Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Hodhi mbeturina nga makina/ E pëson personazhi i ‘TikTok’-ut, Kozak Braçi!

By: el da
16 July 2025 at 13:53

Një video e publikuar në rrjetet sociale që tregonte një person duke hedhur mbeturina nga dritarja e një automjeti në lëvizje ka çuar në identifikimin dhe ndëshkimin e autorit të shkeljes. Bëhet fjalë për shtetasin Kozak Braçi, 32 vjeç, i njohur për daljet e tij në rrjetet sociale.

Policia e Komisariatit Nr. 4 në Tiranë reagoi menjëherë pas publikimit të videos duke kryer verifikimet e nevojshme. Pavarësisht se pamjet ishin regjistruar disa kohë më parë, autoritetet arritën të identifikonin personin që kishte ndotur mjedisin dhe e shoqëruan atë për veprime të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të veprimeve, Kozak Braçi u ndëshkua me një gjobë prej 100 000 lekësh, bazuar në nenin 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000 dhe nenin 15 të Kodit Rrugor.

Ndërkohë, materialet procedurale për këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vlerësim të mëtejshëm ligjor./kb

Trump paralajmëron Moskën: Marrëveshje ose sanksione të reja

By: el da
16 July 2025 at 13:39

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se disa raketa mbrojtëse ajrore Patriot janë tashmë rrugës për në Ukrainë, një ditë pasi njoftoi një marrëveshje me vendet anëtare të NATO-s për të dërguar armë në Kiev. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shënoi kështu një ndryshim thelbësor nga kundërshtimi i tij i mëparshëm për të dërguar furnizime me armë nga SHBA në frontin e luftës. “Ato (sistemet Patriot) po shkojnë nga Gjermania drejt Ukrainës”, u tha Trump gazetarëve pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, konfirmoi se dy sisteme mbrojtëse ajrore Patriot po përgatiten për t’u dërguar në Ukrainë.

Berlini do të mbulojë kostot e transferimit, megjithëse disa aspekte teknike, logjistike dhe financiare mbeten për t’u finalizuar. “Ato duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën menjëherë”, tha Pistorius pas një takimi me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth.

Trump tha se nuk kishte pasur asnjë kontakt me presidentin rus Vladimir Putin që nga njoftimi i tij i 14 korrikut, i cili përfshinte një ultimatum 50-ditor për të pranuar një armëpushim, duke paralajmëruar saksione represive ndaj vendeve që zhvillojnë aktivitete tregtare me Moskën.

 

 

“Nëse pas 50 ditësh nuk kemi një marrëveshje, do të jetë për të ardhur keq. Sapo të skadojë afati, ne do të vazhdojmë me tarifat ekzistuese dhe sanksionet e reja”, u tha ai gazetarëve.

Trump sqaroi gjithashtu se ultimatumi 50 ditor që i është vënë Moskës nuk është “plotësisht i gjatë në kohë” dhe se afati mund të jetë edhe më i hershëm./kb

Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Evropë?

By: el da
16 July 2025 at 12:53

Zjarre të mëdha përfshinë këtë muaj disa vende mesdhetare, duke i detyruar mijëra banorë në Katalonjë të Spanjës të izolohen dhe duke rrezikuar qytetin e dytë më të madh të Francës, Marsejën.

Që nga fillimi i vitit, zjarret dogjën 227.000 hektarë tokë – më shumë se dyfishin e mesatares për këtë periudhë gjatë dy dekadave të fundit, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Megjithëse kjo shifër është shumë mbi mesataren, nuk është rekordi më i lartë në regjistrimet e EFFIS-it, që datojnë nga viti 2002.

Evropa përjetoi sezonet më të këqija të zjarreve në vitet 2003 dhe 2017, kur ato dogjën mbi 1.100.000 hektarë në secilin prej këtyre dy viteve – një sipërfaqe kjo e barabartë me ishullin e Xhamajkës.

Nuk dihet ende nëse 2025-a do të jetë një vit i rekordeve, pasi kjo varet nga mënyra se si do të zhvillohet sezoni i zjarreve në muajt në vijim.

Numri i zjarreve në Evropë u rrit ndjeshëm këtë vit – me 1.118 zjarre të regjistruara deri më 8 korrik, krahasuar me 716 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas EFFIS-it.

Vala e nxehtësisë në Evropë këtë muaj nxiti zjarre në rajonin e Mesdheut, përfshirë Sirinë, ku ato dogjën më shumë se 3% të mbulesës pyjore të vendit, sipas OKB-së.

Në ishujt grekë të Evias dhe Kretës, zjarret detyruan mijëra njerëz të evakuohen.

Megjithatë, shkencëtarët që i monitorojnë ato, thonë se zjarret në rajonin e Mesdheut ishin relativisht të izoluara, pavarësisht dëmeve që shkaktuan.

Çka i nxit zjarret?
Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut, e bëjnë atë shumë të rrezikuar nga zjarret në natyrë.

Pasi fillojnë, bimësia e thatë dhe era e fortë në rajon bëjnë që zjarret të përhapen shpejt dhe të dalin jashtë kontrollit.

Këtë rrezik e rrisin edhe ndryshimet klimatike, duke krijuar kushte më të nxehta dhe më të thata.

Në vendet që kufizohen me detin Mesdhe, kjo ndikoi që sezoni i zjarreve të niste më herët viteve të fundit, të thyheshin rekorde për intensitetin e zjarreve dhe të digjej më shumë tokë.

Emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e ngrohën planetin për rreth 1.3 gradë Celsius që nga koha para-industriale.

Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, Evropa u ngroh dy herë më shumë sesa mesatarja globale që nga vitet 1980.

Ngrohja e tillë bën që gjatë valëve të nxehtësisë, temperaturat të rriten më shumë. Dhe, për shkak të ndryshimeve klimatike, këto valë të nxehtësisë janë më të shpeshta.

Këtë e konfirmoi edhe Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike – një panel global i shkencëtarëve i Kombeve të Bashkuara.

Pjesa tjetër e verës
Vendet janë duke u përgatitur për zjarre më të mëdha.

Sipas EFFIS-it, temperatura më të ngrohta se mesatarja parashikohen në të gjithë Evropën gjatë gushtit, që do të thotë se rreziku i zjarreve do të mbetet i lartë në shumë pjesë të Evropës jugore dhe lindore.

Ndërsa në Evropën jugore priten reshje normale, pjesa tjetër e kontinentit pritet të jetë më e thatë se zakonisht në gusht, duke rritur kështu rrezikun e zjarreve edhe në rajone të tjera.

Qeveritë po përpiqen të përshtaten.

Greqia mobilizoi këtë vit një numër rekord prej 18.000 zjarrfikësish dhe ndryshoi taktikat dhe patrullat e saj, për t’i zbuluar zjarret më herët dhe për t’i kufizuar dëmet.

Faktorët tjerë që rrisin rrezikun e zjarreve, përfshijnë menaxhimin e pyjeve.

Në zonat rurale të vendeve si Spanja, ku popullsia po zvogëlohet për shkak të largimit drejt qyteteve, ka më pak njerëz që merren me pastrimin e bimësisë.

Kjo bën që materiali djegës të grumbullohet, duke krijuar kushte më të favorshme për zjarret.

OKB-ja kërkoi nga qeveritë që të investojnë më shumë në parandalimin e zjarreve, në vend se të përqendrohen kryesisht te reagimi pas shpërthimit të tyre.

OKB-ja paralajmëroi, gjithashtu, se ndryshimet klimatike pritet të rrisin numrin e zjarreve të rënda në botë deri në 14% deri në fund të kësaj dekade.

Sipas OKB-së, parandalimi i zjarreve mund të përfshijë djegiet e kontrolluara para sezonit të verës, për të pastruar materialin që nxit zjarret, si dhe rikthimin e zonave të lagështa dhe moçaleve./REL/kb

Kontroll ‘blic’ në të gjitha burgjet, hapen edhe kartelat e takimeve

By: el da
16 July 2025 at 12:30

Përfundon kontrolli blic në të gjitha burgjet.

Inspektimi është kryer gjatë mbrëmjes dhe herët në mëngjes, bëjnë me dije burimet e gazetares Anila Hoxha.

Verifikimet janë kryer jo vetëm për sende të ndaluara por edhe janë këqyrur kartelat e takimeve të disa të burgosurve.
Ndërkohë që janë kryer dy transferime drejtuesish. Altin Ago është emëruar në krye të burgut Peqin, kurse Qazim Hoxha në Elbasan./kb

Mandatet/ Gjykata Kushtetuese riaktivizon mekanizmin e një të pestës së deputetëve

By: el da
16 July 2025 at 12:20

Një vendim i shpallur nga Gjykata Kushtetuese në muajin maj, rrëzonte opozitën për mandatin e deputetit Vullnet Sinaj, por zbardhja e e plotë e tij më 10 korrik, zbulon se Gjykata, ka korrigjuar vetveten, duke riaktivizuar të drejtën e një të pestës së deputetëve për t’iu drejtuar direkt asaj në rastet e papajtueshmërisë së mandatit. Në këtë mënyrë, kapërcehet ngërçi i krijuar nga shumica socialiste, me rastin e Olta Xhaçkës apo dhe Vullnet Sinajt, kur Parlamenti refuzoi t’i dërgonte çështjet në Gjykatë.

Sipas vendimit të fundit, nëse Kuvendi, vendos me votën e shumicës të mos e përcjellë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, atëherë, 1/5 e deputetëve (28 deputetë) mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës, për t’i kërkuar të gjykojë rastin në fjalë.

E drejta e një të pestës së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, parashikohet në nenin 134 të Kushtetutës. Po ashtu edhe Ligji që rregullon funksionimin dhe organizimin e kësaj Gjykate, parashikon në nenin 66 se “për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Kuvendit ose të një të pestës së deputetëve”.

Por në vitin 2023, kishte qenë po Gjykata Kushtetuese e cila e kishte nxjerrë jashtë loje, mekanizmin e një të pestës së deputetëve. Ndërsa shqyrtonte kërkesën e 28 deputetëve demokratë, për rastin Xhaçka, ajo e kushtëzonte ushtrimin e kompetencës së vet për shqyrtimin e papajtueshmërisë së një mandati, me kërkesën nga ana e Parlamentit.

Në vendimin e datës 23 janar 2023, duke e rrëzuar ankimimin e një të pestës së deputetëve demokratë, Gjykata theksonte se “konstatimi i papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës është një çështje që i përket juridiksionit të Gjykatës, juridiksion ky që aktivizohet vetëm me kërkesë të Kuvendit”.

Pikërisht ky interpretim i atëhershëm i Gjykatës, u kthye në një pengesë më shumë për opozitën, ndërkohë që u përdor nga shumica, në mbrojtje të deputetëve të saj. Shumica refuzoi madje dhe interpretimin e qartë të Komisionit të Venecias, sipas të cilit vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese dhe për parlamentin.

Me vendimin e fundit, Kushtetuesja, ndonëse nuk e njeh si një nga dy rrugët e drejtpërdrejta për ta vënë në lëvizje këtë Gjykatë (siç e parashikon ligji për këtë institucion), e aktivizon megjithatë mekanizmin e tre të pestave, vetëm kur Parlamenti refuzon ta dërgojë rastin në Gjykatë.

PJESË NGA VENDIMI: 

Gjykata thekson se qëllimi i kompetencës kushtetuese për kontrollin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nënkupton një gjykim në themel prej saj, në të cilin ajo vlerëson nëse veprimet konkrete të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij dhe në përfundim konstaton këtë papajtueshmëri, nëse është rasti. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, kushtetutëbërësi ka parashikuar edhe një të dhjetën e deputetëve si subjekt q vë në lëvizje procedurën parlamentare për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së dyshuar të deputetit për shqyrtim në themel në Gjykatë. Në këto kushte, në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të një të dhjetës së deputetëve ose të Kryetarit të tij, ai (Kuvendi) ka detyrimin kushtetues për të filluar procedurën parlamentare për shqyrtimin e mocionit për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatë.

Në rast të rrëzimit të mocionit të një të dhjetës së deputetëve të Kuvendit ose Kryetarit të tij, për rrjedhojë në rast të mosvënies në lëvizje të Gjykatës nga Kuvendi, në kuptim të bërjes efektiv të këtij mekanizmi të kontrollit kushtetues të parashikuar nga shkronja “e” e pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, paraqitja e kërkesës nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, në kuptim të së drejtës së saj sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 134 të Kushtetutës, të reflektuar tashmë edhe në përmbajtjen e pikës 2 të nenit 66 të ligjit nr. 8577/2000, përbën mjetin alternativ për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues për kontrollin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.

E drejta e një të pestës së deputetëve sipas nenit 66, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 lidhet me vënien në lëvizje të Gjykatës në ato raste kur vetë Kuvendi, pas shqyrtimit të mocionit të Kryetarit të tij ose një të dhjetës së deputetëve, vendos të rrëzojë mocionin në seancë plenare, për rrjedhojë të mos pranojë dërgimin e çështjes në Gjykatë. Vetëm në këtë mënyrë bëhet i  zbatueshëm neni 70, pika 4, i Kushtetutës dhe merr vlerë e drejta e pakicës parlamentare, jo më pak se një të pestës së deputetëve, për të kërkuar nga Gjykata shqyrtimin përfundimtar në themel të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetit./kb

Amerikanët janë kudo dhe po shtrenjtojnë turizmin, si rasti i Shqipërisë

By: el da
16 July 2025 at 12:05

Nga Antonio Leggieri, Il Fatto Quotidiano

Sipas The Guardian, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kanë ndërmend të shndërrojnë ishullin e Sazanit në një destinacion të ri të turizmit ultra-luksoz.

Kemi një problem me Amerikën. Disa mund të thonë se, veçanërisht në këtë moment historik, problemet janë më shumë se një. Por unë merrem me udhëtime, ndaj do të përqendrohem te sektori im. Problemi – që e konsideroj serioz dhe, për fat të keq, pa një zgjidhje në horizont – është ky: turizmi amerikan po i rrit ndjeshëm çmimet në shumë qytete të botës.

Nuk ka nevojë të jesh ekonomist i diplomuar në Cambridge për ta kuptuar arsyen: pavarësisht inflacionit galopant që u ka cenuar fuqinë blerëse vitet e fundit, pagat e amerikanëve – sidomos të atyre që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Lindor, pra dhjetëra miliona njerëz – janë dukshëm më të larta se pagat në vendet që ata vizitojnë çdo vit.

Kjo diferencë në të ardhura krijon një efekt që mund të quhet “gentrifikim[ii] turistik”: kur turistë nga ekonomi me të ardhura më të larta, si ajo amerikane, pushtojnë destinacione të caktuara, ata janë të gatshëm të paguajnë çmime më të larta për akomodim, restorante dhe shërbime. Operatorët vendas, si pasojë, rrisin çmimet për të maksimizuar fitimet, duke e bërë përvojën të paarritshme ose më pak të përballueshme për turistët nga vende me të ardhura më të ulëta – dhe, në shumë raste, edhe për vetë banorët vendas.

Në 15 vitet e fundit kam vizituar 60 shtete dhe kam vënë re se amerikanët janë kudo. Megjithatë, ata kanë disa destinacione të preferuara: Meksikën, Karaibet (Costa Rica është kthyer në një enklavë të tyre), Japoninë, Tajlandën dhe shumë vende evropiane, përfshirë Anglinë, Spanjën, Francën dhe Italinë. Vendi ynë ndodhet në top 3 të preferencave të yankee-ve: rritjet e kostos së jetesës në qytete si Milano, Roma dhe Venecia – kjo e fundit e “monopolizuar” së fundmi nga Jeff Bezos dhe bashkëshortja – janë dëshmi e qartë. Sigurisht, jo çdo faj bie mbi turistët amerikanë dhe pagat e tyre të larta. Si gjithmonë, politika është bashkëfajtore kryesore në këtë proces të turistifikimit.

Në qytetin ku jetoj, Bologna, e majta e “kaviarit” është protagoniste e një sërë vendimesh që u kanë mbyllur derën qytetarëve të zakonshëm dhe kanë hapur portat për investitorët e pasur, të cilët synojnë ta bëjnë qytetin më tërheqës – por vetëm për ata që e vizitojnë dhe shpenzojnë për mallra dhe shërbime. Për ta thënë me një shprehje tipike amerikane: Talk left, live right.

Tani le të kthehemi tek ne. Kam frikë se, brenda pak vitesh, një tjetër destinacion – gjeografikisht shumë pranë Italisë – do të përfundojë në vorbullën e destinacioneve të mbingarkuara nga turizmi. Po flas, për ata që ende nuk e kanë kuptuar, për Shqipërinë. Zërat që qarkullonin prej kohësh mbi interesin e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner për ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, më në fund janë konfirmuar.

Sipas The Guardian, vajza e Donald Trump dhe sipërmarrësi i pasurive të paluajtshme nga New Jersey kanë ndërmend – sapo të përfundojë pastrimi i zonës nga municionet e pashpërthyera, pasi Sazani u përdor për dekada nga regjimi si zonë ushtarake – ta shndërrojnë ishullin në një “mekë” të re të turizmit ultra-luksoz. Investimi, që kap shifrën e rreth një miliard dollarëve, do t’i shtohet portofolit të pasurive të paluajtshme të çiftit që përfaqëson më qartë se kushdo turbokapitalizmin neosionist në stilin trumpian.

Kështu, ndërsa Leonardo DiCaprio ka blerë së fundmi ishullin Guafo në Kili për ta mbrojtur nga shfrytëzimi minerar dhe shpyllëzimi, Sazani është gati të rikthehet si një parajsë ekskluzive për të pasurit, ndërkohë që e gjithë Shqipëria rrezikon të shndërrohet në laboratorin e radhës të një gentrifikimi të maskuar si zhvillim turistik.

E kam thënë më parë: politika ka gjithmonë një pjesë të madhe të fajit. Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, “Shqipërisë i duhet turizmi i luksit siç i duhet shkretëtirës uji”. Por Rama nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se ardhja e kapitalit sjell gjithmonë me vete inflacion: në vitet e ardhshme, investimi i Trump dhe bashkëshortes së tij do të shkaktojë një zhvendosje të ngadaltë, por të pandalshme të shumë banorëve nga rrethi i Vlorës, të shtyrë drejt periferisë nga një ekonomi që favorizon vetëm ata që mund të blejnë, të ndërtojnë apo të spekulojnë.

Sipas revistës Monitor, në vitin 2024 në Shqipëri është shënuar një rritje mesatare e çmimeve të strukturave akomoduese me 25–30 për qind. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në jug – nga Vlora, qyteti kryesor i rrethit me të njëjtin emër, deri në Ksamil e Sarandë: nëse në vitin 2023 mund të rezervoje një hotel në qendër të Vlorës me 40–50 euro nata, sot – mjafton një kërkim në Booking.com – është e vështirë të gjesh diçka nën 70–90 euro, edhe për struktura të kategorisë së mesme. Dhe nuk është aspak e rrallë që çmimet të kalojnë edhe 200 euro nata për hotele me pamje nga deti.

Dua ta theksoj, në përfundim, se amerikanët nuk janë të vetmit turistë që shkaktojnë këtë dinamikë. Gjermanët, për shembull, janë bërë indirekt përgjegjës për rritjen e madhe të çmimeve në Kroaci gjatë 10–15 viteve të fundit: shumë italianë – pasi fuqia jonë blerëse është ndjeshëm më e ulët krahasuar me atë të gjermanëve, amerikanëve, anglezëve dhe shpesh madje edhe me atë të spanjollëve e “kushërinjve” francezë – nuk kanë pasur zgjidhje tjetër veçse ta përjashtojnë Kroacinë nga lista e destinacioneve të preferuara.

Një nga vendet e fundit pranë nesh dhe me çmime të përballueshme ishte Shqipëria. Mjafton pak kohë që dinamika e turizmit ndërkombëtar të ndjekë rrjedhën e vet, dhe pastaj – me rrogat tona modeste – nuk do të mund të shkojmë dot me pushime as te ata që deri dje i konsideronim “fqinjtë e varfër”./kb

 

“Librin e marr në plazh si aksesor për foto”, modelja “ndez rrjetin” me deklaratën

By: el da
16 July 2025 at 11:55

Një deklaratë e bërë nga një prej ‘modeleve’ shqiptare e cila është pjesëmarrëse në emisionin “She’s On Top” ka ndezur rrjetin dhe është kthyer në një nga temat më të komentuara.

Modelja, e pyetur nëse lexon libra gjatë pushimeve në plazh, u përgjigj pa hezitim: “Unë i marr vetëm për aksesor librat. Unë punoj si influencuese dhe libri është një aksesor shumë i mirë për të bërë foto, story…”

Për të përforcuar deklaratën e saj, ajo solli edhe një shembull konkret, duke përmendur një story që kishte postuar më parë në Instagram me një libër në dorë, dhe shtoi: “Ta siguroj që e kam lexuar një faqe 5 herë dhe nuk mora vesh asgjë.”/kb

Buxheti i ardhshëm i BE dhe fati i PAC: Një udhëkryq strategjik për Ballkanin Perendimor

By: el da
16 July 2025 at 10:31

Monada Mehmetaj, Strasbourg

Në një kontekst politik të ngarkuar pas zgjedhjeve europiane të 2024-ës, Komisioni Europian ka paraqitur më 16 korrik 2025 një nga dokumentet më delikate të mandatit: propozimin për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të Bashkimit Europian për periudhën 2028–2034. Në dukje një akt administrativ, por në thelb një përballje e thellë mes ideve për Evropën e së ardhmes. Në qendër të kësaj përballjeje është fati i Politikës së Përbashkët Bujqësore (PAC), simbol i Evropës solidare dhe njëkohësisht një ndër instrumentet më të kontestuara në buxhetin komunitar.
PAC, që për periudhën 2021–2027 përbënte 387 miliardë euro nga buxheti i përgjithshëm mbi 2000 miliardë, është kritikuar shpesh për kostot e larta, por edhe lavdëruar për stabilitetin që i ka dhënë sektorit rural europian. Me ndihma direkte që shkonin deri në 270 miliardë euro për fermerët, ajo ka qenë një shtyllë e qëndrueshmërisë për mijëra bujq në vende si Franca, Spanja, Italia dhe Gjermania.
Propozimi më i fundit i Komisionit, që ka rrjedhur në media përmes një dokumenti pune të konsultuar nga AFP, sugjeron integrimin e PAC në një fond më të gjerë të quajtur “partneritet kombëtar dhe rajonal”. Edhe pse ndihmat direkte për fermerët nuk preken formalisht, struktura e re përfshin riskun e fragmentimit të instrumenteve të mbështetjes dhe uljes së garancive afatgjata për sektorin rural.
Reagimi i sektorit bujqësor ka qenë i menjëhershëm. Copa-Cogeca, lobingu kryesor i fermerëve në BE, ka paralajmëruar protestë para Komisionit, duke e cilësuar këtë reformë si ‘dissolvim të karakterit specifik të PAC’. Edhe ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard, ka theksuar rrezikun e “zhdukjes së shpirtit të PAC”, nëse buxheti i saj hollohet dhe shpërndahet pa një strategji të përbashkët komunitare.
Në të vërtetë, ky debat nuk është thjesht buxhetor, por identitar: Çfarë Evrope duam të ndërtojmë? Një Evropë të projekteve të mëdha teknologjike, mbrojtjes së përbashkët dhe digjitalizimit, apo një Evropë të ekuilibrave socialë dhe territoriale? Integrimi i PAC në një fond të përbashkët mund të jetë praktik nga pikëpamja financiare, por krijon rrezikun që politikat bujqësore të humbasin koherencën, sidomos për zonat më të brishta ruralisht dhe ekonomikisht.
Një tjetër pasojë e mundshme është goditja e strategjisë së ‘Green Deal’ europian. PAC ka qenë një nga instrumentet që kanë ndihmuar në tranzicionin drejt bujqësisë së gjelbër, sidomos përmes programeve si ‘Leader’ për rajonet e pafavorizuara dhe ‘Akis’ për inovacionin bujqësor. Këto dy programe tani parashikohen të kalojnë te fondet e kohezionit, duke humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me politikat bujqësore.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, një shpërbërje funksionale e PAC do të ketë pasoja të dyfishta. Së pari, fondet e para-anëtarësimit (IPA III/IV) do të jenë më pak të fokusuara në harmonizimin bujqësor, duke i lënë vend strategjive më afatshkurtra. Së dyti, vetë modeli europian i zhvillimit rural do të zbehej si referencë për vendet kandidate, duke ndikuar negativisht në procesin e afrimit me standardet e BE-së.

Kjo krizë buxhetore përkon me një Evropë që ka hyrë në një fazë të re pas zgjedhjeve të qershorit 2024. Me përbërje më të fragmentuar në Parlamentin Europian dhe me një Komision të ri ende në formim, rishikimi i prioriteteve është i pashmangshëm. Nëse BE zhvendoset kah një union që investon në siguri, inovacion dhe migracion, atëherë solidariteti rural rrezikon të shtyhet në plan të dytë.
Nëse PAC humbet karakterin e saj të përbashkët, rrezikojmë të shohim një BE që funksionon në logjikën e projekteve të veçanta kombëtare dhe jo më si një bashkësi politike me politika të përbashkëta. Tensioni ndërmjet ‘Evropës së projekteve’ dhe ‘Evropës së solidaritetit’ është tashmë real. Negociatat që do të pasojnë këtë propozim buxhetor do të jenë një provë e vërtetë për identitetin politik të BE-së./kb

Administrata Trump do të djegë 500 tonë ushqime që ishin blerë nga USAID

By: el da
16 July 2025 at 08:40

Pothuajse 500 tonë ushqime, mjaftueshëm për të ushqyer 1.5 milion fëmijë për një javë – pritet të digjen pas muajsh mosveprimi nga administrata Trump.

Biskotat u blenë nga USAID për 800 mijë dollarë gjatë administratës së presidentit, Joe Biden dhe janë ruajtur në Dubai.

Ato ishin destinuar për fëmijët në Afganistan dhe Pakistan, shkruan theatlantic.

Por, që nga janari, një ngrirje e përgjithshme e ndihmës së huaj dhe shpërbërja e USAID-it nën Departamentin e ri për Efiçencë Qeveritare ka paralizuar përpjekjet për t’i shpërndarë ato

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të brendshme, nuk u dha asnjë leje për të lëvizur ushqimin.

Deri në kohën kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio siguroi Kongresin në muajin maj se ndihma do të dorëzohej, urdhri për shkatërrimin e saj ishte firmosur tashmë.

Djegia do t’i kushtojë taksapaguesve edhe 130 mijë dollarë shtesë./kb

.

Ish-presidenti rus: Nuk duam t’ia dimë për ultimatumin teatral të Trumpit

By: el da
16 July 2025 at 08:20

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë të martën se Rusia nuk shqetësohet fare për “ultimatumin teatral” të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, lidhur me vendosjen e sanksioneve kundrejt blerësve të eksporteve ruse, nëse Moska nuk pajtohet për marrëveshjen e paqes në Ukrainë brenda afatit 50-ditor, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

“Trump e dha një ultimatum teatral për Kremlinin”, ka shkruar Medvedev në rrjetin social X. “Bota u trondit, duke pritur pasojat. Evropa luftuese ishte e zhgënjyer. E Rusia nuk i dha rëndësi”.

Kremlini zyrtar s’i ka komentuar ende deklaratat e Trumpit, mirëpo ka njoftuar të hënën se ishte e qartë se Shtetet e Bashkuara kishin vazhduar të furnizonin me armë dhe municione Ukrainën.

Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Zyrën e Ovale, Trumpi kishte njoftuar të hënën për dërgimin e armëve të reja për Ukrainën si dhe ka adresuar njëkohësisht kërcënimin me tarifa dytësore prej 100% për blerësit e eksporteve ruse.

Presidenti amerikan ka shprehur gjithashtu frustrim ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin, tek ka thënë se “ai flet bukur dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje”.

Në Washington, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë për Reutersin se qëllimi i Trumpit është që të vendosë “tarifa prej 100 për qind ndaj Rusisë”, si dhe sanksione dytësore ndaj shteteve të tjera që blejnë naftë ruse, nëse nuk arrihet marrëveshja për paqen.

85 nga 100 senatorë amerikanë janë bashkë-promotorë të një projektligji që do t’i jepte Trumpit autoritetin të vendosë tarifa prej 500% ndaj çdo vendi që e ndihmon Rusinë, ndonëse liderët republikanë të Dhomës së Lartë kanë pritur që presidenti t’ua japë lejen për të organizuar një votim të këtillë.

Kina dhe India janë blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse. Ndër të tjera, Trumpi ka thënë ekskluzivisht për mediumin britanik BBC se ai “nuk ka mbaruar ende” me Putinin dhe se mendon që marrëveshja për fundin e luftës në Ukrainë është ende e mundur./kb

Blushi: Divorci mes Metës dhe Kryemadhit u bë pasi u zbulua përdorimi i kartave

By: el da
16 July 2025 at 08:00

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në “Real Story” tha se përdorimi i kartës nga Monika Kryemadhi ka çuar në divorcin me Ilir Metën, për shkelje të besimit dhe shkelje të ligjit.

Ai theksoi se kartat e zbuluara nga SPAK nuk janë përdorur nga Ilir Meta.

“SPAK tregon në emër të kujt janë kartat dhe kush i ka përdorur. Nuk është z. Meta fare. E thotë SPAK. SPAK thotë se kartat janë në emër të Shatkut dhe në emër të Monika Kryemadhit

.

Nuk ka asnjë kartë të Metës. Në momentin kur Meta është vënë dijeni të këtyre kartave, ai ka bërë dhe divorcin me zonjën Kryemadhi si një tradhti e para për një shkelje ligji, dhe ndaj besimit të tij.

Kjo çoi në divorc pa diskutim, patjetër, e ka sqaruar vetë z. Meta. Në momentin që është vënë në dijeni nga SPAK, që kemi zbuluar një kartë, çfarë karte ka përdorur dhe në këtë moment ai ka vendosur divorcin me zonjën Kryemadhi”, theksoi ai./kb

 

Shefi i NATO-s: Brazili, Kina dhe India mund të goditen rëndë nga sanksionet

By: el da
16 July 2025 at 07:40

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi sot se vende si Brazili, Kina dhe India mund të goditen shumë rëndë nga sanksionet nëse vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.

Deklarata e Rutte erdhi gjatë një takimi me senatorët në Kongresin e SHBA-së – një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dërgimin e armëve të reja në Ukrainë.

Gjithashtu, Trump paralajmëroi se do të vendoste tarifa të reja “të ashpra” prej 100% për blerësit e eksporteve ruse, nëse nuk arrihej një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u takua dje me presidentin amerikan, Donald Trump – si pjesë e vizitës së tij dyditore në Uashington/kb

Horoskopi ditor, 16 Korrik 2025

By: el da
16 July 2025 at 07:00

Dashi

Dashuria: Sot do të jetë një ditë ngjarjesh dhe pritjesh të papritura që do t’ju bëjnë nervoz. Do të jetë mirë që të izoloheni për një kohë dhe të përpiqeni të mos lini hije dyshimi mbi partnerin tuaj. Beqarët gjithashtu do jenë pak të acaruar për shkak të disa projekteve që janë rritur në tym.

Puna: Dita e punës do të ndikohet nga gjendja shpirtërore e ndryshuar dhe për pasojë do të jetë pak produktive.

Demi

Dashuria: Një ditë pajtimi, nëse keni patur një luftë me dikë afër jush, partnerin tuaj ose një anëtar të familjes, ai do të vijë duke kërkuar për ju me qëllime të mira. Do të jetë një rast i përshtatshëm për të sqaruar një keqkuptim të mundshëm. Beqarët do bëjnë miq të rinj.

Puna: Nuk ka mundësi që të humbisni për të bërë një hap cilësor, për të cilin keni aspiruar shumë kohë.

Binjakët

Dashuria: Me ndihmën e Venusit, çiftet tani mund të dalin nga kriza dhe të forcojnë bashkimin. Shumë do të kenë dëshirën për të krijuar së bashku një të ardhme. Njohje të reja për shumë beqarë në horizont, Marsi disponon takime dhe njohje intriguese.

Puna: Jini më reflektues, por në të njëjtën kohë veproni nëse nuk dëshironi mundësi që t’ju fryjnë nën hundë!

Gaforrja

Dashuria: Ata që janë së fundmi bashkë dhe po përjetojnë një dashuri të re nuk do të jenë pjesë e asaj kategorie që lënë kohën të ikë kot, do të bëjnë gjithçka për të thelluar këtë marrëdhënie! Beqarët mund të fillojnë diçka për argëtim dhe më pas … ta merrni seriozisht!

Puna: Nëse duhet të mbështeteni vetëm në forcën tuaj, sigurohuni të dini se çfarë duhet për të mbajtur gjithçka nën kontroll.

Luani

Dashuria: Çiftet që kanë përjetuar kohë të vështira sot do të jetojnë një ditë të qetë. Retë janë zhdukur dhe ju mund të shijoni zemrën tuaj të dashur! Beqarët do të shohin një ndjesi të bukur që nuk e kishin parashikuar për dikë afër tyre.

Puna: Zilia dhe xhelozia në punë sot do të shkaktojnë probleme dhe do të krijojnë probleme. Jini të qetë dhe të matur në këtë drejtim.

Virgjëresha

Dashuria: Një diskutim me të dashurin tuaj do të prishë marrëveshjen, por për fat të mirë pasioni do të bëjë gjithçka të kalojë. Mbrëmje intriguese gjatë rrugës! Për beqarët, do të ketë një dashuri të shpejtë që do ta ndryshojë jetën, por vetëm nëse e dëshironi!

Puna: Qëllimi për të arritur është afër, më shumë sesa mendoni, por keni nevojë për këmbëngulje dhe një shpirt sakrificash për të arritur atje.

Peshorja

Dashuria: Kushdo që ndjen ndjenja shumë të forta për partnerin gjithashtu do të tolerojë një situatë të paqartë, por nuk do të jetë për shumë kohë. Ardhja e tërheqjeve të reja për beqarët, bërja përshtypje ndaj dikujt që ka pëlqyer prej kohësh do të jetë qëllimi i kësaj dite!

Puna: Kontakte dhe bashkëpunime të reja për shumë nga të lindurit e kësaj shenje, axhenda e kësaj dite është e mbushur me emërime.

Akrepi

Dashuria: Një ditë e ndërlikuar nga pikëpamja sentimentale, qëndrimet tuaja do të ngjallin xhelozi tek partneri juaj dhe do të jeni gati të detyruar të justifikoni veten. Nga ana tjetër veqarët do jenë mjaft magjepsës dhe të gatshëm për të bërë përparime!

Puna: Detyrat e reja që vijnë, ju do të tregoni aftësi të mëdha në menaxhim, të gjithë do t’ju japin lëvdata dhe komplimente.

Shigjetari

Dashuria: Nuk ka parashikime të mira për një histori që nuk jep më shumë stimulim, dikush do të dëshirojë të insistojë, por mbase nuk ia vlen. Në këto raste, ndryshoni më mirë ambjentin! Beqarët gjithmonë do të kërkojnë gjëra që janë të vështira për tu zgjidhur, të jenë të qetë për këtë!

Puna: Dita e kënaqshme, lajmet që vijnë në sferën e punës janë të mira.

Bricjapi

Dashuria: Çiftet e konsoliduara do të gjejnë guximin të shkojnë më tej dhe të marrin përgjegjësi të caktuara. Projektet sfiduese të jetës po vijnë! Dashuritë e mëdha vijnë madje edhe për beqarët që duan të takojnë shpirtin e tyre binjak, tërheqjet fatale dhe pasionin për yjet!

Puna: Ju po vendosni një rend në sferën e punës, ka kaq shumë gjëra që duhet të lihen mënjanë. Ndryshimet në horizont.

Ujori

Dashuria: Venusi nuk duket larg nga jeta juaj private dhe sot mund të mbështeteni në një dialog me një partner shumë intensiv. Ju duhet të bëni gjëra të caktuara. Edhe beqarët do jenë shumë komunikues dhe do të jenë në gjendje të magjepsin me fjalët e tyre.

Puna: Përqendrohuni në strategjitë fituese për tu vërejtur. Ata do të jenë trampolina për suksesin tuaj.

Peshqit

Dashuria: Një nostalgji e vogël vazhdon herë pas here për të përgjuar në zemrën tuaj dhe për të shtyrë emocionet e përjetuara. Ndoshta e tashmja nuk është ajo që ju dëshironi, por ka mundësi të mira për ta ndryshuar atë. Vijnë histori të reja për beqarët dhe flirtet emocionuese.

Puna: Ju keni një ide të qartë për atë që dëshironi, ju po bëni gjithçka për të arritur qëllimin tuaj. Shumë shpejt do ta arrini!/kb

Blushi: Meta u divorcua nga Kryemadhi pasi u zbulua përdorimi i kartave

By: el da
15 July 2025 at 22:52

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar në emisionin “Real Story” se përdorimi i kartës bankare për shpenzime nga Monika Kryemadhi ka çuar në divorcin me Ilir Metën, për shkelje të besimit dhe të ligjit.

Sipas Tedi Blushit, kartat e zbuluara nga SPAK nuk janë përdorur nga Ilir Meta dhe se janë në emër të Monika Kryemadhit dhe Ardian Shatkut.

“SPAK tregon në emër të kujt janë kartat dhe kush i ka përdorur. Nuk është z. Meta fare. E thotë SPAK. SPAK thotë se kartat janë në emër të Shatkut dhe në emër të Monika Kryemadhit.

Nuk ka asnjë kartë të Metës. Në momentin kur Meta është vënë dijeni të këtyre kartave, ai ka bërë dhe divorcin me zonjën Kryemadhi si një tradhti e para për një shkelje ligji, dhe ndaj besimit të tij.

Kjo çoi në divorc pa diskutim, patjetër, e ka sqaruar vetë z. Meta. Në momentin që është vënë në dijeni nga SPAK, që kemi zbuluar një kartë, çfarë karte ka përdorur dhe në këtë moment ai ka vendosur divorcin me zonjën Kryemadhi”, theksoi ai. m.p.

Egnatia eliminohet me turp nga Champions League

By: el da
15 July 2025 at 22:44

Egnatia është eliminuar me turp nga Champions League. Kampionia e Shqipërisë është mposhtur me rezultatin 5-0 në ndeshjen e kthimit të fazës se parë, duke e elimimuar me rezultatin e përgjithshëm 5-1.

Pjesa e parë rezultoi shumë e dobët, me Breidablik qe realizoi 4 herë, ndërsa 1 gol erdhi në pjesën e dytë.

Me këtë eliminim Egnatia humbet edhe 350 mijë euro, ndërsa tani do zhvendoset në turin e dytë të Conference League. Ky eliminim tregon shumë edhe për nivelin e futbollit shqiptar.

Aksident në Vlorë, automjeti përplaset me motorin! Plas grushti pas ngjarjes

By: el da
15 July 2025 at 22:33

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së martës në Vlorë, në zonën e plazhit të vjetër, ku një automjet është përplasur me një motor.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur drejtuesi i motorit, i cili është dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjendja e të plagosurit është jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit ka pasur përplasje fizike mes disa personave me grushte dhe shkelma.

Policia ka shoqëruar disa persona të përfshirë në konflikt për të sqaruar rrethanat e sherrit dhe për të marrë deklaratat përkatëse në komisariat. m.p.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Ronaldo rikthehet në Serie A? Klubi italian i befason të gjithë

By: el da
15 July 2025 at 22:26

Cristiano Ronaldo mund të rikthehet në Serie A!

Como raportohet se është i interesuar për transferimin e yllit portugez, edhe pse ai është në fund të karrierës.

CR7, i cili aktualisht është pjesë e Al Nassr në Arabinë Saudite, po jep maksimumin që ia lejon fakti se është 40 vjeç.

Trajneri i ekipit italian, Cesc Fàbregas, ka ambicie të mëdha për sezonin e ri dhe po mendon rikthimin e Ronaldos në Serie A, aty ku Como ka ambicie realisht të mëdha për të ardhmen. m.p.

Trump humb durimin: Nuk do mbaj anën e askujt

By: el da
15 July 2025 at 22:17

Donald Trump në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë ka deklaruar i prerë se në luftën Rusi-Ukrainë nuk mban anën e askujt.

Kjo deklaratë erdhi pas një telefonate të bërë me Zelenskyn, ku ky i fundit i kërkuar Uashingtonit raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, por administrata Trump ende nuk ka marrë ndonjë vendim për shkak të shqetësimeve në lidhje me përdorimin e tyre të pamatur.

“Administrata amerikane nuk ka ndërmend të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi’’, deklaroi më tej Presidenti Donald Trump.

FT vuri në dukje gjithashtu se administrata e mëparshme e Biden kishte ngritur shqetësime të ngjashme në lidhje me përdorimin e raketave lundruese kundër objektivave në tokën ruse, duke rrezikuar potencialisht një zgjerim të konfliktit. m.p.

Lojtari i Real Madridit nuk duron më: Dua të largohem

By: el da
15 July 2025 at 22:09

Alvaro Rodriguez, i cili sezonin e fundit ishte në huazim te Getafe, nuk u përfshi në skuadrën e Realit për Botërorin e klubeve dhe do largimin. Ai nuk u angazhua as në fazën përgatitore para sezonit të ri.

20-vjeçari e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet për të gjetur një skuadër ku i garantohen minuta.

“Mendoj se duhet të largohem. Nuk mund të pres më gjatë për ekipin e parë. Do të vazhdoj në rrugën time”, ka deklaruar Alvaro, por duke theksuar se dëshira e tij është rikthimi në Madrid. m.p.

Sanksionet e reja kundër Rusisë, BE dështon të bindë Sllovakinë

By: el da
15 July 2025 at 21:55

Bashkimi Evropian ka dështuar ta miratojë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë të martën, pasi Sllovakia kërkoi më shumë garanci se nuk do të dëmtohej nga një plan i veçantë i BE-së për ta ndalur gradualisht gazin rus.

Komisioni Evropian kishte deklaruar të publikuar nga zyra e kryeministrit sllovak, Robert Fico, se do të punonte për t’i adresuar shqetësimet e Sllovakisë, duke u përpjekur të hapte rrugën për një marrëveshje për sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Përfaqësuesi i Sllovakisë në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së të martën kishte për detyrë të kërkonte shtyrjen e votimit të planifikuar për sanksionet, tha Fico në një deklaratë.

“Koalicioni qeveritar refuzon propozimin idiot të Komisionit Evropian për të ndalur furnizimin me gaz rus nga viti 2028”, tha Fico.

“Megjithatë, është i gatshëm të bisedojë për garancitë që do t’i ofrojnë Sllovakisë njëfarë sigurie në furnizimin me gaz pas vitit 2028”, shtoi ai.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke folur pas takimit të ministrave të Jashtëm, tha se ndihej “vërtet e trishtuar” që sanksionet nuk u miratuan, duke shtuar se “tashmë topi është në fushën e Sllovakisë”.

Ajo shtoi se ka shpresë se një marrëveshje për sanksionet mund të arrihet të mërkurën.

Sllovakia e ka bllokuar paketën më të fundit të sanksioneve – e cila kërkon miratimin unanim të shteteve anëtare të BE-së – derisa të adresohen shqetësimet e saj lidhur me një propozim të BE-së për të ndalur importet e gazit rus deri më 1 janar 2028.

Sllovakia, e cila vazhdon të importojë energji ruse dhe shpesh mban qëndrime pro-ruse për Ukrainën, argumenton se ndërprerja e gazit rus mund të shkaktojë mungesa, rritje çmimesh dhe tarifash transiti, si dhe kërkesa për dëmshpërblime nga furnizuesi rus Gazprom.

Propozimet e BE-së për ndalimin e gazit rus deri më 2028 – me një fazë të ndërprerjes graduale që fillon vitin e ardhshëm – kanë nevojë për mbështetjen e një shumice të përforcuar të vendeve për të kaluar, që do të thotë se Sllovakia nuk mund t’i vërë veton e vetme. m.p.

❌
❌