Arta Bajrami letër të hapur Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, iu drejtohet me kërkesa për formimin e institucioneve dhe fëmijët me nevoja të veçanta
Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka bërë një reagim të fuqishëm publik përmes një letre të hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, ku ka ngritur shqetësimin e saj si nënë e dy fëmijëve me autizëm dhe si qytetare e vendit.
Në shkrimin e saj të publikuar në Facebook, Bajrami thekson se Kosova ndodhet në një ngërç të rëndë politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke kritikuar klasën politike për dështimin në formimin e institucioneve dhe për pasojat që kjo krizë po sjell në jetën e qytetarëve. “Kuvendi ka dështuar mbi 50 herë të zgjedhë një kryetar, Qeveria nuk është formuar, dhe jeta e qytetarëve është lënë peng i pazareve politike”, shkruan ajo, duke e cilësuar situatën si një “kolaps shtetëror”.
Një nga pikat më të theksuara në letrën e saj është mungesa e Ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta, i cili, sipas këngëtares, është zvarritur prej vitesh, duke lënë mbi 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara jashtë sistemit arsimor dhe pa mbështetje adekuate. “Çdo ditë vonesë është një dëm i pariparueshëm për zhvillimin e këtyre fëmijëve”, shkruan Bajrami, duke shtuar se është turp për një shtet të kthejë shpinën ndaj më të pambrojturve.
Në letrën e saj, Bajrami ndalet edhe te projekti i humanistit Halil Kastrati, i cili ka nisur ndërtimin e një residence për fëmijët me autizëm, por që sipas saj ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale.
Në fund, këngëtarja liston tre kërkesa kryesore për institucionet:
Formimin e menjëhershëm të institucioneve dhe daljen nga kriza politike.
Miratimin pa vonesë të ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta.
Mbështetjen dhe aprovimin e projektit të Halil Kastratit.
“Unë nuk po ju lutem, po ju kërkoj me të drejtën që ma jep statusi i qytetares, i nënës dhe i një figure publike që përfaqëson shumë familje të ngjashme me timen”, përfundon Bajrami, duke paralajmëruar se historia do t’i gjykojë udhëheqësit që braktisin fëmijët më të brishtë të vendit. /Telegrafi/

The post Arta Bajrami letër të hapur Albin Kurtit e Vjosa Osmanit, iu drejtohet me kërkesa për formimin e institucioneve dhe fëmijët me nevoja të veçanta appeared first on Telegrafi.