Luc, William Abadie si Antoine Lambert, Lucien Laviscount si Alfie, Eugenio Franceschini si Marcello, Thalia Besson si Genevieve, si dhe aktorët Paul Forman (Nico) dhe Arnaud Binard (Laurent G.).
Por këtë sezon do të kemi edhe fytyra të reja interesante: Bryan Greenberg (i njohur nga “Suits LA” dhe “How to Make it in America”) luan Jake, një amerikan që jeton në Paris, Michèle Laroque luan Yvette, një mike e vjetër e Sylvie-t, Minnie Driver, aktore e nominuar për Oscar, luan Princeshën Jane, një mike e Sylvie-t që është martuar me një anëtar të familjes mbretërore.
Sezoni i katërt e pa Emilyn duke nisur një lidhje me një pasardhës italian të botës së modës, Marcello, dhe duke u transferuar në një apartament italian për të hapur një zyrë të re të Agence Grateau në Romë. Por kjo zhvendosje nuk do të thotë që seriali do të ndryshojë emër.
“Emily do të ketë një prezencë të fortë në Romë, por kjo nuk do të thotë që ajo nuk do të jetë më në Paris,” sqaron Star.
Sezoni i katërt ishte një hit i madh. Kur u publikua në gusht, u rendit në vendin e parë në listën globale të Netflix, me 19.9 milionë shikime në vetëm katër ditë. Ai qëndroi në Top 10 për katër javë rresht dhe hyri në këtë listë në 93 vende të ndryshme.
Lily Collins, që njoftoi lajmin për sezonin 5 gjatë një interviste në Good Morning America, u shpreh entuziaste për zhvillimin e marrëdhënies mes Emily-t dhe Marcellos.
“Marcello është një aventurë e re që duam për Emilyn,” thotë ajo. “Ne duam që Emily të arrijë një balancë më të mirë mes jetës dhe punës. Duam ta shohim të buzëqeshë pa kushte. Ai vjen në kohën e duhur.”
Edhe Star konfirmon se marrëdhënia mes tyre do të thellohet në sezonin e ri: “Ka një shkëndijë të vërtetë mes tyre, një lidhje romantike që do të zhvillohet më tej.”
Por nuk mund të harrojmë as Gabrielin. Në fund të sezonit të katërt, ai pati një epifani dhe kuptoi se ende e do Emilyn. Edhe pse problemet në komunikim i penguan të fillonin një marrëdhënie të vërtetë, ai është gati të luftojë për të.
Collins shton: “Gabriel do të përballet me pasojat e zgjedhjes së tij për të përfunduar lidhjen me Emilyn.”
A do të qëndrojë Emily në Itali me Marcellon, apo do të kthehet në Paris dhe në krahët e Gabrielit?
Sezoni i pestë premton më shumë modë, më shumë drama, më shumë qytete magjepsëse dhe shumë zemra të thyera (apo të fituara).
Emily në Paris është gati të na çojë në një tjetër udhëtim të paharrueshëm, këtë herë, me shije espressoje italiane dhe pasion mes rrugëve të lashta romake./tudum/KultPlus.com
Një testament nga shekulli i 17-të, që shkaktoi një përçarje në familjen e William Shakespeare mbi shtëpinë madhështore në Stratford-upon-Avon, është zbuluar.
Dokumenti, i hartuar nga Thomas Nash më 25 gusht 1642, u zbulua nga Dr Dan Gosling, një historian në Arkivat Kombëtare të Britanisë, ndërsa po kontrollonte kuti të palistuara që përmbanin qindra dokumente ligjore.
Dr Gosling tha se ishte “i sigurt” se askush nuk e kishte parë këtë testament për 150 vjet, pasi ishte arkivuar në fund të shekullit të 19-të.
Ai shtoi se dokumenti tregon se zbatimi i testamentit të Shakespeare “nuk ishte aspak një proces i lehtë”. Nash (i njohur edhe si Nashe) ishte i martuar me mbesën e Shakespeare-it, Elizabeth Hall, dhe jetonte në New Place, atëherë rezidenca familjare e dramaturgut dhe shtëpia e dytë më e madhe në qytet.
Ai ia la këtë pronë kushëririt të tij Edward, pavarësisht se nuk kishte të drejtë ligjore për ta bërë këtë.
Shtëpia ishte lënë më parë nga Shakespeare vajzës së tij më të madhe, Susanna, e cila ishte ende gjallë dhe jetonte aty me Nashin dhe Elizabethën, vajzën e saj.
Kur Nash vdiq në vitin 1647, Susanna dhe Elizabeth siguruan një dokument ligjor që konfirmonte se ato vazhdonin të ishin trashëgimtaret e pronave të Shakespeare-it.
Edward Nash e paditi Elizabethën një vit më vonë, duke kërkuar që ajo të respektonte dëshirën e kushëririt të tij të ndjerë.
Rasti përfundoi në Gjykatën e Çështjeve të Pasurisë (Court of Chancery), ku Elizabeth argumentoi se burri i saj i ndjerë nuk kishte fuqi ligjore për të dhuruar shtëpinë e Shakespeare-it, dhe përmendi faktin se gjyshi i saj ia kishte lënë atë nënës së saj.
Elizabeth, e cila më vonë u bë Lady Barnard, besohet se e zgjidhi çështjen jashtë gjykate dhe vazhdoi të jetonte në rezidencë deri në vdekjen e saj në vitin 1670, tha Dr Gosling.
Ai shtoi: “U emocionova shumë kur fillova të lexoj për këtë dhe si lidhej me çështjen në Chancery, me familjen Shakespeare dhe me të fundit nga pasardhësit e drejtpërdrejtë të Shakespeare-it.”/BBC/KultPlus.com