Buxheti i ardhshëm i BE dhe fati i PAC: Një udhëkryq strategjik për Ballkanin Perendimor
Monada Mehmetaj, Strasbourg
Në një kontekst politik të ngarkuar pas zgjedhjeve europiane të 2024-ës, Komisioni Europian ka paraqitur më 16 korrik 2025 një nga dokumentet më delikate të mandatit: propozimin për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Europian për periudhën 2028–2034. Në dukje një akt administrativ, por në thelb një përballje e thellë mes ideve për Evropën e së ardhmes. Në qendër të kësaj përballjeje është fati i Politikës së Përbashkët Bujqësore (PAC), simbol i Evropës solidare dhe njëkohësisht një ndër instrumentet më të kontestuara në buxhetin komunitar.
PAC, që për periudhën 2021–2027 përbënte 387 miliardë euro nga buxheti i përgjithshëm mbi 2000 miliardë, është kritikuar shpesh për kostot e larta, por edhe lavdëruar për stabilitetin që i ka dhënë sektorit rural europian. Me ndihma direkte që shkonin deri në 270 miliardë euro për fermerët, ajo ka qenë një shtyllë e qëndrueshmërisë për mijëra bujq në vende si Franca, Spanja, Italia dhe Gjermania.
Propozimi më i fundit i Komisionit, që ka rrjedhur në media përmes një dokumenti pune të konsultuar nga AFP, sugjeron integrimin e PAC në një fond më të gjerë të quajtur “partneritet kombëtar dhe rajonal”. Edhe pse ndihmat direkte për fermerët nuk preken formalisht, struktura e re përfshin riskun e fragmentimit të instrumenteve të mbështetjes dhe uljes së garancive afatgjata për sektorin rural.
Reagimi i sektorit bujqësor ka qenë i menjëhershëm. Copa-Cogeca, lobingu kryesor i fermerëve në BE, ka paralajmëruar protestë para Komisionit, duke e cilësuar këtë reformë si ‘dissolvim të karakterit specifik të PAC’. Edhe ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard, ka theksuar rrezikun e “zhdukjes së shpirtit të PAC”, nëse buxheti i saj hollohet dhe shpërndahet pa një strategji të përbashkët komunitare.
Në të vërtetë, ky debat nuk është thjesht buxhetor, por identitar: Çfarë Evrope duam të ndërtojmë? Një Evropë të projekteve të mëdha teknologjike, mbrojtjes së përbashkët dhe digjitalizimit, apo një Evropë të ekuilibrave socialë dhe territoriale? Integrimi i PAC në një fond të përbashkët mund të jetë praktik nga pikëpamja financiare, por krijon rrezikun që politikat bujqësore të humbasin koherencën, sidomos për zonat më të brishta ruralisht dhe ekonomikisht.
Një tjetër pasojë e mundshme është goditja e strategjisë së ‘Green Deal’ europian. PAC ka qenë një nga instrumentet që kanë ndihmuar në tranzicionin drejt bujqësisë së gjelbër, sidomos përmes programeve si ‘Leader’ për rajonet e pafavorizuara dhe ‘Akis’ për inovacionin bujqësor. Këto dy programe tani parashikohen të kalojnë te fondet e kohezionit, duke humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me politikat bujqësore.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, një shpërbërje funksionale e PAC do të ketë pasoja të dyfishta. Së pari, fondet e para-anëtarësimit (IPA III/IV) do të jenë më pak të fokusuara në harmonizimin bujqësor, duke i lënë vend strategjive më afatshkurtra. Së dyti, vetë modeli europian i zhvillimit rural do të zbehej si referencë për vendet kandidate, duke ndikuar negativisht në procesin e afrimit me standardet e BE-së.
Kjo krizë buxhetore përkon me një Evropë që ka hyrë në një fazë të re pas zgjedhjeve të qershorit 2024. Me përbërje më të fragmentuar në Parlamentin Europian dhe me një Komision të ri ende në formim, rishikimi i prioriteteve është i pashmangshëm. Nëse BE zhvendoset kah një union që investon në siguri, inovacion dhe migracion, atëherë solidariteti rural rrezikon të shtyhet në plan të dytë.
Nëse PAC humbet karakterin e saj të përbashkët, rrezikojmë të shohim një BE që funksionon në logjikën e projekteve të veçanta kombëtare dhe jo më si një bashkësi politike me politika të përbashkëta. Tensioni ndërmjet ‘Evropës së projekteve’ dhe ‘Evropës së solidaritetit’ është tashmë real. Negociatat që do të pasojnë këtë propozim buxhetor do të jenë një provë e vërtetë për identitetin politik të BE-së./kb