Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Main stream

Toka e klubit Partizani çon ish-presidentin në gjykatë/ Malltezi do e padisë për shpifje

By: Ke Si
14 July 2025 at 11:50

Pas deklaratave të ish-presidentit Alfred Moisiu, mbrëmjen e djeshme në emisionin “Off the Record” për rastin “Partizani”, ka reaguar sot Jamarbër Malltezi, i cili thotë se do ta padisë ish-presidentin në gjykatë për shpifje.

Në një postim në Facebook, ai cilëson shpifje deklaratat e ish-kreut të shtetit, i cili tha se toka e Klubit Partizani ishte shpronësuar nga italianët dhe se drejtësia duhet të kërkonte dokumentet në Itali. Në përgjigje të këtyre deklaratve, Malltezi akuzon Moisiun se në A2 CNN përsëriri shpifjet sipas tij, të Ballës, Bollinos dhe Doçit.

“Fakti që toka nuk ka qenë e shpronësuar quhet fakt i njohur zyrtarisht, përderisa është botuar në fletoret zyrtare të kohës së Italisë si tokë e rekuizuar dhe jo e shpronësuar. (Rekuizimi është okupim për periudhë të përkohshme e pa ndryshuar pronësinë). Kaq do të qe e mjaftueshme për këdo që respekton ligjin, por veçanërisht për një ish-president, nëse ai do të përmbushte kriteret e një burrështetasi – respektin për ligjin dhe jo shpifjen”, shkruan Malltezi.

Ai i kujton ish-presidentit  hetimet e SPAK dhe kërkimet edhe në arkivat e Italisë për këtë çështje ku sipas tij provohet se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar.

“Për merakun e ish-presidentit që mesa duket nuk ka më aftësinë të ndjeke detaje, rikujtoj se SPAK jo vetëm ka kryer 3 muaj hetime në Arkivat e Shqipërisë, por ka bërë kërkesë edhe në arkivat e Italisë nga ku ka marre mbi 10,000 faqe dokumente, të cilat provojnë katërcipërisht atë që shkruhet në fletoret zyrtare se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar”.

Duke i cilësuar shpifje deklaratat e ish-presidenti Moisiu, Malltezi tha se do ta çojë në gjykatë.

“Zgjedhja për t’u vetëposhtëruar nëpërmjet shpifjes nuk është çështje moshe, por karakteri. Për të larguar çdo dyshim të publikut mbi këtë çështje, e njoftoj publikisht z.Moisiu që meqë ky është një fakt i ditur për të dhe meqë fjalët nuk mund t’i lëshojë siç nuk thuhet, do ketë mundësi të provojë ose jo, shpifjet e tij në gjykatë”. /e.t

GJKKO liron nga paraburgimi ish-shefin e qarkullimit të Tiranës

By: Ke Si
14 July 2025 at 11:18

Ish-shefi i Rrugores, Roven Zeka, është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion (GJKKO).

Togat e zeza të GJKKO-së kanë ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” per Roven Zekën.

Ndërkohë, më 21 Maj, Apeli i GJKKO-së zbuti masën e sigurisë edhe shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, ku ndaj tij u caktua “arrest shtëpie” për shkak te rrethanave familjare.

Ndaj shefit të Rrugores është ngritur një akuzë për korrupsion dhe që ka lidhje, në fakt, me një ngjarje të rëndë, ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, pesë persona kanë përfunduar në spital.

Referuar të dhënave të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me operacionin e kryer nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u mësua se tre zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bëri me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.

Bashkë me shefin e Qarkullimit Rrugor dhe shefin e Sektorit të Aksidenteve Sokol Novaku, SPAK arrestoi edhe oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku.

AKUZAT NDAJ YRE

Të dy oficerët e lartë akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit, ndërsa në dëshmitë e dhëna kanë mohuar akuzat dhe gjetjet e prokurorisë të bëra prezentë në këtë fazë të hetimit.

Mësohet se Roven Zeka është shprehur në GJKKO se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare.

Dy shefat e Rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarde duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit. Ata kanë mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre në veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku.

Në urdhrin e ndalimit të lëshuar nga prokurorja Elida Kaçkini evidentohej se të 3 punonjësit e policisë janë transferuar në Tiranë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ku kanë shërbyer më parë.

Prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini kërkoi masën “Arrest me burg” për të dy dhe e njëjta masë u konfirmua nga gjyqtarja Flojera Davidhi.

Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni E. V., për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill. Arrestimet u bënë më 19 prill, menjëherë pas zbulimit të rastit, teksa Prokuroria ka zbardhur nëpërmjet përgjimeve edhe bisedat dhe aferën korruptive.

Sipas dosjes hetimore bëhet me dije se Tabaku e njihte bashkëshortin e gruas që shkaktoi aksidentin. SPAK pretendon se ka fakti që Tabaku është takuar dy herë me E. V., me qëllim marrjen e një shumë parash për t’i ndarë me dy eprorët. SPAK saktësoi se ka fakte e përgjime që mundësojnë komunikime me shuma konkrete në lidhje me mbylljen e çështjes së aksidentit të shkaktuar nga shtetasja A. V., ku u tha se u plagosën 5 persona.

 Dyshime për kontakte të Roven Zekës me zyrtarë të policisë

Prokuroria e Posaçme ka marrë dëshminë e katër zyrtarëve të policisë, të cilët zhvilluan takime me shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës Roven Zeka, teksa ai mbahej nën arrest në ambientet e Bllokut të Sigurisë.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi më 1 Maj se pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, përmes të cilave u verifikuan hyrje-daljet e zyrtarëve në Bllokun e Sigurisë, hetuesit e BKH-së i thirrën për t’i marrë në pyetje lidhur me arsyet e vizitës në qeli të kolegut të tyre.

Ndërkohë mësohet se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin.

Prokuroria po i heton zyrtarët nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi nuk lejohet që të kryejnë takime me persona nën hetim.

Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sa sekuestruar celularin e një biznesmeni të njohur.

Dyshohet se sipërmarrësi ka ndërmjetësuar dhe vendosur lidhjen mes Roven Zekës, si edhe biznesmenit tjetër që dyshohet se ofroi ryshfet që gruaja e tij, e përfshirë në aksident rrugor me 5 të plagosur, të mos arrestohej./E.T

Një javë aksion, sot dita e fundit e prishjes së ndërtimeve pa leje në Theth

By: Ke Si
14 July 2025 at 11:11

Sot pritet të përmbyllet aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Kanë mbetur vetëm dy objekte të fundit, të cilave u është lënë afat deri në orën 18:00 që të çmontohen vullnetarisht nga vetë pronarët.

Ky aksion, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit. Pas përfundimit të ndërhyrjeve të sotme, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i parkut kombëtar. /e.t

Parkimi “dysh”, ja kur shndërrohet në vepër penale që dënohet me burg drejtuesi

By: Ke Si
14 July 2025 at 11:10

Deklarata e fundit e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për ashpërsimin e masave ndaj parkimeve të gabuara, në veçanti atyre të quajtura “parkime dysh”, ka ngjallur debat dhe keqkuptime në publik. Shumë qytetarë janë shqetësuar se çdo parkim dysh mund të çojë automatikisht në ndjekje penale. Por News24 ka mësuar se e vërteta është ndryshe.

Çfarë është parkimi “dysh”?

Bëhet fjalë për situatën kur një automjet ndalon ose parkohet në rrugë, pranë një mjeti tjetër që është tashmë i parkuar anash trotuarit apo buzë rrugës. Kjo sjell shpeshherë ngushtim të korsisë dhe vështirësi në qarkullim, por jo çdo rast konsiderohet automatikisht i dënueshëm penalisht.

Kur parkimi dysh kthehet në vepër penale?

Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, parkimi i dyfishtë do të konsiderohet vepër penale vetëm në raste specifike dhe të mirëpërcaktuara, kur ai:

-Pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve të emergjencës si ambulanca, zjarrfikëse, mjetet e policisë apo shërbime të tjera të institucioneve.

-Bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera.

-Shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike.

Në këto raste të rënda, policia nuk do të mjaftohet me vendosjen e një gjobe administrative, por do të nisë procedurat për ndjekje penale, sipas nenit 293 të Kodit Penal, që parashikon:
“Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor apo ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”

Çfarë ndodh pas konstatimit nga policia?

Nëse një efektiv i qarkullimit rrugor konstaton një rast që përputhet me kriteret e mësipërme, ai nuk do të marrë vetë vendimin për ndjekje penale, por do ta referojë rastin në prokurori. Organet e akuzës, pas shqyrtimit të pamjeve filmike, dëshmive dhe çdo prove tjetër të mbledhur, do të vendosin nëse drejtuesi i mjetit duhet të ndiqet penalisht.

Kjo do të thotë se çdo rast do të vlerësohet në mënyrë të veçantë, dhe vendimi për të ngritur një akuzë penale nuk është automatik, por i mbështetur në prova dhe rrethana konkrete.

Çfarë ndodh në rastet e zakonshme?

Në pjesën më të madhe të rasteve të parkimeve dysh, pra kur nuk ka pasoja të rënda për qarkullimin apo sigurinë, policia do të vijojë me masat administrative, ashtu si deri më sot, duke vendosur gjobë sipas Kodit Rrugor nga 1 mijë deri në 3 mijë. Kjo përfshin edhe vendosjen e bllokuesve të gomave dhe heqjen me karrotrec./e.t

A e rrëzoi qëllimisht piloti i Air India avionin që vrau 260 persona?

By: Ke Si
14 July 2025 at 10:57

Hetimet për rrëzimin e aeroplanit të Air India po shqyrtojnë të dhënat mjekësore të pilotëve, pasi pretendohet se njëri prej tyre kishte depresion dhe probleme të shëndetit mendor.

Kapiteni Sumeet Sabharwal, një pilot me përvojë me më shumë se 8,200 orë në kabinën e pilotit, po pilotonte Boeing 787 Dreamliner kur ai u rrëzua në një zonë banimi, të quajtur Meghani Nagar, duke vrarë 241 persona në bord dhe duke marrë jetën e 19 personave të tjerë në tokë.

Pak sekonda pas ngritjes më 12 qershor, dy çelësa karburanti në kabinën e avionit të fluturimit 171 të Air India u fikën menjëherë pas ngritjes, duke rezultuar në një humbje katastrofike të energjisë dhe rrëzimin e avionit në tokë.

‘Funksioni i kyçjes’ së çelësave nënkuptonte që pilotët duhej t’i ngrinin ato përpara se të ndryshonin pozicionin e tyre, ato nuk janë butona të thjeshtë që mund të fiken aksidentalisht.

Tani, hetimet për rrëzimin tragjik kanë filluar për të analizuar sjelljen e pilotit.

Kapiteni Mohan Ranganathan, një ekspert kryesor i sigurisë së aviacionit në Indi, ka zbuluar se “disa” pilotë të Air India dyshohet se kishin konfirmuar se piloti me përvojë të mirë, vuante nga probleme mendore.

Duke folur për The Daily Telegraph, ai pohoi: “Ai kishte marrë pushim nga fluturimi në tre-katër vitet e fundit. Ai kishte marrë leje mjekësore për këtë.”

Kapiteni Sabharwal kuptohet gjithashtu se ka marrë leje për shkak të zisë pas vdekjes së nënës së tij, megjithëse zoti Ranganathan beson se ai ishte “pastruar mjekësisht” nga Air India përpara rrëzimit fatal muajin e kaluar.

Në Powai, Mumbai, një nga ish-kolegët e Kapiten Sabharëal e përshkroi atë si një ‘zotëri të përpiktë’, duke shtuar se besonte se ‘ai në fakt po mendonte të dilte në pension të parakohshëm në dy vitet e ardhshme’, me plane për t’u kujdesur për babanë e tij të moshuar, 90 vjeç.

Në karrierën e tij të shkurtër, bashkëpiloti Clive Kunder, 28 vjeç, kishte regjistruar më shumë se 3,400 orë fluturimi.

Telegraph tha se ndërsa Air India refuzoi të komentonte, një zyrtar që punonte me kompaninë e tyre mëmë, Tata Group, i tha botimit se Kapiteni Sabharwal nuk kishte marrë asnjë leje mjekësore, me raportin paraprak që nuk arriti të merrte ndonjë gjetje të rëndësishme.

Ata shtuan se brenda dy viteve të fundit, të dy pilotët në bordin e fluturimit kishin kaluar provimin mjekësor të Klasit I, i cili bën një vlerësim të aftësive të tyre psiko-fizike.

Të dielën, një raport paraprak i publikuar nga autoritetet indiane ngriti pyetje rreth arsyes pse piloti do t’i kishte fikur manualisht çelësat – dhe nëse ishte një veprim i qëllimshëm apo një gabim katastrofik. Air India u kontaktua për koment.e.t

Kjo është Shqipëria në BE e Edi Ramës…dhe nuk keni parë gjë akoma

By: Ke Si
14 July 2025 at 10:47

Vitjon Nina

Ka disa dhimbje, për të cilat ia vlen të shtrëngosh dhëmbët dhe të durosh për të parë rezultatin përfundimtar.

Ky mundet – ose jo – të jetë rasti, por ajo çfarë është vërtetë e qartë është se Edi Rama i ka hedhur letrat që kishte në dorë në shesh të mejdanit dhe shqiptarëve po ua thotë me zë të qartë pa e nisur ende mandatin e tij të katërt: E doni Evropën? Kjo është Evropa!

Në fillim të mandatit të tij të parë, nga foltorja e Parlamentit, Rama do të bënte bujë me një shprehje, e cila ndoshta do të rrënjësohej më shumë se çdo tjetër në fjalorin e tij politik kryeministror.

“S’keni parë gjë akoma!”.

Çdo herë që një aksion i madh pritet prej tij, pak përpara, ai e rishfaq shprehjen publikisht, qoftë për të ngritur kauza rreth qeverisjes, apo edhe për të hedhur shashka ndaj opozitës dhe për të “paracaktuar” fatin e saj.

Mirëpo një aksion i fundit masiv i një shteti të ri ligjor dhe me zero tolerancë, erdhi thuajse qorrazi, në mënyrë të beftë dhe të menjëhershme.

Një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike i hapi rrugë prishjes së objekteve pa leje.

Më pas, erdhi radha e reformimit radikal të bashkive në gjithë vendin, me kërkesa për dorëheqje, shkarkime, apo rifreskimi të gjithë strukturës, prej drejtorëve të drejtorive, deri te nënkryetarët e bashkive.

“Janë të lodhur, shumë të lodhur, të rraskapitur”. Kështu i sheh kryeministri ata.

Por ai këtë herë po shkon përtej thjesht sensacionit, i cili ndalet një herë në Vlorë, më pas në Theth, e bën një kalim herë-herë edhe në Tiranë.

Ai paraqet një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

Kërkon reformim rrënjësor të territorit. Kërkon që diaspora të jetë pjesë e kapaciteteve të bashkive në hartimin e projekteve. Kërkon reformim të bujqësisë. Reformim të shpërndarjes së ujit. Qendër monitorimi për ndërtimet.

Por, mbi të gjitha, i vë ombrellën këtyre. Sepse ajo çfarë vërtetë Edi Rama po kërkon, është përgatitja jo vetëm e plotë, por pa asnjë cen për Integrimin.

Është e vërtetë se “symbyllazia” e gjithë 12 vjetëve të mandatit të tij mund të vihet në dyshim, së bashku me faktin se pse gjithë këto reforma, duhet të realizohen kështu, pas një duzine vitesh në Qeveri, me një mandat të hekurt në krye të vendit, me drejtimin e bashkive dërrmuese dhe me shfaqjen e një “patundshmërie dhe patolerance” në sytë e publikut.

Po kjo e ka përgjigjen në maratonën e 11 korrikut, kur përpara drejtuesve vendorë dhe me referime nga qeveria qendrore, ai e artikuloi fjalinë që duhet të ishte ngulitur më së shumti në mendjen e të gjithëve, përtej “madhështisë” së spektaklit që ofrojnë lirimet e hapësirave publike.

“Asnjë justifikim. Prej mësimeve nga gabimet, reformimi do të jetë rrënjësor”.

Sepse kjo nuk është më Shqipëria e shqiptarëve. Është Shqipëria që po nis hapin e fundit drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria ku ligji duhet të jetë vijë e kuqe jo për qytetarin, sa për shtetin vetë.

Dhe nëse ai nuk e ka artikuluar para këtij aksioni shprehjen e tij kapilare “S’keni parë gjë akoma”, për shqiptarët duhet të jetë e qartë.

Shqipëria 2030 në BE nuk është më slogani i fushatës së Edi Ramës. Është dora e veprimit, nga Brukseli, në Paris, Berlin, Romë e Tiranë.

“Ta harroni se do të legalizohen”/ Sot do të bëhet konfiskimi i një pallati në Vlorë

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:52

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një aksion të menjëhershëm për konfiskimin e një ndërtese në qytetin e Vlorës, e ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Në një deklaratë të prerë, ai theksoi se nuk do të ketë më as tolerancë dhe as dialog për shkelësit e ligjit, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Ky proces, sipas Ramës, është pjesë e angazhimit të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian dhe synon t’i japë fund praktikave të paligjshme të ndërtimit.

Rama: Sot do bëhet një konfiskim pallati në qytetin e Vlorës që është në shkelje të ndërtimit, Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, nuk kemi asnjë minutë për të humbur se kemi marrë përsipër të hymë në BE. Ta harrojë kushdo qoftë. Historia ndërto sot që të legalizosh nesër, nuk do ecë më. Çdo ngrehinë e ngritur në dëm të zonave të mbrojtura, do të rrafshohet.

Nuk do ketë asnjë tolerancë e asnjë dialog në këtë proces. Të gjithë skuadrat që morën 83 mandate të jenë në anën e shumicës dërrmuese të njerëzve të cilët pengohen çdo ditë nga ata që me guxim të tepërt dhe mbylljes së syve kanë pushtuar hapësirat publike./e.t

Kush janë vendet më të mira për të punuar në Europë? Ja cilat shtete kryesojnë renditjen

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:45

Luksemburgu, Irlanda dhe Belgjika janë të gjitha pretendentët kryesorë për vendin më të mirë për të punuar në Evropë, sipas gjetjeve të dy studimeve mbi ekuilibrin midis punës dhe jetës, të publikuara këtë javë.

Platforma HR Remote dhe JobLeads, një faqe ndërkombëtare pune, shqyrtuan bazat e të dhënave të disponueshme publikisht për të përcaktuar se ku janë më mirë punëtorët.

JobLeads renditi vendet evropiane duke përdorur moshën e tyre të daljes në pension, orët e punuara në vit, lodhjen, normat e punës në distancë dhe ditët e pushimit mjekësor. Rezultatet më pas u standardizuan dhe u peshuan në një shkallë prej 10.

Remote vlerësoi 60 vendet më të pasura në botë sipas produktit të brendshëm bruto (GDP) në masa të tilla si siguria dhe mirëdashësia LGBTQ+, së bashku me treguesit tradicionalë të punës si paga bazë, gjatësia mesatare e një jave pune dhe festat statutore. Çdo metrikë mori një pikëzim dhe vendeve iu dha më pas një pikëzim total nga 100.

Studimet nuk u pajtuan se cili vend evropian zuri vendin e parë: për JobLeads, ky ishte Luksemburgu dhe për Remote, ishte Irlanda. Luksemburgu ofron kushte pune që janë “veçanërisht të balancuara”, zbuloi raporti i JobLeads, me një javë pune 35-orëshe gjatë afërsisht 35 viteve profesionale të punës.

Vendet e punës gjithashtu japin mesatarisht 14 ditë pushim mjekësor në Luksemburg, që është shumë më e lartë se mesatarja evropiane.

Kjo do të thotë që njerëzit e Luksemburgut kalojnë, mesatarisht, 47.8 vjet të jetës së tyre pa punuar, që JobLeads thotë se është numri i dytë më i lartë në Evropë, menjëherë pas italianëve me 51 vjet.

Megjithatë, Luksemburgu ka një shkallë pak më të lartë se mesatarja e lodhjes fizike me 11.6 përqind të punëtorëve të tyre me pagë, të cilën studiuesit besojnë se mund të lidhet me një shkallë të lartë të punonjësve me kohë të plotë që punojnë nga shtëpia.

Remote nuk e përfshiu Luksemburgun në studimin e tij, duke qenë se vlerësoi ekonomitë më të mëdha në botë.

Ai i dha vendin e parë Zelandës së Re, por Irlanda ishte shumë afër si shënuesi më i mirë në Evropë, pjesërisht sepse është ndër vendet më të sigurta për të jetuar dhe punuar, thanë studiuesit.

Në studimin e Remote, shtatë kryeqytete evropiane u renditën në 10 vendet më të mira globale për të punuar dhe jetuar, duke përfshirë Belgjikën, Gjermaninë, Norvegjinë, Danimarkën, Spanjën dhe Finlandën. Kanadaja dhe Australia plotësuan 10 vendet e para.

Shtetet e Bashkuara ranë nga vendi i 55-të në të 59-tin në listë, pak mbi Nigerinë, për shkak të rënies së sigurisë publike dhe miqësisë LGBTQ+.

Belgjika, ndërsa nuk ishte vendi kryesor në asnjërin studim, performoi mirë në të dy – duke u renditur e treta në studimin e Remote dhe e katërta në analizën e JobLeads.

Të dy studimet vunë re se belgët punonin një javë pune prej 34.1 orësh – të paktën një orë më pak mesatarisht në javë sesa kolegët e tyre në Luksemburg, Francë dhe Suedi, të cilët kryesuan raportin e JobLeads.

Belgjika renditet lart edhe në studimin e Remote, veçanërisht për festat statutore, lejen e sëmundjes dhe lejen e lindjes.

Ajo barazoi me Suedinë për shkallën më të lartë të punonjësve që raportuan një formë pune hibride ose në distancë, me 14.3 përqind. Vendi humbi pikë për moshën e daljes në pension, e cila në moshën 66 vjeç është më e lartë se vendet në krye të tabelës.

Ekuilibri punë-jetë në Gjermani shpesh konsiderohet i fortë kur krahasohet me ekonomitë më të mëdha në botë, në vend të fqinjëve të saj në Evropë.

Gjermania u rendit e katërta në studimin Remote për shkak të një rritjeje të pagesës statutore të sëmundjes së vendit në vitin 2025. Kriteret për lumturinë e përgjithshme dhe mirëdashësinë LGBTQ+ ishin rritur gjithashtu që nga anketa e Remote e vitit 2024.

Por kur krahasohet me fqinjët e saj evropianë, gjermanët janë ndër më të moshuarit që dalin në pension në moshën 67 vjeç, kanë një nga karrierat më të gjata të punës në 40 vjet dhe kanë një shkallë relativisht të lartë të lodhjes nga puna prej 10.2 përqind.

Mesatarisht, gjermanët punojnë më pak orë në javë dhe në vit sesa kolegët e tyre evropianë. Ashtu si Luksemburgu, 12 përqind e fuqisë punëtore të tyre punon nga distanca të paktën një pjesë të kohës.

Një vend u vlerësua mjaft ndryshe në dy raportet: Franca. Ajo u rendit e dyta në studimin JobLeads dhe e 16-ta në raportin Remote. Francezët punojnë afërsisht 37 vjet gjatë jetës së tyre dhe kanë moshën më të re të daljes në pension në studim, 64 vjeç, pavarësisht ndryshimeve të fundit, zbuloi studimi i JobLeads.

Ata gjithashtu punojnë një javë relativisht të shkurtër me 35.6 orë, por jo “aq pak sa mund të mendojmë”, sipas studiuesve, të cilët vunë re se Belgjika, Austria, Gjermania dhe Holanda kanë javë pune më të shkurtra.

Francezët gjithashtu kanë norma më të ulëta të lodhjes nga puna krahasuar me kolegët e tyre në Belgjikë dhe Suedi, pavarësisht se ende kanë të paktën një të gjashtën e fuqisë punëtore në punë hibride ose në distancë.

Por në nivel ndërkombëtar, Franca mezi u fut në 20 vendet e para në studimin e Remote. Asaj iu ulën pikët për politikat statutore të ditëve të sëmundjes, pagën minimale orare relativisht të ulët prej 14.12 eurosh dhe faktin që studiuesit e konsideruan atë më pak të sigurt se homologët e saj evropianë./e.t

Nga reshje në temperatura 40 gradë/ Ja qytetet që pritet të ‘përvëlohen’ këtë javë

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:41

Pas disa ditëve të freskëta, është rikthyer moti i nxehtë në territorin shqiptar. Meteorologia Tanja Porja paralajmëroi se duke filluar nga mesdita e sotme deri të shtunën temperaturat do të arrijnë nga 39-40 gradë celsius.

“Nga e marta në të shtunën do të kemi ndryshime të lehta në mëngjes. Do të vijojë edhe për pak ditë nata të jetë e freskët deri të premten, ndërsa mesdita do të arrijë në 38 gradë celsius. E mërkura sjell rritje të ndjeshme. Mesjava do të shënojë 39-40 gradë celsius”, tha Porja.

Sipas saj qytetet me temperatura të larta deri në 40 gradë do të jenë Shkodra, Elbasani, Berati Gjirokastra me maksimume 39-40 gradë celsius. Ndërkohë vija bregdetare do jetë e kthjellët, herë pas here vranësira kalimtare do të ketë në plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit. Meteorologia paralajmëroi rrebeshe të premten në veri, ndërsa nesër reshje të izoluara në lindje e juglindje.

“Nesër prezencë reshjesh të pakta të izoluara në lindje dhe juglindje. Të premten rrebeshe afatshkurta në skajin verior e verilindor”./e.t

Fëmijët në Gaza vriten teksa prisnin të mbushnin ujë/ Izraelitët: Ishte gabim teknik

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:34

Të paktën dhjetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u vranë nga një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve al-Nuseirat në Gazën qendrore të dielën, sipas autoriteteve të emergjencës palestineze. Viktimat po prisnin në radhë për të mbushur bidonë me ujë pranë një cisternë.

Trupat e pajetë u dërguan në spitalin al-Awda në Nuseirat, ku sipas një mjeku u trajtuan edhe 16 të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë.

Dëshmitarët thanë se një dron izraelit lëshoi një raketë mbi turmën që priste me bidonët bosh. Ushtria izraelite (IDF) tha se sulmi synonte një anëtar të Xhihadit Islamik, por për shkak të një “gabimi teknik”, municioni goditi dhjetëra metra larg objektivit. Rasti është në hetim.

“Forcat Mbrojtëse të Izraelit janë të vetëdijshme për pretendimet lidhur me viktima civile dhe po punojnë për të minimizuar dëmet ndaj të pafajshmëve”, thuhet në deklaratën e IDF, e cila shton se “i vjen keq për çdo dëm ndaj civilëve që nuk janë të përfshirë në luftë”.

Pamje të verifikuara nga vendngjarja tregojnë njerëz duke nxituar për të ndihmuar të plagosurit, mes bidonëve të verdhë, ku ndër ta ndodheshin edhe fëmijë. BBC Verify konfirmoi vendndodhjen përmes krahasimeve me çatitë, pemët dhe shtyllat elektrike përreth. Sipas hijes në video, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth 80 metra në jugperëndim të shkollës së mesme në Nuseirat.

Kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur sulmet ajrore izraelite janë intensifikuar në të gjithë Rripin e Gazës. Një zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Gazës tha se vetëm të dielën u vranë edhe 19 palestinezë të tjerë në tre sulme të ndryshme ndaj ndërtesave banimi në Gazën qendrore dhe qytetin e Gazës.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) raportoi se ka trajtuar më shumë raste të viktimave masive në spitalin e tij të fushës në Rafah gjatë gjashtë javëve të fundit sesa në të gjithë vitin e kaluar. Vetëm të shtunën, spitali pranoi 132 pacientë me lëndime nga armët, prej të cilëve 31 vdiqën. Pjesa më e madhe e viktimave kishin plagë nga armë zjarri dhe ishin duke u përpjekur të merrnin ndihma ushqimore.

Të shtunën, 24 persona të tjerë u vranë pranë një pike ndihmash në Gazën jugore, ku dëshmitarët pohuan se trupat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve që po kërkonin ushqim. Ushtria izraelite deklaroi se nuk ka njohuri për viktima nga zjarri i saj dhe se ishin qëlluar vetëm “të shtëna paralajmëruese”.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut raportoi të premten se janë regjistruar 789 viktima të ndërlidhura me shpërndarjen e ndihmave, nga të cilat 615 pranë zonave të kontrolluara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), që operon me mbështetjen e SHBA-së dhe Izraelit.

Organizata GHF akuzoi OKB-në për përdorimin e të dhënave “të rreme dhe të manipuluara” nga Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi në Gaza. Megjithatë, vetë drejtori i GHF, Johnnie Moore, pranoi se kanë ndodhur vdekje pranë pikave të ndihmave, por mohoi se të gjitha ishin të lidhura me operacionet e tyre.

Gazetarët ndërkombëtarë, përfshirë BBC-në, nuk lejohen të hyjnë në Gaza nga autoritetet izraelite.

Kampanja ushtarake izraelite në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, mbi 57,800 persona janë vrarë që nga ajo kohë.

Pothuajse gjithë popullsia e Gazës është zhvendosur disa herë, me mbi 90% të shtëpive të dëmtuara ose të shkatërruara. Sistemet e shëndetit, ujit, higjienës dhe sanitetit janë në kolaps, ndërsa mungojnë ushqimet, karburantet, barnat dhe strehimi.

Për herë të parë pas 130 ditësh, këtë javë u lejua hyrja e 75,000 litrave karburant në Gaza, sasi që Kombet e Bashkuara e cilësuan si “larg së qeni e mjaftueshme”.

Në fundjavë, nëntë agjenci të OKB-së paralajmëruan se mungesa e karburantit ka arritur nivele kritike. Nëse sasia shteron, do të paralizojë spitalet, sistemet e ujit dhe bukën për popullsinë e uritur./E.T

Kroçera me rreth 400 persona në bord ndalon në Vlorë

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:28

Mëngjesin e kësaj të hëne ka mbërritur në gjirin e Vlorës, për t’u ankoruar më pas në portin detar, anija kroçere Silver Whisper.

Ajo ka në total 383 pasagjerë me kombësi të ndryshme si nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja etj.

Anija kroçere është nisur nga porti i Barit dhe do të qëndrojë në portin e Vlorës deri në orën 23:00 dhe më pas do të ketë destinacion portin e Galipolit, shkruan A2.

Turistët që gjenden në të, brenda kësaj kohe do të kenë mundësi të vizitojnë disa prej atraksioneve turistike në Vlorë./e.t

Rama paralajmëron sistem të ri në furnizimin me naftë: Do të sjellë kontroll mbi çmimin

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:26

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria po përgatitet të hyjë në një fazë të re të reformës në menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, duke propozuar krijimin e një operatori kombëtar për shpërndarjen e ujit.

Krahas kësaj, Kryeministri njoftoi se po punohet me Ministrinë e Energjisë për ngritjen e një sistemi të ri kontrolli mbi furnizimin me naftë, që synon të garantojë transparencë më të madhe dhe kontroll efektiv mbi çmimet dhe qarkullimin e karburanteve në vend.

“Jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit. Na duhet një ndërmarrje e shpërndarjes së ujit dhe një koorporatë e re që të adresojë të gjitha problemet e fragmentarizimit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e ca vitesh është e kot të na sjellë rezultate të dëshiruara dhe pse ka përmirësime por janë të pamjaftueshme.

Qoftë për ujin dhe trajtimin e mbetjeve do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe duhet të krijojmë sinergji me koorporata ndërkombëtare.

Kjo do të na ndihmojë për shumë arsye për furnizimin me ujë, investimet, transparencën në të gjitha këto procese. Kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që duhet të konsolidohet dhe duhet të bëhet një sistem në nivel kombëtar.

Jemi duke punuar me ministrinë e energjisë për një sistem të ri të furnizmit të naftës. Do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe qarkullimin e saj.”/e.t

Kriptomonedha Bitcoin arrin nivel rekord

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:23

Kriptomonedhat po rriten ndjeshëm, të nxitura nga politikat tregtare të SHBA-së dhe njoftimet e reja të tarifave të Donald Trump.

Bitcoin arriti një rekord të ri prej 121,352 dollarësh, duke shënuar një rritje prej 1.9%. Një moment historik ky për kriptomonedhën më të madhe në botë.

Edhe monedhat e tjera Ehereum (+1.8%), Binance (+1%), Dogecoin (+4.2%) dhe Cardano (+2.4%) shënuan gjithashtu rritje.

Duke filluar nga e hëna, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, do të debatojë një sërë projektligjesh për t’i siguruar industrisë së aseteve digjitale kuadrin rregullator të vendit që ajo e ka kërkuar prej kohësh./e.t

“Ky është vetëm fillimi”- Rama paralajmëron tregtarët: Ka filluar konfiskimi i qumështit

By: Ke Si
14 July 2025 at 09:20

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka deklaruar se ditën e sotme ka filluar procesi i konfiskimit të qumështit dhe bulmetrave pa faturë.

Rama paralajmëroi tregtarët se “qumësht dhe bylmet pa faturë, si edhe mish i freskët pa faturë nuk do të lejohet”.

Ai theksoi se në këto temperatura të larta mund të sjellin probleme shëndetësore për konsumatorët.

Kryeministri paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i një kontrolli shumë më të rreptë sa i përket sigurisë ushqimore.

Edi Rama: Ka filluar procesi i konfiskimit të qumështit dhe bulmetrave pa faturë. Dmth pasiguri ushqimore, aq më tepër në këto temperatura të larta ku mund të ndodhin gjëra të rënda në lëndim të shëndetit të konsumatorëve. Qumësht dhe bylmet pa faturë dhe mish i freskët pa faturë nuk do të lejohet. Kushdo që do ta tregtojë do ta humbasë atë si mall.

Dhe ky është vetëm fillimi i një kontrolli shumë më të rreptë sa i përket sigurisë ushqimore./e.t

Before yesterdayMain stream

Pronarët e bizneseve te ‘Piazza’ refuzojnë lirimin e hapësirës publike, ndërhyn IMT

By: Ke Si
10 July 2025 at 13:57

IMT dhe Policia Bashkiake ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike në zonën e Piazzës në Tiranë.

Pronarët e bizneseve kanë refuzuar që të lirojnë hapësirat ku ushtrojnë aktivitetin, çka ka bërë që IMT dhe policia bashkiake të ndërhyjnë.

Edhe në zonën e njohur si “Delijorgji”, pronarët e bizneseve kanë protestuar kundër këtij aksioni, duke thënë se çmontimi i strukturave prej xhami do t’u paralizonte punën, pasi vetëm ambientet e jashtme kanë për shërbim.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur në të gjithë vendin pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama, që të gjithë bizneset që kanë zënë hapësirat publike, duhet t’i lirojnë ato vullnetarisht ose do të ndërhyjë shteti./e.t

Urgjente/ Prej një viti me kancer, Artani ka nevojë për ndihmën tonë

By: Ke Si
10 July 2025 at 13:48

Artani Sokoli po lufton me jetën përballë kancerit agresiv të zorrës së trashë prej më shumë se një viti.

Ai u diagnostikua me kancer në maj të viti 2024. Pavarsisht ndërhyrjes kirurgjikale, kanceri i ka prekur edhe katër organe të tjera.

Aktualisht është i shtruar në QSUT, ku po merr trajtim intensiv dhe medikamente të forta, përfshirë morfinën për menaxhimin e dhimbjeve.

Familja e Artanit ka bërë përpjekje të mëdha dhe ka shpenzuar deri tani mbi 10,000 euro për trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm mjekësor. Megjithatë, shpenzimet vazhdojnë të jenë të larta dhe sfida për t’u përballuar është e madhe.

Prandaj, familja e Artanit bën një apel të sinqertë për ndihmë dhe solidaritet nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë në përballimin e këtyre kostove.

Çdo ndihmë, qoftë materiale apo shpirtërore, do të jetë jetike për Artanin dhe familjen e tij në këtë luftë të vështirë.

Kush ka mundësi të kontriubojë, familja ka hapur një gofundme, që mund ta gjeni duke klikuar në linkun e mëposhtëm.

Kliko këtu për të ndihmur Artanin

Bashkë mund ta ndihmojmë Artanin të fitojë këtë betejë jetike.

Disfata e 11 majit/ Dule: Dështuam sepse njerëz nga radhët tona u blenë

By: Ke Si
10 July 2025 at 13:48

Pas disfatës së thellë më 11 maj, aleati i Sali Berishës, Vangjel Dule, thotë se opozita duhet të kthejë gishtin nga vetja.

“Opozita në çdo rast duhet ta kthejmë gishtin nga vetja, edhe në rast fitoreje duhet ta drejtonte gishtin nga vetja. Çdo politikan duhet ta bëjë, çdo formacion politik dhe në mënyrë të përditshme. Për vlerësimin tonë dhe e kam thënë në mënyrë të përsëritur, nuk ka pasur zgjedhje më 11 maj.

Nuk kam konstatuar certifikim të këtyre zgjedhjeve, nga asnjë deklaratë, nga asnjë autoritet unilateral apo multilateral ndërkombëtar. Përkundrazi, është hera e parë që në raport nuk kemi atë shprehjen e famshme që pavarësisht problematikave u shënuan hapa para. Është thembra e Akilit. Nuk janë zgjedhje, për rrjedhojë mos prisni dhe nuk duhet të presim që të na thonë se zgjedhjet ishin të papranueshme dhe duhen përsëritur”, tha Dule.

Por, dështimin e opozitës Dule e sheh edhe tek përçarja mes radhëve të tyre. Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, kreu i PBDNJ tha se më 11 maj pësuan disfatë elektorale pasi njerëz nga opozita u blenë apo ranë viktima të ‘represionit’. Për Dulen, nëse vota opozitare do të ishte e unifikuar, do të kishte sjellë përmbysjen e rezultatit.

“Është programi më i plotë ai i paraqitur nga opozita më 11 maj. Dështuam, sepse edhe njerëz nga radhët tanë u blenë, apo ranë viktima të presionit. Apo edhe fenomene të tjera, të cilat kanë të bëjnë me divergjenca brenda kampit opozitar.

Imagjinoni për një moment nëse vota opozitare do të ishte e unifikuar, se çfarë votë të shtuar do të kishte sjellë në rezultatin përfundimtar dhe ndoshta edhe përmbysje të rezultatit”, tha Dule./e.t

Gjendet parcela me kanabis në Has, procedohet kryeplaku

By: Ke Si
10 July 2025 at 12:56

Vijon operacioni kombëtar kundër kultivimit të bimëve narkotike, i koduar “Koordinata”. Si rezultat i kontrolleve intensive nga toka dhe ajri, me mbështetjen e dronëve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë konstatuar një tjetër rast të kultivimit të lëndëve narkotike.

Në territorin e fshatit Golaj janë gjetur dhe identifikuar 93 bimë të dyshuara si kanabis, të cilat u asgjësuan menjëherë në vendngjarje, përmes djegies.

Në vijim të hetimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit Golaj, shtetasit Sh. R., banues në këtë fshat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia bën me dije se puna vijon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale./e.t

Aksioni i IKMT-së për shembjen e ndërtimeve në Theth, protestueses i bie të fikët

By: Ke Si
10 July 2025 at 12:52

Njërit prej protestuesve kundër aksionit për shembjen e objekteve në Theth i ka rënë të fikët.

Nga pamjet nga vendngjarja, duket se pranë tij kanë shkuar menjëherë forcat e Policisë, që po i japin ndihmën e parë.

Protesta e banorëve në Theth vijon prej disa ditësh, me pretendimin se objektet që po shemb qeveria janë të ligjshme dhe në tokat e tyre.

Nga ana tjetër, kujtojmë se qeveria ka nisur një aksion të madh në disa qytete të vendit, për ‘pastrimin’ e territorit nga objektet e ndërtuara ilegalisht.

Ditën e djeshme, banorët e Thethit bllokuan edhe urën që të çon në fshat, me qëllim ndalimin e hyrjes së forcave të Policisë./e.t

Përurimi i shtatores së Josif Budës/ Berisha nga Kavaja: Rama burgos kundërshtarët!

By: Ke Si
10 July 2025 at 12:35

Kreu i PD-së, Sali Berisha, nga Kavaja ku mori pjesë në përurimin e shtatores së Josif Budës, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkretuar kombin nga të rinjtë.

“Në disa aspekte duhet të jemi realistë, kombi është i rrëzuar përdhe. Sot ne, falë kësaj politike të spastrimit etnik, me të cilën ky tejkalon Xhorxheviçin dhe Pashiçin”, tha Berisha.

Ish-kryeministri shtoi se Rama “nuk ka më skuadra pushkatimi, por ka banda pushkatimi, ai burgos kundërshtarët”.

Sali Berisha: Miq, sot pas 35 vitesh, gjaku, sakrifica, idealet e Josif Budos janë një kushtrim i vërtetë për çdo shqiptar, për çdo shqiptare.

Ju u kujtohet, situata e sotme me vitet ’90 në disa aspekte është vite drite larg.

Por në disa të tjera është po aq e zezë sa ç’ishte në vitin 1990.

Nuk kishte pushtet më shumë diktatori i fundit se sa ç’ka sot narkodiktatori Ramaduro.

Nuk ka urrejtje më të pakët Ramaduro i sotëm ndaj Kavajës, ndaj Shkodrës, se sa ç’kishte Ramiz Alia, diktatori i fundit, ndaj tyre.

Nuk kishte urrejtje më të madhe për të rinjtë shqiptarë Ramiz Alia se sa ç’ka sot Ramaduro i Tiranës.

Ai i përzuri, siç u kujtohen ju eksodet, kurse ky narkodiktator që shëtit në samite me atlete të bardha, i përzë çdo ditë dhe në 10 vite ka shkretuar kombin nga të rinjtë e vet sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij të lashtë.

Në disa aspekte duhet të jemi realistë, kombi është i rrëzuar përdhe.

Sot ne, falë kësaj politike të spastrimit etnik, me të cilën ky tejkalon Xhorxheviçin dhe Pashiçin.

45 përqind e shqiptarëve janë larguar në 10 vite nga Shqipëria. Falë kësaj politike, ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit. Falë kësaj politike, ne këtë vit kemi lindje asnjë më shumë se sa kishim një shekull më parë.

Çfarë mund t’i bëjë një armik tjetër një kombi se sa u bën Ramaduro shqiptarëve?

Sigurisht jetohet në një kohë tjetër dhe ai nuk ka më skuadra pushkatimi, por ka banda pushkatimi.

Ai burgos kundërshtarët. Ervin Salianji foli këtu sepse dënoi mbrojtjen që Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama i bënin Geron Xhafës për trafiqet e Vlorës.

A ka ndonjë dallim të madh varja në litar e Havzi Nelës në vitin 1988 me nxjerrjen brutale dhe rrëmbimin nga makina e tij, goditjen dhe zvarritjen në rrugë të kundërshtarit politik pas 37 viteve të Edi Ramës?

Sigurisht ai vdiq, por edhe ky jo vetëm që e terrorizoi, por terrorizoi një popull të tërë.

Ndaj miqtë e mi, sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim.

Se Josif Buda do na frymëzojë në një përpjekje të re për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve, për të rikthyer shpresën, besimin.

Do ta mbyll duke të falënderuar shumë zoti kryetari i bashkisë. Ke një meritë të veçantë për këtë nismë që ke marrë.

Ke nderuar Josif Budën, ke nderuar jo vetëm familjen Buda, por çdo familje të ndershme të këtij qyteti dhe të gjithë shqiptarët liridashës./e.t

❌
❌