Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Dimal Basha distancohet sërish nga artikulli kundër UÇK-së

By: b b
28 August 2025 at 11:41

Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka distancuar sërish veten nga një artikull që flet për ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Basha tha se “distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.

“Dua të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe qytetare dhe kombëtare që kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me vlerën e shenjtë të popullit tonë”, tha Basha.

Një ditë më parë, ai kishte thënë në Facebook se kontributi i tij në këtë punim ishte vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.

Ndërkohë, Basha tha se Kuvendi do t’i vazhdojë punimet me shortin për kandidatët për nënkryetarin serb të Kuvendit.

Basha bëri thirrje që deputetët ta votojnë Nenad Rashiçin për nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe.

“Mendoj se është akt patriotik ta votojmë sot dhe në kryesi të Kuvendit ta kemi një nënkryetar që e njeh Republikën e Kosovës dhe punon për interesat e saj”, tha Basha.

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të martën, Rashiç ishte hedhur në votim me short, por nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur.

“Siç e dini që Rashiçi është hedhur në votim vetëm një herë, Gjykata Kushtetuese ka thënë që një kandidat mund të kandidohet deri në tri herë. Pra, janë edhe dy hera që ai të votohet”, shtoi Basha.

Rashiç është kryetar i partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti./REL

Rama: Krijimi i një Ndërmarrjeje të re për Mbetjet, sfida më e madhe për Integrimin

By: b b
28 August 2025 at 11:34

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të enjte, më 28 gusht, krijimin e një institucioni të ri që do të ngarkohet me detyrën për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve. Ky institucion do të quhet Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve.

Sipas tij, ky është dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Këtë lajm, Rama e bëri me dije gjatë një aktiviteti të zhvilluar në kuadër të Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, ku deklaroi se qeveria po përgatiste një plan masash ligjore dhe investimesh është thelbësor për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian.

“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim në të gjitha nivelet dhe në të gjithë territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo si nënpunës të këtij shteti, të lidhur me të gjitha çështjet e mjedisit, të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE.
E them me keqardhje që, ndërkohë që kemi vënë re me kënaqësi një përmirësim të mëtejshëm të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë lloj vetëdijësimi nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit, dhe nuk vëmë re përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve.

Në këto kushte, duke marrë parasysh të gjitha shkallët e ngjitura, vonesat përkatëse, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë re re reformash dhe masash të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje, por për të cilat më duhet të them më së pari është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një agjenci, institucion, ndërmarrje e re e cila do të jetë në dispozicion të gjithë republikës, patjetër të pushtetit vendor, të qytetarëve dhe këtij misioni për anëtarësimin në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve, që nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar”, tha Rama.

Elisa Spiropali: S’mund të kemi të ardhme europiane, pa reflektuar mbi të kaluarën

By: b b
28 August 2025 at 11:19

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në një ceremoni përkujtimore të mbajtur në qytetin e Shkodrës, në nderim të personave që humbën jetën apo u zhdukën pa gjurmë në kufijtë veriorë të vendit gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Në një simpozium solemn, që u zhvillua për të nderuar kujtimin e qindra qytetarëve shqiptarë që tentuan të arratiseshin drejt lirisë por nuk ia dolën kurrë, Spiropali tha se kujtesa nuk mund të jetë vetëm një akt simbolik, por një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror dhe reflektim të ndershëm mbi të kaluarën.

“Sot, në këtë qytet me një histori të veçantë të dhimbjes, ndalemi për të kujtuar ata që mungojnë, njerëz të zhdukur gjatë një periudhe të errët të historisë sonë, e cila ende kërkon qartësi dhe përgjegjësi,” u shpreh ajo në fjalën e saj.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se 30 gushti, për Shqipërinë, nuk është vetëm një datë kalendarike ndërkombëtare, por “një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim. Po kaq e fortë kjo përpjekje sa etike, duhet të jetë dhe kulturore”.

“Midis viteve 1945–1991, mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë. Ka ende nëna që nuk e mësuan kurrë fatin e birit, vëllezër dhe motra që presin një përgjigje. Kjo nuk është një çështje private e disa familjeve, por një plagë kombëtare,” shtoi Spiropali.

Ajo shtoi se Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme europiane pa reflektuar me ndershmëri për të kaluarën e saj, duke bërë thirrje për një politikë të re morale, ku e kaluara të trajtohet me përgjegjësi institucionale dhe njerëzore: “Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme europiane pa reflektuar me ndershmëri për të kaluarën e saj. E kaluara na përkjet të gjithëve!”

Aksident në Përmet/ Makina përplas këmbësorin, i moshuari humb jetën në vendngjarje

By: b b
28 August 2025 at 11:00

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor “Përmet-Çarçovë”.

Uniformat blu bëjnë me dije se shtetasi A. M., 52 vjeç, banues në Përmet, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin S. P., 90 vjeç, banues në Përmet, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

Njoftimi i policisë Përmet/Informacion paraprak

Rreth orës 09:10, në aksin rrugor “Përmet-Çarçovë”, shtetasi A. M., 52 vjeç, banues në Përmet, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin S. P., 90 vjeç, banues në Përmet, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Policia operacion në Durrës, arrestohen dy persona me rrezikshmëri të lartë

By: b b
28 August 2025 at 10:52

Mbrëmjen e djeshme, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion në zonën e Shkozetit, në Durrës, ku janë arrestuar dy individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Erald Mustafa dhe Arbi Haxhiu.

Erald Mustafa është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ai është pjesë e grupit kriminal të njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Ky person ka pasur disa herë probleme me ligjin, duke u arrestuar dhe hetuar për armëmbajtje pa leje në të kaluarën. Ai ka një dosje të ngarkuar kriminale, ku përfshihen akuza të rënda, përfshirë dhe një ngjarje në vitin 2023, ku ai u kap me armë dhe dyshohej se po përgatiste një vrasje për hakmarrje, pas një atentati me tritol që iu bë automjetit të tij. Në vitin 2021, Mustafa u arrestua për tentativë vrasjeje.

Përveç veprave penale në Shqipëri, Mustafa ka një të kaluar kriminale edhe jashtë vendit. Në Gjermani, ai është dënuar me 10 vite burg për akuzat e “Kanosjes” dhe “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”.

Sipas burimeve operacioni i Shkozetit është pjesë e aksioneve të Policisë së Shtetit për goditjen e elementëve të krimit të organizuar që veprojnë në Durrës e Shijak.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar nëse dy të arrestuarit ishin të përfshirë në ndonjë plan kriminal aktual.

Votimi i nënkryetarit serb,Kuvendi i Kosovës mblidhet për përmbylljen e konstituimit

By: b b
28 August 2025 at 10:41

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Seanca konstituive e Kuvendit nuk ka arritur të përmbyllet as të martën, në përpjekjen e 58-të. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 73 vota pro. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.

Por, për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe ka insistuar vetëm në kandidatin Sllavko Simiq, por që nuk ka marrë votat e nevojshme. Pas refuzimit të Listës Serbe për të dhënë propozim tjetër është bërë hedhja në votim e kandidatëve përmes shortit, e ku dy kandidatë tjerë nga Lista Serbe, Verica Çeraniq dhe Stefan Kovaçeviq nuk morën votat e nevojshme të deputetëve. Kandidatja e tretë i tërhequr në short, Liljana Stefanoviq refuzoi të hidhej në votim. Më pas në short u tërhoq emri i deputetit Nenad Rashiq, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme. Vetëm 55 deputetë votuan pro kandidaturës së tij.

Pas krejt këtyre zhvillimeve në Kuvend, kryeparlamentari Dimal Basha theksoi se në frymën e bashkëpunimit e ndërpret seancën për ta vazhduar të enjten, në ora 11:00.

Në ditën e 10-të, pasi ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për bërjen e Kuvendit, deputeti nga radhët e pakicës serbe, Nenad Rashiq, tha se pret të marrë më shumë se 61 vota për ta përfaqësuar komunitetin serb nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

Arrestimi i ish-kreut të IMT Durrës,policia:Ndërtoi pa leje 11 garsoniere, një vilë

By: b b
28 August 2025 at 10:23

Policia e Durrësit doli në një deklaratë për shtyp lidhur me arrestimin e ish-kreut të IMT-së së qytetit bregdetar.

Drejtori i Policisë së Durrësit u shpreh se Ardian Halili ka filluar të ndërtojë që në vitin 2018 kur mbante këtë post dhe ka vazhduar edhe më tej.

Sipas tij, Halili ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një hapësirë toke prej 5600 metra katror.

Njoftimi i plotë: 

Në këtë kuadër, strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H.

Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.

Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.

Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.

Në këtë frymë të zbatimit të ligjit, është duke vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike. Koordinimi i veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, IMT-së dhe IKMT-së po jep rezultate çdo ditë në këtë drejtim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në telegramin e dërguar për strukturat e Policisë në qarqe, ka kërkuar intensifikimin e veprimeve të strukturave të Policisë për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe dërgimin para ligjit të të gjithë atyre që tentojnë të kryejnë ndërtime pa leje, të zaptojnë hapësira publike, atyre që shkaktojnë zjarrvënie, ndotje akustike apo që bllokojnë qarkullimin e automjeteve të emergjencës.

Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët e qarkut Durrës të denoncojnë pranë strukturave të Policisë çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet, çdo neglizhencë apo shpërdorim të detyrës nga punonjës policie apo të kujtdo institucioni shtetëror që ka për detyrë të ofrojë shërbim qytetarëve dhe të zbatojë ligjin, duke i garantuar se reagimi i strukturave të Policisë do jetë i menjëhershëm, konform ligjit, ndaj çdo shqetësimi që do adresohet nga ata.

Kim Jong Un dhe Putin do marrin pjesë në paradën ushtarake në Kinë javën e ardhshme

By: b b
28 August 2025 at 10:07

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të udhëtojë në Kinë për herë të parë pas gjashtë vjetësh, për të marrë pjesë në një paradë ushtarake javën e ardhshme, njoftuan të dyja vendet të enjten.

Kim dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të jenë mesin e 26 liderëve të huaj që do të marrin pjesë në paradën e 3 shtatorit në Pekin, për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe qëndresës së Kinës ndaj agresioneve të Japonisë gjatë luftës, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Ne e mirëpresim ngrohtësisht sekretarin e përgjithshëm Kim Jong Un në Kinë, për të marrë pjesë në aktivitetet përkujtimore”, tha Hong Lei, zëvendësministër i jashtëm i Kinës, në një konferencë për shtyp.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, tha se Kim do ta vizitojë Kinën me ftesë të presidentit kinez, Xi Jinping, për të marrë pjesë në festimet e 80-vjetorit të përfundimit të luftës.

Në mesin e të ftuarve të tjerë janë edhe liderët e Iranit, Bjellorusisë, Serbisë, Kubës, Indonezisë, Mianmarit, Pakistanit dhe Malajzisë.

Asnjë lider nga Shtetet e Bashkuara apo vendet kryesore të Evropës Perëndimore nuk pritet të marrë pjesë, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve me Putinin mbi luftën në Ukrainë.

Në paradë pritet të shfaqen disa nga armët më të reja të Kinës, ku gjithashtu Xi do të mbajë fjalim.

Nëse udhëtimi i Kimit realizohet, ai do të jetë udhëtimi i tij i parë në Kinë që nga viti 2019.

Prej se e mori pushtetin pas vdekjes së babait të tij në dhjetor të vitit 2011, Kimi është takuar me Xinë, Putin, presidentin amerikan Donald Trump, ish-presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, dhe të tjerë, por të gjitha këto takime kanë qenë dypalëshe dhe ai nuk ka marrë pjesë kurrë në ngjarje shumëpalëshe me liderë të huaj.

Në përgjithësi, Kimi udhëtoi katër herë në Kinë nga viti 2018 deri në vitin 2019 për t’u takuar me Xinë.

Kina është tash e një kohë të gjatë partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut dhe furnizuesi kryesor i ndihmave, megjithatë në vitet e fundit janë ngritur dyshime mbi marrëdhëniet mes tyre.

Koreja e Veriut është përqendruar në zgjerimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke dërguar trupa dhe municione për ta mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake.

Megjithatë, shumë analistë thonë se Koreja e Veriut pritet të ndërmarrë hapa për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Kinën, në mënyrë që ta ringjallë ekonominë e saj të dobësuar, sepse ka një kufi për atë që mund ta marrë nga Rusia dhe mbetet e paqartë nëse bashkëpunimi me Moskën do të vazhdojë me të njëjtin ritëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Vizita e Kimit në Kinë mund të lidhet gjithashtu me përpjekjet për të rifilluar diplomacinë me Trumpin, i cili ka theksuar shpesh marrëdhënien e tij me Kimin dhe ka shprehur shpresat për të rinisur bisedimet. Koreja e Veriut deri tani kundërshtuar qasjen e Trumpit, por shumë analistë thonë se ajo mund të rikthehet në bisedime nëse beson se SHBA-ja do të bëjë lëshime më të mëdha.

“Bashkëpunimi i paligjshëm i Phenianit me Moskën ka tensionuar marrëdhëniet me Pekinin, edhe pse mbështetja politike dhe ekonomike e Kinës mbetet jetike për regjimin e Koresë së Veriut”, tha Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Ewha Womans në Seul.

“Për të rifituar lidhjen me Trumpin nga një pozitë force, Kim po përpiqet t’i ndreqë marrëdhëniet me Xinë, dhe pjesëmarrja në paradën e Pekinit është një mënyrë shumë e dukshme për ta bërë këtë”, shtoi Easley.

Situata e zjarreve në vend/ 14 vatra të raportuara, 3 janë aktive

By: b b
28 August 2025 at 09:53

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e shifrave lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e datës 27 gusht deri në orën 09:00 të datës 28 gusht, janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave:

• 3 janë ende aktive
• 2 janë nën monitorim
• pjesa tjetër është izoluar dhe shuar.

Vatrat aktive

Në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, vatra e nisur më 25 gusht vijon në pyllin e Pishë-Poros. Sot në terren po punojnë 30 forca zjarrfikëse e bashkiake dhe 20 efektivë të FA me 3 automjete. Zjarri ka intensitet të ulët, duke djegur kryesisht trungje brenda vatrës.

Në fshatin Miras, bashkia Devoll, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore, ku po punojnë rreth 70 forca vendore të MZSH, bashkisë dhe vullnetarë.

Vatra në monitorim

Skrapar (Bogovë) – Zjarri në pyllin me pisha është vënë nën kontroll, ndërsa po mbahet në monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe bashkiake.

Pezë Helmës, vatra të izoluara në zonën e Kodrave të Caushit po vijojnë të monitorohen.

Korçë (Parku Natyror Gërmenj)
Vatra e riaktivizuar në zonën e piramidave 14–15 është izoluar dhe po monitorohet nga forcat operacionale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit, bashkitë, Forcat e Armatosura dhe vullnetarët mbeten të angazhuar në terren për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Shqipëria me nivelin më të lartë të planeve për emigrim, 10 % ikin brenda vitit

By: b b
28 August 2025 at 09:46

Rreth 33% e shqiptarëve e konsiderojnë emigrimin përkohësisht ose përgjithmonë brenda dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa 10 për qind e tyre synojnë largimin brenda vitit. Këto ishin rezultatet e anketës që zhvilloi në nëntor të vitit 2024 Banka Qendrore e Austrisë në vendet e Europës, Qendrore, Juglindore dhe Lindore CESEE (Bullgari, Çeki, Hungari, Poloni, Rumani, Shqipëri, Bosnjë, Maqedonia e Veriut dhe Serbi).

Anketa që kishte si qëllim përdorimin e euros në këto vende, përfshiu edhe pyetjet për emigracionin. Rezultatet treguan se Shqipëria mbetet vendi me përqindjen më të lartë të qytetarëve me synime për emigrim në rajon. Anketa “Euro e OeNB 2024” tregon se, megjithëse dëshira për të emigruar është në rënie në shumicën e vendeve të rajonit, Shqipëria vazhdon të qëndrojë ndër vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë që synon largimin.

Rreth 10% e shqiptarëve shprehin synimin për të emigruar brenda 12 muajve të ardhshëm, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me shkallën më të lartë të migrimit të mundshëm, së bashku me Maqedoninë e Veriut (11%). Pas tyre renditen Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria dhe Polonia, ku shifrat luhaten mes 2% dhe 5%. Hungaria dhe Çekia kanë përqindjet më të ulëta, nën 2%.

Në përgjithësi, dëshira për emigrim ka ardhur duke rënë në rajon, por Shqipëria mbetet një përjashtim. Në vitin 2019, para pandemisë COVID-19, 7% e qytetarëve të vendeve të anketuara deklaronin se kishin ndërmend të largoheshin brenda një viti. Në vitin 2021, gjatë pandemisë, kjo shifër ra në 5%, ndërsa në 2024 zbriti më tej në 4.5%. Ky trend shihet si pozitiv për shumicën e vendeve të CESEE, pasi emigracioni masiv ka thelluar problemet demografike dhe ka sjellë vështirësi në tregun e punës. Në Shqipëri trendi nuk ka ndryshuar shumë. Përveç synimeve për emigrim në periudhën afatshkurtër, të dhënat e anketës tregojnë se 33% e shqiptarëve e konsiderojnë të mundshme emigrimin përkohësisht ose përgjithmonë brenda dhjetë viteve të ardhshme. Ky është niveli më i lartë në rajon, ndërkohë që në Çeki dhe Hungari kjo shifër është vetëm 7%.

Shumica e njerëzve deklarojnë se duan të emigrojnë për arsye të lidhura me punësimin, rreth 46% mesatarisht në të gjitha vendet e anketuara. Arsyeja e dytë më e rëndësishme është kërkimi i kushteve më të mira të jetesës jashtë vendit.

Të dhënat e vitit 2024 tregojnë gjithashtu se Shqipëria ka një përqindje shumë të lartë të qytetarëve që kanë jetuar më parë jashtë vendit. Sipas raportit, 28% e popullsisë shqiptare deklaron se ka pasur një periudhë emigrimi, duke e renditur vendin tonë ndër më të prekurit në rajon.

Mesatarja për vendet e CESEE është 14%, ndërsa Hungaria ka përqindjen më të ulët me vetëm 7%. Në shumicën e vendeve të tjera, përqindja e personave që kanë jetuar jashtë varion nga 11% deri në 16%.

Studimi tregon se qëndrimet afatshkurtra, pra më pak se një vit, janë më të zakonshmet dhe përbëjnë rreth 35% të të gjitha rasteve. Megjithatë, Shqipëria shfaqet më afër vendeve me qëndrime më të gjata. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, rreth 50% e emigrantëve të rikthyer kanë qëndruar më shumë se tre vjet jashtë vendit. Pas Bosnjës, renditen Bullgaria, Shqipëria dhe Serbia, ku rreth 40% e emigrantëve të rikthyer kanë pasur një emigracion afatgjatë./Monitor

Komisioni Rregullator certifikon sot përfundimisht rezultatin e 11 majit

By: b b
28 August 2025 at 09:31

Sot do të shpallet zyrtarisht rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Komisioni Rregullator pritet të mblidhet në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vulosur në këtë mënyrë Kuvendin e ri.

Pas këtij vendimi do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së re.

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi 83 mandate, aleanca e Partisë Demokratike 50 mandate, Partia Socialdemokrate tre mandate, Partia Mundësia dy mandate ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.

Kujtojmë se opozita ankimoi të gjitha rezultatet e qarqeve dhe për këtë arsye, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të hapë pjesërisht disa kuti në Durrës dhe Elbasan dhe plotësisht në Fier dhe Tiranë. Megjithatë, pavarësisht rinumërimit rezultati nuk ndryshoi.

8 të vrarë dhe 45 të plagosur nga një sulm i madh rus në Kiev

By: b b
28 August 2025 at 09:20

Të paktën tetë njerëz janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur nga një sulm i madh rus me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës mëngjesin e së enjtes, njoftuan autoritetet lokale.

Rusia e kreu këtë sulm të madh në një kohë kur përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës mbi trivjeçare po hasin vështirësi.

Dy fëmijë janë në mesin e të vrarëve, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

Numri i viktimave pritet të rritet teksa ekipet për shpëtim po punojnë në vendngjarje për t’i nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja.

“Rusia i zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së bisedimeve”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në X pas sulmit.

“Ne presim reagim nga të gjithë ata që kanë bërë thirrje për paqe nga e gjithë bota, por që sot gjithnjë e më shpesh po heshtin në vend se të mbajnë qëndrim parimor”, theksoi Zelensky.

Rusia përdori dronë mashtrues, raketa lundruese dhe raketa balistike, tha Tymur Tkachenko, kreu i administratës së qytetit të Kievit.

Të paktën 20 zona në shtatë rajone të Kievit u goditën. Pothuajse 100 ndërtesa u dëmtuan, përfshirë një qendër tregtare në qendër të qytetit, dhe mijëra dritare u thyen, tha ai.

Sulmet ruse goditën pjesën qendrore të Kievit, një nga rastet e rralla që sulmet kanë depërtuar thellë brenda kryeqytetit ukrainas që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Sulmi i së enjtes është sulmi i pari i madh dhe i kombinuar me dronë dhe raketa që Rusia e kryen në Kiev që prej takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë në fillim të këtij muaji, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Derisa dukej se përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës morën vrull menjëherë pas atij takimi, pak hollësi janë bërë të ditura për hapat e mëtejshëm.

Liderët perëndimorë e kanë akuzuar Putinin se po i zvarrit përpjekjet për paqe dhe se po i shmangie bisedimet, ndërkohë që trupat ruse depërtojnë më thellë brenda Ukrainës.

Këtë javë, udhëheqësit ushtarakë ukrainas e pranuan se forcat ruse kanë depërtuar në rajonin e tetë të Ukrainës, në kërkim të kapjes së më shumë tokave.

Zelensky shpreson për sanksione më të ashpra amerikane për ta gjunjëzuar ekonominë ruse, nëse Putini nuk tregon seriozitet për përfundimin e luftës.

Ai i përsëriti ato kërkesa pas sulmit të së enjtes.

“Të gjitha afatet tashmë janë shkelur, dhjetëra mundësi për diplomaci janë shkatërruar”, tha Zelensky.

Trump u zemërua këtë javë me Putinin për zvarritjen e përgjigjes ndaj propozimit amerikan për bisedime të drejtpërdrejta për paqe me Zelenskyn.

Trump tha të premten se pret të vendosë për hapat e ardhshëm brenda dy javësh, nëse nuk caktohet datë për bisedimet e drejtpërdrejta./rel

Gjermani, miratohet ngritja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

By: b b
28 August 2025 at 09:00

Qeveria gjermane ka miratuar rregulloret e brendshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas Kancelarit Merz, organi i ri do të jetë platforma qendrore për diskutimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së qeverisë.

Një zyrë administrative për Këshillin e Sigurisë Kombëtare është krijuar tashmë në Kancelari. Një organ që do të revolucionarizojë politikën gjermane të sigurisë. Sepse, siç argumentoi Friedrich Merz kur ishte ende kandidat për kancelar: “Strukturat e viteve 1960 nuk janë më mjaftueshëm efektive për të përmbushur kërkesat komplekse të kohës sonë.”

Takime në kohë krize dhe planifikim strategjik

Në parim, Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mbledhë informacion mbi sigurinë e brendshme, të jashtme, digjitale dhe ekonomike. Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet në rast krize, por gjithashtu do të zhvillojë strategji për situata kërcënimi. Qëllimi është të jetë në gjendje të bashkojë, përpunojë dhe koordinojë më mirë kompetencat dhe njohuritë në të ardhmen, sipas burimeve qeveritare. Kjo do t’i mundësojë qeverisë federale të marrë vendime bazuar në një bazë informacioni gjithëpërfshirëse dhe të fortë.

Një njësi administrative u krijua për këtë qëllim brenda Zyrës Kancelarore, e kryesuar nga Jacob Schrot, shefi i stafit të Merz-it. Fillimisht ajo do të përbëhet nga 13 vende pune dhe do të shërbejë si ndërlidhëse midis Këshillit të mirëfilltë, ministrive, autoriteteve të sigurisë, landeve federale dhe ekspertëve të jashtëm.

CDU/CSU dhe SPD kishin njoftuar krijimin e një Këshilli të Sigurisë Kombëtare që në marrëveshjen e koalicionit. Ndër të tjera, ai do të marrë përsipër funksionet e Këshillit Federal të Sigurisë, i cili mblidhet kryesisht për të diskutuar çështje që lidhen me eksportet e armëve, dhe të Kabinetit të Sigurisë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të jetë në gjendje të marrë vendime përfundimtare, përveç rasteve kur Kushtetuta ose një ligj federal kërkon një rezolutë nga qeveria federale.

Kush bën pjesë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare?

Kryetari do të jetë Kancelari gjerman Merz, dhe zëvendësi i tij do të jetë Zëvendëskancelari Klingbeil. Anëtarë të tjerë përfshijnë ministrat e Financave, Punëve të Jashtme, Mbrojtjes, Brendshme dhe Drejtësisë, Ekonomisë dhe Energjisë, Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Digjitalizimit dhe Modernizimit të Shtetit, dhe kreun e Kancelarisë Federale. Anëtarë të tjerë të qeverisë federale do të konsultohen sipas nevojës. Përfaqësuesit e autoriteteve gjermane të sigurisë gjithashtu mund të marrin pjesë.

Si një zhvillim i ri, mund të thirren edhe përfaqësues të landeve federale, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Përveç një zyre administrative, njësia administratvie përfshin gjithashtu departamente për përgatitjen e një pasqyre të integruar të situatës dhe parashikimit strategjik.

Nuk do të ketë këshilltar sigurie si në SHBA

Nga ana tjetër, nuk do të ketë këshilltar sigurie kombëtare si në SHBA. Megjithatë, Mair, drejtor i Fondacionit të Shkencës dhe Politikës (SWP), foli në favor të krijimit të këtij pozicioni. Krijimi i Këshillit të Sigurisë është vetëm një hap i parë. Në planin afatmesëm, ai beson se është e përshtatshme të ketë një këshilltar sigurie kombëtare në nivelin e ministrit ose sekretarit të shtetit, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters./dw

Horoskopi, 28 gusht 2025

By: b b
28 August 2025 at 08:44

Dashi
Një udhëtim i shkurtër mund të jetë i nevojshëm sot. Një telefonatë në këtë ditë të ngarkuar emocionalisht mund të të ndihmojë me përparimin e marrëdhënies. Mund të të vijnë disa ide të reja lidhur me një përgjegjësi që ke marrë përsipër.

Demi
Sjellja e çuditshme e dikujt që pëleqeni mund t’iu bëjë pak konfuzë, por përpiqu mos të përfshihesh shumë sentimentalisht. Do të arrish të mbyllësh me sukses një detyrë t ëvështirë në punë, kështu që mos u habit kur të gjitha çështjet e ndërlikuara të të kalojnë ty.

Binjakët
Dita e sotme është e mbushur me dashuri dhe gëzim. Parashikohet një ditë e bukur për ata që ndodhen në një marrëdhënie. Ata që janë të shqetësuar për çështjet financiare do të kenë burimet e të ardhurave në kohën e duhur.

Gaforrja
Përshtatja në një rutinë të shëndetshme do të të ndihmojë të shmangësh një problem me shëndetin. Diçka që e ke nisur mënjanë ka gjasa të të sjellë përfitime të majme. Mund të kesh vështirësi për të mbyllur çështjet e pazgjidhura në punë.

Luani
Mungesa e shprehive të drejtpërdrejta të dashurisë mund të bëjnë që jeta të të duket bosh. Në aspektin profesional, duhet të mbledhësh veten pasi veprimet e tua dhe sjellja e papërgjegjshme nuk do të tolerohen edhe për shumë gjatë.

Virgjëresha
Sot mund të kesh dëshirë për të shmangur disa përgjegjësi në mënyrë që të kalosh kohë me partnerin. Ki kujdes në punë, një problem mund të marrë një kthesë të shëmtuar dhe të krijojë një situatë të pakëndshme.

Peshorja
Mund ta ndiesh veten të neglizhuar sot, por mos harro të buzëqeshësh dhe të mbash mend se lumturia vjen nga brenda. Bëj gjërat që të pëlqen të bësh kështu që mund të kthehesh në një magnet për të tjerët. Për sa i përket financave, parashikohet stabilitet.

Akrepi
Merr masat e duhura lidhur me shëndetin. Nuk do të kesh probleme në punë sepse do të dish si t’i menaxhosh situatat. Prindërit ose një anëtar i familjes do të mbajë nën vëzhgim veprimet e tua.

Shigjetari
Beqarët mund të ndihen disi të vetmuar, por duhet të mësojnë ta vlerësojnë kohën pa një partner. Konsideroje me kujdes dhurimin e diçkaje të shtrenjtë materiale ndaj dikujt pasi ndoshta nuk do të marrësh atë çfarë pret në kthim.

Bricjapi
Këto ditë ke vendosur të kursesh, por mos e tepro sa për të dalë jashtë stilit tënd të zakonshëm të jetës. Do të kesh një tundim të fortë për të konsumuar ushqime të ëmbla, por plotësoje në mënyrë të moderuar. Në aspektin dashuror, dëshiron të njohësh dikë që të bën të ndihesh i veçantë.

Ujori
Po shijon një gjendje të qëndrueshme financiare. Mos i ul barrierat në ambientin e punës pasi dikush mund të tentojë të përfitojë.

Peshqit
Idetë e tua në vendin e punës do të gjejnë mirëseardhjen. Ka gjasa të rrisësh fitimet e tua nëpërmjet burimeve të jashtme. Për ata që janë në një lidhje, problemi që keni me partnerin mund të zgjidhet lehtësisht nëse komunikoni me pyetje të drejtpërdrejta.

Moti për sot, 28 gusht 2025

By: b b
28 August 2025 at 08:18

Një tjetër ditë tipike vere pritet të përjetojë Shqipëria këtë të enjte, teksa moti do të mbizotërohet nga dielli, temperatura të larta dhe mungesë reshjesh. Sipas MeteoAlb, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, të cilat favorizojnë kthjellime në të gjithë territorin.

Nga orët e para të mëngjesit moti paraqitet i kthjellët dhe i freskët, me temperatura që luhaten nga 15°C deri në 21°C. Por me kalimin e orëve, pritet një rritje e ndjeshme e temperaturave, duke kulmuar rreth mesditës, kur termometri do të shënojë deri në 36°C në zonat e ulëta dhe ato perëndimore të vendit.

Pasditja sjell një stabilitet të lehtë, por temperaturat do të mbeten të larta deri në mbrëmje, ku reshjet do të mungojnë dhe era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesisht nga verilindja.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Viti i ri shkollor,Ristani:Hapim 5 shkolla të reja,kompensim financiar për fëmijët..

By: b b
27 August 2025 at 14:52

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani zhvilloi një takim me institucionet e varësisë për fillimin e vitit të ri shkollor. Nënkryetarja dha lajmin e mirë për hapjen e 5 shkollave të reja këtë vit.

“Gjatë vitit do të hapim 5 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi dhe 1 të rikonstruktuar rrënjësisht. Do të jetë shkolla “Pjetër Budi”, njësia administrative 7, “Edith Durham”, historikja, në njësinë 5, “Ibrahim Hima” në Vaqarr e cila do të jetë e para që do të jetë gati. Jemi në fazën e mobilimit, kështu që besoj brenda shtatorit do ta zgjidhim. Shkolla e mesme e bashkuar “Mersim Duqi”, njësia administrative Bërzhitë, në fshatin Ibë gjithashtu ndërtim i ri. Shkolla e bashkuar në Krrabë e cila do të përfundojë rreth fundit të vitit shkollor, pra në 2026 dhe është duke u rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza” e cila po kalon një riskontruktim të plotë. Pra, është thuajse e re dhe që do të përfundojë brenda këtij viti”, u shpreh Ristani.

Ajo tha se këtë vit nis edhe ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve të reja në kryeqytet.

“Sa i përket arsimit parashkollor, do të funksionojë me 45 çerdhe dhe 54 kopshte, dhe 126 grupe parashkollorësh. Janë shpërndarë nëpër të gjitha zonat periferike të Tiranës ku rreth 6 000 fëmijë do të hyjnë për herë të parë në sistemin tonë të çerdheve dhe të kopshteve, kështu që u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre familjeve të reja që bëhen pjesë e këtij komuniteti të shërbimit. Këtë vit do të fillojmë ndërtimin e ri të kopshteve dhe çerdheve të integruar tek ish-shkolla “Migjeni”, njësia administrative numër 9, ndërtim i ri në kopshtin në njësinë administrative Farkë. Po bëhemi gati për punime në kopshtin 50 në njësinë administrative numër 8 në rrugën “Besim Daja”. Gjithashtu gjatë 2026 do të vijojmë ndërtimin e ri për një kopësht dhe çerdhe të integruar në njësinë administrative numër 1 ku nevoja për kopshte dhe çerdhe ka qenë gjithashtu në rritje”, tha Ristani.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se në fokus do jenë fëmijët që nuk kanë mundësi financiare për t’u ushqyer mirë të cilëve do t’u jepet edhe një kompensim financiar nga Bashkia Tiranë.

“Po aq e rëndësishme është pjesa e ndihmesës apo pjesa e aktiviteteve që plotësojnë zhvillimin e fëmijëve dhe zhvillimin e nxënësve, përpos orareve të shkollës. Kemi në përkrahje të kësaj edhe kompensim ushqimor i cili kalon me miratimin e Këshillit Bashkiak dhe financim të Bashkisë për ata nxënës të cilët nuk e kanë mundësinë të ushqehen rregullisht apo t’u jepet drekë me vete në ambientet e shkollës. Kjo ndodh me 140 nxënës në 11 shkolla të ndryshme të cilët përfitojnë nga ky program i mbuluar nga buxheti i bashkisë dhe qendrat sociale të cilat ofrojnë programin e pas shkolle për ato familje me fëmijë të neglizhuar për sa i përket orarit apo impenjimit apo dhe kapaciteteve të familjeve të tyre për t’i ndjekur në nevojat arsimore dhe në zhvillimin e tyre. Është e rëndësishme të theksohet që ndajmë çdo vit 700 bursa për nxënës që vijnë nga familje në ndihmë ekonomike dhe japim 2800 të tilla për nxënësit ekselentë, për ata që janë më të mirët marrin dhe gjithashtu kompensim. Investimet janë njësoj si në qendër, si në periferi”, përfundoi Ristani.

Projektligji depozitohet në Kuvend, lejimi i gjuetisë vetëm në zona të miratuara

By: b b
27 August 2025 at 14:35

Pas më shumë se një dekade moratoriumi për gjuetinë do të hiqet. Qeveria ka depozituar në Kuvend, pas konsultimit publik, projektligjin që parashikon lejimin e gjuetisë vetëm në zonat e miratuara me ligj dhe gjuetarët do të kalojnë një test për të marrë lejen 5-vjeçare për të këtë aktivitet.

Gjithashtu me miratimin e zonave të lejuara të gjuetisë do të përjashtohet gjuetia në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë.

Qëllimi i draftligjjit të ri është përmirësimi i ligjit aktual në disa aspekte dhe nene të caktuara të tij, duke garantuar të drejtën e ushtrimit të gjuetisë dhe të të drejtave mbi gjahun, mbi trofetë e produktet e gjuetisë dhe të tregtimit të tyre si dhe do të inkurajojë përfshirjen e gjuetarëve në monitorimin, menaxhimin dhe kërkimin me qëllim përkujdesjen dhe ruajtjen e faunës së egër dhe të habitatit të saj.

“Me miratimin e këtij draftligji, gjuetia do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara të gjuetisë dhe do të përjashtohen të gjitha territoret e tjera në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në projektligj.

Në projektligjin e ri që pritet të kalojë në Parlament, synohet që t’u jepet me shumë përgjegjësi shoqatave për gjuetinë dhe të menaxhojnë territoret e tyre.

“Futja e një koncepti të ri në këtë fushë, ajo e menaxhuesit të zonës së gjuetisë, i cili është personi kyç që në zonën e tij të gjuetisë do të sigurojë funksionimin e shërbimit profesional e do të organizojë veprimtarinë e gjuetisë, i cili do të zgjidhet sipas një procedure ligjore konkurimi. Rëndësi merr edhe zhvillimi i instrumenteve ligjore për të mundësuar marrjen e masave konkrete për menaxhimin e terreneve në favor të biodiversitetit”, thuhet në projektligj.

“Gjuetarët detyrohen të mbajnë kontakte me autoritetet dhe shoqëritë përgjegjëse për marrjen e masave të gjuetisë për të luftuar gjuetinë e paligjshme në mënyrë që të arrihet në një gjueti të përgjegjshme”, detajohet më tej në projektligj.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet gjithashtu inkurajimi i kontributit të gjuetarëve si aktorë të biodiversitetit.

“Gjuetarët duhet të shihen si një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm të gjuetisë në mënyrë që vetë gjuetarët që janë të apasionuar në gjueti, të mund të ushtrojnë këtë veprimtari sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj”, nënvizohet më tej.

Në projektligj janë parashikuar edhe zonat e lejuara për gjueti.

“Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore, private apo në përdorim  të kombinuar zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha zonat e gjuetisë dhe kufijtë i propozohen ministrisë nga njësitë përgjegjëse për gjuetinë. Zonat e gjuetisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë”, thuhet në projektligj.

Këto zona do të jepen me ë tek persona fizik ose biznese, përmes një konkurrimi publik.

“Menaxhuesi i zonës së gjuetisë është personi fizik ose juridik, që përzgjidhet sipas një procedure konkurrimi për marrjen në përdorim të një zone gjuetie”, thuhet në projektligj./ata

Përplasje për Groenlandën, qeveria daneze thërret për sqarim ambasadorin amerikan

By: b b
27 August 2025 at 14:22

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thirrur për sqarime ambasadorin amerikan në Kopenhagë, pas të dhënave se shtetas amerikanë kishin kryer operacione të fshehta në Groenlandë.

Transmetuesi publik danez “DR” citoi burime që thoshin se synimi i amerikanëve ishte të infiltroheshin në shoqërinë lokale dhe të promovonin shkëputjen e ishullit nga vendi nordik dhe bashkimin e tij me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, organi mediatik nuk ishte në gjendje të sqaronte se për cilin institucion punonin personat e infiltruar. Shërbimet sekrete daneze kanë paralajmëruar se Groenlanda është vënë në shënjestër të fushatave të shumta influencuese.

Ministri i Jashtëm Lars Lokke Rasmussen deklaroi se çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë së Danimarkës do të jetë e papranueshme dhe kjo i është bërë e qartë ambasadorit amerikan.

Megjithatë, presidenti Donald Trump ka deklaruar disa herë se synon ta aneksojë ishullin, që funksionon si pjesë autonome e Danimarkës dhe zëvendës presidenti JD Vance e ka akuzuar Kopenhagën se nuk po investon në territor.

Gjatë një vizite të bërë pak muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se nuk mund të aneksojnë një vend tjetër.

Danimarka është gjithashtu një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe e ka parë Amerikën si një aleat të ngushtë. Për pasojë, banorët e vendit nordik kanë mbetur të çuditur nga qasja e Trump, i cili nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës.

Salvini sulmon sërish Macronin:Në vend që të thërrasë çdo ditë një ambasador,duhet..

By: b b
27 August 2025 at 14:07

“Bashkimi Ekonomik Evropian funksiononte shumë mirë, ndërsa kjo EuroBurokraci është vdekja e kontinentit tonë.”

“Edhe nga pikëpamja e vlerave, pasi e majta madje ka penguar njohjen e rrënjëve judeo-kristiane të Evropës, shumë qytete tani ndodhen nën ndikimin e forcave islamike autoritare. Në vend që të thërrasë çdo ditë një ambasador, Macron duhet të shqetësohet për situatën ekonomike dhe sociale të shumë periferive franceze.”

Kështu u shpreh zëvendëskryeministri dhe lideri i Legës, Matteo Salvini, në një intervistë për mediat italiane gjatë takimit të qeverisë italiane në Rimini.

Italia po luan “absolutisht” mirë rolin e saj mbi çështjen e Ukrainës dhe “mbroj qëndrimin tonë të ekuilibruar dhe të mençur, ndryshe nga disa qeveri evropiane dhe disa drejtues në Bruksel të cilët — përsërit ai — këmbëngulin të flasin për armë, ushtri, bomba dhe raketa”. “Të dëgjohet Papa Leone — shton ai — dhe të investohet në diplomaci, në vend që të mendohet për luftëra të pamundura kundër Rusisë, të cilat në të kaluarën, nga Napoleoni te Hitleri, nuk sollën asgjë të mirë”.

Sa i përket çështjes së tarifave, për Salvini-n tani “duhet ndryshuar Evropa, duke hequr burokracinë dhe kufizime si ato mbi motorët me benzinë dhe naftë duke filluar nga 2035-a. Amerika mbron veten dhe bën mirë, Kina dhe India bëjnë të njëjtën gjë, është Evropa që po gabon, siç e kujtoi edhe vetë Draghi pikërisht këtu në takim: Ndërsa fuqitë e tjera inovojnë dhe çlirojnë energji, Brukseli nxjerr norma, kufizime, rregullore absurde dhe ndalime”.
Për zëvendëskryeministrin “përgjigjja nuk mund të jetë “më shumë Evropë”, por përkundrazi një Evropë që, në linjë me atë që mendonin etërit themelues, të merret me më pak gjëra dhe t’i bëjë mirë, duke lënë shtetet kombëtare të vendosin për çështjet që i prekin më nga afër”.

Inspektorët bërthamorë kthehen në Iran, por rivendosja e sanksioneve e pashmangshme

By: b b
27 August 2025 at 13:56

Gati dy muaj pasi Teherani ndërpreu bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka dërguar sërish inspektorë në Iran, pikërisht në kohën kur vendi po përballet me mundësinë e rikthimit të sanksioneve të mëdha ndërkombëtare.

Irani i pezulloi inspektimet në korrik, duke cituar bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj objekteve kyçe në qershor. Por, rikthimi i inspektorëve është kryesisht simbolik.

Tani për tani, misioni i IAEA-së – i konfirmuar nga drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi – ka karakter përgatitor, dhe përqendrohet në “modalitetet praktike” për rikthimin e vëzhgimit në disa objekte të shpërndara, disa prej të cilave u dëmtuan rëndë nga sulmet.

Pa qasje dhe bashkëpunim më të madh, është e pamundur të shtyhet rikthimi i sanksioneve të OKB-së, të cilat fuqitë evropiane synojnë t’i rikthejnë në fund të muajit.

Edhe nëse Irani lejon vizitat në disa objekte, hyrja në lokacione të ndjeshme si Fordo, Natanz dhe Isfahan – të gjitha të goditura nga bombardimet amerikane – mund të mbetet e ndaluar, gjë që kufizon aftësinë e IAEA-së për ta verifikuar veprimtarinë bërthamore të Iranit.

Një pengesë edhe më e madhe është rezerva e uraniumit të pasuruar e Iranit. Rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar pranë nivelit për armë mbetet i zbuluar, duke ngritur alarm në kryeqytetet perëndimore.

Treshja evropiane – Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – e kanë bërë të qartë se lehtësimi i sanksioneve varet nga tri kushte: rikthimi i plotë i inspektimeve, raportimi transparent i rezervave të uraniumit dhe angazhimi i besueshëm në diplomaci me Uashingtonin.

Këtë të fundit, Irani e ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë edhe fundjavën e kaluar, duke mos dashur të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

Behnam Taleblu, drejtor i lartë i programit për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se është “shumë e pamundur” që evropianët ta shtyjnë rikthimin e sanksioneve.

“E vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është nëse inspektorët rifillojnë plotësisht vëzhgimin dhe nëse ka vullnet real politik në Teheran për diplomaci. Në atë rast, sanksionet mund të shtyheshin për tre deri në gjashtë muaj… Por, e shoh shumë të pamundur”, tha ai.

Gjendjen e përkeqëson edhe mosbesimi i thellë i Iranit ndaj IAEA-së, të cilën e akuzon për anshmëri politike dhe për dështim në dënimin e veprimeve ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së.

Media të linjës së ashpër kanë shkuar edhe më larg. Gazeta Kayhan madje ka bërë thirrje që Grossi të “gjykohet dhe të ekzekutohet”, nëse shkel në tokën Iran./REL

❌
❌