Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rrugorja, masa të rrepta/ Bllokohen 108 makina, pezullohen 53 leje. Të arrestuar e..

By: e xh
20 August 2025 at 12:00

Policia Rrugore e Tiranës intensifikon monitorimet e akseve rrugore 24/7, duke përdorur dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara.

Qëllimi i kontrolleve është parandalimi i aksidenteve dhe garantimi i sigurisë rrugore si dhe ulja e ndotjes akustike nga automjetet që krijojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme.

Nga monitorimi gjatë dy javëve të fundit:

-77 shtetas janë proceduar penalisht pasi me automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar kishin penguar lëvizjen. Automjetet e tyre janë tërhequr me mjet ngritës;

-66 shtetas janë arrestuar ose proceduar penalisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur, për drejtim mjeti pa leje drejtimi apo shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor;

-5 shtetas janë proceduar penalisht, pasi tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale;

-janë kapur 3 persona të shpallur në kërkim.

-108 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme rrugore;

-janë pezulluar 53 leje drejtimi;

-evidentuar 33 raste të automjeteve që kryejnë transport publik në mënyrë të kundraligjshme (drejtues taxi pa dëshmi përkatëse, taksi me targa të bardha, autobus me ndryshim destinacioni nga ai që përcakton leja e transportit).

“Policia Rrugore apelon për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë: drejtues automjetesh, motomjetesh, këmbësorë, si dhe ata që lëvizin me biçikleta ose monopatina, për të garantuar siguri për çdo përdorues të rrugës. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

 

 

Kosova ende pa Kuvend/ Haxhiu e Gërvalla nuk zgjidhen si kryetare këtë seancë

By: e xh
20 August 2025 at 11:47

Sot, 20 gusht, Kuvendi i Kosovës dështoi sërish në seancën për konstituim, edhe pas urdhrit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Kushtetueses, deputetët duhet të themelojnë organin ligjvënës brenda 30 ditëve, duke nisur nga 18 gushti.

Në sallën me 119 deputetë të pranishëm, Glauk Konjufca i Lëvizjes VetëVendosje propozoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare, pasi Haxhiu dështoi të zgjidhej, por sërish pa “rrugëdalje”.

Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla kanë dështuar të zgjidhen kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në të dy votimet, kandidatet morën nga 57 vota pro, 56 kundër e nga tri abstenime. Pas dështimit të tyre, seanca është shtyrë për 22 gusht.

 

 

Bizneset shqiptare përdorin Inteligjencën Artificiale më shumë se rajoni dhe BE-ja

By: e xh
20 August 2025 at 11:35

Megjithëse Shqipëria ka hendek teknologjik në krahasim me Rajonin dhe vendet BE, bizneset tona janë duke e përdorur inteligjencën Artificiale (IA) me shumë se ato të rajonit në Ballkanin Perëndimor, madje më shumë se BE-ja.

Sipas raportit të fundit “Western Balkans Digital Economy and Society index 2024” nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, bizneset shqiptare kryesojnë Ballkanin Perëndimor për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA) dhe teknologjive të avancuara. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, 12% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin përdoren IA-në, nivel ky mbi dyfishin e mesatares rajonale prej vetëm 5% dhe mbi nivelin mesatar të Bashkimit Europian, që arrin në 7%.

Përveç IA-së, bizneset shqiptare përdoren gjerësisht teknologji të tjera. Përshembull përdorimi i analizës së të dhënave përfshiu 33% të ndërmarrjeve, duke e vendosur Shqipërinë mbi mesataren e rajonit 31% dhe në nivel të krahasueshëm me BE-në, 32%. Edhe e-faturimi është i konsoliduar, me 54% të bizneseve që e përdorin, krahasuar me 41% në rajon dhe 38% në BE.

Shqipëria kryeson gjithashtu me përqindjen të lartë të kompanive që përdorin rrjetet sociale dhe mjete të tjera të komunikimit digjital sesa vendet fqinje.

Megjithatë, raporti i KBR-së thekson se rritja e përdorimit të teknologjive të avancuara nuk po shoqërohet gjithmonë me aftësi të mjaftueshme digjitale të fuqisë punëtore, çka mund të kufizojë përfitimet afatgjata.

Bizneset shqiptare janë më të prirura të përdorin teknologjinë për të shmangur kostot që po vijnë nga mungesa e fuqisë punëtore në vend. Anketat rajonale kanë treguar se bizneset shqiptare janë më të shqetësuarat për mungesën stafeve në të gjitha nivelet.

Në vitin 2023, vetëm 43% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të) në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor arritën një nivel bazik të intensitetit digjital, krahasuar me 58% në BE.

Angazhimi online përmes mediave sociale po përmirësohet gradualisht. Në vitin 2023, 26% e ndërmarrjeve në rajon përdorën dy ose më shumë lloje platformash të mediave sociale, pak më poshtë mesatares së BE-së prej 31%. Përdorimi i teknologjive të avancuara digjitale gjithashtu tregon përparim në vitin 2023.

Përdorimi i cloud computing u rrit në 26%, megjithatë mbetet pas mesatares së BE-së prej 38%.

Adoptimi i analizës së të dhënave u rrit ndjeshëm në 31%, duke ngushtuar pothuajse diferencën me BE-në, nga vetëm 6% në vitin 2020./Monitor

Aksidentohet autobusi në Afganistan, humbin jetën 76 persona

By: e xh
20 August 2025 at 11:30

Të paktën 76 persona kanë vdekur pasi një autobus që po bartte emigrantë afganë, të kthyer nga Irani, u përplas me makina të tjera në perëndim të Afganistanit, tha një zyrtar provincial.

“Shtatëdhjetë e gjashtë qytetarë të shtetit… humbën jetën e tyre në këtë incident dhe tre të tjerë janë lënduar rëndë”, tha përmes një deklarate Mohammad Yousuf Saeedi, zëdhënës i Qeverisë provinciale të Heratit.

Policia në qarkun Guzara, që gjendet në periferi të qytetit Herat ku ndodhi aksidenti mbrëmjen e së martës, tha se autobusi u përplas me një motoçikletë dhe një kamion që po bartte karburante. Si pasojë e aksidentit u shkaktua zjarr.

Autobusi po bartte afganë që së fundi ishin kthyer nga Irani në kryeqytetin afgan, Kabul.

Të paktën 1.5 milion persona janë kthyer në Afganistan nga Irani dhe Pakistani që nga fillimi i këtij viti. Këto dy shtete po synojnë që të dëbojnë migrantët që për dekada i kanë strehuar, sipas agjencisë për migrim të Kombeve të Bashkuara.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Bakhtar, tha se aksidenti i së martës mbrëma ishte një më vdekjeprurësit që ka ndodhur në Afganistan në vitet e fundit.

Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Afganistan, për shkak të rrugëve të dëmtuara pas dekadash konflikt, ngasjes së rrezikshme në autostrada dhe mungesës së rregulloreve për trafik.

Dhjetorin e vitit të kaluar, dy aksidente me autobusë që përfshinë një cisternë karburanti dhe një kamion në një autostradë në Afganistanin qendror lanë të vdekur të paktën 52 persona. REL

 

“Politikan i dobët që tradhtoi Izraelin”/ Albanese minimizon kritikat e Netanyahut

By: e xh
20 August 2025 at 11:19

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se ai i trajton me respekt udhëheqësit e shteteve të tjera, pasi homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, e kritikoi lidhur me vendimin e tij për njohjen e një shteti palestinez.

“Nuk i marr personale këto gjëra, angazhohem me njerëz në mënyrë diplomatike. Ai ka thënë gjëra të ngjashme edhe për udhëheqës të tjerë”, tha Albanese më 20 gusht gjatë një konference për media.

Sulmet personale të Netanyahut ndaj Albaneses kanë përkeqësuar edhe më shumë raportet mes dy vendeve. Raportet u përkeqësuan pasi Australia javën e kaluar vendosi që të njohë një shtet palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator.

“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë që është: një politikan i dobët i cili tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, tha Netanyahu përmes një postimi në X një ditë më parë.

Albanese u tha gazetarëve se e kishte informuar Netanyahun për vendimin e Australisë për të mbështetur një shtet palestinez para se Qeveria e tij zyrtarisht të njoftonte për këtë plan.

“Në atë kohë, i dhashë kryeministrit Netanyahu indikacione të qarta se cili do të ishte qëndrimi im dhe qëndrimi i Australisë në të ardhmen, por i dhashë edhe indikacione të qarta për rrugën në të cilën jemi nisur”, tha Albanese.

“Ia dhashë mundësinë të tregonte se çfarë mundësie ka për zgjidhje politike për këtë çështje”, shtoi ai.

Edhe shtete të tjera, sikurse Franca, Britania dhe Kanadaja kanë njoftuar më herët se do të njohin një shtet palestinez.

Më herët gjatë javës, Izraeli ka revokuar vizat për diplomatët australian në Autoritetin Palestinez, pasi Qeveria e Australisë anuloi vizën për një ligjvënës izraelit lidhur me deklaratat e tij që i konsideroi nxitëse dhe kundërthënëse.

Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar lidhur me ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 62.000 palestinezë dhe banorët po përballen me krizë të thellë humanitare.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. REL

Durrës, plagosi rëndë me gur të riun gjatë një konflikti/ Arrestohet 29 vjeçari

By: e xh
20 August 2025 at 11:14

Plagosi rëndë, duke goditur me gur ne koke një 20-vjeçar, për motive të dobëta, policia identifikon dhe arreston autorin e dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin J. B., 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

‘Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, pas mesnate, në lagjen nr.15, Durrës, ka goditur me gur, në kokë, shtetasin H. K., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Tiranë, ushtroi dhunë ndaj bashkëjetueses dhe tentoi ta djegë/ Pranga 42 vjeçarit

By: e xh
20 August 2025 at 11:02

Ushtroi dhunë ndaj bashkëjetueses dhe tentoi të djegë atë edhe banesën e tyre, arrestohet nga policia 42 vjeçari.

Arrestimi i 42 vjeçarit me inicialet A.LL është kryer nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit:

-A. Ll., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe ka tentuar të djegë atë dhe banesën e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Vengu: Projekt modern në Kompleksin Muzeal të FA-ve në Bërzhitë

By: e xh
20 August 2025 at 10:49

“Kompleksit Muzeal të Forcave të Armatosura në Bërzhitë do t’i shtohen hapësira bashkëkohore që lidhin historinë me komunitetin, të shkuarën me të ardhmen”.

Kështu shkruan në një postim në rrjetin social Facebook, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ku ndër të tjera shkruan se në projektin modern, kompleksi vjen si një rrëfim arkitektonik dhe sjell më pranë qytetarit jo vetëm një muze, por edhe një hapësirë të përbashkët për kujtesë, identitet dhe bashkëjetesë.

“Duke respektuar ndërtesat ekzistuese dhe natyrën, projekti parashikon shtimin e godinave dhe hapësirave funksionale për aktivitetin e përditshëm të Forcave të Armatosura dhe industrisë së mbrojtjes”, shkruan ministri Vengu.

 

Aksidentohet në Gjermani autobusi me udhëtarë nga Kosova, 3 të lënduar

By: e xh
20 August 2025 at 10:38

Kompania Dubova Reisen konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një autobus i saj, me udhëtarë nga Kosova u aksidentua në Gjermani në orët e para të 20 gushtit.

Nga kjo kompani thanë se vetëm tre pasagjerë kanë pësuar lëndime.

“Fatmirësisht, pasagjerët janë mirë, vetëm tre nga ta janë me lëndime të lehta për shkak të dëmtimit të xhamave. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:30. Autobusi ishte në trasen e tij, një makinë ka ardhur nga e majtë, nga ana e shoferit, duke ia humbur drejtimin”, thanë nga kjo kompani.

Media gjermane, Rosenheim24 dhe Bild duke cituar policinë gjermane, thanë se 30 persona u lënduan gjatë aksidentit. Sipas Bild, gjashtë nga pasagjerët u lënduan rëndë dhe u dërguan në spital, ndërkaq të tjerët, me lëndime më të lehta u trajtuan në departamentin e zjarrfikësve në Irsshenberg.

Autobusi i aksidentuar po bartte 50 pasagjerë, kur u përplas me një kamion të ngarkuar me mallra në autostradën A8, afër Irsshenbergut gjatë natës.

Autobusi ishte nisur drejt Mynihut dhe shoferi, slloven 49-vjeçar, si duket e pa kamionin shumë vonë. Kamioni, i ngarkuar me perime, po drejtohej nga një polak, 47-vjeçar. Autobusi i përplas në pjesën e pasme të kamionit, pavarësisht se shoferi tentoi që të shmangte aksidentin.

Pas këtij aksidenti, autoritetet gjermane mbyllën për trafik segmentin A8 për gati dy orë. REL

Kurbin, plagosi me thikë një shtetas pas një konflikti, pranga 33 vjeçarit

By: e xh
20 August 2025 at 10:31

Plagosi me thikë, një 50-vjeçar, për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari në Kurbin. Policia sekuestroi thikën e përdorur për plagosjen.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në qytetin e Laçit, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës (thikë), gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar, shtetasi:

-E. D., alias E. B., 33 vjeç, banues në Laç.  

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në Laç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), në krah, shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Okulistika e Spitalit Vlorë/ Pacienti humbi shikimin, kryhet me sukses ndërhyrja

By: e xh
20 August 2025 at 10:11

Spitali Rajonal i Vlorës, një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës.

Së fundmi, u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit. Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ku ndër të tjera ajo tregon rreth gjendjes së pacientit duke shkruar se pas trajtimit, ai rifitoi ndjeshëm pamjen dhe shpresën për një jetë më të pavarur.

“Ky rezultat behet me domethenes falë investimeve në kabinetin e ri të okulistikës, të pajisur me teknologji moderne dhe paketat e rimbursuara të vitrektomisë, që garantojnë trajtime falas, pa nevojë për referim në spitale të tjera.

Mirënjohje për ekipin mjekësor:

Dr. Kemal Ylsek, Dr. Edmond Isufaj, Dr. Dilaver Haskaj, Dr. Ëngjëll Lazaj, Dr. Odela Risilia dhe infermiere Kleoniqi Mustafara”, shkruan Koçiu.

(VIDEO)Risi për drejtuesit e automjeteve, Rama: CAP përfshihet në lejen e drejtimit

By: e xh
20 August 2025 at 09:48

Një tjetër risi për drejtuesit e autmomjeteve. Që prej datës 19 gusht, Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) e integruar përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit si Kodi 95, duke shmangur kështu kartonin e veçantë.

Nga ky ndyshim qytetarët do të kenë përfitime: Më pak dokumente edhe më pak shpenzime.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Rama në rrjetin social Facebook ku shkruan: “Mirëmëngjes, dhe me një tjetër hap drejt modernizimit e thjeshtimit të shërbimeve, Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) e integruar automatikisht në lejen e drejtimit si Kodi 95, duke shmangur kartonin e veçantë e ulur shpenzimet për qytetarët, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.

 

Protestat në Serbi, dhunë dhe kaos/ Vuçiç kërcënon me masa të rrepta

By: e xh
20 August 2025 at 09:16

Rrugët e qyteteve serbe janë shndërruar në sheshe përleshjesh dhe dhune mes demonstruesve kundër Vuçiçit dhe mbështetësve të tij. Presidenti serb kërcënon me masa të rrepta

Pas nëntë muaj protestash relativisht paqësore, rrugët e Serbisë nuk janë më të mbushura me marshime paqësore, por me skena që i ngjajnë një gjendjeje lufte. Përleshjet midis demonstruesve dhe policisë, shkopinj, gaz lotsjellës, bomba tymi, fishekzjarrë dhe zyra të shkatërruara të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet përsëriten natë për natë në të gjithë vendin.

Neda Vrebac nga Asambleja Qytetare e Novi Sadit ka qenë në rrugë për muaj të tërë. Ajo thotë se njerëzit janë të zemëruar dhe se dhuna në rrugë është vetëm një reagim ndaj dhunës së regjimit.

“Ne u gjetëm para bajonetave, pa e kuptuar fare”, thotë Vrebac për DW. “Unë personalisht, por edhe qytetarë të tjerë që marrin pjesë rregullisht në protesta, ndihemi shumë të shqetësuar, të pasigurt dhe kjo është pasojë e faktit se jetojmë në fashizëm, me të gjitha manifestimet e tij”, shton Vrebac.

Protestuesit në rrugë shpesh nuk e dinë nëse po përplasen me policinë apo me parapolicët e partisë SNS të Aleksandar Vuçiçit. Në rrjetet sociale po qarkullojnë video që tregojnë grupe të rinjsh me shkopinj dhe gjëra të tjera që sulmojnë protestuesit, Në media thuhet se midis mbështetësve të SNS-së dhe Vuçiçit ka dhe njerëz që më parë janë dënuar për tentativë vrasjeje, sjellje të dhunshme, madje edhe një ish-udhëheqës tifozësh, i cili u dënua për vrasjen e tifozit francez Brice Taton në vitin 2009.

“Qeveria, me ndihmën e kriminelëve të partisë, shpalli luftë në rrugë kundër qytetarëve. Por nuk ka më tërheqje, jemi djegur deri në palcë, thonë qytetarët. Ata e kanë kuptuar se me mafian dhe paramilitarët nuk ka demokraci, se nuk ka më biseda me mafian përveçse për dorëzimin e pushtetit”, tha për DW Radivoje Jovoviç nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.

Ai beson se dhuna në rrugë është rezultat i nervozizmit të qeverisë, e cila nuk është në gjendje të zgjidhë krizën.

“Është qeveria që refuzoi të pranonte kërkesat e drejta të protestës, ajo që filloi të shkelte mbi trëndafila. Por këta trëndafila i dolën me gjemba. SNS nuk na besoi kur thamë ‘kini kujdes nga zemërimi i një njeriu të duruar’ dhe tani ata kanë kryer krime që kanë përshpejtuar fundin e tyre”, shton Jovoviç.

Përgjigja e shtetit

Ndërkohë edhe policia ka filluar të përdorë dhunë. Qytetarët dhe media kanë regjistruar një sërë shembujsh të brutalitetit policor në kamera. Një studente nga Beogradi, Nikolina Singjeliç, dëshmoi se komandanti i një njësie për sigurimin e objekteve, Marko Kriçak, “e qëlloi me shuplakë dhe ia përplasi kokën në mur”, duke e quajtur “kurvë”.

“Ai kërcënoi se do të më zhvishte dhe do të më përdhunonte para të gjithëve, që të gjithë ta shikonin. Isha tepër e frikësuar”, tha ajo për televizionin N1.

Së shpejti pasuan edhe arrestimet masive. Disa media të regjimit publikuan pamje që tregonin të rinj të gjunjëzuar pas një muri me duart pas shpine, me nga një oficer policie që qëndronte pas secilit prej tyre.

Pamjet të kujtojnë imazhe nga kampet e luftës, dhe Neda Vrebac. Të patkën tre prej personave të arrestuar dhe gjunjëzuar me kokë drejt murit nuk kanë qenë fare në protesta. Njëri prej tyre është Vukashin Kuriliq, familjen e të cilit ajo e njeh personalisht.

“E arrestuan ndërsa po kthehej nga dyqani për në shtëpi. Ai mbante disa çanta në dorë. Si një fëmijë i vogël, ai tha se nuk ka bërë asgjë. E kontrolluan, gjetën një inhalator astme me vete dhe menduan se ishte sprej me piper dhe e futën në një furgon policie. Ai nuk ka pasur shkelje ligjroe kurrë”, thotë Neda Vrebac për DW.

Vuçiç kërcënon me “përgjigje të ashpër”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiqpremton një përgjigje të ashpër nga shteti brenda pak ditësh, por mohoi se do të vendoset një gjendje e jashtëzakonshme. “Në një moment të caktuar, do të shihni vendosmërinë e plotë të shtetit të Serbisë. Ne do të përdorim gjithçka që kemi në dispozicion për të rivendosur rendin dhe paqen në vendin tonë. Ne do ta bëjmë këtë. Ne do t’i kundërvihemi të gjitha presioneve të jashtme, të gjithë atyre që na kërcënojnë, që na paralajmërojnë dhe thonë se çfarë duhet të bëjmë në vendin tonë. Ata kanë arritur të sjellin kaos në vendin tonë por ne do të fitojmë”, tha Vuçiç.

Në një konferencë për shtyp, ai akuzoi studentët dhe qytetarët që po protestojnë për përmbysjen e shtetit, duke i krahasuar ata me fashistët dhe nazistët. Është vetëm çështje ditësh para se të vrasin dikë, tha ai.

Shumë njerëz i frikësohen skenarit të dhunshëm

“Kam frikë për jetët njerëzore. Jetën tonë, jetën e qytetarëve të pafajshëm, fëmijëve, aktivistëve”, thotë Neda Vrebac. Por ajo ka frikë se regjimimund edhe të vrasë dikë nga radhët e tij në mënyrë që të përshkallëzojë edhe më tej dhunën.

“Mendoj se ai është i gatshëm për çdo gjë, sepse ka sasi të mëdha parash dhe mafie përreth tij. E ju e dini se si funksionon mafia”, thotë Neda Vrebac.

Gjendja e pafuqisë mbetet

Profesori në pension i Fakultetit të Shkencave Politike, Zoran Stojilkoviq, e quan këtë gjendje një ekuilibër të pafuqisë në të cilën asnjëra palë nuk ka epërsinë vendimtare dhe nuk ka ndonjë strategji të qartë.

“Mendoj se vetë Vuçiç nuk dëshiron një gjendje të jashtëzakonshme, sepse ai nuk ka kapacitet ta mbajë atë kur njerëzit nuk janë të gatshëm ta respektojnë. Është e qartë që qytetarët nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Ajo që është e dëshirueshme është sigurisht që të ndodhë një lloj dialogu, të ketë kushte relativisht të drejta zgjedhore dhe zgjedhje brenda pak muajsh deri në fund të këtij ose fillim të vitit të ardhshëm”, vlerëson Stojilkoviç.

Kjo është arsyeja pse është me rëndësi thelbësore, që studentët që ende besojnë të mobilizojnë qytetarët për një arritje politike. “Duhet t’u tregosh qartë njerëzve se çfarë do të marrin kur të fitojnë dhe çfarë duhet bërë që gjërat e këtilla të mos përsëriten kurrë”, shton Stojilkoviç.

Ndryshe, në Serbi mund të ketë skenarë të tjerë që mund të çojnë në protesta dhe greva masive, me dhunë dhe pasiguri konstante. DW

BE diskuton për garancitë e sigurisë për Ukrainën

By: e xh
20 August 2025 at 09:06

Debati mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën po merr vrull. Presidenti i SHBA-s Trump tha se SHBA do të ndihmojë. Edhe planet e Berlinit janë të paqarta.

Një pikë e nxehtë në konsultimet në Shtëpinë e Bardhë ishin garancitë për siguri për Ukrainën gjatë një procesi të mundshëm paqeje me Rusinë. Pas takimit në Uashington krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së zhvilluan një takim virtual për të diskutuar për mundësitë për ta mbrojtur Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha pas bisedimeve se tani është koha për të përshpejtuar përpjekjet dhe për të realizuar mbrojtjen e premtuar – të ngjashme me atë të parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s. Sipas Presidentit të Këshillit të BE-së ditët në vijim, ndoshta para fundit të kësaj jave, personat përgjegjës për ushtrinë të vendeve të të ashtuquajturit Koalicion i të Gatshmëve të udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca, do të konkretizojnë në konsultim me SHBA-në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën.

Trump dëshiron të ndihmojë nga ajri

Presidenti Trump tha pas samitit se SHBA-ja do t’i mbështesë garancitë për siguri për Ukrainën, por nuk dha detaje. Lidhur me ukrainasit ai vetëm siguroi: “Ne do t’u japim atyre mbrojtje shumë të mirë, siguri shumë të mirë”. Megjithatë në Fox News Trumpi u shpreh më vonë vetëm për mbështetje nga ajri. Trumpi deklaroi se SHBA mund të ofrojë mbështetje ajrore për paqeruajtësit evropianë në rast të një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë. Ai e hodhi poshtë përsëri idenë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.

Berlini në parim i gatshëm

Gjermania bëri të qartë se do të marrë pjesë në garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën. Megjithatë, forma e pjesëmarrjes do të vendoset vetëm “pasi të jetë arritur  një marrëveshje mbi kuadrin e gjerë”. Sipas burimet qeveritare “vendimi konkret se cili do të jetë kontributi i Gjermanisë do të merret në një datë shumë më të vonë.”

Ministri Federal i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), tha se po punojnë me intensitet për garanci të besueshme sigurie dhe theksoi: “Ne po marrim parasysh, së pari, progresin e negociatave, së dyti, një kontribut të mundshëm të SHBA-së dhe së treti, koordinimin me partnerët tanë më të ngushtë”. DW

Divjakë, familjet në konflikt për kanalin vadisës/Vritet me thikë 32 vjeçari(Detaje)

By: e xh
20 August 2025 at 08:54

Goditi me thikë një 32 vjeçar e për pasojë humb jetën, ndërkohë policia vuri në pranga autorin e dyshuar.

Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë.

“Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat”, në njoftimin e policisë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

 

Ikin të rinjtë, rritet punësimi tek të moshuarit! Pensionistët më të angazhuar…

By: e xh
20 August 2025 at 08:43

Personat në pension janë duke u angazhuar gjithnjë  më shumë në tregun e punës dike plotësuar hendekun që po lënë të rinjtë e ikur në emigracion.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti në vit grup-mosha mbi 65  po rrit pjesëmarrjen në tregun e punës dhe shkallën e punësimit.

Në vitin 2024, shkalla e punësimit për personat mbi 65 vjeç arriti në 25.0%, nga vetëm 17.6% në vitin 2023. Kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme prej 7.4 pikë përqindjeje vetëm në një vit.

Një pjesë e kësaj rritjeje shpjegohet me jetëgjatësinë, por edhe me nevojën ekonomike për të qëndruar më gjatë në tregun e punës për shkak të pensioneve të ulëta dhe mungesës së kursimeve të mjaftueshme për pleqërinë.

Rritja e shkalles së punësimit për pensionistët nga 2023 në 2024 është më e madhe se në të gjitha kategoritë e tjera të grup-moshave.

P.sh.  me grup moshën aktive 15-64 vjeç, që në vitin 2024 ka një shkallë punësimi prej 68.6%  me rritje vetëm 1.7 pikë %.

Gjithashtu shkalla e punësimit tek të rinjtë 25-29 vjeç u rrit 5% ndërmjet 2023 dhe 2024.

Rritja e vazhdueshme e këtij treguesi për moshën +65 mund të sinjalizojë edhe një tendencë që do të thellohet në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve demografike ku strukturave e popullsisë po zhvendoset me shpejtësi në favor të moshave të vjetra.

Rritja e punësimit në moshën e tretë nisi të forcohej pas pandemisë, kur flukset e emigrimit filluan të shtohen sërish, duke lënë mangësi në tregun e punës.

Në njërën anë, hapësirat e lëna bosh nga të rinjtë në tregun e punës dhe në tjetrën pensionet e ulëta, po shtyjnë gjithnjë e më shumë pensionistët të punojnë.

Puna pas pensionit është e pranishme në të gjithë sektorët, madje edhe në sektorin publik.

Në qarqet e vendit, ende shumë pensionistë punojnë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, etj., për shkak se nuk ka të rinj për t’i zëvendësuar. Në të njëjtën periudhë, tregu i punës është bërë më pak tërheqës për të rinjtë. Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2024, sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës, papunësia tek të rinjtë më arsim të lartë ishte rritur në krahasim me 2023.

Zhvillimet në tregun e punës po tregojnë se Shqipëria po përballet me sfidën e re të integrimit te të moshuarve në tregun e punës./ Monitor

Drafti/ Propozohet organizimi i ri, institucionet e varësisë do bashkohen me..

By: e xh
20 August 2025 at 08:37

Qeveria ka propozuar ndryshime në organizimin e institucioneve të administratës publike, duke reduktuar kategorinë e institucioneve jo-ministrore nga 3 që janë aktualisht në 2, me qëllim rritjen e funksionimit dhe llogaridhënies. Për krijimin e institucioneve të varësisë nga ministritë është propozuar vendosja e një pragu minimal të punonjësve që do të justifikojë krijimin e tyre.

Ndryshimet janë propozuar në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” të publikuar te konsultimet publike.

Sipas projektligjit për ndryshimet në Ligjin nr. 90/2012, i cili është pjesë e Reformës në Administratën Publike, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre. Drafti propozon bashkimin e Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.

“Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.

Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët”, citohet në relacion.

Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funskionimit të tyre.

“Nga një analizë e situatës, rezulton se për shkak të mungesave në ligjin 90, ka një tendence të shkëputjes së njësive të brendshme administrative të ministrive (drejtorive/drejtorive të përgjithshme) nga aparati i ministrive duke u krijuar si institucione vartësie më vehte. Kjo mungesë ka pas sjellë në disa raste krijimin e trupave/institucioneve të varësisë shumë të vogla, që nuk kanë realisht kapacitate për funksionimin e tyre ndarazi jashtë ministrisë mëmë. Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie, dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit”.

Po ashtu edhe sistemi i mbikëqyrjes apo llogaridhënies së institucioneve për trupat jo ministrore rezulton se nuk është i uniformizuar. Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Ndërsa për institucionet në varësi të Kryeministrit legjislacioni aktual nuk ka dispozita apo kufizime për to,  duke i trajtuar ato njësoj si institucionet në varësi të ministrive. Në relacion theksohet se me kalimin e viteve kjo ka krijuar një mbingarkesë në funksionimin normal të qendrës së qeverisjes si pasojë e një numri të konsiderueshëm institucionesh në varësi të kryeministrit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit. Dispozitat parashikojnë kritere pozitive dhe negative.

Projektligji propozon edhe dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete.

Ndër të tjera në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces./Monitor

Parashikimi i motit sot, 20 gusht 2025

By: e xh
20 August 2025 at 08:29

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e somte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet kryesisht i kthjellët, me alternime të lehta vranësirash të mesme dhe të larta, të cilat do të jenë më të dukshme në relievet kodrinore dhe malore.

Era do të fryjë nga kuadrati i perëndimit me një shpejtësi mesatare prej 6 m/s. Herë pas here, sidomos në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare, ajo do të forcohet duke arritur deri në 10 m/s.

Sa i përket detit, valëzimi pritet të jetë i qetë, me forcë 1-2 ballë.

Horoskopi për ditën e sotme, 20 gusht 2025

By: e xh
20 August 2025 at 08:10

Dashi

Energjia e ditës ju nxit të merrni iniciativa të reja. Në punë, idetë tuaja do të vlerësohen, ndërsa në jetën personale një surprizë e këndshme mund t’ju ngrejë humorin. Kujdes me shpenzimet impulsive.

Demi

Sot do të ndiheni më të qetë dhe të sigurt. Koha është e përshtatshme për të marrë vendime financiare. Në dashuri, komunikimi i hapur do të sjellë afrim me partnerin.

Binjakët

Do të keni shumë lëvizje dhe takime gjatë ditës. Kreativiteti juaj është në kulm, ndaj përdoreni për projekte të reja. Në marrëdhënie, kujdes nga keqkuptimet e vogla.

Gaforrja

Emocionet sot janë të forta. Fokusohuni tek familja dhe njerëzit që doni. Një lajm i mirë mund t’ju japë motivim shtesë për të ecur përpara.

Luani

Sot jeni në qendër të vëmendjes. Karizma juaj ju ndihmon të bindni të tjerët. Në dashuri, mund të keni një moment romantik të veçantë. Kujdes me arrogancën.

Virgjëresha

Ditë e favorshme për të bërë plane praktike dhe për të vënë rregull në punët që keni lënë pas. Në jetën personale, një bisedë e sinqertë do të sjellë qartësi.

Peshorja

Sot është dita për të forcuar marrëdhëniet shoqërore dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi. Në dashuri, ndjeni nevojën për ekuilibër dhe harmoni.

Akrepi

Intuita juaj është shumë e fortë sot. Mund të merrni një vendim të rëndësishëm që do të ndikojë në të ardhmen. Në aspektin financiar, bëni kujdes me investimet e nxituara.

Shigjetari

Dëshira për aventurë dhe ndryshim është e madhe. Mund të mendoni për udhëtime apo projekte të reja. Në dashuri, një takim i papritur mund të sjellë emocione të forta.

Bricjapi

Sot duhet të përqendroheni tek objektivat afatgjata. Mund të merrni një vlerësim të merituar për punën tuaj. Në jetën private, tregoni më shumë ngrohtësi.

Ujori

Idetë tuaja origjinale mund të sjellin sukses. Sot është ditë e mirë për bashkëpunime dhe projekte në grup. Në dashuri, ndjeni nevojën për liri dhe pavarësi.

Peshqit

Sensibiliteti juaj është i lartë dhe do të keni dëshirë të ndihmoni të tjerët. Një mundësi financiare mund të shfaqet papritur. Në dashuri, është koha të tregoni ndjenjat hapur.

Situata me zjarret, 5 vatra në 24 orë/ 3 ende aktive 2 të tjera në monitorim

By: e xh
19 August 2025 at 12:03

Ministria e Mbrojtjes raporton për situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit.

Konkretisht bëhet fjalë për 5 vatra zjarri nga të cilat: 3 vatra janë aktive, dhe 2 vatra janë në monitorim, si më poshtë:

1. Vatra e zjarrit në Ternovë, njësia administrative Zerqan në bashkinë Bulqizë po mbahet nën monitorim nga 7 efektiv te MZSH për të eliminiuar çdo mundësi riaktivizimi nga djegia e trungjeve të thatë brenda vatrës.

2. Situata vijon të monitorohet në fshatrat Kulumri dhe Lumi i Trunit në bashkinë Fushë-Arrëz. Gjatë orëve të mëngjesit është bërë rivlerësimi i situatës dhe aktualisht po punohet për të parë nëse ka vatra aktive, si dhe për izolimin e cungjeve që vijojnë të digjen. Në terren janë angazhuar 50 forca të FA, të cilat janë shpërndarë në dy grupe me qëllim vendosjen nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit. Momentalisht, situata është e qetë dhe flakët janë shuar, por puna po vijon për të garantuar izolimin e plotë të vatrës.

3. Vatra e zjarrit në Malin e Bërzhitës në fshatrat Ibë dhe Durisht të njësive administrative Bërzhitë dhe Petrelë ndodhet në një terren shumë të largët dhe të vështirë për ndërhyrje nga toka. Aktualisht, nuk përbën rrezik për banesat apo zonën pyjore.

4. Zjarri i nisur më datë 10.08.2025 në fshatrat Damjan dhe Isufaj të Tiranës dhe i përhapur prej datës 13.08.2025 edhe në zonën e Pezë – Helmës, vijon të jetë aktiv në disa vatra të minimizuara, por që po mbahen nën mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare.

5. Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë situata paraqitet më e qetë si pasojë e punës se forcave operacionale por dhe për shkak të rreshjeve të shiut të rëna pasditen e djeshme.

 

 

 

❌
❌