Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 August 2025Main stream

Pritet dekreti i presidentit, 72 deputetë të rinj për herë të parë në Kuvend

By: b b
24 August 2025 at 15:30

Pas pushimeve të gjata të verës, politika shqiptare do të rikthehet në skenë me një shtator të ngjeshur.

Me mbylljen e mandatit të Kuvendit aktual më 9 shtator, Parlamenti i ri do të hapë dyert pasi Presidenti i Republikës të përcaktojë datën me një dekret, që sipas Kushtetutës nuk mund të vonohet më shumë se 10 ditë.

Seanca hapëse do të jetë vetëm konstituive, pa axhendë dhe pa debate. Rregullorja e Kuvendit përcakton që drejtimin e seancës së parë e merr deputeti më i vjetër në moshë. Edhe në këtë legjislaturë, radha i takon Sali Berishës, i cili është 81 vjeç.

Në rast refuzimi, stafetën e marrin Tritan Shehu ose Vasil Llajo, deputeti socialist i listës së Vlorës. Menjëherë pas hapjes, Kuvendi nis verifikimin e mandateve dhe më pas 140 deputetët e rinj do të bëjnë betimin.

Fryma e re në përbërjen e parlamentit të ri është e dukshme: 72 deputetë hyjnë për herë të parë nga radhët e socialistëve, 53 dhe 14 nga PD. Më e reja e Kuvendit është Marjana Koceku, 24 vjeçe, ndërsa më i vjetri është Sali Berisha.

Për socialistët fitues, sfida e parë mbetet formimi i qeverisë së re. Brenda 10 ditëve nga nisja e legjislaturës, kryeministri Edi Rama do të dorëzojë në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Zyrtarizimi kërkon të paktën 71 vota. Pas votëbesimit, Kushtetuta kërkon që qeveria të bëjë betimin përpara Presidentit të Republikës.

Tradita politike e së majtës e paraprin këtë proces me Asamblenë Kombëtare, e cila këtë vit është planifikuar në ditët e fundit të muajit gusht. Në këtë forum priten njoftimet për kabinetin Rama 4, ndryshimet në parti dhe në grupin parlamentar.

Brenda 20 shtatorit, vendi do të ketë parlamentin dhe qeverinë e re.

Që prej vitit 2013, Rama ka ruajtur në poste disa figura të pandryshuara. Rekordin e mban Mirela Kumbaro me mbi 9 vite në qeveri, e ndjekur nga Ogerta Manastirliu me 8 vite. Të dyja konsiderohen pjesë e skuadrës më jetëgjatë të kabinetit socialist.

Klan News

Zelensky zotohet se Ukraina “nuk do ta humbë” luftën kundër Rusisë

By: b b
24 August 2025 at 15:22

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë shënimit të Ditës së Pavarësisë të Ukrainës tha se shteti i tij “nuk do të humbë” luftën kundër Moskës, teksa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë dhe në kohën kur po bëhen përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës që ka nisur mbi tre vjet më parë.

“Ukraina ende nuk ka fituar, por me siguri nuk do të humbasë”, tha Zelensky gjatë adresimit drejtuar kombit më 24 gusht.

Presidenti ukrainas shtoi se pavarësisht se pjesë të shtetit të tij aktualisht janë të okupuara nga forcat ruse, ka “vetëm një Ukrainë” dhe “ne duhet të jemi së bashku si një familje”.

Zelensky iu referua diplomacisë me Rusinë, në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po përsërit thirrjet për bisedime të paqes në mënyrë që t’i jepet fund luftës.

“Ukraina kurrë nuk do të pranojë sërish poshtërimin për atë që rusët e quajnë ‘kompromis’”, tha ai. “Ne na duhet një paqe e drejtë në të cilën ne do të vendosim për të ardhmen tonë”.

Më 24 gusht, Ukraina po shënon ditën e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, teksa vendi po përballet me një realitet të ri si në fushëbetejë ashtu edhe jashtë saj.

Rusia tha më 23 gusht se forcat e saj në lindje të Ukrainës kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donjeckut, ndërsa ushtria e Ukrainës bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë një vendbanim në skajin perëndimor të rajonit Dnipropetrovskut. Moska gjithashtu njoftoi se kishte shuar një zjarr në një central bërthamor në rajonin perëndimor Kursk, pasi mbrojtja ajrore ruse pretendoi se kishte rrëzuar një dron ukrainas.

Këtë muaj po ashtu ka pasur përpjekje intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës, përfshirë një samit të profilit të lartë mes Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Alaskë.

Pas kësaj u zhvilluan bisedime në Shtëpinë e Bardhë mes Trumpit, Zelenskyt dhe udhëheqësve evropianë.

Trump ka paralajmëruar një takim të mundshëm mes Zelenskyt dhe Putinit, por një takim i tillë ende nuk ka ndodhur. Udhëheqësi amerikan ka thënë se do të presë dy javë për të parë se çfarë do të ndodhë dhe më pas do të vendosë për hapat e radhës, që mund të përfshijnë edhe sanksione të reja ndaj Rusisë.

“Siguria detare”/ Policia bllokon 26 mjete lundruese, shpëtohen 28 pushues

By: b b
24 August 2025 at 14:43

Plot 414 mjete lundruese janë inspektuar gjithsej gjatë kësaj jave nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare gjatë aksionit në hapësirat detare, liqenore dhe lumore nga Komani në Ksamil. Nga këto, 26 prej tyre janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Sikurse bën me dije policia përmes një njoftimi zyrtar, mjetet e bllokuara përfshijnë: 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

Policia ka konstatuar se 11 nga këto mjete lundronin brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pushuesve në zonat e frekuentuara nga turistët. Për këtë arsye, drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative prej 100 mijë lekësh secili.

“Gjithashtu, janë shpëtuar në det 28 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), si dhe 9 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, nga Ksamili në Koman.”, shtohet më tej në komunikatën për mediat.

Policia Kufitare u bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e sigurisë:

-Të mos shkelin perimetrin e sigurisë;

-Të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara;

-Të pajisen me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Fier/ Arrestohet një 19-vjeçar, i kërkuar në Itali për trafik droge

By: b b
24 August 2025 at 14:26

Një 19-vjeçar I shpallur në kërkim nga autoritetet italiane është arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit “Operacionalja 59”.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Riminit i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikim lëndësh narkotike.

Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane.

Policia e Shtetit

Finalizohet një tjetër operacion nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim.

Operacioni policor i koduar “Operacionalja 59”, vë në pranga një tjetër të kërkuar nga autoritetet italiane.

Kapet në Fier, një 19-vjeçar i akuzuar në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e radhës, të koduar “Operacionalja 59”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në Fier dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Z. Z., 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Cukalat, Berat.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Riminit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim.

Interpol Tirana vijon procedurat, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

PZAP urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale

By: b b
24 August 2025 at 14:14

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kanë raportuar mediat në Kosovë më 24 gusht.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beorgadit, e dorëzoi ankesën në PZAP paraditen e 22 gushtit.

“Anulohet vendimi i KQZ-së dhe urdhërohet KQZ-ja që ta cerifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave, sipas rekomandimit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ”, thuhet në një dokument të publikuar nga Rtklive.

Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor i Kosovës i 21 gushtit u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Kosovë/ Ndalohet një person, dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

By: b b
24 August 2025 at 14:09

Prokuroria Speciale njoftoi se është ndaluar një person i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj pjesëtarëve KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

L.M., sipas njoftimit, është dërguar në mbajte policore prej 48-orësh, pasi u ndalu në Zveçan, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

“L. M. dyshohet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria njoftoi po ashtu se është bastisur shtëpia e të ndaluarit dhe aty janë gjetur “prova materiale që vërtetojnë veprime inkrimuese të të dyshuarit”.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Deri më tani, dy persona janë dënuar me burgim për shkak të dhunës ndaj KFOR-it, ndërkaq disa persona të tjerë po ashtu janë dënuar dhe të njëjtit kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Edhe dhjetëra të tjerë janë arrestuar për ngjarjet e 29 majit në Zveçan.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./rel

Ndarja nga jeta e Zhejit, Presidentja Osmani: La një boshllëk në jetën intelektuale

By: b b
24 August 2025 at 13:33

Presidentja e Kosovës, Vjosa ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda nga jeta pasditen e  djeshme.

Në mesazhin e saj, Presidentja shkruan se Zheji la pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit, duke e cilësuar atë si një zë të guximshëm, një mendimtar të lirë dhe një penë të shquar të gazetarisë shqiptare.

Ajo përmend gjithashtu kontributin e Zhejit në dokumentimin dhe shkruarjen për dhimbjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë së tij mediatike dhe intelektuale.

Telegraimi i Presidentes Osmani:

 

Rikonstruktimi i spitalit të Gjirokastrës, Rama: Po rilind për t’i shërbyer…

By: b b
24 August 2025 at 13:27

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të diel pamjet nga rikonstruktimi i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës.

Teksa në pamje duket procesi i rikonstruktimit, Rama shkruan se ky spital do t’i shërbej jo vetëm banorëve të zonës, por edhe turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë.

“Spitali Rajonal i Gjirokastrës po rilind nga themelet, për t’i shërbyer mbi 60 mijë banorëve të zonës dhe qindra mijëra turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë”, shkruan Rama në postimin e tij.

Papa Leoni XIV i dërgon letër Zelensky-t: E kam zemrën e plagosur për Ukrainën

By: b b
24 August 2025 at 13:19

Papa Leoni XIV i ka dërguar një letër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me rastin e Ditës së Pavarësisë për Ukrainën.

Ka qenë vetë Zelensky ai që e ka bërë publike letrën e Atit të Shenjtë, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “X”.

“Me një zemër të plagosur nga dhuna që po shkatërron tokën tuaj, ju drejtohem në këtë ditë të festës suaj kombëtare”.

“Dua t’ju siguroj për lutjen time për popullin e Ukrainës që po vuan për shkak të luftës, veçanërisht për ata që janë të plagosur fizikisht, për ata që janë të pikëlluar nga humbja e një të dashuri, dhe për ata që janë privuar nga shtëpia e tyre,” vazhdon Papa Leoni, citon “Corriere Della Sera“.

Papa bën një apel të drejtpërdrejtë për ndalimin e luftimeve, duke kërkuar nga të gjitha palët të tregojnë vullnet të mirë për paqe.

“Zoti vetë i ngushëlloftë ata; Ai i forcoftë të plagosurit dhe i dhëntë prehje të përjetshme të ndjerëve. E lus Zotin të prekë zemrat e njerëzve me vullnet të mirë, që të shuhet zhurma e armëve dhe t’i hapet rrugë dialogut, duke hapur shtegun e paqes për të mirën e të gjithëve,” përfundon Papa.

Ndërkohë, një mesazh i rëndësishëm ka ardhur edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës.

“Ka ardhur momenti t’i jepet fund një masakre të pakuptimtë. Shtetet e Bashkuara mbështesin një marrëveshje negociuese që do të çojë në një paqe të qëndrueshme, që ndalon derdhjen e gjakut dhe ruan sovranitetin dhe dinjitetin e Ukrainës.”, thuhet në mesazhin e Trump-it, të publikuar po nga Zelensky.

Këto deklarata vijnë në këtë ditë me rëndësi për Ukrainën, por dhe në vazhdën e thirrjeve për një zgjidhje diplomatike të konfliktit dhe vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po shton presionin për ndalimin e luftimeve.

Kim Jong Un i përgjigjet Koresë së Jugut me testimin e dy raketave të reja mbrojtëse

By: b b
24 August 2025 at 13:01

Media shtetërore e Koresë së Veriut njoftoi se vendi ka testuar me sukses dy raketa të reja mbrojtjeje ajrore, gjatë një stërvitjeje të mbikëqyrur personalisht nga udhëheqësi Kim Jong Un.

Sipas KCNA, raketat kanë “aftësi të lartë luftarake” dhe përdorin “teknologji unike”, edhe pse nuk u dhanë detaje të tjera teknike. Testi, i kryer të shtunën, “provoi se tiparet teknologjike të dy llojeve të predhave janë shumë të përshtatshme për të shkatërruar objektiva ajrorë të ndryshëm”, përfshirë dronë dhe raketa lundrimi, theksoi agjencia.

Testi i Koresë së Veriut erdhi vetëm disa orë pasi Koreja e Jugut konfirmoi se kishte hapur zjarr paralajmërues ndaj ushtarëve verikoreanë që kaluan për pak minuta vijën ndarëse në Zonën e Demilitarizuar (DMZ). Sipas Yonhap, rreth 30 ushtarë të Phenianit hynë në territorin jugor përpara se të tërhiqeshin.

Pheniani e cilësoi reagimin e Seulit si një “provokim të qëllimshëm”.

Ngjarjet ndodhin në një kohë kur SHBA dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë, të cilat Kim i ka përshkruar si “më armiqësoret dhe konfrontuese deri më tani”.

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të takohet të hënën në Uashington me homologun e ri jugkorean, Lee Jae Myung, i cili gjatë fushatës premtoi përmirësim të marrëdhënieve ndërkoreane. Megjithatë, përpjekjet e tij për dialog janë refuzuar nga motra e Kim Jong Un, duke sinjalizuar vijim të tensioneve.

Më herët këtë muaj, Kim premtoi të përshpejtojë programin bërthamor, ndërsa në janar Pheniani pretendoi se kishte testuar një raketë balistike me rreze të mesme, të pajisur me kokë hipersonike.

Zyrtarë jugkoreanë kanë ngritur shqetësime se Rusia mund t’i ketë transferuar teknologji raketore Koresë së Veriut në këmbim të mbështetjes ushtarake të Pyongyangut për Moskën në luftën në Ukrainë – por mbetet e paqartë nëse testet e fundit përfshijnë teknologji ruse.

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut mbeten teknikisht ende në luftë, pasi Lufta e Koresë (1950–1953) përfundoi me armëpushim, jo me traktat paqeje. Prej asaj kohe, gadishulli ka qenë një nga zonat më të militarizuara në botë, me shpërthime sporadike dhune, edhe pse vite të tëra kanë kaluar pa shkëmbime të drejtpërdrejta zjarri.

Shqiptarët po braktisin dietat me pak kalori për ushqimet e pasura me proteina

By: b b
24 August 2025 at 12:52

Moda e re ushqimore është e qartë: konsumatorët po braktisin dietat me pak kalori për ushqimet e pasura me proteina. Nga qiqrat e pjekura te kefiri dhe proteina shtazore, tregu ushqimor global dhe ai shqiptar, po përshtatet me një “uri” të re që vjen nga palestrat, mediat sociale dhe dëshira për një trup më të fortë. Kjo prirje, e nxitur nga influencuesit, reklamat dhe ndërgjegjësimi i shtuar për shëndetin, po kthehet në një mundësi të artë për prodhuesit dhe tregtarët e ushqimeve, që po zhvillojnë produkte të reja për të kënaqur konsumatorët e etur për proteina. Një fiksim ushqimor që po shndërrohet në një biznes fitimprurës?

Nga Deada Hyka

Në një kohë kur modelet ushqimore janë gjithnjë e më shumë të ndikuara nga influencuesit dhe trendet sociale, kërkesa për ushqime të pasura me proteina ka arritur nivele të papara më parë, duke shtuar fitimet e bizneseve ushqimore, edhe në Shqipëri.

Ushqimet “me shumë proteina” kanë zëvendësuar ushqimet “me pak kalori” si një trend i ri që mbizotëron në raftet e supermarketeve. Në seksionet e ushqimeve të shpejta, përveç patatinave, tashmë mund të gjenden të gjitha produktet e pasura me proteina.

Në Shqipëri, tendenca është gjithashtu e dukshme. Seksionet e bulmetit janë mbushur me produkte të tilla si kefir, që njihen për përmbajtjen e lartë me proteina.

Për më tepër, dietat e pasura me proteina po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet në media sociale, ku influencuesit e ushqyerjes dhe fitnesit këshillojnë përdorimin e këtyre produkteve.

Trupi i fortë dhe muskuloz ka marrë vëmendje të madhe, duke zëvendësuar pamjen e dobët, një tjetër aspekt që ka nxitur kërkesën për ushqime të pasura me proteina.

Një analizë e tregut në Shqipëri tregon se gjithnjë e më shumë individë janë duke kërkuar mënyra për të rritur marrjen e proteinave.

Kërkimet online për “dietë me proteina të larta” kanë arritur kulme të larta dhe e njëjta tendencë është reflektuar në rritjen e shitjeve të produkteve të pasura me proteina në supermarkete dhe dyqanet online.

Si shpjegohet kjo dëshirë?

Një pjesë e madhe e saj vjen nga ndërgjegjësimi në rritje për përfitimet shëndetësore të konsumimit të proteinave, por gjithashtu ndikuar nga një “fiksim” i trendeve të reja, që po merr përmasa të një fenomeni kulturor të gjerë.

Dëshira për proteina nuk është thjesht një trend kalimtar, por një transformim i qëndrueshëm në zakonet ushqimore dhe mënyrën e jetesës së konsumatorëve.

Disa faktorë të tjerë janë gjithashtu të përfshirë në këtë ndryshim të shpejtë: rritja e interesit për shëndetin dhe mirëqenien, rritja e njohurive mbi rolin e proteinave në ndihmën për forcimin e muskujve dhe menaxhimin e peshës, si dhe një ndryshim i perceptimit për trupin e bukur.

Trendi ka krijuar një mundësi të madhe për markat ushqimore, të cilat po shfrytëzojnë këtë kërkesë me produkte të reja dhe inovative, duke u ofruar konsumatorëve mundësi për të pasur një dietë të pasur me proteina, që është gjithashtu e përshtatshme dhe lehtë e konsumueshme.

“Rritja e interesit për produktet me përmbajtje të lartë proteinash është një trend global që po reflektohet edhe në Shqipëri”, thotë Diola Dosti, nutricioniste e njohur.

“Por, jo gjithmonë etiketa ‘high protein’ do të thotë se kemi të bëjmë me një produkt të shëndetshëm. Shumë nga këto produkte përmbajnë sheqerna të fshehura, yndyra të shtuara apo përbërës artificialë”.

Sipas saj, konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të lexojnë me vëmendje përbërjen ushqimore përpara se të vendosin çfarë të fusin në dietën e përditshme.

“Ka shumë keqkuptime, njerëzit mendojnë se nëse një kos apo një biskotë ka proteina, automatikisht është i shëndetshëm. Por në fakt, përfitimet varen nga cilësia dhe burimi i proteinave, jo vetëm nga sasia”.

Znj. Dosti thekson se trupi i njeriut ka nevojë për proteina, por në sasi të balancuara dhe të marra nga burime sa më natyrale.

“Gjoksi i pulës, veza, peshku, bishtajoret, arrorët dhe qumështi janë burime shumë më të mira dhe të sigurta proteinash, në krahasim me produktet e përpunuara që thjesht reklamohen si ‘fit’ apo ‘protein snack’”. – shpjegon ajo.

Ajo thotë gjithashtu se “nuk është e nevojshme të konsumosh një produkt ‘protein bar’ nëse ke ngrënë një vakt të plotë, me mish, perime dhe pak drithëra integrale.

Trupi e merr atë që i nevojitet nga ushqimi i zakonshëm, nuk ka nevojë të bombardohesh me proteina nga çdo vakt apo ushqim i ndërmjetëm”.

Më tej, Diola Dosti thekson rëndësinë e edukimit ushqimor për të shmangur vendime të gabuara që lidhen me trendet. “Ka një iluzion që po krijohet, sa më shumë proteina të konsumosh, aq më mirë për trupin tënd.

Por e vërteta është që çdo lëndë ushqyese, kur merret pa kriter, sjell pasoja. Proteina e tepërt, sidomos ajo nga suplementet apo produkte ultra të përpunuara, mund të rëndojë veshkat dhe sistemin tretës”.

Ajo paralajmëron se shumë njerëz e lidhin konsumin e proteinave me dobësimin, por në realitet, nuk është aq e thjeshtë. “Dobësimi kërkon një qasje të integruar si aktivitet fizik, deficit kalorik dhe ushqyerje cilësore.

Nuk është një biskotë proteinike ajo që do të të ndihmojë të biesh në peshë, nëse pjesa tjetër e stilit të jetesës nuk mbështet këtë qëllim”.

Sipas saj, është e rëndësishme të bëhet një diferencim mes produkteve të krijuara për individë që bëjnë aktivitet intensiv fizik dhe atyre me një jetë sedentare.

“Nuk mund të barazosh nevojat ushqimore të një personi që trajnohet çdo ditë me ato të dikujt që kalon shumicën e ditës ulur në zyrë. Dhe megjithatë, të dy mund të konsumojnë të njëjtin produkt ‘protein snack’, duke menduar se po bëjnë një zgjedhje të shëndetshme”.

Znj. Dosti bën thirrje për më shumë vetëdije. “Ne nuk kemi nevojë të ndjekim verbërisht çdo trend që vjen nga jashtë. Shëndeti ndërtohet me përzgjedhje të qëndrueshme dhe të vetëdijshme, jo me impulse që mbështeten te reklama apo ‘influencer’ të ushqimit”.

Në fund, nutricionistja thekson se arsyeja e kostos më të lartë të ushqimeve proteinike si mishi, vezët etj., i shtyjnë njerëzit që të shkojnë drejt zgjidhjeve më ekonomike si ‘protein powder’ apo të ngjashme.

Kostoja

Kostoja ditore për një person që ndjek një dietë të orientuar proteinike në Shqipëri varet nga disa faktorë: cilësia e produkteve të zgjedhura (bio, supermarket, lokal), sasia e konsumuar dhe nëse gatuan vetë apo përdor shërbime të gatshme. Totali ditor (mesatarisht, nëse gatuan vetë) llogaritet rreth 1,200 lekë. Nëse përdor një shërbim kateringu që ofron 3 vakte të përgatitura + snack me bazë proteinë, abonimet ditore zakonisht variojnë nga 1,500–2,500 lekë/ditë në varësi të përbërjes, numrit të vakteve dhe cilësisë së përbërësve.

Aktivitete fizike ndryshojnë mënyrën e të ushqyerit

Në Shqipëri, një shtysë e veçantë ka ardhur nga rritja e popullaritetit të aktiviteteve fizike dhe trendeve të fitnesit. Shumë njerëz po kalojnë më shumë kohë në palestër dhe janë të angazhuar në regjime ushqimore të mbështetura në proteinat e larta, si një mjet për të arritur forma trupore më të mira.

Ky trend ka ndikuar edhe në mënyrën se si industria ushqimore e sheh tregun shqiptar.

Kompanitë po krijojnë produkte të reja të pasura me proteina për të përmbushur kërkesën e konsumatorëve që po kërkojnë mundësi më të shëndetshme dhe të shpejta për të konsumuar proteina.

Gjithashtu, ka një rritje të konsumit të proteinave si pjesë e dietave të kontrolluara për humbje peshe dhe menaxhimin e niveleve të glukozës në trup.

“Është e vërtetë që aktiviteti fizik ka fituar popullaritet dhe me të, edhe nevoja për një ushqyerje që e mbështet atë. Por ajo që më shqetëson është keqkuptimi se sa dhe çfarë lloj proteinash janë të nevojshme për një person që stërvitet.

Nuk është thjesht çështje sasie – është çështje cilësie dhe përshtatjeje me stilin e jetesës”, – thekson mjekja Matina Çobo, dietologe klinike.

Ajo vëren se kompanitë ushqimore janë gjithnjë e më aktive në ofrimin e produkteve “të pasura me proteina”, por jo gjithmonë kjo do të thotë se janë të shëndetshme.

“Produktet e përpunuara, edhe kur përmbajnë proteina, shpesh kanë sasi të larta kripe, yndyre të pashëndetshme apo përbërës artificialë. Konsumatori duhet të lexojë etiketat dhe të kuptojë që ‘proteinë’ nuk është sinonim i ‘të shëndetshëm’”.

Sipas saj, një tjetër arsye pse njerëzit po orientohen drejt proteinave është rritja e ndërgjegjësimit për menaxhimin e sëmundjeve kronike.

“Është e saktë që dietat me përmbajtje të moderuar proteine mund të ndihmojnë në kontrollin e glukozës apo në mbajtjen e një peshe të qëndrueshme. Por gjithçka duhet bërë me udhëzim mjekësor, jo nga ‘Google’ apo rrjetet sociale.”

Znj. Çobo shton se roli i mjekut mbetet thelbësor në përcaktimin e nevojave individuale për proteina, sidomos për ata që kanë probleme me metabolizmin apo sëmundje të veshkave. “Kur flasim për proteina, duhet të kujtojmë se nuk janë për të gjithë njësoj. Ato që për një mund të jenë ndihmë, për një tjetër mund të jenë barrë”.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm në këtë zhvendosje të prirjeve ushqimore është ndikimi i mediave sociale. Rrjetet janë kthyer në një hapësirë ku trupi nuk është më vetëm një element estetik, por edhe një mënyrë për të shprehur stil jetese, kontroll personal dhe sukses.

Sipas sociologes Marsi Simo, “rrjetet sociale kanë krijuar një presion të heshtur estetik dhe funksional mbi trupin. Ato nuk diktojnë vetëm se si duhet të dukesh, por edhe çfarë duhet të hash për t’u dukur ‘siç duhet’”.

Në këtë kontekst, influencuesit e fitnesit dhe ushqyerjes janë kthyer në figura me ndikim, që jo vetëm promovojnë receta apo produkte të caktuara, por formësojnë edhe zakonet e konsumit.

“Nëpërmjet influencuesve, dieta me shumë proteina është shndërruar nga një zgjedhje shëndetësore në një simbol kulture moderne, të lidhur me suksesin personal dhe përkujdesjen për veten”, vëren znj. Simo.

Ajo shton se “kemi kaluar nga modeli i ‘trupit të hollë’ që dominonte vitet 2000, tek ai i ‘trupit funksional’, ku muskujt dhe energjia përfaqësojnë status dhe kontroll mbi veten.”

Ndikimi i këtij transformimi kulturor është i dukshëm edhe në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë. Ata janë më të ndërgjegjshëm, më të interesuar për informacion dhe më të gatshëm për të ndjekur trende globale, sidomos kur këto përçohen nga figura të ndjekura në rrjetet sociale.

“Mediat sociale po e zhvendosin autoritetin nga mjekët dhe dietologët tradicionalë te figura e influencuesit, duke krijuar një treg të ri ushqimor që mbështetet mbi besimin dhe ndjekjen, jo gjithmonë mbi shkencën”, thekson sociologia.

Në fund, znj. Simo nënvizon se kjo uri për proteina “nuk është vetëm biologjike – është edhe sociale. Është një formë përkatësie dhe ndjekjeje të modelit të suksesshëm që diktohet online”.

Kjo e shpjegon më së miri faktin pse kërkesa për produkte të pasura me proteina është rritur ndjeshëm dhe pritet të mbetet një tendencë që do të vazhdojë të udhëheqë tregun ushqimor”.

Ndërsa tregu ushqimor shqiptar po ndjek në mënyrë gjithnjë e më të dukshme modelet globale, një nga ndryshimet më të mëdha është zhvendosja e raportit të konsumatorit me ushqimin: nga një marrëdhënie e ndërtuar mbi traditën, shijen dhe përkatësinë kulturore, drejt një qasjeje funksionale, e orientuar drejt trupit të shëndetshëm dhe mirëqenies personale.

Në këtë realitet të ri, buka me djathë nuk është më thjesht një vakt i shpejtë, nëse nuk ka proteinat e duhura, ajo ndoshta nuk përmbush pritshmëritë.

“Po krijohet një brez i ri konsumatorësh që nuk ushqehen për të ngopur barkun, por për të përmbushur një standard të caktuar fizik apo emocional”, – thotë sociologia Marsi Simo.

Kjo prirje ka potencial të ndryshojë jo vetëm mënyrën si konsumojmë, por edhe mënyrën si prodhojmë dhe tregtojmë.

Tendenca

Ndërsa tregu ushqimor shqiptar po ndjek në mënyrë gjithnjë e më të dukshme modelet globale, një nga ndryshimet më të mëdha është zhvendosja e raportit të konsumatorit me ushqimin: nga një marrëdhënie e ndërtuar mbi traditën, shijen dhe përkatësinë kulturore, drejt një qasjeje funksionale, të orientuar nga performanca e trupit dhe mirëqenia personale. Në këtë realitet të ri, buka me djathë nuk është më thjesht një vakt i shpejtë, nëse nuk ka proteinat e duhura, ajo ndoshta nuk përmbush pritshmëritë.

Si po e reflekton tregu

Rritja e kërkesës për ushqime të pasura me proteina nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga prodhuesit dhe tregtarët vendas. Disa marka shqiptare kanë nisur të përshtatin linjat e tyre të prodhimit për të ofruar produkte që i përgjigjen kësaj prirjeje të re.

Nga kosi me proteina të shtuara te snack-et me bazë mishi apo bishtajore, po vërehet një përpjekje për të qenë konkurrues jo vetëm me çmim, por edhe me përmbajtje ushqyese.

Në raftet e supermarketeve shqiptare, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme etiketa që dikur përdoreshin vetëm në importet nga Perëndimi: “high-protein”, “low-carb”, “keto-friendly” apo “no added sugar”.

Këto etiketime nuk janë më vetëm mjet informues, por pjesë e strategjive të pozicionimit të markave, tregues i qartë se ushqimi nuk shitet më vetëm për shijen apo çmimin, por për mënyrën si përshtatet me identitetin dhe mënyrën e jetesës së konsumatorit.

Ndërkohë, platformat online të shitjes dhe zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve kanë filluar të investojnë në algoritme dhe kategori të personalizuara për t’u dhënë përparësi produkteve që përputhen me këto kërkesa të reja.

Kërkimi për produkte të pasura me proteina është tashmë një kategori më vete, ndërsa klientët që ndjekin dieta specifike marrin rekomandime të personalizuara, duke e shndërruar përvojën e blerjes në një proces më të ndërgjegjshëm dhe më të informuar.

Rritja e vetëdijes ka ndikuar edhe në industrinë e shërbimit ushqimor.

Restorantet, veçanërisht ato urbane dhe të frekuentuara nga të rinjtë, kanë filluar të përfshijnë në menutë e tyre ushqime që theksojnë përmbajtjen e proteinave, nga tasa me mish të bardhë dhe drithëra të plotë, te alternativat vegjetariane me bazë thjerrëza, tofu apo qiqra.

Megjithatë, për prodhuesit vendas, ky transformim nuk vjen pa sfida. Përshtatja me standardet ndërkombëtare të etiketimit dhe certifikimeve është një proces që kërkon investim në teknologji, përmirësim të transparencës dhe komunikim më të saktë me konsumatorin.

Pa këto elemente, edhe produktet më cilësore mund të humbasin terren në një treg që po udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga ndikimi vizual, rrjetet sociale dhe miratimi i influencuesve.

Kjo e bën “urinë për proteina” jo thjesht një çështje të zgjedhjeve personale, por një dinamikë ekonomike që po riformëson tregun ushqimor dhe mënyrën si kompanitë ndërtojnë produktin, komunikimin dhe imazhin e tyre.

“Biznesi i urisë” 

Biznesi i urisë” nuk është më thjesht ai që siguron ushqim, por ai që kupton dëshirat e reja: fizike, estetike dhe emocionale, të konsumatorit modern.

Çmimet /

Protein Bar – 250 lekë

Kefir – 240 lekë

Mish pule: fileto 550 lekë/kg; pula 460 lekë/kg

Vezë: 35 lekë kokrra mesatarisht

Abonimi mujor me ushqim me bazë proteinike: 18 mijë lekë / 1 vakt dhe 1 snack

Protein Powder – 5000 lekë mesatare./Monitor

Me kokën ulur, 40-vjeçari shqiptar që vrau gruan në Greqi mbërrin në gjykatë

By: b b
24 August 2025 at 12:40

Pandeli Nakoleci, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij 36-vjeçare, Marjola Nakoleci, u paraqit paraditen e së dielës, 24 gusht, para prokurorit në qytetin e Volos.

Ngjarja tronditi komunitetin lokal, pasi dyshohet se krimi ndodhi para syve të katër fëmijëve të çiftit.

Gjatë mbërritjes, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe mbante kokën poshtë. Sipas burimeve, pas vrasjes, i dyshuari u fsheh për më shumë se një ditë në një parcelë me bar, rreth 200 metra larg shtëpisë, ndërsa kishte ndryshuar rrobat dhe nuk mbante telefonin ose mjetet që dyshohet se përdori.

Autoritetet lokale nisën një ndjekje intensive, ndërsa arrestimi u realizua pas sinjalizimit të një fqinjit që kishte vënë re lëvizjet e dyshimta të tij. Sipas informacioneve nga hetimet paraprake, nuk ka histori të dhunës familjare, edhe pse i dyshuari kishte pasur më parë kontakte me policinë.

Trupi i viktimës, Marjola Nakoleci, është dërguar në Mjekësinë Ligjore të Selanikut, ku pritet të kryhet autopsia më 25 gusht 2025. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë nën drejtimin e autoriteteve gjyqësore.

Mësimi i gjermanishtes: Përse njerëzit mësojnë gjermanisht?

By: b b
24 August 2025 at 12:25

Një studim i fundit tregon, se në shumë vende mësimdhënia e gjermanishtes është një profesion me të ardhme. Përse është rritur kërkesa për të mësuar gjermanisht?

Ai pritej me interes: studimi i ri mbi nxënësit e gjermanishtes në shkolla, universitete dhe institute gjuhësore në të gjithë botën. Mbledhja e të dhënave, që publikohet një herë në pesë vjet, identifikon trendet e mësimit të gjuhës gjermane dhe analizon “kushtet kornizë dhe sfidat” e gjermanishtes si gjuhë e huaj (DaF) në të gjithë botën.

Kësaj radhe studimi nuk përmban shifra. Ndërsa anketa e fundit e vitit 2020 tregonte rreth 15.45 milionë, tani vetëm mund të spekulohet, por raporti zbulon shumë trende, disa për tyre të habitshme. Punimi, i publikuar nga Ministria e Jashtme Gjermane, u prezantua në “Konferencën Ndërkombëtare të Mësuesve të Gjermanishtes” (IDT) në Lübeck.

Kush mëson gjermanisht dhe përse?
Gjermanishtja si gjuhë e poetëve dhe mendimtarëve, për ta lexuar Goethe-n në origjinal? Absolutisht e vjetëruar, nëse ky ka qenë ndonjëherë motivi. Sipas rezultatit kryesor të studimit, gjermanishtja mësohet kryesisht për t’u përgatitur për studime, trajnime ose për t`u punësuar në Gjermani.

Studimi përmend ndër të tjera edhe vende si Kenia, Egjipti, Kameruni dhe Maroku. Edhe në Indi shifrat janë rritur ndjeshëm që nga marrëveshja e mobilitetit me Gjermaninë në vitin 2022, konfirmon Alexandra Mittler, drejtoreshë në Institutin Goethe në New Delhi. Ka bashkëpunime të shumta me shkolla të kualifikuara në Indi, për shembull në fushën e infermierisë. Mësimi i gjermanishtes ofrohet si pjesë integrale e përgatitjes për punë në Gjermani. Megjithatë ka mungesë mësuesish të kualifikuar si në shkolla ashtu edhe në mjedise jashtëshkollore. Trajnimi i mësuesve është një fushë e rëndësishme, që përfshin jo vetëm mësimin e gjuhës dhe metodologjinë, didaktikën, por edhe trajnimin ndërkulturor. Përveç kësaj po jepen njëqind bursa për kurse gjuhe dhe specializime në Gjermani, pasi mësimdhënësit duhet të përcjellin mundësisht një “imazh aktual dhe realist të Gjermanisë”.

Sensibilizimi për kulturën para mbërritjes në Gjermani
Kjo është një pikë me shumë rëndësi, pasi aftësitë gjuhësore janë njëra anë, por përgatitja për një kulturë të ndryshme, me vlera potencialisht të ndryshme kërkon ndjeshmëri të veçantë. Studimi citon programe të ndryshme, si “Fit për tregun gjerman të punës”, “Urë profesionale” dhe “Paraintegrimi dhe menaxhimi i tranzicionit”, të cilat përtej aftësive gjuhësore synojnë përgatjen për jetën në Gjermani me një sensibilitet ndaj kulturës.

Tema të tilla si shumëllojshmëria, pjesëmarrja, LGBTQ+ dhe “gender” nuk janë të detyrueshme në programet e mësimit të gjuhës, por është sigurisht e dobishme të kesh dëgjuar për to, përpara se të udhëtosh për në Gjermani, thotë Akshita Dhamija, lektore në Institutin Goethe në Delhi. Në konferencën e mësuesve të gjuhës gjermane në Lübeck, ajo drejtoi seminarin “Kompetenca Gjinore si Çelës për Përfshirjen”.

Mungesa e mësuesve problem në mbarë botë
“Sfida më e madhe në Nigeri është mungesa e mësuesve të gjermanishtes”, thotë Moses Ayankulnle, një nga më shumë se 2.700 pjesëmarrësit e konferencës. Kërkesa për gjermanishten në Nigeri është e madhe, por atje nuk ka sa duhet mësues të kualifikuar. Një specializim në Gjermani është thuajse i pamundur pa një bursë ose një institucion, që e mbështet. është shumë e komplikuar, edhe përsa i përket vizës.

Është e nevojshme të veprohet, sepse mungesa e mësimdhënësve është një problem në mbarë botën, analizon studimi. Shkaqet janë të shumëanshme: shumë mësues dalin në pension, në disa vende nuk ka mundësi për përgatitjen e mësuesve të gjermanishtes, në vende të tjera, si Japonia dhe Korea, por edhe në jug të Evropës ndjehet ndryshimi demografik: Më pak lindje do të thotë më pak nxënës.

Kësaj i shtohet edhe fakti, që kryesisht në Amerikën Latine ofertat e gjuhës janë ndërprerë përgjithmonë, ose ka patur prioritet anglishtja.

Se sa fort ndikojnë në kuadrin e mösimit tö gjermanishtes vendimet e politikës arsimore në vende të ndryshme, e tregon trendi i kundërt si në Vendet Balltike. Në Lituani gati gjysma e të gjitha shkollave, të cilat ofrojnë gjuhë të huaja, e kanë gjermanishten në program.

Gjermanishtja është veçanërisht e kërkuar si gjuhë profesionale
Për vendet me rritje të lartë të popullsisë dhe me treg pune të kufizuar, Gjermania ofron perspektiva, përfundon më tej studimi. Në Institutin Goethe të Berlinit drejtoresha Manuela Beck sheh rritjen e nevojës për kurse mbrëmjeje për specialistët, që flasin anglisht në punë, por që e kanë të nevojshme gjermanishten për jetën e tyre të përditshme. Kurset online janë po ashtu gjithnjë e më të kërkuara, por ato nuk zëvendësojnë mësimdhënien në klasë.

Studimi arrin në përfundimin se një gjë është e qartë: metodologjia bashkëkohore, didaktika, metodat e mësimdhënies, që përfshijnë inteligjencën artificiale dhe njohjen e vendit, janë mjete thelbësore për të lehtësuar ardhjen në Gjermani të të rinjve dhe të moshuarve. Jo më pak e rëndësishme është që ata të frymëzohen për të mësuar gjermanishten. Ndoshta disa prej tyre do të dëshirojnë ta lexojnë Goethe-n në origjinal./dw

Dogji pyllin për të shtrirë zorrën e ujit, arrestohet banori i Gramshit

By: b b
24 August 2025 at 12:13

Një banor i Gramshit është vënë në pranga me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, pasi akuzohet për shkatërrim me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor.

I arrestuari është shtetasi me inicialet F.S., i cili sipas autoriteteve ka pranuar se i vuri zjarrin një pjese të pyllit në zonën ku ai ka prona bujqësore, me qëllim që të pastronte terrenin për shtrimin e një markushi uji për vaditjen e ullinjve.

Ngjarja ndodhi më 21 gusht 2025.  Sipas deklarimeve të vetë të dyshuarit, ai ka qenë së bashku me të atin në momentin që vendosi zjarrin, duke e bërë këtë veprim me një çakmak, të cilin e përdori për të ndezur barishtet dhe vegjetacionin e thatë.

“Më datë 21.08.2025, policia u njoftua se në fshatin Bresnik i Poshtëm, Njësia Administrative  Kodovjat, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në mesin e një pylli të përbërë nga lloje drurësh ‘Mare’ dhe ‘Cendel’.

Në vendngjarje shtetasi F. S.i deklaroi se ka shkuar bashkë me babain e tij në fshatin Bresnik Poshtë, ku i ka vënë zjarrin një pjese të sipërfaqes së pyllit për të shtrirë markushin e ujit për të vaditur ullinjtë. Pasi i ka vendosur zjarrin bashkë me të atin kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të tij. Zjarrin e vendosi me çakmak për të lehtësuar punën për të shtrirë markushin për tek arat e tij.”, njofton Prokuroria.

I dyshuari tha se zjarrin e kishte nën kontroll dhe se është hera e parë që e bën.

Dështon sërish seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

By: b b
24 August 2025 at 11:52

Hekuran Murati dhe Arbëria Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.

Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post, dhe hera e parë për Nagavcin.

Më pas, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit propozoi deputetin Dimal Basha për postin e kryeparlamentarit.

Para seancës, përfaqësuesit e partive politike – që mandatin e kaluar ishin në opozitë – përsëritën qëndrimet e tyre sa i përket çështjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimeve Musliu tha se ka marrë vendim që të mos e votojë asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja, pasi argumentoi se kjo parti “është duke e mbajtur peng shtetin” që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.

Tjetër aksident në Fier! Makina merr para kalimtarin, i plagosuri në gjendje kritike

By: b b
24 August 2025 at 11:43

Një tjetër aksident është shënuar paraditen e sotme në qytetin e Fierit.

Një automjet tip Land Rover, i drejtuar nga një 17-vjeçar, ka përplasur një qytetar që po kalonte rrugën në kryqëzimin pranë shkollës së muzikës në Fier.

I plagosuri, 35 vjeç është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, në lagjen “Liri Gero” automjeti me drejtues një shtetas 17 vjeç, banues në Fier, ka përplasur një këmbësor, rreth 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Eshtë shoqëruar në Komisariat drejtuesi i automjetit me të cilin po kryhen veprimet procedurale.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit të dëmtuar dhe për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Turizmi i surprizave në Mal të Zi: Rezervon një vend, fle diku tjetër

By: b b
24 August 2025 at 11:29

“Ky lloj turizmi mund të reklamohet si një lojë surprizash – rezervoni dhe pastaj hamendësoni se ku do të flini”.

Kështu e përshkruan Milloshi nga Podgorica përvojën e tij me akomodimin në Zhablak – një qytet i vogël në veri të Malit të Zi.

Por, në fakt, disa familje me të cilat bisedoi Radio Evropa e Lirë, kishin probleme këtë sezon, sepse akomodimi i rezervuar nuk ishte në dispozicion.

Në vend të shtëpisë apo apartamentit të dakorduar, pronarët i kanë ridrejtuar në një objekt tjetër, gjë që, sipas tyre, ka qenë e papranueshme.

Organizata Turistike në Zhablak thotë se është në dijeni të problemit dhe e justifikon atë me rezervimet e shumta.

Përkundër kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, Ministria e Turizmit në këtë vend nuk u përgjigj.

Përndryshe, turizmi është sektori kryesor ekonomik në Mal të Zi dhe përbën rreth 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Zhablaku është qyteti më i vizituar në veri të Malit të Zi si në verë, ashtu edhe në dimër.

Vitin e kaluar, atë e vizituan gati 24 mijë turistë.

Në vend të shtëpisë së rezervuar, një zgjidhje tjetër
Një çift nga Podgorica e rezervoi akomodimin në një vilë në Zhablak në muajin korrik.

Reklamën e panë në Instagram. Kur morën konfirmimin se vila ishte e disponueshme në një kohë që u përshtatej, ata nuk kishin asnjë dilemë se ku t’i kalonin pushimet e gushtit, bashkë me tre fëmijët.

Megjithatë, kur mbërritën në destinacion, pronarja u tha se nuk do të akomodoheshin në shtëpinë që kishin rezervuar.

“Ne u përballëm me një fakt të kryer dhe nuk kishim zgjidhje tjetër, veçse ta pranonim. Akomodimi nuk ishte i keq, por isha e zemëruar”, rrëfen Zhana nga Podgorica për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se pronari i ri u përpoq, po ashtu, t’u merrte më shumë para sesa duhej.

“Çmimit që pronarja kishte vendosur për këtë akomodim, ai ia shtoi 20 euro në ditë, por ne e kundërshtuam këtë përpjekje të turpshme”, thotë ajo.

Me situatë të ngjashme u përball edhe bashkëvendësi i saj, Milloshi.

“Arritëm në akomodimin ku kishim qëndruar vitin e kaluar, por pronarja kërkoi falje dhe tha: ‘Nuk u kuptuam. Sapo ju dërgova lokacionin, sepse nuk jeni në këtë shtëpi, por te tezja ime, dy kilometra më larg’”, tregon Milloshi.

Me dy fëmijë, në mbrëmje, ai thotë se nuk kishte shumë zgjedhje.

“Ajo shtëpi ishte e bukur, por mënyra se si na pritën, ishte e papranueshme. Dhe ky nuk është një përjashtim – është praktikë”, sipas tij.

Një bashkëbisedues i Radios Evropa e Lirë, që ka informacione për tregun në Mal të Zi, thotë se rastet e tilla nuk e habitin.

“Rezervimet e dyfishta janë të zakonshme, sepse nikoqiri mund të gjejë një mysafir për më shumë ditë, ose për një çmim më të mirë, dhe ta zhvendosë tjetrin te fqinji”, thotë ai.

Për të, kjo është pasojë e zhvillimit të pakontrolluar të turizmit dhe faktit se pothuajse kushdo që “ka një dhomë”, mund ta japë me qira.

Problemi është i njohur për autoritetet
Në Organizatën Turistike të Zhablakut thonë për Radion Evropa e Lirë se rastet e tilla janë shpesh rezultat i rezervimeve të tepërta.

“Shumica e ofruesve të akomodimit e reklamojnë atë në platforma të shumëfishta. Nëse kalendarët nuk përditësohen rregullisht, ndodhin rezervime të dyfishta”, thotë Stojan Abazoviq, drejtor i Organizatës Turistike të Zhablakut.

Ky problem, sipas tij, ekziston kudo në botë.

Ai thotë se në një përqindje të caktuar rastesh, akomodimi alternativ është më i keq se ai i rezervuar – gjë që ndikon negativisht në përvojën e mysafirit.

“Mysafirët kanë mundësi ta vlerësojnë mikpritësin dhe ky është një mekanizëm mbrojtës që duhet të shfrytëzohet”, thotë Abazoviq.

Inspektorati turistik dhe Ministria e Turizmit nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë temë.

Biznes i njëjtë edhe në bregdet
Praktika nuk është “e rezervuar” vetëm në veriun e Malit të Zi.

Edhe në Ulqin, siç pohon banorja e qytetit, Lina, është praktikë që kur akomodimi mbushet, turistët të ridrejtohen te fqinjët, me shpjegimin se ka ndodhur një gabim.

“Përballë shtëpisë sime është një hostel që zakonisht pranon turistë të huaj. Kur mbushet, i dërgon kudo në afërsi, te kushdo që ka vend të lirë. Për ne kjo është si një ‘mirëdita’”, thotë Lina.

Megjithatë, nga Organizata Turistike e Ulqinit thonë se nuk kanë marrë ankesa zyrtare për raste të tilla.

“Një praktikë e tillë, nëse ndodh, nuk është në përputhje me rregullat e veprimtarisë turistike dhe mund të dëmtojë reputacionin e destinacionit dhe besimin e turistëve”, thonë nga kjo organizatë.

Ata shtojnë se nuk kanë kompetenca inspektuese, por u sugjerojnë turistëve që të ankohen tek inspektorati përgjegjës dhe Ministria e Turizmit.

Dëm për turistët dhe për destinacionin
Branka Samarxhiq, nga Shoqata e Akomodimit Privat në Mal të Zi, konfirmon se fenomeni i ridrejtimit të turistëve pa paralajmërim, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

“Është një praktikë e keqe që shkakton dëme. Më shpesh bëhet fjalë për akomodime të paregjistruara, që veprojnë jashtë ligjit dhe pa kontroll të cilësisë. Në këto raste, mysafirët nuk kanë mbrojtje dhe mikpritësit nuk mbajnë përgjegjësi”, thotë ajo.

Sipas të dhënave qeveritare, 86 milionë euro humbasin çdo vit si pasojë e akomodimit të paregjistruar.

Samarxhiq thotë se mikpritësit e regjistruar paguajnë taksa dhe janë të detyruar t’i zbatojnë kushtet e rezervimit.

“Nëse lind një problem, gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët është e detyrueshme”, thotë Samarxhiq për Radion Evropa e Lirë.

Edhe hotelet
Ridrejtimi i turistëve, megjithatë, nuk ndodh vetëm në akomodime private, por edhe në hotele luksoze.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë Novaku nga një agjenci udhëtimesh.

“Solla një grup, rregullova akomodimin në një hotel luksoz në Budvë. Pak para regjistrimit, na thanë se hoteli është i mbipopulluar dhe mysafirët i transferuan në hotelin tjetër. Në mes të sezonit nuk ke zgjidhje tjetër veçse të pranosh”, thotë ai, duke shtuar se turistët ishin të pakënaqur.

“Kjo ndikon drejtpërdrejt në punën tonë, sepse klientët na kërkojnë kompensim, kështu që ne i kthejmë paratë”, thotë Novaku.

Asnjë siguri për “akomodimin e egër”
Kur rezervimet bëhen përmes platformave zyrtare, siç është Booking, ose faqja e internetit e hotelit, mysafirët kanë të drejtë të ankohen, të kërkojnë kompensim ose akomodim të ri.

Në rast të rezervimit direkt me mikpritësin e paregjistruar, këto nuk mund të kërkohen.

Radio Evropa e Lirë pyeti Booking-un – platformën më të njohur për rezervimin e akomodimeve – nëse ka pranuar ndonjë ankesë kundër kësaj praktike në Mal të Zi, por nuk mori përgjigje./rel

Fier/ Aksident me vdekje, dyshohet se drejtuesi pësoi arrest kardiak

By: b b
24 August 2025 at 11:10

Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Kallm i Vogël, ku ka humbur jetën një 63-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në rrugën kryesore të fshatit.

Sipas informacionit paraprak nga blutë, dyshohet se shtetasi B.Z mund të ketë pësuar atak kardiak.

Fier/Informacion paraprak:

Rreth orës 09:40, në fshatin Kallm i Vogël, është gjetur nga familjarët në anë të rrugës i ndërruar jetë në automjet, shtetasi B. B., 60 vjeç, banues në fshatin Kallm i Vogël.

Ky shtetas dyshohet se ka humbur jetën për shkak të arrestit kardiak.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Trafikonte drogë drejt vendeve të BE, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari shqiptar

By: b b
24 August 2025 at 11:01

Një 41-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për shtetasin Edson Jozwik alias Edson Pjetri, të cilit Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: trafikim lëndësh narkotike, pastrim parash, grup kriminal dhe kryerje veprash penale nga grup i strukturuar kriminal.

Hetimet zbuluan se gjatë periudhës qershor–nëntor 2020, 41-vjeçari në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka trafikuar rreth 160 kg cannabis sativa nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Belgjika në Shqipëri, i shtetasit E. J. alias E. P., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, ka trafikuar rreth 160 kg lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Albin Kurti për ndarjen nga jeta të Zhejit: Gazetar i rrallë!

By: b b
24 August 2025 at 10:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtivka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të gazetarit Artur Zhejit, personalitet i njohur i medias së shkruar dhe asaj televizive, i cili vdiq dje në moshën 64-vjeçare.

Përmes një reagimi, Kurti e përshkroi Zhejin si një gazetar të rrallë, që përtej lajmit të ditës angazhohej dhe thellohej me seriozitet intelektual te çështjet dhe subjektet me të cilat ballafaqohej.

Ai e cilësoi Zhejin jo vetëm si reporter lufte, por si një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar dhe dokumentues i angazhuar, i cili ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja shqiptare dhe të rritej jehona e kërkesës për liri.

Reagimi i plotë:

Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen.

I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.

Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.

Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe!

❌
❌