Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

Kosova pranohet si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual

By: Kult Plus
4 August 2025 at 16:58

Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

📣 Lajm i jashtëzakonshëm për arsimin në Kosovë!

Pas anëtarësimit me të drejta të plota në EQAR, edhe një arritje tjetër, kësaj radhe në arsimin profesional. Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze.

Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për MASHTI-n, pasi anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin tonë për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës.

Synimet tona përfshijnë:

-Përfshirjen aktive të sektorit privat;

-Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;

-Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale;

Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.

EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit:

✔ Praktika profesionale cilësore dhe efektive
✔ Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
✔ Angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë
✔ Pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje

Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune.

🌍 Anëtarësimi i Kosovës në EAfA i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën tonë si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane.

Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA.

Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend./KultPlus.com

Vdes profesori i violinës, Robert Papavrami

By: Kult Plus
4 August 2025 at 16:45

Akademia e Shkencave shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Robert Papavramit.

“Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella violinistit me famë botërore Tedi Papavrami, për ndarjen nga jeta të Robert Papavramit, babait dhe mësuesit të Tij”, thuhet në një postim të Akademisë së Shkencave.

“Shkolla shqiptare e violinës sot është më e varfër me këtë humbje, por ngushëllohemi që trashëgimia artistike që Ai la pas vijon në lartësi të reja, kjo falë arritjeve Tuaja, i dashur Tedi. Të rroni e ta kujtoni!”, thekson Akademia e Shkencave.

Robert Papavrami është një nga figurat e njohura të muzikës në Shqipëri. Djali i doktorit Theodhor Papavrami, Roberti u rrit në një familje tradicionale, ku gjëja më e rëndësishme ishte detyra. Roberti i ri u shqua si violinist me shpirt, teksa u bë pedagog i violinës dhe për dekada nxorri shumë violinistë.

Edhe pas vendosjes në Francë ku hapi një shkollë, ai vazhdoi me pasionin e tij për zbulimin e talenteve dhe formimin e violinistëve të rinj. Shumë nga nxënësit e tij kanë debutuar dhe vazhdojnë edhe sot të njihen me emër në skenat e botës.

Një nga këta nxënës është edhe i biri, Tedi Papavrami, sot violinist me famë botërore.

Në nëntor 2014 Robert Papavrami, pedagogu i violinës i disa gjeneratave të artistëve shqiptarë, u nderua nga Kryeministri Edi Rama, me medaljen e mirënjohjes, për kontributin e gjatë në artin shqiptar.

Në një pritje të organizuar enkas nga Kryeministri, në Sallën e Hartave, miq, familjarë, bashkëpunëtorë dhe ish-studentë të tij, ndanë kujtime dhe emocione, me ndjenjën e mirënjohjes për atë çka profesor Berti, siç ata e thërrisnin, nënkuptonte për plejadat e instrumentistëve shqiptarë./atsh/KultPlus.com

Kukafshehtas

By: Kult Plus
4 August 2025 at 16:30

Poezi nga: Gueorgui Konstantinov
Përktheu: Lulzim Tafa

Një ndjenjë spontane
më kthen në vendlindje,
e heshtur është tani
kodra e fëmijërisë sime.
I mbaj sytë mbyllur
duke e shtypur fytyrën
përballë lëvores së errët
Të një mani.
Me një zë kërcitës,
E pa mashtrim,
Numëroj deri në dhjetë…
Pastaj filloj të kërkoj
Shokët e mi të fëmijërisë
I kërkoj këtu, atje, kudo…
Por nuk i gjej më askund
Tani ata
janë fshehur nëpër tokë./ KultPlus.com

Pse e dua Shqipërinë

By: Kult Plus
4 August 2025 at 15:58

Ideolog, poliglot e mbi të gjitha, një atdhetar i shquar i mendimit të thellë, Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por, më shumë, ai shkëlqente në përkthimet e shumë prej poetëve të mëdhenj.

Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli, teksa shkruante me shumë merak dhe kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe.

Pse e dua Shqipërinë

S’kam çiflik e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarp e për një gur,

Për një gardh e për një mur,

Për kasollen mbi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

Për një lopë e për një gomar,

Për një Balo, një manar.

Unë e dua Shqipërinë

Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisa gjetheshumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë,

Për një zok që fluturon,

Për bilbilin që këndon

Në ato ferra, në ato hije

Këngë malli e dashurie,

Këngë shpirti të helmuar.

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhemshuruar.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça e Vraninë,

Ku del bujku që me natë

Me parmendë dhe me shatë,

Mbjell e korr me djell, me hënë

Dhe s’ka bukë për të ngrënë,

Ku nallbani dhe samarxhiu

Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,

Kërrusen dite e kërrusen natë,

që të hanë bukë thatë,

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur dhe varela,

Këmbë zbathur,***** çjerrë

Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e Janinë,

Ku një popull derëzi

Heq e vuan robëri

Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë

Si shqiptar e bir shqiptar. / KultPlus.com

Cirku “Marina Orfei” jep shfaqje në Gjirokastër

By: Kult Plus
4 August 2025 at 15:30

Trupa e cirkut italian “Marina Orfei” çeli siparin e turneut me një shfaqje të veçantë plot ngjyra, spektakël dhe emocione, në qytetin e Gjirokastrës.

Në shesh ishin mbledhur spektatorë të moshave të ndryshme dhe veçanërisht fëmijë, të cilët duartrokitën shkathtësinë e akrobatëve, mjeshtërinë e zhonglerëve, humorin e kllounëve apo magjinë e iluzionistëve.

Bashkia Gjiroskastër, në një publikim në rrjetet sociale ndau imazhe nga spektakli që ofruan akrobatët e cirkut italian dhe shkroi se do të vazhdojë të mbështesë dhe kontribuojë për organizime të tilla, duke rikthyer traditën e pasur të cirkut në Gjirokastër.

Cirku legjendar “Marina Orfei”, ndër më të famshmit në Evropë, ka mbi 50 vjet traditë, me akrobaci befasuese, iluzionistë dhe kllounët që mbushin arenën me të qeshura dhe gëzim të pakufishëm./atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku: Faleminderit Dua Lipa dhe Sunny Hill, Kosova më e ndritshme falë jush

By: Kult Plus
4 August 2025 at 14:56

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka shprehur mirënjohje të thellë për këngëtaren me famë botërore Dua Lipa dhe ekipin e saj të festivalit Sunny Hill, për kontributin e vazhdueshëm në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës.

Në një deklaratë publike, ministri Çeku tha se vizioni i Dua Lipës dhe përkushtimi i ekipit të Sunny Hill kanë krijuar një hapësirë unike ku muzika, arti dhe rinia shqiptare bashkohen me energjinë globale. Ai theksoi se përmes këtij festivali, Prishtina shndërrohet çdo vit në një skenë ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën të dukshme dhe të vlerësuar për talentin dhe krijimtarinë e saj.

“Dua është shembulli më i mirë se si dashnia për vendin mund të shndërrohet në veprim me ndikim të jashtëzakonshëm. Faleminderit, Dua. Faleminderit Sunny Hill. Kosova është më e ndritshme edhe falë jush.” u shpreh ministri Çeku.

Fragment nga libri “Jeta ime”, Charlie Chaplin

By: Kult Plus
4 August 2025 at 14:32

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës.

Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”

Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë” në Festivalin e Filmit në Sarajevë

By: Kult Plus
4 August 2025 at 14:03

Qendra Kombëtare e Kinematografisë bëri të ditur se filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, do të ketë premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025.

Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Andamion Murataj është njëkohësisht edhe skenaristi i filmit, cili zgjat 110 minuta dhe përqendrohet në historinë e Fran, një personazh kompleks, lindur si grua por që bën jetën e një burri apo e thënë ndryshe “burrneshë”.

Për t’i dhënë dashurinë e nënës mbesës së saj, Fran duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë nëse do të vijojë të ruajë statusin si burrneshë apo të ulë autoritetin dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës.

Edicioni i 31-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë do të mbahet në datat 15-22 gusht 2025. Fetivali do të çelet me “The Pavilion” nga regjisori i mirënjohur boshnjak Dino Mustafic. 50 filma do të garojnë në kategori të ndryshme, për çmimin “Zemra e Sarajevës”.

Janë përzgjedhur 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale si dhe dy premiera kombëtare. Pritet që kineasti italian Paolo Sorrentino të vlerësohet me çmim nderi “Honorary Heart of Sarajevo Award”, për kontributin e jashtëzakonshëm në artin e kinemasë. Dy yje të tjerë të kinematografisë botërore, të cilët do të nderohen me çmime në këtë edicion, do të jenë suedezi Stellan Skarsgard dhe amerikani Willem Dafoe./atsh/KultPlus.com

Thëniet më të bukura nga Umberto Eco

By: Kult Plus
4 August 2025 at 13:28

“Tani kam arritur në përfundimin se e gjithë bota është një enigmë, një enigmë e padëmshme që bëhet e tmerrshme prej përpjekjes sonë të çmendur, për ta interpretuar sikur të ketë një të vërtetë që fshihet nën të.”

“Ti vdes, por pjesa më e madhe e atyre që ke akumuluar nuk humbet. Ti lë prapa një mesazh në shishe.”

“Të lexosh një libër të shtypur është një përvojë krejt tjetër: mund ta bësh në anije, në degë të një peme, në shtrat, edhe kur nuk ka fare drita.”

“Funksioni i kujtesës është që të ruajë, por edhe të hedhë tutje. Nëse do të mbanit mend gjithçka, nga e gjithë jeta juaj, do të ishit të sëmurë.”

“Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, nuk është se ata tashmë nuk besojnë në asgjë: tani ata besojnë në gjithçka.”

“Njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta. Ata duan të sfidohen.”

“Problemi me internetin është se ai të jep gjithçka, materiale të besueshëm dhe materiale të çmendur. Kështu që, problemi është, si të bësh dallimin?”

“Shteteve të Bashkuara iu desh një luftë civile, për t’u bashkuar ashtu si duhej.”

“Hero i vërtetë është gjithmonë gabimisht hero; ai ëndërron që të jetë burracaku i ndershëm, ashtu si gjithë të tjerët”

“Interneti është si një bibliotekë pa filtrim. E mira e bibliotekave, ashtu sikurse dhe e enciklopedive, nuk është vetëm që ruajnë kujtesën, por edhe që hedhin tutje ato gjëra që një kulture nuk i duhen.

Nëse nuk do të hidhnim poshtë asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, tek një tregim i Jose Luig Borges. Ky personazh kujtonte gjithçka: ishte një njeri me kujtesë totale, i paaftë të arsyetonte, sepse ishte i paaftë të filtronte.

Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, gjë që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë.”

“Kur dikujt i duhet të ndërhyjë për të mbrojtur lirinë e shtypit, atëherë ajo shoqëri është e sëmurë.”

“Më mirë realiteti, se sa një ëndërr: kur një gjë është reale, atëherë ajo është e vërtetë dhe për këtë nuk është faji yt.”

“Unë e kam humbur lirinë e të mos paturit një opinion.”

“Nëse njerëzit i blejnë kot librat e mi, unë këtë e konsideroj një taksë mbi idiotësinë.”

“Mendoj se një libër duhet gjykuar dhjetë vjet më vonë, pasi e ke lexuar dhe rilexuar.”

“Druajuni profetëve dhe atyre që janë të përgatitur të vdesin për të vërtetën, sepse si rregull ata bëjnë shumë të tjerë që të vdesin me ta, shpesh herë para tyre, ndonjëherë edhe në vend të tyre.”

“Ka të pavërteta që prodhojnë rezultate pozitivë dhe të tjera që prodhojnë rezultate negativë. Mes këtyre të fundit janë Protokollët e Pleqësisë së Sionit, me të cilët jam marrë në librin tim të fundit.

Më ka tërhequr gjithmonë teksti fals që, për shkak se të tjerët e besojnë apo për shkak se shfrytëzohet politikisht, ndikon në histori. Falë Dhuratës së Konstantinit, të paktën deri në vitet Pesëqind, ideja që zotërimet e përkohshëm të Perëndimit i janë dhuruar Papës nga Perandori shkakton rezultatet e mëdhenj që i dimë”

“E dashuroj aromën e bojës së librave në mëngjes”

“Mungesa është për dashurinë, ashtu si era është për zjarrin: shuan flakët e vogla, por ndez të mëdhatë”

“Monstrat ekzistojnë sepse janë pjesë e një plani hyjnor, dhe tiparet e tmerrshme të atyre monstrave, zbulojnë fuqinë e krijuesit”

“Nuk e kuptoj dot për se duhen 80 milionë njerëz online, kur, ajo që ata bëjnë në fund, është që t’u flasin fantazmave në periferi.”

“Den Braun është një personazh nga “Lavjerrësi i Fukoit”. Unë e kam krijuar. Ai ndan me personazhet e mi magjepsjen për botën e komploteve të Masonëve, Jezuitëve. Rolin e Kalorësve Tempullarë. Sekretin hermetik. Parimin që gjithçka është e ndërlidhur. Madje dyshoj që Den Braun të ekzistojë vërtetë.”

“Asgjë nuk i jep një njeriu të frikësuar më shumë kurajë, se sa frika e një tjetri”

“Cfarë është dashuria? Nuk ka asgjë në botë, as njeri, as Djall, asgjë tjetër, që ta konsideroj aq të dyshimtë sa dashuria, sepse ajo penetron në shpirt më shumë se cdo gjë tjetër.

Nuk ekziston asgjë që ta mbushë dhe lidhë kaq shumë zemrën, sa dashuria. Kështu që, nëse nuk i keni ato armë që e nënshtrojnë atë, shpirti zhytet përmes dashurisë, në një humnerë të paanë”

“Unë besoj se, ajo që ne bëhemi, varet shumë nga ajo që etërit tanë na mësojnë, në momente të cuditshëm, atëherë kur nuk po përpiqen fare të na mësojnë dicka. Ne formohemi prej copëzave të vogla të urtësisë”. / KultPlus.com

“Meloditë e Mesdheut” në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit

By: Kult Plus
4 August 2025 at 12:58

Një mbrëmje magjike pritet të jetë ajo e 5 gushtit, kur në Amfiteatrin Antik të Durrësit do të zhvillohet koncerti “Meloditë e Mesdheut”.

Sopranoja e mirënjohur, Inva Mula, prezantoi në rrjetet sociale, këtë aktivitet si një udhëtim muzikor i ndjeshëm dhe i fuqishëm, që vjen në një skenë historike.

Koncerti ka në program këngët e meloditë më të bukura të pellgut të Mesdheut. Koncerti “Meloditë e Mesdheut” do të sjellin në skenën e lashtë, duon Ekland & Redi Hasa, si dhe Korin e Fëmijëve “Okarina”  të cilët vijnë nga Prishtina e që do t’i japin kësaj performance një atmosferë magjike. Edhe krybashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ftoi të mos e humbisni këtë event të veçantë që bashkon artin, kulturën dhe emocionin.

Sopranoja Inva Mula vjen me këtë koncert pas MIK Fest në Korçë, ku u zhvillua edicioni i tij i tetë./atsh/KultPlus.com

Doli nga shtypi libri për fëmijë “Në sytë e Ardit” i autores Xhevrije Kurteshi-Nimani

By: Kult Plus
4 August 2025 at 12:33

Së fundmi ka dalë nga shtypi libri më i ri me poezi për fëmijë, “NË SYTË E ARDIT”, i autores Xhevrije Kurteshi-Nimani. Ky është një botim i veçantë, që përmbledh 120 poezi të ndara për dy grupmosha: për fëmijët dhe për të rriturit, me tematikë të gjerë që prek dashurinë për fëmijët, kujtimet nga vendlindja dhe jeta në mërgim.

Libri është titulluar dhe kushtuar syve të birit të saj, Ardianit, duke sjellë emocione të ndjera përmes vargut poetik. Sipas redaktorit të librit, Hysen Ibrahimi, autorja ka shënuar një rritje të dukshme në stilin dhe nivelin artistik të poezisë së saj, krahasuar me botimet e mëparshme.

Poetja përmes fjalës së saj sjell përjetime të thella shpirtërore që lidhen me vendlindjen, familjen, fëmijët dhe simbolet kombëtare. Poezitë për fëmijë, me ndjeshmëri dhe gjuhë të thjeshtë, kanë ngjashmëri me stilin e poetit të njohur Rifat Kukaj.

Ndër poezitë më të veçanta janë “Në sytë e Ardit” dhe “Abetarja jonë”, ku autorja shpreh dashurinë e pastër të nënës për fëmijën dhe krenarinë për gjuhën dhe shkronjat shqipe, sidomos në kontekstin e jetës në mërgim.

Ky libër është një dhuratë e çmuar për lexuesit e vegjël dhe për ata që ruajnë dashurinë për poezinë dhe gjuhën amtare, kudo që ndodhen në botë./KultPlus.com

Loro Boriçi, pionieri i futbollit modern në Shqipëri

By: Kult Plus
4 August 2025 at 11:58

Më 4 gusht 1922, lindi futbollisti i shquar i kombëtares, Loro Boriçi.

Në qytetin e lindjes, Shkodër, ndoqi Kolegjin Saverian. Shtatlarti prej 1,87 m debutoi në futboll në moshën 14-vjeçare, me fanellën e ekipit të vendlindjes, “Vllaznisë” kundër ekipit të “Dragoit” të qytetit të Pogradecit. Në vitin 1939 shpalosi dimensionin e një sulmuesi të pandalshëm, duke u bërë një ndër futbollistët më të njohur dhe më të dashur për publikun shqiptar, kur shënoi 3 gola në vetëm 4 minuta në ndeshjen kundër “Spartakut” të Tiranës.

Më pas nisi edhe një aventurë përtej Adriatikut, ku luajti për dy vite në Serinë A, me ekipin e Lazio-s.

“Ylli në ngjitje” do të kthehej sërish në fushën e gjelbër shqiptare, ku si lojtar i kombëtares ngadhënjeu me arritjen më të madhe të kohës, fitoren e Kupës së Ballkanit, më 1946.

Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës. Sulmuesi veteran do të tërhiqej nga fusha për të marrë përsipër rolin e trajnerit. Boriçi drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit dhe për disa vite edhe kombëtaren e Republikës Popullore të Kinës./atsh/KultPlus.com

Ti do vish

By: Kult Plus
4 August 2025 at 11:26

Poezi nga Fatos Arapi

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se une ty te pres
duke ndjer’ frymemarrjen e vet mbremjes
duke ndjer’ frymemarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymemarrjen e vetmise
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di qe une po te mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vertitnja
si nje portokall’ ne doren time-
te rrjedhe koha shpejt
…………e ti te vish…./ KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar në kantier restaurimi për t’u rikthyer si institucion bashkëkohor

By: Kult Plus
4 August 2025 at 11:03

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po punohet për ta rikthyer Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë kombëtare.

Muzeu Historik Kombëtar, pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme e këtij institucioni simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për fazën e dytë për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor./atsh/KultPlus.com

Bota magjike e Andersenit

By: Kult Plus
4 August 2025 at 10:27

Kur fjalët dështojnë, flet muzika.

Me histori tërheqëse, që kanë mbushur me lumturi zemrat e miliona fëmijëve në mbarë botën, Hans Christian Andersen mbahet mend si autori i përrallave më krijuese dhe më të lexuara. Edhe pse Anderseni ishte romancier, poet, dramaturg dhe eseist, përrallat u shndërruan në identitetin dhe kontributin e tij më të madh në letërsinë botërore.

Ndryshe nga autorët e tjerë të përrallave, shkrimtari dhe poeti i jashtëzakonshëm danez dallohet për mesazhet me përmbajtje humane, realiste, si dhe për optimizmin e tregimeve të tij. Njerëzor dhe realist, shkrimtari përcolli shpresën dhe na la mesazhe pozitive. Supozohet rëndom se përrallat janë histori që burojnë nga tradita popullore, përçuar ndër breza nga tregimtarët. Edhe pse është e vërtetë që shumica e përrallave janë të rrënjosura në folklorin oral, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, në të vërtetë shumë nga historitë më të njohura na vijnë nga burime letrare.

Vetë jeta e Hans Christian Andersenit ngjasonte me një përrallë, sepse ai lindi biri i një këpucari të varfër dhe vdiq një njeri i pasur dhe i famshëm, i famshëm në të gjithë botën, i afërt i mbretërve dhe mbretëreshave. Bota e mrekullueshme përrallore e Hans Christian Andersen frymëzoi vepra të tilla si opera magjike e Dvoπák “Rusalka”, apo  “Le Rossignol” i Stravinskit etj. Muzika mund të komunikojë ndjenjat dhe atmosferën më drejtpërdrejt sesa fjalët, ajo është në gjendje ta bëjë pranverën joreale në jetë – shoqëruesin natyral të imagjinatës dhe fantazisë. Mitet dhe përrallat popullore kanë tërhequr gjithmonë kompozitorë, veçanërisht kompozitorët romantikë në epokën romantike, por përrallat e Andersenit kanë pasur një joshje të veçantë për muzikantët, gjë e cila vijon edhe në ditët e sotme.

Të paktën 80 kompozitorë janë frymëzuar prej tij, mes tyre shumë mjeshtra, madje edhe kompozitorët e ditëve të sotme gjejnë frymëzim në këto përralla. Ato nuk janë as të thjeshta dhe as fëminore, muzika ka jetuar brenda tyre, qysh nga fillimi.

Anderseni asnjëherë nuk pati si qëllim, që përrallat të ishin vetëm për fëmijët. Madje, edhe kur ato mbështeteshin në motive tradicionale, ai arriti të jepte krijime të sofistikuara letrare. Me përzierjen e sharmit dhe aventurës magjike, por edhe të ndjenjës së pakëndshme të thellësive të errëta, padrejtësisë, patosit dhe tragjedisë së mundshme, një vetëdije se edhe përfundimet e lumtura kanë një çmim dhe rrallëherë janë absolute.

Suksesi në rritje i Andersenit dhe udhëtimet jashtë vendit, e sollën gjithnjë e më shumë në kontakt me figurat kryesore artistike evropiane, jo vetëm me ato të letërsisë si Dikens dhe Brownings, por me kompozitorë të mëdhenj, mes tyre Shuman, Liszt, Mendelson, madje edhe Wagner. Ai ishte një nga admiruesit më të hershëm të Wagnerit, duke e vënë në ballë të shijes muzikore.

Ne i detyrohemi shkrimtarit disa autobiografi, një korrespondencë voluminoze dhe një “Ditar” të mrekullueshëm. Ndërmjet 1832 dhe 1842, ai botoi në broshura tregimet e para të shkurtra të mrekullueshme: “Përralla për fëmijë” (1835), të cilat nuk i adresoheshin vetëm audiencës fëminore. Suksesi e inkurajoi të vazhdonte të botonte; “Tregime të reja” (1843-1848) dhe “Tregime dhe histori të reja” (1858-1872). Anderseni shkroi 164 përralla, të kredhura në romantizëm dhe duke kombinuar mrekullinë dhe ironinë. Larg imitimit të paraardhësve të tij në zhanrin e përrallës (Perrault, Galland dhe Hoffmann, Brothers Grimm), stili i tij spikat për përdorimin mjeshtëror dhe të ekuilibruar të gjuhës së përditshme, idiomave dhe shprehjeve popullore, arrin të shpreh mrekullisht, në një gjuhë shumë të thjeshtë, emocionet më delikate dhe idetë më të mira, duke kaluar pa vështirësi nga poezia në ironi, nga farsa në tragjike. Anderseni u frymëzua nga histori tradicionale skandinave, gjermane dhe greke, nga kohët e lashta deri në Mesjetë.

Në mënyrë mjeshtërore, ai thuri materiale dhe ndikime të ndryshme për të krijuar përrallat që ne njohim sot. Përrallat prezantojnë mbretër dhe mbretëresha të vërtetë ose legjendarë; kafshë, bimë, krijesa magjike (sirena dhe zana), madje edhe objekte. Ndër përrallat më të famshme citojmë “Rosaku i shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”, “Rrobat e reja të perandorit”, “Mjellmat e egra dhe sirena e vogël”, “Shitësja e shkrepseve”, “Princesha dhe bizelet”, “Ushtari i kallajit” dhe “Sirena e vogël” etj. Shumë nga përrallat u bënë drama, filma ose shfaqje muzikore, madje frymëzuan fotografi të animuara të njohura si Arieli. I pëlqenin shumë udhëtimet dhe udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Gjermani për të vizituar miqtë Friederike dhe Friedrich Anton Serre. Kur Anderseni vdiq në moshën 70-vjeçare, më 4 gusht 1875, në Kopenhagen, tashmë njihej ndërkombëtarisht. Deri pak kohë më parë, shtëpia ku ai kishte lindur ishte një vend pelegrinazhi për fansat.

Më 30 qershor 2021, në vendlindjen e tij, Odense u hap një muze: “H.C. Andersen House”, në gjuhën daneze, “H.C. Andersen Hus”. Anderseni nuk e mendoi kurrë veten vetëm si tregimtar për fëmijët. Ishte e rëndësishme për të, që elementët sociokritikë ose satirikë të përrallave, të cilat ai me vetëdije i përfshiu për lexuesit e rritur, u theksuan po aq sa fantastikja dhe imagjinarja. Muzeu ka “hapësirën kushtuar fëmijëve”, përfshirë atelien me emrin “Ville Vau”, ku fëmijët mund të jenë krijues dhe të marrin pjesë në krijimtari. Para vdekjes, Andersen ishte shkrimtar i njohur dhe u konsiderua si thesar kombëtar nga qeveria daneze, madje i akordohej edhe një pagë. Në kopshtin “Rosenborg”, Kopenhagen, në nder të shkrimtarit legjendar ngrihet statuja e tij. / Konica.al / KultPlus.com

‘Ne nuk erdhëm në këtë botë për t’u frikësuar nga e ardhmja, kemi ardhur për t’a krijuar atë’

By: Kult Plus
4 August 2025 at 10:09

Thënie nga Barack Obama

‘’Ndryshimi nuk vjen nëse presim dikë ose një kohë të duhur. Ne jemi ata të cilët i presim.’

‘’Asgjë që është e vlefshme në jetë nuk është e lehtë’’.

‘’Ne nuk erdhëm në këtë botë për t’u frikësuar nga e ardhmja. Kemi ardhur për t’a krijuar atë’’.

‘’Përparimi vjen në mënyrë periodike. Nuk është gjithmonë një vijë e drejtë. Nuk është gjithmonë rrugë e lehtë’’

‘’Cinikët mund të jenë zërat më të lartë, por ju premtoj, se ata përmbushin më së paku’’.

‘’Një zë mund të ndryshojë një dhomë të tërë’’.

‘’Ne nuk e shohim të ardhmen si diçka që e kemi nën kontroll, por si diçka të cilën mund t’a krijojmë me përpjekje të përbashkëta dhe kolektive”.

‘’Ne duhet të ndryshojmë idenë e përsosmërisë. Jo shumë njerëz kalojnë kohë duke  u përpjekur të jenë të përsosur’’.

‘’Nëse punoni shumë dhe kryeni përgjegjësitë tuaja, ju mund të vazhdoni përpara, pavarësisht se prej nga vini, si dukeni ose çfarë doni”.

‘’Lënia e shenjës në botë është e vështirë. Nëse do të ishte e lehtë, të gjithë do t’a bënin këtë. Por nuk është. Merr durim, angazhim dhe vjen me shumë dështime përgjatë rrugës.’/KultPlus.com

150 vite nga vdekja e gjeniut të përrallave për fëmijë, Hans Christian Andersen

By: Kult Plus
4 August 2025 at 09:37

Hans Kristian Andersen (2 Prill 1805-4 Gusht 1875), i quajtur H.C. Andersen në Danimarkë, ishte një autor danez. Edhe pse ishte shkrimtar i disa dramave, kujtimeve udhëtimesh, romaneve dhe poezive, ai mbahet mend më së shumti për përrallat e tij.

Përrallat e Andersenit, të përbëra nga 156 tregime të ndara në nëntë vëllime dhe të përkthyera në më shumë se 125 gjuhë në mbarë botën, janë ngulitur kulturalisht në ndërgjegjen kolektive të perëndimit, lehtësisht të kuptueshme nga fëmijët, por duke prezantuar mësime të virtyteve dhe qëndrueshmërisë përballë fatkeqësisë edhe për lexuesit e pjekur. Ndër përrallat e tij më të famshme: “Rrobat e reja të Perandorit”, “Sirena e Vogël”, “Bilbili”, “Ushtari i Tinit të Qëndrueshëm”, “Këpucët e Kuqe”, “Princesha dhe Bizelet”, “Mbretëresha e Borës”,”Rosaku i Shëmtuar “,”Shitësja e Vogël e Shkrepsëve” dhe “Gishtëza”. Historitë e tij kanë frymëzuar balete, drama dhe filma të animuar dhe filma aksion drejt për së drejti. Një nga bulevardet më të gjërë dhe më të populluar të Kopenhagës,rreth skajit në sheshin e bashkisë së qytetit ku ndodhet statuja prej bronzi (me përmasa më të mëdha se përmasat reale), e Andersenit, bulevard i cili quhet “Bulevardi H. C. Andersens”.

Në shqip për përkthimin e librit Përrallat e Andersenit kanë kontribuar disa përkthyes të njohur, si Pirro Misha,Bedri Dedja, Vandush Vinçani,Dritan Thomollari dhe Stathi Kostari.

Hans u rrit si një djalë jo tërheqës dhe qëndroi në këtë mënyrë në moshë madhore. Ai pranoi se kjo frymëzoi historinë e tij për “Rosakun e Vogët të Shëmtuar”, pasi që nga shikimi i parë rosa ishte ‘e shëmtuar’ dhe e dëbuar, megjithatë, ndërsa koha kalonte bukuria e brendshme e mendjes së tij dhe shkrimet e tij frymëzuan shumë të rritur dhe fëmijë në audiencën e tij .

Ai ndërroi jetë më 4 gusht 1875. /KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen Barack Obama, presidenti i 44 i ShBA-ve dhe nobelisti për Paqe

By: Kult Plus
4 August 2025 at 09:05


Sot feston ditëlindjen presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Barack Obama, njëri prej figurave më të ndritura dhe më të rëndësishme të politikës botërore moderne.

Barack Hussein Obama II u lind më 4 gusht të vitit 1961 në Honolulu, Hawai. Jetësimi i tij do të shënonte rrugën e tij të shkëlqyeshme dhe të paharrueshme në politikë, duke i dhënë shpresë dhe frymëmarrje shumëkujt, veçanërisht rinisë me ëndrra dhe synime të mëdha.

Shërbimi i tij në Shtëpinë e Bardhë ishte një periudhë e ndritur e njohur për lidhjen e fuqishme me popullin dhe sjelljen e ndryshimeve progresive. Zgjedhja e tij si president i SHBA-ve në vitin 2008 ishte një moment shumë emocionues për shumë njerëz, veçanërisht për minoritetet etnike, duke u bërë simbol i shpresës për një botë të ndryshme dhe më të barabartë.

Në vitin 2009, në kohën e parashtrimit të tij si president, Obama mori Çmimin Nobel për Paqe, një nderim i jashtëzakonshëm për përpjekjet e tij në diplomaci dhe të drejtën e njerëzve, duke u përkushtuar për zgjidhjen e konflikteve dhe promovimin e paqes në nivel ndërkombëtar.

Ndërkohë, gjatë mandatit të tij si president, Obama udhëhoqi vendin përmes kohërave të turbullta, duke përballuar sfida të mëdha si kriza ekonomike globale dhe sfidat e sigurisë ndërkombëtare. Ai promovoi reforma të rëndësishme shoqërore, duke synuar të përmirësojë sistemin shëndetësore, të adresonte ndryshimet klimatike dhe të luftonte për barazi të mëtejshme në shoqëri.

Pas mbarimit të mandatit të tij të parë, Obama u rizgjodh në vitin 2012 dhe vazhdoi të udhëhiqte me përkushtim dhe përgjegjësi deri në fundin e mandatit të dytë në vitin 2017. Edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ai ka vazhduar të angazhohet në fusha të ndryshme, duke promovuar vlerat e tij për paqe, dialog, dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Sot, kur Barack Obama feston ditëlindjen e tij të 62, admiruesit dhe miqtë e tij shprehen me dashuri dhe respekt për ndikimin që ai ka lënë në botë. Të shumtë janë ata që ndiejnë se ai ka shtrirë një dorë drejt ndryshimeve pozitive dhe ka shërbyer si frymëzim për brezat e ardhshëm që ikin pas ëndrrave të tyre. / KultPlus.com

Zuckerberg ndan vizionin për AI: Superinteligjenca duhet të jetë në dispozicion të të gjithëve!

By: Kult Plus
3 August 2025 at 23:40

Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg ka një vizion: superinteligjenca duhet të jetë në dispozicion të të gjithëve.

Ndërkohë, falë IA, Microsofti hyri në klubin e kompanive me vlerë mbi 4 bilionë dollarë në bursë.

Mark Zuckerbergu është i bindur se bota do të jetë “shumë ndryshe” brenda pak vitesh. “Jam i emocionuar të krijoj një superinteligjencë personale për të gjithë në planet”, tha themeluesi dhe Drejtori ekzekutiv i Meta Group-it në mes të javës (30.07.2025), pas prezantimit të rezultateve të fundit tremujore.

Zuckerbergu: superinteligjenca pranë

Meta i referohet “superinteligjencës” si inteligjencë artificiale (IA) që kapërcen inteligjencën njerëzore në çdo aspekt. Ky variant i IA është i aftë të kryejë detyra komplekse pa ndërhyrjen e njeriut.

Kemi parë shenjat e para të sistemeve të inteligjencës artificiale që vetëpërmirësohen, tha Zuckerbergu. Prandaj, superinteligjenca po afrohet edhe më shumë, megjithëse zhvillimi i saj do të kërkojë ende kohë.

Kompania mëmë e Facebook-ut tani planifikon të investojë më shumë në qendrat e të dhënave të IA. Pritet të investohen të paktën 66 miliardë dollarë, 2 miliardë dollarë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht. Kufiri i synuar mbetet i pandryshuar në 72 miliardë dollarë.

Kompania mëmë e Facebook-ut po rritet

Meta po përfiton nga bumi në sektorin e reklamave, i cili i ka mundësuar kompanisë të shënojë rezultate tremujore të papritura të mira. Në tremujorin e dytë, grupi amerikan rriti të ardhurat e tij me 22% në 47.52 miliardë dollarë dhe fitimin e tij neto me 36% në 18.34 miliardë dollarë.

Për tremujorin aktual, Drejtoresha Financiare Susan Li njoftoi të ardhura midis 47.5 miliardave dhe 50.5 miliarda dollarëve. Konsensusi i tregut deri tani ishte vetëm 46 miliardë dollarë.

Aksionet e Meta-s dhe Microsoft-s arrijnë nivele rekord

Shifrat për tremujorin e kaluar gjithashtu tejkaluan pritjet e analistëve. Aksionet e Meta-s u rritën me më shumë se 12% në Bursën e Frankfurtit. Aksioni pritet të arrijë një rekord të ri dhe një kapitalizim tregu prej 2 bilionë dollarësh kur Nasdaq të hapet pasdite.

Aksionet e Microsoft-it janë gjithashtu shumë të kërkuara, me një rritje prej rreth 9%. Nëse aksioni vazhdon vrullin gjatë tregtimit të rregullt në Shtetet e Bashkuara, ai do të arrijë një nivel të paparë. Microsoft-i do të hynte në klubin ekskluziv të kompanive me vlerë mbi 4 bilionë dollarë, nga të cilat aktualisht bën pjesë vetëm gjigandi amerikan i çipave Nvidia, me një kapitalizim tregu mbi 4 bilionë dollarë.

Kapitalizimi i tregut të Microsoft pritet të rritet me të paktën 300 miliardë dollarë, sipas analistit Jochen Stanzl të ndërmjetësit CMC Markets. “Kjo është afërsisht e barabartë me të gjithë kapitalizimin e tregut të kompanisë më të madhe të softuerëve në Evropë, SAP.”

Microsoft-i publikon shifra të larta

Ashtu si Meta, edhe Microsoft i publikoi rezultatet tremujore të mërkurën në mbrëmje. Dhe ashtu si Meta, Microsofti po përfiton jashtëzakonisht shumë nga tendenca aktuale në inteligjencën artificiale. Pritjet e tregut ishin sigurisht të larta para se të publikoheshin rezultatet tremujore, por Microsofti ia doli mbanë.

Të ardhurat nga departamenti i Microsoft Cloud u rritën me një shifër mbi mesataren, prej 25% në 46.7 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e grupit u rritën me 18% në 76.4 miliardë dollarë, dhe fitimi neto u rrit me 22% në 27.2 miliardë dollarë. “Rezultatet tremujore tregojnë qartë depërtimin e thellë të IA në ekonomi, si dhe dinamikën që rezulton”, pohon me bindje analisti Stanzl.

Microsoft zbulon për herë të parë të ardhurat e platformës cloud

Pas viteve të sekretit, Microsofti zbuloi gjithashtu të ardhurat e platformës së saj cloud Azure gjatë prezantimit të rezultateve tremujore. Sipas këtyre shifrave, ajo gjeneroi në vitin fiskal 2024/2025 të përfunduar së fundmi të ardhura prej mbi 75 miliardë dollarësh, një rritje prej 34%.

Kjo konfirmon supozimin se Microsoft është ofruesi i dytë më i madh i shërbimeve në cloud pas Amazon-ës. Deri tani, grupi kishte raportuar vetëm shifra rritjeje, por jo të ardhura absolute./KultPlus.com

❌
❌