Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 July 2025Main stream

Tirani që s’vdes kurrë/ ‘Jul Cezari’ pushton Splitin nën regjinë e Qëndrim Rijanit

By: Kult Plus
31 July 2025 at 17:18

“Jul Cezari” si reflektim i tiranisë moderne në vizionin e Rijanit

Teatri Kombëtar i Splitit dhe Festivali “Vera e Splitit” i kanë besuar regjisorit Qëndrim Rijani një ndër tri shfaqjet më të rëndësishme të vitit në Kroaci. “Jul Cezari” do të pushtojë skenën  në Pallatin e Dioklecianit më 8 gusht, derisa do të përmbyll edhe edicionin e 71-të të  Festivalit Veror të Splitit, shkruan Alsat.

“Jul Cezari” nën direktivat e regjisorit shqiptar Qëndrim Rijani do të jetësohet nga  Ansambli i Dramës Split .

Në një intervistë të dhënë për Festivalin e Verës në Split, bëhet me dije se Rijani do të sjellë në Split një inskenim të ri të “Jul Cezarit” të Shekspirit, një dramë politike aktualiteti i së cilës nuk shuhet kurrë.

Në dramën e Shekspirit “Jul Cezari”, vritet që në gjysmën e dramës, por prania e tij vazhdon të përndjekë pjesën tjetër të shfaqjes.

Derisa Rijani, në këtë intervistë tregon se ideja e tij ishte për të ndërtuar dy “jetë paralele” – jetën e të gjallëve dhe jetën e të vdekurve.

“Shekspiri e shkroi këtë vepër për publikun anglez të shekullit XVI, duke përdorur një episod historik të shekullit I para Krishtit për të transmetuar mesazhe politike për kohën e vet dhe për popullin e tij. Kjo pikë ishte baza e rëndësishme si për mua ashtu edhe për dramaturgen tonë të shkëlqyer, Karla Leko. Në adaptimin tonë ne udhëtojmë nëpër kohë: drama nis në shekullin I para Krishtit dhe përfundon në shekullin XX. Nga ky udhëtim lindi edhe ideja ime për të ndërtuar dy “jeta paralele”: jetën e të gjallëve dhe jetën e të vdekurve. Pra, jo vetëm shpirti i Cezarit, por edhe të gjithë personazhet që vriten gjatë shfaqjes nuk e lënë skenën. Ata mbeten të pranishëm, vazhdojnë veprimin artistik dhe krijojnë një botë paralele brenda veprës. Shekspiri e mbajti të “gjallë” shpirtin e Cezarit për të na kujtuar se krijesa e tij ideologjike – tirania – vazhdon të jetojë”, tha Rijani.

Rijani, po ashtu tregoi se në shfaqjen “Jul Cezari”, trupat e aktorëve janë si gurë shahu në një lojë politike, duke theksuar kështu që lëvizjet e tyre nuk janë të rastësishme.

“Në “Jul Cezari”, trupat e aktorëve janë si gurë shahu në një lojë politike. Lëvizjet e tyre nuk janë të rastësishme – ato janë të koduara, rituale, siç janë edhe maskat që përdorim për të shprehur transformimin e tyre të brendshëm. Kori është një entitet i gjallë që merr forma të ndryshme dhe i jep publikut ndjesinë e presionit kolektiv, të opinionit publik që lëviz si një masë e verbër, por e rrezikshme”, u shpreh regjisori Rijani.

Kjo shfaqje ngjashëm si shfaqjet e tjera që Rijani, ka inskenuar ndonëse ka një tekst të shkruar në shekullin XVI, flet mjaft qartë edhe për të tashmen, për shekullin XXI. Kjo sipas asaj që e thotë edhe vet regjisori Qëndrim Rijani, se “në këtë shfaqje nuk ka kostume historike, nuk ka ndarje të qartë kohore – sepse e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë njësoj kur bëhet fjalë për tiraninë”.

Kujtojmë sërish se premiera vjen më 8 gusht me fillim nga ora 21:00 në skenën e re në Portën e Argjendtë, derisa reprizat do të vazhdojnë nga 9 gusht e tutje./ Alsat.mk/ KultPlus.com

Masat e Policisë së Kosovës për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’

By: Kult Plus
31 July 2025 at 17:15

Policia e Kosovës ndërmerr masa në aspektin e sigurisë, për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale-Prishtinë, ka ndërmarrë të gjithë hapat e duhur të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet nga data 01.08.2025 deri më 03.08.2025, në fshatin Bërnicë të komunës së Prishtinës, përcjellë KultPlus.

Marrë parasysh rrethanat që karakterizojnë festivalin, policia ka angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë me detyra specifike në zonën ku do të mbahet festivali, shtuar këtu edhe zyrtarët e tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në gjithë rajonin e përgjegjësisë.

E gjithë infrastruktura policore e angazhuar në këtë drejtim me vëmendje të shtuar do të monitoron rrjedhën e kësaj ngjarjeje duke qenë e gatshme për të trajtuar gjithçka që kërkohet brenda autorizimeve dhe kompetencës policore.

Angazhimet policore do të shtrihen në disa nivele, përfshirë:

Parapërgatitjen dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative policore në terren, në mënyrë që festivali të zhvillohet në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike;

Shtimin e masave preventive dhe operative-policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit;

Sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës ku do të zhvillohet festivali;

Rregullimin dhe kontrollin e trafikut rrugor përreth zonës së festivalit, përfshirë ndalesa të përkohshme, bllokime ose riorientime të rrugëve, varësisht nga nevoja;

Monitorimin e rendit publik për të parandaluar çdo sjellje asociale, të paligjshme apo të dëmshme për sigurinë kolektive;

Identifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate ligjore me Prokurorinë e Shtetit ndaj të gjithë personave të cilët bien ndesh me ligjin;

Praninë e shtuar të patrullave në zonat përreth, për të rritur ndjesinë e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët;

Ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore operative dhe hetimore, sipas ligjit dhe në varësi të situatës apo kërkesave që mund të paraqiten gjatë operacionit;

Koordinimin me organizatorët dhe institucionet e tjera për të siguruar reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo situate të papritur.

Për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin do të ketë bllokime të plota apo të pjesshme të rrugëve që qojnë për në zonën ku mbahet festivali si dhe ri-drejtim të trafikut rrugor, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik.
Për shkak të kufizimeve hapësinore të ndërlidhura edhe me faktorë të sigurisë dhe cilësisë së qarkullimit rrugor, do të ketë ndalimqarkullimi për të gjitha mjetet motorike në perimetrin e afërt ku do të zhvillohet festivali. Përjashtimisht do të lejohen automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve si dhe mjetet e autorizuara/akredituara në shërbim të festivalit.

Varësisht nga rrjedha e situatës në terren mund të paraqiten rrethana që kërkojnë veprime të tjera policore në funksion të ri drejtimit të trafikut apo orientimit të pjesëmarrësve, porse në të gjitha rastet qytetarët do të instruktohen nga policët në pikat e caktuara./KultPlus.com

Harrison Ford, prania e Michael J. Fox në “Shrinking” është thelbësore

By: Kult Plus
31 July 2025 at 17:00

Harrison Ford është mirënjohës për praninë e Michael J. Fox në sezonin e tretë të serialit “Shrinking”, duke e konsideruar si thelbësore për zhvillimin e karakterit të tij.

Në një intervistë për Variety, aktori i njohur i “Indiana Jones” u shpreh:
“Ai më jep një përfaqësim fizik të sëmundjes për t’u informuar, por më shumë se kaq, më ndihmon të besoj që Paul mund të ndjejë se është i aftë të përballet me këtë sfidë.”

Fox, i cili u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit në moshën 29-vjeçare, ka qenë një figurë kyçe në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje, si dhe themelues i Michael J. Fox Foundation në vitin 2000, që punon për të gjetur një kurë dhe për të përmirësuar terapitë.

Karakteri i Ford në serial, Paul, u diagnostikua me Parkinson që në sezonin e parë, dhe sezoni i tretë do të përqendrohet në përballjen e tij me përparimin e sëmundjes, pikërisht aty ku roli dhe përvoja e Fox bëhen thelbësore.

“Guximi, vendosmëria dhe fisnikëria e Michael janë të gjitha të pranishme. Ai është i zgjuar, trim, i ndershëm, bujar, plot pasion, një shembull për të gjithë ne, qoftë që përballemi me Parkinsonin apo jo,” tha Ford.
“Nuk mund të mos e njohësh sa i mrekullueshëm është ai.”

Duke folur për rëndësinë e trajtimit të saktë të temës, Ford shtoi:
“E vërteta është që nuk mund të bëjmë shaka me këtë. Parkinsoni nuk është për të qeshur. Dua ta tregoj drejt. Është e nevojshme që ta paraqesim me respekt sfidën që kjo sëmundje përfaqëson, pa e përdorur për vlerë argëtimi.”

“Shrinking”, me aktorë si Jason Segel, Jessica Williams dhe vetë Ford, ndjek jetën e Jimmy (Segel), një terapist që pas vdekjes së gruas nis të aplikojë metoda jo tradicionale në punën e tij, duke ndikuar ndjeshëm si jetën e klientëve të tij, ashtu edhe të vetën.

Ford tha se historia e Parkinsonit do të jetë një nga linjat kryesore të sezonit të ri:
“Ai e di që po përkeqësohet. E di që do të përballet me kushte fizike më të vështira se ato që ka tani. Po hyn në një fazë të jetës që është mister për të, por ka një partnere, karakterin që luan Wendie Malick.”

Sezoni i tretë i “Shrinking” pritet të publikohet këtë vjeshtë në AppleTV+./CNN/KultPlus.com

Jenna Ortega, fama nga ‘Wednesday’ ishte përtej çdo parashikimi

By: Kult Plus
31 July 2025 at 16:35

Jenna Ortega ka rrëfyer se fama që erdhi pas suksesit të jashtëzakonshëm të serialit “Wednesday” në Netflix ishte “shumë e madhe” dhe ndonjëherë mbingarkuese. Seriali që debutoi në vitin 2022 u bë më i shikuari në historinë e platformës Netflix, duke e kthyer Ortegan në një yll ndërkombëtar.

Në një intervistë, aktorja 22-vjeçare shprehet: “Jam shumë mirënjohëse që seriali rezonoi me njerëzit në atë mënyrë, por nuk isha e përgatitur për gjithë këtë vëmendje. Nuk mendoj se ndonjë është ndonjëherë i përgatitur për një gjë të tillë.”

Sezoni i dytë i serialit, që publikohet javën që vjen, rikthen Wednesday Addams në Akademinë Nevermore, tashmë nën drejtimin e një drejtori të ri. Prindërit e saj, Gomez dhe Morticia, do të kenë një rol më të theksuar, çka do të sjellë më shumë thellësi në dinamikën familjare dhe një tjetër lloj “torture” për një vajzë të pavarur si Wednesday.

Ortega vlerëson marrëdhënien komplekse mes Wednesday dhe nënës së saj, Morticia, të luajtur nga Catherine Zeta-Jones, duke theksuar se konflikti mes nënës dhe vajzës është diçka shumë e zakonshme dhe e ndjeshme për të rinjtë që kërkojnë të gjejnë veten.

Aktorja ka luajtur edhe në projekte si “Beetlejuice Beetlejuice”, “Death of a Unicorn”, “Scream” dhe “You”, por roli i Wednesday mbetet më i njohuri. Këtë sezon, Ortega shërben edhe si producente ekzekutive, një përvojë që e përshkruan si “shkollë të vërtetë”.

Sipas saj, pritja prej për sezonin e dytë i ka dhënë kohë audiencës të reflektojë, dhe skuadrës krijuese të sjellë diçka më të thellë. “Njerëzit kanë qenë shumë të duruar me ne dhe ne duam t’i shpërblejmë me diçka të re dhe më emocionuese.”

Në kastin e ri do të shfaqen edhe emra të njohur si Joanna Lumley (gjyshja Hester Frump), Steve Buscemi (drejtori Barry Dort) dhe Billie Piper (kryetarja e muzikës Isadora Capri).

Ortega thekson se suksesi i serialit lidhet edhe me temat që trajton, si nevoja për komunitet në një kohë ku gjithçka ndodh në mënyrë virtuale. “Sot njerëzit e gjejnë komunitetin online, por shpesh kjo krijon ndjesi izolimi. Është më e vështirë për të rinjtë të kuptojnë kush janë në të vërtetë,” thotë ajo.

Zeta-Jones shton: “Familja Addams është moderne sepse përqafon të veçantën. Ne nuk e fshehim, përkundrazi, e mbështesim.”

Ortega përmbyll: “Ka shumë forcë në të qenit vetvetja. Kjo familje i jep përparësi lidhjes mes tyre, pasioneve personale dhe forcës së brendshme dhe kjo është ajo që duhet të shohin të rinjtë sot.”/BBC/KultPlus.com

‘Të dua për të gjitha gratë që nuk i dashuroj’

By: Kult Plus
31 July 2025 at 16:16

Poezi nga Pol Elyar

Të dua

Të dua për të gjitha gratë që nuk i njoha
Të dua për të gjitha kohërat që nuk i jetova
Për kundërmimin e detit të gjerë dhe për kundërmimin
e bukës së ngrohtë
Për borën që shkrin për lulet e para
Për kafshët e dëlira që njeriu nuk i tremb
Të dua për dashurinë
Të dua për të gjitha gratë që nuk i dashuroj
Kush më pasqyron veç teje vetveten e shoh fare pak
Pa ty shoh veç një hapësirë të shkretë
Midis dikur dhe sot
Qenë gjithë ata të vdekur që i kapërceva
duke ecur mbi kashtë
Nuk mund ta shpoja murin e pasqyrës sime
M’u desh ta mësoja fjalë për fjalë
Ashtu siç harron njeriu
Të dua për urtësinë tënde që nuk e kam
Për shëndetin
Të dua përkundër gjithçkaje që është iluzion
Për këtë zemër të pavdekshme që nuk venitet
Ti pandeh se je dyshimi dhe je vetëm arsyeja
Ti je dielli i madh që më ngjitet në kokë
Kur jam i sigurt në vetvete. / KultPlus.com

E famshme, por jo e dashur – kjo aktore shpallet ndër më të papëlqyerat

By: Kult Plus
31 July 2025 at 15:58

Në një biografi të re të Gwyneth Paltrow, të titulluar “Gwyneth: Biografia”, shkruar nga Amy Odell, gazetarja dhe autorja i shpjegoi BBC-së se si aktorja fituese e çmimit Oscar u bë një “ikonë përçarëse” dhe pse ajo është “një nga personazhet e famshëm më të papëlqyera në botë”.

Siç thuhet në raportin e BBC-së, i cili prezanton intervistën: “Paltrow ka qenë subjekt i ironisë dhe admirimit që nga vitet 1990 – që nga marrëdhënia e saj publike dhe ndarja me Chris Martin deri te gjyqi i saj shumë i diskutuar për një aksident me ski në vitin 2023. Por ishte transformimi i saj në një sipërmarrëse Wellness përmes kompanisë së saj Goop që e çoi atë në një nivel tjetër të famës.”

“Gwyneth ka arritur të bëhet edhe më irrituese”, shkroi Guardian në vitin 2008, kur u lançua Goop. Që atëherë, shumë nga idetë e promovuara të markës – duke përfshirë produktet dhe “trajtimet” pa bazë shkencore – janë kritikuar ashpër. Në vitin 2020, kreu i Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar e quajti Goop “një platformë për sharlatanë dhe mashtrues”.

Në një intervistë, Paltrow i hodhi poshtë kritikat me indiferencë. “Nuk do ta kuptoj kurrë këtë nivel obsesioni dhe publiciteti. Por ne nuk duam të ndalojmë së ndryshuari bisedën vetëm për t’i pëlqyer të gjithëve”, tha ajo, duke shtuar se pavarësisht mungesës së provave shkencore për produktet e Goop, praktikat joshkencore kanë ekzistuar për “mijëra vjet”.

Në librin e saj të ri, gazetarja Amy Odell e përshkruan Paltrow si “një nga personazhet e famshëm më të papëlqyer në botë “. Edhe pse vetë Paltrow nuk mori pjesë, Odell foli me më shumë se 220 miq, bashkëpunëtorë dhe profesionistë të industrisë për të krijuar një portret të gruas që kaloi nga “vajza e Brad Pitt” në një markë globale të njohur.

Libri vjen pas veprës së mëparshme të Odell, Anna: The Biography (2022), rreth kryeredaktores së Vogue, Anna Wintour. Paralelet midis dy grave janë të dukshme: të dyja kanë ambicie të mëdha, personalitete më të mëdha se jeta, dhe kjo është arsyeja pse ato ishin kaq tërheqëse për autoren./io/

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë merr pjesë për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin

By: Kult Plus
31 July 2025 at 15:45

Autorë, botues dhe lexues nga mbarë rajoni u mblodhën në Panairin e Librit në Ulqin, për të festuar gjuhën dhe kulturën shqipe.

Me sloganin “Një klik larg dijes”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u prezantua për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin, duke promovuar botimet e saj bibliografike e shkencore studimore, tanimë edhe të digjituara online.

Kryefjala e këtij panairi ishte informimi për të gjithë lexuesit, kërkuesit shkencorë dhe të interesuarit në koleksionet e digjituara bibliotekare, thesaret e Bibliotekës Kombëtare, dhe mënyrës së ruajtjes dhe promovomit të koleksioneve, duke mundësuar bashkëpunime në të ardhmen midis kësaj biblioteke dhe qyteteve ku flitet shqip.

Ky ishte edicioni i 24-të i Panairi i Librit në Ulqin që u zhvillua përgjatë 5 ditëve (27-31 korrik) dhe mori një vëmendje të lartë si nga botuesit, ashtu edhe nga lexuesit e thjeshtë./atsh/KultPlus.com

Ambasada e SHBA përshëndet aktivizimin e Apple Pay në Kosovë: Një hap i madh për ekonominë dixhitale

By: Kult Plus
31 July 2025 at 15:24

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur me entuziazëm aktivizimin e Apple Pay në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dixhitale të vendit.

Përmes një postimi zyrtar, Ambasada ka theksuar se janë krenarë për mbështetjen që kanë ofruar për realizimin e këtij momenti historik për sektorin financiar dhe digjital të Kosovës.

“Lajm i madh për ekonominë dixhitale të Kosovës: Apple Pay tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ambasada e SHBA-së është krenare që ka mbështetur këtë hap të rëndësishëm, i cili pasqyron rolin në rritje të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës. Ky moment historik përparon qëllimet e Kosovës për rritje ekonomike, përfshirje financiare dhe modernizim dixhital, duke ndihmuar që vendi të bëhet edhe më tërheqës për investimet dhe inovacionin amerikan”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Apple Pay, një nga shërbimet më të njohura ndërkombëtare për pagesa dixhitale, është tani i disponueshëm edhe në Kosovë, duke mundësuar përdorimin e tij për të kryer pagesa të shpejta dhe të sigurta pa kontakt. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se ky shërbim është tani i lidhur me kartelat e bankave dhe institucioneve financiare të vendit, duke i mundësuar qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë pagesa përmes pajisjeve Apple (si iPhone dhe Apple Watch).

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) theksoi se, “Falë kësaj risie, bankat dhe institucionet financiare në vend mund të lidhin kartelat e tyre me platformën Apple Pay, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve të tyre Apple.”

Ky zhvillim do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve financiare dhe do të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare dhe modernizimin e sektorit të pagesave në vend. Me një shërbim të njohur ndërkombëtarisht dhe të besueshëm, Apple Pay ka mundësinë të transformojë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset kosovarë kryejnë transaksione, duke i ofruar një mundësi më të shpejtë dhe më të sigurt.
Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën, që rrit potencialin e saj për të tërhequr më shumë investime dhe për të fuqizuar zhvillimin ekonomik përmes inovacionit dhe përfshirjes financiare./KultPlus.com

Gonxhja: Konispoli shpallet Ansambël Historik

By: Kult Plus
31 July 2025 at 15:11

Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.

“Ky vendim i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë”, shkroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një publikim në rrjetet sociale.

Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë. Banesat e tij tradicionale, datojnë në shek. XIX-XX. Në të ka gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri dhe lagje me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave.

“Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë”, u shpreh ministri Gonxhja, sipas të cilit, vendimi i sotëm vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta./atsh/KultPlus.com

Familjarët, miqtë dhe fansat i japin lamtumirën legjendës së muzikës, Ozzy Osbourne

By: Kult Plus
31 July 2025 at 14:56

Të mërkurën, më 30 korrik, familjarët dhe miqtë e “princit të errësirës”, Ozzy Osbourne morën pjesë në lamtumirën e fundit të yllit të muzikës në qytetin Birmingham të Anglisë, ndërsa fansat mbushën rrugët e qytetit të tij të dashur për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Familjarët e të ndjerit vizituan “Broad Street”, ku ndodhen ura dhe stoli e Black Sabbath, të kthyera në një memorial publik për këngëtarin e “Crazy Train”, me lule, foto dhe mesazhe nga admiruesit.
Pjesë e funeralit madhështor ishte edhe një performancë live nga grupi lokal Bostin’ Brass, i cili interpretoi këngën “Iron Man”.
Arkëmorti i Ozzy-t ishte zbukuruar me lule të purpurta që krijonin emrin e tij, ndërsa fansat i hidhnin lule makinës së varrimit dhe brohorisnin “Ozzy, Ozzy”.

Makina e zezë e funeralit ndaloi më pas në urën e Black Sabbath, ku familja, përfshirë edhe nipërit dhe mbesat e Ozzy-t, zbriti për të parë homazhet për rreth 5 minuta, sipas pamjeve të transmetuara nga BBC.
Fansat bërtisnin “Të duam, Sharon”, ndërsa gruaja e pikëlluar e Ozzy-t, Sharon Osbourne, u shfaq zemërthyer, teksa ngushëllohej nga vajza e saj Kelly Osbourne, e cila e mbante për dore. Djemtë Jack Osbourne dhe Louis Osbourne, si dhe vajza Aimee Osbourne ishin gjithashtu pranë saj dhe dukeshin tejet të prekur teksa shikonin homazhet.

Familjarët, të gjithë të veshur me të zeza, bënë shenjën e paqes ndaj turmës që brohoriste, përpara se të kryenin homazhet e tyre.

Ozzy u të varros në një ceremoni private gjatë ditës së djeshme (30 korrik) në Buckinghamshire.
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik dhe familja, me trishtim të thellë bëri me dije se i dashuri i tyre u nda nga jeta, i rrethuar nga dashuria.
Disa javë përpara vdekjes, Ozzy performoi në koncertin e fundit të Black Sabbath, duke shënuar ribashkimin e tij të parë me grupin pas 20 vitesh. Ai nuk mund të ecte për shkak të sëmundjes së Parkinsonit.

Një burim tha për People në korrik se familja po planifikonte një “funeral të vogël dhe privat” për “princin e errësirës”, së bashku me një memorial publik dhe një koncert nderimi në të ardhmen.

“Ata janë shumë mirënjohës për kohën e veçantë familjare që patën së bashku përpara se Ozzy të ndërronte jetë. Po planifikojnë një funeral të vogël dhe privat që do të jetë një kremtim i jetës së tij,” tha burimi në atë kohë, duke shtuar: “Ozzy nuk do të donte kurrë një ceremoni të trishtuar.”/KultPlus.com

“Nëse arrini të kujdeseni për veten dhe pastaj të arrini të kujdeseni për dikë tjetër, atëherë keni zbuluar kuptimin e jetës”

By: Kult Plus
31 July 2025 at 14:41

Thënie të vlefshme për jetën

Mundohem të jem gjithnjë vigjilent dhe i hapur për atë që jeta më sjell.
Kjo që jetojmë nuk është provë, është jeta jonë.

Nëse arrini të kujdeseni për veten dhe pastaj të arrini të kujdeseni për dikë tjetër, atëherë keni zbuluar kuptimin e jetës.

Në jetë të trajtojnë ashtu siç i mëson ti të tjerët të të trajtojnë.
Sepse thjesht disa njerëz janë kaq shumë të veçantë, i’a vlen të jetosh, vetëm dhe vetëm për t’i takuar, dikur …

Takoni qindra njerëz dhe askush nuk ju prek me të vërtetë. Dhe pastaj, takoni një njeri dhe tërë jeta juaj ndryshon përgjithmonë.

Ne jetojmë në një periudhë historike kur ndryshimi është aq i shpejtë saqë fillojmë të shohim të tashmen kur ajo tashmë po largohet.

Kur ndjeni se keni arritur në fund
dhe nuk mund të merrni një hap më tej,
kur jeta duket se ka drenazhuar nga çdo qëllim,
çfarë mundësie e mrekullueshme për të filluar përsëri nga fillimi,
për t’u kthyer një faqe të re!

“Mënyra më e mirë për të jetuar me nder në botë, është të jesh ajo që vërtet jeni, dhe nëse vëreni, do të shihni se të gjitha virtytet njerëzore rriten dhe forcohen me praktikë. “

Kur të fitosh jetën duke luajtur piano, duhet të dish të vlerësosh gishtat.

Nëse nuk jeni zotërues i rrjedhës së jetës tuaj, kjo do të thotë që ju lejoni që ekzistenca juaj të jetë një aksident.

Keni lindur me fletë, pse e kaloni jetën tuaj duke u zvarritur.

-” Gjithkush ka një person në këtë jetë.
Dhe le të mos jetë si në filma.
Dhe le të mos përfundojnë së bashku.

Le të takohen fshehurazi, duke u thënë gënjeshtra të gjithëve.

Dhe le të humben për muaj të tërë dhe pastaj të takohen përsëri.

Njeriu juaj është dikush që lidhet me ju në mënyrë magjike,
pa përpjekje, me intimitet që ju frikëson që nga fillimi “.

Jeta fillon në të 40-tat. Por do të humbni pjesën më të mirë nëse prisni deri atëherë.

Prano ritmin e jetës. Është ashtu si nata dhe dita: ditën punoni, natën pushoni. Nëse jeni me të për një-dy orë, e shijon, por pastaj doni të arratiseni sepse uria është zhdukur dhe ju ndiheni të kënaqur.

Nëse nuk mund të jesh lapsi që vizaton buzëqeshjen në jetën e atyre që do,
atëherë bëhu goma që fshin vuajtjet e tyre.

Para se të gjykosh jetën time, të kaluarën time, karakterin tim…

Vish këpucët e mia dhe shkel nëpër shtigjet që ka kaluar jeta ime. Jetoje me “shpirtin tim”, me “dyshimet e mia”, me “frikën time”, me “dhimbjen time”.

Dhe kur të keni jetuar jëtën time, atëherë dhe vetëm ju jap të drejtën të gjykoni jetën time!!!

Ju mund të ikni nga shumë gjëra në jetë, por nuk mund të largoheni nga vetja. Çelësi i lumturisë është të kuptosh dhe të pranosh se kush je.

Në jetë, të besosh ata që mund të dallojnë këto tre gjëra:
Dhimbjen që fsheh pas një buzëqeshje….
Dashurinë që fsheh kur shpreh zemërimin tënd….
Dhe…fjalët që fsheh brenda heshtjes tënde….

Askush nuk do të ndërtojë për ju një urë nga ku ju, dhe vetëm ju, duhet të kaloni lumin e jetës.

Ndoshta do të harrosh nesër fjalët e mira që i the dikujt sot, por marrësi mund t’i rikujtojë gjatë gjithë jetës së tij.

Ndonjëherë jeta krijon situata, ku thjeshtësia dhe sinqeriteti kalojnë si një dinakëri e imët.

Mund të jetojmë pa luks-e, por nga momenti që e arritëm, nuk është në natyrën tonë ta braktisim me vullnetin tonë. 

Shumë pak janë ata që jetojnë të sotmen. Shumica po përgatitet të jetojë më vonë.
Dhe në qoftë se ju nuk mund ta bëni jetën tuaj ashtu siç dëshironi, përpiquni të paktën sa më shumë që mundeni: mos e përulni atë në afinitetin e shumtë të botës, në shumë lëvizje dhe fjalime
Njeriu është pjesë e një tërësie që e quajmë “univers”. Qëllimi ynë duhet të jetë të zgjerojmë rrethin e dashurisë dhe të përqafojmë të gjitha qeniet dhe gjithë bukurinë e botës.
Albert Einstein
Është gabimi ynë të kërkojmë kuptimin e jetës në këtë botë, pikërisht sepse misioni ynë themelor këtu është ta krijojmë atë
Jeta në tokë është shumë e këndshme për këdo që gjen kuptim në shëmtinë.
Dy janë rregullat për një jetë plot harmoni: së pari, mos u torturoni për gjëra të vogla. Së dyti, gjithçka është gjë e vogël.
Po aq e vështirë është të jetoni me atë që doni, si dhe ta doni atë me të cilin jetoni.
Nëse jeta është një lule, kujtimet janë parfumi i saj.
Ne jetojmë në një kohë kur gjërat e kota janë nevojat tona të vetme.
Jetoj vetëm sepse nuk dua të vuaj.
Lehtësitë e shumta të jetës moderne e kanë bërë jetën të vështirë për njeriun.
Jeta shpesh i ngjan një anije të mbytur, copat e të cilës janë miqësia, lavdia, dashuria. Brigjet e ekzistencës njerëzore janë mbushur me to.
Duhet të jetojmë ashtu siç mendojmë, ndryshe do të mendojmë ashtu si jetojmë.
Në këtë palo-jetë na sjellin pa na pyetur dhe na përzënë pa e dëshiruar.
Duke u përpjekur të jetoni në harmoni me të tjerët, përfundoni në mosmarrëveshje me veten.
Në jetën tënde të jesh gjithmonë përzgjedhje dhe jo nevojë.
Para se të qani për dashuritë e humbura, shkoni ne spitale të shikoni si qajnë për jetët e humbura.
Jeta është e mbushur me pyetje, por idiotët kanë të gjitha përgjigjet. /KultPlus.com

Disa fjalë për një fotografi

By: Kult Plus
31 July 2025 at 14:22

Disa fjalë për një fotografi

Prof. Burim Myftiu

Kjo fotografi minimaliste, që kujton gjuhën poetike vizuale të Denis Curti-t, kap një koreografi të përmbajtur të figurave njerëzore të shpërndara mbi një peizazh të gjerë me dallgë dhe rërë të tërhequr. Skena është e qetë, por thellësisht evokuese, një studim elegant mbi përmasën, vetminë dhe përkohshmërinë.

 Curti, i njohur për ndjeshmërinë e tij kuratoriale dhe syrin e rafinuar fotografik, me gjasë do ta vlerësonte kompozimin e balancuar të kësaj pamjeje dhe mënyrën se si figurat, të vogla dhe të përhumbura, treten në teksturat abstrakte të rërës dhe ujit. Secili njeri duket i pezulluar në mendime, prania e tyre si e brishtë ashtu edhe ritmike përballë këtij kanavaci natyror. 

Në kontrast me tablotë monumentale dhe hiper-detajuar të Andreas Gursky-t, ku arkitektura, tregtia dhe shoqëria bashkohen në një kompleksitet vizual mbingarkues, kjo fotografi anon nga e përkohshmja dhe meditativja. Ndërsa Gursky shpesh e sfidon shikuesin të përballet me përmasën e madhe të sistemeve dhe strukturave, kjo pamje fton në qetësi dhe reflektim. Megjithatë, të dy ndajnë një magjepsje të përbashkët me gjurmët njerëzore në peizazhe të pafundme, njëri përmes madhështisë dhe dendësisë, tjetri përmes mungesës dhe hapësirës negative.  Nëse Gursky kap spektaklin kolektiv, kjo fotografi e frymëzuar nga estetika e Curti-t, ashtu si vetë etosi i tij kuratorial, vlerëson lirikën e të pavërejturës dhe të përzemërtës.

Denis Curti, një emër i shquar në botën e fotografisë, i cili mban një sërë rolesh prestigjioze: ai është drejtor artistik i Le Stanze della Fotografia në Venecia; përfaqësues o sektorit të fotografisë në Marsilio Editore; drejtor dhe themelues i STILL, një galeri fotografike me bazë në Milano; drejtor artistik i Capri Photography Festival; drejtor artistik i Montefano Photography Festival: Premio Ghergo; drejtor i revistës online Black Camera; si die drejtor artistik i Deloitte PhotoGrant. Nga viti 2018 deri në vitin 2022, Curti ishte drejtor i revistës mujore IL FOTOGRAFO. Përpara këtij roli, nga viti 2005 deri në 2014, ai ishte drejtor i Contrasto – Milano dhe nënkryetar i Fondazione Forma në Milano./KultPlus.com

Granit Xhaka prezantohet zyrtarisht në Sunderland

By: Kult Plus
31 July 2025 at 14:03

Granit Xhaka, një nga futbollistët më të njohur kosovarë, është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i Sunderland. Pas kalimit të suksesshëm të testeve mjekësore, Xhaka firmosi një kontratë me klubin anglez që e lidh atë deri në vitin 2028.

Sipas raportimeve të Sky Sports, Sunderland ka paguar një shumë prej 17 milionë euro për transferimin e mesfushorit kosovar. Ky transferim e rikthen Xhakën në Premier League pas vetëm dy vitesh, duke i dhënë atij mundësinë për të shfaqur edhe një herë aftësitë e tij në ligën më të fortë të botës.

Gjatë prezantimit të tij, Xhaka ka shprehur emocionet dhe krenarinë për këtë hap të ri në karrierën e tij. “Jam shumë krenar që ndodhem këtu. Kur fola me klubin, ndjeva menjëherë energjinë dhe mentalitetin që kanë të gjithë personat këtu, edhe lojtarët”, tha Xhaka për mediat.

Në Sunderland, Granit Xhaka do të mbajë fanellën me numrin 34, një numër që ka bërë tashmë emër për të, dhe që është i lidhur ngushtë me identitetin e tij si lojtar.

Ndërkohë, klubi i tij i deritanishëm, Bayer Leverkuseni, e ka falënderuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe e ka uruar për këtë hap të ri. Simon Rolfes, drejtori sportiv i Bayer 04, tha: “Granit Xhaka ishte lojtar kyç në ekipin tonë që fitoi kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë në vitin 2024. I urojmë atij shumë sukses në karrierën e tij të ardhshme.”

Ky është një transferim që mund të shënojë një kapitull të ri për Xhakën, duke e bërë atë një nga yjet e Premier League dhe duke kontribuar në zhvillimin e Sunderland në nivelin më të lartë të futbollit anglez./KultPlus.com

Përmirësimi i Sallës së Periodikut: Biblioteka Kombëtare ofron kushtet e reja për përdoruesit

By: Kult Plus
31 July 2025 at 14:00

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt për përmirësimin e kushteve të shërbimit në Sallën e Periodikut, duke e rikthyer këtë hapësirë në një ambient më të këndshëm dhe funksional për lexuesit dhe hulumtuesit.

Pas një periudhe pune intensive, janë larguar materialet e vjetra dhe është kryer një pastrim i plotë i sallës. Gjithashtu, gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e hapësirës, duke përfshirë lyerjen e mureve dhe përmirësimin e ndriçimit, transmeton KultPlus.

Salla e periodikut është një nga hapësirat më të frekuentuara të Bibliotekës Kombëtare, ku çdo ditë shërbehen dhjetëra numra të gazetave dhe revistave për lexuesit, të cilët kanë mundësinë të studiojnë materiale të ndryshme për kërkime shkencore, profesionale dhe informacione ditore.

Tani, falë përmirësimeve, ky ambient do të ofrojë kushte më të mira për lexim dhe hulumtim. Lexuesve do t’u ofrohet një hapësirë e qetë, komode dhe tërheqëse për të kaluar orë të tëra në kërkim të informacionit dhe leximin e materialeve periodike.

Përveç pastrimit dhe lyerjes, është parashikuar një rritje e kapaciteteve të ndriçimit për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për studim, duke u kujdesur për shëndetin dhe komoditetin e përdoruesve. Puna do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për të mundësuar që biblioteka të jetë një vend ku vizitorët mund të kenë mundësinë të zhvillojnë kërkime dhe të kenë qasje në informacionin më të fundit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” vazhdon të investojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të saj për të krijuar kushte optimale për të gjithë ata që kërkojnë informacion dhe burime për punë kërkimore e studimore./KultPlus.com

Arrestohet vajza e Ibrahim Tatlises, këngëtarja Dilan Çitak

By: Kult Plus
31 July 2025 at 13:45

Këngëtarja Dilan Çıtak, e cila prej një kohe nuk ka pasur kontakt me të atin, artistin e njohur turk të muzikës arabeske İbrahim Tatlıses, është përfshirë në një incident serioz në Bodrum.

Ajo nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga policia dhe drejtoi makinën e saj drejt një efektivi policie. Vetëm pas të shtënave paralajmëruese në ajër nga ana e policisë, ajo ndaloi makinën, shkruan mediumi turk Aksam.

Ngjarja ndodhi në lagjen Konacık, përgjatë bulevardit Atatürk, ku automjeti i drejtuar nga Dilan Çıtak po lëvizte në korsinë e emergjencës. Ajo nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga patrulla e policisë dhe akuzohet se e drejtoi automjetin në mënyrë të rrezikshme drejt njërit prej oficerëve.
Pas ndalimit të saj me të shtëna paralajmëruese, Çıtak qëndroi për disa minuta brenda makinës pa zbritur. Më pas u identifikua si këngëtarja Dilan Çıtak.

Ajo u arrestua nën akuzat për “rrezikim të trafikut”, “mosbindje ndaj urdhrave të policisë” dhe “rezistencë ndaj një zyrtari publik”. Hetimet ndaj saj janë ende në vijim në komisariat.
Sipas agjencisë së lajmeve AA, Dilan Çıtak Dörter ka qenë e përfshirë edhe më parë në një incident të ngjashëm. Më 17 shtator, gjatë një fluturimi të linjës Bodrum–Stamboll me Turkish Airlines, ajo ishte paralajmëruar nga stjuardesa që të mos e nxirrte kafshën shtëpiake nga kutia e transportit, sipas rregullores së fluturimit. Çıtak kishte hyrë në një konflikt verbal dhe, sipas pretendimeve, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj personelit të kabinës.

Pas raportimit të incidentit nga piloti, avioni u ul në Aeroportin e Stambollit, ku Dörter u shoqërua nga policia. Stjuardesa ngriti kallëzim ndaj saj në komisariat, ndërsa Çıtak u mor në pyetje dhe më pas u la e lirë.

Çmimi “Pashko Gjeçi”, për përkthimin e letërsisë italiane në shqip

By: Kult Plus
31 July 2025 at 13:30

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nënshkroi me Institutin Italian të Kulturës një marrëveshje, duke shpallur thirrjen për çmimin “Pashko Gjeçi” për përkthimet nga letërsia italiane në shqip.

Marrëveshja parashikon dhënien e këtij çmimi për të kremtuar punën e heshtur, por thelbësore, të atyre që i japin një zë të ri letërsisë italiane.

“Të përkthesh do të thotë të rishkruash, të rikrijosh dhe të rishpikësh. E tashmë, edhe të shpërblesh”, shkroi Instituti Italian i Kulturës, në faqen e tij online.

Në garë për këtë çmim mund të marrin pjesë të gjithë përkthyesit, të Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë arritur moshën madhore në momentin e kandidimit.

Dy fituesve do t’u garantohet mbulimi i shpenzimeve të përkthimit si dhe publikimi i veprës. Përkthyesit e interesuar duhet të aplikojnë deri më 21 shtator 2025./atsh/

Përkujtohet Antoine de Saint-Exupéry, autori i “Princit të Vogël” që u zhduk në fluturim më 31 korrik 1944

By: Kult Plus
31 July 2025 at 13:25

Më 31 korrik 1944, 81 vite më parë, humbi jetën një nga shkrimtarët më të dashur të shekullit XX – Antoine de Saint-Exupéry, autori i romanit të famshëm “Princi i Vogël” (Le Petit Prince), një prej librave më të përkthyer në botë.

Saint-Exupéry, përveçse shkrimtar, ishte edhe aviator francez. Ai u nis për një mision zbulimi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk u kthye më. Aeroplani i tij u rrëzua pranë brigjeve të Mesdheut dhe për dekada me radhë, zhdukja e tij mbeti mister, derisa mbetjet e avionit u gjetën në vitin 1998, transmeton KultPlus.

“Princi i Vogël”, një tregim filozofik i shkruar me thjeshtësi dhe ndjenjë të thellë njerëzore, mbetet vepra më e njohur e tij. Me ilustrime nga vetë autori, libri shpalos përmes një historie për fëmijë, një reflektim për jetën, vetminë, miqësinë dhe kuptimin e dashurisë.

“Njeriu sheh qartë vetëm me zemër. Ajo që është thelbësore, nuk shihet me sy”, është një nga citimet më të famshme nga vepra e tij, që vijon të prekë lexues të të gjitha moshave.

Saint-Exupéry u bë simbol i ëndrrave, guximit dhe ndjeshmërisë që lidhen me artin e të shkruarit dhe jetën vetë. Edhe pas 80 vitesh nga vdekja, vepra dhe mesazhi i tij jetojnë më të freskëta se kurrë./KultPlus.com

“Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj”

By: Kult Plus
31 July 2025 at 13:18

Jorge Luis Borges

Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat, e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata, as dhuratat s’janë aspak premtime, e kushdo nis me i pranue humbjet e veta kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.

Me kohë kushdo mëson n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin, në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.

Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët a vonë dishron me u kthye në të shkueme.

Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue, mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.

Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej, n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.

Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë e kush s’lufton për ta, herët a vonë ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.

Me kohë mësohet se fjalët e thana n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.

Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.

Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun me miqtë, nji ditë keni me u përlotë për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.

Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme, pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.

Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë, ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.

Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.

Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë, ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.

Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje, e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik, po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…

Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje?
Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?/ KultPlus.com

“Open Cinema”, kinemaja shëtitëse në Maliq

By: Kult Plus
31 July 2025 at 12:50

Aktiviteti “Open Cinema” – Kinemaja shëtitëse në Shqipëri, u zhvillua në qytetin e Maliqit.

Nata e parë në Maliq mblodhi rreth ekranit grup-mosha të ndryshme të cilat ndoqën plot interes shfaqjen e radhës të kinemasë shëtitëse.

Të ftuar specialë në natën e parë ishin: regjisori i shquar Mevlan Shanaj, skenaristja dhe shkrimtarja Natasha Lako, si dhe këngëtarja Eranda Libohova.

“Open Cinema” mbështetet financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky aktivitet synon të promovojë, pa pagesë, për publikun e gjerë, vlerat më të mira të kinematografisë shqiptare dhe asaj botërore./atsh/KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen autorja e librit  të famshëm ‘Harry Potter’, JK Rowling

By: Kult Plus
31 July 2025 at 12:28

Shkrimtarja britanike, Joanne Rowling e njohur me super veprën e saj të ‘Harry Potter’ feston sot 60 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

As sfidat më të rënda jetësore, që prej ndarjes së prindërve të saj, përballja me sëmundjen e rëndë e deri tek ndarja nga bashkëshorti, nuk e rrëmbyen suksesin e saj. Përkundrazi, pjesa personale nuk luajti fare rol në profesionin e saj.

Si një fëmijë i vogël, ajo kishte thurur në kokën e saj ëndrra të mëdha, përkushtimi i të cilave shndërroi ‘të pamundurën në realitet’ me ndërtimin e suksesit, por edhe me kalimin e përmasave të saj.

Me vetëm 6 vjeç, shkroi librin e parë të titulluar ‘Lepuri’. Ndërkaq, 5 vite më vonë, me të mbushur 11 vjeç, ajo shkroi romanin e saj të parë- rreth shtatë diamante të mallkuar dhe njerëzit që i zotëronin ato.

Karrierën e nisur në fëmijëri, e vulosi në pjekuri, me veprën gjigante të saj ‘Harry Potter’’, libër i cili numëroi shifra marramendëse, me shitjen e mbi 400 milionë kopje të librit.

Rowling, studimet i përfundoi në Universitetin Exeter, në programin për frëngjisht dhe klasikë, karakteristika këto, të cilat i hynë në punë edhe në ndërtimin e librit të magjishëm ‘Harry Potter’.

Rowling e konceptoi idenë e Harry Potter në vitin 1990, ndërsa ishte ulur në një tren të vonuar nga Mançesteri në Londrën King’s Cross. Ndërkaq, përgjatë pesë viteve të tjera, ajo nisi të hartonte shtatë librat e serisë.

Edhe pse libri i Harry Potter konsiderohet një markë globale, historia e autores J.K Rowling përmban në vete dhimbje, rezistencë e në fund edhe triumf.

Historia e shkrimtares britanike, Rowling është një histori inspirimi, një motiv për të mos u dorëzuar kurrë dhe një shtysë për të besuar se asnjëherë nuk është vonë për të realizuar ëndrrat.

Kujtojmë që Rowling përpos tipit të librave si ‘Harry Potter’ merret edhe me shkrimin e romaneve për të rriturit, siç janë edhe ato me tematikë kriminale, me emrin e stilolapsit Robert Galbraith. / KultPlus.com

❌
❌