Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

Andrra e Jetës (Trina)

By: Kult Plus
24 July 2025 at 14:00

Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.

Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.
S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.

Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,

këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.

Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s’nd’rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.

II

U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me ‘j qingj të sykës ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.

Iu suell oborrit rrotull
tu’ u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.

Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n’sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.

Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd’ijë,
e kishte mollzat gjak.

Vuni do krande n’votër
e fryni n’zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.

Pshesha me kollomoqe,
t’mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal’ i madhi zot.

E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s’hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t’plasun,
tue nduk’ at’ shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.

Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t’dy, si kija,
mbi t’shtruemen i vendoj.

E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n’shpella me dragoj,

tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin’ e vet?

E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.

III

Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag’tin’ e vet.

Bij’, mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan’ e mos çil gojën
se e lumja Zojë t’bërtet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n’dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.

Rri, bij’ se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.

Rihanna rrëfen si i rrit fëmijët: “Duhet të jenë jashtë, jo para ekranit”

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:59

Në një intervistë të fundit për Entertainment Tonight, Rihanna ka ndarë më shumë mbi përvojën e saj si nënë, duke theksuar ndikimin që ka pasur babai i saj, Ronald Fenty, në stilin e saj të prindërimit. Ajo ka dy djem, RZA (3 vjeç) dhe Riot (1 vjeç), dhe është aktualisht shtatzënë me fëmijën e tretë.

Sipas këngëtares, babai i saj ishte gjithmonë një shembull i fuqishëm për të si prind, duke i mësuar asaj dashurinë për natyrën dhe aventurat jashtë. Rihanna ka përshkruar se babai e kishte përgatitur për të rritur fëmijët e saj në një ambient ku ata do të ishin të lirë, duke u angazhuar jashtë dhe duke e shmangur teknologjinë. Ajo ka theksuar se dëshiron që fëmijët e saj të mos rriten si fëmijë të varur nga tabletët, por të kenë mundësi të kalojnë kohë të çmuar jashtë dhe të zhvillohen në mënyrë të natyrshme.

“Gjithmonë kam ëndërruar se çfarë lloj gjyshi do të ishte për ta, dhe më përgatiti për këtë rol,” tha Rihanna, duke shtuar se babai i saj ishte gjithashtu pjesa më argëtuese e fëmijërisë së saj, që përfshinte aktivitete si vrapimi zbathur në natyrë dhe të tjera që i jepnin një ndjenjë lirie.

Përkundër mesazhit të saj pozitive dhe të shëndetshëm, komentet e Rihanna kanë shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale. Disa prindër kanë shfaqur kundërshtime ndaj qasjes së saj dhe e kanë akuzuar për gjykim, duke theksuar se është e lehtë për një miliardere si Rihanna të flasë për prindërimin kur ka staf dhe mundësi të pakufizuara. Disa përdorues në Reddit shprehën shqetësimin se komente të tilla mund të nënvlerësojnë vështirësitë e prindërve të zakonshëm, të cilët nuk mund të përballojnë angazhimin e plotë ndaj fëmijëve siç bën Rihanna.

Një përdorues shkruajti:
“Rihanna është miliardere. Nuk dua të më japë leksione për prindërimin dikush që ndoshta ka një dhomë lodrash në një vilë me staf që i shikon fëmijët tek vrapojnë ‘të lirë’, ndoshta në një plazh privat.”

Megjithatë, shumë përdorues e përkrahën Rihanna-n dhe shprehën mbështetje për mënyrën si ajo po rrit fëmijët e saj. Disa komentues ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e aktivitetet jashtë dhe zhvillimit të natyrshëm të fëmijëve, përmes të cilëve ata mësojnë durimin, zgjidhjen e problemeve, dhe ndërveprimin social.

Një përdorues komentoi:
“Fëmijët kanë nevojë të mësojnë durimin, zgjidhjen e problemeve dhe ndërveprimin me të tjerët. Kjo humbet tek ata që përdorin tableta pa kufij.”

Përkundër kritikave, Rihanna ka mbetur besnike ndaj filozofisë së saj të prindërimit dhe ka shprehur se është e gatshme të vazhdojë me këtë qasje natyrale dhe të balancuar për fëmijët e saj./KultPlus.com

Një foto e Geraldinës në kopshtin zoologjik të Stokholmit në 1939

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:38

Nga Aurenc Bebja

“Ce soir” ka botuar, të hënën e 24 korrikut 1939, në faqen n°8, fotografinë e rrallë të mbretëreshës Geraldinë dhe motrave të mbretit Zog në kopshtin zoologjik të Stokholmit.

Ish-sovranët e Shqipërisë kishin nisur një udhëtim të gjatë në Evropë. Gjatë qëndrimit të tyre në Suedi, Mbretëresha Geraldinë dhe motrat e Mbretit Zog përfituan të bënin një vizitë të gjatë në kopshtin zoologjik të Stokholmit./ KultPlus.com

Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/ce-soir-1939-vizita-e-mbretereshes-geraldine-dhe-motrave-te-mbretit-zog-ne-kopshtin-zoologjik-te-stokholmit-foto-ekskluzive/

Pasuria e lënë pas nga “Princi i Errësirës”, Ozzy Osbourne

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:30

Ozzy Osbourne, ikona e skenës së heavy metal dhe protagonisti i kulturës globale pop, vdiq më 22 korrik 2025, në moshën 76 vjeç, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

Vdekja e tij u konfirmua në një deklaratë për gazetën The Sun: “Me trishtim të patreguar njoftojmë se Ozzy ynë i dashur ndërroi jetë këtë mëngjes, i rrethuar nga familja e tij. Kërkojmë që privatësia jonë të respektohet.”

Trashëgimia e Osbourne, si kulturore ashtu edhe financiare, është e pamatshme. Pasuria e tij vlerësohet në 220 milionë dollarë, fryt i një karriere që zgjati pesë dekada dhe që ndikoi jo vetëm në muzikë, por edhe në televizion dhe në prodhimet live.

Karriera e tij filloi me Black Sabbath dhe vazhdoi me një karrierë të suksesshme solo, duke shitur miliona disqe. Ozzfest , turneu muzikor që ai themeloi në vitin 1996, fitoi mbi 100 milionë dollarë dhe shiti pesë milionë bileta.

Televizioni e katapultoi atë edhe më lart. Reality show “The Osbournes” (MTV, 2002) ndryshoi peizazhin televiziv dhe i dha atij një brez të ri fansash. Familja fitoi 800,000 dollarë në sezonin e parë dhe 5 milionë dollarë për anëtar në të dytin.

Gruaja e tij Sharon, fëmijët Jack dhe Kelly, si dhe marrëveshjet e tij për miratim, reklamim dhe botim kontribuan në një perandori biznesi me vlerë 251 milionë dollarë. Pavarësisht shëndetit të tij në përkeqësim, Ozzy ruajti një ndikim global deri në fund./KultPlus.com

Alexandre Dumas, shkrimtari që na magjepsi me romanet aventureske dhe historike

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:25

Nga Albert Vataj

Ka autorë që nuk lexohen thjesht: ata përthithen, mbeten në lëkurë dhe në gjak, bëhen pjesë e rritjes dhe e ëndrrës sonë të hershme. Për shumë prej nesh, Alexandre Dumas është kjo trashëgimi e papërsëritshme: orë të gjata leximi të fshehtë pas mureve të fëmijërisë, aventura që frymojnë edhe sot, emocione të paharrueshme që na ndezën pasionin për letërsinë. Nuk është çudi që presidenti francez Jacques Chirac, në vitin 2002, kur eshtrat e tij u zhvendosën në Panteon, aty ku prehen korifejt e Francës, e përmblodhi kështu këtë ndjesi universale:

“Me ty është fëmijëria, orët e leximit të shijuar në fshehtësi, emocionet, pasioni, aventura dhe ndjesia që hyjnë në Panteon. Me ty ëndërruam. Me ty ende ëndërrojmë.”

Një jetë e gdhendur në fjalë dhe në aventura
Alexandre Dumas, shkrimtari legjendar i romaneve historike dhe aventureske, mbetet një nga autorët më të lexuar e më të përkthyer të të gjitha kohërave. I lindur më 24 korrik 1802 në Villers-Cotterêts, Francë, ai u pagëzua me emrin Alexandre Dumas Davy de la Pailleterie. Babai i tij, gjenerali Thomas-Alexandre Davy de la Pailleterie, një figurë e jashtëzakonshme me origjinë nga Haiti, kishte marrë mbiemrin Dumas në nder të së ëmës, Marie-Césette Dumas, një grua e skllavëruar që mbartte në gjak një histori tjetër bote. Kështu, në damarët e shkrimtarit do të rridhnin bashkë gjaku aristokrat dhe kujtesa e një populli të robëruar. Gjenerali Thomas-Alexandre, që do të quhej nga bashkëluftëtarët “Djalli i Zi”, i përcolli të birit historitë e trimërisë dhe idealet që e shoqëruan gjithë jetën. Por ai vdiq kur Alexandre ishte vetëm katër vjeç, duke lënë familjen në varfëri dhe pa mbështetje.

Nga leximi i fshehtë te gjuha e artit
Dumas u rrit me një uri të pashuar për libra. Ai lexonte gjithçka që i binte në dorë dhe, me një vullnet të jashtëzakonshëm autodidakt, mësoi edhe spanjisht. Kjo etje për dije dhe tregime do ta çonte drejt një karriere që nisi me drama, por që do të gjente shpërthimin e madh në romanet e serializuara. Në bashkëpunim me Auguste Maquet dhe të tjerë, ai krijoi vepra që e kthyen në një fenomen kulturor.
Një univers i pandërprerë aventuresk

Në rrëfimet e tij gërshetohen heroizmi, intriga, skandali dhe romantizmi. Tetë vëllimet me ese mbi raste të famshme historike – nga Lucrezia dhe Cesare Borgia te Karl Ludwig Sand – tregojnë një mendje kureshtare dhe të paepur. Por fama e tij do të merrte dritë të pakonkurueshme me romanet “Tre Musketierët”, “Konti i Monte Kristo” dhe kapitujt e paharruar mbi “Njeriun me maskë të hekurt”. Përmes tyre, Dumas nuk thjesht krijoi personazhe, por ndërtoi mite që i rezistuan kohës.

Ai gjithashtu botoi cikle të tjera madhështore, si romanet e Marie Antoinette, seria Valois, dhe përfshiu edhe fantazinë në romanin “The Wolf Leader”, një pararendës i temave mbi ujqërit e mitit dhe natyrës së egër. Këto krijime u përhapën në të gjithë Europën dhe përtej saj, duke e bërë emrin e Dumas një sinonim të aventurës dhe të imagjinatës.

Mes shkëlqimit dhe rrëzimit
Me të ardhurat e mëdha që fitoi, Dumas bleu dhe ndërtoi Château de Monte Cristo në Port-Marly – një strehë e krijimit dhe mikpritjes, e mbushur me festa dhe net të gjata rrëfimesh. Por shpenzimet marramendëse dhe një jetë e shpenguar e çuan në borxhe të rënda. Për t’i shpëtuar kreditorëve, ai u largua në Belgjikë dhe më pas në Rusi, ku vazhdoi të botojë, të udhëtojë dhe të krijojë.

Nga varri në Panteon
Dumas u nda nga jeta më 5 dhjetor 1870 në Puys, në shtëpinë e të birit, Alexandre Dumas (i biri), gjithashtu shkrimtar i njohur. Fillimisht u varros në qytetin e lindjes, por historia do t’i rezervonte një nderim të vonuar: në vitin 2002, eshtrat e tij u zhvendosën në Panteonin e Parisit, aty ku prehen figurat më të ndritura të kulturës franceze – mes tyre Victor Hugo, Émile Zola dhe Jean-Jacques Rousseau. “Alexandre Dumas më në fund do të zërë vendin e tij pranë Victor Hugo, Émile Zola dhe vëllezërve të tij në letërsi,” u shpreh atë ditë Jacques Chirac.

Një trashëgimi që nuk shuhet
Dumas mbetet një autor që lexuesit e ndjejnë si të tyrin, pavarësisht brezit. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 100 gjuhë dhe kanë frymëzuar mbi 200 filma, duke e kthyer atë në një prej shkrimtarëve më të dashur të shekullit XIX dhe më gjerë. Edhe sot, dorëshkrime të pabotuara – si “Kalorësi i fundit”, i botuar në vitin 2008 – na kujtojnë se zëri i tij ende ka rrëfime për të ndarë.

Clive Christian Imperial Majesty: Parfumi që kushton sa një apartament luksoz

By: Kult Plus
24 July 2025 at 13:05

Në botën e luksit dhe ekskluzivitetit, Clive Christian ka hedhur një hap tjetër përpara me krijimin e Imperial Majesty No.1, një parfum që ka një çmim të jashtëzakonshëm, duke e bërë atë një prej produkteve më të shtrenjta në botë. Ky parfum mund të merret për mbi 400,000 euro për një shishe gjysmë litri, një shumë që mund të blinte një apartament luksoz në disa nga qytetet më të shtrenjta të botës.

Detaje të jashtëzakonshme:

Shishja: Prej kristali Baccarat, e punuar me dorë për të ofruar një estetikë të jashtëzakonshme dhe të veçantë.

Qafa e shishes: E zbukuruar me ari 18 karatësh, duke theksuar gjithashtu pasurinë dhe traditën e këtij produkti.

Diamanti: Në vend të një tufe zakonshme, shishja ka një diamant 5 karatësh, duke i shtuar një element të jashtëzakonshëm luksit.

Prodhimi: Vetëm 10 shishe janë prodhuar në botë, dhe shumica e tyre janë dorëzuar me Bentley privat, duke e bërë këtë parfum edhe më të ekskluzivizuar dhe të vështirë për t’u gjetur.

Tradita Historike:
Clive Christian ka lidhje të ngushta me familjen mbretërore britanike, pasi shtëpia e parfumeve ka marrë lejen nga Mbretëresha Viktoria për të përdorur kurorën mbretërore në produktet e saj. Kjo traditë u trashëgua dhe vazhdoi me një nga krijimet më të njohura të markës: Imperial Majesty – një edicion special i parfumit të njohur No.1.

Aroma:
Imperial Majesty ka një aromë të pasur dhe aristokratike, që përmban nota të bergamotit, mandarinës siciliane, vaniljes, sandalit dhe vetiverit. Ky parfum është i përshkruar si “parfumi i zemrës së Clive Christian”, një kompozim që sjell elegancë dhe rafinim të papërshkrueshëm.
Ky parfum është një simbol i luksit të pakufizuar, një mundësi për ata që mund të përballojnë shpenzime të jashtëzakonshme dhe që kërkojnë diçka të veçantë, që shkon përtej aromës së zakonshme dhe bëhet një investim në artin e parfumerisë./KultPlus.com

Filmi biografik për Michael Jackson “Michael” shtyhet për në 24 Prill 2026

By: Kult Plus
24 July 2025 at 12:56

Filmi biografik i shumëpritur i Michael Jacksonit, “Michael”, do të zhvendoset për një shfaqje botërore më 24 prill, si në kinematë e rregullta ashtu edhe në Imax, duke hequr dorë nga data e mëparshme e tetorit.

Lionsgate ka marrë përsipër shpërndarjen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Universal do të shpërndajë në të gjithë botën – me përjashtim të Japonisë. Kino Films është përgjegjëse në Japoni. Filmi është drejtuar nga Antoine Fuqua, ndërsa skenari është nga John Logan. Roli i Jackson luhet nga Jafar Jackson, nipi i Mbretit të Popit. Graham King, i cili fitoi një Oscar për The Departed, është producent.

Sipas sinopsisit zyrtar të filmit: “Michael” kronikon udhëtimin e superyllit global për t’u bërë i njohur në botë si Mbreti i Popit, duke ofruar një vështrim intim në jetën dhe trashëgiminë e qëndrueshme të njërit prej artistëve më me ndikim dhe më të shquar që njerëzimi ka njohur ndonjëherë .”

Në maj, CEO i Lionsgate, John Feltheimer, kishte deklaruar se filmi “ka të ngjarë” të zhvendosej në vitin 2026. Edhe pse xhirimet përfunduan në maj 2024, projekti kaloi nëpër rixhirime dhe montazhi fillestar ishte i gjatë. Madje kishte mendime për ta ndarë atë në dy pjesë. Informacionet e fundit sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, buxheti i prodhimit është 155 milionë dollarë. Filmi do të publikohet nga FX në Ditën e Shën Valentinit 2026.

Përkujtojmë sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe patriotit Bajo Topulli

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:48

Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11 vjeçare, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos.

Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.

Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare.

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vjetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Pas Shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.

I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqrem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”!… / KultPlus.com

Dimali shënon festën e trashëgimisë kulturore: Tradita, artizanati dhe historia në zemër të qytetit

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:46

Qyteti i Dimalit është bërë pritës i aktivitetit festiv kushtuar trashëgimisë kulturore, ku u shpalosën për pjesëmarrësit traditat, artizanati dhe historia e qytetit.

Pedonalja u ndez nga një festë shumëngjyrëshe ku u ndërthurën këngët popullore, valet e krahinës dhe ekspozitat me punimet artizanale. E veçanta e këtij aktiviteti ishin veshjet tradicionale të zonës të trashëguara brez pas brezi të realizuara nga nxnënësit e shkollave të zonës.

Angazhimi i thuajse të gjithë komunitetit i dha një tjetër dimension festës, duke promovuar trashëgiminë kulturore si një pjesë e pa ndarë e identitetit të qytetit.“Ne ndodhemi në një festë të trashëgimisë kulturore duke prezantuar të gjitha projektet që shkollat kanë prezantuar gjatë gjithë vitit, gjithashtu dhe projektet artizanale në bazë të njësive administrative apo qëndrave artizanale”, tha Albano Kora, organizator.

Organizatorët vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili ndërthur traditat e qytetit, të cilat fatkeqësisht po harrohen me kalimin e viteve, transmeton euronews.

“Festa e trashëgimisë kulturore në zemër të Dimalit, ky është një projekt që i cili jetëson jetën e Dimalit, falë projekteve të ndryshme, projekteve rinore të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore janë projekte fantastike të cilat sjellin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi Vilson Shehu, organizator gjithashtu.

Festa kushtuar trashëgimisë kulturore u mirëprit nga publiku vendas duke dëshmuar lidhjen e fortë të banorëve me historinë dhe traditat e të parëve.

”New York Times” përzgjedh Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:33

Gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur edhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.

”Një tjetër verë me temperatura përvëluese në të gjithë Evropën i ka nxitur turistët të kërkojnë mënyra krijuese për të mposhtur vapën”, shkruan Gabe Castro-Root për ”New York Times”.

Kur temperaturat rriten ndjeshëm, Akropoli apo maja e Kullës Eiffel ndonjëherë mund të mbyllen, por plazhet janë të hapura dhe në formën e tyre më të mirë.

Mund të vallëzoni gjithë natën në rërë në Shqipëri, të bëni windsurf në Sardenjë ose të bëni ecje në një dunë gjigante në Francë. Ose mund të shijoni ditët e gjata të diellit arktik në Norvegji.

Por, plazhi i Dhërmiut, në Rivierën Shqiptare, tërheq adhuruesit e diellit dhe turistët e shumtë me festivale të shumta muzikore gjatë gjithë verës.

Riviera Shqiptare është vendosur si një alternativë ndaj brigjeve të mbushura me njerëz të Kroacisë dhe Greqisë, falë plazheve si Dhërmiu.

Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është gjithashtu një destinacion kryesor për ata që duan të festojnë, pasi zona organizon disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.

Kajaku dhe zhytja me maskë janë aktivitete të njohura dhe rrënojat e një aeroplani luftarak të epokës sovjetike vetëm disa qindra metra larg bregut të plazhit të afërt të Dhrimadhes janë një atraksion i veçantë për zhytësit.

Shtigjet e ecjes dhe ullishtat në zonë ofrojnë pamje panoramike të detit dhe malet Kerautine, që ngrihen në lindje, janë piktoreske si nga plazhi ashtu edhe gjatë ecjeve përgjatë rrugës dredha-dredha bregdetare./atsh/KultPlus.com

24 Korrik 1969: Apollo 11 kthehet në Tokë pas zbarkimit të parë në Hënë

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:15

Më 24 korrik 1969, anija kozmike Apollo 11 u kthye me sukses në Tokë, duke përmbyllur misionin e parë historik në të cilin njeriu zbarkoi në Hënë. Pas më shumë se tetë ditësh udhëtim në hapësirë, astronautët Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins u rikthyen të sigurt, duke u ulur në Oqeanin Paqësor, ku u pritën nga forcat amerikane të shpëtimit.

Ky moment kulmoi një nga përpjekjet më të mëdha të njerëzimit dhe u ndoq drejtpërdrejt nga miliona shikues në mbarë botën. Vetëm disa ditë më parë, më 20 korrik, Armstrong kishte hyrë në histori me fjalët e tij ikonike: “Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin.

Misioni i Apollo 11 konsiderohet një ndër arritjet më të mëdha shkencore dhe teknologjike të shekullit XX dhe hapi rrugën për misione të tjera në hapësirë. Sot, pas 55 vjetësh, ky sukses mbetet simbol i guximit, bashkëpunimit dhe mundësive të pafundme që ofron shkenca./KultPlus.com

ZA Fest nis sonte në Kalanë e Rozafës: Festival i Artit dhe Muzikës në Shkodër

By: Kult Plus
24 July 2025 at 11:05

Festivali i njohur i artit dhe muzikës, ZA Fest, do të fillojë sonte në Shkodër dhe do të vazhdojë edhe në datat 25 dhe 26 korrik 2025. Ky festival i veçantë, i krijuar nga artisti i njohur Vlashent Sata, do të sjellë një kombinim të pabesueshëm mes artit modern dhe traditës, duke krijuar një eksperiencë unike për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe kulturës.

Në këtë edicion të nëntë, skena e festivalit është vendosur në disa prej vendeve më ikonike të Shkodrës, përfshirë Kalanë e Rozafës, shtëpitë muze në Shkodër, dhe luginën e Thethit, duke ofruar një mjedis magjik për të gjithë ata që do të marrin pjesë. Ky ambient historik do të bashkohet me tingujt e artistëve të njohur dhe do të krijojë një atmosferë të paharrueshme për të gjithë, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë performancat e artistëve të njohur si Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj dhe shumë të tjerë. Ky është një lineup i larmishëm dhe i pasur, që do të ofrojë një gamë të gjerë tingujsh dhe energjie për të gjithë të pranishmit.

ZA Fest është një ngjarje që ka fituar popullaritet vit pas viti, duke u shndërruar në një aktivitet kulturor të pashmangshëm, i cili sjell së bashku dashamirësit e artit dhe muzikës në një festë të vërtetë kulturore./KultPlus.com

‘Fjala është e vogël shumë’

By: Kult Plus
24 July 2025 at 10:57

Poezi nga Odhise Grillo

Fjala është e vogël shumë:
disa shkronja, disa rrokje…
ajo rrjedh si mjaltë e qumësht
midis miqve, midis shokëve.

Fjala është e vogël shumë:
dhe e ashpër, dhe e brishtë…
i ngre valët përceshkume,
kur vërsulet mbi armiqtë.

Fjala është e vogël shumë:
t’ëmbëlson a vret si plumbi…
fjala është si një urë
që lidh brigjet e nje lumi. / KultPlus.com

Rikthehet shkëlqimi i shtëpisë së Hyjnilerëve në Prishtinë – një perlë e trashëgimisë kulturore

By: Kult Plus
24 July 2025 at 10:50

Një nga objektet më të vjetra dhe më të bukura të arkitekturës tradicionale në kryeqytet, shtëpia e Hyjnilerëve, i është rikthyer shkëlqimit të dikurshëm falë një restaurimi të kujdesshëm nga shteti.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi rëndësinë historike dhe simbolike që kjo shtëpi ka për qytetin e Prishtinës. “E ruajtur me fanatizëm ndër shekuj nga familja, kjo perlë e arkitekturës tradicionale do të ruhet dhe do të bartet tek brezat e ardhshëm,” u shpreh Çeku, shkruan KultPlus.

Sipas ministrit, për dy dekada trashëgimia kulturore e Prishtinës ishte lënë në harresë dhe rrezikonte shkatërrimin. “Tani, me përkushtim dhe vëmendje të duhur, po i kthejmë kujdesin që e meriton,” shtoi ai.

Pamjet e publikuara tregojnë ndërhyrjen restauruese të bërë me ndjeshmëri dhe respekt ndaj origjinalitetit të objektit, një ndërtesë karakteristike me elementë druri dhe arkitekturë të pasur ballkanike.

Kjo ndërhyrje vjen si pjesë e një procesi më të gjerë të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë, që përfshin rikonstruksione, restaurime dhe digjitalizime të monumenteve historike në mbarë vendin./KultPlus.Com

‘Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi’

By: Kult Plus
24 July 2025 at 10:28

50 shprehje frymëzuese që do ta motivojnë secilin

“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi.” – Winston Churchill

“Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim.” – Herman Melville

“Rruga te suksesi dhe rruga drejt dështimit janë pothuajse gjithnjë e njëjta.” – Colin Davis

“Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar.” – Henry Thoreau

“Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë.” – Chris Grosser

“Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira për të shkuar drejt një të mire më të madhe.” – John Rockefeller

“Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.” – Thomas Jefferson

“Ka dy tipe njerëzish që do të thonë se nuk mund të bësh diferencën në botë: ata që kanë frikë të provojnë dhe ata që kanë frikë nga suksesi jot.” – Ray Goforth

“Njerëzit e suksesshëm bëjnë atë që njerëzit e pasuksesshëm nuk bëjnë. Mos uro që të ishte më e lehtë, uro që ti të ishe më i mirë.” – Jim Rohn

“Mos u bëj një njeri suksesi, bëhu një njeri vlerash.” – Albert Einstein

“Kurrë mos iu ndaj bindjeve të nderit dhe qëllimit të mirë.” – Wiston Churchill

“Boll ndoqe paratë, ndiq pasionin.” – Tony Hsieh

“Sukses do të thotë të kalosh nga dështimi në dështim pa e humbur entuziazmin.” – Winston Churchill

“Kreditet e suksesit tim ia jap këshillës më të mirë.” – GK Chesterton

“Do të të jap një formulë për suksesin? Është e thjeshtë. Dyfisho normën e dështimit. Po mendon për dështimin si armik të suksesit. Por nuk është e gjitha. Mund të dekurajohesh nga dështimi ose të mësosh nga ai, kështu që vazhdo dhe bëj gabimet e tua. Bëj ç’të jetë e mundur. Kështu e gjen suksesin.” – Thomas Uatson

“Nëse nuk do të rrezikosh të zakonshmen, duhet të përshtatesh me të.” – Jim Rohn

“Ata që janë aq të çmendur sa mendojnë se do ndryshojnë botën, ata e bëjnë.” –Anonim

“Bëj çdo ditë një gjë që të frikëson.” – Anonim

“Progresi i vetëm është të dalësh nga zona e rehatisë.” – Muchael Bobak

“Njerëzit që kanë sukses kanë vrull. Sa më shumë arrijnë, aq më shumë duan të arrijnë, dhe aq më shumë e gjejnë mënyrën për të arritur suksesin.” –Tony Robbins

“Mos lër frikën e humbjes të jetë më e madhe se dëshira për të fituar.” – Robert Kuyoaski

“Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” – Steve Jobs

“Testi i vërtetë nuk është si të shmangësh dështimin, sepse s’do mundesh, por si ta përballosh atë.” – Barack Obama

“I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes.” – Franklin Roosvelt

“Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve dhe gjykimit. Forcohet shpirti, rritet ambicia dhe arrihet suksesi.” – Helen Keller

“E vetmja mënyrë për të filluar është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh.” – Walt Disney

“Luftëtari i suksesshëm është një njeri mesatar por i fokusuar.” – Bruce Lee

“Nuk ka sekrete për suksesin. Është rezultat i përgatitje, punës së shumtë dhe mësimit nga dështimi.” – Colin Powell

“Suksesi duhet të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm vazhdojnë të lëvizin. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë.” – Conrad Hilton

“Nëse me të vërtetë do të bësh diçka do ta gjesh mënyrën. Nëse jo do të gjesh justifikim.” – Jim Rohn

“Nuk mund të të jap formulën e suksesit, por të jap formulën e dështimit që është t’i kënaqësh të gjithë.” – Herbert Suope

“Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e do atë që  bën atëherë do jesh i suksesshëm.” – Albert Schveitzer

“Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë”– I panjohur

“Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë.” – Proverb japoneze

“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të.” – I panjohur

“Nëse e ëndërron mund ta arrish.” – Walt Disney

“Ndryshimi mes asaj që je dhe asaj që do është ajo çfarë bën.” – I panjohur

“Një njeri i suksesshëm është ai që ngre një ndërtesë me tullat që hodhën në drejtim të tij.” – David Brinkley

“Për të patur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga humbja.” – Bill Cobsy

“Për të pasur sukses, në fillim duhet të kemi besim se ne mundemi.” – Niko Kazanzaqis

“Shumë nga dështimet në jetë ndodhin nga njerëz që u dorëzuan duke mos ditur se sa pranë suksesit ishin.” – Thomas Edison

“Mos u huto nga kritikat. Kujto që shumë njerëz kanë ecur vetëm për shkak të atyre që e kafshuan.” – Zig Ziglar

“Sekreti i suksesit është ta bësh gjënë e zakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme” – Jon Rockefeller

“E di që je në rrugën e suksesit nëse bën punën tënde, dhe nuk pret të paguhesh për të.” – Oprah Winfrey

“Ekziston një forcë e madhe brenda çdo njeriu, që kur lëshohet, mund të bëjë çdo dëshirë, çdo ëndërr realitet.” – Anthony Robbins

“Sekreti i suksesit është të dish atë që askush nuk e di.” – Aristotel Onasssis

“Dështova në mënyrën time për të pasur sukses.” – Thomas Edison

“Asgjë të vlefshme që bëra nuk ishte aksidentalisht, as shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht. Jo, kur kam vendosur se çfarë rezultati dua, punoj për të deri kur të vijë.” – Thomas Edison

“I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është vetëm në fjalor.” – Vidal Sassoon

“Vazhdo të ecësh, shanset janë të pengohesh, ndoshta kur nuk e pret. Por nuk kam dëgjuar për një njeri të suksesshëm që të rrëzohet dhe të qëndrojë ulur.” – Charles Kettering/filozofia.al / KultPlus.com

Një grua e pjekur

By: Kult Plus
24 July 2025 at 10:00

RENACER HUMANO / Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua.

“Travel and Tour World” – Tirana, destinacioni i jashtëzakonshëm me kulturë autentike, bukuri piktoreske dhe kuzhinë të shijshme

By: Kult Plus
24 July 2025 at 09:00

Tirana, një destinacion i jashtëzakonshëm – për pushime në qytet – që ofron kulturë autentike, peizazhe piktoreske, kuzhinë të shijshme dhe çmime të përballueshme, në zemër të Shqipërisë, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

Një thesar i fshehur për turistët me buxhet të kufizuar

Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë, po fiton shpejt popullaritet në mesin e vizitorëve që duan të eksplorojnë pa shpenzuar shumë.

Ndërsa vendi shpesh vlerësohet për bregdetin e tij mahnitës, ky xhevahir urban i vendosur në zemër të Shqipërisë po vendoset në qendër të vëmendjes.

Ndërsa shumë turistë po bëhen më të kujdesshëm me shpenzimet e tyre dhe kërkojnë përvoja kuptimplote, Tirana ofron një ndërthurje perfekte të kulturës, çmimeve të përballueshme dhe sharmit natyror.

Ripërcaktimi i një udhëtimi miqësor me buxhetin

Ndërsa kostot e udhëtimeve vazhdojnë të rriten në të gjithë botën, shumë turistë po e zhvendosin fokusin e tyre nga pikat tradicionale turistike në qytete më pak të njohura që ofrojnë po aq shumë – por me më pak para.

Një eksperte e udhëtimeve nga Britania e Madhe vizitoi së fundmi Tiranën.

Në vend që të vizitonte qytete të mbipopulluara me çmime marramendëse, ajo eksploroi kryeqytetin shqiptar – i cili ofron akomodim dhe ushqim të përballueshëm.

Vizitorët mund të eksplorojnë kuzhinën tradicionale shqiptare dhe të shijojnë ëmbëlsirat ballkanike për vetëm 45 qindarka.

Një ndërthurje e kulturës dhe kuzhinës

Ajo që e bën Tiranën një vend kaq magjepsës nuk është vetëm çmimi i përballueshëm, por edhe mënyra se si vizitorët njihen me jetën e përditshme autentike, mjedisin e bukur dhe kulturën ushqimore.

I fshehur midis kodrave dhe vargmaleve, ky qytet ofron një arratisje paqësore së bashku me energjinë e gjallë urbane.

Një destinacion i spikatur për adhuruesit e natyrës është Mali i Dajtit, i vendosur jashtë qytetit, i cili ofron ecje fantastike, pamje panoramike dhe një mënyrë të shkëlqyer për të përjetuar bukurinë natyrore të Shqipërisë.

Kultura e kafeneve të kryeqytetit është një tjetër pikë referimi. Rrugët janë të mbushura me vende për t’u ulur në natyrë, ku vendasit pushojnë në diell, pinë kafe dhe bisedojnë me miqtë.

Ndër vendet më të mira për një vakt të shijshëm vendas është “Kernace Zgare Fatosi”, një vend i njohur që ofron qofte të shijshme, bukë të freskët dhe gatime tradicionale me bazë kosi.

Vendasit sugjerojnë ta vizitoni gjatë muzgut, kur mjedisi bëhet vërtet magjik dhe ushqimi është në formën e tij më të mirë.

“Restorant GjinoKastra” shërben pjata tradicionale, për turistët që janë të hapur ndaj përvojave unike kulinare.

Dhe sigurisht, asnjë vizitë në Tiranë nuk do të ishte e plotë pa provuar një filxhan kafe autentike turke.

Megjithatë, udhëtarët duhet të dinë se kafenetë e qytetit janë gjithmonë plot jetë, një shenjë se sa të rëndësishme janë këto kafene në jetën e përditshme.

Eksploroni zemrën e qytetit

Përtej ushqimit, Tirana është e pasur me vende kulturore dhe monumente historike. Vizitorët mund të zbulojnë një ndërthurje të ndikimeve osmane, italiane dhe të epokës socialiste, të gjitha në një vend.

Disa atraksione që duhen vizituar me patjetër përfshijnë:

Sheshi Skënderbej, qendra e qytetit, që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, e rrethuar nga institucione kulturore.

Kalaja e Tiranës ofron një pamje të rrënjëve osmane të qytetit – e shndërruar në një qendër kulturore dhe kulinare.

Pazari i Ri, një treg në ambient të hapur, plot me prodhime të freskëta, produkte të punuara me dorë dhe shije lokale.

Sofra e Ariut – një vend vërtet unik ku vizitorët mund të darkojnë në një mjedis të qetë që i sjell ata afër natyrës dhe jetës së egër.

Këto vende jo vetëm që pasqyrojnë thellësinë e historisë shqiptare, por gjithashtu u lejojnë vizitorëve të lidhen më thellë me mënyrën lokale të jetesës.

Jeta e gjallë e natës

Një nga transformimet më dramatike të Tiranës ka ndodhur në lagjen e Bllokut.

Dikur një zonë e kufizuar për zyrtarët komunistë, tani është lagjja më e gjallë e qytetit, ku ndodhen disa nga baret, restorantet dhe kafenetë më të mira.

Nëse dëshironi të provoni kokteje, birrë artizanale apo thjesht një ekspres të mirë pas darkës, Blloku i ofron me stil dhe shpirt.

Për një mbrëmje më të relaksuar dhe piktoreske, tarraca në “Hotel Xheko Imperial” ofron pamje marramendëse të horizontit të qytetit.

Është vendi i përsosur për t’u çlodhur dhe për të bërë foto të paharrueshme, veçanërisht gjatë perëndimit të diellit.

Kombinimi i flladit të freskët, pijeve dhe pamjeve panoramike e bën atë një vend të preferuar si për vendasit ashtu edhe për vizitorët e huaj.

Tirana, një nga opsionet më të mira në Evropë

Gjithnjë e më shumë, turistët po kërkojnë destinacione që ofrojnë përvoja autentike, mundësi të përballueshme dhe që janë të paprekura nga turizmi masiv – krahasuar me qytetet tradicionale evropiane. Tirana është pikërisht qyteti që i plotëson këto dëshira.

Ndërsa turistët vazhdojnë t’i japin përparësi komoditetit dhe cilësisë – qytete si Tirana ka të ngjarë të gëzojnë një rritje të vazhdueshme të popullaritetit.

Kjo gjithashtu mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës së qyteteve të mbipopulluara si Parisi, Roma ose Barcelona, duke lejuar që turizmi të shpërndahet në mënyrë më të barabartë dhe të qëndrueshme, në të gjithë kontinentin.

Facebook fshin 10 milionë llogari

By: Kult Plus
23 July 2025 at 23:50

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Meta fshiu deri në 10 milionë llogari, të cilat pretendon se ishin të gjitha për imitim dhe aktivitet spam. Por gjithnjë e më shumë përdorues po pretendojnë se janë shënjestruar pa asnjë arsye.

Më 14 korrik, Facebook njoftoi se dëshiron të “shpërblejë krijuesit origjinalë, jo imituesit”, duke shpjeguar se qëllimi është të pastrojë platformën nga profilet e rreme që paraqiten si autorë të famshëm, si dhe nga ata që përdorin komente dhe aktivitete të rreme për të rritur artificialisht popullaritetin.

Megjithatë, shifrat janë gjigante: 10 milionë profile të fshira, me 500,000 të tjerë me ndalime fitimesh, shtrirje të reduktuar dhe komente të hequra.

Pas njoftimit, mediat sociale u përmbytën me llogari nga përdorues që pretendonin se i kishin humbur llogaritë e tyre – të gjitha pa asnjë bazë. Termi “vala e ndalimit të Meta” u shfaq në Reddit, TikTok dhe rrjetin X, me pretendime se inteligjenca artificiale po i sinjalizonte gabimisht llogaritë reale si shkelëse. Meta konfirmoi se përdor inteligjencën artificiale për të vlerësuar përmbajtjen, por theksoi se nuk kishte prova të gabimeve masive, përveç një problemi teknik që lidhet me grupe të caktuara në Facebook.

Nëse llogaria juaj është me të vërtetë pezulluar ose fshirë, Facebook ju lejon të apeloni brenda 180 ditëve. Platforma deklaron se përdoruesit marrin një njoftim me anë të email-it, si dhe një mesazh kur përpiqen të identifikohen. Megjithatë, ka edhe situata kur një llogari fshihet menjëherë pa paralajmërim, në rast të shkeljeve serioze ose urgjente të rregullave.

Fshirja masive e llogarive ka çuar gjithashtu në shfaqjen e një mashtrimi të ri. Përdoruesit që kërkojnë publikisht ndihmë për llogaritë e humbura shpesh bëhen shënjestra të botëve dhe mashtruesve që paraqiten si “rikuperues” dhe ofrojnë shërbime të rikuperimit të llogarive. Metoda e tyre është gjithmonë e njëjtë: ata kërkojnë qasje në të dhëna, ofrojnë aplikacione të dyshimta ose kërkojnë pagesë.

Meta i paralajmëron përdoruesit të mos klikojnë në lidhjet në mesazhet e dyshimta, por të kontrollojnë mesazhet origjinale në cilësimet e llogarisë së tyre në Facebook. Shkarkimi i aplikacioneve që “ndihmojnë” në rikuperimin e një llogarie pothuajse gjithmonë do të thotë një mashtrim./KultPlus.com

‘Eshtë shenja e shpirtit të rebelimit të kërkosh lumturi në këtë jetë’

By: Kult Plus
23 July 2025 at 23:09

Henrik Johan Ibsen ishte një dramaturg norvegjez dhe drejtor teatri.

Si një nga themeluesit e modernizmit në teatër, Ibsen shpesh quhet “babai i realizmit” dhe një nga dramaturgët më me ndikim të kohës së tij.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura të tij:

“Asnjëherë nuk duhet të vishni pantallonat tuaja më të mira kur dilni për të luftuar për lirinë dhe të vërtetën.”

“Eshtë shenja e shpirtit të rebelimit të kërkosh lumturi në këtë jetë.”

“Mendoj se ju nuk do të kundërshtoni faktin se për momentin njerëzit budallenj janë në një shumicë absolutisht dërrmuese në të gjithë botën.”

“E shihni, çështja është se njeriu më i fortë në botë është ai që qëndron më i vetëm.”

“Ti nuk me ke dashur kurre. Ju keni menduar vetëm se është e këndshme të jesh i dashuruar me mua.”

“Një mijë fjalë nuk lënë të njëjtën përshtypje të thellë si një vepër e vetme.”

“E shihni, ka disa njerëz që dikush i do dhe të tjerë me të cilët ndoshta do të preferonte të ishte me ta.”

“Unë duhet të vendos se kush ka të drejtë – shoqëria apo unë.”

“Burrat më të fortë janë më të vetmuarit.”

“Unë besoj se para çdo gjëje jam një qenie njerëzore e arsyeshme, ashtu si ju-ose, në çdo rast, që duhet të përpiqem dhe të bëhem një.”

“Paraja mund të jetë lëvozhga e shumë gjërave, por jo thelbi. Ju sjell ushqim, por jo oreks; mjekim, por jo shëndet; njohje, por jo miq; shërbëtorë, por jo besnikëri; ditë gëzimi, por jo paqe apo lumturi.”

“Nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar nga babai dhe nëna jonë që ecën në ne. Janë të gjitha llojet e ideve të vdekura, dhe besimet e vjetra pa jetë, e kështu me radhë. Ato nuk kanë vitalitet, por na ngjiten të gjithë njësoj, dhe ne nuk mund t’i heqim qafe.”

“Opinioni publik është një gjë jashtëzakonisht e ndryshueshme.”

“Me mua mund të ishe një person tjetër.”

“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe lirisë mes nesh është shumica kompakte.”

“Kafazoni një shqiponjë dhe do të kafshojë telat, qofshin ato hekuri ose ari.”

“Është çlirim të dish se një akt guximi spontan është ende i mundur në këtë botë. Një akt që ka diçka të bukurisë së pakushtëzuar.”

“Jeta e një personi është një çmimi i rëndë për të paguar që lindëm.”

“Unë jam në revoltë kundër gënjeshtrës shekullore se shumica ka gjithmonë të drejtë.”

“Ka kaq shumë gënjeshtra si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Në shtëpi nuk duhet të flasësh, dhe në shkollë duhet të qëndrojmë dhe t’u themi gënjeshtra fëmijëve.”

“Unë do të rrezikoj gjithçka së bashku me ty.”

“Ka njerëz që i do dhe të tjerë me të cilët të pëlqen të flasësh.”

“Mos më thuaj që hëna po shkëlqen; më trego dritë që shkëlqen në xhamin e thyer.”

“Kushdo që e ka shitur veten për dikë tjetër nuk do ta bëjë përsëri.”

“Njerëzit duan vetëm revolucione të veçanta, në ato të jashtme, në politikë, etj. Por kjo është vetëm ngatërrim. Ajo për të cilën vërtet kërkohet është një revolucion i mendjes njerëzore.”

“Çdo gjë që prek duket se është e destinuar të kthehet në diçka të poshtër dhe farsë.”

“Idhulli i Autoritetit duhet të thyhet në këtë qytet.”

“Shumica gabon gjithmonë; pakica ka rrallë të drejtë.”

“Janë humbjet e vogla në jetë që e prenë zemrën.”

“Burrat janë personazhe qesharakë, ata gjithmonë duhet të kenë diçka për t’i habitur.”

“Ti ke bërë një vend bosh brenda meje; dhe duhet të përpiqem ta mbush me diçka – me diçka që është paksa si dashuria.”

“Mendova se e kuptove se ku e kisha humbur atë që ti e quaje zemrën time në atë kohë.”

“Sado i mjerë të ndihem, dua të zgjas agoninë sa më gjatë që të jetë e mundur. Të gjithë pacientët e mi janë të tillë. Dhe kështu janë ata që janë të sëmurë moralë ..”

“Zot i mirë, njerëzit nuk bëjnë gjëra të tilla!”/ KultPlus.com

❌
❌