Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 August 2025Main stream

Gjermani! 37-vjeçari vret gruan, merr foshnjën dhe vetëvritet

By: el da
11 August 2025 at 22:54

Një 37-vjeçar gjerman kreu vetëvrasje me foshnjën e tij 3-muajshe duke e përplasur makinën drejt në një makinë tjetër, pasi vrau gruan e tij gjatë një grindjeje.

Burri 37-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, vrau gruan e tij 34-vjeçare “duke përdorur një objekt të mprehtë” pas një grindjeje në shtëpinë e tyre të dielën në mbrëmje, sipas mediave lokale.

Policia ende nuk ka konfirmuar se çfarë lloj arme është përdorur në krim.

Pas incidentit, ai doli nga apartamenti në Waldachtal në Baden-Württemberg dhe mori me vete foshnjën e tyre 3-muajshe.

Ai thuhet se e drejtoi makinën drejt Pfalzgrafenweiler, ku u kthye në korsinë përballë dhe u përplas me një makinë të drejtuar nga një grua 29-vjeçare.

Sipas policisë, burri dhe foshnja e tij humbën jetën në përplasje. m.p.

OKB dënon vrasjen e 5 gazetarëve të Al Jazeera në Gaza

By: el da
11 August 2025 at 22:42

Sulmi ajror izraelit në Gaza që vrau pesë gazetarë të rrjetit të Al Jazeera dhe një gazetar tjetër të pavarur është dënuar ashpër nga Zyra e Kombëve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. OKB e ka cilësuar si shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.

Gazetarët të cilët mbetën viktima të këtij sulmi ishin korrespondenti Anas al-Sharif, Mohammed Qreiqeh dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa. Mohammad al-Khaldi, një tjetër gazetar, u konfirmua i vdekur nga mjekët në spitalin al-Shifa.

Më herët Izraeli pranoi se shënjestroi Anas al-Sharif, duke e akuzuar për përfshirje në Hamas, por pa ofruar prova. Sharif kishe shfaqur kritika shpeshherë në rrjete sociale ndaj Hamasit.

Grupet për të drejtat e gazetarëve, përfshirë Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) dhe Reporterët pa Kufij, dënuan vrasjet, duke akuzuar Izraelin për një model të përsëritur të akuzimit të gazetarëve si militantë pa prova. m.p.

“Kodi i ri Penal do të rrisë stokun e dosjeve nëpër gjykata”

By: el da
11 August 2025 at 22:33

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Durrës, Lorval Petani, ka komentuar në studion e Syri Tv ndryshimet në Kodin e ri Penal. Petani u shpreh se ndryshimet e propozuara nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin stokun e dosjeve nëpër gjykata.

Avokati u shpreh më tej se drafti heq ndasinë mes zyrtarëve të lartë dhe atyre të zakonshëm duke i klasifikuar të gjithë njësoj dhe bën një qasje për vepër penale nga 3 deri në 8 vjet burg. Sipas tij, propozimet e bëjnë Kodin e ri Penal, njësoj si ai i Turqisë.

“Ka pasur organizata në Shqipëri që janë paguar me miliona euro për të bërë analizën e stokut të dosjeve në Gjykatën e Lartë. Jo vetëm që nuk u rregullua, por janë shtuar.

Nëse do të shtonim 617 nene të reja, përpos 332 nene që kemi, çfarë do ndodhë me sistemin e drejtësisë? Shtohet volumi i çështjeve, shtohen dosjet, shtohen veprat penale, dhe çfarë do të bëhet me ketë prokurori që kemi.

Sa u munduan të rregullojnë diçka me magjistratët e rinj që dolën, ne kërkojmë të shtojmë volumin e çështjeve penale, shtojmë dosjet dhe çfarë do bëjmë? Do bëjmë një mbingarkesë të çështjeve që do sjellë anomali.

Po të bëjmë krahasime të kodit aktual me kodin e ri. Referuar vetëm një neni përsa i përket shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të lartë.

Neni 260 i kodit aktual referon problemet e zakonshëm që kanë një kualifikim nga 2 deri në 8 vite burg dhe zyrtarët e lartë nga 2 në 12 vite burg.

Çfarë ka bërë drafti i ri? Ky draft heq ndasinë mes zyrtarëve të lartë dhe atyre të zakonshëm, i klasifikon të gjithë njësoj dhe bën një qasje për vepër penale nga 3 deri në 8 vjet burg. U është dhënë një mundësi për uljen e dënimit.

Dhe nga ana tjetër kemi sanksione për kërcënime të pavarësisë së sistemit gjyqësor, sanksione për shprehjen e lirë, sakonsione për shpifjen. Sanksione për shpifjen si do ta interpretosh? Kemi një censurë.”-u shpreh Lorval Petani. m.p.

Bisedat në SKY fundosën grupin, Balla blinte te Çela

By: el da
11 August 2025 at 22:22

Nga nisja e kokainës prej vendeve të Amerikës Latine, te vështirësia për të transportuar shumat e mëdha të parave e deri te nofkat që anëtarët e grupit të udhëhequr nga Ervis Çela dhe Franc Çopja përdornin për t’u referuar njëri-tjetrit. Në dosjen voluminoze të SPAK-ut që Report Tv ka mundur të sigurojë, jepen detaje nga aktiviteti i një prej organizatave kriminale shqiptare më të fuqishme ne tregon ndërkombëtar të kokainës.

Në vendimin e masës së sigurisë të firmosur nga gjyqtari Erjon Bani, prej 282 faqesh, tregohet roli i secilit prej anëtarëve të grupit kriminal, si dhe transferimi i shumave të konsiderushme të parave nga njëri te tjetri. Në një bisedë mes tyre, Çopja dhe Çela flasin për një shumë prej 7 milionë eurosh për t’i dorëzuar këtij të fundit, para të fituara nga shitja e kokainës, ndërsa gjatë komunikimit bien në sy nofkat me të cilat u referohen anëtarëve të tjerë të grupit: Petrit Lakatos thirrej “iphone”, ndërsa Miklovan Mullaj njihej me cilësime të ndryshme “batman”, “zhuu”, “shijaksi”, e më gjerë.

Hetimet, përmes zbërthimit të aplikacionit Sky, zbuluan se Ervis Çela dhe Franc Çopja ishin krerët e organizatës. Elementët e dosjes, tregojnë se ata njoftonin njëri-tjetrin për çdo detaj. Kokaina niset nga Paraguai, përmes portit të Villetas, dhe të gjitha përgatitjet për nisje i tregohen njëri-tjetrit, me foto. Ervis Çela njofton gjithë kohës Çopjan duke i dërguar imazhet edhe të kamionëve me kontejner me kokainë që po shkojnë dhe futen në port. Kokaina fshihet në një hapësirë në mesin e dy gipseve, e presuar dhe e paketuar mirë me vakum, më logo të ndryshme, mes tyre edhe “NY”.

Në Paraguai Ervis Çela, jetonte së bashku me të vëllain, Ardjanin. Në një nga bisedat mes vëllezërve flitet për shuma të konsiderueshme parash që Franc Çopja do të dorëzonte në Shqipëri. Vetë Ervisi, në një moment është i shqetësuar për vështirësitë për dërgimin e parave nga Holanda në Shqipëri. Sipas tij ka shumë para atje, por nuk ka shofer për t’i sjellë.

Tjetër bisedë interesante mes dy vëllezërve bëhet për Fadil Ballën, i njohur ndryshe dhe si Jul Balla, pronari i “Ajman Resort” në Shijak, i cili sipas tyre ka disa pagesa të prapambetura dhe është në pamundësi për t’i likujduar. Megjithatë, Ervisi i justifikon vonesat pasi në atë periudhë Fadili po ndërtonte resortin. Në një bisedë të mëvonshme mes Ervis Çelës dhe Fadil Ballës kuptohet se kemi të bëjmë me një borxh që shkon deri në 2 milionë e 280 mijë euro. Në një tjetër bisedë ata flasin për dërgesa kokaine. Sipas Ballës, dikush i kishte ofruar 150 kg kokainë me vlerë 31 mijë e 500 euro për kg.

Më pas gjatë bisedës është Ervisi që e pyet sa kg donte t’i dërgonte, por Balla ia lë në dorë atij, sa të mundte, nga 100 deri në 500 kg. Në fund i dërgon edhe një foto të punimeve në kompleksin “Ajman Resort” që po ndërtonte dhe i thotë që po e merrte në qafë pasi gjithë paratë e drogës që po blinte te ai që më pas e shiste, po i investonte, duke e nënkuptuar për resortin, tashmë i sekuestruar.

Sipas dosjes së SPAK, Ervis Çela dyshohet se përfaqëson hallkën më të konsoliduar në zinxhirin e furnizimit dhe trafikimit me kokainë, me lidhje të rëndësishme në laboratorët e prodhimit të kësaj substance, të njohura si “kuzhina”. Ai siguron kokainën duke e blerë atë në stadin e parë të saj në bashkëpunim me persona të tjerë nga Brazili, Paraguai dhe vende të tjera të Amerikës Latine, me ndikim në portet në ato vende.

Lënda narkotike dyshohet se kamuflohej me produkte të ligjshme si fruta ekzotike, drithëra, minerale, produkte industriale apo bujqësore. Nëpërmjet bashkëpunimit me kompani tregtare evropiane dhe amerikano-latine këto mallra më pas transportoheshin nga portet e Paraguait, Brazilit dhe vendeve të tjera përmes rrugëve ujore, duke përfunduar në portet evropiane, përfshirë ato të Belgjikës, Holandës, Gjermanisë dhe Spanjës.

Përgjatë udhëtimit detar të kontejnerëve në të cilët është fshehur lënda narkotike, ndryshohet destinacioni në mënyrë të qëllimshme për të shmangur skanimet e detajuara nga agjencitë ligjzbatuese në portet respektive dhe kjo arrihej të bëhej përmes ndryshimit të dokumentacionit të quajtur “Bill of lading”, dokument i cili përdoret për të konfirmuar marrëveshjen midis eksportuesit, porositësit dhe kompanisë të transportit detar. Ky dokument përmban ndër të tjera emrin e transportuesit dhe ngarkuesit, përshkrimin e mallrave, pesha dhe vëllimi, porti i ngarkimit i shkarkimit dhe datën e nisjes.

Një ditë më parë, GJKKO konfirmoi masën “arrest në burg” për Ervin Çelën edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi me masën sigurie më të butë është Riza Çela, i cili u la në “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja, dhe 5 të tjerë të shpallur në kërkim. m.p.

Zjarr në ‘Kombinat’, flakët duken edhe nga qendra e Tiranës

By: el da
11 August 2025 at 22:19

Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar këtë të hënë në Tiranë. Zjarri ka rënë në zonën e Kombinatit në kryeqytet.

Flakët janë aktivizuar gjatë ditës, ndërsa ndërhyrja ka qenë e vështirë.

Zjarri ka vijuar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa flakët duken edhe nga qendra e Tiranës. m.p.

SHBA i pezullon për 90 ditë tarifat ndaj Kinës

By: el da
11 August 2025 at 22:15

Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për zgjatjen e armëpushimit tarifor me Kinën për 90 ditë tjera, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të hënën, disa orë para se të skadonte afati për vendosjen e tarifave treshifrore amerikane në mallrat kineze.

Urdhri ka ardhur pak pasi Trump e ka dhënë një përgjigje jozyrtare për gazetarët, teksa i ka kërkuar Pekinit t’i katërfishojë blerjet e sojës amerikane.

Armëpushimi tarifor mes Pekinit dhe Uashingtonit pritej të skadonte të martën.

Urdhri tani parandalon vendosjen e tarifave amerikane prej 145 për qind në mallrat kineze, dhe vendosjen e tarifave kineze prej 125 për qind në mallrat amerikane – shifra që do të mund të rezultonin me embargo virtuale tregtare.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Trump në një konferencë për media, kur është pyetur nëse planifikon ta vazhdojë masën.

“Ata kanë negociuar goxha mirë. Marrëdhëniet janë shumë të mira mes Presidentit Xi [Jinping] dhe meje”.

Aktualisht, importet prej Kinës janë subjekte të tarifave amerikane prej 30 për qind, përfshirë tarifën bazë 10 për qind dhe tarifën prej 20 për qind të vendosur nga Uashingtoni në shkurt dhe mars, për shkak të fentanolit.

Kina është kundërpërgjigjur, duke ulur normën tarifore në 10 për qind në importet amerikane.

Dy palët janë pajtuar për t’i pezulluar masat tregtare pas bisedimeve që kanë zhvilluar në muajin maj në Gjenevë, duke u pajtuar për një pauzë 90-ditore derisa të zhvillohen negociatat. m.p.

Juventus arrin akordin me yllin e Premier League

By: el da
11 August 2025 at 22:05

Juventus ka arritur marrëveshjen personale me Matt O’Riley, qendërmbrojtësin danez që luan me Brighton. Për 24-vjeçarin ka pasur interes edhe nga ekipet e tjera të njohura si Atalanta, Napoli, Roma apo edhe Olimpique Marseille, por Juventus është treguar më i shpejtë dhe ka gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin. Palët kanë rënë dakord për një kontratë 5-vjeçare me rrogë 3milionë euro neto në sezon.

Tani vjen pjesa më e vështirë për bardhezinjtë, pasi duhet të bien dakord me Brighton. Kujtojmë që O’Riley u transferua vetëm verën e kaluar nga Celtic te Brighton për 29 milionë euro dhe klubi anglez e vlerëson tani të paktën 40 milionë euro.

Për të siguruar shumën e kërkuar nga Brighton, Juventus duhet të sakrifikojë njërin nga mesfushorët që nuk bën pjesë në planet e Igor Tudor dhe që janë: Douglas Luiz, Weston McKennie dhe Fabio Miretti.

Më afër shitjes është braziliani Douglas Luiz, për të cilin ka një interes të shtuar nga disa ekipe angleze, por nuk përjashtohet as ideja e një shkëmbimi kokë më kokë mes tij dhe O’Riley. m.p.

Cristiano Ronaldo i propozon për martesë Georgina Rodriguez

By: el da
11 August 2025 at 21:55

Romanca mes Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodriguez ka hyrë në një kapitull të ri. Një ndër çiftet më të dashur dhe famshëm, që prej vitesh është në qendër të vëmendjes, duket se e ka zyrtarizuar dashurinë me një propozim martese.

Georgina më në fund ka publikuar në Instagram një foto ku shihet dora e saj me një unazë gjigante diamanti, teksa mban dorën e futbollistit. Krahas imazhit, ajo shkroi “Sí, quiero. En esta y en todas”, “Po, dua. Në këtë jetë dhe në të gjitha).

Cristiano dhe Georgina janë së bashku që nga viti 2016, kur Georgina punonte në një dyqan Gucci në Madrid dhe Cristiano hyri për të bërë pazar dhe kanë krijuar një familje të madhe së bashku. m.p.

Shkaktuan zjarret në Lukovë dhe Tragjas, arrestohet 1 person

By: el da
11 August 2025 at 21:44

Policia e Vlorës ka arrestuar 1 person dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë për 3 raste zjarrvënie, përkatësisht në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë ndalimin për veprat penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për shtetasin B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Lukovë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 10.08.2025, në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Bolenë. Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2025, në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasin G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Ky shtetas dyshohet se është autori i zjarrvënies së datës 08.08.2025, në fshatin Tragjas, ku u dogj një sipërfaqe me bimësi.

Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. m.p.

Zjarri në fshatin Xath, kryebashkiaku: Ministrit i kam çuar mesazh, por…

By: el da
11 August 2025 at 21:37

Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Hilë Curri, është shprehur për Report Tv se banesat në fshatin Xath rrezikohen seriozisht nga flakët masive që po përhapen me shpejtësi.

Ai tha se pushteti qëndror deri tani është treguar indiferent ndaj thirrjeve të tij për të ndihmuar me ndërhyrje nga ajri me qëllim shuarjen e flakëve.

“Banorët i kemi evakuuar, nuk kemi probleme me banorët. Situatën e sheh vetë, shume e tmerrshme. Pa fjalë. Më janë përgjigjur të gjitha strukturat që kam marrë në telefon po nuk ka ndërhyrje. Vetëm me mjetet që kemi vetë dhe me bashkinë e Pukës. Situata është shumë e vështirë, Në fshatin Xath është shumë e vështirë. Shtëpiat janë në rrezik. Apeli për qeverinë është ndihmë nëse kanë mundësi. Ndërhyrja nga ajri është shumë i rëndësishëm. Kam marrë në telefon të gjithë drejtorët, ministrit i kam çuar mesazh që të ndërhyhet”,- tha Curri. m.p.

Humb jetën nga i nxehti 4-vjeçari, e gjejnë brenda makinës

By: el da
11 August 2025 at 20:53

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Olmedo, Itali, ku një djalë 4-vjeçar humbi jetën pasi u gjet pa ndjenja në makinën e familjes së tij, e parkuar nën diellin përvëlues. I mituri, Danir, me origjinë moldave, u shtrua fillimisht në repartin e terapisë intensive në spitalin Santissima Annunziata në Sassari. Më pas, më 8 gusht, u transportua me helikopter drejt spitalit Gemelli në Romë, ku, fatkeqësisht, ndërroi jetë, sipas medias vendase.

Hetimet për ngjarjen janë ende në vazhdim nga Karabinieria, dhe edhe pse dyshohet për goditje nga i nxehti (heatstroke), shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është konfirmuar. Dosja e hetimeve tashmë i është kaluar Prokurorisë Publike të Romës.

Sipas asaj që është mësuar, pasditen e së mërkurës, vogëlushi kishte përfituar nga një moment pakujdesie i prindërve të tij për të dalë nga shtëpia. Pasi panë që fëmija mungonte, prindërit filluan menjëherë kërkimet dhe e gjetën atë pa ndjenja brenda makinës së tyre, e cila ishte parkuar në diellin përvëlues.

Ngjarja ka tronditur komunitetin dhe ka ngritur edhe një herë shqetësime mbi sigurinë e fëmijëve gjatë periudhave të nxehta të verës. m.p.

Trump shpall gjendjen e emergjencës, vendos Gardën Kombëtare në Uashington

By: el da
11 August 2025 at 20:47

Donald Trump ka njoftuar vendosjen e Gardës Kombëtare në Uashington.

«Do ta shpëtoj kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara nga krimi dhe nga mjerimi», tha ai gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke bërë të ditur se policia lokale do të «vihet nën kontroll të drejtpërdrejtë të forcave federale».

Do të vendosen 800 ushtarë. Presidenti amerikan shpalli gjendjen e emergjencës, duke theksuar se prokurorja e përgjithshme Pam Bondi do të mbikëqyrë departamentin e policisë metropolitane të kryeqytetit.

Miliarderi e quajti këtë një «veprim historik» për të «rimarrë nën kontroll kryeqytetin», duke u bazuar në nenin 740 të “District of Columbia Home Rule Act”, i cili vendos policinë metropolitane të Uashingtonit nën kontroll të drejtpërdrejtë federal. Trump shtoi gjithashtu se do të dislokojë Gardën Kombëtare për të ndihmuar në «rivendosjen e ligjit dhe rendit».

Hegseth: «Garda Kombëtare në Uashington këtë javë»

Pete Hegseth sqaroi se Garda Kombëtare është mobilizuar tashmë dhe do të mbërrijë në Uashington gjatë javës. «Do të punojmë krah për krah me gjithë policinë e Uashingtonit dhe me forcat e rendit federale për të garantuar sigurinë e këtij qyteti», theksoi sekretari i Mbrojtjes.

Çfarë është dhe si funksionon Garda Kombëtare e SHBA-së

Garda ka një rol ushtarak unik, në shërbim si të komunitetit ashtu edhe të vendit, dhe është e zakonshme që guvernatorët ta thërrasin Gardën e shtetit të tyre për t’u përgjigjur në raste fatkeqësish natyrore. Por anëtarët e saj, sidomos ata me aftësi të veçanta, mund të thirren edhe për të ndërhyrë në zona konfliktesh. m.p.

Merkatoja po del dështim! Liverpool 60 mln euro për yllin e Barcelonës

By: el da
11 August 2025 at 20:31

Pavarësisht se ka shpenzuar 300 milionë euro deri tani këtë merkato, Liverpool tregoi dje se ende nuk është gati për sezonin e ri. Ekipi i drejtuar nga Arne Slot humbi pas penalltive në finalen e Community Shield ndaj Crystal Palace.

Problemi kryesor duket se është në repartin e mbrojtjes. Dobësitë e treguara nga Virgil van Dijk dhe Ibrahima Konate në ndeshjen e fundit kanë nxjerrë në pah nevojën për të nënshkruar një qendërmbrojtës të nivelit të lartë.

Prej kohësh, Liverpool ka ndjekur Marc Guehi, por Crystal Palace ka kërkuar një shifër rekord për transferimin e tij dhe klubi i kuq është tërhequr nga gara për anglezin. Në këtë situatë, Liverpool i është rikthyer intersimit mbi Ronald Araujo, të cilin e kanë kërkuar edhe më parë, sipas raportimeve nga mediat angleze.

Edhe pse mbrojtësi uruguaian ka shprehur vazhdimisht dëshirën dhe qendrimin për të vazhduar me Barcelonën, një ofertë e mirë ekonomike mund të ndryshonte situatën. Barcelona është ende në vështirësi financiare dhe shitja e Araujo-s mund të ishte një zgjidhje e mirë nga ana ekonomike.

Plani i ekipit anglez është të paraqesë një propozim afër 60 milionë euro, një shifër që ata e konsiderojnë të mjaftueshme për të tunduar Barcelonën. m.p.

Punë pak, lekë shumë! Deputetët marrin 300 mijë euro paga, 220 mijë euro dietat

By: el da
11 August 2025 at 20:25

Kjo është vetëm një nga seancat plenare të muajit qershor, kur pas zgjedhjeve të 11 majit, rikthimi në parlament i deputetëve të legjislaturës së shkuar ishte me jo pak përtesë.

Salla plenare thuajse bosh, mungesat e një pjese të mirë të deputetëve, diskutime të vakëta e thuajse asnjë nismë nga ligjvënësit, gjithsesi nuk është reflektuar në pagën e tyre e cila në llogaritë bankare të deputetëve është derdhur e plotë.

Raporti financiar i pagave për muajin Qershor, i publikuar së fundmi në faqen zyrtare të Kuvendit tregon se në fakt, pasiviteti që pushtoi jetën parlamentare pas zgjedhjeve nuk i ka penalizuar financiarisht ligjvënësit në ikje.

Sipas raportit, vetëm 17 deputetë kanë bërë vetëm nga një mungesë gjatë Qershorit dhe u janë hequr nga 10 mijë lekë nga paga.

Në total për Qershorin, janë paguar për pagat e deputetëve plot 30,161,365 lekë, ose rreth 300 mijë euro.

Por jo vetëm paga. Ndonëse një muaj jo shumë aktiv, deputetët kanë marrë rreth 22 milionë lekë për karburant, telefon, qira e dieta udhëtimesh brenda vendit. Vetëm për udhëtimet për llogari të rolit të tyre si ligjvënës, për muajin Qershor Kuvendi u ka paguar deputetëve mbi 13 mln lekë ose rreth 130 mijë euro. Ata që kanë përfituar më shumë për këto udhëtime, janë emra si Agron Duka, Bujar Çela, Klodiana Spahiu, Lindita Metaliaj e Vangjel Dule.

Për qira, Kuvendi u ka paguar nga 35 mijë lekë 21 deputetëve, që nga Antoneta Dhima, Pendavinji, Fadil Nasufi, Nusret Avdulla, Saimir Korreshi apo Greta Bardeli.

Ndërsa më aktivët në Komisione, duke marrë edhe shpërblimin më të lartë financiar për qershorin janë Ismet Beqiraj, Etjen Xhafaj, Petro Koçi apo Pranvera Resulaj, shpërblimi për të cilët arrin në rreth 20 mijë lek. m.p.

Zjarr në zonën e minuar kufitare Greqi-Shqipëri

By: el da
11 August 2025 at 20:14

Një vatër zjarri është shfaqur këtë pasdite në piramidën 12 në kufi me Greqinë, në afërsi të fshatit Kamnik në Ersekë.

Mësohet se zjarri fillimisht është shfaqur në territorin grek e më pas ka kaluar në tokën shqiptare.

Deri në këto momente është e pamundur ndërhyrja për izolimin e flakëve, pasi sipas informacioneve, vendi ku ndodhet vatra e zjarrit, është ende një fushë e minuar thonë burimet lokale, shkruan A2 CNN.

Forca të policisë kufitare, punonjës të MZSH dhe shërbimi pyjor ndodhet në afërsi të zonës për të monitoruar situatën e zjarrit dhe mos lejuar për përhapjen e tij. m.p.

Prençi: Në 4 orë nuk u ngrit një helikopter te “Syri i kaltër”

By: el da
11 August 2025 at 20:09

sh-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi u shpreh në studion e A2 se kurora e pishave në parkun kombëtar të “Syrit të Kaltër” tashmë është shkatërruar plotësisht për shkak të zjarreve.

Sipas Prençi, qeveria nuk ka asnjë helikopter për fikjen e zjarreve, teksa fajësoi dhe strukturat për paaftësi.

“Kurora e pishave në syrin e kaltër është djegur e gjitha. Në 4 orë qeveria nuk ka ngritur një helikopter. 30 minuta duhen nga Tirana për të shkuar në syrin e Kaltër. Lehtësia atje është që e ke ujin atje. Helikopterët mund të furnizohen me ujë të Syri i Kaltër. Nuk ka shkuar helikopteri pasi MM nuk na gatishmëri asnjë helikopter.

MM ngre një Cougar, por ata nuk kanë rezultate. Edhe Xhaçka, Peleshi dhe Vengu prej 5 vitesh po propagandojnë që do kemi dy helikopterë. Por nuk kanë ardhur. Nuk kemi asnjë mjet për fikjen e zjarrit është propagandë. Kryeministri e ka kuptuar që nuk qeveriset me patronazhistë, me njerëz të paaftë”, tha Prençi. m.p.

Gërmimet arkeologjike, Italia bën zbulimin e rrallë!

By: el da
11 August 2025 at 19:53

Gërmimet arkeologjike në vendin e shenjtë qendror etrusk në Itali, Fanum Voltumnae, kanë nxjerrë me sa duket në dritë objekte të rëndësishme fetare. Objektet e gjetura mundësojnë të nxirren përfundime rreth ritualesh që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë.

Sipas njoftimeve të mediave italiane këtë javë në periferi të qytetit të Orvietos u zbuluan dy koka deshësh prej guri të ruajtura mirë, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni.

Në kulmin e epokës etruske

Vendi i shenjtë i federatës së qytetit etrusk pranë Orvietos, i cili ka përmasa të mëdha, u zbulua në fillim të viteve 2000 gjatë gërmimeve të udhëhequra nga arkeologia Simonetta Stopponi.

Që nga ajo kohë gërmimet kanë vazhduar. Mendohet se ky vend i shenjtë është ndërtuar në kulmin e epokës etruske në shekullin e 6-të para Erës sonë.

Asimilimi nga romakët

Etruskët u vendosën në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Erës sonë. Origjina e tyre është ende e paqartë dhe gjuha dhe feja e tyre janë studiuar vetëm pjesërisht.

Periudha nga shekulli VII deri nё shekullin V para Krishtit ishte epoka e lulёzimit tё etruskёve. Historiani i antikitetit Dionisi i Halikarnasos i admironte ata si “mё tё hershmit dhe krejt tё ndryshёm nga popujt e tjerё “.

Studiuesit edhe sot e kёsaj dite debatojnё pёr prejardhjen e etruskёve. Shumica mbron tezёn, se ata e kanё prejardhjen nga Azia e Vogёl (nё Turqinё e sotme) prej nga kanё emigruar. Tё tjerё i konsiderojnё si njё fis tё ngulitur prej kohёsh nё territorin e sotёm tё Italisё, i cili ishte zhvilluar me kalimin e kohёs. Megjithatё analizat e ADN-sё sё popullsisё nё Toskanё mbёshtesin tezёn e parё.

Etruskët u mundën nga romakët, të cilët e asimiluan popullin etrusk dhe kulturën e tyre derisa sa ata u zhdukën si grup i pavarur etnik gjatë Republikës Romake. m.p.

Përfitimet familjare, Shqipëria në fund të Europës

By: el da
11 August 2025 at 19:45

Përfitimet familjare luajnë një rol kyç në luftën kundër varfërisë dhe promovimin e përfshirjes sociale. Ato ndihmojnë në mbështetjen e ekonomive familjare dhe janë veçanërisht të rëndësishme në parandalimin e varfërisë tek fëmijët. Në të gjithë Europën, sistemet e sigurimeve shoqërore dhe përfitimet familjare ndryshojnë shumë. Një mënyrë për t’i krahasuar është duke parë se sa shpenzon çdo vend për person.

Në vitin 2022, vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht 830 euro për person për përfitime familjare. Kjo është një rritje 47% nga 566 euro në vitin 2012.

Por si krahasohen këto përfitime në të gjithë Europën? Cilat vende shpenzojnë më shumë për të mbështetur familjet?

Në BE, shpenzimet për përfitime familjare për person në 2022 varionin nga 211 euro në Bullgari deri në 3,789 euro në Luksemburg, sipas Eurostat. Kur përfshihen vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe ato të Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), Shqipëria ofroi nivelin më të ulët të përfitimeve për person, me vetëm 48 euro, e ndjekur nga Turqia (57 euro) dhe Bosnja dhe Hercegovina (59 euro).

Në përgjithësi, përfitimet familjare për person janë më të larta në Europën Veriore dhe Perëndimore, dhe më të ulëta në Jug dhe Lindje. Pas Luksemburgut, vendet nordike kryesojnë listën: Norvegjia (2,277 euro), Danimarka (1,878 euro), Islanda (1,874 euro), Suedia (1,449 euro) dhe Finlanda (1,440 euro).

“Vendet nordike dhe Franca mbeten ndër shpenzuesit më të mëdhenj në total për përfitimet familjare, edhe pse qasja e tyre mbështetet më shumë te shërbimet në natyrë si kujdesi për fëmijët, të cilat nuk përfshihen plotësisht në masat e përfitimeve monetare për frymë”, tha Dr. Anne Daguerre nga Universiteti i Bristolit.

Gjermania (1,616 euro), Zvicra (1,375 euro), Austria (1,340 euro) dhe Irlanda (1,026 euro) shpenzojnë gjithashtu mbi 1,000 euro për person. Belgjika (976 euro) dhe Franca (867 euro) janë mbi mesataren e BE-së, por nuk e kalojnë kufirin 1,000 euro.

Holanda ofron 670 euro për person në përfitime familjare, 160 euro më pak se mesatarja e BE-së. Italia (524 euro) dhe Spanja (427 euro), të dyja pjesë e ekonomive të “Katër të Mëdhenjve” të BE-së,
mbeten poshtë.

Shqipëria në fund të listës së përfitimeve familjare

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e përfshira në analizë për nivelin e përfitimeve familjare për frymë, me vetëm 48 euro në vitin 2022. Ky nivel është dukshëm më poshtë se mesatarja e BE-së 830 euro dhe reflekton jo vetëm kufizimet ekonomike të vendit, por edhe prioritetet e politikave sociale, ku mbështetja financiare për familjet dhe fëmijët mbetet shumë e ulët. Kjo diferencë e madhe tregon nevojën për reforma të thella në sistemin e ndihmës sociale dhe
investime më të mëdha në politikat e mirëqenies familjare. m.p.

Zjarr në Syrin e Kaltër, digjen 40 koshere bletësh

By: el da
11 August 2025 at 19:33

Zjarri që ka rënë në rrethinat e Syrit të Kaltër, një zonë e mbrojtur dhe e shpallur si “Monument Natyre”, ka nisur të shkaktojë dëmet e para në ekonomi dhe mjedis.

Një rritës bletësh, i shqetësuar për situatën, ka raportuar se deri tani i janë djegur 40 koshere, ndërsa shpreh frikën se flakët mund të përfshijnë edhe pjesën tjetër të zonës ku ndodhen rreth 100 koshere të tjera.

Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dy helikopterë, pasi terreni i vështirë dhe era e fortë po e bëjnë thuajse të pamundur ndërhyrjen efektive nga toka. m.p.

Dy makina përplasen kokë më kokë në tunelin e Rrugës së Arbrit

By: el da
11 August 2025 at 19:22

Një aksident me pasojë plagosjen e disa personave ka ndodhur pasditen e kësaj të hëne në një nga tunelet në Rrugën e Arbrit.

Sipas raportimeve, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” dhe një mjet tip “Golf”. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Burrelit ndërsa policia ndodhet në vendngjarje.

Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë ende të paqarta ndërsa përplasja mes dy mjeteve ka shkaktuar trafik të rënduar brenda në tunel dhe përgjatë Rrugës së Arbrit. m.p.

❌
❌