Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

‘S’mund të t’urrej andaj tash po të lë’

By: Kult Plus
9 August 2025 at 12:00

Poezi nga Anton Santori

S’mund të t’urrej

(Vjershëza e 12)

S’mund të t’urrej andaj tash po të lë,

dhe mbanë detit thellë andej po shkoj.

Natë edhe ditë, kur eci e flë,

sikur jam afër, dhe kur larg qëndroj;

në punë i kredhur, dhe kur s’bëj asgjë,

n’anije vjelaçjerrë kur lundroj,

fytyrën ta kam pranë gjithënjë:

je jeta ime andaj çdo ankth duroj./KultPlus.com

Zhgënjimi i poetit

By: Kult Plus
8 August 2025 at 22:32

Agim Doçi
Zhgënjimi i poetit


E dija botën shumë të sinqertë
Dhe vehten time – një pjesëz të saj!
Por kur zhgënjehesh, s‘qenka e lehtë
Të ulërij apo të qaj?!……

U fola njerzve gjithmonë ndër sy!
Kaq hidhur vallë u erdhi vërtetë?….
Zhgënjimi im, i madh për Ty
Ndaj thashë: – Ti botë je e padrejtë!

Ndaj kërkoj, sot po kërkoj
Nga ju të gjithë një fjalë të ngrohtë
Dhe nuk dyshoj, aspak s‘dyshoj
Nuk ekziston një tjetër Botë….

Dhe qielli, edhe toka
Dhe bora lart në mal
Dhe dielli do të thosha
Dhe deti plot me val‘
Dhe shiu me gjëmime
Dhe era me furtunë
Janë pjesë e botës time
Ashtu siç jam dhe unë!

Pra njerëz shumë ju dua!
Më doni edhe Ju!!!
Të gjitha dashuritë
Shijojini këtu!
Dhe flakni tej mëritë!
Të bëhemi më të mirë
Në doni që fëmijtë
Të jenë vërtetë të lirë/KultPlus.com

Yesterday — 8 August 2025Main stream

‘Se kur të zgjohem, do të bâhem gjahtar i patrembun i gjurmave të tua’

By: Kult Plus
8 August 2025 at 15:05

Poezi nga Din Mehmeti

Malsores

Flej, flokëshprishuna e shpatinës sime t’blerueme, flej!

Sonte do t’i përgjumim bylbylat

Që këndojnë n’rremat e dridhun t’dashunis.

E na, tanë natën do t’fluturojmë n’krahët e andrrave

Tue i blue dëshirat n’bebzat e lodhuna.

Sonte futu thellë n’parzmin tim

Që puthet n’rrezet e syve të tu,

Ta kallim shkrumin e mbetun,

Që na brejti dritat e hapave n’rini!…

Flej, Malsore e shtrejtë, n’mue.

Nëse n’mjegullimet e netve t’zgjojnë rrufet e kobshme,

Lema blenin e flokëve, që t’lëvaret n’rrezen e ballit,

T’i qepi të gjitha buzët e plagosuna t’brengave.

Shtrydhe n’folén e përkundjeve

Aromën e rudinave që thithe si tamblin n’gjijt e lokës

Se – kur të zgjohem –

Do të bâhem gjahtar i patrembun i gjurmave të tua…

Flej Malsore n’mue,

T’i ushqejmë zogjt që turren pa pupla me fluturue.

O, njiherë t’i shkrijm, akujt e krahnorit,

Se prap ernat kanë me na zgjue!…/KultPlus.com

Lamtumire vëndet e mija

By: Kult Plus
7 August 2025 at 23:00

Gjergj Fishta

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka vale mbi vale.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill un tash do t’veta
Lamtumir atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser Nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumire ju mriza e stane!
Lamtumire ju “shkurre e mreta”!
Lamtumire ju o armt e t’parve
Lamtumire për sa t’jetë jeta./KultPlus.com

Before yesterdayMain stream

Kam dashur, po dua tani

By: Kult Plus
7 August 2025 at 21:49

Kam dashur, po dua tani
Gëte


Kam dashur, po dua tani më me zjarr,
Kam qene shërbyes, tani jam një skllav,
Me ç’zell kam shërbyer këdo!
Por befas më ndezi kjo mike besnike,
Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike,
Për mua s’ka tjeter si kjo!

Besova, tani besoj me pasion!
Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon,
Besimi prej teje s’mërgohet!
Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin,
Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin,
Por qielli nis prap kthjellohet!

Kam ngrënë, tani po ha sa për tre,
Më ndriti krejt shpirti e zemra më rreh,
Gjithçka e harroj mes dëfrimi!
Rinia më zjen bërtas e gajas,
Kam mall që të shtrohem ndër vene plot gas,
Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!

Kam pirë më parë, tani s’le sapllak,
Dhe vera na ngre, na bën me çakmak,
Dhe gjuhen na gjidh nga zinxhirat!
Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim,
Na ndez kaq dëshira, na ngjall kaq besim,
S’na ndalin hendeqet, rrepirat!

Në valle jam hedhur, në valle marr zjarr,
Asnjë shilarthar dhe asnjë valltar
S’erdh rrotull në valle si flutur!
Dhe kush shumë lule ia doli të thure,
Dhe kurrë s’i ndau, s’i shkeli në turr,
I mbeti kurora e bukur!

Ta thurim kuroren! Mos kini ngurrime!
Kush merr trëndafilin plot vese e shkëlqime
E çjerr vec pak gjemi i mprehtë.
Si dje edhe sot shkëlqejnë fort yjet,
Por larg mjaft i rrijnë kujt frikshem ul kryet
Dhe ngrys po gjithnjë po në jete!/KultPlus.com

  • ✇
  • Maska  

Maska

By: Kult Plus
7 August 2025 at 14:20

Poezi nga Willam Butler Yeats

“Hiqe atë maskë me ar të shkrirë

Me sy smerald!”

“Oh jo, i dashur, ti do të bëje mirë ta gjeje

a është zemra e urtë e zjarrt’

dhe ende e pangrirë.”

“Do ta zbuloj çka pas saj ndryhet,

Dashuri a mashtrim.”

“Qe maska ajo q’e bëri mendjen të t’mpihet

Dhe t’rrahurave t’zemrës dha kumbim,

Jo ajo çka pas saj fshihet.”

“Po se mos jemi armiq ne dy,

Këtë m’duhet vesh ta marr.”

“Oh jo, i dashur, lëri ato tani,

Ç’na duhen kur ka kaq zjarr

Në mua dhe në ty?”

Përktheu Ag Apolloni/KultPlus.com

NJERIUT

7 August 2025 at 11:44

Poezi nga: Mahmoud Darwish
Përktheu Agron Islami

Ia kyçën gojën me pranga,
ia lidhën duart në shkëmbin e të vdekurve
dhe i thanë: Vrasës!

la morën ushqimin, rrobat dhe pankartat,
e flakën në qelinë e të vdekurve
dhe i thanë: Hajdut!

E përzunë nga çdo port,
ia rrëmbyen të dashurën e re,
pastaj i thanë: Refugjat!

O ti, me sy dhe pëllëmbë të përgjakura!
Nata do të ikë.

Asnjë dhomë paraburgimi s’është e përjetshme,
aq më pak hallkat e prangave.

Neroni vdiq, por Roma nuk u shua …
ajo, me sytë e saj, po lufton!

Dhe kokrrat e një kalliri të tharë
do të mbushin luginën me kallinj të rinj!

The post NJERIUT appeared first on Telegrafi.

‘S’e dija se dhjetë vjet më i ri se Krishti, do të kryqëzohesha mbi ty’

By: Kult Plus
6 August 2025 at 13:10

Fragment poezie nga Ismail Kadare

Llora

-II-

Tani shiu godet me shkelma qelqeve.
Atje qielli i zi si negativi i një shkretëtire.
Llora,
Më ka marrë malli,
Mall bojë hiri.
Tani nata si një mbulesë vigane
Qëndisur me drita anëve
Karfosur me paralele dhe meridianë
Nga lindja në perëndim,
Na mbulon e shqetësuar.
Ne shtrihemi nën të,
Si në ethe zbulohemi
Të ndarë,
Të largët,
Të vetmuar.

Pati net,
I qullur nga stuhia jote,
Heshtja pranë teje dhe pasionit të marrë,
Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua
Si mbi një kryq të madh
Të bardhë.

Në fillim e mora kaq lehtë.
Madje s’thosha as fjalën “dashuri”.
S’e dija se dhjetë vjet më i ri se Krishti
Do të kryqëzohesha mbi ty./KultPlus.com

SHTRIGA N’PASQYRË

6 August 2025 at 09:57

Poezi nga: Sarah Morgan Bryan Piatt
Përktheu: Zef Zorba

Pa da m’thotë nana,
Se n’at pasqyre s’asht mire m’u kqyrë
Ajo ka frikë se kam me pa,
Nji shtrigë të vogël,
Që mue m’ka ngja,
Që me i’gojë t’kuqe do t’përshperisë,
Çka s’duhet të dij: Fjalët e dashnisë,

T’kota shqetësimet e nanës time,
Nji zog n’fluturime
Nji erë tuj lujtun
Ose mendimi,
O i’trandofille çue n’shej kujtimi,
Me një za t’amël do t’më përshpërisë
Çka s’duhet të dij:
Fjalët e dashnisë.

(Përkthyer nga Zef Zorba në vitin 1947, në burg)

The post SHTRIGA N’PASQYRË appeared first on Telegrafi.

‘Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’e tu’

By: Kult Plus
5 August 2025 at 14:15

Poezi nga Azem Shkreli

Kangë rruge

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu,
gjethet e stinët me i përtri-
vetëm edhe sonte

E nëse kam me humbë në rrugicën e vetullave harkue-
mos i fik dritat e shikimeve shituese, se fikën
yjt e gëzimeve të kësaj nate.

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’e tu,
fushat e dëshirave gjelbëroshe me i gjesditë tanë natën-
vetëm edhe sonte

E nëse ke me kalue bulevardeve të krahnorit tim-
mos ik, se kam me t’zanë
langojt e harbuem t’gjakimit!

në flakën e tyne me ndezë edhe një fije shprese-
vetëm edhe sonte!
Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu./KultPlus.com

Kristal

By: Kult Plus
5 August 2025 at 10:30

Poezi nga Ismail Kadare

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
Si të harroj un’ dalëngadal
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht’ e lartë
Një vend ku ty të të lëshoj
Një strofë a notë, a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer, a morg-kristal
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Do gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t’ik pa kthim
Dhe nuk do dimë as ne askush
Harrim ish ky a s’ish harrim./KultPlus.com

’Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu’

By: Kult Plus
4 August 2025 at 21:54

Poezi nga Oktavio Paz

Shqipëroi: Merita Paparisto

Më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu
as me vëmendje por as me shpërqëndrim,
gjurmë të lehta, rigim i hollë,
ujë që është ajri vetë dhe ajër që është vetë koha
dita është akoma e gjallë
nata ende s’ka lindur
trajta të mjegulluara
në kthesën pas qoshes
trajtat e kohës
në lakimin e heshtjes,
dëgjomë, ashtu siç dëgjohet shiu
pa më dëgjuar vër-vesh në atë që them
me sytë të hapur për së brëndëshmi, në gjumë
me të pesta shqisat zgjuar,
po bie shi, gjurmë të lehta, mërmërimë bashkëtingëlloresh,
ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë:
që jemi dhe që janë,
ditët dhe vitet, ky moment
kohë e papeshë dhimbje që rëndon,
më dëgjo ashtu siç dëgjohet shiu,
asfalti i lagur shkëlqen,
avulli ngrihet dhe ikën larg,
nata shpaloset dhe hedh vështrimin tek unë,
ti je ti dhe trupi yt prej avulli,
ti dhe fytyra jote e natës
ti dhe flokët e tua rrufe të ngeshme
ti kapërcen udhën dhe futesh në ballin tim,
gjurmë uji përballë syve të mi,
degjomë, siç dëgjohet shiu,
asfalti është i lagur dhe ti kapërcen rrugën
në mjegull, përhumbur në natën,
në këtë natën që flen në shtratin tënd,
është dallga që fryhet në frymën tënde
gishtërinjtë e tu prej uji më njomin ballin,
gishtërinjtë e tu prej zjarri më djegin sytë
gishterinjte e tu prej ajri hapin qepallat e kohës
një ujvarë pamjesh dhe ringjalljesh
dëgjomë, siç dëgjohet shiu
vitet ikin tutje momentet vijnë tëhú
i dëgjon gjurmët në dhomën tjetër?
nuk janë këtu, as atje: ti i dëgjon
prej një tjetër kohë e cila ndodh tashti
dëgjoi gjurmët e kohës
krijueses së vëndeve të papesha, të pandodhëshme
dëgjoje shiun si vrapon mbi taracë
nata ështe tani e errët natë varri,
shkrepëtimat flenë në foletë mes gjetheve,
një kopësht i paqetë bredh në mëshirë të fatit
hija jote mbulon këtë faqe libri./KultPlus.com

Të shprehurit ju bën më të lehtë, ju shkarkon nga barra e vetvetes

By: Kult Plus
4 August 2025 at 21:17

Nga Emil Cioran
Përktheu: Balil Gjini

Librin e parë, me titullin kumbues – “Sur les cimes du désespoir (Mbi majat e dëshpërimit) – e shkrova rumanisht në moshën njëzet e një vjeçare, duke iu betuar vetes se s’do shkruaja më kurrë. Pastaj shkrova një tjetër, me të njëjtin premtim. Komedia është përsëritur përmbi dyzet vjet. Përse, vallë?

Sepse të shkruarit, sado i paktë qoftë sasia e tij, më ka ndihmuar të kaloj nga njëri vit në vitin tjetër, sepse obsesionet ishin shëruar, kurse gjysma e tyre ishin kapërcyer. Të prodhosh është një lehtësim i jashtëzakonshëm. Të botosh, jo më pak. Një libër që botohet është jeta juaj, apo të paktën një pjesë e jetës suaj, që bëhet diçka e huaj, që s’ju përket më, që ka rreshtur se ju rraskapituri.

Të shprehurit ju bën më të lehtë, ju varfëron, ju shkarkon nga barra e vetvetes, ai është humbje e substancës dhe liri. Ai ju kullon, ju shpëton, pra përlan me vete një pengesë të madhe.

Kur dikush ju këllet krupën aq shumë sa doni ta zhdukni, më e mira do të ishte të merrnit një fije letër dhe të shkruanit shumë herë në të se X është një qelbanik, një batakçi, një monstër dhe do të vëreni se e urreni më pak, se nuk mendoni pothuajse më fare për hakmarrje. Pak a shumë është kjo që edhe unë kam bërë ndaj vetes dhe botës. “Précis” e kam nxjerrë nga llagëmet e mia për të sharë jetën dhe veten. Rezultati?!

E kam duruar veten paksa më mirë, siç kam duruar po ashtu edhe jetën.

Kujdesuni për veten sa më mirë të jetë e mundur. / KultPlus.com

Kukafshehtas

By: Kult Plus
4 August 2025 at 16:30

Poezi nga: Gueorgui Konstantinov
Përktheu: Lulzim Tafa

Një ndjenjë spontane
më kthen në vendlindje,
e heshtur është tani
kodra e fëmijërisë sime.
I mbaj sytë mbyllur
duke e shtypur fytyrën
përballë lëvores së errët
Të një mani.
Me një zë kërcitës,
E pa mashtrim,
Numëroj deri në dhjetë…
Pastaj filloj të kërkoj
Shokët e mi të fëmijërisë
I kërkoj këtu, atje, kudo…
Por nuk i gjej më askund
Tani ata
janë fshehur nëpër tokë./ KultPlus.com

Pse e dua Shqipërinë

By: Kult Plus
4 August 2025 at 15:58

Ideolog, poliglot e mbi të gjitha, një atdhetar i shquar i mendimit të thellë, Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) ishte poet i patriotizmit dhe i luftës për liri. Por, më shumë, ai shkëlqente në përkthimet e shumë prej poetëve të mëdhenj.

Sejfulla Malëshova zotëronte 14 gjuhë, dy më pak se Fan Noli, teksa shkruante me shumë merak dhe kritikonte cilindo që mund të deformonte fjalët dhe ligjëratat e gjuhës së bukur shqipe.

Pse e dua Shqipërinë

S’kam çiflik e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarp e për një gur,

Për një gardh e për një mur,

Për kasollen mbi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

Për një lopë e për një gomar,

Për një Balo, një manar.

Unë e dua Shqipërinë

Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë,

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisa gjetheshumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë,

Për një zok që fluturon,

Për bilbilin që këndon

Në ato ferra, në ato hije

Këngë malli e dashurie,

Këngë shpirti të helmuar.

Unë e dua Shqipërinë

Si poet i dhemshuruar.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça e Vraninë,

Ku del bujku që me natë

Me parmendë dhe me shatë,

Mbjell e korr me djell, me hënë

Dhe s’ka bukë për të ngrënë,

Ku nallbani dhe samarxhiu

Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,

Kërrusen dite e kërrusen natë,

që të hanë bukë thatë,

Ku hamalli nëpër skela

Ngarkon hekur dhe varela,

Këmbë zbathur,***** çjerrë

Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e Janinë,

Ku një popull derëzi

Heq e vuan robëri

Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë

Si shqiptar e bir shqiptar. / KultPlus.com

Ti do vish

By: Kult Plus
4 August 2025 at 11:26

Poezi nga Fatos Arapi

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se une ty te pres
duke ndjer’ frymemarrjen e vet mbremjes
duke ndjer’ frymemarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymemarrjen e vetmise
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di qe une po te mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vertitnja
si nje portokall’ ne doren time-
te rrjedhe koha shpejt
…………e ti te vish…./ KultPlus.com

’N’ty mendoj kur agon drita, bylbyli mallshëm kndon‘

By: Kult Plus
3 August 2025 at 22:40


Poezi nga Gjergj Fishta

Atdheut

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty çuet t’kam n’mendim
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht m’vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu m’u rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Kndon ma ambël t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlxen.

Dersa t’mundem me ligjrue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./KultPlus.com

Ç’dhembje qenka të dashurosh ty

By: Kult Plus
3 August 2025 at 21:10

Poezi nga Fatos Arapi

Ç’dhembje qenka të dashurosh ty.

Dashuritë e tjera lindin vetëm një herë,
vdesin vetëm një herë.
Pastaj prehje, qetësi, harrim.
Ti – dhe lindje eterne,
dhe vdekje eterne e dashurisë.

Ç’dhembje qenka të dashurosh ty./KultPlus.com

  • ✇
  • Ana  

Ana

By: Kult Plus
3 August 2025 at 16:22

Poezi nga Ajne Iberhysaj

Ana – Engjëjt që lufta ua vrau ëndrrat

Dhimbja i ngjan një mjegulle që s’pyet për kufij.
Në xhamat e thyer të mëngjesit,
ku agu i këndon ditës me rrobë mortore,
ajo ecën pa fjalë e heshtur mes shekujve.

Në cep të oborrit, sytë më mbetën pezull,
ku luhaja priste hijen e saj.
Ana luante me fluturat.
Muret dëgjuan e panë, por duar nuk patën.
Lulet ranë në tokë si të pashpirta,
dhe bilbilit iu këput kënga.

Anaaa, çika ime! … një copë diell u vra!

Thirrja copëtoi qiellin pash më pash.
Thirrjet u bënë shungullimë lutjesh,
nën të, dheu u përmbys.
Në qiell… askush s’e ndjeu.

Një kor i zi korbash u lëshua
mbi trupin e nënës me të bijën dardane.

“Ana…”, thashë me vete, u dridha nga ethet!
Mjegull…flakë…më zunë sytë.
Lotët derdheshin si një faj i fshehur,
që as koha s’e shlyen dot.
Mëkati, dhimbja…
pa mëshirë, e përvëluan tokën tonë.

Britma, si klithmë legjendash ndër shekuj,
u ngrit drejt kupës së qiellit.
Ana! As lisat nuk u përkulën më.
Vetëm shi dhimbje e një nëne, dhe lotët…
që përqafohen me dhé baladash.


Zëri me hijen e saj endet ndër ne.
një erë e egër,
si fryma e fundit e një epoke.
Sakrament lutjesh ngushëlluese, edhe sot.
Toka i ruan si dëshmi.

Ana!
Shndrit…si shenjtore, me sy drejt diellit.

Ana!
Fluturo në qiellin e tokës dardane,
fluturat t’i mbajnë krahët hapur.

Për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së Kosovës
(1024 fëmijë u vranë dhe 109 ende konsiderohen të zhdukur)
/KultPlus.com

❌
❌