Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

Historiku i Rusisë shtyn Ukrainën të këmbëngulë në garanci për sigurinë

By: b b
21 August 2025 at 17:27

Ndërsa përpjekjet diplomatike për të ndalur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës janë shtuar kohëve të fundit, Kievi dhe aleatët e tij këmbëngulin se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse Ukrainës i jepen garanci të besueshme dhe të zbatueshme sigurie, dhe jo vetëm premtime simbolike apo marrëveshje të shkruara.

Kjo buron nga fakti se Rusia nuk i ka respektuar shpesh marrëveshjet që duhej të siguronin integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës.

“Një garanci sigurie mund të jetë, gjithashtu, diçka si Memorandumi i Budapestit i vitit 1994”, thotë Clifford May, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me seli në SHBA, për Radion Evropa e Lirë.

“Rusia e nënshkroi. Amerika e nënshkroi. Britania e nënshkroi. Dhe thuhej se të gjithë do ta respektonin integritetin territorial të Ukrainës. Por, ajo garanci sigurie nuk vlente as për letrën ku ishte shkruar”, shton May.

Memorandumi është një prej së paku gjashtë traktateve ndërkombëtare që agresioni i Rusisë në Ukrainë i ka shkelur.

Ato përfshijnë një traktat kufitar të vitit 2003, të nënshkruar nga vetë presidenti rus, Vladimir Putin; Marrëveshjet e Harkivit të vitit 2010 që i mundësonin Rusisë të mbante bazën e saj detare në Krime, dhe Marrëveshjet e Minskut të viteve 2014-15 që synonin t’u jepnin fund luftimeve në Donbas.

E gjithë kjo e bën Ukrainën të kujdesshme – në mënyrë të kuptueshme – ndaj arritjes së një marrëveshjeje të paqes me Rusinë, pa pasur garanci të besueshme të sigurisë.

Në bisedimet në Uashington më 18 gusht, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ofroi siguri.

Ndërsa përjashtoi mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ai tha se vendet evropiane “duan të ofrojnë mbrojtje… dhe ne do t’i ndihmojmë ato”.


Trump tha, gjithashtu, se vendet evropiane do të sigurojnë “vijën e parë të mbrojtjes” dhe Shtetet e Bashkuara “do të përfshihen”.

Por, detajet ende duhet të përcaktohen.

Ushtarët në terren

Vendet evropiane kanë planifikuar, që nga marsi, një forcë ushtarake që do të vendosej në Ukrainë, pas një armëpushimi ose marrëveshjeje të paqes.

As për këtë, pothuajse asnjë detaj nuk është bërë publik, megjithëse Britania dhe Franca kanë thënë se do të jenë të përgatitura për të dërguar trupa në terren.

Udhëheqësit politikë në kryeqytetet evropiane e kanë bërë gjithmonë të qartë se parakusht për misionin është përfshirja e SHBA-së, dhe Trump tani ka folur për ofrimin e ndihmës, përfshirë mbështetjen ajrore.

Planifikuesit ushtarakë evropianë pritet të takohen këtë javë me homologët e tyre amerikanë, për të diskutuar për këtë çështje.

Sipas raportimeve nga Axios, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është ngarkuar me detyrën e udhëheqjes së bisedimeve.

Roland Freudenstein, themelues i Qendrës së Lirisë në Bruksel, i përshkruan bisedimet në Uashington si një “ditë Groundhog”, duke thënë se “në thelb nuk ka ndodhur asgjë shumë pozitive”.

“Çështja kryesore është se sa do të jenë të angazhuara trupat evropiane në Ukrainë dhe sa do ta mbështesin amerikanët këtë prani evropiane”, thotë Freudenstein për Radion Evropa e Lirë.

Moska ka thënë vazhdimisht se prania e trupave të NATO-s në Ukrainë do të ishte e papranueshme.

Mbrojtje në stil të NATO-s

Pas samitit të javës së kaluar në Alaskë midis Trumpit dhe Putinit, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, i tha CNN-it se diskutimet sollën mundësinë për t’i dhënë Ukrainës “mbrojtje të ngjashme me Nenin 5”, duke iu referuar klauzolës së NATO-s për mbrojtje të përbashkët.

Kjo mund të funksionojë pa dislokimin e trupave.

Por, sërish, nuk janë dhënë detaje.

May thotë se “njerëzit duhet të kuptojnë” se çfarë është saktësisht Neni 5 në praktikë.

“Neni 5, sipas Traktatit të NATO-s, thotë se nëse sulmon një anëtar të NATO-s, ke sulmuar të gjithë anëtarët e NATO-s dhe, teorikisht, të gjithë anëtarët e NATO-s do të përgjigjen. A është e sigurt se do të ndodhë kjo? Unë nuk jam absolutisht i sigurt dhe kjo më shqetëson”, thotë May.

Kjo e kthen debatin në fillim: si mund t’i jepet Ukrainës një garanci sigurie që është më shumë sesa një premtim, që më vonë mund të thyhet?

Freudenstein thotë se Trump “foli për garancinë e sigurisë në një mënyrë shumë të përgjithshme dhe të paqartë”, ndaj, “vërtet nuk kemi ide se çfarë saktësisht do t’i ofrojnë Shtetet e Bashkuara” Ukrainës./REL

Macron telefonon Erdogan, ja çfarë biseduan dy liderët me njëri-tjetrin

By: b b
21 August 2025 at 17:09

Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me Recep Tayyip Erdogan, ku në fokus ishin Ukraina dhe situata në Lindjen e Mesme.

Siç theksoi presidenti francez, ai i përsëriti homologut të tij turk dëshirën e tij për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe.

Postimi i detajuar i Emmanuel Macron: “Sapo përfundova bisedën time me Presidentin Erdogan mbi situatën ndërkombëtare. Para së gjithash, ne ndajmë qëllimin për t’i dhënë fund luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo duhet të kalojë përmes ndërprerjes së armiqësive dhe vendosjes së garancive të forta të sigurisë për Ukrainën. Falënderoj Turqinë për bashkëpunimin shumë të mirë për këtë çështje, brenda kornizës së Aleancës së të Vullnetshmëve.

Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, ne dënojmë fuqimisht vendimet e fundit të qeverisë izraelite për të nisur një ofensivë ushtarake në Gaza dhe për të vendosur zona të reja në Bregun Perëndimor, veçanërisht në zonën E1, të cilat bien ndesh me përpjekjet për paqe.

Ky largim përpara mund të çojë vetëm në një gjendje lufte të përhershme. Vetëm një armëpushim, lirimi i pengjeve, dhënia e ndihmës humanitare dhe vendosja e një zgjidhjeje politike mund të sjellin paqe dhe siguri për të gjithë në rajon.

Ne po punojmë ngushtë me autoritetet turke në kuadrin e Konferencës për Zgjidhjen me Dy Shtete, të cilën Franca do ta bashkë-kryesojë në shtator në Nju Jork. Është veçanërisht e rëndësishme që një mision stabilizimi në Gaza të bëhet operacional dhe që procesi politik i bazuar në zgjidhjen me dy shtete të rifillojë.

Ne diskutuam gjithashtu shpresën e lindur nga takimi midis Armenisë dhe Azerbajxhanit nën kujdesin e Presidentit Trump më 8 gusht. Është e rëndësishme që progresi të vazhdojë, në mënyrë që të hapen të gjitha kufijtë dhe të forcohet bashkëpunimi rajonal.

Së fundmi, i përsërita Presidentit Erdogan gatishmërinë e Francës për të punuar mbi një axhendë ambicioze dypalëshe me Turqinë.

Përditësimi i Ankarasë

Sipas një deklarate të lëshuar nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës Turke, gjatë telefonatës Erdogan-Macron, me kërkesë të palës franceze, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Francës, procesi i paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe shumë zhvillime rajonale dhe globale, përfshirë situatën e fundit në Gaza.

Erdogan deklaroi se Turqia vazhdon përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë me një paqe të drejtë dhe se po ndjek nga afër takimet në Uashington.

Erdogan tha se Turqia është e gatshme të presë të gjitha përpjekjet për bisedime paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, duke vënë në dukje se vendi i tij po përpiqet të arrijë një armëpushim në Gaza, ku po zhvillohet një katastrofë e madhe humanitare, dhe se është e nevojshme të kufizohet pamaturia e shfaqur nga Izraeli, i cili ka përshpejtuar planin e tij për të pushtuar Gazën. Të dy udhëheqësit ranë dakord të shqyrtojnë detajet e çështjeve të diskutuara në Nju Jork në margjinat e Samitit të OKB-së.

Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia i kushton rëndësi zhvillimit të bashkëpunimit me Francën dhe se ata do të vazhdojnë të marrin masa për të promovuar marrëdhëniet në shumë fusha, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.

Kufizime në furnizimin me ujë, UKT njoftim për qytetarët e Tiranës

By: b b
21 August 2025 at 16:54

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka njoftuar pasditen e sotme qytetarët, se do të ketë kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit.

Kjo ndërpreje vjen për shkak të defekteve të shkaktuara në rrjet e ujësjellësit.

Sipas UKT-së zonat e prekura nga defekti në stacionin e pompimit janë Kombinat, Prush, Sharrë.

Ndërsa zonat e prekura nga defekti në linjën kryesore në depot qendrore të ujësjellësit mbi Qytetin Studenti: Rruga e Elbasanit, “3 Vëllezërit Kondi”, Zona e Sanatoriumit, Kodra e Diellit, Liqeni i Thatë, Sauku i Ri dhe Sauku i Vjetër.

UKT njofton gjithashtu se punonjësit janë në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më shpejt të furnizimit normal me ujë.

Presidenti i Hungarisë e fshin fjalën “ruse” nga komunikata për sulmet në Ukrainë

By: b b
21 August 2025 at 16:40

Presidenti i Hungarisë, Tamas Sulyok, e ka hequr fjalën “ruse” nga një shkrim në rrjetet sociale, ku shprehu ngushëllime për viktimat e një sulmi të madh me dronë dhe raketa gjatë natës në Ukrainë.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për të plagosurit nga sulmi me raketa ruse mbi Munkaçevo, dhe u uroj shërim të shpejtë e të plotë”, tha fillimisht Sulyok në një komunikatë të publikuar në Facebook të enjten.

Postimi u fshi pak pas publikimit dhe u zëvendësua nga një deklaratë pothuajse e njëjtë, por në të cilën fjala “ruse” (orosz në hungarisht) u hoq nga fjalia e parë.

Dallimi shihet qartë në fotografinë që Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë ua bëri postimeve.

Munkaçevo është një qytet me rreth 85 mijë banorë në perëndim të Ukrainës, ku jeton një komunitet i madh hungarez, dhe ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri i Ukrainës me Hungarinë.

Sulmi me raketa ishte pjesë e një vale prej qindra sulmesh në të gjithë Ukrainën gjatë natës mes së mërkurës dhe enjtes.

Zyra e presidentit të Hungarisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë postim.

Veprimi i tij vë në pah hezitimin e Qeverisë hungareze për ta kritikuar haptazi Moskën për pushtimin e plotë të fqinjit të vet, Ukrainës, si edhe marrëdhëniet e tensionuara mes Budapestit dhe Kievit.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe partia e tij, Fidesz, kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe kanë penguar përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë.

Hungaria gjithashtu ka bllokuar bisedimet për anëtarësimin e Kievit në BE.

Budapesti, kryeqyteti i Hungarisë, gjithashtu thuhet se po merret shqyrtohet si qyteti pritës i një samiti të mundshëm trepalësh, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, mes Rusisë dhe Ukrainës, që mund të mbahet në javët e ardhshme.

Politico raportoi këtë javë se shërbimi sekret i SHBA-së po përgatitet për samitin në Hungari, dhe se Budapesti është zgjedhja e parë e presidentit amerikan, Donald Trump, për qytetin pritës.

Pas kësaj, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ofroi Budapestin si vend të mundshëm për një takim të tillë.

“Nëse jemi të nevojshëm, ne jemi gati të ofrojmë kushte të përshtatshme, të ndershme dhe të sigurta për negociata për paqe. Jemi të kënaqur nëse mund të kontribuojmë në suksesin e përpjekjeve për paqe”, tha ai të enjten në një podcast ditor të organizuar nga anëtarë të Qeverisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, “në çdo format”, por nuk e ka përmendur ofertën e Hungarisë, duke sugjeruar në vend të saj Zvicrën, Austrinë ose Turqinë, si vende të mundshme për bisedimet për paqe./REL

Lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, Rama: Faza e parë e një ndryshimi të madh!

By: b b
21 August 2025 at 16:22

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasditen e sotme lidhur me ndërhyrjen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në një nga rrugët kryesore të Tiranës, ku janë liruar hapësira publike të zaptuara prej disa njësive private.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e përshkruan ndërhyrjen jo si një aksion të zakonshëm prishjeje, por si pjesë të një procesi më të gjerë urban.

“Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri, për Tiranën e për të tjera qytete më të pastër, më të gjelbër, po edhe me njësi shërbimi më bashkëpunuese e më miqësore me komunitetin”, shkruan Rama krahas videos së shpërndarë.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin pasi forcat e IKMT-së kanë larguar struktura të paligjshme në trotuare dhe hapësira publike të zaptuara nga biznese të ndryshme.

Ndërhyrja vjen në kuadër të një fushate më të gjerë të qeverisë për sistemimin e hapësirave urbane, me fokus kryesor çlirimin e trotuareve, rritjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe përmirësimin e aksesit për qytetarët, sidomos për këmbësorët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Ambasada amerikane: Ngërçi politik po i kushton Kosovës, udhëheqësit duhet të …

By: b b
21 August 2025 at 16:16

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë të enjten se Kosovës po i kushton ngërçi politik dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë ta bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënes i Ambasadës tha se partitë parlamentare në Kosovë duhet të punojnë së bashku për t’i themeluar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane vjen një ditë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin, gati pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Deputetët u mblodhën të mërkurën për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Të mërkurën, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane në Prishtinë u bënë thirrje partive parlamentare t’i themelojnë institucionet e reja sa më parë.

Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.

E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./rel

Shqipëria përfituesja kryesore në rajon me 3 projekte energjetike

By: b b
21 August 2025 at 15:57

Bashkimi Europian ka miratuar një paketë mbështetjeje prej 87.7 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes, për projektet e para që do të financohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga faza e parë e financimit, Shqipëria përfiton 32 milionë euro për tre projekte.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet.

Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%.

Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve edhe për këtë projekt është viti 2030.

Projekti i tretë është linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë këtë vit.

Vlera e projekteve në Mal të Zi në fazën e parë të Planit të Rritjes është rreth 54 milionë euro, ku BE kontribuon me më pak se 10 milionë.

Serbia është vendi me projektet më të orientuara drejt diversifikimit të energjisë (hidro + diellore). Të dy projektet kanë vlerë 186 milionë euro dhe BE kontribuon me rreth 41 milionë euro.

Tv Klan

“0 tolerancë”/ Gonxhja: Mbi 1,300 punonjës u siguruan brenda këtij viti

By: b b
21 August 2025 at 15:40

Më shumë se 1 mijë e 300 punonjës janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vetëm gjatë këtij viti.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos pranojnë të punojnë të pasiguruar.

“ZERO Tolerancë ndaj Informalitetit!

Planifikimi i Inspektimeve nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore me bazë risku ka sjellë përmirësime të ndjeshme, duke identifikuar rritje të punëmarrësve informalë gjatë proceseve inspektuese.

Janë futur në skemë 1,316 punëmarrës informalë gjatë periudhës Janar-Korrik 2025, nëpërmjet masës urgjente “Pezullim Aktiviteti”, duke kontribuar direkt në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me një vlerë minimale prej 14,686,560 Lekë/muaj pas deklarimit në buxhet.

Të nderuar qytetarë
Mos pranoni të punoni të pasiguruar ose të nënsiguruar në skemën e sigurimeve shoqërore.

Çdo formë pune jashtë kësaj skeme është abuzim që duhet denoncuar!”, shkruan Gonxhja.

Sezoni turistik, Rama ndan përvojën e pushuesve të huaj në Rivierën Shqiptare

By: b b
21 August 2025 at 15:20

Kryeministri Edi Rama ka ndarë përvojën e pushuesve të huaj në bregdetin shqiptar, që nga Himara, Dhërmiu dhe Borshi.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama thekson se këto plazhet si dhe mikëpritja që iu bëhet turistëve janë fantastike.

“Bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, ku plazhet janë fantastike, mikpritja gjithashtu, por më emocionuese akoma janë rrëfimet e vetë pushuesve shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës për përvojat në rivierën tonë”, shkruan Rama.

Shumë prej tyre janë shprehur se Shqipëria është një vend i bukur, të cilit iu pëlqejnë plazhet, njerëzit si dhe ushqimi.

“Vij nga Australia. Absolutisht po më pëlqen shumë këtu. Koha ka qenë e mrekullueshme. Plazhi është i bukur, njerëz të dashur, ushqim i mirë. S’mund të kërkoja për diçka më shumë. Jemi këtu për pesë ditë dhe absolutisht do ta sugjeronim tek gjithësecili në këtë vend”

“Duket shumë bukur. Ka banorë të dashur, dyqane të mira dhe restorante të mira. Unë e dua Shqipërinë të gjithin si vend. Është i bukur. Vendasit janë shumë të dashur. Çdo gjë është e bukur”

“Vijmë nga Milano. Na ka pëlqyer shumë si vend. Deti është i bukur. Është një vend shumë natyral. Nuk e kishim imagjinuar. Kërkuam në internet për të ardhur këtu. Kemi parë shumë, por Himara është vendi që preferojmë”

“Koha dhe deti janë shumë të bukur. Është viti i katërt radhazi që po vijmë në Dhërmi. Për herë të parë kur kam ardhur këtu jam dashuruar me Dhërmiun. Më pëlqen shumë, sidomos ushqimi, deti, plazhet, të gjitha”, shprehen disa nga turistët.

Ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul dyshon tek qëllimet e Putinit

By: b b
21 August 2025 at 15:00

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore në Ukrainë po shtohen, por ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul është skeptik.

Në intervistë me DW ai flet edhe për takimin e mundshëm Putin-Zelenski.

DW: Ndërsa Perëndimi kërkon një zgjidhje paqësore për Ukrainën, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul është në turneun e tij të parë zyrtar në Azi. Pas Japonisë, ai shkoi në Indonezi, ku biseduam me të. Ministër, a është bërë Ukraina, a është bërë Europa, një vend më i sigurt në ditët e fundit?

Johan Wadephul: Ka shumë mundësi që ky të jetë një hap drejt sigurisë dhe paqes. Në fund të fundit, presidenti amerikan ka qenë shumë i përkushtuar ndaj kësaj, aq sa tani edhe presidenti rus po e shqyrton që të ndalë me shkëmbimin e zjarrit, luftimet dhe sulmet kundër Ukrainës dhe të flasë për një zgjidhje paqësore me Ukrainën.

Është gjithashtu pozitive që presidenti amerikan po flet për garanci sigurie për Ukrainën. Këto janë shenja se, për herë të parë në këtë luftë të tmerrshme, një zhvillim i mirë mund të jetë i mundur.

Por tani të gjithë presin të shohin nëse Vladimir Putin është vërtet gati ta përfundojë këtë luftë. Fatkeqësisht, gjërat ende duken shumë ndryshe në fushën e betejës.

DW: Siç e përmendët, është bërë e qartë se pa garanci sigurie nuk do të ketë paqe në Ukrainë. Presidenti Trump tha gjithashtu se pret që Europa, dhe veçanërisht Gjermania, të dërgojnë trupa. Kur dhe sa?

Wadephul: Po, kjo duhet të diskutohet në detaje dhe së bashku. Këto bisedime janë tashmë duke u zhvilluar. Po bëhen përgatitje të kujdesshme në aspektin e politikës ushtarake dhe të sigurisë. Megjithatë, do të këshilloja së pari të presim dhe të shohim nëse bisedimet do të zhvillohen.

Dhe së dyti, nëse ato zhvillohen, duhet të shohim nëse mund të gjendet një marrëveshje e qëndrueshme. Për këtë, të gjithë presim Rusinë.

Gjermania ka treguar gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësi . Që nga fillimi, praktikisht menjëherë pas betimit, kancelari Friedrich Merz ka treguar çdo angazhim – duke udhëtuar për në Kiev, duke mbajtur shumë takime dhe së fundmi duke shoqëruar presidentin Zelenski në Uashington. Gjermania po merr përgjegjësi duke angazhuar si qeverinë ashtu edhe kancelarin.

DW: Tingëllon sikur ende keni dyshime serioze se takimi midis Zelenskit dhe Putinit do të zhvillohet. Sa serioze janë këto dyshime?

Wadephul: Epo, ka dyshime të dukshme, sepse presidenti Putin ende nuk ka thënë “po” për bisedimet. Presidenti Zelenski tha se është gati të zhvillojë një takim dypalësh me Putinin dhe më pas një takim trepalësh me presidentin Trump.

Ku është “po”-ja e Putinit? E tëra çfarë shohim është se ai po sulmon Ukrainën çdo ditë. Ajo çfarë shohim është se ai po përdor taktika vonese. E tëra çfarë shohim është se ai po shpik justifikime dhe kushte të reja.

Më në fund ai duhet ta kuptojë se kjo luftë duhet të mbarojë. Në disa ditë në këtë luftë, Rusia humb edhe nga një mijë të rinj në luftë. Është një luftë krejtësisht e pakuptimtë që është shumë e dëmshme për Rusinë dhe popullin e saj.

Edhe Putini duhet ta kuptojë se nëse nuk është gati të negociojë, do të ketë sanksione të mëtejshme. Evropa, mendoj edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat tani janë të përfshira, janë gati për këtë.

DW: Nëse ky takim midis Putinit dhe Zelenskit zhvillohet vërtet, ku mendoni se do të zhvillohet? Ka disa propozime – Gjeneva, Budapesti, Katari… A po ofron edhe Berlini të organizojë këtë takim?

Wadephul: Jo, nuk mendoj se Berlini ka ambicien për të pritur këto bisedime. Ne po marrim pjesë përmes propozimeve dhe mbështetjes. Jemi gati të flasim me çdo palë. E kemi treguar tashmë këtë dhe do të vazhdojmë ta tregojmë këtë në të ardhmen, por nuk shohim se kontributi ynë më i madh mund të jetë të jemi vendi i këtyre bisedimeve.

Gjëja më e rëndësishme është që ato të zhvillohen. Ka shumë vende të mira në Evropë ku ato mund të zhvillohen. Mendoj se ai vend duhet të jetë sa më neutral të jetë e mundur. Në të kaluarën, Zvicra ka qenë gjithmonë shumë e mirë për gjëra të tilla.

DW: Ky është udhëtimi juaj i parë në Azi dhe njerëzit këtu po ndjekin nga afër përpjekjet për të filluar këto bisedime mbi të ardhmen e Ukrainës. Në varësi të rezultatit, a mund ta inkurajojë kjo Kinën të jetë më konfrontuese këtu në rajon?

Wadephul: Po, ky është një nga mesazhet që mora me vete. Ne e dimë që këto rajone krize janë të lidhura dhe ose do të mbrojmë rendin ndërkombëtar dhe paqen e bazuar në rregulla së bashku, ose do të humbasim këtë betejë. E ne nuk duam ta humbasim.

Këtu në Azi – kam qenë në Japoni dhe tani në Indonezi – njerëzit janë shumë mirënjohës që ekziston një qëndrim shumë i qartë në Evropë dhe në botë ndaj agresionit rus.

Dhe pikërisht për këtë arsye kam thënë këtu se, për shembull, paqja në Ngushticën e Tajvanit është po aq e rëndësishme për stabilitetin rajonal sa edhe për ekonominë globale. Gjithashtu edhe për politikën ekonomike dhe sigurinë në Evropë. Njerëzit këtu e shohin këtë dhe e vlerësojnë që Gjermania i njeh këto probleme.

DW: Por, nëse supozojmë se do të kishte një bllokadë të Ngushticës së Tajvanit, cila do të ishte përgjigja e Berlinit? Si do t’i siguronit dhe mbronit rrugët e transportit detar dhe zinxhirët e furnizimit gjerman?

Wadephul: Për fat të mirë, e shoh këtë si një pyetje hipotetike dhe mund të përsëris vetëm thirrjen për të refuzuar dhunën direkte ose indirekte. Ky është qëndrimi ynë, e ky është edhe qëndrimi i praktikisht të gjitha vendeve fqinje në këtë rajon. Ndryshe, besoj se progresi në lidhje me luftën agresive të Rusisë ka treguar një gjë: shumë vende tani janë të gatshme të punojnë së bashku.

Ne shohim se ekziston një “Koalicion i të Gatshmëve” që mbështet Ukrainën, domethënë 30 vende. Ka edhe vende aziatike, për shembull Japonia, që e mbështesin atë. Pra, ky rajon ka të drejtë të kërkojë solidaritet nga ne për të njëjtën arsye.

Po krijohen partneritete të reja globale, dhe kjo është ajo që dua të arrij këtu për Gjermaninë është që njerëzit të na shohin si të besueshëm. Ne po e tregojmë këtë dhe sigurisht që mund të presim të njëjtën besueshmëri prej tyre. Perspektivat për këtë janë shumë të mira.

DW: A nuk duhet të përfshihet vërtet Kina në bisedimet për të ardhmen e Ukrainës? Putini do të vizitojë Pekinin në fillim të shtatorit…

Wadephul: Kina po përcakton rolin e saj. Kina është një vend i rëndësishëm, një vend i madh që mund të ketë ndikim të madh politik, që ka ndikim të madh ekonomik dhe është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne i kemi bërë thirrje Kinës për një kohë të gjatë që të përdorë këto mundësi dhe të ndihmojë në përfundimin e luftës.

Sepse pothuajse asnjë vend tjetër, asnjë qeveri tjetër, nuk ka një ndikim kaq të fortë në Rusi sa Kina. Fatkeqësisht, Kina nuk i ka përdorur mundësitë e saj deri më tani, por nuk është kurrë vonë.

DW: Pra, po thoni se do ta mirëprisnit këtë?

Wadephul: Po, sigurisht. Ne i kemi bërë disa herë thirrje Kinës.

Dhe gjatë bisedimeve të mia të fundit me ministrin e Jashtëm Wang Yi, i bëra thirrje atij dhe udhëheqjes së shtetit dhe partisë kineze që t’i përdorin këto burime më qartë në marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Do të isha shumë i kënaqur nëse kjo thirrje do të dëgjohej në Pekin.

DW: Por gjatë udhëtimit tuaj ju e kritikuat edhe Kinën. E akuzuat për “sjellje agresive”. Kina reagoi menjëherë ndaj kësaj. Si i shohin aleatët tuaj indonezianë, partnerët tuaj kritikat që keni bërë këtu dhe sot?

Wadephul: Kjo kritikë nuk është e re. Dhe, sigurisht, është thjesht një reagim ndaj sjelljes negative që shohim gjatë gjithë kohës nga pala kineze. Ka pasur disa incidente serioze këtu në det, si dhe shkelje të vendimeve të gjykatave dhe kufijve të të drejtave sovrane.

Dhe unë besoj se na lejohet t’i përgjigjemi kësaj. Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj. Ne të gjithë i nënshtrohemi të njëjtave standarde – në Evropë, Afrikë apo Azi. Përvoja ime në Azi më tregon se qëndrimi i Gjermanisë vlerësohet shumë.

Nuk është një qëndrim anti-Kinë në vetvete, por është një qëndrim që mbron ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare. Dhe është një qëndrim i pavarur.

Gjermania i ofron Kinës në mënyrë të qartë partneritet dhe bashkëpunim, por ne për fat të keq shohim që Kina herë pas here tregon një anë krejtësisht të ndryshme të sjelljes së saj.

Megjithatë, dora jonë mbetet gjithmonë e shtrirë dhe unë do të kërkoj mundësi të reja për të folur përsëri me Kinën./DW

Ura e Milotit, ARRSH hap tender për ndërhyrje emergjente

By: b b
21 August 2025 at 14:35

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit mbi lumin Mat, me një vlerë 107 milionë lekë.

Hapja e procedurës së prokurimit publik vjen pas mbylljes së qarkullimit të automjeteve, për shkak të dëmtimit të saj si pasojë e erozionit.

Sipas raportit teknik të përgatitur në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, pilotat mbajtëse të urës janë ekspozuar dhe gërryer 3 – 5 metra, për shkak të erozionit dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të shtratit të lumit.

Kontrata që synohet të lidhet parashikon betonimin dhe mbrojtjen e pilotave, si dhe nivelimin e zonës përreth themeleve.

Sipas projektit, këto masa do të zgjasin jetëgjatësinë e urës për të paktën 5 deri në 10 vjet, ndërkohë që ndërtimi i kësaj ure është bërë në vitin 1978.

Sipas grafikut të punimeve, parashikohet që ndërhyrja të kërkojë 8 javë.

Ura e Milotit mbi lumin Mat, me një gjatësi prej 788 metrash, u mbyll gjatë muajit të kaluar pasi paraqet rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit.

Bllokimi i urës në pikun e sezonit turistik veror ka sjellë trafik të rënduar, kryesisht në superstradën Lezhë-Milot.

Klan News

Në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane, arrestohet në Durrës 25-vjeçari

By: b b
21 August 2025 at 14:18

Policia Kufitare ka arrestuar me qëllim ekstradimin në Zvicër, një 25-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern, pasi Gjykata e Luzern e ka dënuar me 27 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas në kërkim ndërkombëtar do të udhëtonte drejt Italisë, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij.

Si rezultat, u kap në tentativë për të dalë nga Shqipëria dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, shtetasi M. B., 25 vjeç, banues në Itali.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern, pasi Gjykata e Luzern, Zvicër, me vendimin e datës 08.01.2025, e ka dënuar me 27 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor””, njofton policia.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Zvicër, për ta ekstraduar këtë shtetas.

Zhdukja e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t/Berisha: U rrëmbye dhe u mbajt peng në…

By: b b
21 August 2025 at 14:04

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima është rrëmbyer.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se Shima shpëtoi falë mesazhit që ai i dërgoi partneres, duke i thënë “se po më arrestojnë”.

”Ky person i shkarkuar në mënyrë brutale para një viti nga Mirlinda Karçanaj, i zhdukur nga radarët, i përfolur në kohën e shkarkimit, na shfaqet dje me një SOS. ‘Po më arrestojnë’!

Në ora 1.30 minuta, sipas burimeve shumë të afërta me policinë, Shima i dërgon mesazh bashkëjetueses a partneres së tij: Po më arrestojnë. Natyrisht një mesazh i tillë, që shpreh kërcënimin me një rrezik të madh arrestimi, nënkupton jashtë çdo dyshimi angazhimin direkt të uniformave të shtetit ose të banditëve të shtetit të veshur me uniformë.

Po më arrestojnë. Por nga ora 13:30 që Daniel i dërgoi mesazhin partneres, gjer në orën 5 pasdite, gjithçka u mbulua me kodin e heshtjes, gjersa më në fund nëna e tij denoncoi në polici zhdukjen e djalit dhe mediat u informuan.

Fakti që u mbajt kjo heshtje prej 3 orësh dëshmon se policia, e cila përpiqet të hiqet sikur dinte gjithçka për Danielin, në tërësi ishte jashtë loje, përveç atyre që kishin marrë detyrën ose ta arrestonin, ose bandës së veshur me uniformë që e rrethoi.

Është e vështirë të besosh në komunikatat e policisë, të cilat njëherë thonë se u nis drejt Qytetit Studenti dhe na u zhduk gjurma. Po të gjithë shqiptarët e dinë se mbi Qytetin Studenti është Surreli.

Po vazhdove pak më sipër, del në Surrel. Kjo është e vërteta. Dhe pastaj thonë se e pikasëm kur kaloi tunelin në Elbasan. Pra, përfundoi Shima në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri.

Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij.

Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjindet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan”, shtoi Berisha.

Manja: Kompensohen ish-pronarët! 4.2 mld lekë dhe më shumë se 75 hektarë tokë…

By: b b
21 August 2025 at 13:30

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja njoftoi se gjatë periudhës janar-korrik 2025 janë ekzekutuar 5,846 dosje kompensimi.

Sipas Manjës mësohet se janë shpërndarë 4.2 miliardë lekë dhe 75.65 hektarë tokë.

Përfituesit janë mijëra qytetarë që kanë marrë të drejtat e tyre të pronës.

“5,846 dosje kompensimi janë ekzekutuar gjatë janar–korrik 2025, me 4.2 miliardë lekë dhe 75.65 hektarë tokë të shpërndara, nga të cilat kanë përfituar mijëra qytetarë.

Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të pronarëve dhe forcimin e shtetit të së drejtës!”, njofton Manja.

Vengu: Mbi 500 ushtarakë shqiptarë të angazhuar në misione të NATO-s, BE dhe OKB

By: b b
21 August 2025 at 13:18

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu njofton se mbi 500 ushtarakë shqiptarë janë të angazhuar në misione të NATO-s, BE-së dhe Kombeve të Bashkuara në Europë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Vengu ndau foto nga misioni i  trupave ushtarake shqiptare në Novo Selo, Bullgari.

Ai theksoi se ushtarakët e Batalionit të Parë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, pjesë e Kontingjentit VI, janë sot në vijën e parë të bashkëpunimit me aleatët e NATO-s.

“Mirëmëngjes me trupat tanë në Novo Selo, Bullgari!

Ushtarakët e Batalionit të Parë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, pjesë e Kontigjentit të VI, janë sot në vijën e parë të bashkëpunimit me aleatët e NATO-s.

Mbi 500 ushtarakë shqiptarë janë të angazhuar në misione të NATO-s, BE-së dhe Kombeve të Bashkuara në Europë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme”, njofton Vengu.

Protestë në Hagë pro Hashim Thaçit më 14 shtator

By: b b
21 August 2025 at 13:01

Protesta në të cilën u kërkua lirimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të zhvendoset në Hagë më 14 shtator.

Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, përmes një postimi në rrjete sociale.

Në këtë njoftim thuhet se protesta do të organizohet nga mërgata shqiptare, ndërsa mbështetet edhe nga veteranët e dalë nga lufta e UÇK-së.

“Në mbështetje të plotë të protestës së mërgatës shqiptare në Hagë.

Më 14 shtator, në orën 14:00, të gjithë së bashku para Gjykatës Speciale.

Kosova s’ka heronj për të sakrifikuar!”, thuhet në postimin e UÇK në rrjete sociale.

Izraeli sulmon Qytetin e Gazës pas miratimit të planit për zgjerimin e ofensivës

By: b b
21 August 2025 at 12:46

Izraeli ka kryer sulme ajrore gjatë natës në Qytetin e Gazës, thanë banorët më 21 gusht, pasi Ministria e Mbrojtjes miratoi planin për zgjerimin e ofensivës.

Zgjerimi i ofensivës synon që të shënjestrohen bastionet e mbetura të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës, sipas Izraelit.

Në bazë të planit të ri, autoritetet kanë thirrur afër 60.000 rezervistë, duke rritur frikën për përkeqësimin e situatës katastrofike humanitare në territorin palestinez.

“Nuk do të presim. Kemi nisur aksionet fillestare dhe veçse trupat kanë marrë nën kontroll pjesët në periferi të Qytetit të Gazës”, tha ushtria izraelite përmes një njoftimi.

Planet e Izraelit për të zgjeruar ofensivën dhe për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës kanë nxitur dënime ndërkombëtare, por edhe kundërshtime brenda Izraelit.

Para nisjes së ofensivës, ushtria izraelite tha se thirrja e rezervistëve do të nisë në fillim të shtatorit.

Ndërkaq, banorët e Qytetit të Gazës kanë thënë se gjatë natës Izraeli ka kryer bombardime pa pushim.

“Shtëpia u lëkund gjatë gjithë natës – zhurmat e shpërthimeve, artilerisë, avionëve dhe autoambulancave dhe thirrjet për ndihmë po na vrasin”, tha banori i Gazës, Ahmad al-Shanti për AFP-në.

“Zhurmat po afrohen, po ku të shkojmë ne?”, shtoi ai.

Një tjetër banore, Amal Abdel-Aal, tha se ka parë sulme të ashpra në zonën ku vetëm një javë më parë u zhvendos nga shtëpia e saj në lagjen Al-Sabra të Qytetit të Gazës.

“Askush në Gazë nuk ka fjetur, jo vetëm mbrëmë, jo vetëm gjatë kësaj jave. Sulmet ajrore dhe të artilerisë nuk ndalen kurrë”, tha ajo.

Zëdhënësi i agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, Mahmud Bassal, tha se sulmet ajrore dhe sulmet e artilerisë gjatë natës goditën zona në veriperëndim dhe juglindje të Qytetit të Gazës.

Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar lidhur me ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 62.000 palestinezë dhe banorët po përballen me krizë të thellë humanitare.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë./REL

Rritet interesi për shkollat profesionale

By: b b
21 August 2025 at 12:32

Arsimi profesional po fiton gjithnjë e më shumë terren në Durrës.

Shkolla shtetërore “Beqir Çela” ka regjistruar më shumë nxënës krahasuar me një vit më parë.

Ky trend tregon se të rinjtë, por edhe institucionet, po i japin përparësi profesioneve konkrete që kërkohen në treg.

“Regjistrimet janë në një nivel më të lartë se sa viti i kaluar. Janë rreth 40 nxënës më shumë se një vit më herët.

Kjo tregon për një interes të shtuar sa i përket arsimit profesional dhe një vëmendje e shtuar tashmë nga instancat, nga qeveria dhe nga gjithë organizmat e tjerë që orientojnë drejt arsimit profesional”, tha Fatmir Mërkuri, drejtori i shkollës profesioanel “Beqir Çela”.

Por kush e mban peshën më të madhe të regjistrimeve?

“Peshën më të madhe e mban më shumë “Shërbime mjetesh transporti” e cila përfshin rreth 40% të kapacitetit të saj. Më pas vjen Elektroteknika, Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit, Termohidraulika dhe Mekanika”, sqaron Mërkuri.

Me përfundimin e shkollës, statistikat tregojnë mbi 87 përqind të nxënësve të punësuar.

“Shkon në 87% të punësuar në profilet e veta. Kjo është një tregues shumë i mirë për sa i përket zhvillimit profesional dhe përmbushjes të tregut të punës me specialistë”, tha ai.

Në vitin arsimor që sapo u mbyll, këtë shkollë e ndoqën mbi 1,200 nxënës./Klan News

Rama: Drejt përfundimit Spitali i ri i Kirurgjisë Kardiovaskulare

By: b b
21 August 2025 at 12:16

Kryeministri Edi Rama ka ndarë ditën e sotme pamje nga Qendra Spitalore Nënë Tereza.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama thekson se po punohet për detajet e fundit të Spitalit të ri të Kirurgjisë Kardiovaskulare.

Ai e cilëson këtë spital si një nga investimet më të rëndësishme të sistemit tonë shëndetësor.

“QSUT – ku po punohet për detajet e fundit të Spitalit të ri të Kirurgjisë Kardiovaskulare, një nga investimet më të rëndësishme në sistemin tonë shëndetësor”, shkruan Rama në Facebook.

I vodhi një shtetasi automjetin e marrë me qera, arrestohet 49-vjeçari në Belsh

By: b b
21 August 2025 at 11:50

Policia e Cërrikut ka vënë në pranga një 49-vjeçar, pasi i vodhi një shtetasi një makinë të marrë me qera.

Arrestimi i tij erdhi pas kallëzimit të një shtetasi në Belsh, se i kishin vjedhur automjetin që ai e kishte marrë me qira.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se në Belsh, i kishin vjedhur automjetin që ai e kishte marrë me qira, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes së automjetit, shtetasit L. D., 49 vjeç, banues në Belsh”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprën penale “Vjedhja”./Opinion.al

❌
❌