Kosova pranohet si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual

Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Lajm i jashtëzakonshëm për arsimin në Kosovë!
Pas anëtarësimit me të drejta të plota në EQAR, edhe një arritje tjetër, kësaj radhe në arsimin profesional. Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze.
Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për MASHTI-n, pasi anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin tonë për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës.
Synimet tona përfshijnë:
-Përfshirjen aktive të sektorit privat;
-Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;
-Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale;
Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa.
EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit:
Praktika profesionale cilësore dhe efektive
Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë
Pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje
Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune.
Anëtarësimi i Kosovës në EAfA i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën tonë si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane.
Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA.
Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend./KultPlus.com

