Emma Stone kujton xhirimet e “Spider-Man” me ish-partnerin e saj: Ishte një kohë e veçantë në jetën time
Në një intervistë për rubrikën Life in Looks të revistës Vogue, Emma Stone bëri një koment të rrallë për bashkëpunimin me aktorin Andrew Garfield, me të cilin ishte në një lidhje katërvjeçare.
Dyshja u njohën në xhirimet e filmit The Amazing Spider-Man (2012), ku Garfield luajti rolin e Spider-Man-it, ndërsa Stone ishte Gwen Stacy.
“E kam dashur shumë periudhën e xhirimeve të Spider-Man. Më pëlqeu të punoja me të gjithë ata që ishin pjesë e ekipit. Atje njoha Andrew-in, Sally Field, dhe Marc Webb ishte i mrekullueshëm. Ishte një kohë me të vërtetë e veçantë në jetën time”, tha aktorja.
Stone theksoi se ishin njerëzit përreth saj që e bënë përvojën edhe më të veçantë.
“Tema kryesore për mua nuk është vetëm filmi, por njerëzit me të cilët punova. Kjo është ajo që më ka mbetur gjatë në mendje. Prandaj kam vetëm kujtime të bukura nga gjithë ajo periudhë”, shtoi ajo.
Megjithatë, aktorja pranoi se pjesa më e vështirë ishin turnetë promocionalë.
“Nuk e kuptoj si ia dalin disa njerëz ta përballojnë. Më kujtohet që vizitova nëntë vende brenda vetëm dy javësh, ndërkohë që duhej të funksionoja nën një lodhje të madhe nga udhëtimet. Gjatë gjithë kohës ndihesha sikur isha në një gjendje psikozë”, tregoi ajo.
Në intervista të mëparshme, edhe Andrew Garfield ka folur me respekt për Emma Stone, duke e cilësuar përvojën në Spider-Man si të veçantë “sepse kishte mundësinë ta njihte Emmën dhe të punonte me të”.
The post Emma Stone kujton xhirimet e “Spider-Man” me ish-partnerin e saj: Ishte një kohë e veçantë në jetën time appeared first on Telegrafi.