Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 August 2025Main stream

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Kushtetuesja jep 30 ditë kohë. Kandidati mund të votohet deri në 3 herë

8 August 2025 at 13:35

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

The post Konstituimi i Kuvendit të Kosovës/ Kushtetuesja jep 30 ditë kohë. Kandidati mund të votohet deri në 3 herë appeared first on Gazeta Si.

A do ta lejojë pushtimi i Gazës Izraelin të shtypë Hamasin?

8 August 2025 at 12:31

Nga Gazeta ‘Si’- Në një vendim me peshë historike, qeveria izraelite ka miratuar zyrtarisht një plan për të zgjeruar operacionin e saj ushtarak dhe për të vendosur kontroll të plotë mbi Rripin e Gazës.

Kjo ka ndodhur pavarësisht kundërshtimit të Shefit të Shtabit Eyal Zamir, i cili ngriti paralajmërime të ashpra gjatë një takimi që filloi në orën 6:00 pasdite sipas kohës izraelite mbrëmë(7 guasht) dhe u shtri deri vonë natën.

Tensionet midis Zamirit dhe Kryeministrit Benjamin Netanyahu dolën në pah gjatë gjithë seancës së zgjatur, me disa ministra që sfiduan drejtpërdrejt shefin e stafit për qëndrimin e tij. Përfundimisht, Kabineti i Sigurisë Politike votoi me një shumicë “dërrmuese” për të mbështetur propozimin e Netanyahut për të mposhtur Hamasin përmes një kombinimi të pushtimit ushtarak, çarmatimit strategjik dhe qeverisjes pas konfliktit.

Plani i ri konfirmon atë që ishte ndërtuar prej javësh: Izraeli po përgatitet të hyjë në Qytetin e Gazës dhe të marrë kontrollin e drejtpërdrejtë mbi atë që ka mbetur nga fortesa operative e Hamasit. Është faza më vendimtare e luftës deri më tani dhe mbart me vete një madhësi rreziku, kostoje dhe kompleksiteti që ka pak paralele historike në luftën moderne izraelite.

Kush do të marrë përgjegjësinë për jetën civile në Gaza kur armët të heshtin?

Sipas deklaratës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, kabineti miratoi pesë parime themelore për të përfunduar luftën.

Së pari, çarmatimin e Hamasit, i ndjekur nga kthimi i të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur. Së treti, demilitarizimin e plotë të Rripit të Gazës dhe kontrollin e përhershëm të sigurisë izraelite mbi Gazën.

Dhe së fundmi, krijimin e një qeverie alternative civile – një qeverie që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.

Këto nuk janë qëllime abstrakte. Ato pasqyrojnë konsensusin në rritje në Jerusalem se status quo-ja është e paqëndrueshme dhe se zgjidhjet e pjesshme – presioni ndërkombëtar, përmbajtja, diplomacia – kanë mbaruar të gjitha.

Izraeli tashmë kontrollon një përqindje të madhe të Rripit të Gazës. Përmes operacioneve të njëpasnjëshme, përfshirë fushatën e fundit ‘Qerrja e Gideonit’, IDF ka pastruar dhe tani mban zona të tilla si Rafah, Beit Hanoun, Beit Lahia dhe pjesë të mëdha të Khan Yunis dhe Jabalia. Por korridori verior, përfshirë Qytetin e Gazës, mbetet i kontestuar dhe aty do të përqendrohet lufta tani.

Vendimi i kabinetit vjen pas muajsh ngërçi strategjik.

Pavarësisht suksesit të konsiderueshëm në betejë, Hamasi mbetet operacional. Çështja kryesore është se pengjet e marra gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023, ndërsa shumica janë kthyer (disa janë gjallë dhe shumë jo), janë bërë gurë shahu në një fushatë të tmerrshme psikologjike. Grupet terroriste palestineze kanë refuzuar negociata të mëtejshme, duke publikuar video propagandistike të neveritshme të robërve të dobësuar, duke përfshirë pamje të njërit që gërmon atë që u detyrua ta deklaronte si varrin e tij. Videot nuk janë vetëm akte mizorie, por provokime të llogaritura që synojnë thyerjen e vullnetit izraelit.

Kjo përpjekje ka dështuar. Qeveria tani ka vendosur të veprojë, duke besuar se e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhmen e Izraelit dhe për të shpëtuar pengjet e mbetura është shpërbërja fizike, strukturore dhe politike e Hamasit.

Si pjesë e kësaj faze të ardhshme, IDF do të fillojë atë që pritet të jetë evakuimi më i madh civil i luftës, duke drejtuar gati një milion banorë të Gazës nga veriu në zonat qendrore. Atje, korridoret humanitare dhe operacionet e ndihmës po shkallëzohen për të akomoduar një popullsi tashmë të zhvendosur disa herë. Izraeli këmbëngul që civilët të mbahen jashtë zonave të luftimit dhe ndihma do të shpërndahet sistematikisht nën mbikëqyrjen ushtarake.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Ushtarakisht, IDF do të hyjë në një terren që Hamasi e njeh nga afër, ku priten tunele, kurthe dhe taktika guerile. Politikisht, ideja e ‘kontrollit të sigurisë’ afatgjatë izraelite mbi Gazën pa aneksim aktual ose qeverisje të drejtpërdrejtë paraqet një enigmë të pazgjidhur: kush do të marrë përgjegjësinë për jetën civile pasi armët të heshtin?

Netanyahu ka thënë se Izraeli nuk kërkon të qeverisë Gazën.

Por kabineti gjithashtu e hodhi poshtë Autoritetin Palestinez si një alternativë të qëndrueshme, për shkak të korrupsionit dhe mungesës së gatishmërisë së tij për të hequr dorë siç duhet nga mbështetja për terrorizmin. Perspektiva e sjelljes së forcave të jashtme arabe mbetet e paqartë dhe ndoshta e pazbatueshme pa koordinim dhe legjitimitet të rëndësishëm ndërkombëtar.

Megjithatë, për Izraelin, llogaritja ka ndryshuar. Ngjarjet e 7 tetorit nuk ishin thjesht një zemërim i madh, ato ishin një pikë kthese. Qëllimi tani nuk është thjesht parandalimi, por çmontimi. Jo një armëpushim tjetër, por një gjendje përfundimtare.

Njëzet vjet më parë, Izraeli u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga Gaza. Brenda një muaji, raketat rifilluan. Brenda dy vjetësh, Hamasi sundoi enklavën. Premtimi i asaj shkëputjeje, paqeje përmes distancës, u shemb nën peshën e ideologjisë dhe dhunës. Ajo që po tentohet tani është, në thelb, një përmbysje e këtij dështimi. Të rihyhet në Gaza jo për ta ripushtuar atë përgjithmonë, por për të shtypur arkitekturën e terrorit dhe për ta zëvendësuar atë me diçka që ende nuk është përcaktuar, por domosdoshmërisht e ndryshme.

Kjo mund të mos jetë e pastër. Mund të mos jetë e shpejtë. Mund të mos ketë as sukses. Por për një qeveri që nuk sheh ndonjë rrugë tjetër të zbatueshme dhe për një publik që, megjithëse i ndarë, refuzon kryesisht të jetojë nën kërcënimin e një 7 tetori tjetër, Netanyahu dhe kabineti i tij e shohin atë si të vetmen rrugë që ka mbetur për të ndjekur.

Marrë nga The Spectator/Përshtati Gazeta Si

The post A do ta lejojë pushtimi i Gazës Izraelin të shtypë Hamasin? appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Berisha: Qeveria përdori gjysmë miliardi euro për aktivitete elektorale që të ndikonte tek qytetarët

7 August 2025 at 14:46

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi me denoncimet për zgjedhjet e 11 majit, të cilat i konsideron si “farsë elektorale”.

Berisha tha se sipas tij qeveria përdori gjysmë miliardi euro për aktivitete që të ndikonte tek qytetarët.

Duke iu referuar raportit të OSBE-ODIHR, Berisha tha se në këtë periudhë janë organizuar 4 mijë e 500 veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Pra përveç këtyre, bashkitë e vendit kanë prokuroruar tërësisht për qëllime elektorale në total 57 mln euro, nga të cilat rreth 14 mln para xhepi të themi, blerje të përqendruara. 32 mln bashkitë të ndryshme dhe Fondi shqiptar i grabitjes apo plaçkitjes, apo i zhvillimit siç quhet, ka përdorur për qëllime elektorale 10 mln euro”, tha Berisha.

Ai akuzoi kreun e Prokurorisë së Posaçme si “njeriun e dytë më përgjegjës”.

“14.5 mln euro të ndaluara me ligj përdorimi i tyre dhe këto i ligjëron vetëm Altin Troplini, i cili bën mashtrimin publik se thotë nuk kemi prova dhe fakte”, tha Berisha.

Më pas ai renditi të gjitha tenderat e bashkisë që sipas Berishës nuk ka respektuar ligjin.

The post Berisha: Qeveria përdori gjysmë miliardi euro për aktivitete elektorale që të ndikonte tek qytetarët appeared first on Gazeta Si.

Vizat për në SHBA/ DASH nuk fut Shqipërinë në listën e vendeve që paguajnë garanci

7 August 2025 at 14:05

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria nuk preket nga projekti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili parashikon garanci deri në 15 mijë dollarë për marrjen e një vize turistike apo biznesi. Të paktën jo në këtë fazë të parë të implementimit të tij.

Burime nga Ministria e Jashtme thanë se deri tani nuk ka njoftim për këtë program pilot, por me hyrjen në fuqi të programit, do të njoftohen vendet që mund t’i shtohen listës.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se projekti pilot 12-mujor, që nis zbatimin më 20 gusht, do të zbatohet fillimisht për shtetasit nga Malaui dhe Zambia, dy shtete të Afrikës Jugore dhe Juglindore.

Projekti i ri i vizave parashikon tre nivele garancie, 5 mijë, 10 mijë dhe 15 mijë euro, shifër e cila përcaktohet gjatë procesit të intervistimit nga stafet e ambasadave dhe në varësi të rrezikshmërisë për shkeljen e vizave.

Garancia nuk do të zbatohet për shtetasit e vendeve që marrin pjesë në programin e heqjes së vizave dhe mund të përjashtohet për të tjerët në varësi të rrethanave individuale të aplikantit. Kjo nuk është hera e parë që propozohen garancitë për vizat por në të shkuarën nuk janë zbatuar. Departamentin Amerikan të Shtetit e ka dekurajuar këtë kërkesë për shkak të procesit të ndërlikuar të depozitimit dhe kthimit të garancisë.

Megjithatë, ky qëndrim i mëparshëm nuk mbështetet nga ndonjë shembull apo dëshmi e kohëve të fundit, pasi garancitë për viza nuk janë kërkuar përgjithësisht në ndonjë periudhë të fundit.

Ky projekt pilot vjen në një kohë që administrata Trump ka shtuar rregullat për rinovimin e vizave ndërsa një raport i Departamentit për Sigurinë e Brendshme thotë se përgjatë 2023, 42 % e 11 milionë të huajve që hynë me vizë të rregullt me afat nuk u larguan më nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

The post Vizat për në SHBA/ DASH nuk fut Shqipërinë në listën e vendeve që paguajnë garanci appeared first on Gazeta Si.

Samiti i shumëpritur i Trumpit me Putinin mund të jetë një ‘kurth’…

7 August 2025 at 12:17

Nga Gazeta ‘Si’- Donald Trump shpalli “progres të madh” drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, pasi njoftoi planet për t’u takuar së shpejti me presidentin rus Vladimir Putin.

Trump ka pohuar vazhdimisht se përparimi i madh është i afërt që nga marrja e detyrës në janar – pasi premtoi dhe më pas dështoi të përfundonte luftën brenda 24 orësh .

Por arsyet e Putinit për të vazhduar luftën janë shumë më bindëse sesa çdo nxitje që Trump mund t’i japë atij për ta përfunduar atë.

“Mendoj se ne në Uashington ndonjëherë e nënvlerësojmë se sa i angazhuar është Kremlini në zhvillimin e kësaj lufte”, tha David Salvo, një ekspert i Rusisë dhe drejtor menaxhues i Aleancës për Sigurimin e Demokracisë në Fondin Gjerman Marshall.

“Legjitimiteti dhe fati i të gjithë regjimit të Putinit bazohet jo vetëm në përfundimin e kësaj lufte sipas kushteve ruse, por në vazhdimin e luftës për të ardhmen e parashikueshme, e gjithë ekonomia mbështetet rreth luftës.”

Salvo, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, shtoi: “Thjesht nuk shoh asgjë që do të ndryshojë llogaritjet e Kremlinit.”

A ka ndonjë shpresë që këtë herë të jetë ndryshe?

Megjithatë, paqebërja e suksesshme shpesh kërkon që presidentët të marrin rreziqe. Dhe nëse Trump do të arrinte disi të niste një proces të vërtetë paqeje, ai do të shpëtonte potencialisht mijëra jetë në një luftë që ka shkatërruar civilët ukrainas. Ai gjithashtu do të arrinte një moment të rëndësishëm për SHBA-në dhe veten e tij.

Pra, a ka ndonjë arsye për optimizëm?

Një samit me Putinin do të ishte një moment i madh i burrërisë së shtetit dhe do t’i ofronte Trumpit një takim kokë më kokë me udhëheqësin rus, të pritur prej kohësh, dhe mundësinë për të vënë në provë besimin e tij se, personalisht, ai mund të përdorë aftësitë e tij në arritjen e marrëveshjeve për t’i dhënë fund luftës.

Trump po propozon gjithashtu një takim trepalësh që do të bashkonte Putinin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në takimin më të rëndësishëm diplomatik që nga pushtimi i paligjshëm rus tre vjet më parë.

Moska zakonisht përgatitet për takime të tilla me bisedime të përpikta të nivelit të ulët, të cilat shpesh i përdor si taktika vonuese, kështu që mund të zemërohet nga nxitimi.

Por rritja e interesave të një takimi presidencial mund të ushtrojë presion mbi Putinin që të arrijë të paktën diçka që Trump mund ta quajë fitore. Kjo mund të përfshijë një marrëveshje për të ndaluar sulmet ajrore ndaj civilëve, edhe nëse një armëpushim i plotë dhe një marrëveshje paqeje mund të duhen shumë muaj për t’u arritur.

Një përparim i rëndësishëm do të vërtetonte gjithashtu strategjinë e re të Trump për të provuar ta detyrojë Putinin të ulet në tryezë me ndëshkime në vend të lajkatimeve. Mund të mos jetë rastësi që lëvizja e dukshme në luftë erdhi në një ditë kur Trump tha se do të vendoste tarifa të rënda ndaj Indisë – një nga blerësit kryesorë të naftës ruse që financon përpjekjet e luftës. Brenda dy ditësh, Trump përballet me afatin e tij për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të mosrespektimit të kërkesave të tij për armëpushim.

Të mërkurën në Ukrainë pati një notë të rrallë optimizmi.

“Rusia tani duket se është më e prirur drejt një armëpushimi – presioni po funksionon”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm gjatë kohës së luftës.

Arsyet për të mos i besuar Putinit

Putini mund të jetë ende duke luajtur të njëjtën lojë të vjetër.

Në shtatë muajt e parë të mandatit të dytë të Trump, ai është poshtëruar nga Putini që i ka injoruar përpjekjet e tij për paqe dhe i ka tallur pretendimet e Trump se udhëheqësi rus dëshiron sinqerisht paqe. Edhe Trump, i cili ka një histori të gjatë të përkuljes në gjunjë para udhëheqësit rus, duket se e ka kuptuar se është marrë për budalla.

Presidenti pranoi se nuk e di se cila është loja e Putinit. “Nuk mund t’i përgjigjem ende kësaj pyetjeje”, u tha ai gazetarëve të mërkurën. “Do t’jua them brenda pak javësh, ndoshta më shpejt.”

Trump mund të përpiqet ta paraqesë çdo samit të Putinit si një fitore më vete.

Putini ka thënë prej kohësh se është i gatshëm të takohet me Trumpin kur të jetë momenti i duhur, dhe një takim i tillë do të përfaqësonte një rikthim të një udhëheqësi të përjashtuar në skenën diplomatike më të lartë të botës.

Dhe çdo takim do të ringjallte kujtimet e samitit të Helsinkit në mandatin e parë të Trumpit, kur Putini pati një sukses të jashtëzakonshëm në manipulimin e homologut të tij amerikan.

“Mendoj se Putini do ta shohë këtë si një mundësi”, tha të mërkurën ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Trumpit, John Bolton, për Kaitlan Collins të CNN në “The Source”.

“Mendoj se ai e di që, me qëllim ose pa dashje, e ka shtyrë Trumpin paksa shumë larg dhe do të ketë disa ide se si t’i kthejë gjërat në drejtimin e tij”, tha Bolton.

Pyetja vendimtare është se çfarë do të ofrojnë rusët si një rezultat të arritur në samit.

SHBA-të u përpoqën në të kaluarën të arrinin një marrëveshje për të ndaluar sulmet ajrore nga të dyja palët. Kjo mund t’u lejojë ukrainasve të largohen nga strehimoret e tyre ajrore. Por shanset për një armëpushim më të gjerë duken të largëta. Përparime të mëdha duken të mundshme në ofensivën e verës të Moskës. Atëherë, pse të ndalojmë luftimet tani? Putini mund ta shohë këtë angazhim të ri me Trumpin si blerje më shumë kohe për të zaptuar tokë strategjike kyçe në Ukrainën lindore.

Një tjetër qasje e mundshme do të ishte që Rusia ta bindte Trumpin me nxitje që ta largonte vëmendjen nga Ukraina – ndoshta një premtim për bisedime mbi një marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore që do të forconte trashëgiminë e tij, ose një bashkëpunim të rëndësishëm ekonomik që do të ngjallte instinktet transaksionale të Trumpit.

Moska është përpjekur prej kohësh të luajë me skepticizmin e Trumpit në lidhje me luftën duke inkurajuar përçarje midis SHBA-së dhe aleatëve evropianë të Kievit.

Zelensky të mërkurën pati një paralajmërim: “Çelësi është të sigurohemi që ata të mos mashtrojnë askënd në detaje – as ne dhe as Shtetet e Bashkuara”.

Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si

The post Samiti i shumëpritur i Trumpit me Putinin mund të jetë një ‘kurth’… appeared first on Gazeta Si.

Kremlini konfirmon: Putin dhe Trump pritet të takohen në ditët në vijim!

7 August 2025 at 11:20

Nga Gazeta ‘Si’- Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump pritet të zhvillohet në ditët në vijim, sipas një deklarate nga Kremlini.

Lajmi është bërë i ditur nga këshilltari për çështje të jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, i cili konfirmoi se palët kanë arritur një marrëveshje parimore dhe tashmë kanë nisur përgatitjet për samitin, raporton Sky News.

Vendndodhja e takimit është caktuar, por do të bëhet publike në një moment të mëvonshëm.

Ushakov shtoi se ideja për një takim dypalësh u propozua nga pala amerikane gjatë bisedimeve të djeshme mes Putinit dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff.

Ndërsa është diskutuar edhe mundësia e një takimi trepalësh me përfshirjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Moska nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për këtë opsion.

Data e saktë e takimit Putin–Trump nuk është bërë publike, por sipas Kremlinit, ai mund të mbahet që javën e ardhshme, në varësi të përgatitjeve logjistike që janë në proces.

The post Kremlini konfirmon: Putin dhe Trump pritet të takohen në ditët në vijim! appeared first on Gazeta Si.

Tarifat e reja të Trumpit hyjnë në fuqi, preken edhe vendet e Ballkanit Perëndimor

7 August 2025 at 09:51

Nga Gazeta ‘Si’- Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj dhjetëra vendeve në mbarë botën, kanë hyrë në fuqi të mërkurën pas mesnatës.

Pak pas mesnatës, përmes platformës së tij Truth Social, Trump shkroi: “Është mesnatë!!! Miliarda dollarë në tarifa po rrjedhin tani në Shtetet eBashkuara të Amerikës!”

Shtëpia e Bardhë tha se mallrat nga më shumë se 60 vende dhe nga Bashkimi Evropian do të përballen me tarifa prej 10 për qind ose më të larta.

Tarifat do të zbatohen edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas këtyre përqindjeve:

Serbia 35 për qind, Bosnja e Hercegovina 30 për qind, Maqedonia e Veriut 15 për qind, Kosova 10 për qind dhe Mali i Zi 10 për qind.

Pjesë e listës është edhe Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, produktet e së cilës do të tatohen me 15 për qind gjatë importit në Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Kosovës në detyrë vendosi më 1 gusht ta heqë tarifën doganore prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane.

Produktet nga Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do të tatohen me 15 për qind, ndërsa importet nga Tajvani, Vietnami dhe Bangladeshi do të tatohen me 20 për qind.

Kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të botës, Brazili po përballet me tarifa më të larta doganore amerikane në botë – një tarifë prej 50 për qind që zbatohet për shumicën e mallrave.

Edhe India do të preket nga një tarifë prej 50 për qind, e cila hyn në fuqi më 27 gusht.

Sa i përket Kinës, negociatat janë ende në vazhdim dhe si Uashingtoni, ashtu edhe Pekini janë pajtuar që t’i shtyjnë të gjitha tarifat e reja deri më 12 gusht.

Meksikos i është dhënë gjithashtu një shtyrje, pasi Trump ka thënë se do të vazhdohet me normat aktuale për edhe 90 ditë, duke shmangur kështu rritjen e kërcënuar në 35 për qind.

Kanadaja tashmë po përballet me një tarifë prej 35 për qind, që është në fuqi që nga e premtja e kaluar, ndonëse shumica e mallrave janë të përjashtuara në bazë të marrëveshjes tregtare ndërmjet SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.

Për vende si BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, Trump gjithashtu pret që ato të investojnë qindra miliarda dollarë në SHBA.

“Mendoj se rritja do të jetë e paprecedentë”, tha Trump të mërkurën pasdite.

Ai shtoi se SHBA-ja “po fiton qindra miliarda dollarë nga tarifat”, por dha ndonjë shifër të saktë për të ardhurat, duke thënë se “ne madje nuk e dimë ende numrin përfundimtar” në lidhje me normat e tarifave.

Pavarësisht pasigurisë, Shtëpia e Bardhë është e bindur se fillimi i këtyre tarifave gjithëpërfshirëse do të sjellë qartësi për rrugën që do ndjekë ekonomia më e madhe në botë.

Megjithatë, kompani dhe grupe të industrisë paralajmërojnë se tarifat e reja do të dëmtojnë rëndë bizneset e vogla amerikane.

Produktet nga Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do të tatohen me 15 për qind, ndërsa importet nga Tajvani, Vietnami dhe Bangladeshi do të tatohen me 20 për qind.

The post Tarifat e reja të Trumpit hyjnë në fuqi, preken edhe vendet e Ballkanit Perëndimor appeared first on Gazeta Si.

SHBA pritet të shpallë sanksione të tjera ndaj Rusisë

6 August 2025 at 19:27

Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin sanksione dytësore ndaj Rusisë, njoftoi një zyrtar amerikan për agjencinë Reuters, duke shtuar se Moska ka shprehur interes për të vijuar kontaktet me Uashingtonin.

Sipas të njëjtit burim, takimi midis të dërguarit special të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe presidentit rus Vladimir Putin në Kremlin, është konsideruar “i suksesshëm”.

Takimi vjen në një moment kritik, pas paralajmërimeve të Trump për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë nëse Moska nuk bie dakord për një armëpushim në Ukrainë.

Më herët gjatë së mërkurës, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, menjëherë pas takimit të Witkoff me Putin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA do të marrë një qëndrim zyrtar shumë shpejt lidhur me mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

“Shpresoj që së shpejti të kemi disa njoftime për Rusinë – ndoshta pozitive, ndoshta jo,” u shpreh Rubio për gazetarët.

Ai shtoi se do të ketë bisedime të tjera me emisarin Witkoff gjatë së mërkurës, dhe premtoi më shumë detaje në orët në vijim.

Takimi Putin–Witkoff u zhvillua në Kremlin dhe zgjati rreth tre orë, sipas mediave ruse. Kremlini e përshkroi si një takim “të dobishëm dhe konstruktiv”.

Këshilltari i Kremlinit për çështjet e politikës së jashtme, Yuri Ushakov, konfirmoi se u shkëmbyen “sinjale” mes dy palëve:

“Marrëdhëniet janë të tensionuara, por takimi tregoi se ekziston vullneti për komunikim. Ne morëm disa sinjale nga Trump dhe dërguam edhe ne disa të tillë.”

Zhvillimet vijnë në një fazë kyçe të konfliktit në Ukrainë, me Shtetet e Bashkuara që duket se po i rishikojnë pozicionet e tyre në raport me Rusinë nën udhëheqjen e Trump.

The post SHBA pritet të shpallë sanksione të tjera ndaj Rusisë appeared first on Gazeta Si.

BSH nuk ndryshon normën e interesit. Sejko: Turizmi në rritje, bujqësia në rënie

6 August 2025 at 17:00

Nga Gazeta ‘Si’- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar në nivelin e 2.25%.

Sejko u shpreh se ekonomia, punësimi dhe pagat po rriten.

Kurse inflacioni-tha ai- është në nivele të ulta, edhe pse në rritje të lehtë në tremujorin e dytë.

“Megjithëse pasiguritë në ambientin e huaj janë të larta, ekonomia pritet të rritet. Inflacioni pritet të kthehet në objektiv më gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. Inflacioni bazë është rritur lehtë nga 2.4% në 2.6% në tremujorin e dytë. Rritja e inflacioni u diktua nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe e qirave”, u shpreh ai ndër të tjera.

Ai tha se inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

“Kjo ecuri do të ndihmohet nga një balancim më i mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, nga stabilizimi i inflacionit në tregjet ndërkombëtare, nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit, si dhe nga ankorimi më i mirë i pritjeve për inflacionin”, tha ai.

Sejko shpjegoi edhe faktorët që mbajnë rritjen ekonomike në vend, ku bie në sy rritja e nivelit të turizmit.

“Rritja ekonomike është mbështetur nga konsumi dhe shërbimet. Ndërtimi dhe turizmi po rriten ndërsa bujqësia vijon rënien. Rritja e ndërhyrjeve në tregun valutor ka ndihmuar në forcimin e kursit të këmbimit”, tha guvernatori.

The post BSH nuk ndryshon normën e interesit. Sejko: Turizmi në rritje, bujqësia në rënie appeared first on Gazeta Si.

Trump: BE na ka shfrytëzuar, tani të paguajnë!

6 August 2025 at 12:41

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar Bashkimin Europian me tarifa më shumë se dyfishin e investimit fillestar të BE-së nëse ky i fundit nuk i përmbush detyrimet.

BE-ja i ka premtuar atij 600 miliardë dollarë, tha Trump për CNBC. Nëse europianët nuk arrijnë të investojnë 600 miliardë dollarët e shpallur (pothuajse 520 miliardë euro) në SHBA, ai do të vendosë tarifa prej 35 për qind.

“Ata më dhanë 600 miliardë dollarë dhe kjo është një dhuratë. Detajet janë se 600 miliardë dollarë mund të investohen në çdo gjë që dua. Çdo gjë. Mund të bëj çfarë të dua me to”, përsëriti Trump kur u pyet për detaje. “Ata na kanë shfrytëzuar për kaq shumë vite, është koha të paguajnë”, shtoi ai.

Këto deklarata bien ndesh me informacionin e mëparshëm nga Komisioni i BE-së në lidhje me marrëveshjen me SHBA-në. Kompanitë e BE-së planifikojnë të investojnë 600 miliardë dollarë në SHBA në vitet e ardhshme. Sipas Komisionit të BE-së, këto janë aktualisht shprehje interesi nga kompanitë.

Një zyrtar i Komisionit sqaroi se kjo ishte një çështje për kompanitë private; Komisioni, si autoritet publik, nuk mund ta garantonte këtë. Komisioni nuk zbuloi se cilat kompani kishin shprehur qëllime investimi dhe për çfarë shume, thekson media gjermane Die Welt. 

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje paraprake në mosmarrëveshjen tregtare në një takim me Trump në Skoci në fund të korrikut. Si pjesë e marrëveshjes në parim, sipas Trump, europianët synojnë gjithashtu të blejnë energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë (pothuajse 650 miliardë euro).

Kjo është pothuajse dyfishi i importeve totale vjetore të energjisë së BE-së nga vende të ndryshme. Vlera e tyre në vitin 2024 arriti në 375.9 miliardë euro, sipas zyrës së statistikave të BE-së, Eurostat.

Sipas ekspertëve, SHBA-të do të kishin vështirësi në eksportimin e kaq shumë energjisë. Disa komentues në mediat amerikane tani supozojnë se shifrat e cituara nga Trump janë kryesisht për vetëpromovimin e presidentit.

Të enjten, mbingarkesa prej 15 për qind do të hyjnë në fuqi për shumicën e produkteve të BE-së, përfshirë makinat.

The post Trump: BE na ka shfrytëzuar, tani të paguajnë! appeared first on Gazeta Si.

Emisari për dialogun Kosovë-Serbi viziton Prishtinën. Takime me Kurtin dhe me Osmanin

6 August 2025 at 10:11

Nga Gazeta ‘Si’- I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndron në Prishtinë më 6 gusht, ku do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sorensen fillimisht do të takohet me Osmanin në orën 10:00, dhe më pas, në orën 11:00 do të takohet me Kurtin.

Vizita e emisarit evropian vjen në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, për normalizimin e raporteve, pa lirimin e një zyrtari të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Igor Popoviç u ndalua në Kosovë më 18 korrik. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi mes kryenegociatorëve të dy shteteve, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.

Takim të nivelit të lartë në dialog Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Kosova për këtë ngjarje fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Ndërkaq, BE-ja ka kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Takimi i Sorensenit me Osmanin vjen në kohën kur Kosova gjendet në një krizë politike, pasi që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit, vendi nuk ka institucione të reja.

Shefja për diplomaci e BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës në Kosovë të zhvilluar në maj, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të zhbllokonin ngërçin politik, teksa njoftoi se blloku evropian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Këto masa ndëshkuese, BE-ja ja vendosi Kosovës verën e vitit 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kallas po ashtu kanë thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë drejt një të “ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Më 2023, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, por sikurse edhe marrëveshje të tjera, BE-ja thotë se ky pakt nuk po zbatohet në terren./rel

The post Emisari për dialogun Kosovë-Serbi viziton Prishtinën. Takime me Kurtin dhe me Osmanin appeared first on Gazeta Si.

Zyrtari i OKB: Zgjerimi i operacioneve izraelite në Gaza do shkaktonte pasoja katastrofike

6 August 2025 at 09:54

Nga Gazeta ‘Si’- OKB-ja i ka quajtur “alarmante” raportet në lidhje me një vendim të mundshëm për të zgjeruar operacionet ushtarake të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës.

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua mbi situatën në Gaza, tha se një veprim i tillë do të shkaktonte pasoja katastrofike dhe se mund të rrezikonte më tej jetën e pengjeve të mbetura në Gaza.

“Raportet e fundit në lidhje me vendimin e Benjamin Netanyahut për të zgjeruar operacionet ushtarake të Izraelit përmes Rripit të Gazës, nëse janë të vërteta janë tejet alarmante”, tha ai duke shtuar se “kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe mund të rrezikonte më tej jetën e pengjeve të mbetura në Gaza”

Më tej nënvizoi se e drejta ndërkombëtare është e qartë në këtë drejtim; Gaza është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez.”

The post Zyrtari i OKB: Zgjerimi i operacioneve izraelite në Gaza do shkaktonte pasoja katastrofike appeared first on Gazeta Si.

Trump shfaqet në çatinë e Shtëpisë së Bardhë dhe iu flet me shaka gazetarëve: Po vendos armë bërthamore

6 August 2025 at 09:51

Nga Gazeta ‘Si’- Një vizitë e papritur e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në tarracën e një prej objekteve të Shtëpisë së Bardhë ka nxitur kureshtjen e shumë gazetarëve se çfarë po bënte ai aty.

Lideri amerikan, ndonëse në një largësi të konsiderueshme, iu është përgjigjur atyre me shaka se ishte duke vendosur një armë bërthamore.

Trump shoqërohej nga disa anëtarë të stafit, truprojat, dhe sipas disa burimeve mund të ketë në mendje disa ndryshime strukturore në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas mediave, në plan është ndërtimi i një salle vallëzimi që do të kushtojë plot 200 milionë dollarë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, salla e re, me një sipërfaqe prej rreth 8,400 metrash katrorë, do të jetë në gjendje të akomodojë deri në 650 persona – tre herë më shumë se kapaciteti i Sallës Lindore, e cila deri më tani është hapësira më e madhe e ngjarjeve në kompleks.

Kjo është arsyeja pse vitet e fundit, ngjarjet në shkallë të gjerë, siç janë darkat shtetërore në nder të krerëve të shteteve, janë pritur në tenda të posaçme në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë.

The post Trump shfaqet në çatinë e Shtëpisë së Bardhë dhe iu flet me shaka gazetarëve: Po vendos armë bërthamore appeared first on Gazeta Si.

Temperaturat deri në 34 gradë celsius

6 August 2025 at 09:44

Nga Gazeta ‘Si’– Territori shqiptar këtë të mërkurë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e me vranësira mesatare e hera-herës deri të dendura në orët e mesditës në relievet malore, në verilindje e juglindje. Temperaturat do të variojnë nga 18-34 gradë celsius.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në zonën lindore të vendit, kryesisht në relievet malore, ndërsa pjesa tjetër e territorit parashikohet pa reshje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim, me shpejtësi mesatare 7m/s. Në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare, hera-herës, era do të fitojë shpejtësi 7-14m/s.

The post Temperaturat deri në 34 gradë celsius appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Turizmi ka dështuar, shkak eurot e drogës

5 August 2025 at 13:57

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po fshihet pas një krize të thellë në sektorin e turizmit, duke e cilësuar zhvlerësimin e euros si “toksinën e vërtetë të ekonomisë shqiptare”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se pavarësisht propagandës për 10 milionë turistë, Shqipëria këtë vit po përjeton një rënie dramatike të vizitorëve në plazhe, liqene dhe destinacione turistike.

Ai akuzoi qeverinë dhe mediat pranë saj për “heshtje mafioze” dhe për fshehje të shkakut të vërtetë që, sipas tij, është forcimi artificial i lekut nga paraja e ardhur nga trafiku i drogës.

“Shkaku madhor i kësaj rënie dramatike është narko-euroja! Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë dhe turizmit shqiptar. Turisti që më parë me 100 euro blinte një shërbim, sot i duhen 135 euro për të njëjtën gjë,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, zhvlerësimi me 35% i euros dhe dollarit në Shqipëri ka rritur çmimet për turistët e huaj, duke e bërë vendin më të shtrenjtë se disa vende të Bashkimit Europian. Ai e cilësoi këtë një “krim të heshtur” dhe akuzoi operatorët turistikë dhe ekspertët për bashkëpunim në këtë fshehje.

“Të fshehësh këtë fakt, bëhesh bashkëfajtor në një krim. Po dëmtohet një nga sektorët më strategjikë të vendit,” theksoi Berisha.

Berisha përmendi gjithashtu periudhën 2005–2012 si kohë të një rritjeje të fortë të turizmit falë infrastrukturës, ndërsa sipas tij, rritja e viteve të fundit është artificiale dhe manipulim statistikor që përfshin pasagjerët e linjave ajrore dhe jo vizitorë realë.

The post Berisha: Turizmi ka dështuar, shkak eurot e drogës appeared first on Gazeta Si.

Ministri serb pëson sulm në tru gjatë intervistës live (VIDEO)

5 August 2025 at 12:56

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri serb për Investime Publike, Darko Glishiç ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore gjatë një interviste televizive në mëngjes në një televizion serb.

Siç shihet edhe në disa pamje që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ai filloi të belbëzonte dhe nuk ishte në gjendje të formonte fjali, çka detyroi ndërprerjen e menjëhershme të programit.

UDARNO: Hitno prekinut program na Pinku! Glišić se šlogirao u sred emisije?!

Ministru za javna ulaganja Darku Glišiću naglo je pozlilo uživo u jutarnjem programu na Pinku. pic.twitter.com/otIuN977tP

— Mario ZNA (@MarioBojic) August 5, 2025

Sipas mediave serbe, dyshohet se ai ka pësuar një sulm në tru dhe raportohet se është në gjendje të rëndë.

Ministri u dërgua me urgjencë në spital. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shkoi menjëherë në spital pasi mësoi se çfarë i kishte ndodhur ministrit. Ai i dërgoi një mesazh të shkurtër mbështetjeje në Instagram:

– Guxoni, duroni! Asnjë dorëzim! – ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Ai është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiçit dhe ministër që nga maji 2024.

The post Ministri serb pëson sulm në tru gjatë intervistës live (VIDEO) appeared first on Gazeta Si.

Pse Bashkimi Europian ‘po mungon’ në Gaza

5 August 2025 at 12:35

Nga Gazeta ‘Si’- Nicolas Schmit, i cili ishte anëtar i Komisionit Europian pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi, thotë se qëndrimi i ngatërruar i bllokut ndaj luftës në Gaza buron nga diçka më e thellë se mosmarrëveshja: inercia institucionale dhe kontrolli presidencial.

Në një intervistë ekskluzive me The Capitals, socialisti i Luksemburgut tha se Komisioni nuk zhvilloi debat të duhur rreth marrëdhënies së Europës me Izraelin gjatë 13 muajve që ai ishte në detyrë pas fillimit të luftës.

«Nuk kemi pasur kurrë një diskutim të vërtetë strategjik mbi çështjen e Lindjes së Mesme nga këndvështrime të ndryshme», tha ai. «Duhet të kishim debatuar për marrëdhënien me Izraelin, por nuk e bëmë».

Kjo mungesë, argumentoi Schmit, ishte pjesërisht sepse Presidentja Ursula von der Leyen ishte në linjë me Berlinin dhe Uashingtonin, duke lënë pak hapësirë për pikëpamje të ndryshme midis komisionerëve të tjerë.

Mandati i Schmit si komisioner për vendet e punës dhe të drejtat sociale përfundoi në fund të vitit të kaluar. Komentet e tij vijnë pasi “miku i tij shumë i mirë” dhe ish-kolegu i tij Josep Borrell, ish-diplomati më i lartë i bllokut, akuzoi udhëheqjen e BE-së se është “bashkëpunëtore” në krimet e luftës të kryera nga Izraeli në një artikull që të habit , të botuar në mediat britanike, franceze, italiane , spanjolle dhe belge.

Që Borrell, një spanjoll, do të mbante një qëndrim të tillë ndoshta nuk është për t’u habitur – Spanja është shfaqur si një nga kritikët më të zëshëm të bllokut ndaj Izraelit në muajt e fundit. Vetëm javën e kaluar, në një qortim të rrallë publik ndaj kolegëve të saj, Teresa Ribera, një nga nënkryetaret më të larta të Komisionit, tha në radion kombëtare spanjolle se ajo e ka shtyrë von der Leyen të përgjigjet më me forcë.

Schmit më parë shërbeu si ministër i punës në Luksemburg – një tjetër komb europian që ka qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj Izraelit.

Megjithatë, ai u distancua nga fjalët e Borrell-it – “nuk është bashkëfajësi, është thjesht dobësi”, duke shtuar, “ka përçarje në Bashkimin Europian, padyshim, dhe Borrell duhet t’i dijë ato më mirë se unë”.

Javën e kaluar, shtetet anëtare debatuan propozimin e Komisionit për të pezulluar pjesërisht Izraelin nga programi kryesor i kërkimit të BE-së, Horizon Europe, në atë që mund të bëhet sanksioni i parë zyrtar i bllokut kundër Izraelit që nga 7 tetori. Por nuk u arrit asnjë shumicë e kualifikuar.

Rreth 10 vende, përfshirë Francën, Spanjën, Irlandën, Holandën dhe Belgjikën, e mbështetën këtë veprim, por Hungaria, Austria dhe Republika Çeke e kundërshtuan me vendosmëri. Gjermania dhe Italia, dy nga vendet më të mëdha që mund të ndryshonin peshoren, thanë se kishin nevojë për më shumë kohë për analizë.

Ndërsa kriza humanitare në Gaza përkeqësohet, Schmit beson se shkatërrimi po i afrohet një pragu që BE-ja nuk mund ta injorojë.

“Ajo që po i bëhet tani popullit të Gazës është thjesht e papranueshme. Nuk dua të hyj në këtë debat ligjor nëse është apo jo gjenocid, por nëse nuk është, është shumë afër gjenocidit”, tha ai.

Sipas pikëpamjes së Schmit, masa të tilla si pezullimi i Izraelit nga programi Horizon Europe ka të ngjarë të kenë pak ndikim tek kryeministri Benjamin Netanyahu. Në vend të kësaj, ai sugjeroi pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, duke e përshkruar këtë veprim si “armën e vetme” të Europës.

Kritika e tij se Von der Leyen e ka keqmenaxhuar Komisionin duke mos lejuar më shumë hapësirë për debate politike mbi tema të diskutueshme nuk është e re; ai gjithashtu kritikoi ish-shefen e tij gjatë fushatës zgjedhore, kur ai kandidoi kundër saj në një përpjekje të pafat për t’u bërë presidente e Komisionit vitin e kaluar.

Nuk është e pazakontë që politikanët të zbulojnë bindjet e tyre pasi barrën e detyrës e kanë lënë pas. Schmit dhe Borrell, si shumë të tjerë para tyre, tani duket se janë të vendosur të rreshtohen me atë që shpresojnë të jetë ana e drejtë e historisë.

Por lufta ka evoluar gjithashtu në mënyrë drastike që kur ata u larguan nga Komisioni, gjë që mund të shpjegojë gjithashtu pse u desh deri në korrik 2025 që organi ekzekutiv të propozonte sanksione zyrtare kundër Izraelit.

Ndërsa numri i të vdekurve rritet, Von der Leyen e ka ashpërsuar me vonesë retorikën e saj në muajt e fundit, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë ndihmën humanitare në Gaza dhe duke i denoncuar imazhet që qarkullojnë në internet të viktimave civile si “të padurueshme”.

Kritika e Schmit-it ndaj shefes së Komisionit shtrihet përtej luftës. Ai paralajmëroi se nën udhëheqjen e saj, komisionerët “shumë rrallë” debatonin në mbledhjet e Kolegjit.

«Nëse keni këtë organizim vertikal të pushtetit», tha ai, «komisionerët janë vetëm sekretarët e presidentit. Ata janë nëpunës të lartë civilë».

Burimi: Euractive/Përshtati Gazeta Si

The post Pse Bashkimi Europian ‘po mungon’ në Gaza appeared first on Gazeta Si.

Tragjike në Pogradec/ Goditet nga rrufeja, humb jetën 47-vjeçari, ngordhin edhe 20 bagëti

5 August 2025 at 11:38

Nga Gazeta ‘Si’- Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Velçan të Pogradecit, ku një bari ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rrufeja.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 10:00, 47-vjeçari L. Ç., i cili ruante bagëtitë në zonën malore të fshatit, u godit nga rrufeja gjatë një moti të keq.

Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë në vend.

Nga goditja elektrike, kanë ngordhur gjithashtu rreth 20 krerë bagëti të imëta që po kullotnin afërsi të tij.

The post Tragjike në Pogradec/ Goditet nga rrufeja, humb jetën 47-vjeçari, ngordhin edhe 20 bagëti appeared first on Gazeta Si.

Kriza humanitare, Izraeli: Do të lejojmë hyrjen e kontrolluar të mallrave në Gazë

5 August 2025 at 10:50

Nga Gazeta ‘Si’- Izraeli do të lejojë hyrjen graduale dhe të kontrolluar të mallrave në Gazë përmes tregtarëve lokalë, tha COGAT, agjencia e ushtrisë izraelite që kontrollon ndihmën.

“Ky vendim synon rritjen e volumit të ndihmës që hyn në Gazë dhe njëkohësisht ul varësinë nga shpërndarja e ndihmave nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha agjencia më 5 gusht.

Javën e kaluar, Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha se po përgatitet që të koordinohet me Kryqin e Kuq për të dërguar ndihma te pengjet që mban në Gazë, nëse Izraeli plotëson disa kushte.

Ky njoftim i grupit radikal palestinez erdhi pasi u publikua një video që shfaqte një peng të dobësuar shumë, gjë që nxiti kritika të ashpra nga fuqitë perëndimore.

Zyrtarët e OKB-së dhe palestinezët thonë se nevojiten që çdo ditë të hyjnë afër 600 kamionë me ndihma në Gazë në mënyrë që të plotësohen kërkesat humanitare – shifër që Izraeli lejonte që të hynte në territorin palestinez para nisjes së luftës.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë, sipas shifrave të Izraelit.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 60.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze. Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë kur publikon shifrat për viktimat.

Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje janë në Gazë dhe vetëm 20 prej tyre besohet se janë gjallë. Deri më tani, Hamasi ka penguar organizatat humanitare të kenë çfarëdo lloj qasjeje te pengjet, ndërsa familjet e tyre kanë pak ose aspak informacione mbi gjendjen e tyre. /rel

The post Kriza humanitare, Izraeli: Do të lejojmë hyrjen e kontrolluar të mallrave në Gazë appeared first on Gazeta Si.

Më shumë se 25 dronë, Rusia kryen sulm masiv në Ukrainë

5 August 2025 at 10:24

Nga Gazeta ‘Si’- Një person është vrarë dhe dhjetë persona – përfshirë dy fëmijë – janë plagosur në sulmin më të madh ajror që Rusia ka kryer në qytezën Lozova të Ukrainës që kur ka nisur lufta mbi tre vjet më parë, thanë zyrtarët.

Sulmi masiv shkaktoi dëme në një stacion të trenit dhe infrastrukturë tjetër në qytezën, që është qendër e transportit në rajonin e Harkivit – që gjendet në kufi me Rusinë – tha operatori shtetëror i hekurudhave, Ukrzaliznytsia, përmes një njoftimi.

“Infrastruktura kritike, ndërtesa banimi dhe shtëpi janë dëmtuar… Lozova ka përjetuar sulmin më të madh që nga nisja e luftës”, tha kreu i Këshillit të qytetit, Serhiy Zelenskiy, përmes një postimi në Telegram.

Ai shtoi se pjesë të rajonit kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë për shkak të sulmit rus.

Kompania Ukrzaliznytsia tha se një nga punonjësit e saj vdiq dhe katër të tjerë u plagosën gjatë këtij sulmi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia ka goditur infrastrukturën civile në Lozova me më shumë se 25 dronë, duke dëmtuar një depo dhe një stacion.

Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 29 nga 46 dronët e lëshuar nga Rusia në mbarë Ukrainën gjatë natës. Në njoftim u tha po ashtu se një raketë balistike dhe 17 dronë goditën lokacione të ndryshme në Ukrainë.

Këto raportime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, ndërkaq Rusia ende ka komentuar për pretendimet ukrainase.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Moska vazhdimisht ka mohuar se godet infrastrukturën civile, pavarësisht dëshmive të shumta që tregojnë të kundërtën.

The post Më shumë se 25 dronë, Rusia kryen sulm masiv në Ukrainë appeared first on Gazeta Si.

❌
❌