Nga Gazeta Si- Mbyllja e përkohshme e TikTok nuk solli efekt në uljen e dhunës apo përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve. Në këtë përfundim del Qëndresa Qytetare në raportin e fundit.
Sipas autores Ritvana Hajdari, të dhënat tregojnë se përdorimi i TikTok vazhdoi edhe gjatë periudhës së mbylljes.
Nga 304 pjesmarrës në pyetësorin e Organizatës, 56.6% e të anketuarve thanë se e kanë përdorur platformën njësoj si më parë, duke përdorur VPN. Të anketuarit, të cilit ishin të moshave nga 14 deri në 30 vjec, gjithashtu e cilësuan mbylljen e TikTok si një hap jo efektiv.
“Të dhënat tregojnë se për më shumë se gjysmën e të anketuarve (52.6%), mbyllja e TikTok nuk solli asnjë ndryshim në përditshmërinë apo gjendjen e tyre. Nga ana tjetër, një përqindje jo e vogël ka raportuar ndikime emocionale ose sociale, 24% thonë se kanë kaluar më shumë kohë në platforma të tjera, gjë që tregon zhvendosje të aktivitetit online, jo reduktim”, thuhet në raport.
Gjithashtu, shumica e të rinjve nuk e perceptojnë mbylljen e TikTok si një masë efektive për reduktimin e dhunës.
59.2% e të anketuarve mendojnë se mbyllja nuk ka pasur ndikim, ndërsa vetëm 10.9% besojnë se ka ndikuar pozitivisht në uljen e dhunës. Ndërkohë, një pjesë më e vogël (6.3%) shprehen se mbyllja e ka përkeqësuar situatën.
Një ndër treguesit më alarmantë është rritja e dhunës me dashje. Nga 940 raste në 2023, kjo shifër u rrit në 1,023 në 2024 dhe në vetëm katër muaj të vitit 2025 janë regjistruar 445 raste, me një projeksion vjetor rreth 1,335 raste, një rritje drastike me mbi 41% krahasuar me vitin 2023.
Në pyetësor, 78.9% e të rinjve raportojnë se kanë qenë të ekspozuar ndaj përmbajtjes së dhunshme në TikTok, ndërsa 68.8% identifikojnë bullizmin dhe fyerjet si përmbajtjen më të zakonshme.
“Megjithatë, mbyllja e platformës nuk e ka ndalur këtë ekspozim kur 56% e të rinjve deklarojnë se e përdorin ende TikTok-un, përmes VPN apo mënyrave të tjera, duke treguar se ndërhyrja institucionale nuk ka qenë as funksionale, as e qëndrueshme”, thuhet në raport.
The post Raporti: Mbyllja e TikTok nuk e uli dhunën tek të rinjtë appeared first on Gazeta Si.