Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 August 2025Main stream

Lajmi i fundit: Hungaria kërcënon Kievin zyrtar

By: el da
19 August 2025 at 20:39

Përveç luftës me Rusinë, Ukraina tashmë do duhet të përballet me një tjetër shqetësim që vjen nga Hungaria.

Tensionet midis dy vendeve u përshkallëzuan pasi Ukraina bombardoi tubacionin e naftës Drushba në territorin rus, duke ndaluar në këtë mënyrë edhe furnizimin me naftë në Sllovaki dhe Hungari.

Hungaria të hënën bëri një kërcënim të fshehur për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën, ndërsa përshkallëzohet debati diplomatik mbi dëmtimin e tubacionit Druzhba.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó ka kritikuar autoritetet ukrainase për kryerjen e sulmeve në tubacion, duke i përshkruar ato si “të shëmtuara dhe të papranueshme” dhe duke shkruar se “kushdo që sulmon sigurinë tonë energjetike, në fakt, po sulmon sovranitetin tonë”.

Tubacioni Druzhba transporton naftë nga Rusia në Evropën Qendrore përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë. Hungaria dhe Sllovakia janë të vetmet shtete anëtare të BE-së që ende marrin sasi të mëdha nafte ruse nga tubacionet, pasi siguruan përjashtime nga sanksionet e bllokut që synojnë eksportet e naftës ruse. m.p.

Klubi nga Arabia Saudite ofron 30 mln euro për yllin e Milanit

By: el da
19 August 2025 at 20:25

Pasi mori përgjigje ngeative nga Juventus për Manuel Locatelli, Ah-Ahli është hedhur në “sulm” për mesfushorin e Milanit, Youssouf Fofana, sipas asaj që raporton “Calciomercato.com”.

Oferta është po e njëjtë me atë për Locatelli-n, 25-30 milionë euro. Vetë lojtari ka shprehur dëshirën dhe qendrimin për të vazhduar me kuqezinjtë dhe është i lumtur aty.

Në anën tjetër, drejtuesit e Milanit janë ende në mëdyshje dhe nuk kanë vendosur për ofertën e ardhur nga klubi saudit. Max Allegri nga ana e tij e konsideron 26-vjeçarin si një element të rëndësishëm për sezonin e ri dhe bën pjesë në projektin e tij. Fofana do largohet, vetëm nëse Milan e ka gati zëvendësuesin e tij dhe kjo duket e vështirë. m.p.

Melani Trump e shkruajti letrën për Putinin me chat gpt?

By: el da
19 August 2025 at 20:18

Pas bisedimeve të samitit të Donald Trump me Vladimir Putin në Alaska të premten dhe përpara takimit historik të ‘Koalicionit të Vullnetit’ në Uashington sot, Shtëpia e Bardhë ka publikuar letrën nga Zonja e Parë Melania Trump drejtuar Putinit.

Në letrën, të cilën Donald Trump ia dorëzoi personalisht Putinit, Melania Trump ia ngriti çështjen e vështirë të fëmijëve presidentit rus Vladimir Putin.

“Çdo fëmijë ndan të njëjtat ëndrra të qeta në zemrën e tij, pavarësisht nëse lind rastësisht në fshatrat rurale të një kombi apo në një qendër qyteti madhështore. Ata ëndërrojnë për dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku”, shkroi zonja e parë.

Megjithatë, sapo qarkulloi dhe u bë virale në internet, kritikët shpejt vunë në dukje se letra nuk ishte vetëm e paqartë në lidhje me fëmijët për të cilët po fliste Melania Trump, dhe shumë filluan të vinin në dyshim nëse letra ishte gjeneruar duke përdorur inteligjencën artificiale.

Sipas mediave të huaja, strategu demokrat Keith Edëards shkroi në X se letra “nuk thotë shumë asgjë” dhe se “shumë prej saj janë shkruar nga Inteligjenca Artificiale”. m.p.

Protestat shtohen, Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë

By: el da
19 August 2025 at 20:09

Protestat që vijojnë tashmë prej muajsh në Serbi, e kanë detyruar Aleksandër Vuçiç të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Mbledhja u kryesua nga vetë Presidenti serb Vucic, ndërsa në të merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, Kryeministri Đuro Macut, Ministri i Mbrojtjes, Drejtori i shërbimeve sekrete serbe, Ministri i Punëve të Brendshme si dhe krerët më të lartë të autoriteteve policore e gjyqësore.

Tema qendrore te takimeve kane qene dhe situata ne Kosove dhe zhvillimet e fundit në Bosnjë e Hercegovinë dhe republikën Srpska.

Se fundmi ne Beograd janë sulmuar ambientet e partisë progresive serbe të presidentit Vuçiç.
Ndërhyrja e Policisë së Serbisë ka qenë e ashpër, duke vijuar me arrestime.

Autoritetet kane arrestuar tre persona me akuzën për vandalizimin e ambienteve të partisë progresive serbe ne rrugën Cvijićeva në Beograd.

Konkretisht një burrë 31-vjeçar dhe dy vajza, të moshës 19 dhe 22 vjeç, u arrestuan me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, nën dyshimin për sjellje të dhunshme në një tubim publik të paregjistruar.

Sipas mediave serbe, njëra nga vajzat theu një dritare në ambientet e partisë së Vuçiç, ndërsa dy të tjerat hodhën gurë dhe i vunë flakën kontejnerëve. Ministria e brendshme aty ka bërë një kalkulim të numrit të palëkundur të protestuesve. Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç deklaroi se në Beograd kishte “gjithsej 2,300 deri në 2,400 protestues që po prishën në mënyrë drastike rendin publik” dhe qe sipas tij “treguan me agresivitetin e tyre se kishin ndërmend të shembnin, t’i vinin flakën ambienteve partisë dhe të sulmonin policinë”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, zgjodhi te vizitonte nga afër mbrëmjen e së hënës ambientet e sulmuara përpos zyrave të partisë së tij në rrugën Cvijićeva .

“Ata po përpiqen të shkatërrojnë vlerat themelore me të cilat jemi mësuar. Ne do t’u rezistojmë atyre dhe do të luftojmë”, tha Vuçiç gjate inspektimeve. m.p.

Tedi Blushi: Zjarret në Shqipëri shkaktuan mbi 300 milionë euro dëm

By: el da
19 August 2025 at 19:57

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për situatën e zjarrëve që përfshinë vendin javët e fundit.

Tedi Blushi shprehet se Edi Rama është armiku i mjedisit ndërsa thekson se pasojat e flakëve kanë shkaktuar mbi 300 milionë euro dëme.

Sipas tij, shkatërrimi i banesave, bagëtive dhe ekonomive familjare është si rezultat i papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të qeverisë.

Tedi Blushi është i mendimit se me 20 milionë euro qeveria do të kishte mundur të merrte masa parandaluese duke shmangur këtë dëm të madh ekonomik.

Sipas tij, me vetëm 20 milionë euro qeveria do të kishte mundur të merrte masa parandaluese, duke shmangur dëmin e madh ekonomik. “Në vend që të shtonte fondet për emergjencat civile, Rama ka alokuar vetëm 21 milionë euro në vit,” theksoi Blushi. m.p.

Juventus mendon rikthimin e bujshëm në mesfushë

By: el da
19 August 2025 at 19:45

Jonathan Rowe dhe Adrien Rabiot u përfshinë në një përleshje mes tyre në dhomat e zhveshjes, pas humbjes në javën e parë në transfertë ndaj Rennes. “RMC Sport” raporton se klubi francez i ka nxerrjë në shitje të dy lojtarët.

Për Adrien Rabiot, pritet të ketë një rikthim të bujshëm në Serie A. Juventus është i gatshëm ta presë krahëhapur mesfushorin francez, i cili kaloi 5 vite të mrekullueshme në Torino, në sezonet 2019-2024, para se të transferohej te Marseille, pasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët për rinovimin me ish-drejtorin teknik Cristiano Giuntoli.

Në garë për mesfushorin francez është edhe Milan. Max Allegri e vlerëson shumë Rabiot dhe padyshim që francezi do kishte një vend të sigurt në mesfushën e kuqezinjve. m.p.

Pallati i konfiskuar, Rama i rikthehet akuzave ndaj gjyqtarit Balliu

By: el da
19 August 2025 at 19:39

Gjyqtari Hazbi Balliu është rikthyer sot në qendër të vëmendjes dhe kritikave të kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale shefi i qeverisë shprehet se Balliu vendosi në favor të një ndërtuesi të paligjshëm në kryeqytet, duke bllokuar me vendimin e tij konfiskimin e një pallati që po ndërtohej pa leje, të cilin qeveria pas konfiskimit do ta shndërronte në zyrat e reja të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Duke zbuluar për opinionin publik një ekstrakt të vendimit të gjyqtarit për rastin në fjalë dhe pamje nga zyrat aktuale të ASHK-së me tavanin e rrëzuar përtokë, Rama thekson rëndësinë e këtij vendimi.

Ai shprehet se është absurd si një gjykatës mund të mbrojë vendimin me pretendimin e se ASHK mund të punojë në ambiente të tjera dhe vendosja e saj në godinën e konfliktit mes dy palëve, nuk është e domosdoshme.

POSTIMI I RAMES:

Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima. m.p.

Ndryshime në administratë, pakësohen institucionet e varësisë

By: el da
19 August 2025 at 19:22

Nga ministritë e drejtoritë te agjencitë apo entet, bashkë me institucionet e pavarura kushtetuese.. qeveria propozon ndryshime në organizimin e institucioneve të administratës publike.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-korrupsionin ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.” Nga tre aktualisht, pritet të ketë vetëm 2 kategori të institucioneve jo-ministrore.

“Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave jo-ministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët.”

Një tjetër risi e projektligjit lidhet me sistemin e llogaridhënies dhe raportimin e performancës.

“Me miratimin e vendimit për sistemin e mbikëqyrjes/llogaridhënies dhe për zbatimin e tij, çdo institucion do të krijojë sistemin e brendshëm të llogaridhënies dhe do të hartojë Planin dhe Raportin Vjetor të Performancës. Çdo ministri do të caktojë për çdo institucion/agjenci njësinë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe çdo vit do të angazhohet për miratimin e Planit Vjetor, mbikëqyrjes dhe dialogut të përhershëm institucional dhe vlerësimin e performancës së institucionit, duke konkluduar çdo vit me deklaratën e performancës të institucionit.”

Në relacionin e nismës ligjore ka parashikime edhe mbi numrin e punonjësve që do duhen minimalisht për ngritjen e një strukture në administratën publike.

“Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit.” m.p.

Grabiste motorë në seri, policia greke arreston shqiptarin minoren

By: el da
19 August 2025 at 19:15

Policia greke ka arrestuar një 16-vjeçar shqiptar pasi akuzohet për vjedhjen e të paktën 10 motorëve përgjatë sezonit veror.

Në pranga ka rënë edhe shoku i tij, një 17-vjeçar grek, pasi bashkëpunonin për të kryer vjedhje.

Mediat greke raportojnë se dy të miturit përdornin çelësa të posaçëm për të kryer grabitje ndërsa u kapën në flagrancë në tentativë për të vjedhur një kamion.

Nga 10 motorët e vjedhur në Selanik, 8 prej tyre janë rikthyer tek pronarët, por 2 të tjerë ende nuk janë gjetur. m.p.

Veshi bluzën e Bashkimit Sovjetik, Lavrov: Rubio më komplimentoi

By: el da
19 August 2025 at 18:52

Pak ditë më parë, zgjedhja stilistike e Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov , pas mbërritjes së tij në Anchorage për takimin Trump-Putin në Alaska, shkaktoi shumë diskutime.

Konkretisht, Lavrov zgjodhi të shkonte në Amerikë duke mbajtur veshur një bluzë me mbishkrimin “BRSS” – shkronjat cirilike që i referohen ish-Bashkimit Sovjetik.

Imazhi i diplomatit rus shkaktoi reagime dhe komente të forta, pasi veshja u interpretua nga shumë si një referencë simbolike për epokën e Luftës së Ftohtë.

Sipas CNN, duke folur për mediat ruse të martën, Lavrov pohoi se delegacioni amerikan në Alaska kishte reaguar ndaj bluzës pa “asnjë histeri”. Siç tha ai, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, madje e ka komentuar pozitivisht për pamjen e tij, duke i thënë se i pëlqente bluza.

Shfaqja e Lavrov u prit me entuziazëm nga komentatorët pro-qeveritarë në Rusi.

Olga Skabeeva, një prezantuese e televizionit shtetëror, postoi një foto të tij me bluzën veshur, duke shkruar: “Bluza BRSS! Më e mira!!”.

Megjithatë, vetë Lavrov donte të qetësonte përshtypjet e krijuara.

“Nuk po flasim për imperializëm apo ringjalljen e të menduarit perandorak, siç i pëlqen të thotë Perëndimi”, tha ai. Ai shtoi, në fakt, se është thjesht një referencë për historinë, e cila, siç tha ai, “duhet të ruhet, madje edhe me një dozë humori”. m.p.

Pogradec, automjeti i policisë lëviz në sensin e kundërt

By: el da
19 August 2025 at 18:44

Policia e Korçës ka reaguar pasi një video që shfaqte një automjet të uniformave blu që lëvizte në sensin e kundërt të drejtimit në qytetin e Pogradecit, u bë virale në rrjetet sociale.

Blutë njoftojnë se pas shqyrtimit të pamjeve, është ndëshkuar me gjobë dhe pezullim të lejes së drejtimit, efektivi i policisë që drejtonte automjetin shtetëror në momentin e incidentit.

“Për shkeljen e kryer, bazuar në pikën 12 të nenit 7 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit”, sqaron policia. m.p.

Putin propozoi të takohen në Moskë, ja përgjigja që dha Zelensky

By: el da
19 August 2025 at 18:38

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë “JO” për propozimin e homologut rus, Vladimir Putin, që të takohen në Moskë.

Putin e bëri këtë propozim gjatë një telefonate me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump një ditë më parë teksa ky i fundit po zhvillonte një takim me Zelenskyn dhe liderët europianë.

Të gjithë janë me sytë nga zhvillimet e fundit ndërsa Donald Trump tha dje se synonte një takim trepalësh ndërsa nuk la pa përmendur që një shkëmbim territoresh mund të sillte paqen.

Nga ana tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve ndërsa liderët europianë deklaruan se duhet të sigurojnë paqen për Ukrainën. m.p.

Shtyhet data e raportit final nga ODIHR për zgjedhjet e 11 Majit

By: el da
19 August 2025 at 18:27

Nota finale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jepet në muajin shtator. Burime zyrtare nga kjo organizatë i kishin deklaruar TV Kombëtar Klan News se ky raport do të publikohej në fund të muajit gusht, por ky afat është shtyrë pasi mesa duket vijon mbledhja e provave dhe materialeve, kryesisht me adresë opozitën shqiptare.

Zyra e ODHIR në Varshavë na ka konfirmuar se po i jepet dora e fundit këtij raporti, i cili përmbledh gjetjet e misionit vëzhgues të udhëhequr nga Ambasadori Lamberto Zannier.

Në vlerësimin e saj paraprak, OSBE-ODIHR i konsideroi zgjedhjet parlamentare të 11 majit si konkurruese dhe përgjithësisht profesionale, pavarësisht mjedisit politik të polarizuar.

OSBE-ODIHR vuri në dukje rolin pozitiv të SPAK-ut, si dhe mekanizmin e ngritur në bashkëpunim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme për zbulimin e krimeve zgjedhore.

Ky raport pritet me shumë interes nga klasa politike shqiptare, veçanërisht nga opozita e udhëhequr nga Sali Berisha, e cila i ka kontestuar këto zgjedhje duke i konsideruar ato si farsë elektorale.

Mbetet për t’u parë nëse ky raport do të pasqyrojë akuzat për shitblerje votash, manipulim të rezultateve, keqpërdorim të administratës dhe fondeve publike, por mbi të gjitha, pritet vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtarë për atë se sa kanë ndikuar gjetjet që ka paraqitur opozita në rezultatin e publikuar tashmë nga KQZ-ja.

Partia Socialiste ka fituar 83 vende në parlamentin e ri, ndaj pret ftesën nga Presidenti Begaj për të formuar qeverinë e re.

Disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it kanë mbetur ende të pazbatuara, si depolitizimi i komisioneve zgjedhore, mekanizmat e kontrollit për financimin e partive politike dhe reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore. m.p.

Berisha takon deputeten e Forza Italia: Bëhuni avokate e demokracisë!

By: el da
19 August 2025 at 18:17

Sali Berisha ka pritur pasditen e sotme në zyrën e tij deputeten e Forza Italia Erica Mazzetti dhe koordinatorin e PD-së për Italinë, Bardhok Doda. Në një postim në Facebook, kreu i selisë blu shprehet se në takim u diskutuan zgjedhjet e 11 majit të cilat kryedemokrati i quan një farsë elektorale.

“Pata kënaqësinë të pres në zyrë miqtë e mirë dhe të kahershëm të mi dhe të Partisë Demokratike, Erica Mazzetti, deputete e Forza Italia, si dhe koordinatorin e PD-së për Italinë, Bardhok Doda koordinator për Forza Italia, së bashku me Dritan Beqirin dhe Lindita Bimin. Në takim morën pjesë gjithashtu zyrtarët e PD-së, Agron Gjekmarkaj, Belind Këlliçi dhe Enri Çeno. Diskutuam gjerësisht për farsën elektorale të 11 majit dhe për punën e madhe që po bëjnë strukturat e Partisë Demokratike për të identifikuar dhe faktuar këtë manipulim të pashembullt”, shkruan Berisha.

Berisha i ka kërkuar deputetes italiane që partia e saj të jetë një zë i fuqishëm dhe avokate e demokracisë shqiptare në institucionet ndërkombëtare, teksa e cilësoi takimin me të, frytshëm dhe inkurajues.

“Theksuam domosdoshmërinë që Forza Italia të jetë një zë i fuqishëm dhe avokat i demokracisë shqiptare në institucionet ndërkombëtare, duke mbështetur kauzën tonë për rivendosjen e rendit ligjor dhe lirisë së votës në Shqipëri. Demokratët dhe miqtë tanë evropianë janë të bashkuar për të ndalur autokracinë dhe për të rikthyer shpresën e demokracinë në vend. Takimi ishte i frytshëm dhe inkurajues”. M.P.

Aksident në Lushnje, plagoset drejtuesi i motoçikletës

By: el da
19 August 2025 at 18:07

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në afërsi të kryqëzimit të Savrës, në autostradën Fier–Lushnje.

Një automjet tip “Benz” është përplasur me një motoçikletë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i motorit, i cili është transportuar me urgjencë në spital.

Policia e qarkullimit ndodhet në vendngjarje dhe po punon për disiplinimin e trafikut, ndërsa pritet mbërritja e policisë shkencore për dokumentimin e plotë të aksidentit. M.P.

Mourinho: Neymar? Nuk ia vlen as t’i mendosh sa zero ka paga e tij

By: el da
19 August 2025 at 17:53

José Mourinho ka rrëfyer mbi eksperiencën e tij në Turqi dhe ka mohuar zërat për interesim të Fenerbahçes së tij karshi Neymar. Në një intervistë për kanalin brazilian “Sporty Net”, ish-trajneri i Interit, Chelsea, Portos, Manchester United, Tottenham, Romës dhe Real Madridit, ka treguar: “Jam përshtatur shumë mirë me Turqinë. Sezoni i kaluar ishte një periudhë mësimi e shpejtë, por tani e njoh më mirë mentalitetin dhe sistemin e futbollit turk. Këtë sezon jam shumë më i përgatitur”.

Mourinho ka theksuar gjithashtu pasionin e publikut vendas: “Ajo që të bie më shumë në sy është dashuria për futbollin. Njerëzit të bëjnë idhull lehtësisht, por po aq shpejt mund të të kthejnë shpinën. Nëse nuk e duron këtë presion, ndoshta nuk je vërtet i dashuruar me futbollin”.

Emri i Neymar ishte përfolur për skuadrën e tij, por “Special One” e mohoi prerazi: “Ka fituar shumë në Arabi…, nuk ia vlen as të mendosh për sa zero ka paga e tij”. Sipas portugezit, braziliani mund të vendosë vetë lirisht se ku dëshiron të luajë në këtë fazë të karrierës.

Mourinho foli edhe për kombëtaren braziliane dhe drejtimin e saj nga Carlo Ancelotti: “Seleção ka shumë mundësi në Botërorin e ardhshëm. Me Ancelotti në krye, brazilianët mund të zhvillojnë një projekt solid dhe konkurrues”. m.p.

Pse Vucic po shton kërcënimet në Serbi? Trazirat po shtohen…

By: el da
19 August 2025 at 17:44

Dinamika e re të trazirave të dhunshme në Serbi lidhet sipas mediave gjermane me frustrimin e qytetarëve për mosveprimin e autoriteteve përkatëse përballë dhunës nga mbështetësit e qeverisë.

“Pas valës së protestave antiqeveritare në Serbi, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se do të ketë një goditje të ashpër ndaj protestuesve, duke i quajtur ata ‘terroristë’”, raportoi transmetuesi publik gjerman ZDF, duke cituar fjalët e Vuçiqit nga një konferencë të dielën. “Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të rivendosur ligjin, paqen dhe rendin”, tha ai.

Vuçiç përshkruhet në raport si një “politikan i krahut të djathtë” dhe citohet të ketë thënë se qeverisë së tij i duhen disa ditë për të përgatitur një “kornizë ligjore dhe formale” për përgjigjen e shtetit.

“Do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që keni parë deri më tani”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Megjithatë, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk po merret në konsideratë”, njoftojnë mediat.

Në Beograd dhe qytete të tjera, përleshjet e dhunshme midis forcave të sigurisë dhe protestuesve kanë ndodhur për disa netë me radhë, raportoi revista Stern, duke shtuar se “Serbia ka përjetuar protesta të rregullta dhe të dhunshme kundër qeverisë dhe korrupsionit që është i përhapur në vend për muaj të tërë.”

“Shkaku ishte shembja e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, e cila vrau 16 persona”, thuhet në raport, duke shpjeguar se “protestat fillimisht u përqendruan në shkaqet e shembjes”, por më vonë “tubimet e udhëhequra kryesisht nga studentët, u kthyen kundër qeverisë dhe korrupsionit të përhapur në vend”. m.p.

Irfan Hysenbelliu kërcënohet, avokatët nisin procedurat

By: el da
19 August 2025 at 17:32

Botuesi i News24 dhe Panorama Group, Irfan Hysenbelliu, së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24.

Ky shtetas raportohet se ka lidhje të ngushta me nivele të larta të qeverisjes.

Avokatët e familjes Hysenbelliu do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore, duke depozituar edhe provat përkatëse që provojnë kanosjen.

Familja Hysenbelliu rikonfirmon mbështetjen e plotë për gazetarët dhe stafin e News24 dhe Panorama Group, duke i inkurajuar ata të vijojnë të pashqetësuar punën e tyre fisnike në raportimin e lajmit dhe denoncimin e korrupsionit. m.p.

Zenit do dënohet pas fyerjeve të tifozëve ndaj Mirlind Dakut

By: el da
19 August 2025 at 16:53

Komiteti i Kontrollit dhe Disiplinës i Federatës Ruse të Futbollit (CDC RFU) do të shqyrtojë në takimin e tij të radhës thirrjet ofenduese nga tifozët e Zenit St Petersburgut ndaj sulmuesit të Rubin të Kazanit, Mirlind Daku.

Më 12 gusht, Zenit mposhti Rubin Kazanin me rezultat 3-0 në Shën Petersburg në ndeshjen e raundit të dytë të fazës së grupeve të Kupës së Rusisë RPL.

Daku shënoi një gol për Kazanin, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it dhe kjo bëri që tifozët vendas ta fyejnë sulmuesin 27-vjeçar shqiptar, pasi ai në verë, negocioi një transferimin i cili nuk u realizua.

Këto fyerje ndaj Dakut nuk kanë mbetur pa u vënë re dhe sipas kreut të komitetit, Artur Grigoryants, Zeniti pritet të dënohet.

“Në ndeshjen Zenit-Rubin, do të shqyrtojmë brohoritjet masive të përsëritura me shprehje fyese nga tifozët e ekipit vendas drejtuar sulmuesit të ekipit mysafir, Mirlind Daku”, ka thënë Grigoryants për RIA Novosti. m.p.

Profili i një kampioni – Humb jetën gjeniu i sipërmarrjes së lirë dhe risive

By: el da
19 August 2025 at 16:39

Altin Luli, 47 vjeçari që ndërroi jetë pasditen e djeshme në aksidentin e ndodhur në kryqëzimin e Kryebushatit, ishte një nga të parët themelues të startup-eve në Shqipëri. Ai kishte themeluar “Dyqan Taxi” dhe disa platforma të tjera, me një karrierë të pasur në tregtinë online.

Gjithashtu, Altini ishte dhe djali i të ndjerit Fran Luli, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Fatkeqësisht, 47 vjeçari humbi jetën, ndërsa bashkëshortja e tij dhe djali mbetën të plagosur.

Sapo u mësua se viktima ishte Altin Luli, në rrjetet sociale kanë vërshuar mesazhe të shumta nga miq dhe kolegë të tij. Arbër Kadia, themeluesi i “Patoko”, shkruan për ikjen tragjike të Lulit dhe punën e tij në ekosistemin e teknologjisë në Shqipëri.

“Një forcë pioniere pas një prej startup-eve të para në Shqipëri, Dyqan Taxi, Altini ishte më shumë sesa thjesht një mendje teknologjike – ai ishte një vizionar që e kuptonte vlerën e njerëzve shumë kohë para produktit.

Në Patoko, jemi thellësisht të trishtuar nga ndarja e tij tragjike. Puna e tij ndihmoi në formësimin e ekosistemit të hershëm të teknologjisë në Shqipëri dhe trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë”, shkruan Arbër Kadia.

Ndërkohë, vetë Altin Luli në profilin e tij në “LinkedIn” shkruan se ka 25 vjet përvojë në pozicione të ndryshme biznesi, duke ofruar veçanërisht ekspertizë profesionale në tregtinë elektronike, zhvillimin e kanaleve të shitjeve, menaxhimin e llogarive dhe marrëdhëniet me klientët.

Firmën e themeluesit Altin Luli e mbajnë edhe projekte të tjera të rëndësishme, si Beba.al, një platformë e madhe në tregun shqiptar të shitjeve online të produkteve për nëna shtatzëna dhe bebe deri në moshën 5 vjeç.

Gjithashtu, 47 vjeçari shkodran kishte krijuar dhe Bukinist.al, vitrina e madhe virtuale, brenda së cilës gjendet një gamë e gjerë botimesh; që nga libri artistik, librit shkollor, akademik, profesional, libri për fëmijë, libri i vjetër, katalogët, albumet, pullat postare dhe kartolinat.

Altin Luli kishte themeluar dhe drejtonte dhe dy kompani të specializuara në fushën e zhvillimit të tregtisë elektornike, si “NetTrade Albania” dhe “CodeVider”. m.p.

❌
❌