Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

Merz nuk dëshiron të njohë një shtet të pavarur palestinez

By: b b
27 August 2025 at 10:51

Edhe pse më shumë se 140 shtete e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, dhe atyre pritet t’u shtohen edhe Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Danimarka dhe Australia, Gjermania nuk e mbështet këtë.

Sipas kancelarit Friedrich Merz ndryshe nga vendet e tjera si Kanadaja ose Franca qeveria gjermane aktualisht nuk planifikon të njohë një shtet të pavarur palestinez . Kancelari Friedrich Merz e bëri sërish të qartë këtë pas një takimi me kryeministrin kanadez Mark Carney. “Ne nuk do ta mbështesim këtë iniciativë,” tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministin kanadez Carney. “Aktualisht ne nuk i konsiderojmë të përmbushura në asnjë lloj mënyre kushtet për njohjen e shtetit”, tha Merz.

Kanadaja, Franca, Britania e Madhe dhe Australia kanë deklaruar se do ta njohin një shtet të pavarur palestinez nëAsamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. “Nëse kjo do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ne nuk do ta ndjekim këtë hap” tha Merz.

Gjermania mbështet zgjidhjen me dy shtete
Nuk ekziston as “një komb në kuptimin e vërtetë”, as një territor kombëtar palestinez i njohur, as “një autoritet shtetëror që ofron një qeveri që njihet nga të gjithë”, e sqaroi më vonë kancelari qëndimin e tij në një takim të përbashkët me kryeministrin belg Bart De Wever në Berlin.

“Megjithatë qeveria izraelite nuk duhet ta bëjë të pamundur që një shtet i tillë të krijohet një ditë”, shtoi Merz. Zgjerimi i ngulimeve izraelite në Bregun Perëndimor, për shembull, “padyshim synon ta bëjë të pamundur formimin e shtetit në të ardhmen”, tha Merz duke shtuar se qëllimi i qeverisë gjermane mbetet një zgjidhje me dy shtete.

Spanja, Irlanda dhe Danimarka
Më shumë se 140 vende në mbarë botën e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, përfshirë edhe disa shtete anëtare të BE-së si Spanja dhe Irlanda. Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, nuk e ka përjashtuar njohjen e një shteti palestinez. “Ne jemi pro,” u tha Frederiksen gazetarëve të martën (26.08.). Megjithatë duhet të sigurohet që ai do të jetë “një shtet demokratik”./DW

Situata e zjarreve në vend/ Nga 14 vatrat e raportuara gjatë ditës, dy ende aktive

By: b b
27 August 2025 at 10:26

Në ditët e fundit, strukturat e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura kanë intensifikuar veprimet në terren për të përballuar një situatë zjarrvënieje ende të rëndë në disa qarqe të vendit.

Nga 14 vatrat e raportuara gjatë ditës, 11 janë shuar plotësisht, 2 mbeten aktive, ndërsa 1 po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

Vatrat aktive janë në zonat:

Zona e Akërnisë (Delisuf, Novoselë), Bashkia Vlorë. Aktualisht, situata në zonën e Akërnisë është nën kontroll dhe e qetë. Operacionet në terren po vijojnë që në orët e para të mëngjesit me angazhimin e strukturave të MZSH Vlorë (2 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë), 21 forca bashkiake, 3 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 përfaqësues nga AdZM, 3 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura me 20 efektivë dhe 40 trupa, dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe në operim të menjëhershëm.

Momentalisht nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish- fazanerisë. Vatra ka tym të shtuar për shkak të djegies së trungjeve dhe pishave në terren.

Zona e Bogovës, Bashkia Skrapar. Edhe pse intensiteti i zjarrit ka qenë më i ulët, nuk është arritur izolimi i plotë gjatë natës së kaluar. Sot vatra është në monitorim të punonjësve zjarrfikës Skrapar dhe Shërbimit Pyjor. Deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll. Nuk ka rrezik për banesa.

Zona e Pezë Helmësit, Bashkia Tiranë. Vatrat janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë aktualisht rrezik të shtuar.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim.

Përfshihet nga flakët e zjarrit një pallat në Dibër, evakuohen banorët

By: b b
27 August 2025 at 10:16

Një zjarr ka përfshirë një apartament në katin e katërt të një pallati në qytetin e Peshkopisë, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme materiale në disa apartamente.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:10, kur flakët kanë shpërthyer në një prej apartamenteve dhe janë përhapur me shpejtësi edhe në apartamentet e tjera në të njëjtin kat.

“Rreth orës 02:10, në qytetin e Peshkopisë, ka rënë zjarr në një apartament në katin nr 4, të një pallati, ku si pasojë zjarri është përhapur edhe në disa apartamente të tjera që ndodheshin në këtë kat”, bëjnë me dije shërbimet e emergjencës.

Forcat Zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për të evakuuar banorët e pallatit, duke shmangur çdo rrezik për jetën e tyre. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Pas disa orësh përpjekjeje, është bërë e mundur shuarja e plotë e flakëve.

Vetoja e presidentit polak kundër ndihmave për ukrainasit shkakton stuhi politike

By: b b
27 August 2025 at 10:05

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, e ka përdorur veton kundër një projektligji për ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar stuhi politike në këtë vend të Evropës Qendrore, i cili është një nga aleatët më të afërt të Kievit në luftën kundër pushtuesit rus.

Nawrocki, i cili shpesh ka ngritur çështje të ndërlikuara historike midis Varshavës dhe Kievit, e përdori të martën veton ndaj një projektligji që, duke filluar nga 1 tetori, do t’ua mohonte refugjatëve ukrainas në Poloni të drejtën për të punuar.

Sipas kritikëve, ky veprim i tij do të bëjë që refugjatët të bëjnë punë të padeklaruar dhe Qeveria polake do të humbë të ardhura nga taksat si pasojë.

Të hënën, Nawrocki paraqiti gjithashtu plane për ta kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.

I zgjedhur pas një fushate që pasqyronte disa prej politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, Nawrocki ka premtuar një politikë “Polonia e Para”, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për të drejtat e të huajve në vendin që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Politikani konservator u zgjodh pasi mposhti ngushtësisht në rundin e dytë kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet e 1 qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Donald Tusk, i cili është aleat i ngushtë i Trzaskowskit dhe mbështetës i zëshëm i Ukrainës.

Edhe vetë Nawrocki ka shprehur mbështetje për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Por, ai ka thënë se i është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një qëndrim që duket se polakë po e ndajnë gjithnjë e më shumë.

Megjithëse në përgjithësi e mbështesin betejën e Kievit kundër Rusisë, shumë polakëve u ka humbur durimi me fluksin e rreth 1.5 milionë refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe kostot e lidhura me ta.

Vendimet e Nawrockit kanë nxitur kritika nga mbështetësit e Ukrainës brenda Qeverisë polake.

“Vendimi i tij minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare të Polonisë dhe sigurinë e të gjithë vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Polonisë.

Ministria shtoi se vendimi për të vënë veton ndaj projektligjit për ndihmën për refugjatët ukrainas mund të krijojë shpenzime shtesë prej 2.18 miliardë dollarësh, duke ushtruar trysni shtesë mbi një buxhet tashmë të tendosur.

“Askujt nuk do t’i sjellë përfitim kjo veto. Të ardhurat e buxhetit do të jenë më të ulëta dhe shpenzimet më të larta se tani”, thuhet më tej në deklaratë.

Zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski shkroi në X se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën!”

“Nuk na është dashur të presim gjatë për veprimet e presidentit të ri që mbështesin imperializmin rus”, shtoi ai./REL

Nga Burreli drejt Tiranës, kapet 22‑vjeçari me dy kallashnikovë në bagazh

By: b b
27 August 2025 at 09:49

Një 22-vjeçar nga Burreli u kap në flagrancë duke transportuar dy armë zjarri automatike të llojit kallashnikov. I riu, i identifikuar si A. D., u ndalua në tunelin e Murrizit, ndërsa udhëtonte me automjetin e tij drejt Tiranës.

Gjatë kontrollit të mjetit, efektivët gjetën të fshehura në bagazh dy kallashnikovë dhe katër krehra për to. Sipas të dhënave të para hetimore, dyshohet se armët po transportoheshin për t’u shitur në kryeqytet, për llogari të grupeve kriminale.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Tuneli”.

U kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, vihet në pranga një 22-vjeçari.

Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:

A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.

Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Profesionet që paguhen më shumë, për herë të parë paga mbi 200 mijë lekë/muaj

By: b b
27 August 2025 at 09:31

Për herë të parë në vitin 2024, një grup profesion ka një pagë mesatare zyrtare prej më shumë se 200 mijë lekë në muaj.

Sipas të dhënave të detajuara të INSTAT, “Drejtuesit administrativë dhe komercialë” kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 207 mijë lekë në vitin 2024, nga 194 mijë lekë një vit më parë, me një rritje prej 6.6% në krahasim me mesataren e një viti më parë.

Profesioni i dytë më i paguar është ai i “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, me një pagë mesatare prej 156.7 mijë lekësh, ose 8.8% më shumë se në 2023-n.

Në vend të tretë janë “Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, që marrin mesatarisht 156.6 mijë lekë në muaj, ose pothuajse sa drejtuesit e prodhimit. Në krahasim me një vit më parë, rritja është 8.8%. Specialistët e IT-së po bëhen gjithnjë e më të kërkuar për dy arsye. Së pari, me zhvillimin e teknologjisë ata po kërkohen gjithnjë e më shumë. Së dyti, ky profesion është i kërkuar dhe në botë e Europë, duke bërë që shumë të arsimuar në këtë fushë të ikin jashtë, çka ka ulur ofertën e tyre në vend, duke detyruar rritjen e pagave.

Pas drejtuesve dhe specialistëve të teknologjisë së informacionit, puna që paguan më mirë është në shtet. Më të paguarit janë “Oficerë të forcave të armatosura”, me 118.7 mijë lekë/muaj (rritje 8%). Listën e vazhdojnë “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, me 112.4 mijë lekë (rritje 8.1%).

Ndjekja e studimeve për ekonomik ka gjithashtu kthim relativisht të lartë. “Specialistë të administrimit dhe biznesit” u paguan mesatarisht 104 mijë lekë në muaj në 2024-n, me rritje 9.7% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Edhe “Specialistë në fushën ligjore, shoqërore dhe kulturore”, marrin mbi 100 mijë lekë/muaj, në 104 mijë lekë.

Për herë të parë edhe mësimdhënia paguhet mbi 100 mijë lekë /muaj, me “Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë”, që kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 100.5 mijë lekë.

Nga 36 grup profesionet që raporton INSTAT, vetëm 8 prej tyre kanë paga mbi 100 mijë lekë/muaj. (shih grafikun në fund).

Ndër rritjen më të lartë të pagave në 2024-n e kishin grup profesionet e “Specialistë të mësimdhënies”, me 13.3%, në gati 90 mijë lekë; “Specialistë të shëndetësisë”, me 99 mijë lekë (+11.5%); “Asistentë të specializuar të shëndetësisë”, me 13.5% në gati 76 mijë lekë/muaj bruto, si rrjedhojë e reformës për pagesa më të larta për mësuesit e mjekët e infermierët.

Në fund të listës për paga të ulëta janë grup profesione si “Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare”, me 47 mijë lekë dhe “Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë”, me 45 mijë lekë.

Paga mesatare mujore bruto gjithsej në vitin 2024 ishte 77.4 mijë lekë, me rritje gati 10% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Pagat sërish mbeten më të ulëtat në rajon

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme, e ndikuar nga shumë faktorë, si presioni në tregun e punës nga emigracioni apo reformës në administratë, paga mesatare në vend vijon të mbetet rreth 30% më pak se në vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Kosovës.

Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, më 1150 euro në muaj (135,403 dinarë serbë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga është gati 1100 euro (2140 Bam). Në Mal të Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se një mijë euro në muaj, konkretisht 62 mijë dinarë maqedonas, ose 1020 euro në muaj.

Paga në euro në Shqipëri rezulton e rritur artificialisht për shkak të zhvlerësimit të euros, teksa fuqia blerëse reale për të ardhurat në lekë ka rënë për shkak të shtrenjtimit të vazhdueshëm të çmimeve tre vitet e fundit (6.7% në 2022, 4.8% në 2023 dhe 2.2% në 2024-n). Nëse konvertohet me kursin e vitit 2022, për të shmangur fryrjen nga kursi, paga mesatare në ekonomi në 2024 ishte 650 euro, sërish 40% më e ulët se mesatarja e rajonit./Monitor

Pse Vuçiç dhe Dodiku po vrapojnë pas Trumpit?

By: b b
27 August 2025 at 09:25

“Shpëtoji serbët, Trump” – kështu mund të përshkruhen shkurtimisht taktikat e politikës së jashtme të Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut. Por a do t’i shpëtojë Trumpi ata?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq prej muajsh është përpjekur me ngulm të kontaktojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Pas dështimit total në muajin maj në Florida, nga ku ai u kthye papritur në Serbi në rrethana ende misterioze për shkak të “dhimbjeve në gjoks”, fushata diplomatike që mund të quhet edhe “dua të takoj Trumpin” ka vazhduar.

Udhëheqësit e qeverisë serbe kanë folur vazhdimisht për një lloj dialogu strategjik me Amerikën dhe kthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në “nivelin e tyre të mëparshëm”. Kështu, në fillim të gushtit, u zhvillua një takim midis Ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të cilin pala amerikane praktikisht nuk e komentoi, por megjithatë Gjuriq e vlerësoi takimin si “historik”.

Dëshirave të Presidentit serb iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, i cili gjithashtu dëshiron të takohet me Trumpin dhe i cili e përshkroi shkarkimin e tij si “një përpjekje për ta penguar atë të flasë me Trumpin”.

Kjo kulmoi në kohën kur Asambleja e RS po thërriste një “referendum për Dodikun”, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, nisi një propozim për t’i dhënë Trumpit Çmimin Nobel për Paqen.

Dodik beson se “po minohet” nga të ashtuquajturit “Bidenistë” dhe se gjithçka do të ishte ndryshe nëse do ta kishte informuar Trumpin për të gjitha detajet e ngjarjeve në rajon.

Bazuar në disa veprime të mëparshme, është e mundur të supozohet se Vuçiq dhe Dodik do të përpiqeshin të paraqiteshin në Amerikë si “evropianë konservatorë të MAGA-s” të cilët, ashtu si Trumpi, po ngacmohen nga forcat globaliste të krahut të majtë.

Trumpi – mbrojtësi i autokracisë

Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, i thotë DW-së se Aleksandar Vuçiq është kaq i etur për të takuar Trumpin “sepse e sheh atë mbi të gjitha si mbrojtësin e autokracisë”. Ndërsa Bashkimi Evropian, “pavarësisht nga qasja ndonjëherë llogaritëse e Gjermanisë dhe Francës”, ende këmbëngul në disa vlera të demokracisë liberale.

“Pas presidentëve rusë dhe kinezë, edhe Vuçiq e sheh Trumpin si një aleat ideologjik dhe kjo është arsyeja pse Vuçiq po distancohet nga Evropa. Por këtu ka një pengesë, sepse Trump është pragmatik dhe i orientuar drejt biznesit dhe nuk është i interesuar për afërsinë ideologjike. Ndërsa në këtë fushë biznesi, Serbia praktikisht nuk ka asgjë për të ofruar”, thekson Jakshiq.

Milorad Dodik përdor të njëjtin model si Vuçiq, vazhdon bashkëbiseduesi ynë, duke shtuar, “se ata e shohin Trumpin si një lloj shpëtimtari, por unë kam paralajmëruar më parë se do të ketë zhgënjim pas sloganeve ‘Trump, serb’. Kur shikon faktin se Serbia është ndëshkuar me një tarifë mjaft të lartë prej 35 përqind, që është pasojë e afërsisë së Serbisë me Kinën, shohim se ka shumë pak hapësirë ​​për manovrim për të ndryshuar diçka në mënyrë domethënëse”, thekson Boshko Jakshiq.

Sa mund të ndihmojë Trumpi?

Asgjë nuk mund të rregullohet ose ndryshohet vetëm nga takimi i Vuçiqit dhe Dodikut me Trumpin, thotë historiani dhe ish-ambasadori në Uashington Milan St. Protiq. Sipas tij, Amerika ka gjëra shumë më të rëndësishme për të bërë në botë sesa të takohet me Vuçiqin e Dodikun.

Edhe po të ndodhte në takim i tillë, Milan St. Protiq nuk e ka të qartë se çfarë duan ata nga Trumpi dhe shton se kjo është parë edhe në takimin e Vuçiqit me Trumpin në mandatin e parë.

“Vuçiqi as nuk guxoi të kërkonte një karrige të mirë, por u ul në një stol dhe dukej i humbur në hapësirë. Mendoj se ata vetëm sa do të na turpëronin më tej, sepse me punën e tyre deri më tani kanë treguar se nuk janë të denjë për pozicionin që mbajnë”, beson Protiq.

Izraeli si një portë anësore

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka pasur një kthesë gjithnjë e më të madhe drejt Izraelit, në përpjekjet për të fituar një mbështetje më të fortë amerikane. Aleksandar Vuçiq pothuajse u mburr se Serbia ishte i vetmi vend evropian që furnizonte me armë Izraelin, dhe zbuloi se ka një kontratë të rëndësishme ushtarake për blerjen e armëve nga Izraeli me vlerë 1.64 miliardë dollarë.

Në fillim të korrikut, Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiq, gjithashtu shkoi në një vizitë tre-ditore në Izrael, duke deklaruar se ky ishte fillimi i një bashkëpunimi më intensiv politik dhe ekonomik midis dy vendeve.

Supozimi i autoriteteve në Beograd është ndoshta ky: Trump mbështet pa kompromis Izraelin, dhe kështu ne do të fitojmë favorin amerikan në mënyrë të tërthortë. Të dy bashkëbiseduesit tërheqin vëmendjen te edhe në takimin e parë midis Vuçiq dhe Trump, i cili supozohej t’i kushtohej Kosovës, në fund rezultoi se tema kryesore ishte Izraeli.

Boshko Jakshiq beson se kjo është një përpjekje e Vuçiqit që të arrijë te Trumpi përmes një dere të pasme, por kjo mund t’i kushtojë seriozisht Serbisë. “Mburrja e Vučić-it se Serbia është i vetmi vend që i shet armë Izraelit, në një kohë kur shumë thonë se në Gazë po ndodh një ‘gjenocid’, kërcënon ta bëjë Serbinë bashkëpunëtore në të. Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar për t’u afruar me Trumpin. Unë mund ta imagjinoj se Izraeli dhe Uashingtoni nuk janë fare të intereusar për Vuçiqin”, thotë Jakshiq për DW.

Pse Vuçiqi po injoron Evropën?

Evropa po kritikon akoma pak, por me zë gjithnjë e më të lartë represionin në Serbi. Prandaj autoritetet serbe po i drejtohen gjithnjë e më shumë Amerikës. Anëtarët e regjimit nuk hezitojnë më t’u përgjigjen ashpër zyrtarëve evropianë, gjë që mund të jetë një shenjë se ata nuk e konsiderojnë më Evropën një aktor serioz politik. Ata shpresojnë se do të mbeten në pushtet me ndihmën e Trumpit dhe Amerikës.

Milan St. Protiq thotë se kjo është një llogari e gabuar. “Evropa është mjedisi ynë dhe një faktor vendimtar për ne. Trump do ta përfundojë mandatin e tij, politika amerikane do të kthehet shpejt në normalitet, ndërsa Evropa do të mbetet aty ku është. Si Vuçiq ashtu edhe Dodik janë kundërshtarë të demokracisë dhe për këtë arsye po kërkojnë bashkëbisedues aty ku mendojnë se ka një bazë për një marrëveshje, pavarësisht nga institucionet demokratike”, paralajmëron ish-ambasadori serb në Amerikë.

Një injorim kaq gjithnjë e më i dukshëm i Evropës, të cilin Vuçiç po e tregon, “është i rrezikshëm dhe strategjikisht shumë i gabuar”, thotë Jakshiq. “Jo vetëm për shkak të gjeografisë, por në rregullimin aktual të marrëdhënieve botërore, nuk ekziston vetëm një detyrim politik dhe ekonomik, por edhe moral për të qenë në anën e Evropës në vend të Amerikës, Rusisë apo Kinës. Vuçiq ka vetëm një llogaritje këtu – si të mbetet në pushtet dhe që askusht të mos e dënojë represionin në Serbi. Pra, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme për të cilën Serbia tashmë po paguan, dhe ndoshta do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë”, përfundon Jakshiq./dw

Fier/ Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, arrestohen 3 shtetas

By: b b
27 August 2025 at 09:09

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizoi tre operacione, të koduara “Operacionalja 61”, “62” dhe “63”, duke vënë në pranga tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Të arrestuarit, të moshave 22, 24 dhe 29 vjeç dhe banues në Fier, akuzohen nga Gjykata e Riminit për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike, me dënim maksimal deri në 10 vjet burg. Sipas hetimeve, gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, ata blenë dhe shisnin sasi të mëdha droge në qytetin e Riminit.

Njoftimi i plotë:

Finalizohen 3 operacione të tjera nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohen operacionet policore të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane, konkretisht:

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier;
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier;
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim.
Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.

Protestuesit izraelitë i kërkojnë Qeverisë marrëveshje për lirim pengjesh

By: b b
27 August 2025 at 08:46

Protestuesit izraelitë i kanë bllokuar rrugët në zonën komerciale të Tel Avivit dhe kanë mbajtur në duar flamuj me fotografitë e pengjeve të mbajtura nga Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ata më pas janë mbledhur në atë që njihet tani si “Sheshi i pengjeve” për shkak se është kthyer në pikën e takimit për protesta që disa muaj.

Njerëzit janë dëgjuar duke bërtitur, “Qeveria po na kthen shpinën, nuk do të heqim dorë derisa secili prej pengjeve të kthehet në shtëpi”.

Kabineti i sigurisë i Izraelit e ka miratuar një plan në fillim të gushtit që ushtria të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, çka ka nxitur shqetësime për sigurinë e pengjeve.

Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë prej atëherë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar javën e kaluar nisjen e menjëhershme të bisedimeve për të garantuar lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në Gazë, ndonëse i ka ashpërsuar planet për ofensivë të re për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës që gjendet në Rripin e Gazës.

Plani është bërë publik disa ditë pasi Hamasi ka thënë se e ka pranuar një propozim të ri për armëpushim, të përgatitur nga ndërmjetësuesit, i cili parasheh lirimin e pengjeve në periudhë 60-ditore, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, ka thënë të martën në Doha se ndërmjetësuesit janë ende “në pritje të përgjigjes” prej Izraelit për propozimin e fundit.

“Përgjegjësia tani i takon palës izraelite për t’u përgjigjur për ofertën që është në tavolinë”.

Më herët gjatë ditës, familjarë të pengjeve e kanë kritikuar Qeverinë pse nuk ka arritur një marrëveshje për lirim pengjesh.

“Netanyahu e bën prioritet shkatërrimin e Hamasit dhe jo lirimin e pengjeve”, ka thënë Ruby Chen, djali i të cilit është marrë peng nga miliantët në tetor të vitit 2023.

“Atij i duket mirë dhe alternativë valide që t’i sakrifikojë 50 pengje për arsye politike”, ka thënë ai në një fjalim të mbajtur para protestuesve.

Izraeli po përballet me presion në rritje si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit, që t’i japë fund fushatës ushtarake në Gazë, ku është shpallur zi buke dhe pjesa më e madhe e territorit është kthyer në gërmadhë.

Të hënën, sulmet izraelite e kanë goditur një spital në Gazë duke lënë të vrarë të paktën 20 njerëz, përfshirë pesë gazetarë që kanë punuar për mediumet si Al Jazeera, Associated Press dhe Reuters.

Qeveri në mbarë botën janë shprehur të tronditura nga sulmi.

Ushtria izraelite ka thënë të martën se ushtarët e kanë shënjsetreuar një kamerë të Hamasit në dy sulmet që kanë vrarë gazetarët.

Lufta në Gazë ka qenë ndër më vdekjeprurëset për gazetarët, pasi rreth 200 punonjës mediash raportohet të jenë vrarë brenda dy vjetësh e gjysmë.

Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite në tetor të vitit 2023, që kanë rezultuar me vrasjen e rreth 1.200 njerëzve, kryesisht civilë.

Prej rreth 240 pengjeve të kapura në sulm, 49 po mbahen ende në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite beson se kanë vdekur.

Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 62.000 njerëz në Gazë, shumica prej tyre civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë kredibile.

Horoskopi për sot, 27 gusht 2025

By: b b
27 August 2025 at 08:34

Dashi

Ka gjasa që njerëz të rinj të hyjnë në jetën tuaj. Në fakt mund të kërkojnë t’ju nxjerrin për darkë nëse është e mundur. Sot do të jetë një ditë plot të papritura.

Demi

Nuk do i qëndroni aspak besnikë partnerit tuaj sot dhe nëse ai e kupton gjërat për ju kanë për të qenë shumë keq. Në planin financiar duhet të merrni masa sa më shpejt që situata të mos marrë tatëpjetën.

Binjakët

Erdhi momenti juaj. Do ju duhet pak kohë të përshtateni edhe me situatën financiare që po kaloni. Është një ditë plot mundësi. Paratë përdorini për të plotësuar jetën. Besoju instinkteve.

Gaforrja

Nëse jeni në një lidhje, sot ka për të qenë një ditë rutine dhe pa ndonjë emocion të veçantë. Mundohuni ta ndryshoni këtë qetësi mbytëse sepse do të jetë më keq për ju. Gjendja financiare do të jetë më e mirë prandaj mund të bëni edhe ndonjë shpenzim më shumë.

Luani

Si ju ashtu edhe partneri do mundoheni fort që ta ndryshoni rutinën e jetës në çift. Do dilni dhe gjëja më e mirë është se nuk do ua vini veshin fjalëve të të tjerëve. Në planin financiar do të jeni tej mase të matur dhe të kujdesshëm. Gjendja do të mbetet mjaft e mirë.

Virgjëresha

Ditë mjaft harmonike do të jetë kjo e sotmja për të dashuruarit. Do ndiheni si në ëndrra pranë partnerit dhe nuk do ju besohet që të gjitha po i jetoni në realitet. Buxheti do të jetë i shkëlqyer, kështu që kryejini pa frikë investimet e menduara.

Peshorja

Do i shtoni më tepër dozat e fantazisë gjatë kësaj dite dhe atmosfera në jetën në çift do bëhet akoma më e ngrohtë. Në planin financiar mos kërkoni ta përmirësoni buxhetin me patjetër sepse nuk do ia dilni dot.

Akrepi

Keni aftësi të lindura lidershipi.Sot është momenti i duhur për ta përdorur këtë talent tuajin. Sukseset e kohëve të fundit ju kanë dhënë vetëbesimin e nevojshëm për të ndjekur objektivat. Keni për të gjetur mbështetje nga të tjerët.

Shigjetari

Nuk do keni për çfarë të ankoheni sot ju që jeni në një lidhje pasi partneri do ju mbajë gjithë kohës në “pëllëmbë të dorës”. Ai do kujdeset më tepër për ju se sa për veten e tij. Në planin financiar gjithçka do të shkojë mirë.

Bricjapi

Nëse nuk tregoheni të kujdesshëm, shoqëria mund të kthehet në romancë. Mendoni me kujdes se ku doni të shkoni. Edhe pse nuk mund të ktheheni më pas, të paktën keni mundësi që të ndaloni dhe të mos vazhdoni me këtë zhvillimi të ri.

Ujori

Do reflektoni gjerë e gjatë sot ju të dashuruarit dhe më në fund do i kuptoni të gjitha gabimet që keni bërë. Pas mesditës marrëdhënia do të përmirësohet. Financat do të përmirësohen falë disa parave që do iu japin familjarët.

Peshqit

Njerëzit ju shohin shpesh të turpshëm dhe të rezervuar. Mirëpo sot do ta keni të lehtë që të ndërveproni me njerëz të tjerë.

Parashikimi i motit, 27 gusht 2025

By: b b
27 August 2025 at 08:18

Ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë një ditë kryesisht të kthjellët dhe pa reshje.

Moti do të jetë me diell gjatë pjesës më të madhe të ditës. Vranësira të pakta dhe kalimtare do të shfaqen kryesisht në orët e mesditës, në zonat veriore të vendit, pa ndikim të dukshëm në temperaturë apo lagështi.

Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim me një shpejtësi mesatare prej 8 m/s. Në zonat luginore dhe përgjatë bregdetit, era mund të forcohet përkohësisht deri në 10 m/s, duke krijuar ndjesi pak më të freskëta në ato zona.

Valëzimi në det do të jetë i lehtë, me forcë 1 deri në 2 ballë, kushte shumë të mira për lundrim dhe aktivitete detare.

Yesterday — 26 August 2025Main stream

Kosovë/Dështon konstituimi i Kuvendit, shkak mungesa e konsensusit për emrin e …

By: b b
26 August 2025 at 16:27

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë konsensusi për emrin e nënkryetarit serb.

As deputeti serb Nenad Rashiq nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme të deputetëve për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, e që emri i tij u tërhoq në short si një prej deputetëve që përfaqëson këtë komunitet aty.

Nga 95 deputetë sa ishin në sallë, për të votuan vetëm 55 deputetë, 1 kundër e 17 abstenime, të pamjaftueshme që të zgjidhej nënkryetar i Kuvendit. Si rrjedhojë, kryeparlamentari Dimal Basha ndëpreu seancën konstituive për të vazhduar të enjten.

Përpjekja e zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit përmes shortit
Verica Çeraniq deputete e Listës Serbe ishte emri i parë që u tërhoq përmes shortit për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga komuniteti serb, veprim ky i bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, meqë Lista Serbe nuk pranoi të propozonte emër tjetër përpos Sllavko Simiqit për këtë pozitë, si i dyti i Kuvendit e i cili dështoi tri herë të merrte votat e deputetëve.
Sipas vendimit tw Gjykatës Kushtetuese që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë, kryetari i ri i Kuvendit i kërkoi Listës Serbe ta propozonin një tjetër emër, por ata insistuan në emrin e deputetit Simiç.

Por, për të nuk pati asnjë votë për, 51 ishin kundër e 20 abstenime.
Sërish emri i saj u tërhoq nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, edhe në tentimin e dytë ajo nuk mori votat e mjaftueshme për t’u ngjitur në pozitën e nënkryetares së Kuvendit që përfaqëson komunitetin serb.

Ndërkohë, kandidati i tretë që u tërhoq në short ishte Stefan Kovaçeviq i Listës Serbe, dhe i njëjti nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme meqë nuk pati asnjë votë për , 48 kundër e 19 abstenime.
Liljana Stefanoviq emri i së cilës u tërhoq në short refuzoi të ishte kandidate për nënkryetare të Kuvendit, duke u eliminuar kështu nga lista.

Bullgaria dhe Gjermania ndërtojnë fabrika baruti e municionesh prej 1 miliard eurosh

By: b b
26 August 2025 at 15:57

Kompania gjermane Rheinmetall, një furnizues i sistemeve për industrinë e mbrojtjes, do të marrë pjesë në ndërtimin e dy fabrikave në Bullgari, njoftoi drejtori i saj, Armin Papperger, të hënën. Njëra prej fabrikave do të jetë për prodhimin e barutit, ndërsa tjetra për predha artilerie.

Lajmi u bë i ditur nga Papperger gjatë një takimi të tij me liderin e partisë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), njëherësh ish-kryeministrin Boyko Borisov, në Dyzeldorf, vetëm disa ditë para vizitës së presidentit bullgar, Rumen Radev, në Gjermani.

Fabrikat do të jenë projekt i përbashkët i kompanisë gjermane Rheinmetall dhe ndërmarrjes shtetërore bullgare Vazovski Mashinostroitelni Zavodi (VMZ).

Investimi do të ketë një vlerë të përgjithshme prej mbi 1 miliard eurosh, tha të hënën drejtori i Rheinmetall-it, Papperger, pa saktësuar se sa nga kjo shumë do ta mbulojë kompania gjermane.

“Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të suksesshëm në të ardhmen”, shtoi Papperger.

Lajmi vjen disa muaj pasi u përfol për një investim të mundshëm të Rheinmetall-it në Bullgari. Në mars, Papperger dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë vizituan vendin dhe u takuan me presidentin Radev dhe kryeministrin Rosen Zhelyazkov. Borisov, i cili nuk mban ndonjë post në qeveri, më pas njoftoi për një vizitë të tij në Gjermani, ku u takua me drejtuesit e kompanisë.

Arrestohen në Itali dy vëllezërit shqiptarë, pritet ekstradimi në Shqipëri

By: b b
26 August 2025 at 15:26

Dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar në Itali dhe pritet të ekstradohen në Shqipëri, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të titulluar “The Wanted”. Arrestimi i tyre u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane.

Njëri prej të arrestuarve, shtetasi E. H., 35 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Durrësit për vjedhje me dhunë dhe përkrahje të autorit të krimit. Ai akuzohet se ka vjedhur një automjet, një shumë parash dhe një celular në një fabrikë qumështi në vitin 2021 dhe ka ndihmuar një person tjetër të shpallur në kërkim.

Vëllai i vogël, shtetasi K. H., 31 vjeç, rezulton i dënuar nga Gjykata e Dibrës me 4 vite e 4 muaj burg për kultivim të bimëve narkotike.

Ai u kap në flagrancë në vitin 2019 duke kultivuar mbi 1,300 fidanë narkotikë brenda një sere në Martanesh dhe i ka mbetur për të vuajtur një pjesë e dënimit.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e dy vëllezërve drejt Shqipërisë, ndërkohë që operacioni nënvizon bashkëpunimin efektiv ndërkombëtar për kapjen e personave në kërkim.

Pas kryetarit, depuetetët zgjedhin edhe 3 nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës

By: b b
26 August 2025 at 15:02

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala janë zgjedhur nënkryetarë me vota 101 për, asnjë kundër dhe nëntë abstenime.

Dy nënkryetarë tjerë duhet të propozohen nga pakicat.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër, ndërsa tetë deputetë abstenuan.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.

Rama publikon pamjet: Turistët ndihmojnë shqiptarët të pastrojnë plazhet

By: b b
26 August 2025 at 14:41

Turistë dhe qytetarë i janë bashkuar ditën e sotme fushatës së pastrimit të plazheve. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë iniciativë si një model të sjelljes qytetare dhe të përkujdesjes për hapësirat publike.

“Turistë dhe qytetarë vullnetarë i janë bashkuar ekipeve të bashkive dhe operatorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në nismën e pastrimit të plazheve, duke dhënë kështu shembullin model se si duhen trajtuar hapësirat publike, me qytetari, angazhim të përbashkët e stil të bukur jetese.”, shkruan Rama krahas fotove që tregojnë qytetarë të cilin mbledhin mbeturina në rrugë apo në bregdet.

Zjarr i përmasa të mëdha në Lezhë, flakët përfshijnë dhe një lokal dasmash

By: b b
26 August 2025 at 14:15

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të martë një magazinë dhe një lokal dasmash në Lezhë.

Gazetari Martin Marku raportoi direkt nga Lezha për “Klan News” se fillimisht zjarri kishte nisur nga një sipërfaqe me shkurre, mirëpo për shkak të erës ka përfshirë dhe një magazinë, e më pas edhe një lokal dasmash, i cili është në pronësi të këngëtarit të muzikës popullore Zef Beka.

“Fillimisht zjarri ka rënë në një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ferra, në zonën e Shënkollit, në afërsi të superstradës Lezhë-Laç. Është duke u djegur totalisht një magazinë e cila është në afërsi të një lokali dasmash, në pronësi të këngëtarit të njohur Zef Bega”, tha Marku.

“Fatmirësisht nuk ka të lënduar”, tha gazetari, i cili shpjegoi se disa punonjës kishin qenë brenda në magazinë në momentin kur kishin nisur flakët.

Forcat zjarrfikëse janë aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Por për shkak se ka përmbajtje plastike situata bëhet më e vështirë.

Britania e Madhe merr masa për të trajtuar krimet e nderit kundër grave dhe vajzave

By: b b
26 August 2025 at 14:05

Qeveria britanike njoftoi sot masa të reja që synojnë një trajtim dhe parandalim më të mirë të të ashtuquajturave “vrasje nderi”, pasi disa incidente të tilla kanë tronditur opinionin publik në vitet e fundit.

Termi “vrasje nderi” i referohet çdo forme dhune ndaj grave dhe vajzave, kryesisht nga anëtarët e familjes së tyre dhe që synon mbrojtjen e kodit tradicional të nderit.

“Për një kohë shumë të gjatë këto krime të rënda, të cilat përfshijnë vrasje (…), gjymtim gjenital femëror dhe martesa të detyruara, janë lejuar të ndodhin”, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, fenomeni nuk është veçanërisht i përhapur në Britani, por për ta trajtuar më mirë atë, qeveria do të prezantojë një përkufizim të ri ligjor të “vrasjeve për nder” në mënyrë që të kapë më shumë autorë dhe të mbrojë më mirë gratë dhe vajzat nga dhuna dhe abuzimi.

Në të njëjtën kohë, mësuesit, policia, punonjësit socialë dhe punonjësit e shëndetësisë do të marrin trajnim të posaçëm për të qenë në gjendje të identifikojnë këtë lloj abuzimi dhe t’u ofrojnë mbështetje viktimave. Në të njëjtën kohë, do të nisë një fushatë informuese për të inkurajuar viktimat të flasin hapur.

“Ne do të përdorim çdo mjet në dispozicion për të siguruar që autorët të sillen para drejtësisë dhe viktimat të mbrohen”, tha Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper.

Karma Nirvana dhe 22 organizata të tjera ndihme mirëpritën masat e reja nga qeveria britanike.

Disa incidente të “vrasjeve për nder” kanë tronditur publikun britanik vitet e fundit. Midis tyre ishte edhe vrasja e femrave të avokates britaniko-pakistaneze Fauziyaz Javed, e cila u vra nga bashkëshorti i saj në vitin 2021 sepse kishte ndërmend të paraqiste kërkesë për divorc.

Statistikat e fundit treguan se 2,755 “vrasje nderi” janë regjistruar në Angli dhe Uells. Shifrat e publikuara vitin e kaluar treguan se ka pasur një rritje prej 60% të raportimeve në polici në dy vitet e fundit, gjë që mund të jetë për shkak të faktit se më shumë viktima gjejnë guximin të flasin hapur.

Hapet ura e re për automjete mbi lumin Ibër

By: b b
26 August 2025 at 13:54

Mëngjesin e së martës është hapur njëra prej dy urave që Qeveria në detyrë e Kosovës nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook se “më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër”.

“Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim”, shkroi ai.

Më herët, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi një fotografi të veturave duke kaluar mbi urën e re dhe shkroi: “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”.

Autoritetet kosovare e filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ajo i ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e tyre dhe tha se të dyja do të përfundonin në vjeshtë.

Ndërtimi i tyre u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër saj, i cili i mori mbi 3.500 nënshkrime.

Bashkimi Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.

“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.

Ndërkohë, teksa punimet për ndërtimin e tyre filluan, prokurorët njoftuan se kishin autorizuar hetime, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.

Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë të dhëna të tjera.

Urat e reja po ndërtohen pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.

Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar – gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.

Përveç ministrave, edhe Behgjet Pacolli te mbledhja e Ramës në Kryeministri

By: b b
26 August 2025 at 13:45

Pas mbylljes së pushimeve zyrtare, Qeveria ka rifilluar aktivitetin, me disa takime të rëndësishme në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Sot, më 26 gusht, Rama ka zhvilluar takime me disa ministra, në prag të sezonit të ri parlamentar dhe përgatitjeve për Asamblenë e Partisë Socialiste.

Por përveç ministrave, gazetarja Klesiana Omeri raporton për “Klan News” se në Kryeministri ka qenë i pranishëm edhe biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli. Ai është parë duke dalë nga godina e qeverisë pas përfundimit të takimit, duke shtuar interes për atë që po diskutohet në mjediset e larta të politikës shqiptare.

Në këto takime, i pari që mbërriti në zyrën e kryeministrit ishte ministri i Financave, Petrit Malaj. Më pas, atij i janë bashkuar ministrja e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e me radhë.

Në focus mendohet të jetë përgatitja e Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila pritet të jetë forumi më i rëndësishëm politik i PS-së për këtë periudhë. Në asamble do të bëhen publikë edhe emrat e qeverisë së re, ndërsa pritet me shumë interes se çfarë ndryshimesh do të bëjë Kryeministri Edi Rama në kabinetin e tij.

❌
❌