Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 August 2025Main stream

Itali/ U qëllua me armë elektrike nga karabinierët, ndërron jetë 47-vjeçari shqiptar

By: Fax Web
18 August 2025 at 17:48

Një 47-vjeçar shqiptar humbi jetën në Sant’Olcese, Itali, pasi të shtënat nga policia mund të kenë shkaktuar arrest kardiak tek burri.

Sipas mediave të huaja, dy oficerë janë vënë nën hetim. Karabinierët u thirrën nga fqinjët e burrit, të cilët kishin dëgjuar britma dhe zhurma të forta që vinin nga apartamenti.

Dy makina patrullimi mbërritën në vendngjarje dhe e gjetën burrin 47-vjeçar në një gjendje shumë të shqetësuar dhe të dehur.

Në atë moment, njëri nga oficerët qëlloi me një armë elektrike, e cila i preku si burrin ashtu edhe një koleg. Më pas u qëllua edhe një e shtënë e dytë, por as kjo nuk pati efekt.

Kur mbërritën shërbimet e emergjencës, mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e tij.

Afat i ri për Konstituimin e Kuvendit në Kosovë! Gjykata publikon aktgjykimin e plotë: Brenda 30 ditëve…

By: Fax Web
18 August 2025 at 17:46

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”, u tha në aktgjykim.

PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar vendimin e 1 majit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Dehari iu kërkoi grupeve parlamentare që të propozonin një kandidat për komisionin që do të mbikëqyrte këtë votim, por PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe vazhdimisht e refuzuan, duke bërë që seancat të ndërpriteshin shpejt, e të thirreshin pothuajse çdo 48 orë.

“Gjykata rithekson që në rrethanat e rastit konkret, ushtrimi i funksionit të deputetëve të zgjedhur në pajtim me këtë Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit që rezulton në zgjedhjen e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, dhe i shërben ruajtjes së rendit kushtetues dhe garantimit të funksionimit të institucioneve. Si rrjedhojë, Gjykata sërish nënvizon se nuk ka interes më të mirë të Republikës së Kosovës, se sa organi më i lart përfaqësues të jetë i konstituuar dhe të fillojë sa më parë me funksionimin e tij dhe ushtrimin e kompetencave dhe detyrimeve të tij kushtetuese”, tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Gjykata sërish vë theksin në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit që veprimet e tyre duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të njëjtit të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin”, u shtua në aktgjykim.

Në aktgjykim u tha se seanca e nisur më 15 prill nuk është përmbyllur, pasi nuk janë kaluar edhe dy pika: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, të cilat tani duhet të përmbyllen brenda 30 ditësh.

Në aktgjykim, Kushtetuesja sqaroi se pse emri i një kandidati për kryeparlamentar mund të hidhet në votim vetëm tri herë.

Kjo pikë e vendimit ishte kritikuar ashpër nga LVV-ja, pasi Kushtetuesja kishte nxjerrë vendimin më 8 gusht.

Kushtetuesja tha se ky afat ndërlidhet me votimet e krerëve të institucioneve të tjera nga ana e Kuvendit, sikurse është zgjedhja e presidentit, e Avokatit të Popullit, proces që zhvillohet brenda një afati të caktuar koh9or dhe “përmes një numri të arsyeshëm të rundeve të votimit”.

“Prandaj, Gjykata vlerëson që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për kryetar/e të Kuvendit deri në tri herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Njoftimi për këtë aktgjykim – i publikuar më 8 gusht – ishte mirëpritur nga partitë që më herët ishin në opozitë, por ishte kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte cilësuar si vendim arbitrar.

Disa orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, tha se gjithmonë i ka respektuar vendimet e Kushtetueses.

“Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti për gazetarë.

Në aktgjykim nuk përmenden pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e respektojnë aktgjykimin, siç kishin bërë me aktgjykimin paraprak të publikuar më 26 qershor.

“Gjykata, fillimisht vë në dukje që bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u tha në aktgjykim.

PDK: Sa më shpejt të thirret seanca e radhës

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, tha se “ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime”.

“I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, tha Krasniqi.

LDK: Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ky aktgjykim është fitore e madhe, jo vetëm e LDK-së, por e Republikës së Kosovës dhe e çdo qytetari që kërkon institucione funksionale, transparente dhe të ndershme.

“Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion. Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, tha ai në një postim në Facebook.

Më 26 qershor, Kushtetuesja po ashtu kishte obliguar deputetët të konstituonin Kuvendin brenda 30-ditësh. Por, vendimi ishte shpërfillur nga deputetët.

Vazhdimet e seancës të mbajtura nga 27 qershori deri më 27 korrik janë shpallur të pavlefshme, pasi Kushtetuesja ka argumentuar se nuk ishte respektuar aktgjykimi i saj paraprak.

Pas aktgjykimit të parë, LVV-ja kishte ngulur këmbë se lejohej votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke nxitur PDK-në dhe LDK-në që t’i drejtoheshin Kushtetueses.

Pak para se të skadonte afati 30-ditor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Kushtetueses për të kuptuar pasojat juridike nëse aktgjykimin nuk do të respektohej – gjë që edhe nuk u respektua.

Por, disa ditë më vonë ajo njoftoi se kishte tërhequr kërkesën, pasi gjyqtar raportues i lëndës ishte Radomir Llaban, që sipas saj, paraqet “kërcënim për sigurinë kombëtare” të Kosovës.

Në aktgjykimin e publikuar më 18 gusht, Kushtetuesja sqaroi se Llaban më 7 gusht kishte kërkuar që të tërhiqej nga vendimarrja në lëndët e dorëzuara nga PDK-ja dhe LDK-ja – që Kushtetuesja i ka bashkuar – dhe në atë të dorëzuar nga presidentja Osmani.

“Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Llaban”, u tha në aktgjykim.

Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit nuk ka arritur të përmbyllet për shkak se asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Derisa LVV-ja ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Sot takimi me Zelensky-in, Trump: Në gjashtë muajt e fundit kam zgjidhur 6 luftëra, e di çfarë po bëj

By: Fax Web
18 August 2025 at 17:17

Mesazhi i tretë i Donald Trump nëpërmjet Truth Social, përpara takimit të shumëpritur me Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ishte i qartë!

“Në gjashtë muajt e fundit, kam zgjidhur 6 luftëra, njëra prej të cilave mund të kishte shkaktuar një katastrofë bërthamore. Megjithatë, më duhet të dëgjoj Wall Street Journal dhe shumë të tjerë, të cilët realisht nuk kanë asnjë ide, të më thonë se çfarë po bëj gabim në situatën Rusi/Ukrainë, e cila është lufta e fshehtë e Joe Biden, jo e imja. Personalisht, jam këtu për ta ndaluar atë, jo për ta çuar më tej”, tha Trump.

“Nëse do të isha president, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. E di saktësisht çfarë po bëj dhe nuk kam nevojë për këshillat e njerëzve që kanë punuar me këto konflikte për vite me radhë dhe që nuk kanë arritur kurrë të bëjnë asgjë për t’i ndaluar ato.

Këta të ashtuquajtur “ekspertë” janë “budallenj”, pa mendje të shëndoshë, inteligjencë apo mirëkuptim, dhe vetëm sa e bëjnë situatën në Ukrainë më të vështirë. Pavarësisht sulmeve të kritikëve të mi sipërfaqësorë dhe shumë xhelozë, unë do t’ia dal. Unë gjithmonë ia dal”, theksoi presidenti amerikan.

Panik në rrugët e Siçilisë, ura shembet gjatë kalimit të automjeteve

By: Fax Web
18 August 2025 at 17:15

Shoferët që kalonin Urën San Giuliano, pranë Raddazzo, Catania në Siçili, ishin në rrezik të madh kur pjesë të strukturës filluan të shkëputeshin dhe të shembeshin.

Pamjet, të cilat kapin copa betoni dhe dheu që bien në boshllëk, ndërsa automjetet ende lëviznin në urë, janë te frikshme. Falë reagimit në kohë të shoferëve, më e keqja u shmang, pasi trafiku u ndal menjëherë dhe nuk pati të lënduar. Ura u mbyll dhe po punohet për restaurimin e saj.

Videoja e publikuar nxjerr në pah gjendjen e keqe të infrastrukturës në Itali, e cila prej kohësh konsiderohej problematike dhe u përkeqësua më tej nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.

Shembja çoi në ndërprerjen e aksesit midis qytetit të Raddazzo-s dhe disa komunave në provincën e Messinës, duke rezultuar në rrezikun e izolimit për banorët. Raddazzo, me një popullsi prej mbi 8,000 banorësh, është qendra më e afërt urbane ku plotësohen nevojat themelore.

Ndërprerja e lidhjes e bën të vështirë aksesin në shërbimet emergjente shëndetësore, arsimin, transportin ndërqytetas dhe hekurudhor (FCE – Ferrovia Circumetnea), si dhe furnizimin me ilaçe, mallra të konsumit dhe shërbime të tjera thelbësore. Ura e San Giuliano është një lidhje thelbësore për jetën e përditshme dhe funksionalitetin e zonës.

 

Zelensky pak para takimit: Vetëm Trump ka forcën për ta detyruar Rusinë drejt paqes!

By: Fax Web
18 August 2025 at 16:58

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një takim me të dërguarin special amerikan, Keith Kellogg, në Uashington, pak përpara takimit me Donald Trump dhe liderë europianë.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky u shpreh se “Rusia mund të detyrohet drejt paqes vetëm përmes forcës, dhe Presidenti Trump e ka këtë forcë”.

Ai falënderoi Kellogg për takimin dhe shtoi se Ukraina është “e gatshme të vazhdojë të punojë me përkushtim maksimal për t’i dhënë fund luftës dhe për të garantuar siguri të qëndrueshme”.

“Duhet të veprojmë saktë që paqja të bëhet realitet. Kur flitet për paqe për një vend të vetëm në Europë, kjo do të thotë paqe për gjithë kontinentin,” tha Zelensky.

Aksident tragjik në Greqi, vdesin tre shqiptarë! Kamioni u përplas me dy makina

By: Fax Web
18 August 2025 at 16:57

Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës një të mesditës së sotme, në autostradën Egnatia pranë Komotinisë në lindje të Greqisë me viktima 3 shtetas shqiptarë.

Aksidenti ka ndodhur pasi një kamion është përplasur me dy makina pak para stacionit të Iasmës ku paguhen taksat e rrugës.

Dy automjetet me pasagjerë kanë ulur shpejtësinë për shkak të radhës së krijuar, ndërsa kamioni nuk ka mundur të frenojë për arsye ende të panjohura dhe është përplasur me to.

Shoferi i kamionit u dërgua gjithashtu në spital me lëndime të rënda, ndërsa automjeti i tretë mbante katër persona të tjerë, të cilët u dërguan gjithashtu në spital nga ambulancat . Ata kanë lëndime të lehta dhe gjendja e tyre shëndetësore nuk është shqetësuese.

Përplasja shkaktoi një zjarr të madh, i cili u përhap edhe në zonat rurale.

22 zjarrfikës me 9 automjete nxituan në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe për të nxjerrë të lënduarit dhe viktimat nga automjetet që digjeshin.

Për shkak të aksidentit tragjik, policia rrugore bllokoi për disa orë aksin rrugor .

Konkretisht, u vendos të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve në Autostradën Egnatia Iasmos – Ksanthi, në itinerarin Komotini – Ksanthi.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama: Një tjetër ‘mur kinez’ ra, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0

By: Fax Web
18 August 2025 at 16:56

Vijon në të gjithë vendin puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret. Lirimi i hapësirave publike është pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Ndërkohë, sot kryeministri Edi Rama ndau pamje nga lirimi i hapësirave urbane në Tiranë, teksa ka postuar një video nga prishja e një lokali që kishte zaptuar hapësirën publike.

‘Ja dhe një mur i madh ‘kinez’ që ra sot, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0 edhe për këtë komunitet të bllokuar pas ‘murit’ madje për të çliruar edhe pemët e mbyllura brenda në lokal’, shkruan Rama.

Kosovë/ Gjykata Kushtetuese publikon aktgjykimin, pritet të rinisë seanca për konstituimin e Kuvendit

By: Fax Web
18 August 2025 at 16:29

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar pak minuta më parë aktgjykimin e plotë, i cili pritet t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit. Kështu, pritet të rifillojë seanca e fundit parlamentare, e cila deri më tani nuk ishte e mundur për shkak të masës së përkohshme që pezullonte vendimmarrjen e Kuvendit.

“Në bazë të vendimit: me 6 vota për dhe 1 kundër, urdhërohet Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të miratuar më 8 prill 2025 dhe, në përputhje me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit. Kandidati/ja do të zgjidhet përmes votimit të hapur, i cili mund të përsëritet deri në tre herë për të njëjtin emër”, thuhet në aktgjykimin e publikuar sot.

Gjykata vlerësoi se deputetët e Kuvendit nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe, për pasojë, “të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”.

Po ashtu, Kushtetuesja theksoi se “Kryesuesi i Seancës Konstituive nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25 të 26 qershorit 2025, dhe veprimet e tij janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës”.

Kujtojmë se dhjetë ditë më parë, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar që kryeparlamentari i ri duhet të zgjidhet vetëm me votim të hapur, ndërsa një kandidaturë nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka insistuar që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhej i fshehtë, edhe pse procedura fillestare ishte nisur me votim të hapur.

Starmer: Lufta në Ukrainë duhet të marrë fund, por me një paqe të drejtë

By: Fax Web
18 August 2025 at 16:27

“Të gjithë duan që lufta në Ukrainë të përfundojë, por nevojitet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”. Kështu u shpreh kryeministri britanik Keir Starmer në një video të regjistruar gjatë fluturimit për në Uashington, ku do të mbahet sot samiti vendimtar në Shtëpinë e Bardhë. “Është në interes të Mbretërisë së Bashkuar që t’i bëjmë gjërat siç duhet”, shtoi kreu laburist, duke kujtuar vuajtjet e pësuara nga ukrainasit në këtë konflikt të gjatë dhe pasojat e tij në pjesën tjetër të Europës.

Fier/ Sherret mes dy familjeve i pëson qeni i shtëpisë! 62-vjeçari e vret, pronari dhe miku i tij dhunojnë autorin! Policia i merr nëm akuzë

By: Fax Web
18 August 2025 at 15:07

Sherret mes dy familjeve në Fier përfundojnë me vrasjen e qenit të një prej tyre, duke e çuar konfliktin deri në përleshje fizike, ndërsa është dashur edhe ndërhyrja e Policisë për të mos lejuar rëndimin e situatës në tragjedi.

Dy familjet kanë qenë të afërta me njëra-tjetrën, teksa pronari 55-vjeçar i kafshës shtëpiake, së bashku me një të afërmin e tij, pas këtij krimi ka sulmuar autorin 62-vjeçar, duke e goditur me grushte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. Ll., 62 vjeç, I. Ll., 55 vjeç, dhe E. A., 41 vjeç, banues në Fier, pasi 62-vjeçari dyshohet se ka vrarë kafshën shtëpiake (qenin) në pronësi të shtetasit I. Ll., ndërsa ky i fundit dhe 41-vjeçari kanë goditur me grushte 62-vjeçarin”, tha zyrtarisht policia vendore.

Të dyja palët në marrjen paraprake në pyetje kanë fajësuar njëra-tjetrën, teksa do të jetë prokuroria që do zbardhë ngjarjen mbi veprat penale që janë konsumuar.

Krimet e rënda ndaj kafshëve duket se janë në rritje, ndërsa më herët u regjistrua edhe ngjarja e shëmtuar në malin e Llogarasë në Vlorë, më 8 gusht, ndërsa u arrestua edhe autori i dyshuar, Selfo Merkohitoj, nga Dukati.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë/ Rubio mohon: Krerët europianë nuk po vijnë me Zelenskyn që ta mbrojnë prej “bullizimit”!

By: Fax Web
18 August 2025 at 15:03

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, insistoi përpara takimit të Washingtoni se udhëheqësit europianë që i bashkohen Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në bisedimet me kreun e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, “nuk po shkojnë atje që të parandalojnë bullizimin e tij, apo nënshkrimin e një “marrëveshjeje të pafavorshme”, por insistoi se ata janë ftuar nga administrata amerikane.

Kjo nuk është e vërtetë. Ata nuk do të vijnë këtu për të parandaluar ngacmimin e Zelensky-t. Ata po vijnë këtu sepse kemi punuar me europianët. Javën e kaluar folëm me ta. Në i ftuam të vinin, dhe ata vijnë sepse zgjodhën vetë ta bënin një gjë të tillë”, shprehet Marco Rubio.

Zelensky dhe udhëheqësit europianë janë planifikuar të takohen me Trump në Uashington, si një vazhdim i samitit mes Trump dhe Putin në Alaska të premten që dështoi të prodhonte një armëpushim, thotë AFP.

Donald Trump dhe Volodimir Zelensky pritet të takohen kokë më kokë përpara se atyre t`iu bashkohen në diskutime liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Finlandës, si dhe shefi i NATO-s Mark Rutte dhe shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, Rusia i pranon garancitë e sigurisë që kërkon Kievi. Por pranimi i Ukrainës në NATO është për Putinin një çështje që nuk mund të diskutohet, tha Witkoff për CNN. Sipas tij Rusia ka shprehur gjithashtu qëllimin e saj për t’u angazhuar për një marrëveshje paqeje dhe për të mos pushtuar territore të tjera në Ukrainë.

Britania pret grupin e parë të fëmijëve të plagosur palestinezë

By: Fax Web
18 August 2025 at 14:55

Një grup prej 30 deri në 50 fëmijësh palestinezë, të sëmurë rëndë dhe të plagosur, do të evakuohen nga Gaza në Britaninë e Madhe për trajtim mjekësor në javët e ardhshme.

Ata do të jenë të parët që do të pranohen si pjesë e një operacioni të koordinuar nga qeveria laburiste e Keir Starmer, e koordinuar nga Ministria e Jashtme, e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.

Fëmijët do të udhëtojnë me familjet e tyre. Vendimi erdhi pasi 96 deputetë të Westminster nga parti të ndryshme i shkruan një letër kryeministrit Starmer duke i kërkuar atij të transferonte fëmijët pa vonesë në ishull.

Korçë/ Dhunuan autorin e plagosjes me thikë në Dvoran, Gjykata liron 4 të arrestuarit! Për Aleks Qiqin masa do jepet në spital

By: Fax Web
18 August 2025 at 14:53

Dalin para Gjykatës së Korçës 4 personat e arrestuar pas ngjarjes së plagosjes së 27-vjeçarit në fshatin Dvoran (Mollaj).

Gjykata ka caktuar masën detyrim paraqitje për 3 prej të arrestuarve, ndërsa për njërin prej tyre u vendos të hetohet në gjendje të lirë.

Konkretisht në masë detyrim paraqitje u lanë Isuf Dalip, Dhimitër Kodra dhe Bilal Shkëmbi, ndërsa në gjendje të lirë do hetohet Thanas Paskali.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konkluduar se Aleks Qiqi u plagos lehtë nga katër të arrestuarit, pak pasi sulmoi dhe goditi me thikë Ari Kodrën, që mori plagë në shpatull dhe shumë pranë zemrës.

Këta të fundit akuzohen se pasi Qiqi plagosi me thikë 27 vjeccarin Ari Kodra, reaguan duke e goditur.

Sa i përket masës së autorit të plagosjes, mësohet se ajo do të zhvillohet në ambientet e spitalit rajonal të Korçës, për shkak se autori është duke marrë ende ndihmë mjekësore.

Qiqi ishte person me precedentë të shumtë penalë për plagosje dhe drogë, në Shqipëri dhe në Greqi, ku jetonte herë pas here. Së fundmi ishte arrestuar dhe dënuar për drogë, teksa ishte liruar nga burgu disa javë më parë.

Të dy personat kanë qenë në të njëjtën tavolinë lokali bashkë me persona të tjerë dhe pas ngacmimeve me fjalë Qiqi ka shkuar në shtëpi për të marrë thikën, duke plagosur Kodrën. Në këto momente personat e tjerë sulmuan Qiqin me grushte e shkelma, duke e dëmtuar lehtë.

50.000 trupa tokësore në Ukrainë nëse arrihet një armëpushim

By: Fax Web
18 August 2025 at 13:57

Vendet evropiane janë të përgatitura të vendosin 50.000 trupa tokësore në Ukrainë nëse arrihet një armëpushim, raportoi e përditshmja finlandeze Iltalehti, duke cituar burime të politikës së jashtme dhe të sigurisë, transmeton Anadolu.

Në lajm thuhet se është hartuar tashmë një plan operativ për të dërguar një forcë të tërë ushtarake, të komanduar nga një gjeneral perëndimor, si pjesë e një garancie sigurie për Kievin.

Vendosja e trupave do të kryhet nën “Koalicionin e të Gatshmëve”, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Prania e 50.000 ushtarëve perëndimorë do të shërbente si një pengesë, tha lajmi, duke parandaluar në mënyrë efektive Rusinë nga vazhdimi i pushtimit të saj.

Forca do të mbështetet nga njësitë ajrore dhe detare aleate, duke siguruar mbrojtjen e hapësirës ajrore ukrainase.

Përderisa Ukraina mund të ruajë sovranitetin e saj politik edhe nëse humbiste territor, plani i raportuar synon t’i ofrojë Kievit një ombrellë të besueshme sigurie në rast të një armëpushimi, raportoi e përditshmja.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit viziton pikën kufitare të Gazës, refuzon vizionin e “Izraelit të Madh”

By: Fax Web
18 August 2025 at 13:49

Ministri i Jashtëm i Egjiptit refuzon deklaratat zyrtare izraelite në lidhje me të ashtuquajturin “Izrael të Madh”, gjatë vizitës së tij në pikën kufitare Rafah me Rripin e Gazës të bllokuar. “Refuzojmë çdo zhvendosje palestineze nga Gaza”, tha Badr Abdelatty në një konferencë për media ndërsa vizitoi pikën kufitare Rafah me kryeministrin palestinez Mohammad Mustafa.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i tha një kanali lajmesh se ndihet “shumë i lidhur” me vizionin e një “Izraeli të Madh”. Ai tha se e konsideron veten “në një mision historik dhe shpirtëror” të cilin “breza hebrenjsh që ëndërruan të vinin këtu dhe breza hebrenjsh që do të vijnë pas nesh”.

“Izraeli i Madh” është një term biblik i përdorur në politikën izraelite për t’iu referuar zgjerimit të territorit të Izraelit për të përfshirë Bregun Perëndimor, Gazën, Lartësitë e Golanit të Sirisë, Gadishullin Sinai të Egjiptit dhe pjesë të Jordanisë.

Abdelatty tha se ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari po punojnë për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve midis Hamasit dhe Izraelit. “Qëndrimi ynë mbi çështjen palestineze është i vendosur dhe i pandryshueshëm. Përsërisim refuzimin tonë të të gjitha politikave që synojnë likuidimin e kauzës palestineze”, shtoi ai.

Një fëmijë midis 8 të vrarëve në sulmet izraelite në Rripin e Gazës

By: Fax Web
18 August 2025 at 13:44

Ushtria izraelite vrau 8 palestinezë, përfshirë 1 fëmijë, në sulmet e reja që shënjestruan të hënën zonat veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës, sipas mjekëve. Burime mjekësore i thanë Agjencisë Anadolu se 3 persona, përfshirë 1 vajzë të vogël, u vranë në një sulm izraelit ndaj një ndërtese që strehonte civilë të zhvendosur në qytetin lindor të Gazës.

Ushtria izraelite goditi një ndërtesë tjetër përballë Spitalit Al-Shifa në qytetin perëndimor të Gazës, duke plagosur civilë. Një peshkatar palestinez u vra dhe vëllai i tij u plagos kur forcat izraelite qëlluan në varkën e tyre në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës. Ushtria izraelite gjithashtu shkatërroi një shtëpi me kurthe minash ndërsa vazhdoi bombardimet me artileri dhe sulmet ajrore në lagjet Zeitoun dhe Sabra.

Trupi i një gruaje palestineze u transferua në Spitalin Al-Awda pasi ushtria izraelite bombardoi kampin e refugjatëve Nusairat në Rripin qendror të Gazës. Disa të tjerëve u plagosën gjithashtu në sulm, njoftoi administrata e spitalit në një deklaratë. Gjithashtu 3 persona të tjerë u vranë nga aeroplanët izraelitë kur shënjestruan një tubim civilësh në kampin e refugjatëve Bureij, në Gazën qendrore.

Ushtria izraelite hapi zjarr ndaj civilëve që prisnin shpërndarjen e ndihmave në rrugën Salah al-Din, në jug të Wadi të Gazës, duke plagosur një numër palestinezësh. Javën e kaluar, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi planin e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të ripushtuar plotësisht Gazën, duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe protesta vendase që paralajmëruan se kjo përbënte një “dënim me vdekje” për robërit izraelitë të mbajtur në enklavë.

Izraeli ka vrarë më shumë se 61.900 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri. Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Gjendet 37-vjeçar i pajetë në banesë në Këlcyrë, dyshohet për…

By: Fax Web
18 August 2025 at 13:41

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Këlcyrë ku një 37-vjeçar është gjendur pa shenja jete në banesën e dajës së tij.

Dyshohet se viktima është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë.

Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Njoftim i Policisë:

Mbrëmjen e djeshme, është gjetur pa shenja jete, në banesën e dajës së tij, shtetasi A. S., 37 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.    

Rama: Vijojnë punimet për Teatrin e ri Kombëtar, një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës

By: Fax Web
18 August 2025 at 13:38

Vijon puna për Tatrin e ri Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet në Facebook, ndërsa shprehet se çdo ditë po punohet për t’i dhënë jetë një godine që sipas tij do të jetë një tjetër vepër arkitektonike e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës.

“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, ku punohet çdo ditë për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”, shkruan Rama.

 

Berisha: Kjo qeveri vetëm vjedh dhe nuk zhdëmton, Thethi një krim shtetëror, do të ndëshkohen autorët

By: Fax Web
18 August 2025 at 13:18

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër qeverinë për mënyrën si po trajtohen qytetarët e dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, duke e akuzuar për mosdëmshpërblim dhe shpërdorim të qëllimshëm të fondeve. Në një deklaratë publike, Berisha tha se “kjo qeveri vetëm vjedh dhe nuk zhdëmton”, duke sjellë si shembull mungesën e ndihmës reale për banorët e prekur nga tërmeti në Durrës, Laç, Kurbin, Lezhë dhe Tiranë.

Ai i garantoi banorët e zonave të prekura nga zjarret dhe banorët e Thethit se do të bëhet gjithçka për të kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve dhe kompensimin e plotë të viktimave. Sipas tij, edhe ndërhyrjet në Theth përbëjnë një “krim të mirëfilltë shtetëror”, pasi ndërtimet që janë dëmtuar ishin brenda zonave të lejuara dhe në pronat e qytetarëve.

“Do të bëjmë gjithçka që ndaj këtij krimi shtetëror të ndëshkohen autorët dhe të dëmshpërblehen viktimat,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar të papranueshme që qeveria të përfitojë nga fatkeqësia për të shpërdoruar fondet publike.

❌
❌