Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Dodik sfidon vendimin e gjykatës: Nuk ka zgjedhje, mbetem president

By: el da
4 August 2025 at 22:53

Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Shtetërore e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila e dënoi me një vit burg për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka reaguar me sfidë ndaj drejtësisë.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Banja Lluka, Dodik deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga posti dhe se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Unë do të vazhdoj të jem president i Republikës Serbe. Ky është vullneti i popullit dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë me vendime të orkestruara politikisht”, u shpreh Dodik, duke e quajtur procesin gjyqësor kundër tij të motivuar politikisht.

Ai theksoi se vendimi nuk është ende përfundimtar dhe se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për ta apeluar.

“Asnjë vendim nuk ka fuqi ligjore derisa të bëhet i formës së prerë”, shtoi ai.

Sipas aktgjykimit, nëse dënimi konfirmohet nga gjykata e apelit, Dodik do të ndalohet të mbajë funksione publike për gjashtë vjet, përfshirë edhe detyrën aktuale si president i Republikës Serbe. Kjo parashikohet në nenin 203a, paragrafi 5 i Kodit Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Reagimet nga opozita dhe analistët politikë janë të ndara: disa e shohin deklaratën e Dodikut si një sfidë të hapur ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa të tjerë e interpretojnë si përpjekje për të forcuar mbështetjen politike në një moment të vështirë.

Nëse vendimi i apelit mbetet në fuqi, vendi mund të përballet me një krizë të re institucionale, me pasoja të mundshme për stabilitetin politik të Bosnjë dhe Hercegovinës. m.p.

U gjet i vrarë në rrugë, ish-efektivi i policisë 20 vite më parë ekzekutoi kushëririn

By: el da
4 August 2025 at 22:44

Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e sotme në Vaun e Dejës ku 65-vjeçari Frrok Lleshaj është gjetur i vrarë me armë zjarri.

Lleshaj, ish efektiv i policisë së shteti u gjet i vrarë në rrugë në fshatin Paçram të Shkodrës. Mësohet se 65-vjeçari ka qenë i dënuar më parë më 25 vite burg pasi para 20 vitesh ka ekzekutuar me armë zjarri kushëririn e tij Dode Lleshaj.

Pasi ka vuajtur dënimin me 18 vite burgi, Frrok Lleshaj para dy vitesh, më 16 mars 2023 ishte liruar nga burgu.

“Me vendim nr.37, date 17.03.2006 Gjykatës Shkodër dënuar 25 vite burgim për Vrasje me dashje dhe është liruar më datën 16.03.2023 nga IEVP Shkodër.”

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku po punon për zbardhjen e vrasjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Pista kryesore e hetimit është gjakmarrja. m.p.

Ledri dhe Xhensila, të pandarë! Kapen në momente intime

By: el da
4 August 2025 at 22:28

Tashmë ndjekësit janë të bindur se Xhensila dhe Ledri janë çifti më i ri i showbizz-it shqiptar.

Prej disa muajsh u përfol se ishin në një lidhje intime si dhe shpesh ‘’u kapën’’ nën shoqërinë e njëri-tjetrit brenda Shqipërisë si dhe në pushime jashtë vendit.

Pasi ngritën dyshime për marrëdhënien e tyre, teksa performuan së bashku në “Sunny Hill Festival”, Xhensila dhe Ledri kanë janë kapur duke kërcyer dhe festuar në një party.

Të dy shihen shumë pranë njëri-tjetrit duke shkëmbyer biseda dhe shikime. Duket se çifti tashmë janë të pandarë edhe jashtë skenës. m.p.

Joan Laporta befason me premtimin e tij për tifozët e Barcelonës

By: el da
4 August 2025 at 22:17

Vitin e ardhshëm do ketë zgjedhje presidenciale te Barcelona. Joan Laporta do rikandidojë dhe deri tani konsiderohet si fituesi i sigurt. Presidenti aktual i Barcelonës ka filluar që tani fushatën zgjedhore dhe premtimi më i bujshëm është që vitin e ardhshëm klubi katalanas do transferojë të paktën një yll botëror që kushton mbi 100 milionë euro.

Në krye të listës së tij të prioriteteve është Erling Haaland, një dëshirë e vjetër e Laportës. Edhe pse më shumë duket një premtim bosh, duke ditur që Manchester City do të kërkonte të paktën 200 milionë euro për ta lënë të lirë norvegjezin, shifër shumë e vështirë për t’u përballuar nga Barcelona.

Megjithatë, Haaland nuk është opsioni i vetëm që Laporta po shqyrton. Pista B është Julian Alvarez, për të cilin është përfolur edhe gjatë kësaj vere për interesimin e Barcelonës. Laporta premton se është i gatshëm të paguajë 100 milionë euro për të sjellë në “Camp Nou” sulmuesin argjentinas. Por, sërish duket një transferim shumë i vështirë, pasi Alvarez është pikë kyçe e projektit të Diego Simeone-s dhe vështirë se Atletico Madrid do heq dorë prej tij.

Opsioni i tretë, që është më i mundshëm se dy të parët, është Bradley Barcola. Edhe pse klubi parizien po punon për të zgjatur kontratën e tij, interesi i Barçës mund ta ndryshojë situatën. Tarifa e transferimit vlerësohet të jetë rreth 80 deri në 100 milionë euro. m.p.

“Burri që mori miliona jetë”, vajza sekrete e Putinit e kritikon

By: el da
4 August 2025 at 22:09

Një seri mesazhesh të fshehta në Telegram e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes Louisa Rozova-n, 22-vjeçaren që përflitet të jetë vajza sekrete e Vladimir Putinit.

Ajo është shfaqur për herë të parë në publik duke kritikuar në mënyrë indirekte presidentin rus dhe duke dënuar hapur luftën në Ukrainë.

“Burri që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen.” Edhe pse nuk e përmend drejtpërdrejt Putinin, mesazhi i saj është interpretuar gjerësisht si një akuzë personale ndaj tij, për shkak të indikacioneve të shumta ndër vite që e lidhin me presidentin rus. Sipas raportimeve, ajo është fryt i marrëdhënies së Putinit me ish-muzikanten Svetlana Krivonogik.

“Është çliruese të mund t’ia tregoj fytyrën botës”

Në një tjetër postim, e reja që jeton në Paris dhe punon në fushën e artit, ndau një selfie me mbishkrimin: “Është çliruese të jem në gjendje t’ia tregoj përsëri fytyrën time botës. Më kujton kush jam dhe kush ma shkatërroi jetën.”

Këto deklarata janë raportuar nga gazeta gjermane Bild, e cila ka qasje në kanalin e saj të Telegram-it me emrin “Arti i Luizës.”

Yesterday — 4 August 2025Main stream

U shpall i zhdukur nga familja, gjendet i groposur

By: el da
4 August 2025 at 21:58

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit në Kosovë. Një person i cili ishte raportuar më herët si i zhdukur nga familjarët, është gjetur i groposur nga ata.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se rasti po trajtohet si “vrasje e rëndë”.

“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim”, ka thënë Ahmeti.

Sipas informacioneve të para, trupi i pajetë është gjetur nga familjarët e viktimës, i cili ishte raportuar i zhdukur. Dyshohet se i groposur është gjetur E.B, zhdukjen e të cilit e bëri të ditur familja e tij, e cila kërkoi edhe ndihmë për ta gjetur.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivet apo të dyshuarit e mundshëm. Policia dhe prokuroria kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. m.p.

Vrasje me armë zjarri në Vaun e Dejës!

By: el da
4 August 2025 at 21:45

Një 65-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së hënës, në Vaun e Dejës.

“Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, në Vau e Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri”, lexohet në njoftimin e policisë, shkruan A2.

Sipas bluve, “është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”. m.p.

Zhvillimi i temës së diversitetit kulturor në marrëdhëniet ndërkombëtare

By: el da
4 August 2025 at 21:39

ARBEN JAUPAJ – Zhvillimi i temës së diversitetit kulturor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Diversiteti kulturor është një nga temat më të debatuara të shoqërisë në mijëvjecarin e ri. Mijëvjecari i ri bashkë me ritmet e larta globalizuese solli në diskutimet e elitave edhe cështjen e diversitetit kulturor si dimension shumë i rëndësishëm i integrimit në shoqërinë e re globale që duhej pasqyruar në konvëntat ndërkombëtare. Një nga shtysat e kësaj vëmëndjeje ishte praktika e rregullimeve ligjore ndërkombëtare që fokusohej kryesisht tek shkëmbimet ekonomike.

Një grup studjuesish, kryesisht franko-kanadezë, u morën gjatë me perspektivat, të ardhmen e diversitetit dhe u përpoqën të influenconin me kërkesat e tyre, sanksionimin e ekzistencës dhe zhvillimit të tij në konventat ndërkombëtare (UNESCO), duke ia bashkangjitur me shkathtësi cështjen e diversitetit, temave juridike mbi marrëveshjet për shkëmbimet tregtare, rregullimet e tregjeve etj.
Një grup i dytë (nga të cilët më i spikaturi ishte Hofstede) e orientoi vëmëndjen në integrimin e grupeve të ndryshme kulturore në procesin e prodhimit dhe menaxhimit në skemat e reja globale, duke studjuar dhe prezantuar përfundime me interes të cështjes multikulturore.

Në fund të Luftës së Ftohtë, politologu i famshëm amerikan Samuel P. Huntington, në një artikull të titulluar “Përplasja e qytetërimeve”, sugjeroi se konfliktet e së ardhmes do të lidhen gjithnjë e më shumë me çështjet kulturore ose identitare. Paradoksalisht, sa më shumë që globalizimi zhvillohet në kuptimin e një homogjenizimi të kulturës dhe të imponimit të disa modeleve kulturore, kryesisht që vijnë nga kultura perëndimore dhe anglo-saksone, aq më shumë bota moderne përballet me konflikte të reja.

Ligjërimi për rëndësinë e diversitetit kulturor në periudhën e re të globalizimit, të përcaktuar si “fundi i historisë” nga Fukyuama dhe “përplasje civilizimesh” nga Huntington, u zhvillua në ambjentet e institucioneve ndërkombëtare krahas me ligjërimin për ruajtjen e biodiversitetit. Edhe për diversitetin kulturor argumentet u ndërtuan me temë dhe leksik të orientuar drejt rëndësisë së ruajtjes së ekosistemeve kulturore (zhvillimeve kulturore brënda një habitati të caktuar gjeografik).

Tema e diversitetit kulturor u zhvillua në këtë mënyrë si një objektiv global për tu arritur dhe që gjeneron interes, pjesëmarrje, fushata, lobime nga intelektualë të fushave të ndryshme etj. Periudha pas Luftës së Dytë Botërore, zhvillimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ndërtimi i vazhdueshëm i arkitekturës së sigurisë, përpjekjet për ruajtjen e paqes pas tmerreve të luftës, ndihmoi në zhvillimin e temës së diversitetit.

Hofstede, një antropolog hollandez në fund të viteve ’60-të, filloi studimin e proceseve ndërkulturore në procesin e prodhimit duke patur në fokus korporatat shumëkombëshe. Puna e tij do të reflektonte dhe ndikonte në zhvillimin e temës së diversitetit kulturor në marrëdhëniet ndërkombëtare
Teoria e dimensioneve kulturore të Geert Hofstedes ofron edhe sot një kuadër të rëndësishëm për të kuptuar ndikimin e kulturës në mjediset organizative dhe marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Dimensionet Kulturore të formuluara prej tij – distanca hierarkike, individualizmi vs kolektivizmit, feminiteti vs maskulinitetit, kontrolli i pasigurisë, orientimi afatgjatë kohor, falja vs vetëpërmbajtjes – shpjegojnë sesi kulturat e ndryshme qasen ndaj autoritetit, bashkëpunimit, vendimmarrjes, riskut, strategjisë afatgjatë dhe komunkimit ndërkulturor. Këto dallime kulturore nuk janë vetëm çështje të brendshme të menaxhimit, por ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ndërmarrjet lidhen me partnerë ndërkombëtarë, përshtaten me rregullat e tregjeve të huaja dhe ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme tregtare.

Në kontekstin e tregtisë ndërkombëtare, ku bashkëpunojnë aktorë me profile kulturore të ndryshme, kuptimi i këtyre dimensioneve është thelbësor për të shmangur keqkuptime, për të lehtësuar negociatat dhe për të krijuar partneritete afatgjata. Për shembull, një kulturë me distancë të lartë hierarkike mund të interpretojë ndryshe procesin e vendimmarrjes nga një kulturë më horizontale, çka ndikon në ritmin dhe stilin e bashkëpunimit ekonomik.

Për më tepër, pranimi dhe menaxhimi i diversitetit kulturor në mjediset shumëkombëshe sjell përfitime konkrete në treg: rritje të kreativitetit, shmangie të mendësisë së njëtrajtshme (groupthink), si dhe përmirësim të reputacionit të kompanisë. Ndërmarrjet që promovojnë përfshirjen e kulturave të ndryshme janë më tërheqëse në ditët e sotme për brezat e rinj të cilët e shohin larmishmërinë si vlerë themelore. Në këtë mënyrë, diversiteti kulturor kthehet në një avantazh konkurrues, duke ndikuar pozitivisht në performancën tregtare dhe në etikën e brendshme të kompanive.

Kontributi i Hofstedes qëndron në faktin se ai e lidhi çështjen e diversitetit kulturor me një fushë praktike dhe me ndikim si biznesi, duke i dhënë legjitimitet kulturës si faktor i rëndësishëm në globalizimin ekonomik. Përmes kësaj teorie, menaxherët dhe sipërmarrësit ndërkombëtarë mund të bëhen jo vetëm aktorë më të suksesshëm ekonomikisht, por edhe promotorë të vlerave ndërkulturore në tregtinë globale.

Por “betejat” kryesore të diversitetit kulturor dhe zhvillimit të temës së tij në marrëdhëniet ndërkombëtare u bënë në gjirin e UNESCO-s. E krijuar në vitin 1945, si pjesë e OKB-së, u bë hapësira kryesore për të promovuar diversitetin si përpjekje e vazhdueshme për një paqe të qëndrueshme në botë nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës dhe edukimit.

Një nga meritat e para të drejtuesve të UNESCO-s dhe ekipeve të saj ishte pasurimi me termin “kulturë” i shprehjeve tekstuale të traditës “bashkëpunim intelektual”. Në këtë mënyrë, termi kulturë dhe më vonë diversitet kulturor do të bëheshin pjesë e fjalorit të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjërimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëkohore.

Në këtë këndvështrim, bashkëpunimi kulturor ndërkombëtar prezantohet edhe sot, i pazëvëndësueshëm për objektivin e garantimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në botë. Ky proces mund të ekzistojë duke u kujdesur jo vetëm për respektimin e pavarësisë dhe integritetit të shteteve anëtare, por edhe për sigurimin e “diversitetit të frytshëm të kulturave të tyre”.

Kjo është filozofia mbi të cilën vazhdon të bazohet i gjithë sistemi dhe përfaqëson atë “fil rouge” që bashkon dhe karakterizon veprimin normativ të UNESCO-s në sektorin kulturor, duke i dhënë asaj koherencë logjike dhe sistematike. Pikërisht për këtë, diversiteti kulturor figuron në opinionin publik, ndër parimet themelore juridike të së drejtës kulturore ndërkombëtare.

Gjatë gjithë proceseve të studimit, konvergimit të qëndrimeve, hartimit të teksteve ligjore, negocimit me delegacionet e shteteve për ratifikimet etj., trajtimi i temës së diversitetit kulturor nuk u shkëput asnjëherë nga tema e tregtisë ndërkombëtare dhe kjo solli jo pak probleme për studjuesit dhe ekspertët që u angazhuan.

Gjatë negociatave, disa shtete, e konsideruan tekstin e konventës një instrument të proteksionizmit të maskuar në fushë e tregtisë dhe shkëmbimeve ndërkombëtare dhe si të tillë jo të frytshëm për qarkullimin e lirë të ideve. Ky kundërshtim prodhoi disa kritika ndaj aktivitetit të UNESCO-s, por që gjithsesi nuk e zbehu punën e saj për promovimin dhe kontrollin e zbatimit të dispozitave të konventës.
Kultura, dhe në veçanti politikat kulturore, shkaktuan në periudhën pas Luftës së Dytë, një debat ndërkombëtar që vazhdon edhe sot dhe ka të bëjë me trajtimin e të mirave dhe shërbimeve kulturore në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Dy ishin perspektivat në dukje të papajtueshme në qendër të tij, qëndrimi se nëse mallrat dhe shërbimet kulturore kanë një vlerë tregu dhe janë pjesë e qarqeve tregtare, ato nuk mund të krahasohen me mallra të thjeshta, sepse ato janë bartëse vlerash dhe simbolesh dhe prej andej ndikojnë në identitetin kulturor të një kombi. Rrjedhimisht kultura duhet t’i nënshtrohet një përjashtimi nga normat dhe rregullat e liberalizimit të tregtisë. Ky është parimi i përjashtimit kulturor, i mbrojtur në radhë të parë nga qeveritë e Francës dhe Kanadasë (Quebec-ut).
Qëndrimi tjetër konsideronte kulturën një sektor ekonomik si çdo tjetër, dhe masat publike për promovimin dhe mbrojtjen e industrive kulturore janë vetëm një formë tjetër e papranueshme e proteksionizmit. Shtetet e Bashkuara e kanë mbrojtur këtë qasje, që mallrat dhe shërbimet kulturore nuk mund të jenë objekt i dispozitave specifike në marrëveshjet ndërkombëtare tregtare. Ndryshe nga konteksti frankofon, referenca amerikane për diversitetin kulturor është e lidhur me lirinë e zgjedhjes së individit për të konsumuar një shumëllojshmëri të madhe të produkteve kulturore. Diversiteti i produkteve kulturore të ofruara duhej të përputhej me diversitetin gjithmonë në rritje të tregut global. Në këtë mënyrë koncepti aplikohet si produkti efektiv i tregut dhe jo si produkti i politikave aktive nga ana e qeverisë.

Specialistë të ndryshëm, lobuan që kultura dhe diversiteti kulturor, të gjenin përdorimin e duhur në marrëveshjet ndërkombëtare. Fillimisht politika zyrtare të shteteve të ndryshme treguan interes të bashkonin temën e diversitetit kulturor, (ruajtjen, mbrojtjen, promovimin), futjen dhe pasqyrimin e saj në legjislacionin ndërkombëtar- me interesat e tyre në fushën e tregtisë ndërkombëtare. Këto qëndrime sollën që studjues dhe lobues si Dorval Brunelle apo Louise Beaudoin të fillojnë ti konsiderojnë marrëveshjet tregtare jo thjesht nga këndvështrimi i impaktit në kulturë por si praktika të mirëfillta kulturore.

Në fund të viteve ‘90-të, u rrit trysnia në media dhe organizmat ndërkombëtare, për cilësimin e diversitetit kulturor si temë jo dytësore, por të barabartë me temat e tjera, edhe atë ekonomike. Kundërshtarët e saj do të jenë sipas Beaudoin -it, “mumifikimi i kulturës”, nacionalizmi etnik dhe proteksionizmi.

Grupi franko -kanadez theksoi tezën se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të synojnë njohjen e rolit thelbësor të diversitetit kulturor në zhvillimin ekonomik dhe social në shoqëri. Ato theksuan, ndër të tjera, natyrën e dyfishtë kulturore dhe ekonomike të mallrave dhe shërbimeve kulturore, si dhe të drejtën themelore të çdo individi dhe shoqërie për të qenë në gjendje të marrë pjesë dhe të përfitojë nga jeta kulturore.

Objekti i marrëveshjeve duhet të arrijë, sipas tyre, në një perspektivë kulturore të artikuluar mbi raportin kulturës-tregti, duke specifikuar të drejtat dhe detyrimet e shteteve pale, duke iu përgjigjur nevojave të vendeve në zhvillim për çështjet e diversitetit kulturor, duke i rregulluar por pa iu shmangur rregullave të tregut. (Edhe taksa e një bilete kinemaje për të ndjekur një film perëndimor në një vend në zhvillim, duhet të gjejë referime juridike).

Formimi kulturor i këtij grupimi i dedikohej “shkollës” franceze dhe u reflektua në debatet dhe polemikat e zhvilluara në gjirin e organizatave ndërkombëtare, vecanërisht brenda UNESCO-s. Në Francë diversiteti kulturor është i lidhur me politikat kulturore të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e kulturës nga “dora e padukshme” e tregut. “Kultura” këtu korrespondon me kulturën vendase, ndërsa “tregu” korrespondon me kulturën globale dominante, ose, në fjale të tjera, kulturën amerikane. Prandaj, fraza e vogël që simbolizonte fushatën franceze për diversitetin kulturor në UNESCO, “kultura nuk është një mall si të tjerat”, thekson këtë ndarje midis kulturës dhe tregut. Ajo sugjeron se kultura është esencialisht koncept më i lartë se tregu, për këtë arsye meritonte trajtim “të veçantë” duke e larguar nga mekanizmat automatikë të tregut.

Konventa e vitit 2005, e UNESCO-s “Mbi mbrojtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor” ishte një arritje e rëndësishme në këtë fushë. Ajo erdhi mbas miratimit po nga UNESCO të “Deklaratës universale mbi diversitetin kulturor” të vitit 2001.

Këto dokumente -pjesë e legjislacionit ndërkombëtar dhe funksionale nëpërmjet sistemit të marrëveshjeve ndërkombëtare, janë fryt edhe i punës studimore të studjuesve dhe aktivistëve shoqërorë si Francois de Bernard, George Azzaria, Raphael Canet, Geert Hofstede, Nancy Adler, Renald Goulet etj. Dy nga studjuesit dhe intelektualët që dhanë dhe vazhdojnë të japin kontribut në zhvillimin e kësaj teme janë Francois de Bernard dhe Raphael Canet.

I pari vuri në dukje rrezikun e reduktimit në një slogan të diversitetit kulturor dhe e konsideroi thelbësore të riformulohej konceptualisht ideja e diversitetit kulturor. Diversiteti kulturor sipas tij është: I larmishëm, jo në kuptimin e një vëzhgimi, por të një lëvizjeje dinamike të pandërprerë; Kulturor, duke insistuar në specifikën e kulturës, ndër të tjera në lidhje me natyrën dhe biodiversitetin; Dinamik, jo statik; Edhe përgjigje edhe pyetje; Një projekt, në kuptimin e një grupi koherent idesh, përpjekjesh dhe objektivash. Po sipas de Bernard-it, diversiteti kulturor përfaqëson një projekt që është njëkohësisht teorik, juridik dhe politik, i cili duhet të jetë pjesë e takimit të filozofisë, shkencave njerëzore dhe shoqërore me ligjin, në mënyrë që të vazhdoje qëndrueshmëria e domenit kulturor ndaj atij tregtar.

I dyti e përshkroi epokën e globalizimit dhe të Shoqërisë së Informacionit si sfidë për të ruajtur diversitetin kulturor, sidomos përballë forcave të tregtisë ndërkombëtare. Raphaël Canet theksoi në tezat e tij asimetrinë e thellë në qarkullimin global të informacionit mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, duke ngritur pikëpyetje rreth mbrojtjes së identiteteve kulturore. Ai identifikoi katër qasje kryesore në këtë drejtim: rregullimin e flukseve të informacionit (qasje konfrontuese e viteve 1970 e zhvilluar në UNESCO); tregun e lirë (i përfaqësuar nga OBT-ja, që mohon natyrën e veçantë të produkteve kulturore); konceptin e singularitetit kulturor (qasje aktuale në UNESCO që kërkon mbrojtje të veçantë për produktet kulturore nga rregullat e tregut); si dhe ruajtjen e diversitetit brenda Shoqërisë së Informacionit (një qasje më e vonshme dhe më neutrale, që i lë shtetet të vetme në këtë detyrë). Tensioni midis vlerave kulturore dhe logjikës së tregut vazhdon të mbetet një sfidë e hapur sipas Canet-it për politikat ndërkombëtare, ruajtja e diversitetit nuk mund të mbështetet vetëm në mekanizmat e tregut, por kërkon vazhdimisht ndërhyrje të qëndrueshme dhe të qëllimshme politike.
Diversiteti kulturor është shndërruar në kohën e sotme në një element të qënësishëm të rendit ndërkombëtar. Në ndërthurjen mes tregtisë dhe kulturës, marrëveshjet ndërkombëtare mbeten dëshmi e përpjekjes për ta mbrojtur identitetin përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Aty ku takohen interesat ekonomike dhe pasuritë shpirtërore, lind mundësia për një botë më të drejtë dhe më të pasur në nuanca njerëzore.

Bibliografi e konsultuar:
1. “La diversite culturelle: entre historie et geopolitique”. Mattelart, Armand. (Universite de Paris VIII). Bogues. Montreal, avril 2002 (Conf.)
2. Hofstede, Geert,“Vivre dans un monde multiculturel”, Les Éditions de l’Organisation, 1994.
3. “La Diversite Culturelle: Vers une Convention International Effective?”. Gagne, Gilbert. GRIC. (Groupe de recherche sur l’intégration continentale de l’Université du Québec). Montréal, mars 2004 (Conf.)
4. “Les concepts de ‘diversite culturelle’ et de ‘capital social’ comme facteurs explicatifs de la capacite d’innovation des organizations et des territories”. Fabrice Periac (Universite Jean Monnet -Saint Etienne), HAL -archives ouvertes, 2014
5. “Il problema del melting pot”. De La Torre, Miguel A. EthicsDaily.com, 2009.
6. “Going Off the Reservation: A Memoir”. Hauptman, Laurence M. University of California Press. (Academia.edu)
7. “Lo svantaggio della diversità”. Jonas, Michael. The Boston Globe, agosto 2007.
8. “Diversita culturale e cooperazione culturale internazionale alla luce dell’azione normativa dell’UNESCO”. Vittorio Mainetti (Università di Ginevra). Giuseppe Cataldi e Valentina Grado (a cura di), Diritto internazionale e pluralità delle culture. XVIII Convegno Napoli, 13-14 giugno 2013, Editoriale scientifica, Napoli, 2014. (Academia.edu)
9. “Il turismo: benedizione o maledizione?”. Gino Satta, (Università di Modena e Reggio Emilia (https://turismoepsicologia.padovauniversitypress.it/system/files/papers/2007)
10. “Come instagram influenza il processo decisionale di acquisto dei Millenial nel setttore del turismo”. Nicola Pocellini. (Universita Luis Guido Carli). Roma, 2018

Shënim -Shkrimi është fragment leksioni i përshtatur, mbajtur në Universitetin “Marin Barleti”, si lector i jashtëm në programin e guidave turistike, Tetor 2021- Janar 2022. m.p.

Marrë nga rev. Monitor, dt 11 Korrik 2025

Befasi në Korçë! Zbulohet një specie unike, një protestues!

By: el da
4 August 2025 at 21:29

LUFTI DERVISHI – Në Korçë është zbuluar një qenie e rrallë: një protestues. Jo me pankarta. Jo me peticione. Por me një… gur në dorë. I vetëm. Pa shoqëri. Pa sponsor. Pa hashtag. Pa kamera. Natën. Goditi një xham të godinës së bashkisë.

Ky burrë, në moshë madhore, nuk është pjesë e ndonjë grupi rebel, nuk ka bërë thirrje për revolucion, as ka kërcënuar askënd. Thjesht nuk duroi më.

Mediat kombëtare e morën videon e publikuar, nga vetë protestuesi në TikTok, dhe ia përcollën menjëherë per analizë të detajuar institucioneve kompetente.

Zyrtarisht thuhet se protestuesi është ndaluar nga policia, por burime shumë familjare me ngjarjen, thonë se ai është dërguar për ekzaminim mjeksor jashtë vendit.

Ekspertët kanë vënë re sjellje devijante, pasi kanë konstatuar se i riu nuk kishte as selfie, nuk punonte si influencer, nuk ishte paguar dhe më e çuditshmja, nuk ishte anëtar partie.

Shkencëtarët thonë se do të analizojnë trurin e tij për të kuptuar se çfarë e shtyn një njeri normal të reagojë, në vend që të shkruajë një koment anonim në Facebook apo në Instagram?

Analistët e shpjegojnë aktin e të riut si pasojë e temperaturave të larta të ditëve të fundit. Megjithatë zyrtarisht autoritetet nuk kanë sqaruar se çfarë do të bëjnë me këtë protestues, një specie e mbijetuar nga koha kur njerëzit mendonin me mendjen e tyre

Sjellja e protestuesit nuk përcaktohet ende në Kodin e ri Penal, por po shqyrtohet futja e një neni të posaçëm:

Neni 1099/1 – Reagimi pa miratim paraprak.

Dënimi: nga 30 ditë heshtje publike dhe 6 muaj bërje like dhe komente pozitive (Bravo, ju lumtë,) në postimet e ministrave dhe kryeministrit.

Në të njëjtën kohë UNESCO po shqyrtohen mundësine që veprimi i tij të futet në listën e trashëgimisë së rrezikuar shpirtërore! m.p.

Netanjahu: Do e pushtojmë plotësisht Gazën

By: el da
4 August 2025 at 21:16

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi të hënën se është marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet ushtarake në zonat ku besohet se mbahen pengje.

“Ne po angazhohemi për të çliruar Gazën nga tirania e këtyre terroristëve”, tha Netanyahu në një video-adresim të postuar në X.

“Shumë banorë të Gazës vijnë tek ne dhe thonë ‘Na ndihmoni të çlirohemi. Na ndihmoni të çlirohemi nga Hamasi’ dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë”.

Zyra e Kryeministrit tha gjithashtu në një mesazh drejtuar Shefit të Shtabit, Gjenerallejtënant Eyal Zamir: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen”. m.p.

“Berisha jo pensionist politik”, kompania lobuese e PD ndryshon tekstin

By: el da
4 August 2025 at 21:04

Kompania lobuese e pajtuar nga Partia Demokratike në SHBA, Continental Strategy, ka përcjellë një amendament të dokumentit të fundit duke korrigjuar frazën referuar Sali Berishës, “nuk është një politikan aktiv” në “nuk mban asnjë post qeveritar”.

Ky amendament erdhi pasi në kërkesën e parë, përcjellë Marco Rubios, ku u kërkua heqja e “non gratës”, ishte dhënë si argument se “Berisha nuk është më një politikan aktiv” dhe, ndaj, dizenjimi duhej hequr.

Por, kjo frazë binte në kontradiktë me aktivitetin e përditshëm të Berishës, duke detyruar kompaninë lobuese që të përcjellë kërkesën për të hequr “non gratën” nga e para, me amendamentin përkatës. m.p.

Nxehtësi ekstreme në Emiratet e Bashkuara, temperatura deri 51.8 gradë

By: el da
4 August 2025 at 20:51

Emiratet e Bashkuara Arabe po përballen me një rritje të ndjeshme të temperaturave këtë verë, pas pranverës më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, me temperatura që arrijnë nivele rekord në fillim të gushtit, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Meteorologjike (NCM).

Temperatura në qytetin e Sweihan arriti në 51.8 gradë celsius më 1 gusht, që është vetëm pak më e ulët se temperatura më e lartë e të gjitha kohërave në Emiratet e Bashkuara Arabe prej 52.1 gradë Celsius, e cila u mat në korrik 2002, gjithashtu në Sweihan, raporton Reuters.

Edhe pse NCM i paralajmëroi banorët të kufizojnë ekspozimin në diell dhe të shmangin qëndrimin jashtë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, masa të tilla paraprake nuk janë gjithmonë të realizueshme për ata që punojnë jashtë, siç janë punëtorët e ndërtimit dhe fermerët.

Rritja e temperaturave pasoi prillin dhe majin më të nxehtë në historinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha NCM.

Nxehtësia ekstreme në vendet e Gjirit Persik është pjesë e një tendence më të gjerë globale të rritjes së temperaturave. m.p.

3 orë përballje me SPAK, Meta: Hetimet janë të fabrikuara

By: el da
4 August 2025 at 20:44

Ish-presidenti Ilir Meta la qelinë e paraburgimit 313 dhe u paraqit mesditën e së hënës në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve për dy dosjet, ajo e aferës korruptive CEZ-DIA dhe e lobimit të LSI në SHBA.

Ajo që u mendua si një seancë e shkurtër ku pritej vetëm firma e ish-presidentit të Republikës për mbylljen e hetimeve, në të vërtetë mori plot 3 orë. Bashkë me të ishte e dhe avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani, i cili në përfundim deklaroi për mediat se prokurorët nuk u dhanë asgjë të re, tek asnjëra prej dosjeve që Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

“Edhe pas 6 vitesh hetimesh për çështjen CEZ-DIA nuk ka asnjë gjë të re, apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar nga prokuroria hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat për lobimin. Prokurorja nuk ka informacion nga kanë dalë pagesat, nga cila bankë kanë hyrë dhe nga cila llogari”.

Avokati theksoi se betejën do e vijojnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, çka pritet të jetë një proces i gjatë gjyqësor.

“S’ka prova që të vërtetohet se rëndojnë akuzat mbi z. Meta. Nuk ka fakt penal. Organi i procedurës thotë që ta zgjidhim në gjykatë. Do shkojmë në gjykim të zakonshëm”, deklaroi avokati i Metës.

Ashtu sikurse deklaroi edhe avokati i tij, edhe vetë Meta thekson se ka ngritur me forcë kërkesën për të hetuar se kush kishte bërë pagesat e paligjshme për llogari të ish-LSI për kompaninë në SHBA dhe se kujt ia dërgonte faturat për t’u aprovuar në partinë e Lirisë, kompania GSIS.

Ilir Meta ndodhet në qeli që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, ndërsa zyrtarisht akuzat iu komunikuan në muajin maj, kur dhe u mor i pandehur.

Më herët SPAK mbylli hetimet edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatimen, si dhe dy bashkëpunëtorëve të tyre, Ema Çoku dhe Piro Xhixho. m.p.

Kush i gjuan penalltite te Real Madrid? Xabi Alonso merr vendimin final

By: el da
4 August 2025 at 20:36

Duke qenë se sezonin e kaluar, Real Madrid humbi një të tretën e penalltive të dhëna, nga 19 në total, duke ndezur një debat të madh se kush të jetë ekzektuesi kryesor i 11-metërshave, trajneri Xabi Alonso ka vendosur ta zgjidhë këtë problem para se të nisë sezoni.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Xabi Alonso ka vendosur se do jetë Kylian Mbappe, ai i cili do të jetë ekzekutuesi kryesor i penalltive për Real Madrid në sezonin e ri.

Që nga fillimi i karrierës, përfshi këtu dhe ndeshjet me kombëtaren franceze, Mbappe ka ekzekutuar 63 penallti, 50 prej të cilave i ka shndërruar në gol dhe ka humbur 13 prej tyre, me një normë suksesi rreth 79%, duke tejkaluar Vinicius Junior me normë suksesi 66%. m.p.

Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit, Policia e Shtetit bën njoftimin

By: el da
4 August 2025 at 20:27

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me plotësimin e formularit për të gjithë efektivët të cilët dëshirojnë që të studiojnë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit dhe për të gjithë ata persona të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme edhe përpara vitit 2024.

Në vijim të procedurave për konkurrimin në 150 vende të lira në programin Bachelor është miratuar data 6 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në 16:00, si periudhë për plotësimin e formularit A1 (për maturantët) dhe formularit A1Z (për kandidatët e tjerë).

Plotësimi do të bëhet online në shërbimin “Matura Shtetërore” në portalin e-Albania, dhe më pas do të konfirmohet në shkollën përkatëse.

“Sa më sipër sqarojmë se formulari A1 dhe A1Z do të jetë aktiv për t’u plotësuar më datë 06 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në shërbimin elektronik “Matura Shtetërore”, nëpërmjet portalit e-Albania. Formulari A1 duhet të plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formulari A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të arsimit të lartë.

Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti ose kandidati”, thuhet në njoftimin e Policisë. m.p.

Aksident në aksin Fier-Levan, makina përplaset me shtyllën elektrike

By: el da
4 August 2025 at 19:52

Një aksident ka ndodhur sot në aksin Fier- Levan, në afërsi të “ Kthesës së Zhupanit”. Një automjet ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me shtyllën elektrike.

Nga përplasja e fortë ka mbetur i lënduar drejtuesi i automjetit, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shkaqeve të aksidentit në fjalë dhe punonjësit e OSHEE, për të bërë të mundur riparimin e kabujve të tensionit të lartë, të cilët ranë përtokë duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve në këtë aks veçanërisht të frekuentuar gjatë muajve të verës. m.p.

Ben Blushi: Pse nuk i kuptoj biznesmenët e Shqipërisë

By: el da
4 August 2025 at 19:49

Njoh shumë nga biznesmenët e Shqipërisë. Janë manipulatorë të admirueshëm. Ata kanë një teknikë marramendëse për të t’i nxjerrë paratë nga xhepi. Me të njëjtën shpejtësi ia marrin paratë dhe shtetit.

Deri këtu i kuptoj. Ajo që nuk kuptoj është se pse këmbëngulin për të na i marrë paratë vetëm ne, dy milion shqiptarëve që jetojmë bashkë me ta në të njëjtin diell?

Pse nuk bëjnë asgjë për ta zgjeruar tregun tonë të vogël? Para disa ditësh bëra një shkrim ku thosha se e vetmja mundësi për të shpëtuar universitetet shqiptare është që të thithim studentë nga shtete të tjera.

Natyrisht nga vende të mëdha si India, Kina, Vietnami, Burma, Filipinet, Indonezia, Malazia, Bangladeshi, Pakistani etj.

Këto vende kanë më shumë se 5 miliardë banorë dhe çojnë nëpër shkolla 500 milion fëmijë në vit dhe më shumë se 100 milionë prej tyre përfundojnë në shkollë të lartë.

Dhjetë vjet më vonë këto numra do dyfishohen. Natyrisht studentët e pasur të këtyre vendeve do shkojnë në Amerikë, në Londër, në Pekin dhe në Berlin. Të varfërit do mbeten në universitetet lokale që nuk e kënaqin më shtresën e mesme.

Fëmijët e kësaj shtrese kërkojnë pak më shumë. Ata duan të dalin jashtë, të marrin dilploma evropiane, të njohin vende të reja.

Nëse nuk shkojnë dot në Londër, gëzohen po të shkojnë në Pragë, në Beograd, në Zagreb pse jo dhe në Tiranë.

Për një kinez nga provinca, një indian nga fshati apo një bangladeshas që e ka babain pronar të një punishteje të vogël do ishte e njëjta gjë si në Tiranë dhe në Ljubjanë apo Bratislavë.

Për ta Shqipëria është Evropë dhe Mesdhe, njëlloj si Italia dhe Greqia.

Këtu dielli është poaq i shndritshëm, deti është poaq i bukur, por jeta është më e lirë, ushqimi më i mirë dhe njerëzit më të dashur. Këto janë avantazhet tona që biznesmenët kokëfortë të Shqipërisë nuk i marketojnë fare.

Kokëfortësia e tyre është provinciale.

Ata kanë vendosur t’ia falin studentët e varfër të botës Serbisë, Cekisë, Sllovakisë dhe t’u marrin para vetëm studentëve të varfër shqiptarë.

Çfarë nacionalizmi dembel. Shqipëria ka një kapacitet akomodues për 250 mijë deri në 300 mijë studentë në vit.

15 vjet më parë ne kishim afro 190 mijë studentë gjithsej.

Sot kemi pak më shumë se gjysmën e kësaj shifre pra rreth 110 mijë që do të thotë se auditoret janë gjysëm bosh, bashkë me konviktet dhe qytetet e vogla që krijojnë ekonomi nga universitetet.

Imagjinoni për një çast sikur në Shqipëri të vijnë çdo vit një qind mijë studentë të huaj dhe seicili prej tyre të harxhojë vetëm dhjetë mijë dollarë.

Janë një miliardë dollarë në vit. Me pak mundim, me shumë marketing, kjo shifër mund të trefishohej për disa vjet.

Universitet mund t’i sillnin vendit më shumë se turizmi që duke u sforcuar sjell afro 4 miliardë euro në vit.

Me kaq të ardhura pikëpyetjet për cilësinë e universiteteve tona do shuheshin rrugës, sepse qindra profesorë gjermanë, italianë anglezë, amerikanë do punonin në Shqipëri me shumë qejf.

Dhjetë vjet më parë kjo përpjekje do ishte e pamundur.

Shqipëria e parë me lupën e google, ishte një vend ku digjeshin goma pas zgjedhjeve dhe ku turistët rriheshin nëpër plazhe. Sot është ndryshe.

Sherret tona politike nuk vrasin më njerëz në bulevard, por përfundojnë në gjykatë si në cdo vend normal. Turistët nuk grabiten në rrugë dhe aftësia e vendit për të bashkëjetuar me të huajt është rritur disa herë.

Ne mikpresim me mirë se serbët, gatuajmë më mirë se kroatët, dhe qeshim më shumë se sllovenët.

Nga 100 kritere që e klasifikojnë një vend si normal, plotësojmë më shumë se 90.

Dhe nga dhjetë kritere që e klasifikojnë një vend si mikpritës plotësojmë të paktën nëntë plus.

Prandaj familja e një fëmije në Pakistan, në Indonezi apo në Indi do paguante kursimet e jetës për ta sjellë fëmijën në një parajsë të varfër evropiane, ku nëse nuk të mësojnë si në Londër të respektojnë më mirë se aty.

Dhe kjo nuk është pak.

Ne nuk e kuptojmë dot se popujt që dikur kanë qenë koloni paguajnë për t’ua respektuar ngjyrën.

Taksa e ngjyrës sot në Londër është shumë e lartë, në Amerikë po rritet shumë, kurse në Shqipëri është akoma zero.

Përveç diellit dhe detit, targa jonë evropiane, e parë nga largësia e Azisë dhe Afrikës është malli më i vyer që kemi.

Një kinez, një vietnamez apo një bangladeshas nuk na dallon dot nga italianët, nga belgët dhe nga grekët siç nuk dallojmë ne dot një fëmijë nga Laosi nga një fëmijë nga Kamboxhia.

Për ta ne jemi e njëjta gjë.

Nëse biznesmenët e Shqipërisë bashkë me shtetin do hapnin agjensi në Azi dhe në Afrikë për të rekrutuar studentë, tregu jonë i vogël do kthehej me shpejtësi në një treg ndërkombëtar.

Por nëse nuk e bëjmë ne do ta bëjnë serbët, do ta bëjnë sllovenët dhe kroatët. Por e njëjta gjë vlen edhe për ndërtuesit e Shqipërisë të cilët unë nuk i kuptoj fare.

Ata kanë një fiksim të egër. Ata duan të na i shesin shtëpitë që ndërtojnë vetëm neve, shqiptarëve të Shqipërisë.

Shqipëria ndërton me inat dhe me vrull më shumë se çdo vend tjetër në Evropë për frymë, por askush nuk e di kush do i blejë pallatet dhe vilat e saj të panumërta.

Shqiptarët që mund të blenin u ngopën dhe tani po mendohen të shesin.

Gjithmonë kam besuar se biznesmenët e Shqipërisë do tërhiqnin blerës suedezë, polakë, hollandezë, finlandezë, gjermanë, danezë, ukrainas dhe rusë për të blerë prona në det, por kjo nuk po ndodh.

Askush nuk u thotë këtyre popujve pa det dhe pa diell, se ka një vend në Mesdhe që shet apartamente më lirë se në Itali, në Greqi dhe Portugali e ndoshta edhe më lirë se në Mal të Zi.

Imagjinoni një norvegjez që jeton në mes të mjegullës, i ulur në divanin e vet, duke parë një reklamë që tregon se mund të blesh një shtëpi në Vlorë apo Sarandë për çerekun e çmimit që do e blente në Santorini apo në Majorka.

Ndërtuesit shqiptarë nuk harxhojnë asnjë lek marketing për t’i ngacmuar fantazinë norvegjezit që shikon shiun në dritare.

Shteti duhet t’i detyrojë kompanitë tona të reklamojnë në tregje ndërkombëtare.

Kjo është taksa e tyre e suksesit: të blejnë kohë televizve në televizonet evropiane për të reklamuar Shqipërinë.

Shpenzimet për marketing ndërkombëtar duhet të jenë një detyrim që shteti duhet t’ua kërkojë me çdo kusht kompanive shqiptare të ndërtimit, univesiteteve jo publike dhe klinikave estetike e spitaleve private.

Këto tre shërbime low cost mund ta bëjnë tregun tonë ndërkomëbtar.

Ne mund t’i japim diploma fëmijëve aziatikë, mund t’i rregullojmë dhëmbët pensionistëve evropianë dhe mund t’u shesim shtëpi të mrekullueshme në det shtresës së mesme evropiane.

Pasthirrmat pa gjini, që mendojnë se një herë jemi, një herë nuk jemi qendra e botës, duhet ta kuptojnë se ky nuk është turp, as ulje, as nënshtrim.

Është biznes.

Serbia harxhon më shumë se 55 milionë dollarë marketing në vit vetëm nga taksat. Kroacia dyfish, më shumë se 100 milionë.

Me një buxhet të harmonizuar mes shtetit dhe kompanive private ne mund t’i kapnim këto shifra marketingu të domosdoshëm. Ne prodhojmë jo keq, por shesim shumë keq.

Serbia që do futet shumë shpejt në garën e universiteteve low cost, nuk na konkuron dot në tregun imobiliar sepse një shtëpi në Serbi nuk ka asnjë vlerë në krahasim me një apartament në Shëngjin.

E njëjta llogjikë vlen për futbollin tonë të shkatërruar.

Sikur të kisha mundësi do bleja një klub futbolli në provincë, do ta ristrukturoja dhe do i lutesha shtetit të më ndihmonte t’ia shisja një arabi.

Rishitja e aseteve të ngordhura është super biznes.

Arabët janë sot njerëzit më të uritur në planet, për të investuar në sport.

Ata blejnë shkëlqimin e futbollit evropian.

Sauditët dhe Katari por më vonë edhe të tjerët, po blejnë me rradhë të gjitha klubet më të mëdha të Evropës.

Natyrisht ne nuk mund t’ia shesim klubin e Peqinit një fondi saudit për 100 milion euro, as ekipin e Laçit një kuvajtjani për 70 milion euro.

Për fat të keq këto klube nuk vlejnë as sa bonusi i një goli të Cristiano Ronaldos në Arabi.

Ato nuk kanë asnjë vlerë. Ajo që ka vlerë është përkatësia jonë evropiane. Ne nuk shesim makinën, shesim targën.

Të blesh Vllazninë nuk ka ndoshta asnjë përfitim financiar sot, por me pak investime ky klub mund të luajë me Milanin në Champions League, me Liverpoolin apo me Parisin.

Kjo do ishte një blerje prestigji për fondet e lira arabe dhe do t’i ngopte sa duhet deliret e tyre.

Arabët mund të blejnë Ronaldon për një paketë totale 1 miliard euro, por nuk e çojnë dot këtë idhull me 500 milion ndjekës në instagram, të luajë cdo javë me Juventusin, me Chelsea apo me Realin e Madridit dhe Barcelonën.

Por ekipet shqiptare e kanë këtë mundësi.

Bashkitë e qyteteve tona duhet të gjejnë blerës për ekipet e tyre të rrënuara në Arabi në Kinë dhe kudo ku ka fonde të lira.

Kryetarët e Bashkive duhet të jenë biznesmenë, në vend që të jenë hidraulikë dhe zjarrfikës.

Çdo gjë që është në Mesdhe shitet. Ky është tregu më i shtrenjtë i botës.

Ata duhet t’i shesin klubet e tyre të futbollit qoftë edhe për 1 euro me kusht që të investohen.

Atëherë Peqini mund të luajë me Realin në grupe, Elbasani me Interin dhe Dinamo me Arsenalin.

Imagjinoni çfarë do ndodhte në këto qytete sikur futbolli dhe universitetet të gjallëroheshin me investime të huaja.

Çfarë qyteti do ishte Shkodra me pesë mijë studentë të huaj.

Tregu i qirave do shpërthente, restorantet e vogla do lulëzonin,pedagogët do paguheshin më shumë, bicikletat e dashura do dyfishoheshin, ndërsa stadiumi ku ekipi i Vllaznisë i blerë nga një arab mendjemadh do luante çdo javë me Romën, me Fenerbahcen, me Dortmundin dhe Marsejën apo me Manchester United do digjej në flakë.

Gjithë qyteti do merrte zjarr sa herë arabi të këpuste tespijet e çmendura pas një goli.

Sepse janë evropiane ekipet tona tona mund të luajnë me kë të duan, të gëzojnë çdo pronar arab që investon duke blerë lojtarë dhe ta çojnë në Manchester të haje darkë si i barabartë me Pep Guardiolën e përkëdhelur apo në Stamboll me Jose Mourinon grindavec.

Ky është çmimi i prestigjit evropian që në Shqipëri është ende low cost.

E kush nuk do ta paguante një çmim kaq të lirë?

Çështja është se askush nuk e di, sepse askujt nuk i thuhet.

Arabët nuk e dinë që klubet tona shiten për një copë bukë, siç nuk e dinë indianët që mund të studjojnë në universitetet tona me një mijë dollarë në muaj.

Ne bëjmë muhabet, por nuk bëjmë marketing.

Shqipëria vazhdon të jetë një thesar i mbuluar me kujdes nga biznesmenët e saj mendjengushtë.

Ata duhet të kuptojnë se ka ardhur koha për të zgjeruar tregun tonë të vogël.

Ka ardhur koha për të shitur lirë gjërat e shtrenjta që nuk duhen. m.p.

Luka Modric prezantohet te Milan dhe tregon objektivin e tij

By: el da
4 August 2025 at 19:32

Luka Modric është prezantuar zyrtarisht pasditen e sotme te Milan, ku ka folur gjerë e gjatë si dhe ka zbuluar objektivin minimal të kuqezinjve për sezonin e ri.

“Në çdo moshë, gjithmonë ka kohë për t’u emocionuar. U rrita me futbollin italian dhe Milani ka qenë gjithmonë klubi im i preferuar. Gjithmonë kam pasur një dashuri të veçantë për ngjyrat kuq e zi”, tha Modric.

“Duhet të përshtatem me ligën sa më shpejt të jetë e mundur. Kam luajtur shumë herë kundër ekipeve italiane dhe ato janë shumë të organizuara dhe u pëlqen të konkurrojnë”, shtoi kroati.

“Më pëlqen të fitoj. Të gjithë e dimë që Milani është një nga ekipet më të mira në botë. Nuk mund të kënaqemi me një sezon mediokër. Champions League duhet të jetë objektivi minimal për Milanin”, vijoji më tutje Modric.

Kroati zbuloi edhe bisedën që bëri me Carlo Ancelotti-n, para se të transferohej te Milan.

“Fola me Ancelottin… Ai më tregoi të gjitha gjërat më të mira për Milanin. Ai ishte këtu si lojtar dhe trajner, dhe më tregoi gjithçka për klubin”, tha Modric.

Modric u shpreh me fjalët më të mira për trajnerin Max Allegri, edhe pse ka folur shumë pak me të, mezi pret të punojë me italianin. “Mezi po pres ta njoh, kam folur pak me të. Jam shumë i lumtur që do të stërvitem nga Allegri, është një nga më të mirët në botë, një fitues. Mezi pres të zbuloj si më sheh ai në fushë në këtë skuadër”, tha Modric. m.p.

“Vdekje për shqiptarët”, thirrjet raciste në ndeshjen e basketbollit në RMV

By: el da
4 August 2025 at 19:18

Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) ka njoftuar se ka denoncuar zyrtarisht në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) thirrjet raciste kundër shqiptarëve në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski gjatë ndeshjes mes ekipeve përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

“Vdekje për shqiptarët”, ishin disa nga thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA Ëorld Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në qytetin e Kumanovës.

“Federata Shqiptare e Basketbollit informon se pas ngjarjes së ndodhur gjatë ndeshjes kualifikuese për FIBA Ëorld Cup mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në qytetin e Kumanovës ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ka ndërmarrë hapa zyrtarë për ta adresuar këtë çështje.

FSHB ka dërguar një letër zyrtare pranë FIBA Ëorld, duke denoncuar ngjarjen dhe kërkuar që të merren masa të qarta ndaj çdo veprimi që bie ndesh me frymën e barazisë dhe respektit që promovon sporti. Federata thekson se basketbolli duhet të jetë një hapësirë për bashkëpunim, respekt dhe përfaqësim dinjitoz, larg gjuhës së urrejtjes dhe çdo forme diskriminimi.” – shkruhet në njoftimin e FSHB-së. m.p.

Shiu dhe breshëri godasin Kosovën, përmbytje dhe kaos në qarkullim

By: el da
4 August 2025 at 19:07

Gjatë pasdites së sotme, reshje të dendura shiu të shoqëruara me breshër kanë përfshirë disa zona të Kosovës, duke shkaktuar përmbytje dhe probleme serioze në furnizimin me energji elektrike.

Ndër zonat më të prekura janë Brezovica, Gjilani, Ferizaj dhe disa fshatra në komunën e Gjakovës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të përmbytura, oborre me nivele të larta të ujit dhe shtresa të trasha breshëri në shumë vende.

Në Brezovicë, rruga kryesore që çon drejt komplekseve turistike është bërë e pakalueshme për shkak të përmbytjeve. Gjilani, po ashtu, është prekur rëndë, me rrugë të mbuluara nga uji që po vështirësojnë qarkullimin dhe po rrezikojnë ndërtesat në katet e ulëta.

Situata është e ngjashme edhe në Ferizaj, ku sistemet e kanalizimit nuk kanë përballuar sasinë e madhe të ujit, duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të qytetit. Në komunën e Gjakovës, breshëri i madh ka dëmtuar disa fshatra.

Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar për dëmtime në rrjetin elektrik si pasojë e motit të keq, duke lënë pa rrymë një numër të madh konsumatorësh, veçanërisht në rajonin e Anamoravës. m.p.

❌
❌