‘Lyhnida – Liqeni i Dritës’/ Të reflektosh mbi natyrën nëpërmjet artit
Nga Gazeta “SI”- Nga data 27 korrik deri më 5 gusht 2025, Galeria e Arteve në Pogradec shndërrohet në një hapësirë reflektimi, ndërveprimi dhe ndërgjegjësimi përmes “Ekspozitës Performative #5 – Lyhnida – Liqeni i Dritës”, një projekt i kuruar nga Adela Demetja dhe Fabio Toska dhe organizuar nga Tirana Art Lab – Qendra për Art Bashkëkohor.
Ky projekt bashkon në një rezidencë njëjavore artistë, kuratorë dhe studiues për të prodhuar vepra të reja që dialogojnë me një nga ekosistemet më të vjetra dhe më të çmuara të Europës: Liqenin e Ohrit.
Në thelb të kësaj ekspozite qëndron vetë liqeni i njohur në antikitet si Lyhnida (Lychnidos), “liqeni i dritës” , një mrekulli natyrore me një moshë mbi 4 milionë vjet, i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e tij ekologjike dhe kulturore. Projekti ndërthur artin bashkëkohor me kujdesin ndaj mjedisit, duke e vendosur liqenin jo vetëm si objekt vëzhgimi, por si subjekt bashkëbisedues, si kujtim, si frymëzim dhe si thirrje për veprim.
Një ekspozitë që devijon nga formati klasik
“Ekspozita Performative” është një format unik i zhvilluar nga Tirana Art Lab, që sfidon menyrën tradicionalë të ekspozimit dhe synon të bëjë publike proceset krijuese përmes përfshirjes së performativitetit, bashkëpunimit dhe reflektimit të vazhdueshëm. Vepra të papërfunduara, ide në zhvillim, hulumtime të hapura, të gjitha këto shfaqen jo si mangësi, por si ftesa për bashkëkrijim dhe mendim të përbashkët.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë emra të njohur dhe zëra të rinj të artit bashkëkohor shqiptar, secili duke ofruar një qasje të veçantë mbi liqenin dhe gjithçka që ai përfaqëson.
Bora Baboçi sugjeron ekzistencën e novelës “Një hënë e dytë”, një krijim letrar që ngjall dyshime mbi realitetin dhe fantazinë, frymëzuar nga rrëfimi kutelian dhe “Shpikja e Morelit” e Bioy Casares. Përmes këtij botimi enigmatik, ajo sfidon kufijtë midis botës së prekshme dhe asaj të imagjinatës, duke ndërtuar një univers që mund të jetë i pavërtetë apo ndoshta jo.
Genc Kadriu, me veprën “Sivalë”, sjell një seri poezish-hapësire që përpiqen të përshkruajnë të paprekshmen, të paarritshmen dhe të përjetshmen në natyrë. Me një gjuhë të thellë metaforike, ai e sheh natyrën si qendër të një universi që nuk rrotullohet rreth njeriut, por që e fton atë në një ndjenjë përulësie dhe lidhjeje shpirtërore.
Denisa Kasa na udhëheq drejt rrjedhës së harruar të “Lumit të Madh” në Pogradec, dikur pjesë e gjallë e jetës urbane dhe sot një shenjë e betonizimit dhe ndarjes nga natyra. Përmes kujtimeve, fotografive dhe rrëfimeve lokale, Kasa rikthen në vëmendje rëndësinë e rrjedhave ujore në formësimin e identitetit të një vendi.
Anastas Kostandini, një nga emrat më të njohur të artit figurativ në Shqipëri, ekspozon tre vepra që lidhin mitin me realitetin: “Ylli i Jetës”, “Sirenat e Liqenit” dhe “Triumfi i poezisë”. Vepra që jo vetëm pikturojnë liqenin, por rrëfejnë gjendjet e tij emocionale, mistike e mitologjike.

Ledia Kostandini përqendrohet në diatomet – algat mikroskopike që jetojnë në ujërat e liqenit dhe që prodhojnë një pjesë të madhe të oksigjenit në planet. Përmes vizatimeve me rërë mbi panele të ndriçuara dhe bashkëpunimit me biologë, ajo ndërton një vepër që është njëherazi vizuale dhe edukative, duke përfshirë edhe një mikroskop për ta parë këtë botë të padukshme me sytë tanë.
Mariana Kostandini sjell një seri fotografish personale që dëshmojnë marrëdhënien intime me liqenin, si një vend që është njëkohësisht peizazh dhe prani, një burim ndriçimi fizik dhe emocional. Objektivi i saj i ndjeshëm fton në një meditim mbi kujtesën dhe përkatësinë.
Ilir Tsouko, përmes një video-portreti të qetë dhe meditativ, sjell një dimension poetik dhe ekzistencial të liqenit. Me pamje të ngadalta dhe të kuruara me kujdes, ai e paraqet liqenin si një kujtim të gjallë, një pasqyrë e vetëdijes njerëzore që flet për vazhdimësinë dhe delikatesën e jetës.

“Lyhnida – Liqeni i Dritës” synon të jetë një thirrje për të ndalur, për të parë dhe për të reflektuar se si natyra nuk është vetëm sfond i jetës sonë, por pjesë e pandashme e identitetit, frymëzimit dhe të ardhmes. Përmes gjuhës së artit, ky projekt kërkon të ndërtojë ura të reja ndërmjet njeriut dhe natyrës, kujtesës dhe të sotmes, përjetësisë dhe përkohshmërisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 gusht, çdo ditë nga ora 18:00 deri në 21:00, në Galerinë e Arteve Pogradec.
The post ‘Lyhnida – Liqeni i Dritës’/ Të reflektosh mbi natyrën nëpërmjet artit appeared first on Gazeta Si.